Formacioni me 16 vajza instrumentiste, koncert në Muzeun Arkeologjik të Durrësit

Orkestra e harqeve “Sigal” u prezantua  para artdashësve durrsakë me një program të pasur veprash nga autorë të njohur, nga periudha e Barokut në atë të shekullit  të 20-të.

Formacioni i themeluar në vitin 2003 përbëhet nga 16 vajza instrumentiste, që drejtohen nga dirigjenti me përvojë Ermir Dizdari.

Pak ditë më parë kjo orkestër fitoi Çmimin e parë në Takimin ndërkombëtar të përvitshëm të harqeve që zhvillohet në qytetin e Elbasanit.

Në koncertin e djeshëm, bashkë me veprat e kompozitorëve të mëdhenj si J.S. Bach, W.A. Mozart, P.I. Tchaykovsky, F. Schubert apo Strauss, shikuesit duatrokitën gjatë interpretimin e orkestrës së harqeve në veprat e autorëve të shekulllit të 20-të “Tango” nga Astor Piazzolla dhe “Valsi nr 2” nga Dmitri Shostakovich.

Koncerti, që u realizua në mjediset e Muzeut Arkeologjik Kombëtar të Durrësit me siglën e Festivalit të 15-të Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, u ndoq nga një numër i kufizuar artdashësish për shkak të masave të marra për pandeminë COVID-19.

Edicioni jubilar i këtij festivali ka hasur vështirësi në pjesëmarrjen e artistëve të huaj, ndërsa kanë vijuar koncertet e artistëve vendas./ATSH/ KultPlus.com

Kuinteti i frymës “Durrësi”, koncert në Muzeun Arkeologjik

Kuinteti i frymës “Durrësi” u paraqit mbrëmjen e kaluar me një koncert në sallën kryesore të muzeut arkeologjik të qytetit bregdetar.

Koncerti në kuadër të Festivalit të 15-të Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës solli për dëgjuesit një program të pasur me vepra nga nëntë autorë të njohur vendas dhe të huaj.

Jonela Golemi (flaut), Saimir Kalaja (oboe), Sokol Toto (klarinetë), Ilir Kodhima (korno) dhe Pirro Sota (fagot) janë pjesëtarët e kuintetit “Durrësi” që nga viti 2010.

Aktiviteti artistik i secilit prej tyre përbën bashkëpunime në koncerte brenda dhe jashtë vendit.

Të njohur për promovimin e veprave të shkruara në epoka të ndryshme, këtë herë artistët nga Durrësi dhe Tirana interpretuan pjesë nga Johann Straus (biri), Johann Schrammel, J. Haydn, W. A. Mozart, P. I. Tcaykovski, N. Piovani, T. Greaves, M. Penella, si dhe nga Josif Minga.

Megjithëse në një numër të kufizuar për shkak të pandemisë, shikuesit duartrokitën gjatë interpretimin e ansamblit të frymës “Durrësi”./atsh/ KultPlus.com

Historia dhe magjia e violonçelit bashkohen në një mbrëmje artistike në Muzeun Arkeologjik në Durrës

Falë një bashkëpunimi institucional mes Ministrisë së Kulturës, Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Durrës dhe Albanian Society in Development, është mbyllur mbrëmjen e djeshme në Muzeun Arkeologjik në qytetin bregdetar, Muaji i Trashëgimisë Kulturore. Një mbrëmje artistike, ku janë bashkuar historia dhe muzika, ka pasur si qëllim mbrojtjen e trashëgiminisë kulturore, përmes promovimit të vlerave dhe pasurisë të një qyteti si Durrësi.

“Të njohim të shkuarën për të dashur të ardhmen”, ka qenë kjo tema e një bisede profesionistësh, që ka përbërë pjesën e parë të aktivitetit kulturor, “E ardhmja është në origjinë”, e organizuar në përfundim të një sërë aktivitetesh gjatë muajit të trashëgimisë kulturore. Historia mijëra vjeçare e një qyteti antik si Durrësi, personazhe të tij, ngjarjet që kanë lënë gjurmë deri në ditët e sotme, kanë ardhur në një mënyrë tejet të veçantë përballë publikut.

Profesorët e njohur në fushën e arkeologjisë shqiptare Lida Miraj dhe Saimir Shpuza, u vunë përballë pjesëmarrësve, kryesisht të rinj studentë, duke rrëfyer lindjen dhe zhvillimin e qytetit të Durrësit. Emra qytetarësh të rëndësishëm të Durrësit ndër shekuj, ishte një pjesë e bisedës që ka ngjallur interes tek të pranishmit. Pyetjet janë kthyer në një bashkëbisedim, ku janë zbuluar kureshtje, janë sjellë fakte dhe janë bërë të njohur personazhe, ngjarje, rreth një qyteti që i përket agimit të qytetërimit.

E ku tjetër veçse në mjediset e Muzeut Arkeologjik, kjo bisedë profesionistësh do të ngjizej më mirë, ku minutat kanë kaluar pa u ndier, në pjesën e parë të këtij eventi. Por, mbrëmja ka rezervuar të tjera emocione pozitive, që kanë “fluturuar” nga historia tek arti. Koncert-duo. “Zëri njerëzor dhe violonçeli si dëshmitarë”, kështu është titulluar koncerti që është zhvilluar gjatë pjesës së dytë të aktivitetit.

Dy violonçelistët Prof. Pjetër Guralumi dhe Arven Pjetri, kanë interpretuar për publikun, gjatë një koncerti që u mbështet tek elementi i zërit dhe një instrumenti mjaft elitar si violonçeli. Sipas programit , interpretimet ishin përzgjedhur nga kompozitorë me prejardhje ilire dhe arbërore, Niketa i Remesianas (335 – 414), Jan Kukuzeli (1280 – 1370) dhe Gjergj Danush Lapaçaja (1495 – 1570).

Por, në koncert nuk munguan as pjesë nga kryevepra të autorëve të njohur botëror si Antonio Vivaldi (1678 – 1741); Johan Sebastian Bach (1685 – 1750) dhe Luigi Bocherini (1743 – 1805). Duetet e interpretuara nga artistët krijuan momente emocionuese në sallën e Muzeut Arkeologjik, e cila i ngjasoi për disa orë me një oborr mbretëror antikiteti, “pushtuar” nga muzika elitare e tingujve të violonçelit.

Duartokitjet e gjata në drejtim të interpretuesve, të cilët me mjaft mjeshtëri në zgjedhje dhe profesionalizëm në interpretim, mbyllën koncertin me Sinfoninë num 5, koha e parë, “Allegro con brio” nga Ludvig van Bethoven.

Përgatiti: Erjola Azizolli. / KultPlus.com