“Shkodra Jazz Festival 2023”, bashkon muzikantë të njohur nga Shqipëria dhe bota

“Shkodra Jazz Festival 2023” përmbyll këtë fundjavë fazën dyjavore të “Rrok Academy”, që ofroi për dhjetëra muzikantë të rinj nga Shqipëria dhe disa vende të tjera, leksione intensive në muzikën jazz dhe klasike të drejtuara nga profesionistë të fushës.

Masterclasat e “Rrok Akademy” u zhvilluan në ambientet e disa institucioneve të artit dhe të kulturës në Shkodër, si Galeria e Arteve, Muzeu Historik, Biblioteka “Marin Barleti” dhe  Qenda Rinore Atelie.

Kryetari i bashkisë, Benet Beci ka përgëzuar organizatorët dhe pjesëmarrësit e Shkodra Jazz Festival, për këtë veprimtari që përmes artit e bënë Shkodrën edhe më atraktive në këtë periudhë të sezonit turistik.

Në javën e tretë, “Shkodra Jazz Festival” do të vijojë me koncertet e “Shkodra Sounds”, në datat 19 dhe 20 Gusht, në oborrin e Shtëpisë Muze “Oso Kuka” si dhe  me shfaqjet përmbyllëse të festivalit, që do të zhvillohen në sheshin para bashkisë./atsh/KultPlus.com

Në Kryeministri diskutohet krijimi i një platforme të përbashkët për botime cilësore Kosovë-Shqipëri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim organizatorët dhe seminaristët e Seminarit të 40-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, përcjell KultPlus.

Duke i përgëzuar për ligjërata e kumtesat interesante dhe cilësore, Kurti theksoi gatishmërinë për shtim të përkrahjes dhe kujdesit institucional për studimet albanologjike.

Organizatorët shprehën mirënjohje për përkrahjen e pa rezervë, siç thanë, dhënë nga Qeveria e Kosovës për seminarin.

U bisedua për domosdoshmërinë e rritjes së mbështetjes për publikime të albanologjisë në Kosovë e Shqipëri. U theksua rëndësia e krijimit të një platforme të përbashkët për publikime cilësore Kosovë–Shqipëri, nën udhëheqjen dhe redaktimin e këtyre botimeve nga emra eminentë nga fusha e albanologjisë.

Në këtë takim ishin të pranishëm Ministrja e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lendita Rugova, Drejtori i Seminarit, Shkumbin Munishi, Shefi i Departamentit të Gjuhës Shqipe, si dhe studiues pjesëmarrës në seminar: Anton Panchev nga Bullgaria, Linda Meniku, nga Shqipëria, Jan Jensen nga Holanda, Giuseppina Turano nga Italia, Emese Nemeth nga Hungaria, Ekaterina Tarpomanova nga Bullgaria, Ledio Hala Gjermani/ Shqipëri, Lumnije Jusufi nga Gjermania, Barbara Jarysz Markaj nga Polonia, Olivier Andreas Winistorfer nga Zvicra.

Gjatë takimit u veçua se ky seminari jubilar krahas numrit të lartë të pjesëmarrësve, solli edhe shumë prurje të reja që kanë arritur pritshmeritë e organizatorëve. /KultPlus.com