Presidentja Osmani: Rugova, simbol i rezistencës

Me rastin e 18 vjetorit të vdekjes së ish-Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, për nder të kujtimit dhe trashëgimisë së tij, nën përkujdesjen e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Gjilan është mbajtur akademi për Rugovën.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Rugova është ati i shtetit të Kosovës. Ajo tha se ai e deshi Kosovën.

“Kosova ishte me fat që kishte njeriun e urtë dhe i cili i shndërruar shpejt në simbol të rezistencës në frymë që nuk shuhet, në flamur që nuk bie kurrë”, theksoi Osmani. E para e vendit vlerësoi se R|ugova është arkitekti i pavarësisë së Kosovës. “Presidenti Rugova do të mbete gjithherë në kujtesën tonë”, tha ajo.

“Ai qe vërtetë i biri i Kosovës. I shërbeu deri në frymën e fundit vendit. Ja kushtoi jetën Kosovës. Ai qe mobilizues i jashtëzakonshëm i një populli të tërë mbi vlerat e lirisë. Ai nuk ngurroi ta shprehte kërkesën për lirinë e individit dhe të popullit. Duke e kërkuar atë, ai u shndërrua në model të prijësit”, ka thënë ajo.

Osmani  theksoi se në personalitetin e Rugovës është simbolizuar historia e një kombi të sprovuar ndër shekuj.

Sipas saj, Presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës. “Rugova fliste shkurt por fjalët i kumbonin shumë. Presidenti Rugova do të mbetet përherë në themelet e shtetit të Kosovës. Trashëgimia e tij është e jashtëzakonshme. Ai e solli vëmendjen e botës demokratike në Kosovë. Sot ai është fanar që na udhëheqë”, ka thënë e para e vendit./rtk/KultPlus.com

Presidenti Begaj përkujton ish-presidentin Rugova: Është e do të mbetet modeli i politikanit frymëzues

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka përkujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, me rastin e 18-vjetorit të vdekjes së tij.

Presidenti Begaj përmes një postimi në Facebook, tha se Rugova ishte lideri paqësor e paqëtues, dhe do të mbetet modeli i politikanit frymëzues për politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës.

“Ibrahim Rugova, Presidenti historik i Kosovës, lideri paqësor e paqëtues, është e do të mbetet modeli i politikanit frymëzues për politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës”, ka shkruar presidenti Begaj./KultPlus.com

Ibrahim Rugova midis realitetit dhe ikonës

Nga Jusuf Buxhovi

Historia nuk do të ishte histori po qe se nuk do t’i kishte aktorët e saj të përhershëm, të cilët, megjithatë, në të mbesin të prekshëm.

I tillë shfaqet edhe dr. Ibrahim Rugova, lideri i lëvizjes së kundërvënies civile ndër më të mëdhatë dhe ndër më të fuqishmet mbi bazat institucionale dhe më vonë edhe president i parë i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e lira të mbajtura në vitin 1992. President i Kosovës do të zgjidhet edhe në vitin 1998. Edhe në rrethanat e protektoratit ndërkombëtar, në vitin 2001 dhe 2004 Rugova zgjidhet president i Kosovës. Nuk do të arrijë 17 shkurtin, por askush nuk mund t’ia marrë  vendin që i takon në altarin e të merituarve të pavarësisë së saj.

Por, nëse mund të thuhet se Rugova është pjesë e historisë sonë më të re, ka edhe të tillë që nuk pajtohen me kthesën historike që ka sjellë filozofia politike e lëvizjes që ka bërë shkëputjen me komunizmin dhe ideologjinë totalitare dhe njëherësh ia ka hapur rrugën përkatësisë botës perëndimore dhe civilizimit të saj ku edhe gjendemi.

Zaten, këtu e kanë burimin edhe thyerjet për dhe kundër Rugovës të cilat mbahen sot e gjithë ditën, që në të vërtetë duhet kuptuar si ndeshje midis pikëpamjeve të së djathtës në njërën anë dhe në tjetrën anë të atyre që vinë nga bindjet majtiste  të reinkarnuara edhe me amalgamin religjioz, ku edhe më tutje manifestohen mbetjet e ngarkesave ideologjike, veçmas tek ajo pjesë e shoqërisë që ende nuk është liruar nga mentalitet patriarkale, ku vetëdija folklorike në masë të madhe ushqen prirjet totalitare.

Shikuar nga këndvështrimi historik, këto mbetje edhe janë të arsyeshme nëse kihet parasysh vendosja e diktaturës komuniste, e cila shqiptarëve në të dy anët e kufirit të dhunshëm do t’u vijë nga Lindja, e cila pas Luftës së Dytë Botërore, fuqinë do ta fitojë nga meritat në luftë kundër fashizmit.

Vendosja e sistemit komunist në Shqipëri dhe në Jugosllavi në të njëjtën kohë do të thotë qërim hesapesh me vetëdijen “borgjeze” dhe antikomuniste, viktimë e së cilës do të jetë shtresa e inteligjencies shqiptare me bindje perëndimore, por viktimë tjetër edhe më e madhe do të jetë Partia Nacional-Demokrate Shqiptare NDSH, me orientim antikomunist, ndaj anëtarësisë së të cilës do të zhvillohet një terror i madh ku dënimi me vdekje do t’i gjejë drejtuesit e saj.

Natyrisht, se pos pastrimit sistematik nga vetëdija e NDSH-së, në vitet e para të pasluftës, komunistët jugosllavë dhe ata shqiptarë bashkarisht ndërmorën fushatën për çrrënjosjen e të gjitha vlerave kulturore të përkatësisë perëndimore të botës shqiptare, që nga heqja dhe ndalimi i veprave të Gjergj Fishtës, Lasgush Poradecit, Koliqit dhe të shkrimtarëve të tjerë në mënyrë që t’i hapej rruga edukimit socialist me anën e metodës së socrealizmit, i cili sistematikisht do të pastrojë trurin shqiptar nga “mbetjet” imperialiste dhe reaksionare për t’ua futur ato të “njeriut të ri” të shpërlarë nga vlerat e së kaluarës. Krahas dhunës ideologjike, shqiptarëve të Kosovës dhe të pjesëve të tjera në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, do t’u rëndojë edhe shtypja e egër hegjemoniste e Beogradit, e cila deri në vitet e gjashtëdhjeta ishte në përputhje me strategjinë e memorandumeve antishqiptare të akademikëve serbë për shkatërrimin e qenies së tyre etnike.

Edhe përkundër këtyre zhvillimeve me orientime ideologjike, megjithatë nga mesi i viteve gjashtëdhjeta e tutje, në Kosovë, klima liberale politike e cila do të shfaqet pas rrëzimit të Rankoviqit, e cila do të përcillet edhe me ngritjen e autonomisë së Kosovës në shkallën e subjektit të Federatës, do të shfrytëzohet për barazi me të tjerët po edhe për kthimin kah vlerat e civilizimit perëndimor. Ky ndryshim shoqëror do të sjellë edhe një ndryshim tjetër të stereotipit të kërkesave të shqiptarëve nga ai i bashkimit me Shqipërinë dhe çlirimit, qoftë edhe nën ombrellën e shtetit stalinist shqiptar, tek barazia me të tjerët në federatën jugosllave, që do të pasqyrohet me kërkesën për Republikën e Kosovës.

Rugova mund të merret ekzemplari tipik i gjeneratës së intelektualëve shqiptarë, të cilët në saje të arsimimit dhe të ngritjes, kanë shënuar kapërcimin nga lirimi i kornizave ideologjike të sistemit kah vlerat e shoqërisë së lirë perëndimore në qendër të të cilave është liria, barazia dhe demokracia perëndimore ku janë parë rrënjët e përbashkëta dhe gjithë ajo që një popull e qet me kujtesë të formuar historike dhe ndërlidhja me të paraqet ardhmëri. Andaj, edhe kërkesa për barazi,  e ngritjes së Kosovës në Republikë në demonstratat e vitit 1968 dhe ato të vitit 1981, e parë në kuadër të  zhvillimeve progresive të shoqërisë dhe të institucioneve të saj, nuk shfaqej si çështje formale, po pjesë e hapësirës së lirisë dhe të barazisë me të tjerët, ku kornizat ekzistuese të autonomisë, duhej hapur sa më parë, ngaqë ato tashmë ishin bërë të ngushta dhe mund të krijonin edhe ngulfatje madje. Por, meqë për këtë mungonte vullneti i klasës politike shqiptare, do t’u hapet udha kërkesave institucionale dhe jashtinstitucionale në përputhje me përcaktimet civilizuese dhe postulate e saj që ngriheshin mbi barazinë dhe lirinë.

Kur do të shfaqen shenjat e para të krizës Jugosllave dhe do të shihet se klasa politike e Kosovës, nga kompromiset e shumta që kishte bërë nga viti 1981 e tutje për të ruajtur atë që ishte fituar me kushtetutën e vitit 1974 e që realisht nuk mund të mbrohej, nuk do të jetë në gjendje të marrë përsipër fatet e popullit, para intelektualëve të këtij orientimi, që edhe ashtu viteve të fundit kishin bartur gjithë barrën e kundërvënies projektit hegjemonist të intelektualëve serbë nga  Memorandumi i Akademisë Serbe i vitit 1986,  shtrohej domosdoja e marrjes me politikë si një përgjegjësi historike mbi koncepte dhe ide të qarta, që nuk mund të ishin të tjera pos në frymën e civilizimit perëndimor dhe të pluralizmit politik.

Dhe marrja me politik duhej të kishte një koordinatë të dyfishtë: lirimin nga dhuna e ideologjisë totalitare dhe kërkesën e barazisë, me emërues të përbashkët demokracinë. Këto ishin prioritete, po që e para – lirimi nga dhuna ideologjike, shfaqej si parësore, ngaqë për ata që e dinin se çfarë fatkeqësie i kishte sjellë botës shqiptare ideologjia komuniste dhe përkatësia e dhunshme asaj nga Lufta e Dytë Botërore e tutje, lirimi nga kthetrat e dhunës totalitare dhe të sistemit mbi të cilin qëndronte, paraqiste parakushtin e parë të kapërcimit tonë nga Lindja tek Perëndimi, që të bëhemi pjesë dhe interes perëndimor, e ku pastaj, mund të arrihej edhe barazia e edhe liria.

Sigurisht se këtij përcaktimi, që do të paraqesë pikënisjen e filozofisë politike të programit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të lëvizjes së cilës do t’i prijë ajo, do t’i vinë në ndihmë zhvillimet pozitive në skenën politike botërore që do të shfaqen pas rrënimit të Murit të Berlinit kur pas bashkimit gjerman do të fillojë të bie perdja e hekurt, pastaj edhe imperia e kuqe sovjetike e bashkë me të edhe bipolariteti blokist dhe konfrontimet ideologjike që për gjysmë shekulli botën e kishin mbajtur në ethët e luftës së ftohtë.

Në këto rrethana, lëvizja shqiptare do të zhvillohej në dy binarë paralelë: fillimisht të shkëputjes nga Serbia me anën e arritjes së plotë të subjektit federativ, me çka do të fitohej edhe e drejta për vetëvendosje deri te shkëputja nga Jugosllavia, dhe në atë të shkëputjes me ideologjinë komuniste.

Si do të shihet ecja nëpër këta binarë paralel nuk do të jetë aspak e lehtë, ngaqë hapte konfrontimin dykrahësh me Serbinë, e cila ishte në vlugun e unitarizmit dhe shumëkush në Jugosllavi priste që nga konflikti serbo-shqiptar të përfitohej që sa më lehtë të liroheshin nga Beogradi, ndërkohë që shqiptarët ishin të vetëdijshëm se ky zhvillim duhej të shkonte kahut të kundërt në drejtim të Kroacisë dhe të Sllovenisë, ku do të prekeshin sferat perëndimore dhe kjo doemos do ta shtynte Perëndimin që të ndërmerreshin masa që Beogradit t’i shkëputej çfarëdo mundësie që si faktor i ri force në Ballkan të rikthente ndikimin rus, pikërisht atë që Moska e kishte humbur në saje të shtrirjes ideologjike.

Por, lëvizja shqiptare, e vetëdijshme se ishte pikërisht kursi antikomunist ai që asaj do t’ia hapte perspektivën historike dhe njëherësh Beogradit do t’ia hiqte çfarëdo mundësie që “stazhin” e dhunshëm komunist të shqiptarëve ta shfrytëzonte për qëllimet e veta, do të përqendrohet tek shkëputja me komunizmin dhe si do të shihet për më pak se tre muaj do të arrijë që në Kosovë komunistët të pësojë disfatën më të madhe, me ç’rast shqiptarët do të dëshmojnë se asnjëherë nuk kanë pas bindje komuniste, por që në atë fatkeqësi kanë qenë të përfshirë dhunshëm. Dhe, njëherësh, do të bëjnë me dije se përcaktimi i tyre është perëndimor pa kurrfarë dilemash dhe hipotekash me të cilat propaganda hegjemoniste serbe ç’prej kohesh ishte munduar ta ngarkojë dhe ta anatemojë herë si “filialë staliniste e Tiranës” e herë si “mbetje e rrezikshme e fundamentalizmit islamik” dhe të ngjashme.

Dhe natyrisht se përcaktimi perëndimor, nënkuptonte edhe sjelljen perëndimore, në përputhje me vlerat civilizuese, ku kërkesa për barazi, liri dhe demokraci shfaqen si të pakapërcyeshme.

Andaj, ishte e pritshme që edhe lëvizja e shqiptarëve për pavarësi të fillonte dhe të mbështetej mbi postulatet e barazisë dhe të demokracisë.

Vënia e Rugovës në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës si lëvizje gjithëpopullore, konceptin programor të mbështetur mbi trekëndëshin strategjik: barazi, demokraci dhe përkatësi perëndimore, do ta kthejë në një filozofi politike, atë të kundërvënies civile, që do të njihet herë si rezistencë paqësore, e herë si pushtet paralel e të ndryshme, por që në të vërtetë ka paraqitur dëshmitë më të mëdha civilizuese shetformuese, me anën e të cilave prania serbe në Kosovë do të reduktohej në atë të pushtuesit ushtarak, ndërkohë që do të ndikohet që agresioni serb dhe lufta që kishte nxitur të anashkalonte sa më shumë që të ishte e mundur Kosovën, edhe pse dihej që ajo një ditë do ta gjente, por që edhe kur kjo të ndodhte atëherë, Serbia të mos ishte ajo e vitit 1990 me miq dhe përkrahës të shumtë, po një monstrum i shkallmuar me hipotekat e xhandarit të Ballkanit dhe aleatit të vetëm të Rusisë, ndaj të cilit pastaj bota do të reagonte për të mbrojtur një popull dhe një lëvizje civilizuese vendi i së cilës ishte në Europë.

Por, ishte koha dhe ishin koniukturat ndërkombëtare ato që Rugovës dhe kursit të kundërvënies civile po i qitnin telashe, meqë lëvizja shqiptare fillimisht ishte e mbikëqyrur nga amerikanët dhe disa nga vendet perëndimore në krye me Gjermaninë, dhe ajo ndiqte të gjitha “këshillat” që i vinin nga Uashingtoni dhe Boni apo edhe Brukseli, të cilat rëndom kërkonin që të evitohej lufta, të evitoheshin konfliktet dhe të pritej.

Slogani dhe më vonë refreni “durim, durim”, që Rugova e përsëriste çdo të premte në konferencat për shtyp, po edhe kudo, njëherësh ishte edhe refren amerikan dhe refren perëndimor që u drejtohej shqiptarëve, që dikur më vonë kishte filluar të keqpërdorej edhe nga Beogradi, i cili “qetësinë” e Kosovës mundohej t’ia atribuonte gjoja lojalitetit ndaj Beogradit, i cili mund të prishej vetëm nga ndonjë kryeneçësi separatiste dhe terrorizëm me prapaskenë fundamentaliste!

Pa hyrë te vlerësimi i sjelljes politike të Rugovës, ku ka se çfarë thuhet, por ato duhet të shikohen nga distanca e duhur kohore dhe në përputhje me dokumentet e shumta arkivore kur shumë prej tyre t’u hiqet embargo, megjithatë duhet ruajtur nga ngatërrim i konceptit të filozofisë politike, çfarë ishte ai i lëvizjes gjithëpopullore të dalë nga programi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nga sjellja politike, e cila ishte në përputhje të plot me ato që asaj iu imponuan nga jashtë gjatë gjithë kohës sa ajo ishte e mbikëqyrur deri në hollësi, së cilës Rugova iu nënshtrua për vite të tëra, çka nuk ia ul vlerën atij, por përkundrazi e shfaq si politikan i cili e ka ditë fare mirë se çfarë mundet dhe çfarë nuk mundet, se çfarë guxon dhe çfarë nuk guxon, dhe e ka ditur se ana e zgjedhur, ajo e Perëndimit ishte e vetmja që mund të sjellë shpëtim dhe asaj duhej përmbajtur, meqë alternativa tjetër ishte gjenocidi serb.

Këtu, në të vërtetë del në pah se Rugova nuk ka pasur probleme me zbatimin e konceptit të kundërvënies civile me pushtetin paralel dhe institucionet e saj, dhe nuk ka pasur probleme as me blanko besimin ndaj aleatëve perëndimorë në krye me SHBA-të dhe rolin e tyre të madh në këtë zhvillim, por probleme i kanë dalë dhe vazhdojnë t’i dalin me sjelljen ndaj filozofisë politike të tij nga ana e një pjese të mirë të atyre që dikur i kishin takuar, e kishin mbështetur, por që pasi ai të ketë luajtur misionin historik siç ishte shkëputjes nga komunizmi dhe dhënia e dëshmive e përkatësisë civilizimit perëndimor dhe kundërvënia civile me pushtetin paralel, në një kohë kur tashmë ishin përmbushur rrethanat që të kalohej nga kundërvënia civile dhe gjendja e statusquos në atë të rezistencës së armatosur bartës i së cilës do të shfaqet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kishin filluar ta anatemonin lëvizjen së cilës i kishin takuar për vite të tëra, anatemë kjo që më pak qet në pah qëndrimin ndaj një individi, qoftë ai i një rëndësie si të Rugovës, e më shumë flet për problemet që ka një shoqëri me vetveten nga shkaku i konvertimeve me anën e të cilave ngatërrohet kompasi i orientimit historik që botës sonë i ka kushtuar aq shumë dhe mund t’i kushtojë edhe me shumë në një të ardhme nëse përkatësinë perëndimore e ngatërron me atë lindore dhe nëse përcaktimin antikomunist e ngatërron me atë ideologjik…

Dhe për fund, për ta ilustruar frikën e reinkarnimit të disa proceseve, gjithsesi se nga kujtesa ime do të thërras në ndihmesë dy shembuj të dy bisedave të bëra me Ibrahim Rugovën në Bon, në dhjetorin e vitit 1995 dhe atë në maj të vitit 1999, të  domethënëse për të kuptuar pse Rugova nuk mund të mbetet “i qetë” si pjesë e historisë, ku e ka vendin dhe pa marrë parasysh ato që i përplasen ai mbetet në histori dhe në një farë mënyre konfrontimi me të paraqet mospajtim me ato zhvillime historike dhe proceset nëpër të cilat është kaluar, ku dëshira për t’i rikthyer ato është e dukshme madje.

Si herën e parë, dhe  herën e dytë, Rugova do të ketë shqetësimin se lëvizja shtetformuese mund të mos rrumbullakohet në përputhje me filozofinë politike dhe konceptet mbi të cilat është vendosur nga shkaku i dy arsyeve: i koniukturave ndërkombëtare dhe lojërave të tyre në njërën anë dhe në tjetër anë nga mosgatishmëria e shqiptarëve që këtyre proceseve historike – shkëputjes nga komunizmi dhe përkatësisë Perëndimit – t’u përkushtohen sa duhet.

Rreth kësaj të dytës, madje, kishte dyshime se retardimet e vetëdijes totalitare dhe humbja e kompasit midis lindjes dhe perëndimit në dobi të ngatërrimit të së parës, mund të jenë tepër të rrezikshme sa të vihet në sprovë gjithë koncepti i fitores historike të kohës sonë, që për pasojë do të kishte kthimin e saj pikërisht aty ku ishte që nga Kriza Lindor e tutje, për t’u parë në dritën e faktorit negativ të Ballkanit dhe të stabilitetit të saj, pikërisht ashtu siç e kishte dëshiruar Beogradi, i cili aq shumë kishte investuar në të.

Por, t’i kthehem takimit të parë, atij të dhjetorit të vitit 1995 në Petersberg te Bonit, ku pas katër vitesh do të mbahen takimet e Grupit të Kontaktit për Kosovën dhe do t’u jepen edhe parafet e fundit marrëveshjeve të Kumanovës, me anën e të cilave do të bëhet tërheqja e forcave jugosllave nga Kosova, me çka do të krijohen kushtet për futjen e forcave ndërkombëtare të kryesuara nga ato amerikane në përputhje me rezolutën 1244 të OKB-së.

Ditë më parë Rugova kishte ardhur në një vizitë në Gjermani. Zoti Hase, nga Ministria e Jashtme më njoftoi se Rugova ishte pritur në Ministrinë e Jashtme zyrtarisht nga ministri Kinkel. Tha se  për dy ditë lideri i shqiptarëve të Kosovës, i vendosur në rezidencën qeveritare në Petersberg të Bonit, ishte  mysafir i qeverisë gjermane. Marrja e Rugovës në mbikëqyrje nga qeveria gjermane pamëdyshje se paraqiste një shkallë tjetër të trajtimit politik të Rugovës nga ana e gjermanëve krahasuar me sjelljen e deriatëhershme që ishte përherë “jozyrtare”.  Pas njoftimit zyrtar, Has më ftoi në darkën e përbashkët me Rugovën në Petersberg, që shtronte ministria e jashtme.

Sinqerisht i gëzohesha takimit me Rugovën, jo pse nuk e kisha takuar prej më shumë se dy vitesh, me rastin e largimit në Gjermani dhe aty personalisht ia kisha shpjeguar arsyet e këtij veprimi, po pse ndjeja nevojë për një shfrim intelektual të tillë, që aty më mungonte në ato rrethana shtresimi të madh profesional. Në mbrëmje, në orën 20 do të ngjitem në majën e Petersbergut, dhe në verandën e madhe të kthyer me shikim nga Rajna dhe Bad Godesbergu, takova Rugovën e qetë dhe të mendueshëm, siç e kisha lënë në zyrën e tymosur të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Nuk patëm mundësi të çmalleshim gjithaq meqë pas pak do të vijë nikoqiri, Hase me një bashkëpunëtor dhe edhe Bujar Bukoshi, me të cilin Rugova do të përshëndetet ftohtas pa luajtur nga vendi fare. Ishte e qartë se takimi i tyre thuajse i detyrueshëm ishte bërë nga Ministria e Jashtme gjermane, dhe ata kishin pasur arsye për një gjë të tillë.

Darka kaloi në një atmosferë të ftohtë, me ndonjë ndërhyrje të lehtë të zyrtarit të lartë gjerman rreth shijes së verës, apo panoramës së Rajnës e mbërthyer nga dritat që e përshkonin, e cila nga ajo pikë dukej impozante. Ndërkohë që Rugova ia kthente me ndonjë përshtypje nga panoramat e Senës së Parisit natën. Herë pas herë Rugova ma shtronte ndonjë pyetje rreth krijimtarisë letrare, që thoshte se duhej ta vazhdoja, duke e ndërlidhur shkëputshëm me ndonjë përshtypje nga romani im “Prapë vdekja” (ato ditë i ishte ndarë çmimi vjetor i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës), që thoshte se pjesa e dytë dhe e tretë i kishte lënë përshtypje dhe fliste se një ditë, kur të gjente kohë, do të shkruante një studim pak më të gjerë, siç kishte vepruar edhe me romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”.

Pas nja dy orësh darka kishte kaluar dhe në ishim ndarë ftohta me përshtypjen e ndërsjellë se ajo ndoshta as që ia kishte vleftë, sepse kishte shpërfillur përfytyrimin e atyre që midis nesh, qoftë si kujtime duhej të ruheshin të paprekura. Por, diku nga mesnata do të bjerë telefoni dhe nga ana tjetër e kufjes do të dëgjoj zërin e Rugovës. Më tha se po të kisha mundësi do ta vazhdonim takimin.

“Ka edhe pak verë të mirë këtu që nuk ka mbaruar”, foli si me mahi.

Pas gjysmë ore takova Rugovën që po më priste në verandën e madhe ku darkuam. Tha se mirë ishte të kalonim në pjesën tjetër, por pas pak ndërroi mendjen dhe u vendosëm aty ku ishim. Me të shpejtë hetova një njeri tjetër. Të tillë siç e mbaja mend nga bisedat që herë pas herë bënim te “Eni” i Neshetit kur ai mbyllte lokalin në orët e vona të natës dhe ne mbeteshim vetëm aty deri në orët e hershme të mëngjesit.

Nisi të fliste me shqetësim dhe ndrojtje rreth Dejtonit. Duket se këtë e kishte edhe nga biseda që kishte pasur atë ditë me Kinkelin në Ministrinë e Jashtme dhe kisha informata se si ministri i jashtëm gjerman i kishte thënë se edhe më tutje duhej të vazhdonte kursin e rezistencës civile, por që ia kishte bërë me dije se duhej të ishte i gatshëm për biseda të drejtpërdrejta me Beogradin rreth zgjidhjes së problemeve që kishin, por Rugova ia kishte kthyer se nuk mund të kishte biseda për çështje problemesh, por rreth ndarjes përfundimtare nga Serbia në përputhje me vullnetin politik të shprehur të popullit të Kosovës që nga dy korriku, kushtetuta e Kaçanikut, referendumin për pavarësi dhe të tjerat. Madje, Rugova i kishte thënë ministrit gjerman se edhe po qe se do të detyrohej të hynte në bisedime me Beogradin, do të bisedohej për statusin, ku garant do të ishte faktori ndërkombëtar e assesi ndryshe. Meqë Kinkeli i kishte thënë se vullneti i shprehur i shqiptarëve ishte një dhe koniukturat ndërkombëtare diç tjetër, që kurrë s’u dihet, por aty është fjala e fundit, shihej qartë se Rugova edhe më tutje nuk ishte liruar nga trysnia e atyre që kishte dëgjuar nga ministri i jashtëm gjerman. Haptas tha se druante se mund të mbeteshim viktima të disa hesapeve nga shkaku se Perëndimi edhe më tutje dëshironte ta mbante Serbinë partner të rëndësishëm rajonal. Brengosej pra se premtimet që i ishin dhënë popullit të Kosovës se kishim amerikanët me vete dhe Perëndimin, mund të dukeshin vetëm premtime.

Nuk dija se çfarë t’i thosha tjetër pos të shtoja se përkundër asaj që ishte arritur në Dejton, megjithatë nuk kishte përfunduar drama e Ballkanit. Sepse, edhe më parë kishte pasur marrëveshje, por ato shpejt kishin rënë në ujë.

“Nuk ma thotë mendja se amerikanët mbesin në gjysmë të rrugës. Ata kanë interesa gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan, ku faktori shqiptar luan rol”.

Ia përkujtova ato që senatori Robert Dol na i kishte thënë në prillin e vitit 1990 në Uashington kur na kishte ulur bashkarisht me Qosiqin dhe, pas asaj bisedë,  i fascinuar, kishte zënë ngojë kunjat e mëdhenj që lëviznin botën…

Edhe pse Rugova i dinte këto dhe ishte shumë mirë i informuar nga të gjitha anët, megjithatë ishte njëfarë rënie depresive e çastit që e kishte mbërthyer aty ku njeriu duket si pikë e vogël uji në detin e madh. Pas pak kjo edhe do të hetohej, kur sërish do t’i kthehet qerja do të thotë se ia kishim dalë të bëhemi interes i Perëndimit. Kjo do të kishte rëndësi që të mos kthehemi më në tutelën e Beogradit. Më përcolli me fjalët, që mezi i thoshte:

“Nuk ka kthim prapa, por ne edhe më tutje do të mbesim peng i sferave të interesit. Sikur i kemi fat?… Megjithatë, duhet bërë çmos që të mbesim në perëndim dhe jo në lindje”.

Edhe takimi i dytë dhe i fundit që do ta kemi, në maj të vitit 1999 në Bon,  filloi ftohtas në një pasdite kur do t’i drejtohem hotelit “Kënigshof” skaj Rajnës, ku ishte vendosur pas largimit nga Roma, për të vazhduar pas gjysmës së natës, kur do të më drejtohej me telefon që të bisedonim paksa, siç kishte kërkuar para katër vitesh nga rezidenca e qeverisë në Petersberg skaj Bonit dhe kokën e kishte me brengat e të panjohurave të Dejtonit.

Në të vërtetë, gjatë takimit të pasdites, ne kishim pirë kafe në terasën e rrethuar me xhama skaj Rajnës dhe ai kishte bërë përpjekje që disi t’i ikte tollovisë që e ndiqte nga prania e madhe e atyre që kishte me vete dhe e vizitorëve të shumtë që pareshtur vinin nga të gjitha anët e Gjermanisë dhe dëshironin ta takonin. Dhe kjo si duket e kishte lodhur po edhe bezdisur si shumë. Këtë ma tha sapo u takuam pas gjysmës së natës dhe vazhduam të bisedonim nga pjesa e djathtë e barit që shikonte pjesën e Rajnës në drejtim të Bad Godesbergut, ku pirgu i ndriçuar i kullës së kështjellës, dukej si mrekullitë e Babilonit.

Ky takim, megjithatë, ishte tjetër  nga ai i Petersbergut, ngaqë Rugova kishte kaluar nëpër shumë sfida, ndër të cilat më e vështira pa mëdyshje ishte ajo e Beogradit, kur për disa javë ishte mbajtur peng i Millosheviqit, dhe ai ishte munduar ta shfrytëzonte për qëllime të caktuara politike. Mendja ma merrte se Rugova kishte këtë gur në zemër dhe barrën e tij, që mund ta ngarkonte përjetshëm. Andaj, prisja që nga ai paksa të zbrazej. Por, për habi, preokupim nuk e kishte kohën e Beogradit. Si edhe me rastin e takimit në Petersberg kur më kishte folur për dilemën e sferave të interesit dhe pengun e tyre me preokupimin jetik që të mbeteshim në atë të Perëndimit dhe jo në të Lindjes, këtë herë më foli për frikën nga reinkarnimi ideologjik i vetëdijes totalitare.

Kisha përshtypjen se nga ai po fliste një frikë e madhe, e brendshme dhe tejet e thellë, e cila nuk shfaqej vetëm si dyshim, por si ndjekje, që nganjëherë i përngjan paranojës.

“I druaj hakmarrjes komuniste”, do të më thotë një çast me aso shqetësimi, sa më shkoi mendja se mund të ndodhej para ndonjë thyerje të rëndë psikike dhe mendja më shkoi tek pasojat e Beogradit.

“Nuk mund të çrrënjosen bindjet totalitare. Ato preokupojnë shpirtin dhe mendjen njësoj…”

Çfarë t’i thosha kur e dija se kishte të drejtë, por nuk ma merrte mendja se ai tashmë ishte mbërthyer i tëri nga ajo druajtje.

Prapë përmendi hakmarrjen komuniste, dhe si për çudit, kaloi te Xhojsi dhe Uliksi i famshëm, i cili shumë herë na kishte ardhur në ndihmë gjatë bisedave me diplomatët e huaj. Mendja ma tha se ky do të ishte një shkas të ndërronim temën e rëndë, po ai prapë e ktheu tek hakmarrja dhe frika prej saj. Më pyeti se a e dija pse Xhojsi nuk kishte dashur të vdiste në Dublin?

Edhe pse e dija se ishte njëfarë paranoje së cilës ai kohëve të fundit i ishte nënshtruar kur kishte vendosur që të mbetej në Paris dhe aty të vdesë, përgjigjes i bishtnova me atë që thashë se Parisi mund ta kishte fascinuar siç ka fascinuar gjithë botën.

“Ku ka më mirë se të vdiset në Paris”, fola pak si me shaka.

“Ka!” m’u drejtua me një zë tejet tingëllues. “Vdekja më e mirë është në Dublin!”

Pas pak midis nesh mbërtheu një heshtje shurdhe. Hetova se ishte në një gjendje të rëndë, por që kishte nevojë prej saj disi të lirohej. Kishte nevojë të fliste me dike nga shpirti. I thashë se mund të vdisej edhe në Dublin. Pse jo?…

“Në Dublin është madhështi të vdiset, por është mallkim të vritesh… Nuk e dua vrasjen në Dublin… Nuk e dua…”

“Kush do ta donte…?” – ia ktheva pasi më drejtohej që t’i thosha diç.

Pak më vonë, tha se Xhojsi ka pasur parandjenjën se mund ta vrasin në Dublin dhe kjo do të jetë vrasje shpirti, që nuk do të mund ta duronte, ngaqë ajo vrasje do ta ngarkonte me mallkim të përhershëm çdo irlandez dhe vetë Irlandën.

“Xhojsi kishte hallin e mallkimit irlandez. Kësaj i frikësohej… Kishte mallkimin e shpirtit…”

Kur po largohesha, më dukej se fjalët për mallkimin e shpirtit dhe atë të hakmarrjes komuniste, nga ajo e sojit stalinist, m’u kishin vu pas dhe po më ndiqnin nga të gjitha anët..

(Shhkëputje nga libri “Kthesa historike” 1 Vitet e Gjermanisë dhe epoka e LDKs-ë, 2008).

…./KultPlus.com

Kryeministri Kurti njofton familjen Rugova për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Historik: Ai bashkoi popullin e Kosovës kundër okupimit të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në 18 vjetorin e vdekjes së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova ka vizituar familjen Rugova.

Kryeministri Kurti ka deklaruar se ish- presidenti Rugova e bashkoi popullin e Kosovës kundër okupimit të Serbisë.

Në këtë vizitë Kryeministri Kurti po ashtu ka njoftuar familjen Rugova se së shpejti do të fillojnë restaurimet në Rezidencën e Presidentit Ibrahim Rugova, ndërtesë kjo e cila është shpallur aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore më 2016.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në facebook:

Sot, 18 vite më parë u nda nga jeta Presidenti Historik i Kosovës, doktor Ibrahim Rugova. Ai e bashkoi popullin e Kosovës kundër okupimit të Serbisë, duke e bërë rezistencën humane dhe humanitetin rezistencë.

Në nderim të figurës së tij dhe kontributit të madh për kombin dhe shtetin tonë, bashkë me zëvendëskryeministren Gërvalla dhe ministrin Çeku vizituam familjen Rugova: bashkëshorten Fanë, vajzën Teuta, djemtë Mendimin dhe Ukën me bashkëshortet e tyre Blerinën dhe Blertën.

Na pritën në Rezidencën e Presidentit Rugova, aty ku ai kishte pritur personalitete të mëdha botërore dhe ku janë marr vendime të rëndësishme e përcaktuese për fatin e shqiptarëve dhe të Kosovës. Në këtë shtëpi Dr. Rugova zhvilloi aktivitetin e tij nga viti 1993 e deri në ditën e fundit të jetës. Për shkak të vlerave që posedon, kjo ndërtesë është shpallur aset i mbrojtur i trashëgimisë kulturore më 2016.

Familjen Rugova e njoftuam se së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova. Ky projekt dhe investim i qeverisë sonë është dëshmi e përkushtimit tonë për të nderuar personalitetet e larta dhe ngjarjet historike të rrugëtimit tonë shtet-formues, nga ilegalja, lëvizjet studentore, rezistenca paqësore, lufta çlirimtare e deri te shteti i pavarur e sovran që e gëzojmë sot./KultPlus.com

18 vjet nga vdekja e ish-presidentit Ibrahim Rugova

Sot janë shënuar 18 vite që nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ka ndërruar jetë më 21 janar të vitit 2006 dhe është varrosur me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Ibrahim Rugova është lindur më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cercë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia kanë pushkatuar të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që kishin depërtuar në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ibrahim Rugova shkollën fillore e ka kryer në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e ka kryer në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 ka qëndruar në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e Prof. Roland Barthes-it, ku ka ndjekur interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Ai ka doktoruar në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.

Në vitin 1996 Ibrahim Rugova është zgjedhur anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve Bota e re dhe në revistën shkencore Dituria (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë ka punuar edhe në revistën Fjala. Mandej, për afro dy dekada, Ibrahim Rugova veprimtarinë e vet shkencore e ka zhvilluar në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ishte kryeredaktor i revistës Gjurmime albanologjike të këtij Instituti. Me krijimtari letrare është mar rëqë nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.

Ibrahim Rugova më 1988 është zgjedhur kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që është bërë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare, e cila ka kundërshtuar sundimin komunist serb dhe jugosllav në Kosovë.

Si intelektual me nam që i ka dhënë zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Ibrahim Rugova është zgjedhur, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që ka sfiduar drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi. LDK, nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës,është bërë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes.

Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe LDK-ja kanë përmbyllur kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës. Deklarata e pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, kanë qenë prelud për zgjedhjet e para shumëpartiake për Kuvendin e Kosovës, mbajtur më 24 maj 1992. Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Rugova është rizgjedhur President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e mbajtura në mars të vitit 1998.

Nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës, LDK-ja ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e para lokale të sponsorizuara ndërkombëtarisht në Kosovën e pasluftës në tetor të vitit 2000 si dhe në zgjedhjet e para nacionale në vitin 2001 dhe në zgjedhjet e dyta lokale të vitit 2002. LDK ka fituar edhe zgjedhjet nacionale më 2004.

Ibrahim Rugova është zgjedhur President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe është rizgjedhur edhe më 2004./klankosova/KultPlus.com

Ish-presidentja e Zvicrës: Punova me të gjithë, por më së shumti më bëri përshtypje Rugova, babai i pavarësisë

Ish-presidentja e Zvicrës, Micheline Calmy-Rey e ka përmendur Ibrahim Rugovën si figurën politike që i ka bërë më së shumti përshtypje në Kosovë.

Calmy-Rey në një intervistë për swissinfo.ch tha se ka punuar e biseduar me të gjithë në Kosovë, por e veçoi presidentin e parë të para pavarësisë, Ibrahim Rugovën, përcjell Gazeta Express.

“Kam punuar mirë me të gjithë me të cilët kam folur në Kosovë, qoftë Albin Kurtin, Hashim Thaçin apo të tjerë”, tha ajo duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë mendon për kryeminiastrin aktual të Kosovës, të cilin tha se e kishte takuar në Cyrih.

Për ish-presidentin Hashim Thaçi, Calmy-Rey tha se nuk dëshiron të shpreh gjykime, por theksoi se “ai e njihte shumë mirë Zvicrën” dhe se “ai gjithashtu flet shumë mirë gjermanishten zvicerane”,

Më pas, u ndal të flasë për Rugovën.

“Figura politike që më bëri më shumë përshtypje në Kosovë ishte presidenti pacifist Ibrahim Rugova, babai i pavarësisë. Në vitet 2000, nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara, ishte shumë kënaqësi të punoja me kontaktet e mia në Kosovë. Funksionoi mirë”, tha ajo./GazetaExpress/KultPlus.com

Balerini i gjeneratës së parë, Elez Nikçi: Me dërrasat e teatrit do të dëshiroja që ta mbuloja amshimin e mendimit tim

Era Berisha

I lindur më 18 tetor të vitit 1953, në Shtupeq të Madh, përkatësisht në Rugovë të Pejës, balerini Elez Nikçi ka vulosur gjurmët e tij nëpërmjet gjuhës së baletit. I përket brezit të parë që u kualifikua për artin mjeshtëror të baletit në Shkollës e Mesme të Baletit në Shkup, dhe si i tillë ka bartur mbi supe peshën e të qenurit solisti kryesor i baletit bartës i të gjitha roleve kryesore. Kreativ, atraktiv dhe unik në stilin e tij, 1968-ta do të bëhej viti kur ai do niste rrugëtimin e tij drejt shndërrimit në një yll, shuarja e së cilit nuk do të ndodhte asnjëherë, shkruan KultPlus.

I njohur për formën e tij prej shpate, këmbët e tij kanë arnuar role artistike nga më të ndryshmet, role këto që u bënë kryevepra gjithandej nëpër skena vendore dhe jugosllave deri në Dubrovnik, Slloveni, Novi Sad e tutje. Shfaqjet si: “Legjenda mbi ngadhënjimin“ (Armiku), “Sokoli dhe Mirusha“ (Sokoli), “Halili dhe Hajria“ (Halili), “Vallja pranverore“ (I fejuari), “Bolero dhe Shtrausiana“, “Interplay“, “Coppelia“ (Kopelius), “Era dhe Kolona“ (Armiku), “Kënga e Rexhës“ (Rexha),“Romeo dhe Xhulieta“ (Tibajli, Dali, Antoni), “Besa“ (Korbi), “Carmen“ (Torero), “Zef LushMarku“, “Don Kishoti“ (Don Kishoti), “Peter Pani“ (Kapiten Kuku), “Loja e Sizifit“, “Fyelltari“ dhe “Tranzicioni 2“, do të rrumbullakonin globin e tij që tregon për përkushtimin e pashoq e të pashlyeshëm përgjatë viteve.

Si një pishtar në një rrugë të errët, balerini Nikçi ka ngelur i pazëvendësueshëm në artin skenik. Qëndisja e tij në kujtimet e shumë njerëzve ka ndodhur krejt lehtazi. Rolet e tij kanë qenë të shkrira si qiri në secilën skenë që ka prekur, dhe kësisoj me një ndjeshmëri të lartë, ka hyrë në arkivin e baletit nacional, nëpërmjet së cilit do të mbahet mend gjatë.

Në bjeshkët e Rugovës ka hedhur hapat e tij të parë. Tokat me gropa, të larta e të rrëshqitshme duket se e kanë skalitur qysh në fëmijëri. Por, aty e ka mësuar edhe vallen, në një atmosferë kënge e vallesh diversive, dhe kësisoj ka gjetur ritmin e tij të parë, një ritëm që do ta kapërdinte për gjithë jetën. Në historinë e tij gjejmë qindra palë këpucë të shterura të cilat kanë krijuar art. Shpirti i tij artistik na del edhe në të shprehurit e tij, por më së miri e shohim në lëvizjet e trupit. Gjithçka është teatrale, e realizuar në skenë së bashku në ndërlidhje me kostumet, dizajnin skenik dhe ndriçimin. Në balet asgjë nuk krijohet instinktivisht, ngaqë trupi shkon kundër natyrës së vetë.

Në pamje, kjo degë e artit duket e bukur, marramendëse dhe e paparë. Ka një shtrirje të gjerë që rrëmben shpirtin e atij që e shikon dhe e përjeton. Kthimi i ijëve, këmbëve nga jashtë, kërcimet në ajër në sfidë me gravitetin, piruetet e shumta dhe balancimi i peshës në gishta të këmbëve, nga jashtë duken krejt të lehta, por kërkohet ushtrime e stërvitje të shumta vjeçare, për të arritur në perfeksionim. Ka edhe shumë flluska si dhe këmbë të gjakosura që bëhen pjesë konstante e jetës së një balerini/e, dhe zgjedhja e këtij udhëtimi, nuk ka tjetër çka të dëshmojë pos pasionit e dashurisë me bollëk për këtë profesion. Zgjedhja, nënkuptonte një jetesë me dhimbje të vazhdueshme e cila patjetër që me prekje të skenës, do të bëhej një jetë mbretërore, aty ku jorealja dukej e mundur.

Rrëfimi i balerinit Nikçi peshohet në të dy anët jetësore, të mirat e të këqijat. Ai ka qenë nxënës i profesoreshës së njohur, Tatjana Petkovska, e cila konsiderohet një emër i lartë në dimensionin artistik e pedagogjik. Nëpërmjet mësimeve të saj, është arritur të krijohet një brez artistësh që sipas Nikçit, kanë jetësuar gjininë e panjohur të baletit, ndër ne. Kontributi i saj i dhënë për të krijuar afërsinë me grupin e Kosovës, ka qenë kulmor.

Më 1972, balerini Nikçi me kolegët e tij që ishin pjesëtarë të asaj gjenerate, kishin në krye Ahmet Brahimajn, ish-drejtorin e Baletit Kombëtar të Kosovës, të cilët së bashku u kthyen për t’u bërë pjesë e Teatrit Popullor Krahinor. Angazhimi i tyre u bë pika kyçe për ringjalljen e skenës së baletit pas luftës në Kosovë. Kanë hasur në ngjarje të llojllojshme, në situata të vështira në punë pa kushte, e njashtu përjetuan edhe ndërhyrjet politike që çuan deri në mbyllje totale të Teatrit.

Për shfaqjen e parë që u vu në skenë nën emërtimin “Motivet kosovare” e tek ajo e fundit, për mosnënshtrimin e trupës së baletit kundrejt synimeve politike deri tek rikthimi i tyre në skenë, për trofetë e shumta, për pjesëmarrjen në ceremoninë e Baletit Kombëtar të Kosovës kur shënoi 50-vjetorin si dhe për dëshirën që ta mbulojë amshimin e mendimeve të tij në dërrasat e teatrit, është rrëfyer balerini Elez Nikçi në një intervistë ekskluzive për KultPlus, të cilën e keni rastin ta lexoni më poshtë.

KultPlus: Fillimisht, a mund të na tregoni se si ju lindi dashuria për baletin?

Elez Nikçi: Dashuria ime ka lindur në bjeshkët e Rugovës. Bjeshka nuk është tokë e rrafshët ku këmba mëson të ecën vetëm në një ritëm. Atje, duhet përballesh më forcën e shkëmbinjve, me erërat e forta, me dimrat e mëdhenj, me rrebeshet dhe furtunat e shirave, ndërsa, një valltar – artist duhet luaj vallen për t’i përballur të gjitha këto të papritura. Kështu mendoj se ka lindur dëshira e të parëve të mi për vallen, pastaj, ajo dëshirë dhe ai pasion është shartuar dhe në mua.

KultPlus: I përkisni Gjeneratës së Parë të Baletit të Kosovës. Si e përshkruani këtë ndjenjë, pra që keni nisur diçka që s’ka ekzistuar më parë në Kosovë, si fushë e artit?

Elez Nikçi: Nuk përshkruhet ndjenja e asaj kohe në këtë kohë. Po të më kishit pyetur atëherë do të ju përgjigjesha në nota të sakta. Por ju s’keni qenë të lindur në atë kohë kur lindi Baleti.

Sot, ua them se ka qenë rrugëtim për të cilën i kemi shtjerr me dhjetëra e dhjetëra palë këpucë për të arrirë në këtë stad artistik ku sot qëndron Baleti i Kosovës.

KultPlus: Së bashku me kolegët, keni ringjallur skenën e baletit. Nëpër çfarë rrethana, situata e momente keni kaluar, për të arritur aty ku keni pas dëshirë?

Elez Nikçi: Të llojllojshme ishin, situata të mira, shfaqje të pranueshme, të qëndrueshme, të vyeshme për kohën dhe për situatën. Ndërsa situatat e vështira në punë pa kushte, situatat dhe ndërhyrjet politike deri në mbyllje totale të Teatrit nuk do dëshiroja fare që t’i potencoja, meqë ato janë të ditura.

KultPlus: Shkupi u përzgjedh si qyteti më i duhur për të studiuar ngaqë qe më afër Beogradit. Pse ndodhi kjo?

Elez Nikçi: Shkupi ishte afër dhe kishte mundësi reale, sikundër që, dikush nga administrata e Kosovës e përcaktoj si lokacion studimor Shkupin, në marrëveshje me administratën e tyre meqë ishim brenda gjeografisë së përbashkët të ish Jugosllavisë.

KultPlus: A mund të na shpalosni se si ka ecur edukimi juaj me profesoreshën e njohur Tatjana Petkovska?

Elez Nikçi: Ishte dhe ngelet emër kult në dimensionin artistik dhe në atë pedagogjik.

Ka krijuar një brez artistësh të cilët e jetësuan këtë gjini të panjohur ndër ne. Asaj i jemi mirënjohës për kontributin e dhënë dhe për afërsinë e krijuar me grupin e Kosovës.

KultPlus: “Motivet kosovare”, ka qenë shfaqja juaj e parë. Çfarë mbresa i keni lënë publikut të asaj kohe?

Elez Nikçi: Kanë shkruar për secilën pjesë artistike. Jemi vlerësuar prej strukturës së kritikës.

Janë në arkivin e Bibliotekës Kombëtare, të gjitha gazetat që dëshmojnë dhe dëftojnë se kush ishim ne në skenë dhe në këtë shfaqje që ju e potenconi. Më kanë veçuar vazhdimisht mua dhe kolegët e mi. Kemi qenë unik në proces të punës andaj them se kemi arritur diçka të një rëndësie kapitale, konsideroj.

Fotografia: E.I – (50 vjetori i Baletit Kombëtar të Kosovës)

KultPlus: “Sokoli dhe Mirusha”, “Këngën e Rexhës”, “Kush e Solli Doruntinën”, “Halili dhe Hajrija”, janë disa nga shfaqjet ku ishit edhe ju pjesë. Na tregoni më shumë rreth këtyre shfaqjeve.

Elez Nikçi: Kompozitorët dhe koreografët janë ata që meritojnë të veçohen, të përmenden, të falënderohen nga ne dhe nga njerëzit që kanë përfaqësuar kulturën dhe politikën.

Janë ngjarje që kanë krijuar megjithatë një epokë të rëndësishme për kohën që po flasim.

 KultPlus: Gjatë fundit të viteve ’80 balerinët u dëbuan nga Teatri. Si e pritët këtë vendim?

Elez Nikçi: Qëllimi ishte që të zhbëhej kultura, ndërsa, synimi i tyre ishte i përmasave të luftës së dytë botërore, luftë për territor dhe për rivendosje të popullsisë.

Ne u dëbuam ngaqë nuk pranuam që të nënshtroheshim. Por, më mirë që dolëm nga skena, ndryshe do të mbeteshim banorë nëpër stacione të trenave të Evropës.

KultPlus: A ju shuan shpresat që ju nuk do të performonit më asnjëherë në skenë?

Elez Nikçi: Ishte e vështirë ndarja nga skena. Ishte sikur të ndaheshim nga familja, nga fëmijët dhe nga brezi im. Por, shpresë kishim që nuk do të shuheshim. Akoma përtej kishim besim të fortë se do të riktheheshim. Dhe kjo ndodhi – u rikthyem!

KultPlus: Keni menduar ndonjëherë që të hiqni dorë së luftuari për krijimin e baletit kosovar?

Elez Nikçi: Jo, asnjëherë nuk më ka shkuar nëpër mend që të dëboj vetveten nga shpirti im. Baleti është shpirti, ndjenja, lëkura e skenës dhe vizionit tim artistik. Andaj, e veçoj skenën si të pandarë me mua. Ndërsa, me dërrasat e teatrit do të dëshiroja që ta mbuloja amshimin e mendimit tim.

KultPlus: Si gjetët forcën që së bashku me koreografin e ndjerë Ahmet Brahimaj, të rindërtoni skenën e baletit kosovar?

Elez Nikçi: Kemi bashkërenduar me të në mënyrë perfekte. E kam mbështetur në kohën e duhur dhe të nevojshme kur është dashur që ta rikthenim baletin në kondicion të mirë skenik. Ai u kthye nga Kanadaja, ndërsa unë isha duke punuar në presidencë. Ai ka vazhduar punën suksesshëm si drejtor deri në pensionim, ndërsa unë isha pjesë e pandashme e rrugëtimit artistik. Dhe ja arritëm!

KultPlus: “Fyelltari”, është shfaqja juaj e fundit. Por realisht, cilat ishin ndryshimet që keni hasur pas disa vitesh mungesë?

Elez Nikçi: S’ka ndryshime për Baletin.

Në Balet ka një moshë rinore kur je i pari në hezin skenik – je solist dhe personazh për vepra të mëdha. Ndërsa, koha vetvetiu pastaj të ‘eliminon’, po flas për moshën të cilën nuk mund ta ndalim.

Pra, ne arritëm në një moshë kur krijuam brezin e ri që janë pasardhës të misionit dhe vizionit tonë. Ne u pensionuam, por ishim prapë aty pari. Jemi dhe sot me Baletin. Më ftojnë, më respektojnë, jemi familje e madhe, konsideroj.

KultPlus: Nëse do të ktheheshit në kohë, çfarë do të kishit bërë ndryshe?

Elez Nikçi: Ne s’kemi bërë gabime në sendërtimin e qëllimit tonë. Kemi punuar mirë dhe kemi krijuar gjëra të mira dhe të rëndësishme për kohën. Jemi vlerësuar me çmime dhe trofe nëpër rajon dhe në vende tjera.

Vetëm një gjë që më ngelet peng në jetë është hapësira skenike (ngrehina, shtëpia) për Baletin, e që nuk është ndërtuar akoma.

KultPlus: Ishit pjesëmarrës në ceremoninë e Baletit Kombëtar të Kosovës kur shënoi 50-vjetorin. Si ishte kjo ndjenjë për ju?

Elez Nikçi: Ka qenë emocion i veçantë. Po flisja në emër të brezit tim. Kishte shumë pjesëmarrës. Më kujtonin kohërat tjera në një kohë dhe situatë jubilare. E veçoj këtë festë dhe këtë mbrëmje pa masë. Gjërat më të mira që ja dua familjes sime, ia dedikoj edhe Baletit të Kosovës.

KultPlus: BKK nuk ka akoma një shtëpi të veten. Si e vlerësoni ju punën e MKRS-së për këtë fushë arti?

Elez Nikçi: Uroj që do ta ndërtojnë ndërtesën e Teatrit të Baletit.

Megjithëse, kam dyshimet e mia personale për faktin që është mbyllur TKK pa u bërë asnjë zgjedhje konkrete dhe alternative për Baletin e Kosovës. Akoma asnjë tullë askush nuk e ka vënë në TKK deri më sot. Viti shkoj. Çfarë është kjo punë unë se kuptoj. Ka afërsisht 1 vit që është mbyllur pa filluar asnjë hap konkret në renovimin e Teatrit. / KultPlus.com

Fotografia: E.I – (50 vjetori i Baletit Kombëtar të Kosovës)

Ky ishte Këshilli Nismëtar i themelimit të LDK-së (DOKUMENT)

Jusuf Buxhovi

Shkirmtari, historiani dhe publicisti Jusuf Buxhovi, duke kujtuar themelimin e LDK-së, pikërisht në 32 vjetorin e themelimit, ka publikuar listën e nismëtarëve, ku e sjell të plot KultPlus.

DOKUMENT:

Këshilli nismëtar për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës:

1.Jusuf Buxhovi, shkrimtar dhe gazetar

2.Dr. Zekeria Cana, historian

3.Milazim Krasniqi, shkrimtar

4.Ajri Begu, ekonomist, shkrimtar

5.Dr. Ibrahim Rugova, studiues i letërsisë

6.Bujar Bukoshi, mjek

7.Fehmi Agani, profesor

8.Ibrahim Berisha, gazetar

9.Mehmet Kraja, shkrimtar dhe gazetar

10.Ali Aliu, kritik letrar

11. Dr. Zenel Kelmendi, mjek

12.Ramiz Kelmendi, shkrimtar

13. Akademik Idriz Ajeti

14.Akademik Dërvish Rozhaja

15.Akademik Mark Krasniqi

16.Profesor Anton Çetta

17.Zenun Çelaj, gazetar

18.Mustafa Radoniqi, avokat

19.Basei Çapriqi, shkrimtar

20.Xhemail Mustafa, gazetar

21. Jusuf Bajraktari, historian

22 Hysen Matoshi, gazetar

23. Neshet Nushi, ndërmarrësë

(Renditja në listë sipas nënshkrimeve)./ KultPlus.com

Fshati në Rugovë mbulohet nga bora

Me uljen e temperaturave, në Kosovë kanë filluar edhe reshjet e borës.

Përderisa në ultësira po bie shi, në vendet malore kanë filluar edhe reshjet e borës. Një prej vendeve ku ka rënë borë është edhe fshati Drelaj i Rugovës Rugovës.

Reshje bore gjatë ditës së djeshme ka rënë edhe në pjesë të tjera të vendit. / KultPlus.com

Bora mbulon Bjeshkët e Rugovës (FOTO)

Në disa vise kodrinoro-malore të vendit tashmë kanë filluar edhe reshje të bores, përcjell KultPlus.

Pas Bajgorës, bora ka mbuluar edhe Rugovën. Fotografi nga bora e parë atje janë publikuar edhe në media.

Ndryshe, sot gjatë ditës pritet të ketë mot pjesërisht të vranët, derisa prej të premtes dhe përgjatë fundajës do të ketë kthjellime dhe pritet të jetë më ngrohtë, ka njoftuar Prishtina Weather, përcjell tutje KultPlus.

Të premtën në mëngjes parashihet mot më i ftohtë, e gjatë ditës më ngrohtë, duke vazhduar edhe në fundjavë. 

Edhe ditën e hënë vazhdon të mbajë mot kryesisht me diell, e orëve të mbrëmjes me shtim të vransirave.

Indeksi i cilësisë së ajrit do të jetë kryesisht në vlera të pranueshme./ KultPlus.com

Pamje nga Rugova, ku një pjesë e malit u përfshi nga zjarri (FOTO)

Një pjesë e Malit të Rugovës është përfshirë nga zjarri që nga mbrëmja e së enjtes. Për këtë rast ka dhënë detaje Policia e Rajonit të Pejës.

Zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi i ka thënë Gazetës Express se në vendin e ngjarjes kanë dal Policia, FSK’ja, zjarrfikësit, si dhe KFOR-i, transmeton KultPlus.

Sipas Gashit, zjarri thuajse është lokalizuar.

“Gjatë gjithë ditës së djeshme në vendngjarje kanë qëndruar FSK-ja, Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit. Policia hedhur topa uji për të shuar zjarrin, ndërsa edhe KFOR’i ka ardhur në ndihmë me helikopterë. Zjarri ende nuk është shuar tërësisht dhe njësitet relevante po merren me rastin. Rruga për në Shtupeq është e bllokuar për qytetarë dhe mund të kalojnë vetëm zyrtarët e institucioneve kompetente”, ka thënë Gashi.

Ai u ka bërë apel qytetarëve që dalin në bjeshktë e Pejës dhe Istogut që të kenë kujdes maksimal, meqenëse thotë se zjarret mund të ndizen shumë lehtë shkaku edhe i temperaturave të larta.

“Unë iu kisha bë apel qytetarëve që dalin në bjeshktë e Pejës dhe Istogut që të kenë kujdes maksimal, meqenëse edhe temperaturat janë të lartë dhe lehtë mund të ndizen zjarre”, ka thënë Gashi./gazetaexpress/ KultPlus.com

Zjarri në Shtupeq të Rugovës, Foto: Njeshi.com

Foto: Njeshi.com
Foto: Njeshi.com

Për të gjithë kalimtarët, ‘EBC’ dhe ‘Ujë Rugove’ ofrojnë ujë të ftohtë në këto ditë të nxehta vere

Temperaturat e larta që po mbretërojnë edhe në vendin tonë, kanë shtyrë kompaninë e kozmetikës “EBC”, që të ofrojnë ujë për kalimtarët e rastit.

Një bidon me ujë të Kompanisë “Ujë Rugove” është vendosë në hyrje të kozmetikës “EBC”, përkatësisht në pikën përballë Hotelit Grand, me qëllim që uji i pijshëm tu ofrohet të gjithë kalimtarëve të rastit.

Duke qenë kompani e kozmetikës, dhe duke pas parasysh rëndësinë e ujit për lëkurën e njeriut, ka shtyrë udhëheqësit për këtë iniciativë, të cilët këtë iniciativë e kanë shoqëruar edhe me një sllogan “Rrini të hidratuar, është mirë për lëkurën tuaj”.

Andaj, nëse jeni klientë të kësaj kompanie, apo kaloni rastësisht te pika e “EBC” përballë Hotelit Grand, lirisht mund të pini ujë.

EBC Cosmetics operon në tregun tonë që nga viti 1993 si e vetmja kompani në Kosovë e autorizuar për shitjen në 8 pika:

1.      Bregu i Diellit , Rr. Eqrem Çabej

2.      Rr. Nëna Terezë  

3.      Rr. Garibaldi, përballë hotel Grand

4.      ETC Fushë Kosovë       

5.      Royall Mall, Rruga B

6.      Galeria Mall, Prizren

7.      Albi Mall, Veterrnik kati 0

8.      Albi Mall, Veterrnik kati 1

Platforma online EBC SHOP : www.ebc.shop

https://www.instagram.com/ebccosmetics/?hl=en / KultPlus.com

Presidentja Osmani pret në takim familjen e ish presidentit Rugova

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim familjen e ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Në profilin e saj në Facebook, Osmani ka shpërndarë disa fotografi nga ky takim, shkruan KultPlus. Në imazhet e publikuara presidentja shfaqet krah gruas së Rugovës, Fanës. Përveç gruas në takim morën pjesë edhe vajza Teuta si dhe djemtë e Rugovës bashkë me bashkëshortet e tyre./KultPlus.com

Rilindja 12 shkurt 2005: Intervista e fundit me Presidentin historik Rugova

Shkruan Behlul Jashari

Intervista ekskluzive e Presidentit historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, dhënë në jubileun e 60 vjetorit gazetës tradicionale shqiptare të Kosovës Rilindja, botuar në 12 Shkurt 2005. Kjo është intervista e fundit – një nga intervistat ekskluzive që kam zhvilluar me Presidentin Rugova.

Mbititulli: Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i dha intervistë ekskluive gazetës ‘Rilindja’ në jubileun e 60-vjetorit

Titulli në faqen 1 e 2: Pavarësia e Kosovës është e mira e të gjithë qytetarëve dhe do ta qetësojë rajonin 

 Titulli në faqen 3: Shumë institucione ndërkombëtare e kanë kuptuar se Pavarësia e Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt

Titulli në faqen 4: Rilindja ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës

——————–

Kosova dhe populli i saj janë sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo 
zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë, të jemi një antar i 
bashkësisë së kombeve të botës së lirë, ka theksuar Presidenti Rugova në një intervistën ekskluzive në jubileun e 60-vjetorit të gazetës Rilindja.

 “Edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare, 
  kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës”, ka deklaruar z. Rugova.
“Unë insistoj, edhe institucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet 
Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e 
Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe 
fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë, edhe më e drejtë, edhe më më e 
shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, tha 
presidenti Rugova në intervistën për gazetën Rilindja.
Presidenti i Kosovës vlerëson se njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe 
marrëdhënet e brendshme. “Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një 
fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia”, tha z. Rugova.
Pavarësia e Kosovës do të kishte efekt pozitiv edhe për të gjithë fqinjët 
tanë, ka theksuar z. Rugova dhe ka shtuar se “këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa 
më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë.”
“Njohja sa më e shpejtë e Pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe 
qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës”, ka 
deklerësuar z. Rugova.

——————–

Presidenti i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, në intervistën ekskluzive për gazetën Rilindja të jubileut të 60-vjetorit, i vlerëson lart zhvillimet dhe proceset që shpiejnë drejt statusit final – Pavarësisë së Kosovës, për çka ai pret njohje të drejtpërdrejtë nga SHBA-të dhe BE-ja, e mandej edhe nga vendet fqinje e të tjera. Me këtë rast Presidenti Rugova priti në Rezidencën e tij kryetarin e Këshillit Drejtues dhe kryeredaktorin e Rilindjes, Behlul Jashari, i cili  ia dhuroi Pllakatin e Jubileut të 60-vjetorit të kësaj gazete tradicionale të Kosovës, të punar me ar e argjend nga argjendarët e Prizrenit, qytetit historik ku më 12 shkurt 1945 doli numri i parë i gazetës së parë të Kosovës. Presidenti Rugova dha përkrahjen e plotë për 
të drejtën dhe ridaljen e Rilindjes duke e vlerësuar “pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar dhe do të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës”. Presidenti Rugova uroi për Jubileun e gazetës Rilindja, e cila gjatë gjashtë dekadave, është në jetën dhe në familjet e kosovarëve.


RILINDJA: Z.President, Pavarësia e Kosovës, nga një vizion e kërkesë e dëgjuar fillimisht nga Ju para më se 15 vjetëve, për çka populli i Kosovës në shtatorin e vitit 1991 u deklarua edhe me referendum me 99, 87 për qind të votave, tashmë është bërë çështje debati apo edhe angazhimi ndërkombëtar. Në Bruksel, në konferencën “Kosova drejt statusit final”, u tha se ka ardhur koha që statusi final i Kosovës nuk mund të presë më, ndërkohë që Grupi Ndërkombëtar i Krizave, edhe në Raportin më të ri për Kosovën, zgjidhje sheh Pavarësinë. Si i vlerësoni këto zhvillime? 

PRESIDENTI RUGOVA: Këto zhvillime të fundit i vlerësoj pozitive, sepse që gjashtë vjet pas luftës në liri, ne kemi bërë progres, prandaj edhe bashkësia ndërkombëtare, shumë institucione të ndryshme ndërkombëtare, kanë kuptuar se Pavarësia duhet të bëhet edhe të realizohet sa më shpejt, çfarë do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës. Dhe, natyrisht, atë që e përmende ti, prej një vizioni, prej një vullneti, që ishte i popullit, dhe që u vërtetua më 1991, pastaj periudhat që erdhën më vonë, ishte një çështje që u ngrit dhe u avancua me organizimin tonë që e bëmë, që u organizuam si popull, si shoqëri, si shtet. Dhe, jemi sot këtu që të kryhet edhe formalisht, apo zyrtarisht, si doni t’i themi, edhe njohja e Pavarësisë së Kosovës, që Kosova dhe populli i saj më në fund të jetë një anëtar i bashkësisë së kombeve të botës së lirë. 

RILINDJA: Ky vit është paralajmëruar si Vit i Kosovës, shumë i rëndësishëm, madje edhe vendimtar. Çka do të sjellë vera, mesi i këtij viti, kjo kohë e caktuar nga komuniteti evroatlantik për Vlerësimin Gjithpërfshirës të Standardeve dhe çështjen e Statusit final të Kosovës? 

PRESIDENTI RUGOVA: Shikoni, unë insistoj, edhe institucionet e Kosovës, që sa më parë të njihet Pavarësia e Kosovës në mënyrë të drejtpërdrejtë, direkte, pra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Unioni Evropian, që pastaj do ta njihnin edhe fqinjët tanë. Kjo është rruga më e mirë edhe më e drejtë, edhe më e shëndetshme për situatën në këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Ndërsa është pikëpamja tjetër, apo rruga tjetër ndërkombëtare, që të bëhet një vlerësim i progresit në Kosovë, i normave, apo që u thonë standarde, por ato janë, unë them, më shumë norma ndërkombëtare prioritare për integrim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Dhe, natyrisht, tash do të jetë një vlerësim i kohëpaskohshëm. Ju e dini, Këshilli i Sigurimit ka bërë një vlerësim në fund të nëntorit, pastaj do të ketë edhe vlerësime të tjera, edhe vlerësimet që do të shkojnë gradualisht, edhe që do të thuhet se Kosova i ka përmbushur normat që janë paraparë dhe të bisedohet për Pavarësi, unë nuk po them statusi final me eufemizëm apo me diçka tjetër. Po, unë mendoj se kjo rruga që të njihet drejtpërdrejt është shumë më e mirë e më efikase dhe do të qetësonte këtë pjesë të Evropës e të botës, edhe po punoj në këtë rrugë, në rrugën e parë më shumë jam përqendruar, natyrisht edhe në rrugën e dytë që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare këtu në Kosovë t’i avancojmë këto çështje. 



RILINDJA: Që të arrihet me kohë dhe suksesshëm në cak, a ka edhe një fuqizim të dinamikës në ecje dhe prioritete në përmbushjen e Standardeve? Dhe, cilat janë prioritetet? 

PRESIDENTI RUGOVA: Është stabiliteti politik, si për çdo vend që duhet të integrohet në Bashkimin Evropian, pastaj mbrojtja e minoriteteve apo e grupeve etnike, apo si doni t’u themi, dhe është edhe një reformim i administratës së përgjithshme, një reformim i pushtetit lokal, që kërkohet nga shumë vende për integrim në Bashkimin Evropian. Dhe ne, siç e dini, kemi filluar në këto çështje të punojmë që nga viti i kaluar, pastaj sivjet më shumë, është një dinamikë më e madhe e Qeverisë së re, natyrisht edhe e UNMIK-ut, sepse ne, së bashku me UNMIK-un, duhet t’i ecim këto punë, dhe me kalimin e kompetencave, duhet të zhvillohen këto më shumë. Po punojmë, pra, që të arrijmë dhe të bëhet një vlerësim pozitiv për afrim në Bashkimin Evropian sa më shpejt. 

RILINDJA: Grupi i Kontaktit, që takohet rregullisht edhe në Prishtinë, ka theksuar domosdoshmërinë e pjesëmarrjes së serbëve kosovarë në procesin politik në Kosovë, duke e vlërësuar këtë si rrugën më të mirë për zgjidhjen e shqetësimeve të ligjshme të tyre. Nga diplomatë perëndimorë krijimi i një shoqërie tolerante dhe multietnike shihet si një standard përmbyllës i të gjitha standardeve për Kosovën. Ju vazhdimisht angazhoheni dhe bëni thirrje që serbët e Kosovës të marrin pjesë në procese dhe të integrohen në institucionet e në shoqërinë kosovare. Si i vlerësoni zhvillimet në drejtim të këtyre kërkesave e qëllimeve? 

PRESIDENTI RUGOVA: Shikoni, sa u përket komuniteteve, në këtë rast serbëve, ne i kemi vendet e rezervuara në Parlament për të gjitha minoritetet – 20 vende, 10 i kanë serbët, në Qeveri minoritetet tash i kanë 3 ministri – 2 serbët, një të tjerat. Ata duhet t’i marrin këto vende, dhe kanë filluar t’i marrin një grupacion i bashkësisë apo i minoritetit serb, dhe kjo është ajo jeta demokratike që mund të zhvillohet edhe brenda tyre, por edhe brenda Kosovës, dhe shpresojmë se do ta kuptojnë dhe do të marrin pjesë edhe në Parlament, ku një grupacion merr pjesë, dhe duhet edhe ata të vendosin të integrohen në shoqërinë e në shtetin e Kosovës. Prandaj, kjo është edhe e ardhmja e tyre. Dhe, ne nga ana jonë, i kemi kryer obligimet, edhe natyrisht si njerëz edhe si politikë, ne insistojmë dhe tregojmë gjithnjë e më shumë vullnet të mirë, por edhe ata duhet të tregojnë një vullnet të mirë për të punuar në institucionet e në shoqërinë e Kosovës. 

RILINDJA: Ju vazhdimisht theksoni garancitë për të drejtat dhe interesat e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Në një Kosovë të ardhme me standarde të plotësuara që çojnë në integrimet evroatlantike dhe me status pavarësinë, që është vullnet i shumicës dërrmuese, çfarë do të jenë të drejtat dhe garancitë për të gjithë qytetarët, për të gjitha komunitetet? 

PRESIDENTI RUGOVA: Do të jenë sipas normave ndërkombëtare, që janë paraparë në kuadër të Unionit Evropian, të OKB-së, pastaj edhe të normave tona brenda Kosovës – do të thotë garanci dhe mundësi të zhvillimit edhe të ruajtjes së identitetit të tyre. Prandaj, ne edhe në këtë gjendje që jemi, pra nën mbikëqyrje, nën administratë ndërkombëtare, kemi bërë mjaft. Sot, gjuhët e të gjitha komuniteteve përdoren në Kosovë edhe zyrtarisht edhe praktikisht, pastaj mos të flasim për mundësitë e ndryshme, në emisionet edhe në Televizionin Publik të Kosovës, radiot private, tekstet, shkollat. Plus, ne edhe i financojmë ekstra, për shembull, për komunitetin serb vendbanimet e tyre, që kanë buxhet special nga komunat përkatëse. Dhe, jemi mjaft tolerantë, që me kohë ata do të kuptojnë dhe do të fillojnë integrimin e tyre. 

RILINDJA: A ka vend për frikën se Pavarësia rrezikon interesat e ndonjë komuniteti në Kosovë, siç mundohen ta paraqesin disa qarqe e propaganda? 

PRESIDENTI RUGOVA: Jo, jo, s’ka frikë, sepse bashkësitë etnike, komunitetet, apo minoritetet, duhet të pranojnë edhe vullnetin e shumicës. Natyrisht, si shumicë, pra si shumicë shqiptare, ne do të kujdesemi të bëjmë një shtet me norma demokratike, me norma integruese të brendshme dhe me garantimin e të gjitha të drejtave. 

Natyrisht, s’dua ta komentoj një propagandë negative që bëhet për një komunitet a tjetër, se ka frikë, etj. Por, mos ta harrojmë, është frika e shumicës, momentalisht, e shumicës shqiptare për të ardhmen. Prandaj, me njohjen e Pavarësisë do të hiqet kjo frikë dhe marrëdhëniet njerëzore do të relaksoheshin, do të ishin shumë më të lehta, sepse të gjithë e kemi përjetuar luftën, situatat e rënda, humbjet, etj. Dhe, unë po them, njohja e Pavarësisë do t’i rregullonte edhe marrëdhënet e brendshme. Edhe për minoritet, grupet etnike, është edhe një fitore, është edhe një përfitim nga Pavarësia. Në shtetin e Kosovës nesër do të jenë, edhe sot janë, deputetë, ministra, nuk mund të bëhen lehtë. Prandaj, janë edhe përfitimet praktike, njerëzore, që edhe ata do t’i kenë dhe do të jenë të garantuara. 



RILINDJA: Ju vlerësoni se Pavarësia e Kosovës është edhe në të mirën e vendeve fqinje, se do ta qetësojë rajonin. Si janë kuptuar dhe pritur këto mesazhe Tuajat në fqinjësi? 

PRESIDENTI RUGOVA: Në fqinjësi, me Shqipërinë kemi marrëdhënie të mira, siç e dini, të gjithë shqiptarët në këtë pjesë të Evropës dhe të botës, janë deklaruar për Pavarësinë e Kosovës, do të thotë e përkrahin vullnetin politik. 

Me Maqedoninë, kemi marrëdhënie të mira në ngritje e sipër, edhe atje tash ka mendime më pozitive se, nuk iu pengon Pavarësia e Kosovës. Mali i Zi në heshtje, ne kemi marrëdhëine të mira në qarkullim, etj. 

Ndërkaq, për Serbinë dihet, ata i kanë ato pretendimet e tyre, ngarkesat historike, etj., që dëshirojnë të dominojnë, etj. etj. Por, do të ishte mirë edhe për vetë Serbinë që, ata do të merreshin me punët e veta dhe nesër ne të gjithë si vende të pavarura, pra Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi nëse do veç apo bashkë me Serbinë, Serbia, Bosnja, të integrohemi, të jemi në Unionin Evropian, dhe kjo është zgjidhja më e mirë, edhe perspektiva e të gjithëve, do të kishte efekt pozitiv për të gjithë fqinjët tanë. Këtë, një pjesë e fqinjëve, pjesa më e madhe, kanë filluar ta kuptojnë. 

RILINDJA: Ju lutem, çfarë janë tash marrëdhëniet e Kosovës me vendet fqinje dhe si i shihni në të ardhmen marrëdhënet e një Kosove të pavarur me fqinjët e saj, shtetet e tjera në rajon? 

PRESIDENTI RUGOVA: Po, gjithsesi, me njohjen e Pavarësisë do të ndërtojmë më lehtë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe do të ndërtojmë. Unë thashë, me Shqipërinë janë të mira, me Maqedoninë janë në ngritje e sipër, me Malin e Zi ka marrëdhënie, me Serbinë momentalisht janë të bllokuara, sepse është një vend që nuk i njeh dokumentet e Kosovës, nuk e njeh ende atë që ka ndodhur pas vitit 1999, pas ndërhyrjes së NATO-s. Do të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë, pastaj pas njohjes së Pavarësisë, është shumë më lehtë, sipas normave ndërkombëtare të fqinjësisë së mirë dhe të interesit reciprok. 

RILINDJA: Marrëdhënet e realiteteve të reja mes Kosovës dhe Shqipërisë, edhe sipas shumë vlerësimeve, janë bërë shembull për rajonin. Ky zhvillim erdhi pas thyerjes së kufirit të hekurt që ekzistonte një periudhe të gjatë të kufizimeve të mëdha dhe ndalimeve të marrëdhëieve dhe komunikimeve. Si e shihni të ardhmen e këtyre dy vendeve, jo vetëm në marrëdhëniet e tyre, por edhe në integrimet evroatlantike? 

PRESIDENTI RUGOVA: Po, ne gjithsesi do të kemi gjithnjë e më shumë marrëdhënie të mira me Shqipërinë në të gjitha fushat. Ju e dini, tashmë kemi edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë, pastaj, marrëveshje të ndryshme për bashkëpunim ekonomik, kulturor, etj., dhe gjithsesi do të ndikojë pozitivisht ndërtimi, nuk është e tepërt ta themi, i Autostradës Prishtinë – Durrës, që do të hapte edhe një lidhje tjetër të Kosovës me botën. Dhe, gjithsesi synimet tona, të të dy vendeve, janë integrimi në Bashkimin Evropian, pra Shqipëria, Kosova dhe vendet e tjera, dhe kjo është perspektiva dhe në këtë plan po punojmë me të gjithë. 

RILINDJA: Ju lutem, edhe një pyetje që ka të bëjë me të ardhmen: Si e shihni zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve edhe në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës? Në fillim të viteve 90-të, këto çështje ishin të përfshira në Dokumentin e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, që Ju e udhëhiqnit, dhe vlerësohet se në realitetet e reja janë apo do të jenë në proces të realizimit. 

PRESIDENTI RUGOVA: Ai është një dokument i rëndësishëm, si i themi Dokumenti i tri opcioneve që ishin atëherë. Dhe, natyrisht, koha e vërtetoi se opcioni për Kosovën e pavarur doli zgjidhja dhe mori legjitimitet gjithnjë e më të madh edhe tek ne edhe në botë. Dhe, siç e dini, atje, në atë dokument, insistohet që shqiptarët në Maqedoni të jenë element i shtetit të Maqedonisë, që ka filluar të realizohet, pastaj shqiptarët në Mal të Zi të kenë administratën e vet dhe të gjitha të drejtat, e po ashtu edhe në Luginën e Preshevës. Tash ka progres edhe në Mal të Zi, në Luginë të Preshevës gjërat po shkojnë më ngadalë, por ka një progres të vogël në këto çështje dhe natyrisht do të insistohet që të realiziohen. Pra, ky ishte ai vizioni që e patëm atëherë dhe që po funksionon. Dhe, mund të them, ishte dokumenti që shqiptarët e kuptuan se duhet të organizohen, duhet të forcohemi gjithkund aty ku jemi. Sot, edhe njohja sa më e shpejtë e pavarësisë së Kosovës do të ndihmonte edhe qetësimin e të gjithë shqiptarëve në këtë pjesë të Evropës dhe të botës.

RILINDJA: Z. Presidenti, Ju falenderojmë shumë për këtë intervistë për gazetën tradicionale të Kosovës “Rilindja”, që në këtë 12 Shkurt ka Ditën e Jubileut të 60-vjetorit. Kemi edhe një falenderim të madh për përkrahjen Tuaj për krijimin e kushteve për punën e “Rilindjes”, të drejtën legjitime të saj.

PRESIDENTI RUGOVA: Unë Ju përgëzoj për këtë përvjetor Jubilar, pra 60-vjetorin e Rilindjes, dhe dëshirojmë që kjo gazetë sa më shpejt të konsolidohet. Duhet të shikojmë të gjejmë një zgjidhje për Rilindjen, që të mund të vazhdojë si një gazetë tradicionale. Ne duhet të kemi edhe mjete të informimit të formave të ndryshme, mund të gjejë, ta ketë atë formën të një informacioni dhe prezentimi të çështjeve shtetërore, nëse nesër do ta pranojë Rilindja apo dikush tjetër. Dhe, gjithsesi do të gjendet në mozaikun e masmeriumeve të Kosovës. Ne do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe do të ndihmojmë në këtë plan dhe do t’ju përkrahim. Rilindja është një gazetë që është një pjesë e historisë së Kosovës dhe që ka ndihmuar zhvillimin e Kosovës në përgjithësi. Natyrisht, tash edhe Rilindja duhet të gjendet në këtë çështjen e tregut të mediumeve. Dhe, duhet t’i ketë ato të drejtat që i takojnë si shtëpi botuese, ose si shtëpi informacioni. Sepse ishte një gjigant i masmediumeve, i botimeve për atë kohë, e sot, tash, duhet ta gjejë rolin e vet si gazetë, e të vazhdojë të ndihmojë zhvillimin dhe perspektivën e Kosovës. Prandaj, do të keni përkrahjen tonë dhe do të shikojmë gjitha mundësitë administrative si do të ecin.

Pra, Urime edhe një herë dhe Gëzuar!

RILINDJA: Shumë faleminderit Z.President. / KultPlus.com

Napolitano: Nëse Rugova do të kishte qenë amerikan, do të kishte pushtuar botën me diplomaci

Ish Presidenti italian, Giorgio Napolitano gjatë kohës sa ishte në pozitën e presidentit, bëhet e ditur se gëzonte respekt shumë të madh për presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Nëse Ibrahim Rugova dhe Arbën Xhaferi,
do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë,
ata do ta kishin pushtuar botën me diplomaci,
por për fat të keq këto dy figura
i përkasin një popullit shumë të vogël…
”, ishte shprehur Napolitano. / KultPlus.com

Familja 4-anëtarëshe humb në Bjeshkët e Rugovës, u gjet nga dy vullnetarë

Stacioni Policor nё Pejё, ёshtё njoftuar se nё Bjeshkёt e Rugovёs ka humbur njё familje katёranёtarëshe.

Njёsitet relevante tё Drejtorisё Rajonale tё Policisё në Pejё dhe njësitet e Policisё Kufitare menjёherё janё angazhuar pёr gjetjen e familjes nё fjalё.

Ndёrsa në kërkim janё angazhuar vullnetarisht edhe dy qytetarё tё cilёt kanё pasur njohuri të mira pёr Bjeshkёt e Rugovёs.

Familja ёshtё gjetur nga qytetarët Idriz KURTBOGAJ dhe Liridon DEMAJ. Të cilët sot janë pritur në takim nga drejtori i Drejtorisё Rajonale tё Policisё nё Pejё, kolonel Sami Shabanaj, me ç’rast i ka falënderuar për kontributin si dhe u ka ndarë letёrfalënderim./ KultPlus.com

Kouchner: Rugova ishte kokëfortë, nuk pranonte asgjë më pak se pavarësinë e Kosovës

Për Rugovën kanë folur shumë figura të rëndësishme kombëtare, ndër to edhe francezi Bernard Kouchner i cili ishte Ministër i Shëndetësisë në Francë në vitin 1993 kur edhe ishte takuar me Rugovën, shkruan KultPlus.

Sonte, KultPlus ju sjell disa nga fjalët që Kouchner i tha për Rugovën.

‘Rugova ishte kokëfortë, ishte vështirë ta bidnim. Kishte bindjet e veta prera dhe nuk pranonte asgjë më pak se pavarësinë e Kosovës’ / KultPlus.com

30 vjetori i lidhjes së miqësisë me SHBA-të (VIDEO)

Me ftesën e Këshillit për të drejtat e Njeriut të Kongresit Amerikan dhe nën organizimin e Lidhjes shqiptaro-amerikane, nga 4 – 28 qershor 1990, delegacioni i partive politike të Kosovës dhe shoqatave për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut , të prira nga “Lidhja Demokratike e Kosovës”, e ku morën pjesë edhe intelektualë të shumtë shqiptarë nga viset e ish jugosllavisë, qendroi në një vizitë në SHBA.

Në Uashington, përfaqësuesit e partive politike shqiptare dhe të Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhanë dëshmi në Komisionin e Kongresit Amerikan për të Drejtat edhe Liritë e Njeriut, me ç’rast u pritën edhe nga një grup kongresmenësh dhe senatorësh nën drejtimin e Robert Dolit, kongresmen dhe nënkryetar i Partisë Republikane.

Përfaqësuesit shqiptarë, në Uashington, u pritën edhe në Departamentin e shtetit dhe në disa institucione të tjera qeveritare amerikane.

Më 28 qershor, në hotelin Sheraton, në Nju Jork, u mbajt mbrëmja e përbashkët me shqiptaro-amerkanët e organizuar nga Lidhja shqiptaro-amerikane e drejtuar nga Diogardi dhe peronalitete të njohura shqiptare në SHBA (H.Bajraktari, Xh. Xhema, O. Hoxha, F. Gashi , S. Repishti, e të tjerë), që ishin angazhuar me të madhe në mbrojtje të çështjes së Kosovës dhe në përgjithësi në procesin e transizionit pas rrënimit të Murit të Berlinit, që edhe shqiptarët t’i bashkoheshin lëvizjeve antikomuniste për ta rrënuar diktaturën komuniste në Shqipëri dhe Jugosllavi.

Në Darkën madhështore të Sheratonit, ku ishin të pranishëm senatorët Tom Lentosh, Igelberger, e të tjerë, para dy mijë e sa mysafirëve, folën dr. Ibrahim Rugova, akademik Idriz Ajeti, akademik Rexhep Qosja, kolonel Tomë Berisha, Jusuf Buxhovi, Luljeta Pula-Beqiri, Veton Surroi, Hivzi Islami, Halil Matoshi, Shkëlzen Maliqi, Anton Kolaj dhe të tjerë. U theksua përcaktimi për liri, demokraci dhe pavarësi si dhe përkatësia perëndimore.

Ishin këto deponime historike të intelektualëve shqiptarë me të cilat u vu miqësia me SHBA-të, që i dha shtysën kryesore dhe vendimtare lëvizjes kombëtare nëpër të cilkën kaloi rezistenca insitucionale dhe e armatosur që solli shtetin e Kosovës dhe pavarësinë. / KultPlus.com

Ish kryeministri i Italisë, D’Alema uron Kosovën: Kam nderin që isha shok i Rugovës

Ish Kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema, ka uruar Kosovën për 21 vjetorin e çlirimit.

Ai ka thënë se është momenti që Kosova të integrohet në Bashkimin Evropian dhe ka theksuar se për këtë duhet guxim, njofton Klan Kosova.

“Mbaj mend angazhimin e Rugovës të cilin kam nderin të them që isha shoku i tij. Kosova po bën ecjen kaluese, tani më është shtet i pavarur, i njohur nga shumë shtete dhe i mbështetur nga shumë shtete që i takojnë Perëndimit. Ndër këto edhe Italia që ishte ndër të parat që njohu pavarësinë e Kosovës”, ka thënë D’Alema.

“Është ecje e rëndësishme por ende ka shumë rrugë për t’u bërë. Është momenti për persona të guximshëm, të punojnë sepse në rajonin e Ballkanit Perëndimor mund të lihen prapa shpine inatet, konfliktet që në mënyrë të dhimbshme kanë regjistruar historinë”.

“Është kohë bashkëpunimi, e paqes e njohjes reciproke dhe aty jam i bindur që me zhvillimin që keni mund të jetë vendimtare. Është momenti që të integroheni në Evropë. Jeni pjesë e Evropës por nuk bëni pjesë në BE. Italia do të jetë me ju edhe në ecjen drejt BE-së”.

“Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë”

Thënie nga Ibrahim Rugova, shkrimtar dhe politikan.

1 “Arti është si jeta, secili e gjen kuptimin e saj për vete,”

2. “…kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mund të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve.”

3. “Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë”

4. “Është rrezik kur cilido religjion fillon të bëhet politikë”

5. “…pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor.”

6. “Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi.

7. “Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit.” /KultPlus.com

Rrëfimi i Rugovës për 11 shtatorin

Gruaja e Ukë Rugovës, djalit të Presidentit Ibrahim Rugova, Blerta Kllokoqi-Rugova, në profilin e saj në rrjetin social “Facebook”, ka ndarë rrëfimin e Presidentit se si e kishte përjetuar ai sulmin mbi Kullat binjake më 11 shtator.

“Unë dua që sot, në 16 vjetorin e sulmit makabër mbi kullat e bukura binjake, të ju sjell rrëfimin e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, rreth përjetimit të tij mbi sulmin terrorist në SHBA”, ka shkruar Blerta Kllokoqi-Rugova.

Ky është shkrimi i plotë i saj:

“Më 10 shtator nga Prishtina via Vjenë udhëtoja për një vizitë në Kanada. Gjatë gjithë udhëtimit, sidomos mbi Atlantik, më dukej se kishte më shumë turbulenca se sa herave të tjera. Posa zbritëm në Toronto, duke u përshëndetur me mikpritësit kanadezë dhe duke pritur për t’u nisur për Otava, në bisedë e sipër u thashë se udhëtuam mirë, por më dukej se sot patëm shumë turbulenca mbi Atlantik. Ishte bisedë rasti dhe nuk dëshiroja ta bëja këtë sugjestion.

Të nesërmen më 11 shtator u zgjova herët në mëngjes, ndërsa përgatitesha për ditën e punës, bashkëpunëtorët e mi hynë shpejt në dhomë e më thanë ta ndezë televizorin. E bëra këtë, më dukej se ishte CNN apo Fox News, dhe pashë tmerrin mbi kullat binjake. Nuk u besoja syve. Po pastaj fillova të kthjellëm se ishte bërë një terror dhe horror i madh.

Atë ditë u pajtuam me miqtë kanadezë të mos punojmë në shenjë solidarizimi. I bëra një telegram ngushëllimi Presidentit Bush. Të gjithë ishim të prekur. Të nesërmen u njoftova se i gjithë populli i Kosovës ishte prekur nga këto ngjarje tragjike dhe kishte shprehur solidaritetin dhe miqësinë me SHBA.

Pas disa ditësh qëndrimi u ktheva me avionët e parë për Evropë. Në sytë e udhëtarëve në aeroporte vërehej brengosja po edhe dëshira, aspirimi për të mirën. Posa u ktheva në Prishtinë i bëra një vizitë Zyrës – Ambasadës amerikane dhe u nënshkrova në librin e zisë.”

Zoti i bekoftë viktimat e 11 shtatorit.

Zoti e bekoftë Amerikën.

Zoti e bekoftë Kosovën.

Zoti e bekoftë miqësinë tonë. /KultPlus.com

Dr. Ibrahim RUGOVA – Histori dhe mrekulli (1944-2006)

Shkruan: Don Lush Gjergji

                                    (Përvjetori i vdekjes)

Sot, si dhe shumë ditë dhe shumë herë, jam në shoqëri” me Mikun, Vëllain, Vizionarin, nuk është teprim të thuhet  edhe “profetin” dhe arkitektin e Republikës së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Ndihem “mirë” së bashku me Të shpirtërisht, edhe pse më mungon prania e tij fizike. Komunikoj me Të nëpërmjet fesë, uratës, dashurisë, falënderimit. Si shpesh herë, kur rrinim, bisedonim, takoheshim, shqyrtonim, analizonim gjendjen tonë historike dhe aktuale, planifikonim udhëtimet tona nëpër botë, në kërkim, “shfletoj” kujtimet, shënimet, albumet…

Kërkonim shteg apo rrugëdalje për një popull të shkretë dhe të robëruar, të nëpërkëmbur dhe të nënçmuar, të poshtëruar dhe të sfiduar, shpesh në breg të “varrit”, si “Pakica” e Izraelitëve që ishte në pritje të kthimit në atdhe, të lirisë së humbur dhe të mohuar, të rrezikimit deri te shfarosja…

Mirëpo Presidenti ynë dr. Ibrahim Rugova kishte në besim të madh dhe të pathyeshëm në Zotin dhe në Popullin, si dhe në miqtë tanë, SHBA-në, Bashkësinë Evropiane dhe Selinë e Shenjtë, sidomos në Papën Gjon Pali II. Dhe nuk ishte mashtruar. Përpos Zotit, që i besonte dhe e kërkonte në mënyrë “burimore” nëpërmjet Drejtësisë, Paqes, Lirisë, Demokracisë, Pavarësisë, vlera këto që janë universale, për të gjithë, pra, edhe për ne Shqiptarët, dhe Popullin të cilin duhet ta “motivojmë dhe bashkojmë”.

Shi për këtë ai çmonte, nderonte dhe e donte shumë Prof. Anton Çettën, Imzot Nikë Prelën, veprimtarët e Pajtimit, sepse thoshte, “këta njerëz dhe bashkëpunëtorët e tyre, po e lirojnë popullin nga ndarja, përçarja, ngatërresa, hak apo gjak – marrja, si parakusht për liri, demokraci dhe pavarësi”. Dhe vazhdonte: “Kur të jemi të bashkuar, një, atëherë edhe Zoti do të jetë me ne, si dhe bota demokratike, paqedashëse dhe liridashëse…”.

Dhe ndodhi ajo që pak kush besonte, mos të them askush, lufta mes Davidit – Dr. Ibrahim Rugovës, dhe Goliatit – Milosheviqit, Serbisë, me fitore mahnitëse, ndërhyrja e botës në dobi dhe të mirë tonë, si Lufta e parë dhe e vetme “humanitare, preventive, shpëtimprurëse” për një popull, për ne Shqiptarët, që ishim para sfidave të shkatërrimit dhe asgjësimit apo dëbimit masiv.

Dr. Ibrahim Rugova çështjen shqiptare, në veçanti atë të Kosovës, e shndërroi në çështje të ndërgjegjes, përgjegjësisë dhe bashkëpërgjegjësisë botërore.

Unë e vlerësoj Presidentin Dr. Ibrahim Rugova si simbol e asaj çka ishte e kaluara jonë shekullore ilire-arbërore dhe shqiptare, tradita, kultura, qytetërimi dhe aspiratat shumëshekullore. Më kujtohet thënia e tij bindëse dhe profetike: “Nëse Nëna Tereze e ka përfituar mbarë njerëzimin me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë, përse ne mos ta fitojmë lirinë, demokracinë dhe pavarësinë me strategjinë paqësore jo-dhunore gandiane, edhe më mirë tereziane…”.

Nëpërmjet Imzot Pjetër Bogdanit, autorit të studiuar dhe të preferuar të Rugovës, ai e kishte krijuar  një “Çetë të Profetëve” moderne dhe për ditët tona nëpërmjet Zotit, Popullit Shqiptarë dhe botës mbarë.

Ky ishte botëkuptimi i tij filozofik, kulturor, shpirtëror, shoqëror për popullin tonë Shqiptar, për Kosovën tonë të tashme dhe të ardhme.

Presidenti i parë i Kosovës dr. Ibrahim Rugova lindi në Cerrcë të Istogut më 2 dhjetor 1944. Pas dramës familjare, pushkatimit të babait Ukë Rugovës, më 10 janar 1945, doli në pah burrnesha e rrallë dhe trimëresha e vërtetë, Sofë Rugova, e cila e theu traditën shekullore dhe vendosi ta rriste djalin Ibrahimin, kuptohet me shumë flijime dhe me dashuri shembullore.

Këto dy ngjarje janë rrënjët e thella dhe të forta në personalitetin e shquar të Presidentit tonë të ndjerë dr. Ibrahim Rugova, i cili ia dëshmoi botës lashtësinë, martirizimin, traditën, kulturën dhe qytetërimin tonë ilir-arbëror dhe shqiptar, aftësinë për flijime, vëllazërinë gjithëshqiptare, strategjinë paqësore jo-dhunore, nevojën, dëshirën dhe domosdoshmërinë për liri dhe demokraci me mjete paqësore.

Shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë, fakultetin në Prishtinë (1971). Gjatë një viti akademik (1976-1977) ishte në specializim në Paris. Doktoroi në Universitetin e Kosovës në vitin 1984.

Dallohej si Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës për shumë vite, sidomos si mbrojtës i dinjitetit, identitetit dhe lirisë sonë kombëtare dhe kulturore, atëherë kur ishte rrezik të jetosh e jo më të veprosh në lëmin politik dhe kulturor. Të gjitha këto ai i përmblidhte në binomin bërthamor dhe me porosi tashmë të njohur: vetëvendosja dhe pavarësia e Kosovës.

Ishte studiues dhe krijues burimor, njohës i thellë i traditës dhe kulturës sonë të lashtë, kritik letrar me aftësi të rralla shkoqitëse, njohuri të sakta, stil elegant, qëndrime gjithnjë pozitive dhe optimiste për kontekstin shoqëror dhe hapësinor shqiptar. Mbi të gjitha ishte strategu i politikës paqësore, do të thosha edhe më tepër, Profeti i Paqes, Gandi i ditëve tona në dimensione kombëtare dhe ndërkombëtare, njeri i cili shkencën, kulturën, artin, jetën e vuri në shërbim të politikës, ndërsa politikën në shërbim të së mirës së përbashkët, duke dëshmuar kështu një stil të ri tejet human të politikës paqësore dhe jo-dhunore.

Shpesh thoshte: “Politika nuk është matematikë”, duke menduar dhe theksuar se njeriu nuk është kurrë vetëm numër, por person, individ i pacenueshëm, dhe se pakica dhe shumica duhet të bashkëpunojnë gjithnjë në kërkimin dhe zbatimin e paqes.

Pastaj vazhdonte: “Arma jonë e fuqishme është lashtësia, tradita, kultura, rrënjët  dhe identiteti ynë, si dhe rinia jonë… Ne duam dhe kërkojmë mënyra demokratike që të na pranojnë për atë çka jemi e pa e dëmtuar askënd… Nëse ne do ta mposhtim urrejtjen, ndarjet dhe përçarjet, sidomos traditën e gjak apo hak-marrjes, atëherë do të jemi të lirë dhe popull demokratik… Intelektualët shqiptarë duan të jenë në shërbim të popullitÇka na duhet Kosova e përgjysmuar nga masakrimet apo përjashtimet… Tani është e rëndësishme ta shpëtojmë popullin. Do të kërkojmë prej bashkësisë ndërkombëtare një fazë kalimtare, protektoratin ndërkombëtar për disa vite, e pastaj do të punojmë së bashku për pavarësinë e Kosovës… Në mua kanë ndikuar shumë pozitivisht dy personalitete botërore, Papa Gjon Pali II dhe Nëna Tereze…”.

Këto mendime, vlerësime dhe përcaktime Presidenti dr. Ibrahim Rugova i ka shprehur shumë më herët, si vizion dhe profeci, që për disa dukeshin ëndërrime, utopi, pasivizëm, dhe ja, fatbardhësisht, ato tani janë proces dhe në fazën e zbatimit përfundimtar.

Dr. Ibrahim Rugova nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë të mbrohet, por urtisht, guximisht dhe me shumë sukses e kudo e mbrojti popullin shqiptar, sidomos Kosovën. Ai nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë ta sulmonte askend, përpos të keqen, padrejtësinë, diktaturën, urrejtjen, rrenën, mashtrimin, dhe atë gjithnjë me fuqinë e së vërtetës, me strategjinë këmbëngulëse dhe frymëzuese për falje, pajtim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me të gjithë.

Mu për këtë ishte dhe do të jetë përfaqësuesi ynë i denjë në luftë për liri dhe demokraci në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë viteve 1989-1999  si dhe pas Luftës, deri në vdekje (21 janar 2006). Do të thoja së bashku me Nënësn Tereze se dr. Ibrahim Rugova “e dha pjesën më të mirë të vetvetes”.

Si  “testament” kulturor e la kompletin e tetë vëllimeve, kujtimin e njeriut të qetë dhe të urtë, të flijimtarit të pakursyeshëm, të strategut të paqes dhe të lirisë, këmbëngulesin e bindur dhe besnik të pavarësisë së Kosovës.

Bota e çmoi dhe nderoi me shumë shpërblime. Bota demokratike ishte me Presidentin tonë gjatë jetës së tij, sidoms në varrimin e tij madhështor, që në një mënyrë ishte edhe promovimi i pavarësisë sonë. Shpërblimi më i madh, kuptohet, nga ana e Zotit, është pavdekësia, amshimi, jeta e pasosur, ndërsa nga ana njerëzore, kombëtare dhe ndërkombëtare, është pa dyshim pavarësia e Kosovës, që edhe ne gjurmave të tija të shkojmë dhe atë mos ta harrojmë.

Prishtinë, 21 janar 2019                                                              

Rugova e veshur me bukuritë e borës (FOTO)

Rugova është një nga zonat më të vizatuara kur flitet për turizmin kosovar. Derisa merr rrugën në këtë trevë malore në veri-perëndim të qytetit të Pejës, për të arritur në majët më të larta kalon nëpër një udhëtim të mahnitshëm të pamjeve, shkruan KultPlus.

Guri i Kuq është një nga destinacionet kyçe që pret mjaft shumë vizitorë. Nga atje shihen si në pëllëmbë të dorës: Gjeravica, trekufiri Boriqe, maja e Mariashit, maja e Hekurave, Shkëlzeni dhe Liqeni i Plavës.

Me pamje mbresëlënëse në çdo stinë, ky lokacion të krijon një ndjesi të veçantë kur stina e dimrit është shumë pranë. Shtëpitë e drunjta e të gurta duken për mrekulli në zonën e mbuluar me gjelbërim, madje edhe kur ky gjelbërim vishet me bardhësi. Ata që ia kanë mësyrë kësaj zone në këtë fundjavë, janë zgjuar me një pamje ndryshe nga ajo që kanë lënë një ditë pas. Bora e cila veçse ka nisur të bashkëdyzohet me këtë bukuri ka krijuar pamje të mahnitshme.

Besart Tasholli ka ndarë këto pamje mbresëlënëse me lexuesit e KultPlus.

Rugova është regjioni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna, të njohura ndryshe si Alpet Shqiptare. Në vitin 2013 u shpall Park Kombëtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës./ KultPlus.com

At Zef Pllumi për Rugovën: Nuk çau kryet për kurrnji kritikë sepse ai ishte ma i dijuni, e ma i urti i të gjithve

Frati françeskan shqiptar, i njohur për veprën “Rrno vetëm për me tregue”, ishte deklaruar edhe për presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

At Zef Pllumi, i cili kishte vuajtur 26 vite burg në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, për Rugovën ka thënë: “U sha e u luftue nga serbët, u sha e u luftue nga shqiptarët, u sha e u luftue edhe na kosovarët e vet, por ai kishte si drejtim vetëm vizionin europjan. Kje trim e nuk çau kryet për kurrnji kritikë e të shame, sepse ai ishte ma i dijuni, e ma i urti i të gjithve”.

Pllumi vdiq më 25 shtator 2007. Dje u shënuan gjithsej dhjetë vite nga vdekja e një prej burrave më me ndikim në ideologjinë fetare ndër shqiptarë. Ai është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit”. / KultPlus.com