“Shkodra Jazz Festival 2023”, bashkon muzikantë të njohur nga Shqipëria dhe bota

“Shkodra Jazz Festival 2023” përmbyll këtë fundjavë fazën dyjavore të “Rrok Academy”, që ofroi për dhjetëra muzikantë të rinj nga Shqipëria dhe disa vende të tjera, leksione intensive në muzikën jazz dhe klasike të drejtuara nga profesionistë të fushës.

Masterclasat e “Rrok Akademy” u zhvilluan në ambientet e disa institucioneve të artit dhe të kulturës në Shkodër, si Galeria e Arteve, Muzeu Historik, Biblioteka “Marin Barleti” dhe  Qenda Rinore Atelie.

Kryetari i bashkisë, Benet Beci ka përgëzuar organizatorët dhe pjesëmarrësit e Shkodra Jazz Festival, për këtë veprimtari që përmes artit e bënë Shkodrën edhe më atraktive në këtë periudhë të sezonit turistik.

Në javën e tretë, “Shkodra Jazz Festival” do të vijojë me koncertet e “Shkodra Sounds”, në datat 19 dhe 20 Gusht, në oborrin e Shtëpisë Muze “Oso Kuka” si dhe  me shfaqjet përmbyllëse të festivalit, që do të zhvillohen në sheshin para bashkisë./atsh/KultPlus.com

Project Synergy, 30 muzikantë nga Ballkani Perëndimor interpretojnë në Tiranë

Ministria e Kulturës bën të ditur se, në përmbyllje të Synergy Projekt, mbështetur nga programi Creative Europe i Bashkimit Europian, dy koncerte fantastike mbërrijnë në Tiranë.

Sipas Ministrisë së Kulturës, 30 muzikantë të rinj nga Ballkani Perëndimor do të interpretojnë për herë të parë 12 kompozime të krijuara përgjatë rezidencave artistike që 12 kompozitorë të përzgjedhur zhvilluan vitin e kaluar.

Pjesë e projektit janë dhe kompozitorët e rinj Kris Sopiqoti dhe Jetmir Zaganjori, si dhe Kreshnik Aliçkaj dhe Ardian Halimi nga Kosova, kompozimet e të cilëve do të interpretohen përgjatë dy netëve të koncerteve, sot e nesër (23, 24 korrik), së bashku me veprat e kompozitorëve të tjerë.

Koncertet do të zhvillohen në sallën e koncerteve “Tonin Harapi” ( tek Liceu Artistik) Tiranë, në orën 19:30 dhe hyrja është e lirë.

Partnerë në këtë projekt janë Lubjana Festival, Dubrovnik Summer Festival, Beograd Festival Center, Kotor Art Festival. Chopin Fest Prishtina, Vox Baroque dhe Albania Guitar Festival si partner i associuar./atsh/KultPlus.com