E ‘vodha’ një mëngjes

Poezi e shkruar nga Klara Buda.

Sa praroi drita, përqafova agimin
Varur rreth supit të tij,
Vrapova.
Aq larg sa askush s’do t’më ndalonte,
Aq larg sa askush s’do t’ma pushtonte,
Agimin tim,
Blunë e mrekulluar,
E të pashijuar, as edhe një mëngjes.
Putha prarimin, flladin
E zbraza brengën, mallin
E laga syrin, mbresën
Dhe e rinova shpresën.
Me afshin tim,
Nën fantazinë time,
Sipas mënyrës sime.
Pa ata rregullin e paracaktuar,
Në idealet e imponuar.
Jetova mëngjesin tim të parë,
Qoftë kjo e mënçur a e marrë !
Në të u shkriva,
U bëra një me k’të mëngjes,
Qoftë ky i fundit,
Që i lirë do të më mbesë !

Jonufer 30 Qershor 1989

Kjo poezi është shkruar, një mëngjes, në një aksion rinie. Mesazhi is aj është i qartë, ai shpreh revoltën e autores kundër idealeve të imponuar dhe pushtimit të hapësirës individuale nga kolektiviteti…

Me dashtë nuk asht me pasë

Poezi e shkruar nga Eli Krasniqi. Eli është socio-antropologe, shkrimtare dhe aktiviste.

Me dashtë nuk asht me pasë
Mjafton me e ditë që dy copa qielli
Shohin, vështrojnë dhimbën njerzore,
Durojnë, falen, privohen, falin
As nuk flasin për netët e (sh)qetësisë
Veç zemrën jashtë e gdhendin e gurin brenda
e mekojnë.
Me dashtë asht mos me u shfaqë, veç me heshtë
Zvarrë zvarrë netve si bubrreci në tokën e zezë,
pa hetueshem lindjen e diellit me ndjekë,
për me i pa dy copa kaltrie që vështrojnë,
që reshin, qeshin, vransohen.
Me dashtë asht veç me ndje, nji prani n’ajr
Kur gjithçka përreth n’kristale drite e shndërron.

S’më kujtohet çfarë stine ishte…

Poezi e shkruar nga Ismail Kadare.

S’më kujtohet çfarë stine ishte
Sdi përse qëlloi që u ndamë
Di se ditët e mia, pa ty ishin
Të turbullta si në gjendje nokdauni.

Pa ty ishin lajmet e mbrëmjes,
Evropa,
Dimri mbi Azi.
Pa ty,
Stolit vjeshtor diçka i mungonte
Dhe pishinës në periferi.

Diçka i mungonte të shtunës
Po bota kish mbetur po ajo
Po ata qenë të pushkatuarit e komunës
Dhe kufijtë shtetërorë po ato.

Ti atëherë atë vajzë lëre
Siç e leme cigaren me zor

Që të dëbosh nikotinën e verdhë
Nga shpirti dhe nga gishtat e tu,
Që peizazheve të jetës tënde
Hëna të bjerë si dikur.