Me një forcë të jashtëzakonshme, gratë rrëfyen për ballafaqimin me kancerin e gjirit

Suada Qorraj

“Vajza e vogël nuk e kuptonte se pse nëna ishte pa flokë, ajo ikte sa herë më shihte mua tullac”, tregonte Lindita Rugova me lot në sy e me zërin që i dridhej teksa rrëfente përvojën e saj me kancerin e gjirit. Tregimi i saj përloti gjithsecilin, madje edhe bashkëfolësen e saj, Nafie Latifin, që ndonëse kishte fituar të njëjtën betejë, emocionet si ndalte dot.

Ambienti ku përherë kishte mirëpritur figura e rrëfime që përçonin emocione, mbrëmë kishte marrë hijen e forcës e kurajos, ngase përballë publikut kishte dy gra, beteja e të cilave sot është sinonim i luftimit të kancerit të gjirit, shkruan KultPlus.

Edhe pse e shtyrë në moshë, Nafie Latifi kishte mbledhur forcat që të jetësonte edhe një herë rrugëtimin e betejën e saj me kancerin e gjirit. Ishte viti 2004 atëherë kur 24 orët e saj që i kushtoheshin dashurisë së madhe që kishte për profesioni, morën një kahje tjetër.

“Unë jam ataku me këtë sëmundje në vitin 2004, në kohën kur isha në kulmin e karrierës time. Editore e një reviste dhe me punë për rrogë te një revistë tjetër, realisht një punë 24 orëshe me shumë pasion. Nuk i kam kushtuar shume rëndësi shëndetit, s’ju kam vu veshin problemeve që i kam pasur dhe përnjëherë kam vërejtur një ndryshim në gjirin tim. Ka qenë një shok, ka qenë tmerr”, filloi kështu rrëfimin e saj Latifi.

Nafie Latifi tregoi se si për diagnozën e sëmundjen e saj lajmi u kumtohej të tjerëve, përpara se të arrinte tek ajo.

“Për diagnostifikim ka qenë aq vështirë sa është dashtë me shku prej një klinike në klinikën tjetër private dhe ende pa dalë nga aty, pa i marrë diagnozat e sakta, është marr vesh që Nafia ka kancer. Por, për mua nuk ishte me rëndësi sepse doja vetëm të gjeja një zgjidhje”, tha ajo.

Për Nafien trajtimi i sëmundjes vazhdoi rrugëtimin jashtë kufijve të Kosovës, e me një mbështetje të pakufizuar të familjes. Por, ishte pikërisht mbështetja, forca e kushtet që shtynë atë që të themelonte një shoqatë, qëllimi i së cilës ishte të ndihmonte gratë në luftimin por edhe marrjen e njohurive për kancerin e gjirit.

“Kur u ktheva në Kosovë pas trajtimit të sëmundjes mendova se çka bëjnë të tjerat që nuk e kanë përkrahjen e familjes dhe mjetet financiare të cilat unë i kisha dhe i pagova për jetën time. Prandaj konstatova se hapja e një shoqata është mënyra më e volitshme për të bërë diçka kundrejt kësaj çështje, dhe kështu në vitin 2008 pas përfundimit të proceseve administrative shoqata u hap”, vazhdoi tutje Latifi.

Ajo tregoi tutje se aktiviteti i parë i kësaj shoqate ishte bërë për ditën e gruas, më 8 Mars, festë të cilën ajo e ka menduar çdo herë si diskriminim total. Sipas saj aktiviteti i parë u shënua me shpërndarjen e fletëpalosjeve dhe nënshkrimin e një peticioni që më pas ju dorëzua ministrit të shëndetësisë të asaj kohe.

Ndonëse ishte një rrugë mjaft e gjatë edhe e mundimshme, kërkesat që shoqata e Nafie Latifit kishte bërë, disa prej tyre tashmë janë realizuar, pasi që nga viti 2008 e deri më sot instituti onkologjik dhe autoambulanca mobile e mamografisë tashmë janë funksionalizuar.

Dekanja e Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova, ishte vetëm 36 vjeçe kur u diagnostifikua me kancerin e gjirit. Ajo rrëfente se si mjeku përpiqej të gjente një lidhje gjenetike të kësaj sëmundje, ngase për të ishte e pakuptimit, një grua si Lindita Rugova, që deri atëherë kishte gëzuar një shëndet të plotë, të prekej nga kjo sëmundje.

Ishte dhjetori i vitit 2011 kur Lindita u ballafaqua me këtë sëmundje, dhe pikërisht koha kur ajo ishte e ngarkuar me punët dhe përgjegjësitë e saja në fakultet.

“Në dhjetor bëhen 9 vite, më 15 dhjetor u diagnostifikova kurse më 9 dhjetor preka gjëndrën me duart e mija. Isha në trajnim së bashku me kolege dhe rastësisht preka një gjëndrën në gjirin tim të majtë. Kështu që brenda një jave caktova termin te mjeku”, tregonte ajo.

Për Rugovën s’kishte kaluar një kohë e gjatë prej se kishte lindur vajzën e saj të vogël dhe ishte pikërisht ditëlindja e nënës së saj, koha kur ajo u operua.

“Unë isha vetëm 36 vjeçe dhe sapo kisha lindur vajzën prandaj dhe mendoja se isha shumë e re për kontrolle të tilla. Por, ja që ndodhi, brenda ditës më bënë mamografinë dhe aty u binda që unë isha e sëmurë sepse deri në atë kohë më mbante shpresa. Katër ditë më pas e caktuam operacionin dhe më 20 dhjetor, në ditëlindjen e nënës sime u operova dhe ma hoqën gjirin e majtë”, deklaroi Lindita Rugova.

Dekania e Fakultetit Filologjik tregoi se përgjatë kohës sa ishte e sëmurë nuk e kishte ndalur asnjëherë punën dhe përkushtimin që kishte ndaj saj.

Ndonëse rrëfimin e filloi me një forcë të jashtëzakonshme, lotët e përshkuan fytyrën e saj kur filloi të rrëfente për kohën kur ajo humbi flokët e saja, me të cilat çdo herë ishte krenuar shumë.

“Pasi fillova të merrja kimioterapinë unë i hoqa flokët sepse filluan të më binin. E vetmja gjë që më dhimbsen kanë qenë flokët sepse krenohesha me to shumë. Më pas kam përjetuar një periudhë dramatike sepse vajza ime e vogël nuk e kuptonte se pse nëna ishte pa flokë, ajo ikte sa herë më shihte mua tullac”, me zërin që i dridhej vazhdoi rrëfimin e saj Rugova.

Ajo tregon se nënës së saj i kishte treguar dy muaj pasi kishte mësuar për sëmundjen e saj. Por, për të kishte qenë e nevojshme që këtë ta ndante me vjehrrën dhe djalin e saj, asokohe njëmbëdhjetë vjeçar.

Lindita Rugova tha se nuk po qante nga mërzia, por sepse në raste të tilla është mirë të qahet, e të nxjerrësh jashtë atë që ke brenda.

“Nuk do të doja, nuk po qaj nga mërzia, po qaj për arsye se dua t’ju them edhe grave të tjera se në momente të tilla është mirë të qahet, është mirë ta nxirrni jashtë atë që e keni brenda, mos e mbani, mos e mërzisni veten sepse i bëni vetes keq më shumë”, tha ajo.

Për Rugovën dhjetori i 2011 nuk do ishte hera e parë që do hynte në një sallë operacioni. Dy vite pas, ajo gjendej prapë dyerve të spitalit, ngase rrezikonte një rikthim të mundshëm tumori. Por, pas kësaj periudhe jeta për Linditën filloi ti kthehej normalitetit të mëparshëm.

Rugova tregon edhe për kohën kur ajo duhej të shkonte në spital dhe të merrte kimioterapinë. Sipas saj tre orët që kalonte brenda atyre mureve i mjaftonin që të njoftohej me historitë e grave të tjera, të merrnin forcë nga njëra tjetra e ti ndihmonin njëra tjetrës.

E pikërisht për këto mure të spitalit, vendit ku mjekët trajtonin pacientët e sëmurë me kancerin e gjirit, Nafie Latifi thotë se puna ndonëse e thjeshtë dhe ndonjëherë edhe pa mjetet e duhura është bërë me zemër.

“Unë nuk e di se a janë të vetëdijshëm mjekët për rrezikun, fillimisht kur është hapur instituti ata nuk kanë pasur komora mbrojtëse për tretjen e ilaçit, ilaçe këto që sulmojnë edhe qelizat e thjeshta. Mjekët kanë punuar thjeshtë me maska e doreza, por kanë punuar me zemër”, pohoi Latifi.

Krejt në fund ajo shtoi se këtë vit nuk do të mbahet ecja në sheshin e Prishtinës, por këtë herë do të bëhet vendosja e shiritave rozë në 90 pemët që gjenden aty.

“Viteve tjera kemi pas ecjen, sivjet nuk do ta mbajmë për shkak të situatës, por do ta bëjmë një aktivitet tjetër simbolik. I kemi siguruar disa shalle dhe do t’i vendosim në të gjithë bulevardin e Prishtinës dhe t’i thërrasim njerëzit përgjegjës që ta zgjedhin drurin e tyre dhe ta lënë premtimin aty”, përfundoi kështu tregimin e saj Nafie Latifi. / KultPlus.com

Rrëfime personale nga gratë, sonte në KultPlus Caffe Gallery

Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit dhe ne kuadër të këtij muaji të rëndësishëm për shëndetin e grave, KultPlus sjell tri gra të guximshme, të cilat do të tregojnë përvojën e tyre dhe ballafaqimin me këtë sëmundje, por që janë shembull i gruas së fuqishme. Ju presim që të jeni pjesë e kësaj mbrëmje vetëdijësuese.

Mbrëmja do të mbahet në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, në ora 19:00, për shkak të Covid 19, kërkojmë nga të pranishmit të respektohen masat e pandemisë.

Kjo mbrëmje mbështetet nga Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com