Në përvjetorin e vdekjes së Franz Liszt, përkujtojmë operën e papërfunduar të tij, “Sardanapalo”

Sot shënohen plot 135 vite nga vdekja e kompozitorit të njohur, Franz Liszt.

“Është 170 vjet e vjetër, por tingëllon shumë moderne”, është përshkrimi që David Trippett, profesor i asociuar në Fakultetin e Muzikës në Universitetin Cambridge i bën operës së papërfunduar të Franz Liszt, “Sardanapalo”.

Dorëshkrimi i aktit të parë të operës që do të duhej të ishte triaktëshe ka qëndruar në Arkivin e Goethes dhe të Schillerit në Weimar për më shumë se 100 vjet para se Trippett ta rizbulonte duke planifikuar diçka debutuese për të cilën “askush nuk kishte dëgjuar më parë”. Nga viti 1843 deri më 1861, Liszt (1811-1886) ishte udhëheqës i orkestrës që tash njihet si “Staatskapelle” në Gjermaninë Qendrore, në qytetin Weimar. Do të jepet premierë të shtunën Teatrin Kombëtar të Gjermanisë në këtë qytet.

Para më shumë se 10 vjetësh, Trippett që asokohe ishte student në Akademinë e Muzikës në Leipzig, kishte udhëtuar me tren për në Weimar për të parë 111 faqet e operës në arkiv.

Opera e papërfunduar ka sfiduar aftësitë dhe dijen e Trippettit, ka thënë ai. Liszt e kishte shkruar operën në vitet ‘50 të shekullit XIX dhe ishte vështirë e lexueshme dhe e papërfunduar. Kishte punuar goxha shumë dhe e kishte përmirësuar atë, duke e vështirësuar edhe më leximin.

Opera për një kohë të gjatë ishte cilësuar si e pamundur për t’u interpretuar, por profesori i Cambridge thotë: “Muzika duhet të ruhet”.

Trippett ka shpenzuar më shumë se një dekadë duke bërë bashkë pjesët si një puzzle, tri prej të cilave i kanë shkuar vetëm për orkestrim, duke pasur parasysh instruksionet e kompozitorit.

“Orkestrimi është bërë nga unë, por ai është i Lisztit”, ka thënë Trippett. “Muzika është fantastike. Liszt ka provuar të kompozojë një operë moderne italiane”.

Libreto është bazuar në tragjedinë “Sardanapalus” të Lord Byronit për mbretin e fundit të Asirisë antike, një rajon ky që tash është midis Sirisë dhe Irakut.

Sipas Kirill Karabits, dirigjentit kryesor të “Staatskapelle” në Weimar, opera e Liszt hap një kapitull të ri sa i përket historisë së muzikës së shekullit XIX. “Nuk do ta gjeni këtë operë në katalogët a veprat tjera të kompozitorit”, ka thënë. Pas një pune tejet të lodhshme të Trippett, tashmë akti i parë është kompletuar. “Do të dirigjoj diçka që askush nuk e ka bërë më përpara”, ka thënë dirigjenti. “Bëhet fjalë për diçka joshëse, por që duhet të kesh shumë përgjegjësi”. / KultPlus.com

Bernstein, rilindasi i muzikës klasike amerikane

Viti 1957 simbolizon, “West Side Story”, një shfaqje muzikore me muzikë të Leonard Bernstein, dhe i cila u shfaq në “Winter Garden Theatre” në Broadway. Por, muzikanti Bernstein pati sukses të  madh saqë shumë njerëz e festojnë arritjen e tij të madhe si kompozitor.

Sidoqoftë, edhe pa triumfin e “West Side Story”, vendi i Bernstein në historinë muzikore ishte vendosur. Përveç punës së tij si kompozitor, “Njeriu i Rilindjes së Muzikës” shquhej si dirigjent, si një pianist koncerti, dhe si një mësues që nxori muzikën klasike edhe më shumë në pah.

©Discogs

Lindur në Lawrence, Massachusetts, më 1918, Bernstein filloi mësimet e pianos me insistimin e tij kur ishte vetëm 10 vjeç. Ai menjëherë tregoi një talent instiktiv për muzikë, dhe në moshën 12 vjeç ai po studionte muzikë në New England.

Bernstein studioi për dirigjent me Fritz Reiner dhe Serge Koussevitzky, dhe më 1943 u punësua si ndihmës dirigjent në Filarmoninë e Nju Jorkut. Në historinë e orkestrës, asnjë ndihmës nuk ishte thirrur për dirigjim, por më 14 nëntor fati buzëqeshi për Bernstein, kur dirigjenti i ftuar Bruno Walter u sëmur.

©Brandeis

Një natë më parë, Bernstein kishte dëgjuar një këngëtar të interpretojë një nga kompozimet e tij, kishte qëndruar deri vonë duke pirë dhe duke luajtur piano në festën pas recitalit; shprehi tipike e tij.

Me tri orë gjumë dhe pa prova, Bernstein u kërkua të zhvillonte një program kompleks të Schumann, Strauss, Rosza dhe Wagner që do të transmetonte nga Carnegie Hall në të gjithë vendin nga radio CBS. Koncerti ishte një sukses i bujshëm, me ç’rast, “The New York Times” botoi një artikull në faqen e parë të nesërmen, duke njoftuar ardhjen e një talenti të ri të mrekullueshëm dirigjent.

Mandatory Credit: Photo by George Talbot/ANL/REX/Shutterstock (1988066a) Leonard Bernstein Composer In Action 1963. Leonard Bernstein Composer In Action 1963.

Për pjesën tjetër të jetës së tij, Bernstein ishte një dirigjent i kërkuar ndërkombëtarisht. Ai bëri turne nëpër botë shumë herë, dhe më 1953 u bë amerikani i parë që drejtoi në La Scala në Milano, në teatrin kryesor të Italisë.

Një pianist i respektuar klasik, i cili nganjëherë dirigjoi nga stoli i pianos. Bernstein ishte një idhull popullor i njohur për njerëzit që kurrë nuk dëgjuan muzikë klasike.

Duke refuzuar të kufizohej në dirigjim, ai kompozoi simfoni dhe opera të vlerësuara. Ai gjithashtu ishte thellësisht i interesuar në muzikën popullore amerikane dhe ndikimet e xhazit mund të gjenden në shumë prej pjesëve të tij klasike. Punimet e tij më të njohura ishin për Broadway, dhe disa prej kompozimeve të tij janë: “On the Town” (1944), “Wonderful Town” (1953), “Candide” (1956) dhe “West Side Story” (1957).

©WQRX

Për West Side Story, një ri interpretim i “Romeo and Juliet” i William Shakespeare të zhvendosur në New York, Bernstein punoi me koreografin e shkëlqyer Jerome Robbins, dhe tekstshkruesin Stephen Sondheim.

“West Side Story” tregon historinë e një lidhje dashurie gati të pamundur, midis Tonit, i cili është polako-amerikan dhe Marisë, një portorikane.

Leonard Bernstein ishte gjithashtu një arsimtar i talentuar që mësoi Amerikën për muzikën klasike me programet televizive “Omnibus” dhe “Young People’s Concerts”. Më 1973, ai u ftua në Harward për të dhënë leksione mbi gjuhësinë dhe muzikën. Ai vdiq në vitin 1990 në moshën 72 vjeç. / cbc.al / KultPlus.com

©WRTI

Igor Stravinski, kompozitori, pianisti dhe dirigjenti rus që priu modernizmin në muzikë

Kompozitori legjendar jetoi 88 vjet (1882-1971), duke qenë kësisoj dëshmitar i disa prej ngjarjeve më dramatike të shekullit të 20-të, ngjarje që gjetën shprehje të gjallë në kompozimet e tij. Karriera e tij muzikore filloi si rebelim dhe u zgjodh nga “Disney” për të krijuar botën. Bashkëpunoi me Pikason dhe Auden, influencoi nga kompozitorët Boulez te Tavener. Muzika e shekullit XX është e paimagjinueshme pa Stravinskin, një nga kompozitorët që priu modernizmin në muzikë, në fillim të shekullit të 20-të, me ndikim të qëndrueshëm dhe të gjithanshëm.

Kompozitori, pianisti dhe dirigjenti rus i shekullit të 20-të (francez i natyralizuar dhe më pas amerikan), spikat për guximin në tërësinë e kompozimeve, guxon të kapërcejë barrierat e standardeve stilistike në ansamblin e kompozimeve. Një qytetar i vërtetë i botës, lindi në Rusi më 17 qershor, u strehua në Zvicër gjatë Luftës së Parë Botërore, më pas kaloi në Francë ku mori nënshtetësinë dhe ku miqësohet me një pjesë të mirë të inteligjencës avangardë, kryesisht miqësia e sinqertë me Pikason, apo marrëdhënia me Coco Chanel. Më vonë, u largua për në Shtetet e Bashkuara, ku gjithashtu mori nënshtetësinë.

Rritur në një familje muzikantësh, me babain këngëtar dhe nënën pianiste, që në fëmijëri Stravinski u prek nga mungesa e mjaftueshme e dashurisë së prindërve dhe këmbëngulja e tyre për të mos e bërë muzikën profesionin e tij. Për pasojë, ndoqi kurse juridike në universitetin e Shën Petërburgut në vitin 1901, së bashku me leksione harmonie dhe kontrapunkti. Kur i vdiq i ati, hoqi gradualisht dorë nga ligji për t’iu përkushtuar muzikës. Takimi me Rimsky-Korsakov ishte vendimtar, ai u bë mësuesi i muzikës, duke i mësuar kryesisht orkestrimet dhe format klasike.

Në thelb, fillimi i karrierës së Stravinskit lidhej me takimin me Diaghilev, ku kompozoi muzikën për “Ballets Russes” të këtij të fundit, që u pasua me një sukses të madh dhe Stravinski u bë i famshëm. /Konica.al/Mirëpo, kompozimet e tij, nisur nga aspekti provokues, pasi nuk respektojnë rregullat, shkaktuan edhe pakënaqësinë e disave, veçanërisht “Riti i Pranverës” shkaktoi skandal.

Karriera dhe puna e kompozitorit mund të klasifikohet në disa stade. Fillimisht i frymëzuar nga folklori rus, më pas iu kthye një stili më të zhveshur, para se të kthehej në forma më klasike. Shpeshherë, kompozitori e përshkruante Nikolai Rimsky-Korsakov, si babanë e tij të dytë. 29 maji 1913 konsiderohet të jetë pika fillestare e epokës moderne në art, pasi kjo qe edhe dita e shfaqjes së parë të “Riti i pranverës”, prodhuar nga kompania “Ballets Russes” e Diaghilev në Paris./Konica.al/Karriera muzikore e Stravinskit tradicionalisht ndahet në tri faza. Zakonisht dekadat e para referohen si periudha ruse, ndërsa kompozitori studioi folklorin rus dhe eksperimentoi me format e tij. Baletet e para u pasuan nga “Les noces”, “Renard”, opera “Mavra” etj.

Më pas, Stravinski i kushtoi disa dekada neoklasicizmit, duke e hapur këtë fazë të karrierës me “Pulcinella”, që u vu në skenë po nga kompania e Diaghilev. Kryeveprat e kësaj periudhe përfshijnë baletet “Apollo”, “Le baiser de la fée”, “Simfoni në tre lëvizje”“Orfeu”, “Agon”, operat “Oedipus rex”, “The Rake Progress” dhe melodrama muzikore “Persephone”. Periudha e mëvonshme zakonisht quhet si serial ose dodekafonik dhe përfshin “Threni” dhe “A Sermon, a narrative and a prayer”, bazuar në tekste dhe motive biblike, dramën muzikore “The Flood” dhe pjesë orkestrale “Variations: Aldous Huxley in memoriam”. 

Stravinski ishte një nga kompozitorët më pjellorë, krijimtaria e tij përfshin mbi 7,500 faqe me partitura muzikore. Ai mund të punonte për 18 orë në ditë dhe dita standarde e punës, edhe në moshë të shkuar, ishte 10 orë. Njëlloj si prindrit, Stravinski ishte karizmatik për ata që e rrethonin, një bashkëbisedues tepër simpatik. Ai ishte shok, sidomos me anëtarët e “Les Six” (“Të gjashtët”): Klod Debusi, Marsel Prusti, Pablo Pikaso, Koko Shanel dhe Çarli Çaplin.

Fundi i “marrëdhënies së dashurisë” midis artistëve avangardë rusë dhe regjimit sovjetik, në fund të viteve 1920 i dha fund edhe karrierës së kompozitorit në BRSS. Vetëm gjatë zbutjes së Hrushovit, në 1962, për të festuar 80-vjetorin e kompozitorit, Stravinski u ftua të jepte koncerte në Moskë dhe Leningrad. Madje, gojëdhënat thonë se udhëheqësi sovjetik e ftoi të qëndronte në Rusi, por Stravinski u kthye në Nju Jork, ku vdiq në 6 prill 1971. Në respektim të testamentit, ai u varros në Veneciee.

Milan Kundera, në lidhje me ndryshimet e kompozimeve, shprehet se Stravinski ishte një i internuar, i privuar nga vendlindja nga Revolucioni Bolshevik, zgjodhi të rrënjoset në muzikën e të gjithë muzikantëve, për të filluar me ta, “sipas mënyrës së tyre”, një dialog nepsqar, të cilin nuk e ndali deri në frymën e fundit. Mirëpo, Stravinski ishte edhe një eksperimentues, që kërkonte kuintesencën, aleancat origjinale të tingujve, ritualin, madje edhe të shenjtën. /Konica.al / KultPlus.com

Përkujtohet “Mjeshtri i Madh”, kompozitori i njohur Ferdinand Deda

Përkujtohet sot ditëlindja e artistit Ferdinand Deda. Ai lindi në qytetin e vogël të Peqinit më 5 shkurt të vitit 1941. Studioi pranë liceut artistik “Jordan Misja” në Tiranë dhe i përfundoi ato më 1959.

Menjëherë pas përfundimit të liceut u emërua mësues muzike në qytetin e Gjirokastrës. Pak kohë më pas, Deda filloi Konservatorin Nacional të Pragës në ish-Çekosllovaki, sot Çeki, por për shkak të prishjes së marrëdhënieve më ish-Bashkimin Sovjetik, ai vazhdoi studimet në “Akademinë e Arteve të Bukura” në degën e dirigjimit.

Në vitin 1991-1992 ai specializohet për dirigjim dhe kompozicion në Itali.

Që nga viti i diplomimit dhe derisa u tërhoq nga skena, artisti realizoi mbi 300 koncerte të rëndësishme, ku jo vetëm si dirigjent, por punoi dhe krijoi gjithashtu edhe si kompozitor.

Ferdinand Deda ka dirigjuar koncerte të rëndësishme në skenën kombëtare, por edhe në atë ndërkombëtare ku shpesh herë është vlerësuar shumë me çmime të rëndësishme dhe medalje të festivaleve dhe performancave në aktivitete të ndryshme.

Ai gjithashtu njihej për publikun shqiptar edhe si një nga kompozitorët më të rëndësishëm të “Festivalit të Këngës në RTSH”, festivalin e këngëve të stinës “Kur vjen Pranvera” dhe këngët e tij vazhdojnë të këndohen edhe sot jo vetëm nga këngëtarët por edhe nga artëdashësit e muzikës.

Madje ai është edhe themelues i “Festivalit të Pranverës”, në RTSH.

Deda gjithashtu ka dhënë kontributin e tij të madh edhe në kinematografinë shqiptare si kompozitor i shumë filmave. Më vitin 1997 u shpall fitues i “Diskut të Artë”, ndërsa ka mbajtur titujt si “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”.

Artisti Ferdinand Deda u nda nga jeta më 22 gusht të vitit 2003 nga një sëmundje e pashërueshme. /atsh/ KultPlus.com

“Tirana në muzikën e Aleksandër Peçit”, promovohen dy CD-të e kompozitorit

Në kuadër të 100 vjetorit të Tiranës kompozitori Aleksandër Peçi ka publikuar dy CD me punët e tij më të fundit, inspirimi për të cilat është kryeqyteti.

“Tirana në muzikën e Aleksander Peçi” është ky projekti që do të gjallërojë muzikën e Aleksandër Peçit. Dy volume që do të risjellin xhevahiret e Tiranës që gjithmonë ka tërhequr kërshërinë time”, shkruan kompozitori. Një kërshëri e nxitur nga atmosfera festive, gjallëria e ritmeve, ndjeshmëria dhe origjinaliteti.

“Për atë virtuozitet instrumental të jashtëzakonshëm, për atë ornamentike të mrekullueshme te pipzat e Tironës, për zylet e famshme që kur themi zylet nënkuptojmë adrenalinë, kur themi adrenalinë, nënkuptojmë zylet etj”, shprehet për muzikën tradicionale të Tiranës, kompozitori.

Aleksandër Peçi ka lindur në Tiranë më 11 korrik 1951. Kreu studimet për kompozicion në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë më 1974 më pas filloi punë si kompozitor në Estradën e Shtetit (1977–1979), nga 1979-1986 ai ishte drejtor artistik i Ansamblit Kombëtar të Këngët dhe Valleve Popullore. Që nga viti 1986 ai është kompozitor me kohë të plotë. Gjithashtu Peçi është Pedagog dhe që nga viti 1992 jep mësim në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë.

Peçi ka kompozuar në të gjitha format e gjinitë e muzikës: këngë, muzikë dhome, simfonike, skenike (si baleti “Kecat dhe ujku”, opera “Oirat”), muzikë filmash e deri tek muzika elektroakustike.

Aleksandër Peçit në vitin 1989 iu dha titulli “Artist i Merituar”. Peçi ka krijuar muzikë për filma të njohur si: “Dasma e Sakos”, “Kur xhirohej një film”, Në shtëpinë tonë”, “Monumenti”, “Gjeneral gramafoni”, Në çdo stinë”, “Fillim i vështirë”, “Tokë e përgjakur”. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Kompozitor i hiteve të Elvis Presley, Mac Davis vdes në moshën 78 vjeçare

Mac Davis, i cili shkroi disa nga hitet më të mëdha të Elvis Presley, si dhe gjeti suksesin e tij në listën e muzikës amerikan, ka vdekur në moshën 78 vjeçare, shkruan The Guardian, përcjell KultPlus.

Ai kishte pësuar komplikime pas një operacioni në zemër. Menaxheri i tij Jim Morey njoftoj vdekjen e tij, duke thënë se Dejvis ishte i rrethuar nga gruaja dhe tre djemtë e tij:

“Ai ishte një legjendë e muzikës, por puna e tij më e rëndësishme ishte ajo si një burrë, baba, gjysh dhe mik i dashur”.

 I lindur dhe rritur në Lubbock, Texas, në 1942, Davis u vendos në Atlanta, Georgia, si një i ri dhe filloi të punonte si kompozitor i nënshkruar në Nancy Sinatra’s Boots Enterprises.

Sukseset e tij më të mëdha ishin këngët për Elvis Presley në fund të viteve 1960, pas viteve të tij të rock’n’roll-it në vitet ’50.

Sukseset e tjera të Davis për tekstet e shkruara për Elvis Presley përfshinin “Memories and Don’t Cry Daddy”, kjo e fundit një tjetër hit amerikan në Top 10. Davis u bë një artist interpretues në të drejtën e tij, duke nënshkruar me Columbia Records në 1970 dhe duke shënuar një hit dy vjet më vonë me baladën “Baby Don’t Get Hooked on Me” që qëndroj tre javë në krye të top listave të SHBA-së.

“Stop dhe Smell the Roses” ishte një tjetër hit i SHBA-së në Top 10 në 1974, dhe ai gjithashtu gjeti sukses me “One Hell of a Woman” dhe “Rock’n’Roll”.

Ai ndaloj së realizuari muzikën e tij në mes të viteve ’80, por vazhdoi si një tekstshkrues, duke punuar me artistë përfshirë yllin e EDM Avicii dhe alt-rokerët Ëeezer.

Davis gjithashtu kishte një karrierë të vogël në aktrim, duke marrë kryesimin në filmin komik të vitit 1981, “Cheaper to Keep Her” dhe vazhdimin e vitit 1983 të “The Sting”. Prezantoj “The Muppet Shoë” në 1980, kishte shfaqjen e tij të larmishme TV në mes të viteve 1970 në NBC, dhe më vonë kishte një rol të zërit të ftuar në serialin e animuar “King of the Hill”. Ai u martua me Lise Gerard në 1982, pas dy martesave të mëparshme./KultPlus.com

Vepra “Dies Lunae” e kompozitorit Memli Kelmendit me premierë botërore në Londër

Një nga emrat më aktiv në muzikën korale në Kosovë, kompozitori dhe dirigjenti Memli Kelmendi ka një opus të pasur sa i përket kompozimeve të veprave, shumë prej tyre janë luajtur në vende të ndryshme të botës, e të tjera po presin që shumë shpejt të dëgjohen në skena të mëdha, shkruan KultPlus.

Vepra “Dies Lunae” për piano, e selektuar në konkursin “7 Notes in 7 Days at 7pm” do të interpretohet të hënën si premierë botërore nga pianistja e njohur Maria Marchant (Award-winning concert pianist). Vepra do të interpretohet në Blüthner Piano Centre, Londër më 17 Gusht në ora 19:00.

Maria Marchant është pianiste e vlerësuar lartë nga BBC, A BBC Music Magazine Rising Star, ‘In Tune’ and ‘Record Revieë’, WMNR Radio, Classic FM dhe kritikë të shumtë të muzikës si; Roderick Williams, OBE, Graham Rickson, Arts Desk, Nick Barnard, Music Web-International etj.

Maria Marchant ka interpretuar në vendet më të njohura të vendit dhe jasht saj  duke u bërë kështu fituese e shumë garave për piano. Ajo gjithashtu fitoi Medaljen e Artë dhe Prmimin e Parë në Konkurrencën Ndërkombëtare Hindemith, Berlin, dhe u zgjodh si artiste në skemat Concordia, Tillett Trust dhe Park Lane Group që rezultuan në paraqitjet Wigmore dhe Southbank.

Pikërisht kjo pianiste, tashmë do të luaj një ndër veprat e kompozitorit shqiptar, i cili teksa ka ndarë lajmin me ndjekësit e tij në Facebook, është shprehur tejet i lumtur për këtë fakt.  / KultPlus.com

Kompozitori: Artistët në kushte mizerable, politikanët gdhihen miliarderë, pa punuar një ditë!

Kompozitori Enver Shëngjergji rrëfen angazhimin e tij në muzikën e lehtë shqiptare. Artisti ndalet dhe tek problematikat, që shqetësojnë sot muzikantët shqiptarë.

Pasioni dhe dëshira e tij për të qenë pranë publikut na bën të mendojmë, se Enver Shëngjergji ndonëse ka më shumë se 40 vjet krijimtari në muzikën e lehtë shqiptare, nuk është shkëputur asnjëherë prej saj. Për “ReportTV” artisti u rikthehet bashkëpunimeve të para, me këngëtarët Naim Kërçuku, Bashkim Alibali, Marjana Leka apo Alida Hisku, të cilët u kanë dhënë zë këngëve të tij.

 “Nuk është se unë isha i vetmi i talentuar, por ishte edhe fati. Mua fati më bëri që të godasë me këngën e parë, që e ka kënduar Naim Kërçuku “Udhëtuam së bashku”. Ishte koha e aksioneve, kur rinia jetonte, punonte, por dhe dashuronte, prandaj dhe kënga gjeti mëshirim tek brezi i ri”, rrëfen Enver Shëngjergji.

Gjatë dy muajve të pandemisë COVID 19, artisti u rikthye me disa koncerte live në rrjete sociale, me këngët “Vajzat e fshatit tim”, “Mbrëmja e fundit” edhe shumë këngë të tjera, ku mes tyre veçon “Ninullën”, e cila është bërë për të gjitha nënat shqiptare.

 “Periudha e pandemisë më mbushi një boshllëk, që mos ta ndieja veten të vetmuar unë kam bërë disa koncerte. Ndonëse, të gjithë thonë që nënës i dhimbsen të gjithë fëmijët njësoj, por unë mbi ‘Ninullën’ nuk vë asnjë”, shprehet kompozitori.

Shëngjergji na rrëfen edhe atë çka ndodhi me krijimtarinë muzikore, pas viteve ’90

“Të mohosh të renë është nihilizëm, edhe unë këtë se bëj, por ka një gjë, se një e re që lind nëse nuk ka një taban, nuk i reziston kohës, është pa vlerë. Sikundër edhe një popull që nuk njeh prejardhjen e tij, s’mund të quhet shqiptar”, thotë Shëngjergji.

Një tjetër, problematikë e madhe për artistin është edhe mosnjohja e të drejtës së autorit, që për 30 vjet u është mohuar artistëve.

“E drejta e autorit?! Ka disa media që nuk paguajnë, krijimtaria jonë merret, ekzekutohet edhe ne nuk kemi asnjë qindarkë. Unë nuk pres që të marrë këtë, të më rrojnë fëmijët që më kanë ushqyer edhe më kanë paguar ilaçet. Por nuk është e drejtë që një brez si yni të vuaj. Unë thashë, që për vete nuk vuaj, por ka artistë që vuajnë për bukën e gojës. Qeveritarët kanë 30 vjet që vjedhin, çfarë nuk bëjnë, por për këtë të drejtë nuk kanë bërë asnjë gramë, me përjashtim të Albautor, që prej dy vitesh kanë nisur të na japin nga një thërrmijë”, përfundon Shëngjergji. 

Kompozitori përfundon se artistët e rinj nuk duhet të harrojnë gjuhën dhe identitetin shqiptar, të cilat më së miri gjenden në folklorin tonë, ndryshe ata do mbeten vetëm flluska sapuni të përkohshme. / KultPlus.com

342 vjet nga lindja e Antonio Vivaldit, kompozitori i perlave të muzikës klasike

Antonio Lucio Vivaldi lindi më 4 mars 1678 në Venecia, Itali. Mësoi violinën nga babai i tij Xhovani Batista (Giovanni Battista) që punonte si berber. Pas një periudhe mësimi, at e bir bënë një turne rreth Venecias. Vivaldi kishte një problem shëndetësor, të cilin e quante ngushtim të kraharorit. Bëhej fjalë për astmë që me gjithë shqetësimet në frymëmarrje nuk e pengoi të mësonte të luante në violinë, të kompozonte dhe të merrte pjesë në aktivitete muzikore. Në moshën 14 vjeçare, nisi të studionte në një shkollë biblike. Në vitin 1703, përfundoi studimet dhe u emërua prift, me emrin fetar “Prifti i Kuq,” për shkak të ngjyrës së flokëve.

Më 1704, për shkak të shëndetit të tij, Vivaldi nuk mundi të drejtojë meshën e Ujit të Shenjtë dhe dy vjet më vonë, u bë profesor violine në Jetimoren për vajza, Pio Spitali i Mëshirës, në Venecia. Në jetimore ai kishte shumë përgjegjësi për detyra të ndryshme. Shume shpejt, pasi ishte bërë mësues, jetimët patën sukses edhe jashtë shtetit. Vivaldi ka shkruar për ta shumicën e simfonive, kantatave dhe muzikave kishtare. Në 1705 u publikua përmbledhja e parë me punët e tij, e titulluar “Raccolta”. Në 1707 u njoh me Ana Xhiraudin (Anna Giraud), të cilën e konsideronte si muza frymëzimi. Në vitin 1713, Vivaldi u bë përgjegjës për aktivitetet muzikore të institutit.

Vivaldi u emërua ‘maestro de’ concerti’ në vitin 1716. Gjatë këtyre viteve, ai shkroi pjesën më të madhe të veprave muzikore, ku përfshihen disa opereta dhe koncerte (vepra muzikore për violinë). Gjatë viteve 1723 – 1729, Vivaldi kishte kompozuar 140 koncerte. Një fakt i rëndësishëm është rizbulimi i pjesës më të madhe të repertorit të tij, në fillim të shekullit XX, në Torino dhe Gjenovë. Muzika e Vivaldit është inovatore, pasi ka thyer traditën në mënyrën e të kompozuarit. Ai përmirësoi strukturën e koncerteve, ku kërkonte kontraste harmonike, duke krijuar melodi dhe skema të reja interpretimi. Vivaldi ishte në gjendje të kompozonte dhe muzikë jo-akademike, e cila pëlqehej nga pjesa më e madhe e publikut. Ky popullaritet e bëri të njohur edhe në shtete si Franca gjatë asaj periudhe e njohur si liberale ne shijet muzikore.

Vivaldi njihet si një prej artistëve që solli muzikën Baroke. BAHU, u ndikua jashtë mase prej muzikës së Vivaldit. Bahu transkriptoi një sërë koncertesh për piano dhe një sërë pjesësh muzikore për orkestër ku përfshihet ‘Koncerti i Famshëm për Katër Violina dhe Violinçelë’. Megjithatë, jo të gjithë muzikantët shfaqën të njëjtin mendim kundrejt Vivaldit.

Edhe pse kishte statusin fetar, Vivaldi mund të ketë pasur lidhje dashurie, njëra prej të cilave mendohet të ketë qenë me këngëtaren operistike veneciane Ana Xhiraud (Anna Giraud), më të cilën ai do të punonte materiale prej operës së vjetër veneciane, duke ia përshtati vokalit të këngëtares. Sidoqoftë, nuk gjenden fakte konkrete që mund të vërtetojë ndonjë lidhje romantike të Vivaldit. Jeta e tij, si dhe e shumë kompozitorëve të tjerë të asaj periudhe, ishte e zhytur në varfëri. Për të siguruar të ardhurat, për tu shpërngulur në Vjenë, Vivaldi u detyrua të shiste një pjesë të madhe të veprave të tij. Arsyet e largimit të tij prej Venecias nuk janë shumë të qarta, por mendohet se dëshironte të takonte Karlin e VI-të, i cili i adhuronte kompozimet e tij. Në vitin 1727, Vivaldi i kushtoi Karlit të VI-të, veprën muzikore ‘La Cetra’ e cila i siguroi Vivaldit postin “kompozitor mbretëror”.

Pak pas mbërritjes së Vivaldit në Vjenë, Karli vdiq. Kjo humbje tragjike e la kompozitorin pa mbrojtje mbretërore. Vivaldi u detyrua të shiste më shumë dorëshkrime të veprave të tij muzikore dhe në vitin 1741 ai u nda nga jeta. Vivaldi u varros në një varr të thjeshtë, vendndodhja e të cilit është në Kishën e Karlit në Vjenë. Pas vdekjes së tij veprat e Vivaldit mbetën në errësirë deri në fillim te shekullit XX. Shtëpia ku Vivaldi jetoi në Vjenë është shembur, sidoqoftë për Vivaldin janë vendosur plakatë përkujtimore në Miljen e Muzikës Vjeneze si dhe në Sheshin Ruzvelt (Roosevelt Square).

Vivaldi është pa dyshim një nga kompozitorët më të mëdhenj italianë dhe në kurrikulumin e tij rezultojnë mbi 500 koncerte (210 prej të cilave ishin për violinë ose violonçel) 46 opera, sinfoni, 73 sonata, muzikë dhome ( disa sonata për fyell) si dhe Muzikë të Shenjtë. Vepra e tij më e famshme është “Katër Stinët”, kompozuar në vitin 1723. Në thelb, ajo ishte si një poemë për natyrën, ku ai u mundua të realizonte tingujt e katër stinevë. Pranvera është një pjesë, që shpesh përdoret për ceremoni të rëndësishme dhe vazhdon të konsiderohet një nga perlat e muzikës klasike. / KultPlus.com

94 vjet nga lindja e kompozitorit të njohur Tish Daija

Tish Daija lindi më 30 janar 1926 në Shkodër, në një familje të thjeshtë. Pa mbushur moshën shkollore, bëhet pjesëtar i “Korit Françeskan”, ku nën drejtimin e P. Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut merr mësimet e para muzikore bashkë me Tonin Harapin, Çesk Zadejën, Lukë Kacajn, Simon Gjonin, përcjellë KultPlus.

Në moshën 10 vjeçare bëhet instrumentist i bandës muzikore “Antoniane” që drejtohej nga Prenk Jakova.

Krijimtarinë muzikore e filloi nën tingujt e fizarmonikës. Kompozimet e para janë këngët “Çik, o mori çikë”, “Ndal, bre vash”, “Me lule të bukura”, “Bjeri Gajdes Gajdexhi” etj.

Shkollën e mesme e kreu në vitin 1947 në qytetin e lindjes. Më 1956, Tish Daija kreu studimet në konservatorin “Çajkovski” të Moskës. Gjithashtu, Tish Daija ka dhënë një kontribut themelor në krijimin dhe zhvillimin e muzikës instrumentalo-simfonike, muzikës së dhomës dhe për krijimin e një tradite të çmuar shqiptare të muzikës klasike. Së bashku me Çesk Zadejën e Tonin Harapin krijuan klasën e kompozicionit në Konservatorin Shtetëror të Tiranës, ku ka dhënë kontributin e tij si pedagog në formimin e disa brezave kompozitorësh, muzikologësh e instrumentistësh.

Mbas studimeve emërohet në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Tish Daija ka qenë udhëheqësi artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore për 18 vjet (1962-1980). Autor i shumë veprave të mëdha muzikore si, opereta “Lejlaja”, opera “Pranvera”, baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria”, “Bijtë e Peshkatarit” etj.

Ndërroi jetë në moshën 78 vjeçare në 3 tetor 2003. / KultPlus.com

Kompozitori nga Prishtina u dedikon instrumental viktimave në Shqipëri (VIDEO)

Një instrumental rrëqethës ju është dedikuar viktimave të tërmetit në Shqipëri nga kompozitori Blond Krasniqi.

24 vjeçari, përmes kësaj melodie shpreh gjithë dhimbjen e tij shpirtërore për këtë fatkeqësi që e ka përthekuar shtetin shqiptar.

“Shqiperi toka fort si djep te përkundi, por dashurinë tonë ndaj jush dot nuk e lëkundi”. Një melodi nga unë, nga dhembja e madhe per tragjedinë ne Shqipëri”, ka shkruar ai në Facebook.

Krasniqi është kompozitor i ri, veprat e të cilit kanë qenë pjesë e shumë festivaleve e koncerteve.

Në vitin 2018, ai është shpërblyer me çmimin vjetor të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS), për kategorinë e veprave solistike dhe duo për vitin 2017. / KultPlus.com