Malaj: Trishtim i madh humbja e mikut tim Arben Bajo, vepra e tij krijuese do të flasë përjetësisht

Sot ka humbur betejën me Covid19 artisti i njohur shqiptar Arben Bajo, për të cilin kolegët e miqtë nuk kanë hezituari së shprehuri ngushëllimet e tyre, shpesh duke treguar edhe eksperienca të përbashkëta me artistin, shkruan KultPlus.

Petrit Malaj, aktor dhe dekan i Universitetit të Arteve në Shqipëri, ka shprehur ngushëllime familjarëve të të ndjerit, ku ndër të tjera edhe e ka ngritur lart figurën e artistit.

Më poshtë mund të lexoni statusin e plotë të Malajt.

”Trishtim i madh humbja e kolegut dhe mikut tim Arben Bajo, ishte e papritur dhe shumë e trishtë. Ishte i ri, ende nuk mund ta besoj.

Vepra e tij krijuese do të flasë përjetësisht. Ai talentin e ka përcjellë tek studentët dhe e ndeshim në veprat e tij kudo nëpër Shqipëri. Beni ishte një djalë i shkëlqyer dhe profesionist i rrallë, ndaj ndihem krenar që e pata një koleg, mik dhe bashkëpunëtor të tillë në Universitetin e Arteve!

Ngushëllimet më të sinqerta familjes!

U prehsh në paqe i dashur Beni!” shkruan Malaj në Facebook. / KultPlus.com

Kur e di se do të vdesësh

Poezi nga Teodor Keko

Në përkujtim të artistit Arben Bajo, KultPlus ju sjell këtë poezi të autorit të njohur Keko.

Kur e di se do të vdesësh,
pemët kanë më shumë lule dhe më
shumë yje qielli ka.

Më të mirë dhe më të çuditshëm
janë njerëzit,
që nuk e kuptojnë se hija e trupit
të tyre është vetë vdekja.

Kur e di se do të vdesësh,
toka është pjellore si grua
dhe qielli ta shuan përjetësisht
etjen me shirat e tij
dhe avionët nuk fluturojnë për t’u
rrëzuar
dhe njerëzit nuk lindin për t’u bërë
nesër të ligj.

Më mirë ta dish se do të vdesësh!

Lulet lule do të jenë dhe nuk do të
kundërmojnë më trishtim
dhe njerëzit do kthehen më shpesh
te distributori i harruar
të furnizohen falas me besim. / KultPlus.com

Apel për artistin Arben Bajo, ka nevojë për gjak nga një person që ka kaluar Covid19

Skulptori dhe pedagogu në Akademinë e Arteve të Shqipërisë, Arben Bajo, 53 vjeç ka nevojë urgjente për gjak, përcjellë KultPlus.

Apelin e bëjnë kolegët e tij artistë, të cilët thonë se Bajo është në gjendje të rëndë dhe i intubuar.

Skulptori 53 vjeçar ka nevojë për gjak A-NEGATIV nga një person që ka kaluar koronavirusin. / KultPlus.com