Pjetër Gaci, gjigandi i muzikës që kompozoi koncertin e parë për violinë në historinë  e muzikës shqiptare

Pjetër Gaci, kompozitori, violinisti dhe pedagogu i muzikës klasike, sot do të festonte 92 vjetorin e lindjes, përcjell KultPlus.

Pjetër Gaci lindi në fshatin Shtiraj të rrethit të Shkodrës, më 27 mars të vitit 1931. Ai ishte pedagog në Liceun Artistik dhe më pas në Institutin e Lartë të Arteve. Rrugën e artit e filloi si violinist dhe u bë themeluesi i muzikës violinistike shqiptare. Arriti maja me kompozimin e këngës, si te “Për ty atdhe” dhe “Gryka e Kaçanikut”.

Në vitin 1967, bëhet drejtor i cirkut të Tiranës, i Estradës dhe i Teatrit të Kukullave të qytetit. Në vitin 1970, është kompozitor në krijimtari të lirë dhe pas vitit 1976 vendoset përfundimisht në Shkodër, ku krahas kompozimit u për-kujdes edhe për klasën e violinës në shkollën e mesme artistike “P.Jakova” të këtij qyteti. Ai ka meritën të ketë kompozuar të parin koncert për violinë në historinë e muzikës shqiptare, të parën baladë për violinë dhe piano, si dhe të jetë anëtar i Trios së parë instrumentale (pranë TOB, 1956).

Prirja kryesore në krijimtarinë e tij do të mbetet muzika vokale, në të cilën ka lënë shembuj të paharruar veprash që nga kënga e deri tek opera, si opera “Toka jonë”, “Përtej mjegullës”, kantata “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”, “Për ty Atdhe”.

Në vitin 1989, Pjetër Gacit iu akordua titulli “Artist i Popullit”. / KultPlus.com

Partitura më e vjetër e muzikës shqiptare

Ky shkrim synon të jetë një kontribut modest në historinë e muzikës shqiptare, dhe konkretisht në fillimet e semiologjisë sipas sistemit perëndimor.

Historia fillon në vitin 1804, kur u botua në Londër përmbledhja ­“Lyric Airs” (“Motive lirike”), e cila përfshinte 35 specimene këngësh e melodish kombëtare greke, shqiptare, vllahe, turke, arabe, persiane, kineze dhe maúre (“Lyric Airs by Edward Jones, consisting of Specimens of Greek, Albanian, Walachian, Turkish, Arabian, Persian, Chinese, and Moorish National Songs and Melodies”). Siç përmendet edhe në kopertinën e librit, kjo ishte hera e parë që i jepej publikut britanik një përzgjedhje e kësaj natyre.

Autori i saj ishte Edward Jones [Eduard Xhons], bard pranë Lartësisë së Tij, Princit të Uellsit. Jones-i nuk kishte bërë thjesht një punë antologjike dhe transkriptuese muzikore, por edhe kishte bërë edhe një aranzhim muzikor duke shtuar baset për harpë ose për piano. Meloditë e transkriptuara shoqëroheshin me shënime për figurat dhe lëvizjet e valleve, si dhe me një disertacion të shkurtër për prejardhjen e muzikës së lashtë greke. Nga kjo kuptohet se autori nuk ishte thjesht një mbledhës folklori, por edhe një studiues me formim të pjekur muzikor.

Në faqen 14 dhe 15 të librit gjendet edhe melodia e një valleje të titulluar “Arnaute” sipas turqishtes  (“The Albanian Dance”). E. Jones sqaron se kjo valle kërcehet zakonisht nga shqiptarët të armatosur gjer në dhëmbë dhe mendohet të jetë vallja pirrike e lashtë. Ai shënon gjithashtu se trupat ushtarake në Moré, Maqedoni, Bosnje janë krijuar sipas stilit arnaut dhe ruajnë ende guximin dhe rreptësinë e të parëve të tyre dhe vlerësohen si luftëtarët më të mirë të Perandorisë Turke.

Një e dhënë me shumë rëndësi për studiuesin është se në këtë botim ndeshim për herë të parë të transkriptuar me nota muzikore sipas sistemit perëndimor një melodi që cilësohet si shqiptare.

Sipas njohjes sonë të deritanishme, kjo mund të quhet edhe partitura më e vjetër e muzikës shqiptare. Ky është prezantimi i parë semiologjik muzikor i kësaj valleje. Rëndësia e këtij botimi është e madhe, jo aq për të dhënat rreth origjinës së saj (të cilat gjenden në mjaft autorë të lashtë e më të rinj), sesa për paraqitjen e vijës së saj melodike.

Përfshirja e një melodie shqiptare në një botim të tillë antologjik dëshmon interesimin e studiuesve britanikë për kulturën e popujve të Lindjes, sidomos të atyre që jetonin në suazën e Perandorisë Turke. Këtë interesim e shohim edhe tek udhëtarët anglezë që vinin në krahinën perëndimore të Perandorisë (Bajron, John Cam Hobhouse, Henry Holland etj.) (Skëndo 1999), kryesisht për t’u njohur me lashtësinë greke. Por, kur vinin këtu, krahas grekëve, ata njihnin edhe shqiptarët, një popull të vogël me kulturë e tradita ekzotike konservatore.

 Përfshirja e saj në një antologji muzikore me melodi të popujve të rajonit është jo vetëm një përpjekje identifikuese, por gjithashtu edhe një përpjekje klasifikuese në grupin kulturor ballkanik e, më gjerë, lindor. Tërthorazi muzika shqiptare klasifikohet në rajonin kulturor të Ballkanit dhe Mesdheut lindor, meqenëse shumica e këngëve të përmbledhjes janë greke (14), turke (5), vllahe (3), maure (3), arabe, indiane, por edhe 2 melodi suedeze.

 Ky klasifikim i nënkuptuar pasqyron edhe perceptimin e muzikologëve dhe studiuesve të huaj për modelet muzikore të rajonit.

 Nuk është vështirë të kuptohet edhe një vështrim romantik i përzgjedhësit dhe studiuesit të melodive. Ky vështrim romantik konstatohet në radhë të parë për meloditë greke, ku E. Jones do të vendosë patjetër një lidhje me temat historike nga mitologjia dhe lashtësia (sidomos me mitin e Tezéut dhe Minotáurit). I gjithë disertacioni i përfshirë në libër tregon më qartë për konceptin e një vijimësie kulturore midis Greqisë së lashtë dhe asaj moderne.

Në kuadër të këtij shpjegimi mund të kuptohet se pse autori i referohet gjerë e gjatë lashtësisë greke. Zbulohet kështu qëndrimi i Jones-it, i cili flet në të mirë të asaj vazhdimësie. Tek grekët e rinj ai sheh stërnipërit e grekëve të vjetër.

Në këtë kontekst mund të kuptohen referencat antike të valles pirrike. Është i njëjti konceptim romantik i lidhjes me lashtësinë. Mundësia e origjinës së lashtë të valles arnaute dhe identifikimi i saj me vallen pirrike bazohet në veçoritë e saj themelore, si valle trimash, që kërcehet me uniformën e plotë dhe pajisjet luftarake.

Të dhënat për vallen e lashtë pirrike janë ndryshme dhe jo gjithmonë të sigurta. 

Sot mbizotëron mendimi i përgjithshëm se “Pirrikja” është një valle e lashtë greke, e cila kërcehej vetëm nga burrat, që mbanin ushta e mburoja dhe pishtarë të ndezur, ndërsa dëgjohej muzika e fyellit dhe këngëve luftarake. Ajo paraqiste fazat e ndryshme të betejës.

Disa thonë se ajo e ka zanafillën që në shekujt e 7-të e të 6-të para e.s., kur emri “pirrike” iu dha një valleje luftarake, që i referohej në zanafillë një figure mitologjike me emrin Pirrikhos, identiteti i së cilës është i paqartë. Ka edhe disa supozime të tjera për identitetin e saj.

   Vallja i ka dhënë emrin edhe ritmit pirrik, që në metrikën e lashtë greke quhet këmba e formuar nga dy kohë të shkurtra (2/4), domethënë 2 X ¼. Kemi domethënë një ritëm në dy kohë: ◡ ◡  =  θ  θ  (Lacas).

   Ritmi pirrik shkakton një përshpejtim të frymëmarrjes. Ai është shprehja e përkryer e një vriku që shoqërohet me lëvizje të pamëshirshme, Ka shumë shembuj lëvizjesh të shpejta në masën 2/4, me një radhë katër tetëshesh në bas.

   Sipas të dhënave dhe të thënave të autorëve të lashtë, si Ksenofoni, Diodor Siqelioti, Straboni, Filostrati (Jones 1804: 21, Sako 1972: 96) vallja pirrike u shpik së pari në Kretë, nga Pirroja, i biri i Akilit, që e kishte përfshirë në programin e stërvitjes së të rinjve para veprimeve ushtarake. Valltarët vishnin një fustanellë luftarake, e cila i ngjante një xhakete të lirshme, të lehtë e të shkurtër, që zbriste gjer në gju, dhe shtrëngohej me një brez që rrotullohej dy herë rreth mesit; ata vishnin edhe kambale, ishin plotësisht të armatosur, dhe imitonin lëvizje të ndryshme ushtarake në tingujt e veglave muzikore.

   Në Athinë vallja pirrike ishte në programin e lojërave panathinase, ndërsa tek dórët ishte pjesë e gymnopédisë dhe e festave të Dioskurëve. 

   Lakedemonasit (spartanët) dhe kretasit, thotë Libaniusi, e praktikonin vallen me shumë pasion: ata e konsideronin atë si një ushtrim të nevojshëm që e kërkonte ligji; dhe konsiderohej gjest aq i turpshëm lënia pas dore e saj, njësoj si braktisja e postit në ditën e betejës. Lakedemonasit i stërvitnin të rinjtë e tyre më këtë lloj ushtrimi, që në moshën pesë vjeç, duke synuar rritjen e fuqisë dhe gatishmërisë së tyre trupore, si një nga mjetet më të mira për t’i bërë ata të pamposhtur në luftë. Ata e kërcenin këtë valle të veshur në pancir, dhe me armët hipur mbi kalë, siç njofton Solinusi (Jones 1804:21).

   Romakët, të cilët ishin trashëgimtarë të mirësjelljes greke, e njihnin edhe vallen pirrike. Përmendet se perandori Adrian jepte shpesh porosi që kjo lloj valleje (së bashku me lojëra të tjera) të kërcehej në një cirk të madh, për argëtimin e njerëzve; veçse në Romë e kërcenin jo vetëm meshkujt, por edhe gratë, të cilët ishin të armatosur me shpata prej druri, në vend të hekurit (Jones 1804: 14, 15).

Sipas një burimi tjetër, athinasit kishin një valle të caktuar, të quajtur pirrike (Πυῤῥίχεια), që vallëzohej nga djem të rinj veshur me uniformë të rëndë, duke imituar Athinanë, e cila tek po triumfon mbi bijtë e pushtuar të Titanit, duket sikur kërcen në atë mënyrë.

   Sipas informatave të fillimit të shek. XIX, vallja pirrike ishte ende në modë tek turqit dhe tek trakët: ata armatoseshin me ushta dhe shpata të shkurtra, dhe kërcenin lehtas nën tingujt e fyellit, duke iu afruar me hapa të shpejtë njëri-tjetrit, me zhdërvjelltësi e shkathtësi të habitshme (Jones 1804: 21).

   Si valle pirrike sot konsiderohet vallja që kërcehet nga grekët e Detit të Zi (pontët, Πόντιοι). Në Janicá të Greqisë Veriore organizohen rregullisht evente me emërtimin “Pirriket”, ku vendin qendror e zë kërcimi i “valles pirrike”. Në ndërgjegjen popullore të grekëve kjo valle perceptohet si një element i lashtë kulturor i trashëgimisë së tyre. Studiues grekë (Politis), por edhe të huaj, vendosin një lidhje midis disa versioneve të sotme vallesh (“Trata”, “Syrtós”, “Hasápiko” apo “Cámiko”) dhe valles së lashtë pirrike (Sako 1972: 96-97). 

   Përfshirja në këtë rreth edhe e një valleje me emrin “Cámiko” (“çame”) jep shkas për ta shtrirë hapësirën e vijimësisë përtej “mëtimeve greke”.

   Të drejtë trashëgimie mbi këtë valle kanë mëtuar edhe autorët shqiptarë. Në një artikull të Zihni Sakos (1972) vlerësohet seriozisht një nga versionet e prejardhjes së valles pirrike, e cila lidhet me Mollosinë dhe nxirret që këtej përfundimi se vallja “çame” është vazhdim i valles pirrike (Sako 1972: 97-98). Po ashtu vallja “Hasápiko” është sipas tij, shqiptare, meqenëse është mbiquajtur edhe “Arnaute”. Z. Sako nuk jep shpjegime të tjera për elementet koreografike të asaj valleje, përtej emërtimit turk “Arnaute”. Mos është ndoshta ajo valle me të njëjtin emër që ka transkriptuar muzikalisht E. Jones tek përmbledhja e tij me 1804? Ka shumë gjasa, pavarësisht se Z. Sako nuk bën fjalë në asnjë vend për botimin e Jones-it. Kjo mospërmendje dëshmon se ai nuk e njihte botimin anglez, dhe kësisoj as partiturën me melodinë e transkriptuar. Nëse do ta njihte, Z. Sako do të kishte një argument më tepër në tërësinë e argumenteve të tij.

   Por a mjafton argumentimi i Z. Sakos, i Agollit dhe i të tjerëve, qoftë edhe sikur të vinte në ndihmë edhe mbështetja e E. Jones-it, për të vërtetuar se “Vallja arnaute” është vallja e lashtë pirrike? Për mendimin tonë, argumentet janë të pamjaftueshme për të provuar një vijimësi të tillë. 

   Përtej qëndrimit romantik të E. Jones-it, nuk duket aq e çuditshme pse ai e cilëson vallen “Arnaute” si “Pirrike”, të cilën nuk ka dyshim se e koncepton si origjinarisht greke. Për të kuptuar këtë, duhet të mbajmë parasysh se në kohën e botimit të “Lyric Airs” (1804) ishte mjaft e përhapur teoria e prejardhjes së përbashkët të grekëve dhe shqiptarëve. Në pemën gjenealogjike indoevropiane greqishtja dhe shqipja gjenden zakonisht shumë afër dhe shpesh si një degë. Ky mendim i paargumentuar bindshëm pati përkrahësit e vet, më kryesori ndër të cilët ishte Dh. Kamarda (1864). Parë nga ky këndvështrim, nuk duket si paradoks që E. Jones zanafillën e një valleje shqiptare e gjen tek lashtësia greke.

   Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për përpjekjen e Z. Sakos për të vendosur një lidhje midis valles arnaute dhe asaj pirrike. Folkloristi shqiptar në mes versioneve të mundshme të prejardhjes së valles pirrike, përzgjedh atë që kënaq më shumë intuitën e tij kërkimore. Sa për vijimësinë, ai bie edhe një gabim metodik e shkencor, kur operon me terma jo fort të pranueshme e komprometues, si pellazgo-ilir. Çdo ngjashmëri e valles pirrike me ndonjë valle të sotme greke, apo shqiptare duhet parë për mendimin tim brenda një vijimësie kulturore dhe jo domosdoshmërisht gjuhësore apo etnike, sepse mungesa e provave mund të japë shkas për pështjellime.

   Ajo që ka rëndësi është ekzistenca e një partiture të një valleje shqiptare (“Arnaute”), e cila shënon, nga sa dimë, edhe fillimin e semiologjisë muzikore shqiptare./ Nga Majlinda Spiro / KultPlus.com

‘Merak tu bana’, mrekullia që vjen përmes Parashqevi Simaku (VIDEO)

KultPlus ju sjell këngën “Merak tu bana” nga këngëtarja Parashqevi Simaku e njohur për këngën “E duam lumturinë”.

Parashqevi Simaku është një këngëtare shumë e njohur dhe muzika ku identifikohet më shumë është ajo pop, e lehtë dhe popullore e Shqipërisë së mesme.

Parashqevi Simaku është një këngëtare shqiptare nga Shqipëria. Ajo lindi në Kavajë dhe më pas u shpërngul në Durrës. Ajo që e vogël filloi të këndojë, duke bashkëpunuar me kompozitor të talentuar. Këndoi shumë në festivale edhe koncerte e pranverës.

https://www.youtube.com/watch?v=84NbtWV7-J8&feature=emb_title&ab_channel=SelverRashiti

Në 1988 fiton çmimin e parë të Festivali i 27-të i Këngës në RTSH me këngën “ E duam lumturinë”, kompozuar nga Pirro Çako. Pas vitit 1991 ajo largohet edhe jeton në SHBA, duke u marr edhe atje me muzikë…

Po m’rreh zemra si val’ deti
qysh duron zemër, qysh duron dhe me gojë s’m’flet
më ngriu drapni, n’dor’ më t’shkretit
qysh duron, zemër, qysh duron dhe m’ikën shpejt

Marak t’u bona moj goce du me t’pa me sy
2x
Po vij qark si zog skifteri me u taku me ty

T’u skuq faqja porsi pjeshka
syrin si ulli, nuk duroj sa te vijë vjeshta
e me të marrë në shpi

Kush t’a freskon ballin ty
aman goce e re, të kom dashtë e fort të du
aman goce e re, eeeeee aman goc’ e re
Eeeee, sa e bukur je

Kjo dashnia asht për mu
të kom dasht’ e fort të du
aman goc’ e re, eeeeee aman goc’ e re
Eeeee, sa e bukur je
. / KultPlus.com

Matija Murko, etnologu slloven që dokumentoi muzikën shqiptare

Një punë kërkimore me vlerë për etnologjinë shqiptare mbi interpretuesit dhe muzikantët  shqiptarë të Kosovës e realizuar në fillim të shekullit  nga etnologu i njohur slloven Matija Murko, i cili shëtiti këtë pjesë të trojeve shqiptare në vitet ’30 të shekullit të kaluar, është publikuar së fundmi.

Përmes fotografive ai ka dokumentuar grupimet artistike, interpretuesit, këngetarët e asaj kohe, etj.

Matija Murko konsiderohet si një ndër studiuesit më të mëdhenj slloven të shekullit të kaluar.

Në vitet ’30 Murko sëbashku me gruan e tij shëtisin pothuajse të gjithë ish-Jugosllavinë e dikurshme. Si një studiues i eposit, këngës, traditës dhe etnologjisë ai vizitoi edhe Kosovën duke dokumentuar përmes fotografive personat që njiheshin për interpretimet e këngëve epike, por edhe ansambleve të para.

Në një nga fotot është edhe Ymer Riza, legjenda e muzikës tradicionale shqiptare. /dsh/ KultPlus.com

Kultura dhe muzika shqiptare studiohet në Universitetin e Nju Xhersit

Dekani i Fakultetit të Muzikës Montclair-it, në Nju Xhersi, Robert Cart, tha se ky program i muzikës shqiptare do të zgjerohet.

Është bërë e ditur se në Fakultetin e Muzikës në Universitetin Publik të Montclair-it, në Nju Xhersi, tashmë po studiohet muzika shqiptare. Me studentët amerikanë punojnë dy emra të njohur: Raif Hyseni dhe Merita Halili. Me nismën e zotit Hyseni, ky universitet ka krijuar Ansamblin Ballkanik, ku për momentin punohet pothuajse vetëm me muzikën shqiptare, shkruan albinfo.ch.

“Një tjetër performancë shumë e suksesshme e Ansamblit Ballkanik Shqiptar në Ansamblin Shtetëror Montc. Jam shumë krenarë për studentët e mi dhe performancën e tyre! Faleminderit të gjithëve”, u shpreh Raif Hysini në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Po ashtu, në faqen e Ministrisë së Diasporës së Shqipërisë shkruhet se muzika shqiptare në një universitet amerikan me studentë shqiptarë e të huaj studiojnë e performojnë muzikën shqiptare, si pjesë e Ansamblit Ballkanik në Universitetin Shtetëror Montclair në New Jersey. Ansambli është themeluar nga artisti i njohur i muzikës shqiptare, Raif Hyseni, me qëllim promovimin e folklorit dhe kulturës shqiptare në SHBA.

Këta studentë janë duke u specializuar në degë dhe instrumente të ndryshme muzikore, por gjatë kësaj lënde ata nuk praktikojnë rrymat e zakonshme për ta – si muzika klasike apo jazz – por muzikë shqiptare. /Albinfo.ch / KultPlus.com

E martuar me një vlonjat, sopranoja amerikane promovon muzikën shqiptare

Dashuria për Shqipërinë, kulturën dhe muzikën shqiptare është kthyer në mision për çiftin shqiptaro-amerikan. Mario Rrapaj nga Vlora dhe Carson Dorsi nga Amerika janë një çift bashkëshortësh që jetojnë në Dallas, Texas në SHBA dhe ku po i kushtojnë rëndësi të veçantë promovimit të artit, kulturës e muzikës shqiptare atje.

Dorsi e njohur ndryshe si “Albanian Girl” është soprano amerikane, e cila tani në repertorin e saj përfshin vetëm këngë në gjuhën shqipe. E pranishme në një konkurs të sipërmarrësve të muzikës, në Universitetin e Texasit të veriut, ajo paraqiti një projekt për zhvillimin e një database të muzikës shqiptare në mënyrë digjitale, i cili u vlerësua me 2 çmime.

Bashkëshortët prej disa kohësh kanë themeluar edhe fondacionin kushtuar muzikës shqiptare, “International Albanian Music Foundation” ndërsa në të ardhmen kanë ambicie për zhvillimin e një projekt të rëndësishëm në krijimin e një platforme për shqiptarët në Diasporë me muzikë shqiptare. / KultPlus.com

Aurela Gaçe rrëfen takimin me ikonën e skenës Vaçe Zela: Një kujtim i shtrenjtë

“Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë”, ishte shprehur shkrimtari Dritëro Agolli për këtë artiste shqiptare, shkruan KultPlus.

Por, figurën e saj, e kujtojnë e vlerësojnë të gjithë ata që e njohën, dëgjuan e jetuan me muzikën e saj.

Vaçe Zela, e cila ka ndërruar jetë vite më parë, do të qëndrojë gjithmonë në memorien e publikut me hitet e saj të pavdekshme si ‘Rrjedh në këngë e ligjërime’, ‘Lemza’, ‘Vals i lumturisë’, ‘Moj e bukura Shqipëri’ etj.

Por, për takimin me ikonën e muzikës shqipe ka rrëfyer edhe këngëtarja Aurela Gace, e cila ka treguar rreth emocioneve që ka ndierë në ato momente.

“Një kujtim i shtrenjtë. U hutova aq shumë kur e takova . Emocionet ishin aq të forta sa nuk haja dot asnjë copë nga keku që më ofroi…. Vaçe Zela, dëgjoj zërin e saj dhe them “sa me fat jemi që e kishim një zë-shpirt-art-magji-si i saji” . Mund të ishte artiste e një kombi tjetër , por ja që është e jona. Histori. Krenari. Sigurisht nuk ishte thjesht zëri i saj që e bëri të pavdekshme. Një zë i veshur me shpirt, me zgjuarsi, me ndjenjë, me vizion të qartë në atë që thoshte e këndonte …fuqia e magjia që kishte për të të rrënqethur, ishte dhe është e njëjtë”, ka shkruar Aurela Gace në Instagram. / KultPlus.com