70 vite karrierë të Claudia Cardinale, përmbledhen në MoMA të Nju Jorkut

Muzeu i Artit Modern (MoMA) në Nju Jork, në bashkëpunim me Cinecitta i kanë kushtuar një ekspozitë aktores me famë botërore, Claudia Cardinale.

Pothuaj 70 vitet karrierë janë përmbledhur në këtë event, që si rrallëherë Muzeu i Artit Modern ia kushton një artisti të vetëm, sa kohë është ende në jetë.

Në ekspozimin e 23 filmave, 17 prej të cilëve tashmë të restauruar, 84-vjeçarja Cardinale, nuk mundi të ishte e pranishme, por ekspozita u inaugurua nga vajza e saj Claudia Squitieri.

“Megjithëse e adhuruar në nivel ndërkombëtar për shkak të bukurisë së saj Claudia Cardinale ka treguar përmes roleve në filma, brishtësinë emocionale si edhe inteligjencën”, shkruan MoMA, në përshkrimin e ekspozitës, e cila do të jetë e hapur për publikun deri më 21 shkurt.

Cardinale flet rrjedhshëm italisht, anglisht, spanjisht, dialektin siçilian si edhe gjuhën tuniziane, pasi ajo ka lindur në Tunizi, nga prindër me origjinë siçiliane.

Bashkëpunimet e Cardinale-s kanë qenë me emra të shquar të kinematografisë botërore si Fellini, Visconti, Abel Gance, Alexander Mackendrick, Sergio Leone, Werner Herzog dhe Richard Brooks.

Claudia Cardinale përveç aktrimit është njohur edhe për përpjekjet e saj si aktiviste e të drejtave të grave. / atsh / KultPlus.com

Objekti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës zgjon interesim në MoMA

Objekti i cili disa herë nga revista të ndryshme u cilësua si një prej më të shëmtuarve në botë, ka tërhequr vëmendjen e publikut në muzeun prestigjioz amerikan.

Objekti i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është prezantuar në Museum of Modern Art (MoMA) në New York, në kuadër të ekspozitës gjigante, që është para e llojit të tillë e prezantuar ndërkombëtarisht dhe që flet për arkitekturën e kohës së ish-Jugosllavisë. Është titulluar “Toward Concrete Utopia: Architecture in Yugoslavia 1948 -1980”.

Arkitekti kosovar Bekim Ramku, i cili është pjesë e ekipit kuratorial të kësaj ekspozite, organizuar nga Martino Stireli, shef kuratorial i arkitekturës në MoMA, ka thënë se objekti i Bibliotekës e ka tërhequr vëmendjen e publikut njujorkez.

“Stafi i MoMA-s më ka treguar se interesimi më i madh ka qenë për Bibliotekën”, ka thënë Ramku. Kjo ekspozitë që u hap për donatorë, financues e njerëz të tjerë të rëndësishëm, më datën 10 të këtij muaji, të dielën u hap edhe për publikun e gjerë, shkruan sot “Koha Ditore”./ KultPlus.com

Kosova në MoMA me modelin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës

‘Towards Concrete Utopia​ / Arkitektura në Yugosllavi mes viteve 1948–1980’ është ekspozita më e madhe e arkitekturës jugosllave, që këtë verë hapet në Muzeun e Artit Modern – MoMA në New York.

Arkitekti kosovar Bekim Ramku, konsulent kuratorial i kësaj ekspozite, ka konfirmuar që në këtë ngjarje të madhe të arkitekturës, mes tjerash përfshihet edhe modeli i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës me arkitektin kroat Andrija Mutnjakovic.

Kjo ekspozitë eksploron temat e urbanizimit, teknologjisë në jetën e përditshme, konsumizmit, monumenteve dhe memorializimit përfshin më shumë se 400 vizatime, modele, fotografi dhe filma nga një koleksion arkivash komunalë, koleksionesh familjare dhe të muzeve në të gjithë rajonin. Në të tregohen edhe punët e arkitektëve të rëndësishëm të kohës, si Bogdan Bogdanoviq, Juraj Neidhardt, Svetlana Kana Radević, Edvard Ravnikar, Vjenceslav Richter dhe
Milica Šterić.

Vëmendje e posaqme i është dhënë Xhamisë së Bardhë në Bosnjën rurale, projektit të rindërtimi i qytetit të Shkupit, në bazë të dizajnit metabolist të arkitektit japonez Kenzo Tange si dhe shtesës së qytetit Beogradi i Ri.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës në Prishtinë, është monument i trashëgimisë kulturore. E ndërtuar në vitin 1973-81, kjo biblotekë është dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakovic. Si tërësi arkitekturore paraqet një kombinim të kubeve dhe kupolave që i takojnë tipit të arkitekturës “regjionalizmi i ri”.

Ndërtesa është katërkatëshe me sipërfaqe prej 16.500 m², prej të cilave 13.500 m² sipërfaqe të shfrytëzueshme. Në pikëpamjen kompozicionale biblioteka veçohet si tërësi kubesh të mbështjella me membranë skeletore çeliku, e cila në kombinim me ndriçimin zenitor të realizuar përmes kupolave, krijon një sistem ndriçimi që siguron ndriçim të bollshëm dhe mbrojtje nga izolimi i tepruar.

Në vitin 2016 Fondacioni Kosovar i Arkitekturës u shpërblye me grantin “Keeping it Modern” nga Getty Foundation për ta përpiluar Planin e Konzervimit dhe Menaxhimit të ndërtesës. Sipas Bekim Ramkut, qe poashtu drejton kete fondacion, fakti që Biblioteka Kombëtare do të paraqitet në këtë ekspozitë në MoMA, do kontriboj edhe më shumë në promovimin e arkitekturës moderne Kosovare jasht vendit e në vecanti objektit të Bibliotekës Kombëtare që fatkeqësisht është në gjendje jo të mirë dhe e neglizhuar. / KultPlus.com