Osmani dekoroi zëvendësambasadorin e SHBA-ve, Nicholas Giacobe me Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, duke u mbështetur në kompetencat kushtetuese e ligjore, me rastin e përfundimit të shërbimit të tij në Kosovë ka dekoruar sot zëvendësambasadorin amerikan, Nicholas J. Giacobbe me Urdhrin “Dr. Ibrahim Rugova”, i cili u jepet personave për kontribut në ndërtimin e paqes apo në zhvillimin e demokracisë.

Në ceremoninë e dekorimit, Presidentja Osmani ka  vlerësuar lart punën dhe angazhimin e z. Giacobbe gjatë shërbimit të tij në Kosovë.

“Z. Giacobbe me përkushtimin e tij të pashoq ka dhënë kontribut të çmueshëm në avancimin e demokracisë dhe paqes në Kosovë. Ai, gjithashtu ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për forcimin e marrëdhënieve miqësore në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Presidentja Osmani në ceremoninë e dekorimit.

Presidentja Osmani ka shfaqur bindjen se miqësia e përhershme me SHBA-të do të vazhdojë të kultivohet e mirëmbahet edhe nga pasuesja e z. Giacobbe. Ndërkaq zv. ambasadori Giacobbe falënderoi Presidenten Osmani për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm, pavarësisht kohës sfiduese nga pandemia Covid-19. /KultPlus.com

Reagon Giacobbe: Homofobia nuk ka vend në shoqëritë demokratike

I ngarkuari me punë në ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Nicholas Giacobbe, ka reaguar për raportimet në media lidhur me martesën e vëllait të një deputeteje.

Giacobbe ka shkruar se homofobia dhe format tjera të diskriminimit me urrejtje s’kanë vend në shoqëritë demokratike.

“Homofobia dhe format tjera të diskriminimit urrejtës s’kanë vend në shoqëritë moderne, të shumëllojshme e demokratike. Ne të gjithë ndajmë përgjegjësi të barabarta për të siguruar që çdo e drejtë themelore njerëzore e secilit person janë të mbrojtura dhe të respektuara”, ka shkruar ai. / KultPlus.com