Opera e Kosovës sjell perla të muzikës së kultivuar shqipe në koncertin tradicional dedikuar vlerave kombëtare

Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica

Opera e Kosovës mbrëmë ka mbajtur koncertin “Kosova në Tinguj”, si dedikim ndaj krijimtarisë së kompozitorëve të shquar shqiptarë, duke sjellë para publikut vepra të përpunuara artistike të cilat për vite me radhë kanë ushqyer shpirtin e adhuruesve të muzikës shqipe, shkruan KultPlus. Ky koncert është mbajtur në  kuadër të Konferencës Ndërkombëtare të Shoqatës Evropiane të Kartës për Rini (EYCA), me një program të përqendruar në veprën e kompozitorëve shqiptarë.

Nën drejtimin e maestro Edon Ramadani, në skenë interpretuan sopranot Adelina Paloja, Kaltrina Miftari dhe Zana Abazi Ramadani, të cilat dhuruan emocione të jashtëzakonshme përmes perlave të njohura shqiptare, që tashmë janë pjesë e rëndësishme e programit të Operës së Kosovës.  Ndërkaq, instrumentistët Ëmbla Dana- flaut dhe Lum Haxhijakupi- klarinetë, me interpretimin e tyre i dhanë koncertit një shije të veçantë artistike, duke e plotësuar koncertin në çdo pikëpamje.

“Suita për vepër harkore” e Valton Beqirit nisi mbrëmjen që shpërthente në tinguj të këndshëm, përmes emetimit të lehtë e të butë të notave muzikore, duke dhënë ndjesinë e një harmonie të paparë. Një kombinim i ngjyrave të tingujve së bashku me zërat e fuqishëm sopranove dhe krijimeve të më të zëshmëve të kohës jepte një atmosferë kompakte e cila herë të dërgonte thellë në mallëngjim, herë në soditje të thellë, e herë në një lumturi të madhe sa herë që i këndohej pranverës, luleve, kroit, ndarjes, dashurisë dhe lumturisë.

Sopranoja Adelina Paloja përmes interpretimit të saj brilant i dha koncertit një dimension tjetër. Përveç zërit të saj kristal sopranoja emetonte rreze që jepnin ngrohtësi në shpirtin e çdonjërit.  Me veprat “Pranvera filloi me ardh”- Tonin Harapi, “Mallëngjimi”- Rashid Krasniqi u zgjuan emocione thellësish të ndjera, përderisa vepra “E kujtoj at’ takim” e kompozitores Pranvera Badivuku nxirrte në pah edhe zotësinë vokale të artistes Paloja, e cila me aurën e saj rrezatuese i jep ngjarjeve sharm dhe ëmbëlsi kudo ku interpreton.

Kurse, sopranoja Kaltrina Miftari me veprat “Asaman”- Tradicionale, “Lamtumirë”- Muharrem Qena, “Kroi i fshatit tonë”- Kristo Kono dha një interpretim të fuqishëm që përkthehej në duartrokitje dhe në ovacione të fuqishme. Me një prezencë që përqonte paqe, kombinuar me zërin e fuqishëm, sporanoja Miftari depërtonte në zemrat e adhuruesve të muzikës klasike që me shumë ëndje e ndiqnin koncertin e mbajtur në Atelienë e Pallatit të Rinisë.

Ndërsa, Zana Abazi- Ramadani me një elegancë të theksuar çdo lëvizje të saj e përkthente në finesë. Ajo dha një interpretim të jashtëzakonshëm me veprat “O moj bukuroshe”- Tradicionale, “Me lule të bukura”-Tish Daija dhe  “Agimet shqiptare”- Avni Mula. Secila notë dukej se buronte nga një thellësia e një esence, që vetëm nëpërmjet zërit mund të shprehej në autenticitetin e saj më të plotë.

“Sa bukur na ka dal’ nusja” nga Thoma Simaku dhe “Baresha” e Rexho Mulliqit ishin mëlmesat që i dhanë koncertit një shije vërtetë të veçantë. Kurse “Valsi i lumturisë” i kompozuar nga Avni Mula erdhi si kurorë në këtë mbrëmje magjike të perlave shqiptare të kënduara nga tri sopranot e njohura. Prania e kompozitores Pranvera Badivuku qe një moment i veçantë i mbrëmjes, të cilin e vulosi entuziazmi dhe duartrokitjet e publikut në shenjë mirënjohjeje ndaj krijimtarisë së saj dhe të kompozitorëve të saj.

Pas koncertit, në një prononcim për media dirigjenti Edon Ramadani tha se ishte kënaqur me perforancën e Orkestrës së Operës së Kosovës, duke theksuar edhe shkëlqimin e sopranove të njohura.

“Arsyeja e mbajtjes së këtij koncerti është inicuar nga një vizitë e disa gazetarëve të huaj, pas së cilës menduam që është shumë e nevojshme të merremi me repertorin tonë. Kështuqë i mblodhëm disa aranzhime, i punuam enkas për atë koncert. Po e shohim që kjo po pëlqehet shumë nga publiku dhe në të njejtën kohë ne po e rrisim opusin e aranzhmaneve për këtë formacion të caktuar për ta prezantuar kulturën tonë muzikore edhe jashtë vendit. Veçori e këtij koncerti ishte vepra e parë “Suitë për orkestër harkore” e cila ka qenë premierë në Kosovës, pas premierës në Japoni. Interpretimi i përbashkët me të rinjtë e Orkestës së Operës së Kosovës është një kënaqësi e madhe. Vërtetë e patëm një energji shumë të bukur në skenë, që besoj u transmetua edhe te publiku”, ka thënë dirigjenti Ramadani.

Ndërsa, sopranoja Zana Abazi- Ramadani ka thënë se është e rëndësishme që këto perla shqiptare të prezantohen edhe në vende të ndryshme të botës.

“Dua t’i falënderoj kompozitorët dhe aranzhuesit Edon Ramadani dhe Valton Beqiri, pasi falë tyre patëm mundësi t’i këndojmë këto vepra, sepse nuk janë të lehta edhe për nga ana e interpretimit. Këto këngë lirike janë kthyer pothuajse në këngë operistike. Interpretimi i tyre për mua është kënaqësi e veçantë sepse jemi rritur me ritmet dhe meloditë tona, gjë që e bën këndimin dhe interpretimin më të afërt me ne. I falënderoj edhe organizatorët e Operës së Kosovës për mbështetjen e artistëve të rinj. Dëshiroj që këto vepra të transmetohen edhe në Evropë, në mënyrë që t’i tregojmë edhe vendeve të tjera që Kosova ka kulturë shumë më të madhe, dhe shumë më me vlerë se sa që ata njohin”, ka thënë sopranoja Abazi Ramadani.

Ndërkaq, sopranoja Adelina Paloja ka thënë se ndihet e përmbushur pas interpretimit të veprave të bukura shqipe, pasi sipas saj kultivimi dhe interpretimi i tyre është obligim për çdo artist.

“Përherë është një emocion i mrekullueshëm kur bashkëpunojmë me institucionin e ri, por jo edhe aq të ri, sepse dihet që gjenerata e gjenerata kanë kontribuar në formimin e institucionit të Operas së Kosovës. Pikërisht në thelbin e kësaj ne kemi përzgjedhur sonte një repertoar shqiptar i cili pritet me shumë kërshëri nga audienca e Kosovës në përgjithësi, por edhe nga audienca e rajonit. Sot ishte edhe konferenca e të rinjve evropianë, dhe audiencës sonë besnike iu bashkangjitën edhe ky kast i publikut që me një ëndje të jashtëzakonshme e kanë mirëpritur këtë koncert, ku u interpretuan disa nga veprat më të bukura të muzikës tonë të kultivuar artistike. Jam e lumtur dhe e përmbushur që pas një agjende të ngjeshur që pata jashtë vendit, të kthehem pranë këtij publiku dhe ta transmetojmë me zemër plotë muzikën tonë të bukur shqipe, të cilën e kemi obligim që ta interpretojmë dhe ta plasojmë përpara një audience të tillë”, ka thënë sopranoja Paloja.

Sopranoja Kaltrina Miftari ka thënë se veprat të cilat u interpretuan në koncert janë pasuri e popullit shqiptar, dhe si të tilla duhet të ruhen dhe të zhvillohen edhe më tej.

“Ishte një mbrëmje e veçantë, ku pata rastin të interpretoj disa prej veprave më të dashura shqipe. Gjithmonë ndihem mirë kur këndoj muzikën tonë, këto vepra kanë një vend të veçantë te unë. Publiku e ndjeu këtë muzikë po aq sa ne në skene, dhe kjo është gjëja më e bukur. Është shumë e rëndësishme. Veprat shqiptare janë pasuri e jona dhe duhen interpretuar me dashuri e kujdes. Vetëm kështu mund ta ruajmë dhe zhvillojmë kulturën tonë muzikore”, ka përfunduar sopranoja Miftari.

Ky koncert që synohet të kthehet në një koncert tradicional të Operës së Kosovës paraqet një përpjekje të institucionit për të promovuar repertorin kombëtar dhe për të afirmimuar vlerat muzikore vendore./ KultPlus.com

Kori i Filharmonisë me perla korale përmbyll vitin 2024, programi pritet të prezantohet edhe në vendin amë të Filharmonisë, në Ljublanë

Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica

Kori i Filharmonisë së Kosovës mbrëmë në Atelienë e Pallatit të Rinisë është prezantuar me koncertin përmbyllës për vitin 2024, e i cili koncert ka qenë një pararendës i atij që pas katër ditësh do të prezantohet në Ljublanë të Sllovenisë, në kuadër të javës kulturore të Republikës së Kosovës, shkruan KultPlus.

Programi i këtij koncerti ka përmbledhur perla të Korit të Filharmonisë për të kulmuar në këtë koncert përmbyllës, si dhe për t’i prezantuar ato në vendin amë të Filharmonisë Botërore (1701), në ndërtesën ikonike të Filharmonisë së Ljublanës. Filharmonia e Ljublanës është një nga institucionet muzikore më të vjetra në Evropë, e cila ka luajtur një rol qendror në zhvillimin e kulturës muzikore.

Me një renditje unike, në formë rrethore Kori i Filharmonisë filloi interpretimin e veprës së Mendi Mengjiqit- ” Music in the circle”, në sallën e cila ishte e stërmbushur me publik. Zërat e grupit të grave në njërën anë dhe të burrave në anën tjetër përputheshin në qendër të rrethit, në të cilin qëndronte edhe dirigjenti Baki Jashari.

Programi pati edhe vepra premierë. Ndër veprat të cilat u pëlqyen dhe u dalluan më shumë ishte edhe vepra “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” e dirigjentit Baki Jashari, e cila çdo herë jep një emocion të jashtëzakonshëm. As vepra e Hajrullah Sylës “O Magnum Misterium” nuk bën përjashtim.

Ndërkaq, vepra  e kompozitorit Rafet Rudi- “IN A” ishte e veçantë edhe në aspektin fizik të interpretimit, duke nxjerrë ndjenja të fuqishme nga koristët dhe dirigjenti Jashari në veqanti. Vepra e Laura Jekabsone- “Kuulin Äänen” erdh e ndërthurur me interpretim koral dhe vegël goditëse muzikore si një prezantim krejtësisht unik.

Veprat tjera të cilat u interpretuan ishin: Vytautas Miškinis- “Cantate Domino, Ambrož Čopi- “O solitaris Hostia”, Lorenc Antoni- “Çorapet e burrit”, Vasil S.Tole- “Çu mbush mali”, Eric Whitacre- Cloudburst, Jake Rundestad- “Nyon, nyon” dhe Këngë Polifonike Labe- “Janinës  ç’i panë sytë”.

Në fund të koncertit në një prononcim për media dirigjenti Baki Jashari ka thënë që prenzatimi i Korit me koncert në Ljublanë është një rast shumë i mirë, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi jashtëzakonisht e madhe institucionale, e shtetërore që atje të ketë një prezantim dinjitoz.

“Kemi vendosur t’i zgjedhim perlat me të cilat prezantohet Kosova në mënyrën më të mirë të mundshme. Për ne është një moment tejet i rëndësishëm, pasi përmes programit publikut slloven t’i ofrojmë informacion të bollshëm se edhe në Kosovë ka kor profesional- vokal, që kemi traditë. Programi ka qenë i konceptuar që të tregojmë nga pak të gjitha stilet që ne i zotërojmë, dhe te ata të krijojmë një përshtypje të jashtëzakonshme, ashtu si kudo që paraqitet kori, duke i thyer paragjykimet për Kosovën si vend i ri”, ka thënë Jashari me shumë emocion pasi pas 25 vitesh do të rikthehet në Slloveni, në vendin ku kishte qenë aktiv për 20 vite me radhë.

“Të prezantohet muzikë korale në Slloveni është shumë vështirë sepse në kohën kur unë kam qëndruar atje kanë qenë mbi 1.000 kore të regjistruara. Në Kosovë ne nuk i kemi dy, edhe pse nga popullsia jemi të ngjajshëm. Është shumë e vështirë që në një vend të tillë ku kanë mundësi të shumëta të dëgjojnë kore të ndryshme të krijojmë përshtypje. Andaj, jemi munduar të përzgjedhim stile të ndryshme të tregojmë se çka zotërojmë edhe ne këtu në Kosovë”, ka thënë dirigjenti.

Drigjenti Jashari në këtë koncert përmbyllës të vitit 2024 për Korin e Filarmonisë ka veçuar edhe prezantimin më të veçantë për këtë vit artistik.

“Që nga fillimi i vitit kemi pasur lëvizje në rajon, duke përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë, Italinë, Romën, Greqinë. Do të veçoja fillimin e sezonit në shtator, kur Filharmonia për herë të parë në historinë e saj realizon veprën madhështore të kompozitorit Gustav Mahler “Simfonia 1” e cila ka qenë ëndërr për institucionin tonë. Kjo vepër kërkon një dyfishim të numrit të orkestrantëve, por mbi të gjitha një muzikë tejet tërheqëse por edhe jashtëzakonisht komplekse për realizim nga ana e muzicientëve. Ky do të ishte një kulminacion në aspektin tekniko-artistik të Filharmonisë së Kosovës përgjatë vitit 2024”, ka thënë dirigjenti Jashari.

Kurse, Drejtori i Filharmonisë, Dardan Selimaj ka thënë se është privilegj për Filharmoninë e Kosovës që programi i këtij koncerti do të prezantohet edhe në Ljublanë, në vendin e themelimit të një institucioni të muzikantëve, siç është Filharmonia.

“Koncerti i sotëm është pararendës i një prezantimi që do të mbahet në Ljublanë të Sllovenisë. Është privilegj për Korin e Filharmonisë që të prezantohet në sallën “Marjan Kozina”, në ndërtesën e Filharmonisë së Sllovenisë. Nuk jemi prezantuar më parë në Slloveni, ndonëse dy dirigjent slloven e kanë udhëhequr këtë kor në disa raste. Është privilegj dhe nderë që të performojmë në një sallë që i takon institucionit të Filharmonisë së Sllovenisë, e cila është Filharmonia më e vjetër në botë. Ajo është evoluar në vitin 1701. Dhe për ne është nderë të përfshihemi në programin e atij institucioni”, ka thënë Drejtori Selimaj.

Ndërsa, violonçelisti Antonio Gashi i cili u prezantua me veprën e kompozitorit Hajrullah Syla “O Magnum Misterium” tha se ky bashkëpunim me korin ka qenë i këndshëm.

“Kori i Filharmonisë është i mrekullueshëm, unë gjithmonë emocionohem kur e dëgjoj sepse gjithmonë paraqitet me vepra të reja, me freski të re. Gjithmonë është kënaqësi të bashkëpunosh me korin. Për veprën e Hajrullah Sylës jam jashtëzakonisht I kënaqur që po vjen një gjeneratë e re e kompozitorëve të cilët shkruajnë këtë lloj të veprave, që për çelistin dhe për korin është një bashkëpunim shumë i këndshëm. Është një prej veprave që me shumë qejf luaj”, ka përfunduar violonçelisti Gashi.

Filharmonia e Kosovës më 21 dhjetor do ta përmbyllë vitin 2024 me Gala Koncertin e Vitit të Ri, i cili është Gala Koncert tradicional./ KultPlus.com

Perla e Ohrit, shkëlqimit të së cilës nuk i ka rezistuar as mbretëresha Elizabeth

Perla e Ohrit e famshme në gjithë botën është bërë nga luspat e peshkut Plashica, specie endemike e peshqve në Liqenin e Ohrit.

Aftësitë për të bërë Perlën e Ohrit mbeten një traditë e fshehtë familjare që trashëgohet brez pas brezi. Familja Talevi konsiderohet si një nga të paktat që ruajnë me zell traditën dhe recetën e vetme për prodhimin e kësaj bizhuterie të bukur dhe unike.

Sekreti mbahet me kujdes për gati një shekull. Ohridi njihet gjërësisht dhe dallohet pikërisht për cilësitë unike të perlës që vjen nga punimet artizanale të këtij qyteti. Në pazarin e vjetër e Ohrit, mund të dëgjoni shumë histori lidhur me perlën.

Shumë njerëz të famshëm nuk kanë mund t’i rezistojnë shkëlqimit të kësaj perle. Mbretëresha Elizabeth, ish Ministrja e Jashtme Anna Lindh e Suedisë dhe shumë emra të tjerë të famshëm kanë mbajtur perlën e Ohrit. /KultPlus.com