Dekania Lindita Rugova: Sa herë flas për sëmundjen në medie, shpresoj që prindërit e mi mos ta shohin

Shkruan: Lindita Rugova

Një mike imja insistoi një ditë të mos dal e të mos flas për sëmundjen në publik sepse sipas saj, të tjerët i ndihmoj, ndoshta edhe i mërziti, por vetës nuk i bëj mirë. Sipas saj, çdo përkujtim më kthen te sëmundja dhe ma preokupon kokën me të.

Është e vërtetë kjo punë deri diku! Sa herë që dal, shpresoj shumë prindërit mos me më pa.

-Hiq mos shkruaj e as mos dil në TV se vetën po e sëmur më shumë e as ne nuk po mundemi me të pa keq!

Ajo më don shumë dhe ka frikë për mua, e kuptoj!

Por, këtë akull e kam thyer kaherë, diku para 11 vjetësh, kur në KS nuk është folur hapur për këtë punë…

Unë nuk mundem ndryshe, miq të dashur, ky është brumi im, nuk mund të mos flas e t’i tregoj përvojat e mia. Kjo po më ndihmon me e nxjerrë jashtë atë dufin tim, por edhe për faktin se kur unë e bëj këtë, nja 50 mesazhe në FB më vijnë nga gra të ndryshme e të panjohura, që më falënderojnë që po i nxis edhe ato me mendu ndryshe për sëmundjen, dhe që po u ndihmoj me i paralajmëru çfarë i pret.

Nuk e kisha ditur sa impakt paskam në shoqëri!

Pak për shkak të Linditës e pak edhe për faktin që e kam pasur guximin të dal e të flas haptazi deri në 30 min publikisht në TV për çdo detaj të ballafaqimit tim me kancer të gjirit, kur në Kosovë ishte ende tabu. Kam folur për heqjen e gjirit si tregues i feminitetit dhe për rënien e flokëve të bukura që dikur ishin krenari imja, duke i trajtuar si veprime të lehta dhe pa pasoja emocionale për femrën derisa të tjerët i mbanin të fshehta këto detaje. Dhe jam e lumtur që ua kam hapur rrugën shumë të tjerave pas meje që tash e kanë shumë më lehtë të shprehen për telashet e tyre.

Jam e lumtur që bashkëshorti im ka ndikuar me paraqitjet e tij publike në TV (emisione dhe spot vetëdijesues), me ju dhënë mesazh familjeve dhe partnerëve të grave të prekura që të jenë shtyllë e tyre në çdo kohë. Nuk ka qenë fare e lehtë për të dhe për ne si çift e familje ta bëjmë këtë, por e kemi bërë. Dhe jam shumë krenare për këtë gjë!

Ashtu siç jam përpjekur me ju tregu të gjithëve në punë se ne gratë dimë e ia dalim në çdo gjë për të mirën e kësaj shoqërie të brishtë, ashtu do të vazhdoj të luftoj për këtë kauzë me aq fuqi sa kam deri në momentin e fundit.

E ju miq të dashur, burra e gra, flisni hapur, shkruani për telashet që i keni e mos përtoni e shkoni e bëni së paku një echo (ultraze) në çdo 6 muaj dhe disa analiza të gjakut, për të cilat ju këshillon çdo mjek specialist që ju kontrollon. Kjo është më së paku që mund ta bëni per vetën. / KultPlus.com

Lindita Rugova dekorohet me titullin ‘Urdhëri i Yllit të Italisë’

Dekanja e Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova sapo është nderuar zyrtarisht nga Presidenti i Republikës së Italisë. Është nominuar nga Ambasada e Italisë dhe Instituti i Kulturës Italiane në Tiranë, përcjell KultPlus.

Ajo është shpërblyer me “Urdhëri i Yllit të Italisë”. Ndërkaq, ajo po ashtu është kosovarja e parë që merr këtë çmim të rëndësishëm.

Më poshtë sjellim postimin e saj të plotë:

E nderuar zyrtarisht nga Presidenti i Republikës së Italisë, propozuar nga Ambasada Italiane dhe Instituti i Kulturës Italiane në Tiranë: Urdhrëri i Yllit të Italisë (Urdhëri i kalorësisë).

Më shumë se e lumtur për këtë! Kosovarja i parë që ka marrë dekorim! / KultPlus.com

Me një forcë të jashtëzakonshme, gratë rrëfyen për ballafaqimin me kancerin e gjirit

Suada Qorraj

“Vajza e vogël nuk e kuptonte se pse nëna ishte pa flokë, ajo ikte sa herë më shihte mua tullac”, tregonte Lindita Rugova me lot në sy e me zërin që i dridhej teksa rrëfente përvojën e saj me kancerin e gjirit. Tregimi i saj përloti gjithsecilin, madje edhe bashkëfolësen e saj, Nafie Latifin, që ndonëse kishte fituar të njëjtën betejë, emocionet si ndalte dot.

Ambienti ku përherë kishte mirëpritur figura e rrëfime që përçonin emocione, mbrëmë kishte marrë hijen e forcës e kurajos, ngase përballë publikut kishte dy gra, beteja e të cilave sot është sinonim i luftimit të kancerit të gjirit, shkruan KultPlus.

Edhe pse e shtyrë në moshë, Nafie Latifi kishte mbledhur forcat që të jetësonte edhe një herë rrugëtimin e betejën e saj me kancerin e gjirit. Ishte viti 2004 atëherë kur 24 orët e saj që i kushtoheshin dashurisë së madhe që kishte për profesioni, morën një kahje tjetër.

“Unë jam ataku me këtë sëmundje në vitin 2004, në kohën kur isha në kulmin e karrierës time. Editore e një reviste dhe me punë për rrogë te një revistë tjetër, realisht një punë 24 orëshe me shumë pasion. Nuk i kam kushtuar shume rëndësi shëndetit, s’ju kam vu veshin problemeve që i kam pasur dhe përnjëherë kam vërejtur një ndryshim në gjirin tim. Ka qenë një shok, ka qenë tmerr”, filloi kështu rrëfimin e saj Latifi.

Nafie Latifi tregoi se si për diagnozën e sëmundjen e saj lajmi u kumtohej të tjerëve, përpara se të arrinte tek ajo.

“Për diagnostifikim ka qenë aq vështirë sa është dashtë me shku prej një klinike në klinikën tjetër private dhe ende pa dalë nga aty, pa i marrë diagnozat e sakta, është marr vesh që Nafia ka kancer. Por, për mua nuk ishte me rëndësi sepse doja vetëm të gjeja një zgjidhje”, tha ajo.

Për Nafien trajtimi i sëmundjes vazhdoi rrugëtimin jashtë kufijve të Kosovës, e me një mbështetje të pakufizuar të familjes. Por, ishte pikërisht mbështetja, forca e kushtet që shtynë atë që të themelonte një shoqatë, qëllimi i së cilës ishte të ndihmonte gratë në luftimin por edhe marrjen e njohurive për kancerin e gjirit.

“Kur u ktheva në Kosovë pas trajtimit të sëmundjes mendova se çka bëjnë të tjerat që nuk e kanë përkrahjen e familjes dhe mjetet financiare të cilat unë i kisha dhe i pagova për jetën time. Prandaj konstatova se hapja e një shoqata është mënyra më e volitshme për të bërë diçka kundrejt kësaj çështje, dhe kështu në vitin 2008 pas përfundimit të proceseve administrative shoqata u hap”, vazhdoi tutje Latifi.

Ajo tregoi tutje se aktiviteti i parë i kësaj shoqate ishte bërë për ditën e gruas, më 8 Mars, festë të cilën ajo e ka menduar çdo herë si diskriminim total. Sipas saj aktiviteti i parë u shënua me shpërndarjen e fletëpalosjeve dhe nënshkrimin e një peticioni që më pas ju dorëzua ministrit të shëndetësisë të asaj kohe.

Ndonëse ishte një rrugë mjaft e gjatë edhe e mundimshme, kërkesat që shoqata e Nafie Latifit kishte bërë, disa prej tyre tashmë janë realizuar, pasi që nga viti 2008 e deri më sot instituti onkologjik dhe autoambulanca mobile e mamografisë tashmë janë funksionalizuar.

Dekanja e Fakultetit Filologjik, Lindita Rugova, ishte vetëm 36 vjeçe kur u diagnostifikua me kancerin e gjirit. Ajo rrëfente se si mjeku përpiqej të gjente një lidhje gjenetike të kësaj sëmundje, ngase për të ishte e pakuptimit, një grua si Lindita Rugova, që deri atëherë kishte gëzuar një shëndet të plotë, të prekej nga kjo sëmundje.

Ishte dhjetori i vitit 2011 kur Lindita u ballafaqua me këtë sëmundje, dhe pikërisht koha kur ajo ishte e ngarkuar me punët dhe përgjegjësitë e saja në fakultet.

“Në dhjetor bëhen 9 vite, më 15 dhjetor u diagnostifikova kurse më 9 dhjetor preka gjëndrën me duart e mija. Isha në trajnim së bashku me kolege dhe rastësisht preka një gjëndrën në gjirin tim të majtë. Kështu që brenda një jave caktova termin te mjeku”, tregonte ajo.

Për Rugovën s’kishte kaluar një kohë e gjatë prej se kishte lindur vajzën e saj të vogël dhe ishte pikërisht ditëlindja e nënës së saj, koha kur ajo u operua.

“Unë isha vetëm 36 vjeçe dhe sapo kisha lindur vajzën prandaj dhe mendoja se isha shumë e re për kontrolle të tilla. Por, ja që ndodhi, brenda ditës më bënë mamografinë dhe aty u binda që unë isha e sëmurë sepse deri në atë kohë më mbante shpresa. Katër ditë më pas e caktuam operacionin dhe më 20 dhjetor, në ditëlindjen e nënës sime u operova dhe ma hoqën gjirin e majtë”, deklaroi Lindita Rugova.

Dekania e Fakultetit Filologjik tregoi se përgjatë kohës sa ishte e sëmurë nuk e kishte ndalur asnjëherë punën dhe përkushtimin që kishte ndaj saj.

Ndonëse rrëfimin e filloi me një forcë të jashtëzakonshme, lotët e përshkuan fytyrën e saj kur filloi të rrëfente për kohën kur ajo humbi flokët e saja, me të cilat çdo herë ishte krenuar shumë.

“Pasi fillova të merrja kimioterapinë unë i hoqa flokët sepse filluan të më binin. E vetmja gjë që më dhimbsen kanë qenë flokët sepse krenohesha me to shumë. Më pas kam përjetuar një periudhë dramatike sepse vajza ime e vogël nuk e kuptonte se pse nëna ishte pa flokë, ajo ikte sa herë më shihte mua tullac”, me zërin që i dridhej vazhdoi rrëfimin e saj Rugova.

Ajo tregon se nënës së saj i kishte treguar dy muaj pasi kishte mësuar për sëmundjen e saj. Por, për të kishte qenë e nevojshme që këtë ta ndante me vjehrrën dhe djalin e saj, asokohe njëmbëdhjetë vjeçar.

Lindita Rugova tha se nuk po qante nga mërzia, por sepse në raste të tilla është mirë të qahet, e të nxjerrësh jashtë atë që ke brenda.

“Nuk do të doja, nuk po qaj nga mërzia, po qaj për arsye se dua t’ju them edhe grave të tjera se në momente të tilla është mirë të qahet, është mirë ta nxirrni jashtë atë që e keni brenda, mos e mbani, mos e mërzisni veten sepse i bëni vetes keq më shumë”, tha ajo.

Për Rugovën dhjetori i 2011 nuk do ishte hera e parë që do hynte në një sallë operacioni. Dy vite pas, ajo gjendej prapë dyerve të spitalit, ngase rrezikonte një rikthim të mundshëm tumori. Por, pas kësaj periudhe jeta për Linditën filloi ti kthehej normalitetit të mëparshëm.

Rugova tregon edhe për kohën kur ajo duhej të shkonte në spital dhe të merrte kimioterapinë. Sipas saj tre orët që kalonte brenda atyre mureve i mjaftonin që të njoftohej me historitë e grave të tjera, të merrnin forcë nga njëra tjetra e ti ndihmonin njëra tjetrës.

E pikërisht për këto mure të spitalit, vendit ku mjekët trajtonin pacientët e sëmurë me kancerin e gjirit, Nafie Latifi thotë se puna ndonëse e thjeshtë dhe ndonjëherë edhe pa mjetet e duhura është bërë me zemër.

“Unë nuk e di se a janë të vetëdijshëm mjekët për rrezikun, fillimisht kur është hapur instituti ata nuk kanë pasur komora mbrojtëse për tretjen e ilaçit, ilaçe këto që sulmojnë edhe qelizat e thjeshta. Mjekët kanë punuar thjeshtë me maska e doreza, por kanë punuar me zemër”, pohoi Latifi.

Krejt në fund ajo shtoi se këtë vit nuk do të mbahet ecja në sheshin e Prishtinës, por këtë herë do të bëhet vendosja e shiritave rozë në 90 pemët që gjenden aty.

“Viteve tjera kemi pas ecjen, sivjet nuk do ta mbajmë për shkak të situatës, por do ta bëjmë një aktivitet tjetër simbolik. I kemi siguruar disa shalle dhe do t’i vendosim në të gjithë bulevardin e Prishtinës dhe t’i thërrasim njerëzit përgjegjës që ta zgjedhin drurin e tyre dhe ta lënë premtimin aty”, përfundoi kështu tregimin e saj Nafie Latifi. / KultPlus.com

Rrëfime personale nga gratë, sonte në KultPlus Caffe Gallery

Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit dhe ne kuadër të këtij muaji të rëndësishëm për shëndetin e grave, KultPlus sjell tri gra të guximshme, të cilat do të tregojnë përvojën e tyre dhe ballafaqimin me këtë sëmundje, por që janë shembull i gruas së fuqishme. Ju presim që të jeni pjesë e kësaj mbrëmje vetëdijësuese.

Mbrëmja do të mbahet në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, në ora 19:00, për shkak të Covid 19, kërkojmë nga të pranishmit të respektohen masat e pandemisë.

Kjo mbrëmje mbështetet nga Komuna e Prishtinës./ KultPlus.com

Dekanja e Fakultetit të Filologjisë ndan mirënjohje për profesorin Aleksandër Novik

Këto ditë po mbahet edicioni i 37-të i Seminari i 37-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në Universitetin e Prishtinës, shkruan KultPlus.

Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova sot ka ndarë mirënjohje për profesorin Aleksandër Novik, si shenjë mirënjohje për promovimin e kulturës shqiptare në botë dhe kontributin e dhënë për shqiptarët e Ukrainës. Ajo theksoi se vitin e kaluar në sallën ku po mbahet Seminari i 37-të për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, është bërë promovimi i dy vëllimeve voluminozë të veprës për Gjuhën dhe Kulturën e shqiptarëve të Ukrainës, dy kopje të së cilit i janë dhuruar Fakultetit të Filologjisë.

“Unë e mbaj mend pjesëmarrjen e Novikut dhe bashkëpunëtorëve të tij që nga viti 2005 dhe jo vetëm që vjen por edhe sjellë studentë të interesuar për shqipen, është Konsullë Nderi i shqiptarëve në Rusi, kam pasur nderin të marr pjesë në një konferencë të organizuar nga Noviku dhe kolegët e tij në Shën Petersburg në vitin 2011 dhe vetëm atëherë e kam kuptuar që vijnë në Kosovë dhe Shqipëri bëjnë për shqipen në Shën Petersburg, Fakulteti i Filologjik për ta falënderuar për gjithë këtë kontribut të jashtëzakonshëm, sot kemi vendosur t’ia ndajmë një mirënjohje të veçantë për punën që kanë bërë për shqiptarët e Ukrainës dhe për promovimin e kulturës shqiptare në botë”, tha në fjalën e saj dekanja Lindia Rugova./ KultPlus.com