103 vite nga lindja e piktorit të njohur Kel Kodheli

Piktori i njohur shqiptar Kel Kodheli, autori i pikturave të njohura si “Vallja e shpatave” ,”Shote Galica”, “Bajram Curri”, “Dropullitja”, “Skënderbeu”. “Lahutari”, “Portret shkodraneje” lindi më 24 dhjetor 1918 në katundin Kodhel të Lezhës. Kur kishte 6 vjeç, familja e tij vendoset në Tiranë, shkruan KultPlus.

Pas kryerjes së shkollës fillore në vitin 1933, Keli vazhdoj shkollimin e mesëm teknike por ndoqi kurset e vizatimit nën drejtimin e Odhise Paskalit e të Lasgush Poradecit.

Prindërit e tij babai Gega dhe nëna Eile, kishin dëshira kontradiktore për arsimin e mëtejshëm të djalit të tyre. Babai donte inxhinierinë, ndërsa nëna pikturën. U bë që Kel Kodheli të vazhdoj studimet në Romë në atelienë e Karlo Silvierës. Nga Roma kthehet në vitin 1943 dhe 10 vite punon në Bankën Kombëtare, si modelues.

Me 17 prill të vitit 1945 hapi ekspozitën e parë, titulluar “Nëna e dëshmorit” bazuar në pikturën e tij që e pat pikturuar “Gruaja që i ka vdekur burri”. 20 vjet punoi si edukator në Lice (Gjimnaz) për të dalë në pension si mësues i një shkolle fillore, edhe pse me Akademi të Arteve të Bukura të Romës.

Më 24 dhjetor 2003, Presidenti i asaj kohe Aleksandër Moisiu, në shtëpinë e tij Kel Kodhelit i dorëzon çmimin e “Piktorit të Merituar”. Në Galerinë Kombëtare të Arteve, në fondin e sajë, ruhen 12 kompozime dhe 11 portrete të piktorit Kel Kodheli. / KultPlus.com

“Arkivit të hapur” të GKA i shtohen veprat e artistëve bashkëkohorë shqiptarë

Veprat e artistëve bashkëkohorë shqiptarë (1990-2000), i shtohen “Arkivit të hapur” të Galerisë Kombëtare të Arteve.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila thekson se, “të fshehtat” e Galerisë, tashmë janë të hapura për të gjithë, përpara nisjes së procesit të restaurimit, rikonstruksionit dhe rehabilitimit të ambienteve të Muzeut Kombëtar të Arteve të Bukura”.

Ministrja Margariti pak ditë më parë tha se, “do të vazhdojmë me Teatrin Kombëtar, i cili bashkë me rikonstruksionin dhe zgjerimin e Galerisë Kombëtare të Arteve do të krijojë një pol të ri në Pedonale, por dhe një magnetizëm jo vetëm kundrejt artistëve shqiptarë dhe të huaj, por në të gjithë planifikimin e territorit dhe qendrës së Tiranës”. /KultPlus.com

Shpaloset ekspozita ‘GRANDART 1970-2000’, mbijetesa e veprave artistike e 27 artistëve që shënojnë gjeneratën e parë të artit në Kosovë

Era Berisha

Pikturat, grafikat, skulpturat, tapiceritë dhe artizanatet e vendosura në muret shumëngjyrëshe po frymonin nën gjendjen kaotike të ngjyrave intensive e të vrullshme të cilat po përplasnin vëmendjen e të pranishmëve sa në një kënd e në këndin tjetër për të zbuluar fshehtësinë shpirtërore e unike të enigmave që ishin strukur thellë në misterin e koleksionit që është zhvendosur nga hoteli Grand në koleksionin e Galerisë Kombëtare të Kosovës me kurator Zeni Ballazhi për të sjell ekspozitën e titulluar ‘GRANDART 1970-2000’, shkruan KultPlus.

Fillimisht, në ceremoninë e hapjes solemne të ekspozitës për të treguar për rrjedhën artistike të ekspozitës dhe vlerat e këtij aseti kombëtar, foli kuratori Zeni Ballazhi, i cili falënderoi drejtorin e Galerisë Kombëtare, të pranishmit nga kompania hotelerike Grand, gazetaren Jeta Xharrën për dokumentimin e rrugëtimit të veprave deri këtu, Komunën e Prishtinës, kolegët dhe profesorët prezent si dhe artistët pjesëmarrës në ekspozitë.

“Ekspozita titullohet ‘Grand Art 1970-2000’, dhe janë prezantuar gjithsej 27 artistë me rreth 50 vepra të paraqitura të mediumeve të ndryshme duke u nisur nga piktura, grafika, skulptura, tapiceritë, artizanatet dhe mozaiku. Grand Art me artistë të mëdhenj të artit pamor të Kosovës ku prezantohen gjenerata e parë e artit të Kosovës deri tek ditët e sotme. Fokusi është vitet e 70-ta pikërisht tek gjenerata e parë e artit pamor të Kosovës që nis edhe këtu historia e artit pamor të Kosovës”, thotë Ballazhi.

Sipas tij, numri 50 lidhet edhe me 50 vjetorin e krijimtarisë të këtyre veprave.

“Fati i madh që Galerisë Kombëtare të Kosovës apo në koleksionet e Galerisë i bashkëngjitet një koleksion tjetër që është një pasuri e trashëgimisë së arteve. Ne do të prezantojmë këtu një art të madh dhe art të gjeneratës së parë. Ndërsa, mos të harrojmë që kemi mozaikun e doajenit tonë, piktorit Muslim Mulliqi që ndodhet në objektin Grand që mund të vizitohet çdo ditë”, përfundon Ballazhi.

Ndërsa, për të treguar për dokumentarin ndaj rrugëtimit të kësaj ekspozite, foli gazetarja Jeta Xharra.

“Rrëfimi i Grandit fillon në vitin 1978 por rrëfimi fillon në vitin 2017 kur Vesa Sahatçiu, historiane e artit ka treguar se dikush dëshiron ta privatizojë. Pjesa më e dhimbshme e gjithë kësaj historie është se nga viti 2014 Ministria e Kulturës ka evidentuar cilat janë punimet që ekzistojnë dhe në fund punëtorëve të Grandit iu është drejtuar me fjalët: ‘’E tash ruajeni’’. Këtu ka diçka tjetër që nuk është e ditur’’, thotë Xharra.

Sipas saj, në fakt kanë ekzistuar gjithsej 364 punime ndërsa sot janë vetëm 125. 239 punime mungojnë.

Tutje, drejtori i Grand Hotelit, Isa Rexha dhe në emër të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, përfaqësuesja e tyre, të cilët janë shprehur se ndjehen mjaft të lumtur e krenarë që janë pjesë e kësaj ceremonie.

Pas këtyre fjalimeve, të pranishmit me padurim po hynin brenda një nga një. Pikturat e llojllojshme e të madhësive nga më të ndryshmet, grafikat, skulpturat, artizanatet dhe tapiceritë kishin zënë vend në një hapësirë që i ngjasonte një gjysmëhëne, po njëlloj sikur ajo që i shoqëroi të pranishmit teksa ata pritnin jashtë për të hyrë.

Audienca fillimisht pati rastin të zgjedh në cilën anë dëshironin të nisnin këtë eksperiencë për shkak se të dy anët e Galerisë Kombëtare të Kosovës posedonin këto vepra artistike. Skulptura e artistit Radoslav Musa Miketić, ishte ajo që vërehej direkt përballë hyrjes në ekspozitë e që në mesin e bardhësisë, ngjyra e kaftë e saj po dominonte atë hapësirë të dedikuar për të e që pothuajse po portretizonte një njeri të cilin e kishte kapluar ari tërësisht. Kurse, për ata që kishin zgjedhur anën tjetër, pikturat dhe grafikat e shumta të vendosura njëra pas tjetrës në një vijë horizontale e që në vete ngërthenin një gjendje fort të ngatërruar e cila shprehej përmes një ngjyrave të errëta që po përçonin emocione dhe ndjenja të panjohura dhe po zgjonin kureshtjen e shumtë për ta parë nga afër e për të deshifruar kuptimin e tyre të veçantë.

Ndërkohë, piktura që ndodhej në mesin e katit të poshtëm për arsye të madhësisë së madhe të saj, si ajo e artistit Nazmi Sadiku, ishte piktura që posedonte një hipnotizim më vete, një pikturë që qetësisht e papritmas kaplonte syrin e çdo kujt me madhështinë e ngjyrave të ndezura e të hapura të cilat përhapnin një magnet në horizont e po rrethonin ëmbëlsisht të pranishmit me strukturën e gjallë të ngjyrave vibrante të cilat ishin të përziera sipas dëshirës së caktuar e që para publikut kjo strukturë erdhi në një formë aq egocentrike sa që nuk të lejonte ti largosh sytë për asnjë çast nga pamja mahnitëse.

Ndërsa, piktura e artistit Nikos Kanelos, një pikturë që po ashtu përmbante ngjyra të ndezura, dha një iluzion se artisti kishe shkrirë një perëndim të diellit në një formë të artit. E ky perëndim i gërshetuar me goditjet e furçës së piktorit solli para publikut vija të ashpra që në mëdyshje rrjedhnin në njëra tjetrën.

Tutje, në katin e sipërm të Galerisë Kombëtare, skulptura e ndriçuar nga një dritë e ngrohtë, priti publikun dhe njëkohësisht i sulmoi ata me një ndjenjë e emocion që vështirë se përshkruhet dot. Skulptura që po shfaqte dy persona të ulur në një stol, e që dukeshin se po komunikonin me njëri-tjetrin dhe hija e tyre prapa në murin e kaltër mbyllët, erdhi në një formë që kërkonte vëmendjen e gjithsecilit për të admiruar një komunikim që shpesh herë qeniet njerëzore e marrin për të mirëqenë ditë pas dite.

Pastaj, dy tapiceritë e vendosura përballë njëra-tjetrës e të cilat erdhën në forma krejtësisht ndryshe, kishin kapluar pothuajse dy mure të mëdha e prezenca e tyre verbuese solli një dilemë se cila tapiceri të admirohet më parë. Por, përveç këtyre punimeve artistike të përmendura, pikturat, grafikat dhe artizanatet e shumta të tjera të artistëve u shfaqën në një mënyrë tejet të veçantë e shumica prej tyre posedonte një kuptim e emocion në vete që përcillej tek publiku dhe depërtonte tek shpirti i tyre.

Artistët pjesëmarrës në këtë ekspozitë ishin: Agim Çavdarbasha, Agim Salihu, Bahri Dranҫolli, Božidar B. Prodanović, Budim Berisha, Faik Krasniqi, Fatmir Krypa, Fatmir Zajmi, Gjelosh Gjokaj, Hamdi Terziqi, Hysni Krasniqi, Matej Rodiqi, Mehmet Behluli, Mikel Gjokaj, Muslim Mulliqi, Nazmi Sadiku, Nikos Kanellos, Radoslav Musa Miketić, Rexhep Ferri, Rrustem Bujupi, Shyqri Nimani, Simon Shiroka, Skender Idrizi, Stevan Čukić, Tomislav Trifić, Xhevdet Xhafa dhe Zoran Jovanović.

Me datë 24 dhjetor 2020, Qeveria e Republikës së Kosovës ka nxjerrë vendimin nr. 07/52 për shpronësimin e veprave artistike të cilat gjendeshin në hapësirat e NeëCo Grand Hotel sh.p.k. dhe me datë 21 janar 2021 është bërë pranim-dorëzimi i veprave artistike nga Agjencia Kosovare e Privatizimit tek Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, përkatësisht tek Galeria Kombëtare e Kosovës.

Ekspozita do të jetë e hapur deri me datë: 28.08.2021/ KultPlus.com

Hapet tenderi për rikonstruksionin e Galerisë Kombëtare të Arteve

Ministria e Kulturës ka hapur tenderin ku fton të aplikojnë firma konsulente, të cilët duhet të dorëzojnë projektin e tyre deri më 20 gusht, shuma e vënë në dispozicion për rikonstruksionin e këtij institucioni është 12.5 mln lekë.

GKA është një institucion kombëtar qendror që ka për qëllim prezantimin, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në fushën e arteve pamore. Që prej vitit 2007 gëzon statusin e monumentit të trashëgimisë kulturore.

Ajo hapi dyert në vitin 1946 me një sipërfaqe ekspozimi rreth 5.300 m², fillimisht si pinakoteke, për t’u hapur zyrtarisht si GKA 10 vie më vonë, në vitin 1956. Në të ruhen rreth 4.000 vepra arti të autorëve shqiptarë dhe të huaj, të cilat përfshijnë një periudhë të gjatë kohore që nga shekulli XIII e deri në ditët e sotme. Që prej vitit 1999 është hapur për publikun një bibliotekë e Galerisë, ku mund të shfrytëzohen albume, revista, kritikë letrare mbi artet figurative.

Në vitin 2009 GKA pësoi një ndërhyrje cilësore, por me sa duket të pamjaftueshme, pasi kushtet në të cilat ekspozohen veprat e artit nuk janë në parametrat e duhur. Në janarin e vitit 2017, ekspertë italianë vunë në dukje mungesën e theksuar të kushteve të ekspozimit në GKA, duke nisur që nga sistemi i lagështisë, temperatura në të cilën duhet të ekspozohen veprat, sistemi i munguar i kamerave e shumë mangësi të tjera, shkruan gazeta-Shqip.com
Pas mbylljes së aplikimeve dhe shqyrtimit të tyre pas datës 20 gusht, do të shpallet edhe fituesi, i cili duhet të ekzekutojë projektin e tij të rikonstruksionit deri në 5 muaj pas lidhjes së kontratës./ KultPlus.com

“Edi Hila: Piktor i Transformimit”, bëhuni pjesë e 7,255 vizitorëve të ekspozitës

Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, ka bërë ftesë publike që edhe ju të bëheni pjesë e 7,255 vizitorëve që kanë vizituar deri tani ekspozitën “Edi Hila: Piktor i Transformimit”, në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë, hapur që nga data 24maj.

Ekspozita është kuruar nga Joanna Mytkoëska, Kathrin Rhomberg dhe Erzen Shkololli
Arkitektura e ekspozitës nga Büro Meyer-Grohbrügge

“Edi Hila: Piktori i Transformimit” është një projekt i përbashkët i Galerisë Kombëtare të Arteve, Muzeut të Artit Modern të Varshavës dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë.

Ekspozita mund të vizitohet gjatë orareve 9:00 – 19:00, hyrja e fundit 18:30, çdo ditë, nga e hëna në të diele.
Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 29 korrik 2018.

Për çdo informacion shtesë në lidhje me guidat, apo orët e edukimit në kuadër të programit “Edukimi përmes Kulturës”, mund të kontaktoni në 04 222 60 33, ose të shkruani në [email protected]. /KultPlus.com

Sot në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Edon Muhaxheri me alfabetin e harruar shqiptar

Artisti Edon Muhaxheri, tanimë edhe profesor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sjellë ekspozitën e tij në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Bëhet fjalë për prezantimin ‘Evetari – Ringjallja e alfabetit të harruar shqiptar’.

Edon Muhaxheri është artist i diplomuar në RIT Kosova, shkruan KultPlus. Në maj 2017, ai prezantoi temën e diplomës së Masterit në Artet e bukura. Evetari, i cili fokusohet në ringjalljen e alfabetit origjinal të harruar, nga libri i parë Shqiptar ABC në vitin 1844.

Për mbrojtjen e temës së Edonit, MFA në Praktikën e Ilustrimit në Institutin e Maryland, Kolegji i artit aranzhoi prezencën e Ellen Rixford, një artist i mirënjohur dhe kontribuues në botën e sotme të automatizuar.

Puna e tij autentike i siguroi një intervistë me Steven Heller për Magazinën PRINT, e cila u pasua me shfaqjen në GDUSA, AIGA Eye on Design, Design Week, How Things Work, dhe media tjera lokale dhe ndërkombëtare, duke përfshirë KultPlus, AFP, KOHA, Prishtina Insight, Flatra dhe shume tjera. Së fundmi, programi Fulbright ka shënuar punën e Edonit me një storie personale në blogun e tyre zyrtar.
Ai ka prezantuar punën e tij disa herë në MICA, Ambasadën e Shqipërisë në DC, dhe në Universitetin George Washington, gjatë ngjarjes së Fulbright, shkruhet mes tjerash në prezantimin e artistit nga Galeria Kombëtare e Kosovës.

Këtë nëntor Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë, së bashku kanë ftuar atë të prezantojë punën e tij në Korçë, vendlindja e Naum Bredhit, autorit të librit të parë Shqiptar ABC, në vitin 1844.
Edoni është i angazhuar si mësim-dhënës në studimet postdiplomike MFA in Illustration Practice, dhe ‘Eksperienca e vitit të parë’, niveli bachelor, në Maryland Institute, Kolegji i Artit në Baltimore.
Ekspozita në fjalë do të hapet me 1 dhjetor, në ora 18:00 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. / KultPlus.com

1 mijë piktura në një ekspozitë për t’i sjellë bibliotekën Fakultetit të Arteve

Në muret e Galerisë Kombëtare të Kosovës ishin ngjitur 1 mijë piktura, duke prezantuar kështu ekspozitën “1 në 1000” e cila përmbledh punën e studentëve të Fakultetit të Arteve të nivelit master, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

1000 pikturat me format 11x11cm të vendosura kryesisht në vijë të drejtë njëra-pas tjetrës duke lënë kështu shumë pak hapësirë brenda tyre drejtonin vizitorët në një rrugëtim të gjatë e të pasur të artit pamor. Në këtë ekspozitë ishte shkrirë puna e rreth shtatëdhjetë studentëve të Fakultetit të Arteve, nga të gjitha degët e departamentit të arteve figurative, nga programi master.

Ky projekt i filluar si një ide rezultoi me një qëllim kryesor që të mbledhë bazë materiale për realizimin e bibliotekës në kuadër të Fakultetit të Arteve, që përmes saj të inkuadrohen edhe fushat tjera që lidhen me artin.

Arta Bunjaku Agani, drejtoreshë në Galerinë e Arteve këtë ekspozitë e cilësoi si risi për Galerinë Kombëtare të Kosovës.

“Nga ana ime si nikoqire e kësaj ekspozite mund të them se për Galerinë Kombëtare kjo ekspozitë është risi sepse asnjëherë nuk janë ekspozuar 1000 piktura në një vend, këto piktura janë të vogla por kanë premtime të mëdha. Po ashtu duhet ta shohim këtë projekt si një porosi shumë të rëndësishme që është një thirrje vetdijësuese për mosekzistimin e një tregu të artit në Kosovë”, tha Arta Bunjaku Agani në hapjen e kësaj ekspozite.

Në këtë projekt përveç studentëve janë të përfshirë edhe punimet e disa profesorëve kurse ideja e këtij projekti është zhvilluar gjatë ligjëratave të lëndës “Zhvillimi dhe menaxhimi i ideve dhe koncepteve kreative” në kuadër të takimeve të vazhdueshme të studentëve me profesorin Orhan Kerkezi.

Profesori Kerkezi, në hapje të ekspozitës theksoi se ky rrugëtim me 1000 mijë piktura nuk do të ndalet me këtë ekspozitë.

“Ideja ka qenë se si të bëhemi bashkë dhe bashkë kemi ardhur në 11 centimetra dhe në 1000 mijë piktura. Ky rrugëtim nuk do të ndalet këtu por do ta vazhdojmë me katër universitete të tjera, 2019 është projekti ynë me 10 mijë piktura, 2020-shi me 100 mijë dhe 2022-shi me 1 milion piktura”, kështu u shpreh në fjalimin e tij hyrës Orhan Kerkezi, derisa përfundoi me një fjali që shprehte krenarinë e tij për vendin, “Jam shumë krenar që jetoj në Kosovë” tha Kerkezi në përfundim të ceremonisë hapëse.

Engjëll Berisha njëri nga organizatorët e këtij projekti ka sjellë rreth tridhjetë punime në këtë ekspozitë. Ai për KultPlus, tregoi për detajet e realizimit të kësaj ideje ndërsa shtoi se një projekt i tillë me ekspozim të një numri kaq të madh të punimeve nuk është krijuar më parë diku në botë.

Ne së bashku me profesorin Orhan Kerkezi e kemi mbajtur lëndën “Zhvillimi dhe menaxhimi i ideve dhe koncepteve kreative” dhe në kuadër të saj e kemi pasur për detyrë ta krijojmë një projekt dhe kështu kemi arritur bashkimin e ideve. Gjatë kësaj kohe, e kemi praktikuar një sistem që është dashtë me e ngrit dorën dhe ku ideja është dashtë të miratohet nga tërë grupi në mënyrë që të vazhdoj zhvillimi i projektit. Ka qenë një ide bazë, mandej e kemi rafinuar kurse edhe për rafinimin e ideve e kemi praktikuar sistemin e njëjtë me ngritjen e dorës, dhe kështu kemi ardhur deri tek ideja e krijimit të 1000 punimeve, madje kështu kemi ardhur edhe tek ideja që këto punime t’i shesim në mënyrë që ta krijojmë një bibliotekë të fakultetit e cila është shumë e nevojshme për neve si studentë”, ka thënë Berisha për KultPlus.

Ai me tutje tregoi se biblioteka që do të krijohet me fondin e këtyre pikturave do të quhet “Biblioteka Plus” dhe do të jetë një hapësirë në Fakultetin e Arteve e cila do të shërbej si bibliotekë dhe njëkohësisht “Plusi” nënkupton hapësirën rekreative në të cilën studentët mund të mblidhen dhe të mbajnë workshop-e.

Piktori Hajrush Fazliu, vlerësoi së nisma të tilla qoftë nga studentët dhe të njerëzve si profesor Orhan Kerkezi vetëm kontribuojnë në pasurimin e artit pamor.

“Kjo është një befasi e këndshme për artdashësit ku përmes pikturave të vogla ideore prezantohet një art i mirëfilltë. Ashtu siç e kishte quajtur ditë më parë Elmaze Nura, kjo mund të jetë një diplomaci e re kulturore dhe me këtë diplomaci mund të rrugëtojmë drejt vendeve të civilizuara”, u shpreh piktori Fazliu për KultPlus.

Deri më tani janë shitur rreth gjysma e punimeve ndërsa kjo ekspozitë do të jetë e hapur vetëm gjatë ditës së nesërme ndërsa pikturat e shitura do të mund të merren nga blerësit duke filluar nga ora 12:00 deri në orën 16: 00. / KultPlus.com

Një nga artistet më të famshme bashkëkohore prezantohet në Tiranë

Në Galerinë Kombëtare të Arteve u hap ekspozita “Vizatime, Objekte dhe Video të Përzgjedhura” e artistes gjermane Rosemarie Trockel. Artistja bashkëkohore vjen për herë të parë në GKA. Bashkëpunimi më Ambasadën Gjermane në Tiranë dhe Institutin për Marrëdhëniet me Jashtë (ifa), realizohet në kuadër të Tetorit Gjerman dhe ekspozita është një nga aktivitet kulmore të këtij kalendari, shkruan KultPlus.

Në ceremoninë e përurimit të ekspozitës morën pjesë presidenti i Republikës Ilir Meta, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë Susanne Schutz, kuratorja e ekspozitës, An Paenhuysen.

Presidenti i Republikës Meta theksoi ndër të tjera se shkëmbimet kulturore midis dy vendeve Shqipërisë dhe Gjermanisë janë rritur.

Kurse, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro u shpreh se ekspozita e sjell këtë artiste në Shqipëri si pjesë e kalendarit të Tetorit Gjerman, i cili ka aktivitete shumë të mira. “Ky është bashkëpunimi i radhës mes dy vendeve. Pas hapjes së ekspozitës dy vite më parë në Dyseldorf, ja ku jemi përsëri me një tjetër bashkëpunim i cili ndihmon kulturën, artin dhe promovon artistët shqiptar dhe ata gjerman”, pohoi Kumbaro.

Rosemarie Trockel vlerësohet si një nga artistet më të famshme bashkëkohore sot në shkallë globale, e cila e shpreh vështrimin e saj krejtësisht vetjak për botën me anë të objekteve, skulpturave dhe instalacioneve. Kjo ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve i mundëson publikut shqiptar për herë të parë një udhëtim eksplorues në veprat e kësaj artisteje shumëdimensionale: duke nisur nga vizatimet, fotografitë, tablotë e famshme me thurje e deri tek “Malmaschine” dhe video-instalacionet.
Skena artistike, e dominuar për kohë të gjatë nga meshkujt, e ka nxitur Rosemarie Trockel-in qysh herët për kundërvënie ndaj saj. Ajo vazhdimisht formulon pozicione kundërshtie dhe pasqyron pikëpamjen e saj si një përfaqësuese e botës së theksuar artistike femërore, dhe nuk kursehet as me kritika parimore ndaj sistemit ekzistues të artit. Por, pavarësisht qëndrimit të saj kritik, veprat e Rosemarie Trockel-it shfaqen për vizitorin si projektime të vrullshme mendimesh plot fantazi dhe si skica artistike qartësisht bindëse. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 3 dhjetor./KultPlus.com

“Unë jam në harmoni” punëtoria që do ti mësojë të rinjtë në artin vizuel

Nesër, prej orës 13:00 do të mbahet punëtoria e organizuar nga Galeria Kombëatre e Kosovës, e titulluar “Unë jam në harmoni”, projekt ky në kuadër të edukimit.

“Ftohen të rinjtë e moshës 13-15 vjeç të jenë pjesëmarrës në punëtorinë e organizuar nga GKK në kuadër të programit të edukimit. Përmes kësaj punëtorie të rinjtë do të njoftohen me teknika të reja dhe krejt te lira të artit, duke u shprehur lirshëm në mënyrën e transmetimit direkt të emocioneve të tyre përmes artit “, kanë njoftuar organizatorët e kësaj ngjarje.

Të rinjtë do të mësojnë si ta njohin dhe ta interpretojnë artin vizuel, duke mos u kufizuar vetëm në artin tradicional, por edhe format bashkëkohore të shprehjes artistike dhe konceptuale. Koncepti i ëorkshopit me titull “Unë jam në harmoni” përkon me shprehjen mjaft individuale të secilit pjesëmarrës ku përmes materialeve të ofruara do të kenë mundësinë që në mënyre aplikative të krijojnë instalacion duke formuar imazhe vizuele. Gjatë punës do të asistohen nga trajnerja Vlora Hajdini – Hajrullahu/KultPlus.com