​Nagavci kërkon nga drejtoritë e arsimit punësimin e 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit që të nisin procedurat e punësimit të 100 asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta.

Nagavci përmes një postimi në Facebook tha se ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë fëmijët dhe të rinjtë është prioritet i Qeverisë dhe Ministrisë sonë.

“Në kuadër të kësaj, sot kam dërguar njoftim me shkrim në Drejtoritë Komunale të Arsimit për procedurat e punësimit të 100 asistentëve për fëmijët me aftësi të kufizuara, në mënyre që punësimi i tyre të bëhet në tre mujorin e parë të këtij viti. Në përmbushje të prioriteteve të këtij viti për rritjen e përfshirjes, ofrimit të mësimdhënies dhe mësimnxënies cilësore për fëmijët me nevoja të veçanta në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, në Ligjin Nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës se Kosovës për vitin 2022, janë ndarë normat dhe mjetet financiare për punësimin e 100 asistenteve për fëmijët/nxënësit me nevoja të veçanta”, ka deklaruar ajo.

Ministrja ka shtuar tutje se, tani do të vazhdojnë bashkëpunimin me komunat dhe do ta monitorojnë këtë proces për së afërmi për t’u siguruar që punësimi i tyre të bëhet brenda kohës së paraparë dhe nevojave të identifikuara nëpër komuna.

“Pikësynim i Qeverisë sonë mbetet që deri në fund të mandatit t’i kemi 500 asistentë për fëmijët me aftësi të kufizuara në shkolla. Vitin 2022 e kemi shpallur “Vit të personave me aftësi të kufizuara” dhe mbesim të përkushtuar që fëmijëve tanë t’ua lehtësojmë qasjen në arsim të barabartë dhe cilësor”, tha Nagavci. / KultPlus.com

‘ROI Academy’ ofron 120 bursa për aftësim profesional të personave me nevoja të veçanta

Në një kohë kur personat me nevoja të veçanta ende janë të lënë pas dore, dhe për më tepër, nuk përfillen as ligjet e rregulluara për ta, po ndërmerren nisma të ndryshme private, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për trajtim të mirëfilltë të personave të përfshirë në këtë kategori.

Problemi më madhor i personave me nevoja të veçanta, edhe më tutje vazhdon të mbetet mospërfshirja e tyre në vendet e punës, çfarë ua pamundëson të ndihen të barabartë me pjesëtarët e tjerë të shoqërisë.

Duke e pasur parasysh faktin që këta persona, jo vetëm që kanë probleme për t’u qasur në tregun e punës, por edhe për t’u shkolluar, atëherë qendra e trajnimeve profesionale, ROI Academy, ka vendosur që të ndërmarrë një hap për t’i ndihmuar personat e kësaj kategorie, por edhe për t’i sensibilizuar bizneset që punësimi i tyre nuk është barrë, por vlerë e shtuar e secilës kompani.

Sipas drejtorit ekzekutiv të ROI Academy, Arb Abdyli, ndarja e këtyre bursave është momenti më i veçantë që nga themelimi i kësaj akademie.
“E dimë që personat me nevoja të veçanta fizike janë të diskriminuar dhe nuk u janë plotësuar kushtet as për qasje në edukim dhe as në punësim. Ne po mundohemi ta ndryshojmë këtë gjë, duke i pajisur ata me njohuri praktike mbi fushat aktualisht më të kërkuara në tregun e punës”, theksoi ai.

Sipas tij, inspirimi për ndërmarrjen e kësaj nisme ka ardhur pasi një person i verbër, edhe përkundër të gjitha vështirësive dhe pengesave, pak muaj më parë ishte bashkëngjitur dhe e kishte përfunduar me sukses trajnimin për marketing digjital.

Përzgjedhja e përfituesve do të bëhet bashkërisht me organizatat dhe individët që merren me këtë kategori, ndërkaq të njëjtit do të kenë mundësi të përzgjedhin 9 fusha të ndryshme për t’u trajnuar, përfshirë marketingun digjital, dizajnin grafik, programimin, video animacionin, sigurinë kibernetike, etj.

Përmes kësaj nisme, ROI Academy po synon të nxisë dhe inspirojë të gjitha bizneset që të japin kontributin e tyre përmes punësimit, shkollimit dhe aftësimit profesional të personave me nevoja të veçanta.

Sipas ligjit të Kosovës, një ndërmarrje është e obliguar që në çdo 50 të punësuar të punësojë një person me nevoja të veçanta, ndërkaq, sipas statistikave, në Kosovë jetojnë rreth 250.000 persona që i takojnë kësaj kategorie. / KultPlus.com

Daklea Boja piktorja me nevoja të veçanta sfidon me artin e saj, hap ekspozitën e parë

Këto ditë në ambientet e kalasë së Tiranës është hapur ekspozita e një vajze të re me emrin Daklea Boja. Pasioni për pikturën bën që Daklea të sfidojë mjaft probleme me të cilat e ka përballur jeta.

Pikturat e para, Daklea i nisi në moshën 10-vjeçare, kështu që tashmë 20 vjeç ajo ka një koleksion të pasur për t’i ekspozuar dhe për t’u treguar të gjithëve se çfarë fuqie ka pasioni.

Pranë vetes, piktorja e talentuar e cila vuan nga epilepsia, ka pasur gjithnjë njerëz që kanë besuar tek ajo. Punonjësja socjale Anjeza Kolami tregon se Daklea është një fëmijë me nevoja të veçanta, e diagnostikuar në moshën pesëvjecare me epilepsi dhe si rezultat i kësaj sëmundje ajo e ka të dëmtuar shikimin dhe dëgjimin në masën 50 për qind. Nuk do të mjaftonte vetëm me kaq por para 8 muajsh ajo është diagnostikuar edhe me kancerin e gjirit.

Daklea arrin të gjejë dëshirën dhe pasionin për jetën vetëm nëpërmjet pikturës, të cilën e vlerëson si një mënyrë të veçantë për të komunikuar me botën. Ajo nëpërmjet artit të saj dhe ekspozitës që ka hapur këto ditë ka për qëllim të godasë e të pastrojë pluhurin e shpirtit të trazuar.

Daklea më tepër arrin të gjejë frymëzim tek portretet, peizazhet të cilat bien edhe më tepër në sy në këtë ekspozitë.

Sociologia Anjeza Kolami shprehet gjithashtu se “ne duhet të jemi shumë mbështetës dhe inkurajues për të gjithë artistët në përgjithësi dhe specifikisht për këta fëmijë me nevoja të veçanta që kanë kaq shume nevojë për suport dhe për mbështetje”. Ajo thotë se ata kanë nevojë për një dorë që t’i tregojë atë rrugëtimin e gjatë që i pret, por duhet t’i inkurajojmë për t’i treguar asaj që ajo ka vlera dhe ajo ka vërtet vlera artistike të paçmueshme.

Si çdo artist që sapo ka nisur rrugëtimin e tij të gjatë drejt artit edhe Daklea aspiron që një ditë të ketë një ambient të përshtatshëm ku ajo të mund të realizoj pikturat të cilat janë burimi i frymëzimit të saj.

“Kam afërsisht 10 vite, që nga mosha 11 vjeë dhe deri tani. Kam talent le të themi por e kam edhe për pasion. Dua të flas për gjendjen shpirtërore nëpërmjet një peme apo luleje të cilat janë kaq të brishta dhe të bukura, të cilat kanë një gjendje kaq të butë edhe brenda në karakter dhe kjo del në pah edhe nga teknika me të cilën unë punoj. Për mua kjo është ekspozita e parë që kam hapur me punët e mia. Po ashtu kemi lule, portrete dhe unë kam shumë deshirë që të hap edhe një atelie timen dhe të mësoj edhe fëmijë të tjerë të vegjël që të vizatojnë”, shprehet vetë Daklea./atsh/ KultPlus.com

Organizatat që përfaqësojnë personat me nevoja të veçanta, në përkrahje të ‘AWLIFF’ (VIDEO)

Organizatat vendore të cilat merren me personat me nevoja të veҫanta, e përkrahin dhe i bashkohen Festivalit “Art Without Limit International Film Festival” duke dërguar video – mesazhe mbështetëse.

Organizatat më të rëndësishme vendore në Kosovë dhe Shqipëri të cilat përfaqësojnë personat me nevoja të veçanta duke parë punën e madhe e cila po bëhet nga NGO “Art Without Limit” gjatë organizimit të “Art Without Limit International Film Festival” përkrahin dhe mbështesin idenë e festivalit AWLIFF.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se në adresën e festivalit kanë pranuar disa video-mesazhe nga Kryetari i Handikos Kosova; Z.Afrim Maliqi i cili fton anëtarët e Handikos që të bashkohen rreth festivalit “Art Without Limit International Film Festival” poashtu Z. Bujar Kadriu; Kryetar i forumit të aftësisë së kufizuar në Kosovë, Znj. Suela Lala; Drejtoreshë e fondacionit “Së bashku” Shqipëri, Znj; Elvana Shala; Ambasadore e vullnetit të mire për Kosovën në International Human Rights Commission!

Këtë festivalin e kan përkrahur edhe Shoqata “Autizmi” në Prishtinë dhe shoqata “OpfaKos” Prindi dhe fëmiu!

‘Kemi planifikuar që në vitin e ardhshëm në edicionin e dytë të AWLIFF, të gjitha organizatat vendore dhe rajonale të cilat kan të bëjnë me personat me nevoja të vecanta ti angazhojmë dhe ti bëjmë pjesë të drejtpërdrejt të festivalit AWLIFF!’, thuhet në komunikatën për media. / KultPlus.com