Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj së bashku me drejtoreshën e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli vizituan shtëpinë e shkrimtarit dhe akademikut, Rexhep Qosja.
Ambasadori Malaj i dorëzoi intelektualit të madh shqiptar çmimin “Lumo Skëndo” për vitin 2024.
Akademiku Qosja u vlerësua me këtë çmim për veprën e tij “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën”.
Juria e kryesuar nga Belina Budini dhe me anëtarë Uran Butka, Anastas Angjeli, Rudina Xhunga, Aida Tuci e vlerësuan veprën publicistike të Rexhep Qosjes me motivacionin: “përmes analizave të tij të mprehta dhe studimeve të thelluara mbi gjuhën shqipe, akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit kritik dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare”.
Çmimi “Lumo Skëndo” nxjerr në pah vlerat më të mira të botimeve në gjininë e publicistikës dhe eseistikës që kanë një rol në diskutimet publike. Për vitin 2024 ishin gjithsej 10 kandidatë, mes të cilëve Stefan Çapaliku, Enis Sulstarova, Sherif Bundo, Arben Imami, Luan Rama etj./atsh/KultPlus.com
Në një ceremoni të zhvilluar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi mes këtij fakulteti dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit nga Shqipëria, në prani të ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj. Marrëveshja përfshin dhurimin e 67 titujve të librave bashkëkohorë shqiptarë, që u dhuruan si shenjë vlerësimi dhe si mbështetje me rastin e 65 – vjetorit të këtij fakulteti.
Ambasadori Petrit Malaj, në fjalën e tij pas nënshkrimit të marrëveshjes, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm që i shërben forcimit të marrëdhënieve kulturore dhe arsimore.
“Shumë faleminderit për këtë finalizim të kësaj marrëveshje. Jam mirënjohës që kemi këtë bashkëpunim dhe komunikim mes nesh. Arsimi ka pasur ndërlidhjet e veta të hershme dhe do të vazhdojë të jetë në këtë cilësi”, u shpreh ai.
Dekani i Fakultetit Filozofik, prof. Bekim Baliqi, falënderoi ambasadorin dhe Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit për përkrahjen dhe theksoi rolin që libri ka në jetën akademike.
“Faleminderit ambasador për ndihmën e vazhdueshme që na jep në këtë drejtim dhe dhuratë më të mirë se libri nuk mund të ketë për një fakultet dhe për studentët, ne jemi shumë mirënjohës ndaj jush”, u shpreh shkurtimisht dekani Baliqi.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për forcimin e urave ndërmjet institucioneve arsimore dhe kulturore në Shqipëri dhe Kosovë.
“Për ne si QKLL është shumë e rëndësishme që të jemi sot në Prishtinë, të dhurojmë këto libra dhe të nënshkruajmë këtë marrëveshje. Ky është një fakultet që ka lidhje me mendimin dhe shoqëritë tona kanë shumë nevojë për mendimin dhe çdo nismë që ka në thelbin e saj mendimin, ndërgjegjësimin dhe pranimin sa më shumë në diskursin publik të intelektualëve, të zërit të kulturës dhe librit, është besoj e bukur dhe e nevojshme. Uroj që të ketë sa më shumë lexues për këto libra dhe të pasurohet sa më shumë kjo bibliotekë”, u shpreh Bardhyli.
Tutje, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, z. Petrit Malaj, shprehu mbështetjen e tij të plotë për këtë nismë dhe vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional që e bëri të mundur këtë moment.
“Sinqerisht, në fakt ne e kemi mirëpritur këtë ide që ka filluar këtu në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Më pas, duke koordinuar punët tona të përbashkëta, është bërë komunikimi edhe me instancat përkatëse në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme në Tiranë, ku më pas është komunikuar me institucionet përgjegjëse, siç jeni dhe juve, dhe kemi gjetur mbështetjen për këtë ditë interesante,” u shpreh ambasadori Malaj, shkruan KultPlus.
Ai theksoi se ndonëse kjo nismë mund të duket e vogël në përmasa, ajo ka një peshë të madhe simbolike dhe praktike.
Në vijim të fjalës së tij, ambasadori vlerësoi punën dhe përkushtimin e të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë projekt, me një mirënjohje të veçantë për dekanin e Fakultetit Filozofik.
“I jam mirënjohës gjithë atyre që e ndoqën rrugëtimin e këtij projekti fillestar – dekanit të fakultetit këtu, juve, për gjithë këmbënguljen tuaj që erdhët në këtë moment apo për kujdesin e përzgjedhjen që keni bërë në fund të fundit për këto libra që bëhen pjesë edhe e atyre programeve të studimit të atyre që edukohen në Fakultetin Filozofik.”
Në përmbyllje, ai theksoi përkushtimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë për të mbështetur çdo projekt që fuqizon lidhjet mes Shqipërisë dhe Kosovës, në veçanti në fushën e arsimit dhe kulturës.
“Shpreh mirënjohjen time, respektin tim dhe ju siguroj që Ambasada e Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunimin vëllazëror të ngushtë me Republikën e Kosovës, ne do të jemi në hapat e duhur dhe do mbështesim çdo projekt që çon më tej këtë vëllazëri, sidomos në fushën e dijës, artit, arsimit dhe kulturës”, u shpreh ambasadori.
Në përfundim drejtoresha e QKLL-së, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për forcimin e lidhjeve kulturore mes Kosovës dhe Shqipërisë, me theks të veçantë në fushën e librit dhe botimeve akademike.
“Marrëveshja ka të bëj në bashkëpunime të përbashkëta, sidomos në fushën e librit, në botimet që i shërbejnë jo vetëm universitetit por edhe kulturës shqiptare në tërësi. Ky është një fakultet që ka lidhje me mendimin dhe me kërkimin shkencor dhe çdo botim i kësaj natyre mendoj që është një botim i rëndësishëm që do gjejë mbështetje nga pala shqiptare megjithëse ne jemi e njëjta palë,” u shpreh Bardhyli.
Bardhyli theksoi se ky bashkëpunim synon të ndihmojë studentët dhe studiuesit të kuptojnë më mirë zhvillimet e ndërsjella kulturore dhe intelektuale në hapësirën shqiptare gjatë dy dekadave të fundit.
“Kështu që prandaj edhe përzgjedhja jonë ishte e tillë për të sjellë libra që na bëjnë të njohim më mirë evolucionin e njëri-tjetrit, sidomos në këto dy dekadat e fundit”, u shpreh ajo./KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur sot në takim Ambasadorin e ri të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në facebook, Ministri Çeku ka thënë se edhe në të ardhmen do të vazhdojë bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë.
“Bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë është i pashmangshëm. Përplot aktivitete të përbashkëta janë realizuar vitin që lam pas, dhe të tilla priten edhe në vazhdim.
Për këtë dhe tema të tjera diskutuan sot në takim, Ministri Çeku dhe Ambasadori i ri i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
Ministri Çeku i uroj suksese në detyrën e re, ndërsa i shprehu falënderimet e tij për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm të Shqipërisë.
Bashkë u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin duke u koordinuar për projekte të përbashkëta në kulturë, sport, rini e trashëgimi kulturore”, ka shkruar Çeku./KultPlus.com
Aktori i njohur i skenës dhe kinemasë Petrit Malaj sot mbush 56 vjeç.
Ai u lind në Orikum të Vlorës në 12 dhjeror të vitit 1964. Që në fëmijërinë e tij të hershme familja transferohet në qytetin e Bajram Currit, qytet nga i cili familja e tij është edhe me origjinë. Në vitet 1975-1981 kreu gjimnazin në qytetin e Bajram Currit ndërsa Institutin e Lartë të Arteve e ndoqi gjatë viteve 1981-1985 ku edhe u diplomua në specialitetin “Aktor”
Pas diplomimit ai pati një karrierë të gjatë dhe të sukseshme në teatër por më tepër në kinematografi ku vlejnë të veçohen rolet në ” Qortimet e vjeshtës ” 1981, ” Besa e kuqe ” 1982, ” Nëntori i dytë ” 1982, ” Vendimi ” 1984 ,” Gjurmë në dëborë ” 1984, ” Dasma e shtyrë ” 1985, ” Kur hapen dyert e jetës ” 1986, ” Militanti ” 1984, ” Hetimi vazhdon ” 1986, ” Balada e Kurbinit ” 1988 “, Viktimat e Tivarit ” 1991, ” Bardh e zi ” 1991,” Telegrami ” 1992, ” Skënderbeu ” 1995, ” Kolonel Bunker ” 1998, ” Lule të kuqe, lule të zeza ” 2002, ” Dhimbja e dashurise ” 2008, ” Lindje, perëndim, lindje ” 2008.
Gjatë karrierës së tij si aktor Petrit Malaj ka punuar me regjisorët dhe aktorët më të mirë të vendit. Gjithashtu ka mbajtur edhe disa nga postet më të rëndësishme në Universitetin e Arteve si Rektor dhe Dekan i Fakultetit të Artit Skenik.
Petrit Malaj është vlerësuar edhe me shumë çmime të rëndësishme ku do të veçonim, medalja “Naim Frashëri” akorduar nga Kuvendi i Shqipërisë, medaljonin e festivalit në “Festivalin e Pestë të Filmit Shqiptar” si dhe shumë diploma të tjera për aktivitetin krijues e artistik. /ata/ KultPlus.com
Sot ka humbur betejën me Covid19 artisti i njohur shqiptar Arben Bajo, për të cilin kolegët e miqtë nuk kanë hezituari së shprehuri ngushëllimet e tyre, shpesh duke treguar edhe eksperienca të përbashkëta me artistin, shkruan KultPlus.
Petrit Malaj, aktor dhe dekan i Universitetit të Arteve në Shqipëri, ka shprehur ngushëllime familjarëve të të ndjerit, ku ndër të tjera edhe e ka ngritur lart figurën e artistit.
Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Malajt.
”Trishtim i madh humbja e kolegut dhe mikut tim Arben Bajo, ishte e papritur dhe shumë e trishtë. Ishte i ri, ende nuk mund ta besoj.
Vepra e tij krijuese do të flasë përjetësisht. Ai talentin e ka përcjellë tek studentët dhe e ndeshim në veprat e tij kudo nëpër Shqipëri. Beni ishte një djalë i shkëlqyer dhe profesionist i rrallë, ndaj ndihem krenar që e pata një koleg, mik dhe bashkëpunëtor të tillë në Universitetin e Arteve!
Ngushëllimet më të sinqerta familjes!
U prehsh në paqe i dashur Beni!” shkruan Malaj në Facebook. / KultPlus.com