Në 102-vjetorin e lindjes së poetit, shpallet Çmimi letrar “Vexhi Buharaja” në letërsi

Me rastin e 102-vjetorit të lindjes së dijetarit, përkthyesit, studiuesit dhe poetit Vexhi Buharaja, Bashkia Berat shpall Çmimin letrar “Vexhi Buharaja” në letërsi, përcjellë KultPlus.

Çmimet janë të ndara sipas kategorive të përcaktuara në thirrjen që ka shpallur Bashkia Berat dhe do të jepet nga një çmim për secilën prej kategorive.

Anëtarë të jurisë janë: Ymer Çiraku, Alda Bardhyli, Ndue Ukaj, Aleksandër Cipa dhe Yzedin Hima.

Gjinitë letrare të cilat do të zhvillohet ky çmim:

1.Cikël poetik me 7 poezi

2.Ese letrare me titull: “Poezia e ndritshme e Vexhi Buharasë”

2.1.Ese letrare me titull :“Mrekullitë poetike të Firdeusiut e Sadiut dhe përkthyesi Vexhi Buharaja”.

3.Cikël me 9 poezi të përkthyera.

Afati i dorëzimit të krijimeve për konkurrim është data 30 prill 2022. Fituesit e konkursit do të shpallen më 12 maj 2022 në 102-vjetorin e lindjes së Vexhi Buharasë.

Të gjithë tekstet mund t’i nisni në [email protected] / KultPlus.com

Akademia e Shkencave e Shqipërisë rikandidon Ismail Kadarenë për çmimin ‘Nobel’

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në nderim të 85-vjetorit të akademikut Ismail Kadare, do të organizojë një veprimtari shkencore me temën “Ismail Kadare, shkrimtar shqiptar në letërsinë botërore”, përcjellë KultPlus.

Gjatë kësaj veprimtarie do të prezantohen disa kumtesa dhe pas  kumtesave, Akademia ka bërë me dije se do të jepet edhe njoftimi për rikandidimin e shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin Nobel në Letërsi nga kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi.

Veprimtaria do të mbahet më 28 janar 2021, ora 12.00, në Akademinë e Shkencave, në sallën “Akademikët”. / KultPlus.com

TO GO WITH STORY BY LAURENT LOZANO Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP on February 8, 2015 in Jerusalem. Born in 1936 in the Albanian mountain town of Girokaster, Kadare has won a number of prestigious prizes including the first international Man Booker Prize in 2005. AFP PHOTO/ GALI TIBBON

Kongoli: Gruaja as në letërsi nuk mund të zotërohet, kështu e ka bërë Zoti

Me një krijimtari intensive, pas Kadaresë, Fatos Kongoli është shkrimtari më i përkthyer në gjuhë të huaja.

I konsideruar shkrimtari i tranzicionit, veprat e tij mbajnë dhimbjen dhe trazimet shpirtërore në Shqipërinë e pas viteve ’90; jo pak herë librat e tij janë bërë fokus i debateve për pësimin e individit në një shoqëri si e jona, të egër e të ashpër, ndërsa flet se si kanë lindur personazhet e tij, në një proces krijues unik ku kanë ndikuar Balzak, Kamy, Çehov…

Kohë më parë, në një bisedë me Violeta Muratin, Kongoli kishte treguar se në çdo libër që ka shkruar gruaja është personazhi qendror dhe asnjë nga personazhet e tij nuk mund të realizohej pa një grua.

Çdo libër që keni shkruar ka një histori dashurie. Cila grua ka ekzistuar në librat tuaj apo, ajo, është brenda burrave rebelë të letërsisë që shkruani?

Është e drejtë, në çdo libër që kam shkruar, gruaja është personazh qendror. Asnjë nga personazhet e mi nuk mund të realizohej pa një grua. Për mua, letërsia është një grua e bukur mbas së cilës kam shkuar gjithë jetën pa e zotëruar dot kurrë. Ajo as në letërsi nuk mund të zotërohet, kështu e ka bërë Zoti. / KultPlus.com

Ndahen çmimet kombëtare të letërsisë për vitin 2019

Ministria e Kulturës së Shqipërisë në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit në një ceremoni ka ndarë çmimet kombëtare të letërsisë për vitin 2019, shkruan KultPlus.

Nën praninë e shkrimtarëve fitues dhe aktorëve të cilët sjellën interpretimet artistike u organizua ceremonia në të cilën u shpërblyen disa emra të letërsisë.

Juria e kryesuar nga poetja Natasha Lako dhe anëtarët: Lindita Arapi, Sadik Bejko, Thoma Jançe, Ermir Nika kishte vlerësuar të gjitha veprat e konkurrentëve, teksa kishte vendosur se cilat veprat meritojnë të shpërblehen.

Romani më i mirë 2019, u shpall vepra “Diktatori në kryq” nga Mira Meksi. Juria kishte vendosur për dhënien e këtij çmimi ndaj Meksit për krijimin e vlerave dhe risive origjinale në prozën romanore shqipe, ku ndërthuren mjeshtërisht motivet e një historie besimi në trajektoren e një epoke politike, atmosferën dhe prirjen për rikthim në realitetin që tashmë nuk i përket më.

Llambro Ruci me veprën “Iliada” fitoi çmimin përkthimi më i mire 2019, teksa motivacioni për këtë ishte: “Për prurjen në shqip të një pasurie të madhe gjuhësore, një larmie strukturash poetike, të vargut, të figurës dhe duke i qëndruar besnik narrativës së një mjeshtri si Homeri”.

“Arbërishtja në rrjedhë të shekujve” nga Matteo Mandala u vlerësua si vepra studimore më e mire 2019, për motivacionin:  “Një studim që na shfaq një tablo të qartë të prirjeve të albanologjisë së sotme arbëreshe nëpërmjet analizës së Fjalorit të Da Lecce-s, dhe ku arrihet në zbulimin e kuptimeve të zhdukura dhe rindërtimit të strukturave kuptimore të fjalëve dhe zhvillimit të brendshëm të etnonimit të shqiptarëve”.

Në anën tjetër, ishte Romeo Çollaku ai i cili fitoi çmimin përmbledhja me tregime më e mire 2019 me veprën “Mikrobus”. Këtë e arriti për sjelljen e një proze me një gjuhë të çlirët e të nuancuar në ngjyra, e cila vihet në shërbim të emocionit që përcjellin tekstet e tregimeve të tij me situatat dhe personazhet e përshkruara me gjallëri.

Për çmimin vëllimi poetik më i mire 2019, vepra “Shtjellë reje, shtjellë zjarri” e Alisa Velaj u vlerësua për shkak se libri sjell vlerë në poezinë bashkëkohore shqipe nëpërmjet frymës ekzistenciale, imazheve dhe meditimit që mbartet midis vargjeve të saj.

Shkëlzen Zalli fitoi çmimin letërsia për fëmijë më e mirë 2019, nëpërmjet veprës “Kartolina e zileve”, Shkëlzen Zalli” me motivacionin:

 “Duke plazmuar majën e përvojave të tij si poet, nëpërmjet lartësimit të fjalës dhe poezisë së tij në nivelin e mjeshtërve të letërsisë për fëmijë”.

Aktorët e Teatrit Kombëtar, Ina Gjonçi dhe Dritan Boriçi u kujdesën për interpretime artistike. / KultPlus.com

“Politikanët kurrë nuk e lënë hajninë për ditën e nesërme”

Poezi nga Xhevdet Bajraj

LIRIA… IX

Politikanët kurrë nuk e lënë hajninë
për ditën e nesërme
por vjedhin sot
ditën e nesërme ia kanë lënë popullit
E kanë kuptuar shejtanët
bastardët e atdheut
se fjalorit drejtshkrimor i mungon ajo pjesa
ku shpjegohet se e nesërmja
kurrë nuk vjen / KultPlus.com

Suad Arilla publikon veprën “Libri i kujtimeve dhe i harresës”, si një përpjekje për shpalosje brendie

Betejën e brendisë së njeriut mes kujtimeve të cilat rrojnë në mendje dhe përpjekjen e tyre për kalim në pluhurin e harresës, autori Suad Arilla i ka vendosur nëpërmjet lapsit në letër. Shkrimtari i ri ka sjellur librin e tij të parë me një titull simbolik “Libri i kujtimeve dhe i harresës”, shkruan KultPlus.

Arilla kishte mbushur fletët e tij për një periudhë të gjatë, gjithnjë duke ëndërruar që një ditë këto fletë të bashkoheshin në një vepër të kompletuar. Sukseset që arriti duke qenë konkurrues në “Libri i Karantinës’’ dhe fitues i çmimit për autorët e rinj në kuadër të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit e bën që këto përpjekje të tij të takojnë realitetin.

“Libri i kujtimeve dhe i harresës” nga juria e përzgjedhur nga QKLL u vlerësua si një roman që përcjell te lexuesi luftën e brendshme të personazheve, andaj KultPlus realizoi një intervistë me autorin i cili kishte shpalosur me fjalën e tij dimensione të ndryshme të protagonistëve.

Që nga takimi i parë i fletës me lapsin e deri te botimi, të gjitha këto procese deri në dritëdaljen e veprës, Suadit i kishin marrë 3 vite, teksa periudhën e pandemisë e kishte shfrytëzuar për redaktimin e “Libri i kujtimeve dhe i harresës”.

“Umberto Eco shprehej shpesh se shkrimtarët nguten të shkruajnë dhe botojnë libra sa më shpesh, madje edhe për çdo vit; kur ajo që sugjeron ai është të shijuarit e procesit të shkrimit dhe ripunimit të një libri, si diçka thuajse intime”, shprehet autori Arilla.

Romani ka 3 linja rrëfimi, përderisa sipas tij pjesa më e rëndësishme është ndikimi që ka e shkuara dhe kujtimet në përditshmërinë e personazheve.

“Kujtimet ose e shkuara jonë në tërësi janë ato çfarë na personifikojnë totalisht neve si njerëz. Në asnjë rast, ne nuk mund të jemi njerëzit e sotshëm pa marrë parasysh kush ishim dje. Mirëpo kujtimet, të mira apo të këqia qofshin, jo vetëm që mbesin pas në jetën tonë, por herë pas here kthehen dhe ndikojnë ditët tona. Ndaj ne jemi të “bekuar” me harresën, që ditë pas ditë, të kemi shansin të zgjohemi e të ndihemi njerëz të rinj”, vlerëson Suad Arilla.

Pikërisht këto botëkuptime të tij mes këtyre dy koncepteve e shtyen që t’i linte vend në titullin e veprës. Ndërkaq ai ka edhe përtej kësaj për emërtimin.

“Emri “libri” në titull, vjen si rrezultat i rrëfyesit të romanit, sepse aty pretendoj se kam bërë një “lojë” të bukur për lexuesin”, thotë shkrimtari.

Personazhi kryesor i veprës “Libri i kujtimeve dhe i harresës” është Golemi, për të cilin autori thotë se nuk ka antagonist, por herë pas here është vetë heroi pozitiv dhe negativ.

“Golemi, ndeshet në jetën e tij me shumëçka dhe kupton që është i paaftë, e ka të pamundur, është gjetur i papërgatitur për t’ia dalë mbanë, po aq sa jeta e tij shpesh herë kushtëzohet nga rrethana tjera që s’janë në dorën e tij”, sqaron Arilla.

Mirëpo, pavarësisht ndikuesve të jashtëm, shkrimtari ka dashur që vëmendjen e rrëfimit ta dërgoj drejt të brendshmes.

“Me gjithë sa jam përpjekur, jo vetëm me Golemin, por edhe me personazhet e tjerë, kam dashur të paraqes se ajo që ndodh jashtë nesh nganjëherë është shumë më e vogël se ajo që ndodh brenda nesh, në shpirtin tonë. Ajo që më intereson mua është të di ose të shpreh se si bota e jashtme ndikon tek ne apo reagimet tona të brendshme ndaj botës së jashtme.”, thotë autori.

Tutje, ai thekson se për të nuk është e rëndësishme se kush janë këto personazhe, aspekti vizuel i tyre, jeta që e çojnë dhe vendi ku frymojnë. Por, ajo që Arillës ia ngacmon vëmendjen është thellimi në një botë më të gjerë se kaq.

“Për mua ka shumë rëndësi që të shpreh botën e padukshme njerëzore, atë që ndodhet brenda lëkurës së secilit prej nesh, që nuk shihet as lexohet, mirëpo ne mund ta dallojmë vetëm nëpërmjet shpërthimeve të herë pas hershme”, shprehet Suad Arilla.

Autori i veprës “Libri i kujtimeve dhe i harresës” sqaron se ai shpreson se fokusi i të shkruarit të tij do të vazhdon të jetë në betejat e brendshme.

“Më intereson të di si ndihen njerëzit kur dikush largohet, kur dikush vdes, kur dikush rebelohet, kur dikush pendohet”, thekson ai.

Ndërkaq në pyetjen e vlerësimeve nga lexuesit ai tregohet modest, duke thënë se libri duhet të ‘shëtit’ ende në shumë diskutime e klube lexuesish për t’u përgjigjur.

“Publiku mund të reagojë menjëherë, pas 6 muajsh apo pas 10 vitesh nëse libri e bën rrugën e vet. Unë do shpresoja shumë vetëm që lexuesi shqiptar të mund të kthente kokën nga autorët vendas që po bëjnë letërsi të mirë dhe të mos i neglizhojnë”, shpreh dëshirën e tij Suad Arilla.

Në anën tjetër, ai beson se të gjitha temat e mundshme që mund të shkruhen si libër, janë konsumuar prej kohësh.

“Unë kam vendosur që për të sjellë diçka origjinale në letërsi ta bëj në dy mënyra: duke eksperimentuar me zhanret dhe format e rrëfimit. Kështu e nisa që me romanin e parë. Qasja ime do vazhdojë të jetë e lidhur me përplasjet në botën e brendshme njerëzore dhe eksplorimi i saj, të vendosura në një konteks social që përbën shqetësim për kohën dhe vendin ku jetojmë”, thotë Arilla.

Në fund, ai vlerëson se pavarësisht se preferon të mos kapet për detaje të kohës e vendeve, sërish letërsia që ai e bën nëpërmjet shkrimit nuk e shmang dot realitetin ku jetoj. / KultPlus.com

Murtaja, shkaktari pse Shekspiri ndërroi rrëfimin te ‘Mbreti Lir’

Drejtori artistik i kompanisë “Royal Shakespeare”, Greg Doran beson se ndryshimi i jetës nga murataja ka bërë që Shekspiri të ndërroj rrjedhën e rrëfimit të veprës ‘Mbreti Lir’, shkruan The Guardian, përcjell KultPlus.

“Ka një ndryshim të madh në ton në punën e tij të mëvonshme. Akademikët kanë spekuluar se kjo kishte të bënte me trazira politike dhe ndryshime, pas komplotit të barutit, por përjetimi i pandemisë këtë vit e ka bërë më të qartë për mua se çfarë fshihet pas saj, ”tha Doran. “Shekspiri thjesht nuk mund të shkruante komedi të drejtpërdrejta, ose t’i jepte një fund të lumtur për Lear.”

Ai argumenton se përvoja e Shekspirit për murtajën ishte aq e fuqishme dhe gjithëpërfshirëse sa nuk kishte nevojë ta përmendte atë në mënyrë të përsëritur në punën e tij. Si rezultat, studiuesit dhe drejtorët e arkivave të Shekspirit shpesh nuk kanë arritur të dallojnë efektin e murtajës në vepër.

Teatri Globe në Londër, në vitin 1598. Atëherë, si tani, një epidemi mbylli teatrot e Londrës, duke lënë aktorët dhe dramaturgët pa punë. Fotografitë: Koleksionisti i printimit / Getty

«Duke parë në regjistrin e pagëzimit në Stratford për 1564, kur lindi Shekspiri, ju mund të shihni emrin e një nxënësi të një endësi 11-vjeçar dhe nga një shënim i vdekjes së tij thuhet ‘hic incipit pestis’, nga latinishtja përkthehet si ‘ këtu fillon murtaja ‘. Ne e dimë se 200 njerëz vdiqën shpejt në qytet, rreth 6% e popullsisë”.

Murtaja e shekullit të 17-të do të kishte qenë profesionalisht shkatërrues për Shekspirin. Teatrot atëherë, si tani, ishin mbyllur dhe aktorët e dramaturgët nuk kishin asnjë punë.

“Kam menduar shumë për mbylljen e teatrove në 1603 për arsye të dukshme”, tha Doran. “Kur ndodhi në 1593 dhe 1594, Shekspiri shfrytëzoi kohën për të shkruar poezitë ‘Venus’, ‘Adonis’ dhe
‘The rape of Lucrece’. Por kur erdhi puna për të shkruar ‘Mbretin Lir’ në vitet 1600, pas gjithë asaj vdekje përsëri në 1603, ai nuk mund t’i jepte audiencës një fund të lumtur midis mbretit dhe vajzës së tij, Cordelia. “

Murtaja ndot gjuhën në shfaqje, duke formuar metafora dhe mallkime të tilla si “ethet e fuqishme dhe infektive” të përmendura në Timon të Athinës. Ai siguron gjithashtu një pajisje të rastit, si në Romeo dhe Xhulietë, ku një lajmëtar që mbante lajmin se Juliet falsifikoi vdekjen e saj është në karantinë dhe aq i paaftë për ta dhënë atë. Por Doran mendon se murtaja është përgjegjëse për shumë më tepër.

Si një aktor i ri, dramaturgu mendohet se është shfaqur në shfaqjen anonime historike ‘Mbreti Lir’. Kjo përfundon me një notë optimiste, megjithatë konsiderohet si një burim kryesor për lojën e tij të mëvonshme, shumë më të errët. Në dekadat që pasuan, një fund i lumtur shpesh qëndronte në versionin e Shekspirit për të kënaqur audiencat.

Se sa afër murtaja iu afrua familjes së Shekspirit mbetet e panjohur. Doran tregon se dramaturgut iu desh të varroste vëllain e tij më të vogël 27 vjeç, Edmund, i cili e kishte ndjekur atë në Londër. Tre vëllezër e motra të tjerë kishin vdekur të rinj gjatë shpërthimeve.

“Deri këtë vit, nuk e kisha menduar kurrë se sa i pasigurt mund të bëheshe për shkak të njerëzve që vdisnin rreth teje”, tha Doran. / The Guardian/ KultPlus.com

Prush n’gji

Poezi nga Xhevat Latifi

(Sërish me nanën)
Nana, vonë binte me fjetë
mbulonte fëmijte e më pas babës, i vinte dhe xhup.
Te e vona shkrifte flokët
E para fytyrë në mëngjes që shihja ishte nana:
-Zgjohu me shkue n’shkollë, mos vono!
Kështu kaluen shumë vjet
Nana mbulonte çdo zhurmë, çdo mungesë, mbulonte fëmijët edhe nga frika
Dhe nga nji shtet që vriste e hahej me botën se ishte i drejtë.
Nji ditë në gjykatën e Gjilanit,
nana përgjigjej për armën që kurrë s’e pamë,
ishte sajesë regjimi!
Nanë,- a frigohesh i thashë,
për me mund frikën time!
Nuk frikohet Nana!-dhe mbylli butë derën e gjykatës së pakuptimtë!
Çfarë arme ishte mbulesa e nanës
sall flakrat e nositit- gji i thellë…
*
Pas luftës nanës i ra nuri i paqes,
sërish binte vonë duke mbuluar fëmijët,
tash në katër anët e botës!
Pa shkuar kurrë në shkollë dinte përmendsh kohën
si matet në meridiane kohore
E ndante pensionin e pleqërisë me nipa dhe mbesa
luante lojën “një ty, një mua”
Gjersa një ditë drita ju ndal në qerpik!
*
Nanën kurrë s’e kam kuptuar pse aq shpejt ndizte zjarrin,
Nji ffyyyyy dhe zjarri bëhej murlan
Prushi i zjarrit t’nans m’vjen tash n’gji
Kur unë mbuloj fëmijët në dhomë,
a nga larg, nëpër qoshet e botës.
Zjarri i nanës gjithmonë rri ndezur! / KultPlus.com

Nëse ti je…

Poezi nga Elizabeta Qarri

Nëse ti je shiu, dua të lagem e të ndjej vërshimin tënd
mbi trupin tim të squllur.
Nëse ti je nata, dua të tretem e përhumbem
në largësitë e yjeve plot magji.
Nëse ti je dielli, dua të ngroh trupin që më dridhet
saherë ti shfaqesh pranë.
Nëse ti je era, dua të ndjej puhizën tënde
mbi gjinjtë e mi të harlisur.
Nëse ti je uji, dua t’më shuash etjen
e buzëve të thara.
Nëse ti je qielli, bardhësive të shtratit tënd
dua të të pres.
Nëse ti je deti, dua të zhytem e të prek thellësitë
e botës tënde.
Nëse ti je lumturia, dua të jem flaka që zjarrin
tënd se shuan kurrë.
Nëse ti je durimi,dua pranë teje të dorëzohem e
të të them sa shumë e jotja jam.
Nëse ti je ëndrra, dua nga gjumi të mos
zgjohem kurrë.
Nëse ti je dehja, dua të jem epshi e dashuria
që shpirtërat tanë i bën të gjallë. / KultPlus.com

Duhet kërkuar…

Poezi nga Nerimane Kamberi

Duhet kërkuar dashurinë
Se ndryshe nuk bën
Të kërkohet kudo që është strukur
Nën harqet e kishës së vjeter maje fshati
Një ditë mgjegulle dhe shiu
Në lavrat e tokës së lëvruar
Se toka është dashuri
Në faqet e librave të shenjtë, por edhe të të tjerëve
Duke hapur dyertë e librarive të mbyllura,
Po t’është nevoja.
S’duhet ndalur së kerkuari
Qoftë edhe duke mbetur pa frymë
Në vrapim e sipër
Se frymë po kerkojmë
Ndoshta është lart, në mesin e gjetheve,
Që i perkedhel era e lehtë në pranverë,
Ndoshta është poshtë, në mesin e gjetheve,
Që i shkel këmba në vjeshtë.
E kur të gjindet,
Të mbulohet me nje copë mëndafshi
E të stërpiket me ca pikë ujë trëndafili.
Duhet kërkuar dashuri
Se ndryshe s’bën
Se vetëm ajo na shpëton.
E pastaj, të harrohet e tëra. / KultPlus.com

Mensur Raifi, vepra e të cilit është një pasuri e veçantë kritike, interpretuese e studimore

Medina Pasoma

KultPlus Caffe Gallery u bë mbrëmë vendtakim i artdashësve, për të kujtuar shkrimtarin, kritikun dhe profesorin Mensur Raifi, në “Orën e Shkrimtarit” të organizuar nga Pen Qendra e Kosovës, shkruan KultPlus.

Ish-studentë, lexues e dashamirë të tij kishin zënë vendet e tyre për të kujtuar përkthyesin e profesorin e Letërsisë frënge në Universitetin e Prishtinës, Mensur Raifin.

Për studentin e gjuhës dhe letërsisë frënge në Beograd, doktorantin në Zagreb, gazetarin e kulturës në ‘Rilindje’, përkthyesin në shqip të Bodlerit, Rimbautit, Verlaine e poetëve të tjerë francezë dhe autorin e një sërë kritikave, panelistët Gëzim Aliu e Flamur Maloku dhe moderatorja Nerimane Kamberi patën për të folur shumë.

Teksa nisi ta hap diskutimin, ligjëruesja universitare Nerimane Kamberi ndau mendimet e saja për ish-profesorin e saj. Ajo rrëfeu se në vitin 1990 në Paris kishte takuar profesorin Predrag Matvejeviç, me të cilin pati diskutuar edhe për Mensur Raifin.

“Biseduam për letërsi, për Jugosllavinë që po shpërbëhej dhe për profesorin tim Mensur Raifin. Predrag Matvejeviç e njihte atë. Dhe më tha: “Ai do të duhej të ishte në Sorbonë”. Sigurisht vlerësim i madh nga një personalitet i kalibrit të shkrimtarit ‘jugosllav’, u shpreh Kamberi.

Ajo vazhdoj tutje duke thënë se Mensuri pasuroi studimet shqiptare me hulumtimet dhe përkthimet e tij rreth Lasgushit, Nolit e sidomos me autorë francez.

“Profesor Raifi solli një mënyrë ndryshe të të shpjeguarit letërsinë në një sistem arsimor ende ‘tradicional’ dhe socio-realist. Lirisht mund të themi se ishte avant-gard si pedagog”, vlerësoj Nerimane Kamberi.

Duke e bërë pyetjen në fund “Avangarda paska vdekur me prof. Raifin?”, ajo ia dha fjalën panelistit të parë, Gëzim Aliut. Ai kishte përgatitur një studim të thellë rreth kritikës letrare që kishte dhënë ndër vite Mensur Raifi, teksa e nisi fjalimin për veprën “Mbi poezinë bashkëkohëse shqiptare”.

“Sipas Raifit, në zhvillimin e poezisë bashkëkohore janë vërejtur dy koncepcione dhe tendenca: ai mbi poezinë si rezultat i frymëzimit, kurse poetët e këtij koncepcioni i quan “gjenerata e Migjenit”; dhe koncepcioni mbi poezinë si kërkim i thënies poetike në format e mendimit dhe në mjetet ndihmëse shprehëse, kurse poetët e këtij koncepcioni i quan “brezi lasgushjan”, nisi Aliu të flas.

Pasi përmendi të gjithë autorët, veprat e të cilëve i kishte analizuar Raifi, ai kaloi te libri i radhës “Mbi prozën bashkëkohëse shqiptare”. Gëzim Aliu përmendi se kjo vepër nis me pyetjen “Si konceptohet proza shqipe?”, teksa vazhdoj ta vlerësoj.

“Ky libër i tij, siç shprehet edhe vetë, është skicë e strukturës bashkëkohëse të prozës shqipe që do të shkruhet pas disa vitesh”, tha Aliu, duke përmendur tutje tendencat që Mensur Raifi kishte vërejtur në prozën bashkëkohëse shqipe, duke përmendur tendencën që të insistohet në optimizmin e përgjithshëm jetësor të protagonistëve, në punët e veprimet e përditshme, në fjalët e mendimet, në pikëpamjet mbi njerëzit, jetën e artin; tendencën që synon unitetin e individit me shoqërinë; ajo që nxjerr në shesh një fabulë “të fortë” romaneske a tregimtare, të ngarkuar me aksione të përhershme; tendenca tjetër që tematikisht situohet si kërkim i identitetit të njeriut në përgjithësi, por edhe me indicje lokale e përcaktime kohore dhe ajo që tematikisht situohet si kërkim i identitetit të njeriut në përgjithësi, por edhe me indicje lokale e përcaktime kohore.

Mensur Raifi kishte shkruar edhe për çështjen e përkthimit, temë kjo të cilën e shtroi në librin “Polemika letrare”.

“Në këtë libër gjenden tekste të një polemike lidhur me përkthimin e Artur Rembosë zhvilluar në tri gazeta të ish-Jugosllavisë. Këto tekste Raifi i tubon në një libër, për të cilin thotë se është i pari i këtij lloji në Kosovë”, sqaron Gëzim Aliu.

Aliu poashtu përmend edhe veprën “Mozaik Letrar I” të Mensur Raifit, në të cilën autori flet për letërsinë e viteve të 30-ta dhe merret me dy situata të skajshme në Kosovë, euforinë e viteve të 70-ta dhe horizontet e viteve 80-90.

Përgjatë fjalimit të tij, Gëzim Aliu u ndal edhe te këndvështrimet e Raifit për krijimtarinë e Migjenit, të cilat janë të botuara në librat “Fan S. Noli dhe Migjeni” si dhe në veprën “Lasgushi, Noli, Migjeni”. Aliu përmend se profesori universitar i qaset Migjenit përmes metodës psikanalitike, duke futur edhe elemente të metodës sociologjike në analizën e tij.

Tutje, Gëzimi bëri të ditur për publikun se Raifi analizon veprën e Migjenit duke u bazuar në rrafshin ideo-sociologjik dhe atë personal.

“Migjeni, sipas Raifit, është posaçërisht i afërt dhe i dashur për adhuruesit e tij sepse ai e kishte identifikuar tragjiken e tij personale me tragjiken e kombit dhe anasjelltas”, tha Aliu.

Tutje, Gëzim Aliu u shpreh se shkrimi i Mensur Raifit qëndron në kufi mes kritikës e studimit shkencor dhe se gjërat që ai i shprehte ishin të parat që dikush i qasej dhe se ishin interesante.

“Mensur Raifi i shpreh mendimet e tij qartë, nganjëherë përdor edhe ironi të holla, duke e bërë tekstin e tij atraktiv për lexuesin. Nuk humbet në detaje, por e përqendron mendimin për gjëra të ndërlikuara në pak faqe, por duke thënë shumë”, theksoj Aliu,

Për fund, Gëzimi vlerësoj se veprat e Mensur Raifit janë pasuri e veçantë kritike, interpretuese e studimore.

Diskutimin e vazhdoj profesori Flamur Maloku, i cili theksoj se përherë është mahnitur kur ka lexuar Mensur Raifin.

“Është prej kritikëve që vazhdimisht më ka fascinuar për mënyrën e trajtimit të letërsisë dhe autorëve, e sidomos shija e tij e hollë ndaj autorëve të letërsisë shqipe por edhe botërore”, nisi të shprehet Maloku.

Për Malokun, mënyra e qasjes dhe trajtimit të veprave të autorëve të ndryshëm nga Mensur Raifi mbetet e veçantë, e veçmas te tri ikonat, ashtu siç ai i quan, e që janë Migjeni, Noli e Lasgushi.

“Raifi i sheh si një rrjet mendimi koncepsionet e tij filozofike, degëzimet, kërkesat e tij më përtej leximeve ideologjike e mitike, që ishte kundër çdo mitizimi të autorit sepse për Raifin, autori nuk i takonte mitizimit si jetë, edhe pse i ndjek shenjat autobiografike, madje ka raste kur të tre autorët i sheh si pjesë përbërëse  e jetës së tyre”, u shpreh Flamur Maloku.

Tutje ai theksoj se Raifi ka pasur mendimin se nuk mund ta lexosh as Migjenin, as Nolin e Lasgushin pa i lexuar shenjat autobiografike të këtyre autorëve.

Për Mensur Raifin, Flamuri tha se ishte një person që i kritikonte autorët haptazi.

“Shpesh herë e përdorte edhe ironinë kur e gjuante kritikën sepse thoshte këtij autori i kanë dhënë kompetenca më shumë, e kanë veshur me diçka më shumë sesa që i ka takuar”, sqaronte Maloku.

Mirëpo përtej studimit të autorëve, Maloku tha se Raifi kishte studiuar edhe fenomenet letrare dhe se ato janë trajtesa të veçanta. Atij i kishte bërë përshtypje pikëpamja e Raifit ndaj tekstit si “diçka që është çdo herë e hapur”.

“Mensuri nuk e sheh të shkëputur sociologjinë në inkuperim të poetikave të autorëve, është evidente gjatë leximeve, interpretimeve, ballafaqimeve që ka ai me mendimet e tij karshi autorëve e fenomeneve letrare”, shtoj Maloku.

Pas panelistëve radha ishte te publiku që të ndanin pikëpamjet dhe përvojat e takimeve me Mensur Raifin. Nga të gjitha çka u thanë, më e rëndësishmja ishte çështja e ribotimit të veprave të këtij kritiku letrar, gjë të cilën publiku e vlerësoj se duhej patjetër të bëhej nga ndonjë institucion.

“Ora e Shkrimtarit” organizuar nga Pen Qendra e Kosovës, kujton shkrimtarin e fundit përgjatë një periudhe një mujore të aktiviteteve, më 19 nëntor. KultPlus Caffe Gallery herën e ardhshme do të hap dyert e saj për të diskutuar rreth krijimtarisë së Mirko Gashit. /KultPlus.com

Tejkaloi sëmundjen për t’u shkolluar, Blerina Murtezi boton librin e dytë “Ëndrrat e mia”

Medina Pasoma

Përballja me sfidat jetësore shumë shpesh i bën njerëzit të dobësohen, ndërkaq atë veçse e kanë forcuar. Blerina Murtezi i doli përballë çdo vështirësie, duke e bindur veten se ëndrrat e saj janë më të mëdha se çkado tjetër. Tanimë ajo frymon në raftet e lexuesve, nëpërmjet librit të saj të dytë ‘’Ëndrrat e mia’’, shkruan KultPlus.

Përderisa letërsia për shumicën është çlirim shpirtëror, për të ka qenë përherë një shpëtim. Ajo e kishte kapur lapsin për të rrëfyer problemet të cilat e preokupojnë, vështirësitë jetësore, bukuritë të cilat i haste por, edhe ëndrrat e saj. Pikërisht në momentin kur shkruante për këto të fundit, ajo veçse i falte realitet.

Librit të saj të parë ia dha emrin “Guxo”, për të rrëfyer nëpërmjet vargut guximin e madh që kishte një vajzë si ajo. Pasi që “guxoj” njëherë, pastaj ajo filloj ‘’të ëndërroj’’ duke ia sjellur frymëzimet poetike për të dytën herë me radhë publikut.

Pavarësisht pse u diagnostikua me distrofi muskulare, shkrimi dhe shkollimi për të mbeti gjithmonë një përpjekje jetësore. Anipse dyert e shkollës së mesme të Ferizajt nuk u hapën për të, ajo insistoj që të vazhdoj rrugën e dijes. 7 vitet në pritje i rezultuan me vazhdimin e shkollimit në Prishtinë, ndërkaq tani ajo ëndërron edhe të mbaroj fakultetin.

“Ëndrrat e mia” është vepra e radhës e poetes Blerina Murtezi, e cila është mirëpritur nga audienca. Teksa ajo shpalos rrugëtimin e saj me KultPlus, thekson se ëndrra e saj gjeti jetësim.

‘’Tani po më njihni me epitetin ‘shkrimtare’ dhe jam e lumtur që ia dola të bëhem. Kjo ishte një ëndërr e imja, ende pa e kuptuar fjalën poete’’, shprehet Murtezi.

Në ardhjen e saj të dytë me një libër, dukshëm që ajo është përmirësuar edhe më shumë. Madje edhe Blerina, këtë të fundit e quan si vepër që ka më shumë gjallëri.

‘’Poezitë kanë bukurinë e ëndrrave dhe dashurinë përrallore. Prandaj edhe u quajt ‘’Ëndrrat e mia’’, theksoj autorja.

Çdo autor ka muzën e tij dhe i sheh e ndjen gjërat varësisht nga këndvështrimet personale. Për Blerinën gjithçka që e rrethon mbetet një frymëzim.

“Ajo që më ka inspiruar për këtë temë është jeta ime, stinët që ndërrohen, ajri që merr”, tha autorja.

Për këtë libër Blerina dha një vit e gjysmë mund, duke i kombinuar poezitë e vjetra me ato që i shkruante gjatë procesit të punës.

‘’Në disa poezi shfaq edhe lumturi të realizimit të ëndrrave, e në disa jam ende në kërkim të lumturisë’’, thotë autorja Murtezi.

Mirëpo veprat ‘’Guxo’’ dhe ‘’Ëndrrat e mia’’ për të nuk mjaftojnë.

‘’Ajo për të cilën nuk do të heq dorë është studimi, deri ta rimëkëmbi shëndetin i cili ka qenë për mua gjithnjë parësori. Kjo është edhe arsyeja se nuk më njohët më herët si shkrimtare dhe pse shkollimin e ndërpreva’’

Blerina Murtezi do të shkoj edhe përtej tyre, duke u bërë një emër i njohur i letërsisë shqipe dhe duke u ngritur në studime akademike. /KultPlus.com

Kur shkrimtarët bënin letërsi dhe histori

Nga Jusuf Buxhovi

Në fundvitet e tetëdhjeta dhe ato të fillimit të nëntëdhjetave, shkrimtarët e Kosovës, bënin letërsi dhe histori njëherësh. Në rrethanat e përfshirjes në Lëvizjen kombëtare (në rezistencës institucionale paqësore), që e vuri në binarët historik shtetin e Kosovës, nuk u la anash as letërsia. Po ashtu, edhe institucioni i tyre, Shoqata e Shkrimtarëve, u përkujdes që krijimtaria letrare të çmohet dhe të nderohet si vlerë kulturore dhe shpirtërore. “Masë” e këtij vlerësimi pamëdyshje ishte edhe çmimi vjetor i Shoqatës së Shkrimtarëve për veprën e vitit, me ç’rast laurati ndante meritat me të gjithë.

Çaste të tilla, pata nderin të përjetoj, në dhjetor të vitit 1991, me rastin e dorëzimit të çmimit vjetor të Shoqatës për veprën “Prapë vdekja”, ku ishin të pranishëm shumë nga shkrimtarët e brezit të artë të letërsisë së Kosovës nga Vehap Shita, Teki Dërvishi, Sylejman Syla, Xhemail Mustafa, Ramadan Musliu, Shaip Beqiri, Bajram Sefaj, Milazim Krasniqi e të tjerë.

Përkujtesa u bë në saje të fotove nga dokumentacioni i Adnan Merovcit. / KultPlus.com

Çmimi Nobel në letërsi shpallet më 8 tetor

Të gjithë çmimet do të shpallen live në nobelprize.org

Institucioni i dhënies së çmimeve ka vendosur të shpallë vendimet si më poshtë:

FIZIOLOGJI OSE MJEKËSI – e Hënë 5 tetor, 11:30
The Nobel Assembly te Karolinska Institutet, Wallenbergsalen, Nobel Forum, Nobels väg 1, Solna
http://www.nobelprizemedicine.org
[email protected]

FIZIKË – e martë 6 tetor, 11:45
The Royal Swedish Academy of Sciences (Kungl. Vetenskapsakademien, KVA), Sessionssalen, Lilla Frescativägen 4A, Stockholm
www.kva.se/pressroom
[email protected]

KIMI – e mërkurë 7 tetor, 11:45
The Royal Swedish Academy of Sciences, Sessionssalen, Lilla Frescativägen 4A, Stockholm
www.kva.se/pressroom
[email protected]

LETËRSI – e enjte, 8 tetor, 13:00
The Swedish Academy (Svenska Akademien), Börssalen, Källargränd 4, Stockholm
http://www.svenskaakademien.se/en
[email protected]

PAQE – e premte, 9 tetor, 11:00
The Norwegian Nobel Committee, The Norwegian Nobel Institute (Norska Nobelinstitutet), Store Sal, Henrik Ibsens gate 51, Oslo
https://www.nobelpeaceprize.org
[email protected]

ÇMIMI SVERIGES RIKSBANK NË SHKENCA EKONOMIKE NË KUJTIM TË ALFRED NOBEL – e hënë, 12 tetor, 11:45
The Royal Swedish Academy of Sciences, Sessionssalen, Lilla Frescativägen 4A, Stockholm. / KultPlus.com

Sivjet ndahen dy çmime Nobel për letërsi, kë favorizojnë bastvënësit

Ekspertët janë të kujdesshëm, por bastvënësit preferojnë aktivisten adoleshente për klimën, Greta Thunberg, për laureate të Çmimit Nobel për Paqe, i cili do të ndahet javën e ardhshme.

Vlerësimet nga Ladbrokes – kompani e basteve në Londër – tregojnë se 16-vjeçarja do të shpërblehet me këtë çmim, pasi ka nisur një grevë në shkollë, e cila më pas ka frymëzuar miliona të tjerë për t’iu bashkuar lëvizjes “Të premtet për të ardhmen”.

Çdo parashikim, megjithatë, bart pasiguri të madhe, pasi lista e kandidatëve që shqyrtohet nga Komiteti i Nobelit, nuk bëhet publike dhe ekspertët kanë mendime të ndryshme nëse ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë midis klimës dhe konflikteve të dhunshme.

Ndryshe nga herat e tjera, Komiteti i Nobelit do të ndajë sivjet dy çmime për letërsinë, për vitin 2018 dhe këtë vit.

Vitin e kaluar – për herë të parë në 70 vjet – çmimi është shtyrë për shkak të një skandali të ngacmimit seksual. Shtatë nga 18 anëtarët e Akademisë suedeze kanë dhënë dorëheqje.

Parashikimet për laureatin në letërsi janë gjithmonë spekulime, që më shumë reflektojnë dëshira sesa një gjykim të vërtetë të prirjeve të Akademisë.

Në mesin e fituesve të mundshëm që përmenden sivjet janë: shkrimtarja polake, Olga Tokarczuk, shkrimtari kenian, Ngugi Wa Thiong’o, shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, shkrimtarja amerikane, Joyce Carol Oates, dhe shkrimtari japonez, Harukii Murakami.

France 24 shkruan se Akademia do të përpiqet të shmangë polemikat këtë vit, andaj do të përpiqet të bëjë zgjedhje të matura. Laureatët pritet të përfshijnë së paku një grua.

Vendimi për të nderuar këngëtarin dhe tekstshkruesin amerikan, Bob Dylan, në vitin 2016 i ka zemëruar tradicionalistët.

Më 2017, ndërkaq, fitorja e Kazuo Ishiguros, një romancier britanik me origjinë japoneze, është parë si zgjedhje konsensuale.

Një Weinstein francez

Trazirat në Akademi kanë nisur në nëntor të vitit 2017, kur 18 gra kanë folur në media dhe kanë akuzuar një figurë kulturore – me lidhje të ngushta me Akademinë – për sulme seksuale, përdhunime dhe ngacmime.

Kjo ka ndodhur shumë shpejt pasi ka nisur lëvizja globale anti-seksizëm #Mee Too, e cila është nxitur nga akuzat kundër producentit amerikan të filmave, Harvey Weinstein.

Në rastin e Suedisë, i akuzuari ishte Jean-Claude Arnault, një francez i martuar me anëtaren e Akademisë, Katarina Frostenson.

Akuzat kanë shkaktuar mosmarrëveshje në institucionin e respektuar për mënyrën se si të trajtohen lidhjet me të. E gjithë kjo ka nxitur edhe një luftë të egër për pushtet dhe ka bërë që mbreti suedez, Carl XVI Gustaf, të ndërhyjë.

Ai i ka ndryshuar statutet, duke iu mundësuar anëtarëve, me pozita të përhershme, të japin dorëheqje.

Arnault më pas është dënuar për përdhunim dhe po vuan një dënim prej dy vjetësh e gjysmë burgim, ndërsa gruaja e tij e ka braktisur Akademinë.

Pas emërimit të anëtarëve të rinj, Akademia është zotuar për më shumë transparencë.

Çmimi i Paqes për Gretën?!

Vitin e kaluar, Çmimi Nobel për Paqe u është ndarë dy kampionëve të luftës kundër dhunës seksuale: kirurgut nga Kongoja, Denis Mukwege, dhe aktivistes Yazidi, Nadia Murad.

E preferuara e bastvënësve sivjet është aktivistja suedeze për klimën, Greta Thunberg, e cila së voni ka fituar çmimin më të lartë të organizatës Amnesty International.

Gjashtëmbëdhjetëvjeçarja ka mobilizuar miliona të rinj prejse ka nisur “Grevën Shkollore për Klimën”, e vetme para Parlamentit suedez, në gusht të vitit 2018.

“Ajo që ka bërë ajo gjatë vitit të kaluar është e jashtëzakonshme”, ka thënë Dan Smith, drejtor i Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm.

“Ndryshimi i klimës është një çështje, e cila lidhet fuqishëm me sigurinë dhe paqen”, ka thënë ai.

Por, homologu i tij në Institutin e Kërkimit të Paqes, me seli në Oslo, Henrik Urdal, ka thënë se nuk mendon se ajo do të fitojë.

“Fare pak gjasa”, ka thënë Urdal, duke përmendur moshën e saj të re dhe faktin se lidhja midis ndryshimit të klimës dhe konfliktit të armatosur mbetet e padëshmuar.

Protestuesit mbajnë një poster me portretin e aktivistes Greta Thunberg.

Protestuesit mbajnë një poster me portretin e aktivistes Greta Thunberg.

Si fitues të mundshëm të Nobelit për Paqe janë përmendur edhe kryeministri i Etiopisë, Abiy Ahmed, i cili ka bërë paqe me Eritrenë, si dhe dy organizatat joqeveritare: Reporterët pa Kufij dhe Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Komiteti Norvegjez i Nobelit ka marrë 301 nominime këtë vit, por ai kurrë nuk i zbulon emrat.

Sezoni Nobel hapet të hënën me Çmimin për Mjekësi dhe përfundon më 14 tetor me Çmimin për Ekonomi/REL / KultPlus.com

Washington Post: Ismail Kadare favorit kryesor për çmimin Nobel

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, është në mesin e favoritëve kryesorë për ta fituar Çmimin Nobel për Letërsi, shkruan Washington Post.

Industrialisti suedez Alfred Nobel e themeloi çmimin për letërsi në emrin e vet dhe pati thënë në atë kohë se do të dëshironte që çmimi ta njohë “personin i cili do të prodhojë në fushën e letërsisë veprën më të shquar në një drejtim ideal”.

Ndërkohë, nesër, Akademia e Suedeze do ta shpallë fitues atë që e konsideron se e ka plotësuar kriterin e “idealit” për laureat 2017.

Romancieri, dramaturgu dhe eseisti kenian, Ngugi wa Thiong’o është favoriti kryesor, sipas shumë bastorëve, ndërsa menjëherë pas tij radhitet favoriti shumëvjeçar Haruki Murakami, transmeton Express.

Në mesin e favoritëve tjerë të fortë është edhe Ismail Kadare, Amos Oz, Adonis and Don de Lillo./ KultPlus.com

Këshillat e Bukowskit për një shkrimtar të ri

Charles Bukowski

Nëse nuk të vjen si një shpërthim nga brendësia
pa marrë parasysh asgjë,
mos e bëj atë punë!
Nëse nuk të vjen pa të pyetur fare
nga thellësi e zemrës, mendjes, gojës
rropullive të tua
mos e bëj !
Nëse do të të duhet të ulesh
e të qëndrosh me sytë ngulur për orë të tëra
mbi ekranin e kompjuterit
apo përkulur mbi makinën e shkrimit
duke kërkuar fjalën e duhur,
kjo nuk është punë për ty !.
Nëse do e bësh për para apo për famë,
lëre atë punë.
Nëse do e bësh
për të pasur gra në shtratin tënd,
as mos mendo të shkruash !
Nëse do të të duhet të ulesh mbi të
e ta shkruash dhe ta shkruash dhe ta rishkruash përsëri,
më mirë lëre atë punë.
Nëse të duket e vështirë
vetëm duke e menduar,
mos e bëj!
Nëse përpiqesh të shkruash si dikush tjetër,
mos u merr fare me të shkruarën.
Nëse ulesh aty
dhe pret që shkrimi të gjëmojë jashtë teje
dhe pret e pret dhe ai nuk del,
merru më mirë me diçka tjetër.
Nëse shkruan që sëpari t’ia lexosh të dashurës ,
të dashurit, gruas apo prindërve
ose një tjeter njeriu kushdoqoftë
ti nuk je akoma gati.
Mos u bëj si shumë shkrimtarë,
si mijera njerëz që e quajnë veten shkrimtarë
mos u bëj i zymtë, i mërzitshëm
dhe i shtirur,
mos u konsumo duke dashuruar vetveten
Bibliotekat e botës gogësijnë përgjumshëm
mbi tipa të këtij lloji.
Mos i shto ata më shumë.
Mos u merr fare me atë punë.
Për sa kohë që nuk të ka shpërthyer
nga thellësia e shpirtit tënd
si një raketë,
për sa kohë që
të qëndruarit indiferent karshi saj
nuk të bëjnë të çmëndesh apo të vrasësh veten
a dikë tjetër,
mos u merr me atë punë !
Për sa kohë që dielli brenda teje
nuk t’i ka djegur akoma rropullitë
mos e bëj .
Kur vërtet të jete koha
dhe nëse je ti ai i zgjedhuri,
ajo do të ndodhë vetë
Dhe do të vazhdojë e do të vazhdojë
derisa të vdesësh ose derisa
ajo të vdesë brenda teje.
Nuk ka asnjë mënyrë tjetër
dhe kurrë nuk ka pasur.

Përkthyer nga Kamomila

Me dashtë nuk asht me pasë

Poezi e shkruar nga Eli Krasniqi. Eli është socio-antropologe, shkrimtare dhe aktiviste.

Me dashtë nuk asht me pasë
Mjafton me e ditë që dy copa qielli
Shohin, vështrojnë dhimbën njerzore,
Durojnë, falen, privohen, falin
As nuk flasin për netët e (sh)qetësisë
Veç zemrën jashtë e gdhendin e gurin brenda
e mekojnë.
Me dashtë asht mos me u shfaqë, veç me heshtë
Zvarrë zvarrë netve si bubrreci në tokën e zezë,
pa hetueshem lindjen e diellit me ndjekë,
për me i pa dy copa kaltrie që vështrojnë,
që reshin, qeshin, vransohen.
Me dashtë asht veç me ndje, nji prani n’ajr
Kur gjithçka përreth n’kristale drite e shndërron.