Monumenti i Skënderbeut pritet të vendoset më 6 maj në Prizren

Monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut pritet të vendoset në Prizren më 6 maj, në ditëlindjen e tij, bëhet e ditur përmes një komunikate për media nga shoqata “Trojet e Arbrit”.

“Duke e parë faktin se shumë mërgimtarë anë e kënd Evropës e Amerikës edhe shumë shqiptarë që jetojnë në të gjitha trojet shqiptare dëshirojnë të marrin pjesë në vendosjen e monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Prizren, Shoqata “Trojet e Arbrit “njofton të gjithë shqiptarët se vendosja e monumentit do të bëhet më 6 maj 2020”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se kjo shtyrje prej dy muajsh ka të bëjë me procesin e përgatitjes së monumentit nga ana e skulptorëve si dhe në përfundimin me sukses të aksionit për grumbullimin e mjeteve nga ana e Shoqatës “Trojet e Arbrit”, transmeton Koha.net.

“Që gjithçka të shkojë mirë e mbarë i ftojmë mërgimtarët shqiptarë si dhe komisionet që kemi formuar nëpër shtetet e Evropës dhe Amerikë që ta shpejtojnë sa më shpejtë që është e mundur grumbullimin e mjeteve financiare”, thuhet në komunikatë.

“Po ashtu falënderojmë të gjitha ata të cilët deri më tani na përkrahën pa kursyer që ky projekt kombëtar të përfundojë me plotë sukses. Të kontribuosh në mbrojtjen e identitetit shqiptar nëpër shekuj është madhështi, t’i largohesh këtij kontributi dhe ta mohosh identitetin kastriotas është një ligësi dhe atdhemohim që se kemi pasur asnjëherë traditë gjatë tërë historisë sonë”, ka thënë Nue Oroshi, kryetar i kësaj shoqate. /KultPlus.com

Docomomo International letër Komunës së Prishtinës: Mos e shkatërroni monumentin

Docomomo International – Komiteti Ndërkombëtar i Dokumentimit dhe Konzervimit të Objekteve, Sajteve dhe Lagjeve të Lëvizjës së Modernizmit, dëshiron ta ngrej vëmendjën e opinionit të gjërë për rrezikun që i kanosët monumentit të Bashkim Vllaznimit në Prishtinë.

Para disa ditë Komuna e Prishtinës filloi punimet në rimodelimin e ish sheshit të Bashkim Vllaznimit në qendër të qytetit, ku gjindet edhe monumenti në fjalë. Ky monument i ndërtuar në vitet e 50-ta është pjesë e memorijës kolektive të qytetit dhe për shumë dekada me rradhë ka shërbyer si shenjë identifikuese e qytetit.

Sipas vizulalizimeve të prezentuara për publikun e gjërë nga Komuna e Prishtinës, shihët se monumentit do ti largohen statujat e bronzit si dhe pjesa qendrore në të cilën pushon ky monument, pjesë këto integrale të monumentit.

Kjo letër që i është adresuar kryetarit të Prishtinës, si dhe institucioneve tjera relevante në Kosovë si Ministria e Kulturës, Qendra Regjionale e Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë, Departamentit të Kulturës në Komunën e Prishtinës, fton të gjithë individët dhe institucionet relevant që mund parandalojnë shkatërrimin e këtij monumenti me vlera të larta moderniste.
Së bashku me Docomomo International, Docomomo Kosova fton të gjitha institucionet relevante, në vencanti Komunën e Prishtinës dhe kryetarin e saj, që ta marr këtë cështje me seriozitetin më të lartë dhe ta parandaloj shkatërrimin në pakthim të këtij monumenti./KultPlus.com

Rugova në përurimin e monumentit të Skënderbeut: Gjeneratat e reja do të rriten me heroin e vet (VIDEO)

Presidenti historik, Ibrahim Rugova ishte ai që u ishte drejtuar të gjithë të qytetarëve dhe të pranishmëve që kishin ardhur në përurimin e monumentit të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Fjalimi i tij cilësohet si një fjalim emocionues, në atë ditë të rëndësishme për Kosovën. Në fjalimin e tij presidenti Rugova, kishte thënë se kjo ishte një ditë e madhe për Kosovën, që ndër gjenerata e kishin ëndërruar.

“Sot është një ditë e madhe sepse po përurojmë monumentin e heroit nacional të shqiptareve në Prishtinë. Shumë gjenerata të mëparshme dhe gjenerata jonë, e kemi ëndërruar këtë ditë. Gjeneratat e reja, fëmijët tanë do të rritën me Skënderbeun do të rritën me heroin e vetë”, kishte thënë Rugova gjatë fjalimit të tij.

Ndër të tjera, ai kishte shtuar se edhe Gjergj Kastrioti do të ndihej i lumtur për lirinë e Kosovës dhe për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.
“Gjergj Kastrioti ndihet lumtur për lirinë e Kosovës, të Dardanisë antike. Ndihet i lumtur sepse miqtë e tij janë në Kosovë dhe me Kosovën. Ndihet i lumtur sepse Kosova shqiptarët do të bashkohen dhe integrohen në botën evropiane, aty ku e kanë vendin, në atë botë që Kastrioti e ëndërroi”, kishte thënë ndër të tjera Ibrahim Rugova.

Po ashtu, në këtë video shihen edhe Mark Krasniqi, Nekibe Kelmendi, Tahir Zemaj, Skënder Hyseni dhe shumë veprimtarë./ KultPlus.com