Sot, Ag Apolloni në KultPlus Caffe Gallery, bashkëbisedim për Shpellën, Kësulëkuqen e Gurin e Nënës Pashkë

Në KultPlus Caffe Gallery do të mbahet sot një bashkëbisedim letrar me një nga autorët më të rëndësishëm të letërsisë në Kosovë, Ag Apollonin.

Ky event do të jetë një shans i rrallë për të bërë një udhëtim në botën e letërsisë së Apollonit, një autor i njohur për krijimtarinë e tij të pasur dhe i përkthyer në disa gjuhë të botës.

“Shënime nga shpella” është libri i tij i fundit që tashmë është në duar të lexuesit, libër për të cilin edhe do të bisedohet në këtë panel diskutimi, sikurse që do të bisedohet për rëndësinë e përfshirjes së luftës së Kosovës në letërsinë e Apollonit, sidomos të grave të dhunuara nga serbet, sikurse dhe për Gurin e Nënës Pashkë, gur që mori zë pikërisht nga reagimet e këtij shkrimtari.

Ag Apolloni është një autor që shpesh ngre zërin për shumë çështje të rëndësishme historike dhe shoqërore në Kosovë, duke ngritur diskutime mbi tema të ndjeshme por të pakapërcyeshme.

Andaj, ky event do të përfshijë një diskutim të hapur dhe të lirë me shkrimtarin Apolloni mbi këto tema që janë të pranishme edhe në veprat e tij të fundit.

Studentë, kritikë, profesorë dhe lexues, KultPlus ju fton që të jeni pjesë e këtij takimi me shkrimtarin Ag Apolloni, që më pas keni mundësi edhe personalisht të diskutoni mbi interesimet e juaja.

Eventi mbahet sot, datë 12 tetor, ora 12:00, në KultPlus Caffe Gallery. / KultPlus.com

Studim: Këto shtete prijnë me numrin më të madh të lexuesve

BE gjurmon se sa shpenzojnë europianët për letërsinë. Në vitin 2021, mesatarisht, një qytetar i BE-së shpenzoi rreth 1.1% të të ardhurave në gazeta, libra dhe artikuj kancelarie. Por, cili është vendi i BE-së që shpenzon më shumë për libra? Është Sllovakia, dhe me diferencë. Sllovakët shpenzojnë mesatarisht 1.9% të të ardhurave vjetore për gazeta, libra apo artikuj kancelarie. Sllovakia mbetet në krye të klasifikimit në pesë vjetët e fundit dhe, në të vërtetë, ka rënë lehtë nga një nivel i lartë prej 2.1%. Duke zbritur nga 1.9% në 1.2%, vendet europiane që kanë shpenzuar më shumë për libra janë Kroacia, Gjermania, Estonia, Letonia dhe Islanda, përcjell albinfo.ch.

Cili vend renditet i fundit? Në pozicionin e palakmueshëm, vendi me shpenzimet më të ulëta për frymë për letërsinë është Qiproja, me vetëm 0.4%. Megjithatë, Greqia, Rumania, Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia nuk janë shumë larg, pasi të gjitha shpenzuan 0.5% në vitin 2021. Humbësi i vërtetë në listë nuk ka paraqitur as shifra në BE, që nga viti 2019. Maqedonia e Veriut i deklaroi shpenzimet e saj për herë të fundit, tre vjet më parë. Në atë kohë, vlera ishte mjerisht vetëm 0.1% e të ardhurave për frymë.

Cili shtet i kushton më shumë kohë leximit? Një gjë është të shpenzosh para për letërsinë. Por, siç thotë shprehja e vjetër “kohë = para”, vlera e vërtetë në jetë është koha jonë.

Pra, cilat janë vendet që më shumë se të gjithë ulen dhe i kushtojnë kohë leximit? Shifrat për këtë pyetje, në të gjithë Europën, janë pak më të vjetra, pasi Anketat e Harmonizuara Europiane të Përdorimit të Kohës (Harmonised European Time Use Surveys), zhvillohen vetëm një herë në dekadë, dhe shifrat e vitit 2020 ende nuk janë publikuar. Megjithatë, zotërojmë të dhëna që lidhen me sondazhet e kryera midis 2008 dhe 2015 në 18 vende europiane.

Në krye të listës për kohën që i kushtohet leximit në ditë është Estonia. Njerëzit nga 20 deri në 74 vjeç, kalojnë rreth 13 minuta në ditë duke lexuar. Kohën e mbi 10 minutave që ia kushtojnë leximit në ditë e kalojnë edhe Finlanda, Polonia dhe Hungaria.

Në fund të klasifikimit renditej Franca, e cila i kushton vetëm dy minuta në ditë leximit. Në një nivel të ngjashëm ishin Rumania, Austria dhe Italia, që shpenzojnë pesë minuta në ditë, duke lexuar. Rezultate të ngjashme shfaqen edhe për popullatat të cilat e konsiderojnë leximin si një aktivitet të cilit duhet t’i kushtojnë kohë: 16.8% e finlandezëve e cilësojnë leximin një “aktivitet i rëndësishëm”, ndjekur nga Polonia, Estonia, Greqia dhe Luksemburgu. Sërish, francezët janë në disavantazh, sa u përket lexuesve. Pavarësisht se janë kombi, që i kanë dhënë botës Volterin, Hygonë, Prustin dhe së fundmi, fituesen e çmimit Nobel këtë vit, Annie Ernaux, vetëm 2.6% e francezëve e konsiderojnë leximin një aktivitet të rëndësishëm në jetën e tyre. / KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës sot debaton për krijimtarinë letrare në periudhën e pandemisë  

Sonte, 1 shkurt 2022, në ambientet e KultPlus Caffee Gallery në Prishtinë, PEN Qendra e Kosovës vazhdon aktivitetet e saja kulturore e letrare paraparë me projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie”.  

Temë shqyrtimi sonte do të jetë Krijimtaria letrare në periudhën e pandemisë. 

Për këtë temë do të flasin Nerimane Kamberi dhe Haqif Mulliqi.  

Debatin do ta udhëheqë Sali Bashota. 

Ftoheni të merrni pjesë.   Projektin “Debati për Kulturën dhe Letërsinë në kohë pandemie” e ka përkrahur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sportit e Republikës së Kosovës. /KultPlus.com

Vrasjet që frymëzuan shkrimtarët dhe vrasësit që shkruan libra për vrasjet e tyre

Letërsia moderne është frymëzuar gjithmonë nga ngjarjet e vërteta të krimit, por ka pasur edhe raste në të cilat marrëdhënia midis autorit të një vepre dhe temës së tij është çuditërisht e ngushtë.

Në disa nga veprat e tyre, autorë të ndryshëm të librave triler, të tmerrit ose romaneve që flasin për histori të vërteta të krimit në fakt kanë dhënë pak a shumë të dhëna të drejtpërdrejta për krimet dhe vrasjet që ata kishin kryer në të vërtetë.

1 – Një nga këta autorët më të njohur është sigurisht kinezi Liu Yongbiao, i cili në gusht 2017 u arrestua nën dyshimin se kishte rrahur katër persona, përfshirë një 13-vjeçar, në 1995.

Në kohën e arrestimit të tij, Liu po punonte për një histori të quajtur “Shkrimtari i bukur që vrau”, që kishte të bënte me një shkrimtare misterioze që kishte vrarë njerëz të ndryshëm dhe sesi të gjitha rastet që kishin të bënin me të kishin mbetur të pazgjidhura. Pas analizimit të mijëra mostrave të ADN-së, policia besoi se Liu, atëherë në të 30-at e tij, ishte përpjekur të grabiste mysafirët e një bujtine në qytetin Huzhou, në Kinën lindore, me një bashkëpunëtor. BBC shkruan se kur u arrestua Liu, thuhet se i tha televizionit shtetëror kinez CCTV se ishte frymëzuar nga vrasjet që kishte kryer në realitet. Thuhet gjithashtu se ai i pranoi krimet në një letër që i dërgoi gruas së tij nga burgu, në të cilën ai shkroi se “jetoi në frikë për 20 vjet. E dija që kjo ditë do të vinte. Më në fund mund të çlirohem nga mundimi që kam duruar për kaq shumë kohë”.

2 – Në qershor 2018, skenaristi kanadez dhe autori i librave grafikë, Blake Leibel, u dënua me burgim të përjetshëm për torturimin dhe vrasjen e të dashurës së tij, Iana Kasian, duke shpërfytyruar trupin e saj si një personazh në një roman grafik ku ishte bashkautor. Sipas prokurorit, vrasja e Kasianit e kryer nga Leibel ishte “një rast i jetës duke imituar artin”.

Gjithashtu në vitin 2018, autorja e Oregonit, Nancy Crampton Brophy, u arrestua me dyshimin për vrasjen e burrit të saj, ndoshta për të mbledhur një trashëgimi prej rreth 1.5 milion dollarësh. Në vitin 2011 ajo shkroi esenë “Si të vrasësh burrin tënd”, e cila u botua në një blog në internet dhe më 2015 ai prodhoi vetë “Burrin e gabuar”, një libër në të cilin një grua përpiqet të shpëtojë nga abuzimi i burrit duke u shtirur si i vdekur. “Si shkrimtare e librave romantikë, kaloj shumë kohë duke menduar për vrasjet dhe për këtë arsye edhe për procedurat e policisë”, tha ajo, cituar nga “Vice”. “Në fund të fundit, nëse një vrasje do të më lë të lirë, sigurisht që nuk dua të shkoj në burg”.

3 – Në vitin 2003, autori polak Krystian Bala, lansoi ​​thrillerin “Amok” ku tregoi historinë e një intelektuali polak të quajtur Chris i cili, siç tha “New Yorker”, vrau një dashnore “pa ndonjë arsye të veçantë” dhe e mbuloi vrasjen aq mirë që nuk zbulohet kurrë. Përshkrimi i vrasjes së gruas dhe mënyra në të cilën ajo u gjet e vrarë në roman, ishin mjaft të ngjashme me mënyrën në të cilën biznesmeni polak Dariusz Janiszeëski u gjet i vdekur në vitin 2000: policia ishte në gjendje të rindërtonte historinë dhe ta lidhte atë me shkrimtar duke gjurmuar një telefonatë të dyshimtë midis zyrës së Janiszewskit dhe një celular që doli të ishte blerë nga Bala, i cili u dënua me 25 vjet burg në 2007.

4 – Një tjetër histori e vrasësve që shkruan libra për vrasjet e tyre është ajo e holandezit Richard Klinkhamer, i cili në vitin 1992 i dërgoi agjentit të tij një dorëshkrim veçanërisht të frikshëm, në të cilën ai eksploroi shtatë mënyra që mund ta kenë vrarë gruan e tij Hannelore, e cila u zhduk në fillim të vitit 1991. Klinkhamer ishte menjëherë një nga të dyshuarit kryesorë në vrasjen e supozuar të gruas së tij, trupi i së cilës nuk ishte gjetur. Në vitet pas zhdukjes së saj ai ishte i ftuar në disa programe televizive për të diskutuar rastin. Dorëshkrimi ishte aq makabër saqë botuesi refuzoi botimin e tij, por disa nga ekstraktet e tij filluan të qarkullojnë midis ekspertëve, përfshirë atë në të cilin autori hipotezon të heq qafe trupin e gruas së tij.

5 – Deri në moshën 13 -vjeçare, Juliet Hulme – e lindur në Londër – jetonte mes Karaibeve dhe Afrikës së Jugut, ku babai i saj – mjeku britanik Henry Rainsford Hulme – e kishte dërguar duke shpresuar se temperaturat më të buta do ta ndihmonin të shërohej nga tuberkulozi që kishte marrë si fëmijë. Në vitin 1952 ajo u ribashkua me babanë e saj, këtë herë në Zelandën e Re, ku e krijoi një miqësi të madhe me Pauline Parkerin që ishte një vit më e vjetër se ajo. Në vitin 1954 u dënua me pesë vjet burg për vrasjen e nënës së Paulines, Honoran, e cila kishte refuzuar të dërgonte Paulinen me të në Afrikën e Jugut, ku duhej të jetonte me tezen. Ne do të dinim pak ose asgjë për këtë histori nëse nuk do të ishte fakti se disa vjet më vonë Julieta u transferua në Skoci, ku ndryshoi emrin e saj në Anne Perry dhe u bë shkrimtare mjaft e njohur e thrilerëve dhe romaneve të krimit. Ndër të tjera, historia e Perryit u tregua në filmin e vitit 1994, “Krijesat e qiellit” nga regjisori Peter Jackson, në të cilin film Hulme luhet nga Kate Winslet.

6 – Përveç autorëve që i kanë treguar në veprat e tyre krimet që kishin kryer me të vërtetë, ka edhe nga ata të cilët për një apo tjetër arsye kanë marrë frymëzim nga ngjarjet e famshme ose të diskutuara të krimit. Një rast i tillë është ai i Elizabeth Shortit, 22-vjeçares trupi i së cilës i gjymtuar dhe torturuar u gjet në Los Anxhelos në janar të vitit 1947. Short që njihet më mirë si “Dahlia e Zezë” ka qenë në fokus të librave, këngëve dhe shfaqjeve të shumta televizive. Ndryshe nga realiteti me dhjetëra të dyshuar e ku personat përgjegjës për vrasjen e saj nuk u gjetën kurrë, në thrilerin e vitit 1987 të shkruar nga James Ellroy, “Dahlia e Zezë”, rasti i saj zgjidhet. Ellroy ia kushtoi romanin nënës së tij, e cila gjithashtu u vra më 1958 në Los Anxhelos.

7 – Një rast tjetër i famshëm është ai i Edward Theodore Geinit, i arrestuar në vitin 1957 e që njihej me nofkën “Kasapi i Pleinfildit”. Geini pranoi se vrau dy gra dhe se zhvarrosi disa kufoma të varrosura për të krijuar një lloj “kostumi të gruas” që mund ta vishte për t’u “bërë” nëna e tij. Nëse historia e Geinit ju tregon diçka, kjo është sepse ai e frymëzoi një pjesë të romanit horror të Robert Blochut të vitit 1959. Ai u bë i famshëm nga filmi “Psiko” që është një nga filmat më të njohur të regjisorit britanik Alfred Hitchcock, si dhe nga personazhi Buffalo Bill te vepra “Heshtja e qengjave” e Thomas Harrisit nga ku doli një nga filmat më të njohur të të gjitha kohërave. /italy24news/ KultPlus.com

Kryeveprat botërore që duhen lexuar nga të gjithë

Më poshtë do të gjeni një listë me autorë dhe libra të tyre që duhen lexuar të paktën një herë në jetë, për të kuptuar dhe ndjerë tamam fuqinë dhe ndikimin që një libër mund të ketë.

Nga Fjodor M. Dostojevski:

1- Krim dhe Ndëshkim

2- Vëllezërit Karamazov

3- Netë të Bardha

4- Kumarxhiu

Nga Erich Maria Remarque:

1- Harku i Triumfit

2- Një natë në Lisbonë

3- Obelisku i Zi

4- Qielli s’ka preferenca

Nga Stefan Cvajg:

1- Letra e një të panjohure

2- Dehje nga Metamorfoza

Nga Honore De Balzac:

1-Lëkura e shagrenit

2-Iluzionet e humbura

3-Shkëlqimi dhe mjerimi i Kurtizaneve

4- Kryevepra e panjohur

Nga Ernest Hemingway:

1- Plaku dhe deti 

2-Kopshti i Edenit

3-Për kë bie kambana 

4- Të kesh dhe të mos kesh

Nga Milan Kundera:

1- Identiteti

2- Lehtësia e padurueshme e qënies

3-Shakaja

Nga Teodor Drajzer:

1- Një tragjedi amerikane

2-Financieri 

3-Motra Keri

Nga Agatha Christie:

1-Vrasje Në Orient Ekspres

2-Zonja e Krimit

3- Shtëpia e shtrembër

Nga Stendal: 

1- E kuqja dhe e zeza

2- Manastiri i Parmës

Nga Omar Khajam

1- Rubairat 

Nga Leo Tolstoy

1- Ana Karenina

2- Lufta dhe Paqja

3- Ç’e mban gjallë njeriun

Nga Dino Buzzati

1- Gruaja me Flatra

2- Netët e vështira

3- Kryeveprat. /anabel/ KultPlus.com

Veprat klasike që na ndihmuan t’i japim kuptim pandemisë

Të paktën në Perëndim, pak njerëz të gjallë sot kanë jetuar një vit si 2020 – jo vetëm trazirat  por izolimin, jo vetëm traumën por lodhjen. Më pak e dhunshme se një luftë, më e zgjatur se një katastrofë natyrore, covid-19 ka qenë vdekjeprurëse, çorientuese dhe e panjohur.

Por megjithëse kujtesa e gjallë ka qenë me ndihmë të kufizuar si një udhëzues për bërjen ballë , kujtimet e të tjerëve dhe imagjinata e tyre, kanë dëshmuar të jenë të dobishme për miliona lexues.

Ngushëllimi dhe solidariteti i leximit rrallë kanë qenë më të rëndësishëm sesa këtë vit,  për më shumë njerëz. Të mbyllur dhe të vetmuar, shumë u arratisën në jetë të tjera dhe në botë të largëta. Por shumë kërkuan shkrimtarë që mund t’i ndihmonin të kuptonin pandeminë. Librat më të njohur përfshinin “Ditari i Vitit të Murtajës”, ditari gjysmë-trill i Daniel Defoe (mendohet se bazohet në xhaxhain e tij) i jetës në Londrën e 1665-s, kur murtaja bubonike përfshiu qytetin.

Të njëjtat karakteristika të fatkeqësisë në ditarin e Samuel Pepys-ë: Pepys vë në dukje qasjen e sëmundjes,  por vazhdon të regjistrojë detajet e vakteve dhe argëtimeve të tij, duke shfaqur të njëjtën ndjenjë mosbesimi dhe mohimi,  që u përhap në fillim të vitit 2020. Megjithatë, ai ankohet për zbrazëtinë dhe melankolinë e rrugëve të kryeqytetit.

Shpërthimet imagjinare te “Njeriu i fundit” i Mary Shelley, “Murtaja”  i Albert Camus, “Verbëria”  i José Saramago dhe “Stacioni Njëmbëdhjetë” i Emily St John Mandel – që peshon vdekjen e një individi përballë  fatit të botës – kanë ofruar, nëse jo rehati, të paktën një ndjenjë të freskët perspektive.

Për disa nga këta autorë, sëmundja është një metaforë për probleme të tjera, të tilla si politika ekstreme; në një mënyrë të ngjashme, historitë për llojet e tjera të çrregullimeve duket se mbërthyen  aspekte të pandemisë dhe menaxhimit të saj.

Në “Vezët Fatale” të Mikhail Bulgakov, për shembull, një zhurmë burokratike me synim përpjekjen  për të rritur prodhimin e pulave, sjell në vend të saj  një murtajë gjarpërinjsh gjigantë që pushtojnë Rusinë.

Në një përrallë që gjithashtu përmban sarhoshë të pakujdesshëm në rrugë dhe shkencëtarë të ngathët, autoritetet janë të ngadaltë në pranimin e fatkeqësisë, përpara se të marrin kundërmasa drastike, drakoniane.

Disa lexues dëgjuan një jehonë të ritmeve të vitit në atë që, përballë tij, është një lloj krejt tjetër historie. Mijëra në të gjithë botën ishin të pakënaqur në të njëjtën mënyrë dhe u ngushëlluan në të njëjtën mënyrë, ndërsa ishin zhytur në “Lufta dhe Paqja”.

Lëkundja e sagës epike të Leo Tolstoit midis, nga njëra anë, fushave të betejës së luftërave Napoleonike dhe, nga ana tjetër, salloneve të Shën Peterburgut, reflektonin me ngulm përvojën e lockdown-it; kjo, gjithashtu, kombinoi jetën shtëpiake me vetëdijen për ngjarjet e trazuara jashtë.

Në portretizimin akut të Tolstoit për kolovitjet, emocionet e ekzagjeruara që shkaktohen nga kohë krizash, lexuesit gjetën një pasqyrim të ndjenjave të tyre të paqëndrueshme – afërsia alternative dhe acarimi me të dashurit e tyre, të themi, ose ndjenja e çlirimit nga jeta e zakonshme që regëtinte mes shtypjes së  klaustrofobisë.

Për shpresën se jeta do të vazhdonte – me të vërtetë, tashmë po vazhdonte – The Economist sugjeroi kthimin tek  Aleksandër Pushkin. I karantinuar më 1830-n për shkak të një shpërthimi të kolerës, poeti gjeti një arratisje të çuditshme nga shqetësimet për martesën e tij të afërt, financat e tij të lëkundura  dhe largimet e tij nga censorët caristë.

I kufizuar në një pronë rurale, Pushkini zbuloi një ndjenjë të shthurur të lirisë dhe gjallërisë. Shkrimi dhe imagjinata e tij endeshin nëpër botë; ai përfundoi “Eugjen Oneginin”, romanin e tij të shkëlqyer në vargje. Dhe ripunoi një dramë me vargje “Banket në Kohë Murtaje” marrë skocezi John Wilson,  “Qyteti i Murtajës”. Versioni i Pushkinit ofron këtë mospërfillje, sfiduese të sëmundjes dhe vdekjes:

Ka dalldi në fushën e betejës,

Dhe aty ku gjendet humnera e zezë,

Dhe në të tërbuarin oqean të madh

Mes valëve të stuhishme të vdekjes,

Dhe në uraganin e shkretë,

Dhe në frymëmarrjen  vdekjeprurëse të Murtajës.

Gjithë  ç’kërcënon  të shkatërrojë

Gëzim  të çuditshëm dhe të egër fsheh –

Ndoshta për njeriun e vdekshëm një shkëlqim

Që  jetë të amshuar premton;

Dhe i lumtur kush arrin ta njohë

Këtë dalldi të  gjetur në grindje dhe stuhi …

Ne do të hurbim verën e trëndafiltë

Dhe puthim buzët ku murtaja mund të shtrihet!/theeconomist/ KultPlus.com

Dostojevski: Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes

199 vite më parë lindi një njeri që do të shndërrohej në ikonë të letërsisë ruse. Fjodor Dostojevski kishte lindur më 11 nëntor 1821, për të lënë të pavdekshme veprën e tij, shkruan KultPlus.

Ai vuri themelet e prozës së gjatë për fuqinë përshkruese, depërtimin e thellë psikologjik dhe peshën e madhe që i dha letërsisë në komunikim me lexuesin. Trazirat e mëdha që kishte kaluar, e bën që këto kthesa të mëdha jetësore t’i ketë përvojë edhe në shkrimet e tij, të cilat mbesin unike dhe madhore.

Një nënë e vdekur nga tuberkulozi, një baba alkoolist dhe dënimi me vdekje, ishin përvojat e tij më të rënda. Fatmirësisht cari e anuloi vendimin për pushkatimin e rrethit radikal politiko-letrar ‘’Petrashevski’’, në të cilën bënte pjesë edhe Fjodori.

Mirëpo, ai vazhdoj me burgosje dhe punë të rënda për 4 vite me radhë. Ndërkaq ato që e ngritën emrin e tij krahas klasikëve letrarë dhe që edhe sot e bëjnë të lexohen anë e kënd botës ishin veprat e tij. ‘’Krim dhe Ndëshkim’’, ‘’Një zemër e thyer’’, ‘’Të poshtëruar e të fyer’’ e ‘’Njerëz të varfër”, të cilat janë vetëm disa nga veprat që i dhanë vulë letërsisë ruse dhe botërore.

Në ditën e lindjes së tij, KultPlus ju sjell thënie nga Fjodor Dostojevski:

Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.

Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.

Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.

Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.

Heshtja është gjithmonë e bukur, dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.

Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.

Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.

Çfarë është Ferri? Unë mendoj se është vuajtja e të qenit të paaftë për të dashuruar.

Asgjë në këtë botë nuk është më e vështirë se sa thënia e të vërtetës, dhe asgjë më e lehtë se lajka.

Misteri i ekzistencës njerëzore, nuk qëndron vetëm tek të qenit gjallë, por në gjetjen e një qëllimi për të jetuar. / KultPlus.com

Laureati më i ri në moshë i letërsisë, Rudyard Kipling

Çmimi Nobel për Letërsi mbetet kulmi i suksesit për shkrimtarët. Përderisa shumica shpërblehen me këtë çmim në një moshë të shtyer, Rudyard Kipling mbetet laureati më i ri, i cili në moshën 41 vjeçare e rrëmbeu atë, shkruan KultPlus.

Kipling në vitin 1907 fitoi Çmimin Nobel për Letërsi me librin e tij ‘The Jungle Book’.

Ai ka lindur më 30 dhjetor 1865, në Mumbai të Indisë dhe vdiq më 18 janar 1936 në Londër të Anglisë.

Shkrimtari, poeti dhe romancieri anglez i tregimeve të shkurtra kryesisht kujtohet për festimin e tij të imperializmit britanik, përrallat dhe poezitë e tij për ushtarët britanikë në Indi dhe përrallat e tij për fëmijë.

Poezia e tij më e njohur është ’’IF” ose “Në mundësh”.

KultPlus ua sjell këtë poezi me përkthim nga Robert Shvarc:

Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…
Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…
Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh…

Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…

Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…
Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…

Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton…
Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të rënda
me vepra që peshojnë
dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,
dhe NJERI do të jesh, o biri im! / KultPlus.com

Letërsi, pikturë, skulpturë: 7 kryevepra botërore, të papërfunduara

Adhurimi i magjistarëve nga Leonardo da Vinçi

I restauruar kohët e fundit dhe i ruajtur në Firencë, kuadroja u nis nga Leonardoja në 1481 për manastirin e San Donatos në Scopeto dhe mbeti e papërfunduar, por kjo nuk e bën një vepër të vogël. Përkundrazi është një pikturë me një interes të madh artistik sepse tregon sesi punonte Leonardoja, pikturonte direkt mbi tavolinë në vend që të përdorte fletore.

Sinfonia e tetë e Shubertit

Vepra par exellance e papërfunduar është sinfonia e tetë e Franz Schubert (1797-1828), ka vetëm dy lëvizje të plota dhe të orkestruara nga vetë Shuberti (L’allegro moderato dhe L’andante con moto) ka edhe një bocetë të lëvizjes së Tretë (Scherzo) në formën e një partiture për pianoforte. Bukuria e kësaj qëndron pikërisht tek kjo: sipas disa muzikologëve dy lëvizjet e plota të kësaj sinfonie janë perfekte dhe mjaftojnë për të shprehur atë që Shuberti donte të transmetonte. Pra me pak fjalë janë të plota, Shuberit i kompozoi në moshën 25 vjeçare, pastaj ia dha mikut të tij Anselm Huttenbrenner-it, i cili nuk foli me askënd sepse e ndiente që nuk ishin mbaruar. Shuberti vdiq në 1828 në moshën 31 vjeçare dhe nuk arriti ta përfundonte.

Requiem i Moxartit K626

Mesha e Requiem në re minor K626 u kompozua nga Wolfgang Amadeus Mozart (1756-1791), pak para se të vdiste. Kjo pikturë që tregon se po përpiqet ta përfundojë në shtratin e tij të vdekjes është edhe një herë dëshmi sesa e kishte për zemër, por tregon edhe sesi dashuria e tij për muzikën mund ta konsumonte. Gjatë kohës që shkruente Requiem kompozitori vuante nga ethet dhe përdorte ato pak forca për të shkruar muzikën, çka shpjegon mbetjen e kësaj vepre të papërfunduar. Thuhet se Moxarti e kishte kompozuar për veten, por ka edhe nga ata shkrimtarë të tillë si Stendali që flet për një anonim që e ngarkoi Moxartin e sëmurë dhe në mizerje të kompozonte për 4 javë një meshë rekuiem.

Portreti i Xhorxh Uashingtonit nga Gilbert Stuart

Portreti më i famshëm i presidentit të parë të USA-s, ai që shfaqet edhe tek dollari është në të vërtetë një vepër e papërfunduar. Gilbert Stuarti bëri më shumë se 100 portrete të Uashngtonit, më i famshmi i të cilëve është ai i Ateneos së Bostonit, duke treguar anën e majtë të fytyrës që u nis në vitin 1796 me kërkesë të bashkëshortes së Ushingtonit, Martës dhe mbeti e papërfunduar. Stuarti e shqujti bukurinë e saj dhe e përdori si modele për portretet e mëvonshme. Janë realizuar 75 kopje dhe e papërfunduara mbeti një ikonë e artit amerikan.

Davidi – Apollo i Mikelanhelos

Davidi apo Apolloja? Kjo skulpturë e Mikelanxhelos në muzeun e Firences ka një emër të dyfishtë sepse jo të gjithë bien dakord për identitetin e njeriut të portretizuar. Mund të jetë Davidi biblik ose Apolloja mitologjik. Trupi është i mbuluar me shenja të daltës dhe skuptura tregon një figurë të një të riu që pozon me kurriz. U krijua në vitin 1530 për Baccio Valori-in, guvernatorin e Firences dhe ka të ngjarë që të të jetë lënë përgjysëm nga Mikelanxheloja para nisjes së tij për në Romë dhe më pas e braktisi. Ka nga ata që thonë së skuptura në mermer nisi si Davidi, por Mikelanxheloja u përpoq ta përshtaste me Apollon para se ta braktiste në fatin e saj. Mistere të artit.

Partizani Johhny nga Beppe Fenoglio

Ka shumë libra të papërfunduar nga vdekja e parakohshme e autorit dhe kjo është historia e “Partizanit Xhoni”, kryevepra e Beppe Fenoglio-s, i cili vdiq në moshën 40 vjeçare. Ishte botuesi Einaudi që në 1968 i dha një kuptim veprës. Letërsia e papërfunduar është triologjia e “Millennium” e Stieg Larsson-it, por lista është e gjatë mes të tjerave si “Misteri i Edwin Drood” i Charles Dickens-it, “Amerika” e Franc Kafkës, “Nafta” e Pier Paolo Pasolinit, “Lutjet të realizuara” nga Tuman Capote, “Njeriu i parë” nga Albert Kamy. Përpos se janë të papërfunduar këta libra kanë një të përbashkët, quhen nga kritika kryevepra të vërteta, ku autorët kanë arritur të shprehin të gjithë pjekurinë e tyre.

Portreti i Ria Munk Numri III

I realizuar në 1917-1918 është i fundit i një serie portretesh për porosi të familjes Munk nga Gustav Klimt, një nga më modernët përsa i përket portreteve femërore të piktorit vienez. Ria u vetëvra pas zënkës me të dashurin në 1911 dhe e ëma e porositi Gustav Klimtin të pikturonte një portret të vajzës së saj në shtratin e vdekjes. Dy përpjekjet e para u refuzuan nga familja dhe e treta mbeti e papërfunduar. Edhe pse e papërfunduar kuadroja na jep të dhëna për punën e Klimtit. Portreti tregon Rian në këmbë anash dhe që kthehet nga spektatori me një buzëqeshje. Fytyra dhe detajet përreth kanë mbaruar, por fustani dhe dyshemeja janë të realizuara me karbon dhe të paravijëzuara. Sipas kritikëve kjo tregon se Klimti ishte spontan dhe impulsiv dhe pikturonte direkt mbi telajo. Një kryevepër për të gjitha efektet, jo më kot u shit në vitin 2010 për 27 milionë dollarë. bota.al. /KultPlus.com

‘Ajo që bëhet nga dashuria, gjithmonë zë vend përtej të mirës dhe të keqes’

Niçe është njëri ndër emrat më të njohur të filozofisë postmoderne gjermane. Ai konsiderohet si njëri ndër filozofët më eminent që ka njohur bota e mendimit filozofik.

Kontributi i tij më i madh ka qenë në kritikën që i ka bërë Krishtërimit si dhe botëkuptimeve tjera dogmatike. Filozofia tij ka synuar çlirimin e njeriut nga të gjitha autoritetet e jashtme.

Këtu kemi përzgjedhur disa nga thëniet e tij më të njohura nga kryeveprat e tij.


“Çfarë nuk më vret më bën më të fortë”. (Perëndimi i idhujve, 1888)

“Ai që lufton monstrat, duhet të bëjë kujdes, që të mos shndërrohet vetë në monstër. Dhe kur i ngul sytë gjatë humnerës, humnera do të të shohë dhe ajo ty në sy”. (Përtej të mirës dhe të keqes)

“Ajo që bëhet nga dashuria, gjithmonë zë vend përtej të mirës dhe të keqes”. (Përtej të mirës dhe të keqes, aforizmi 153)

“Gjithmonë ka një farë çmendurie në dashuri. Por ka gjithmonë arsye në çmenduri”. (Kështu foli Zarathustra Pjesa I, Kapitulli 7)

“Njeriu nuk lufton për lumturinë; vetëm Anglezi e bën këtë”. (Perëndimi i idhujve, Maksima, 12)

“Disa lindin pas vdekjes”. (Antikrishti)

“Sekreti për të korrur sa më shumë fryte dhe gëzim nga ekzistenca është: të jetosh në mënyrë të rrezikshme! Ndërtojini qytetet tuaja në shpatet e Vezuvit”! (Shkenca e gëzimit)

“Nëse duhet të ngrihet një tempull, një tempull duhet të shkatërrohet”. (Në esenë Mbi Gjenealogjinë e Moralit, Seksioni 24)

“Vetë fjala “Kristianizëm” është keqkuptuese – në të vërtetë pati vetëm një kristian, dhe ai vdiq në kryq”. (Antikrishti, Seksioni 39)

“Nuk ka fakte, ka vetëm interpretime”.

Përndryshe Fridrih Niçe u veçua për shkathësitë e jashtëzakonshme duke u bërë profesor universiteti në moshën 24 vjeçare. Megjithatë, ai u armiqësua me kolegët e tij dhe u detyrua të dorëhiqet në moshën 35 vjeçare. Niçe dëshironte gjithashtu ta braktiste filozofinë dhe të mirrej me kopshtari, por me sa duhet ai dështoi edhe në këtë pikë gjithashtu. Veprat e tij, vetëm pas vdekjes së tij, filluan të lexohen gjerësisht./ KultPlus.com

“Shkrimtari ballkanas ka tre shpirtra, vështirësia qëndron në harmonizimin e këtyre shpirtrave”

Poet dhe shkrimtar i rrallë, cilësohet për nga veprimtaria e tij, Dritëro Agolli i cila ka një vit që nga ikja nga kjo botë, shkruan KultPlus.

Elona Agolli, e bija e shkrimtarit të madh shqiptar e kujton shpesh përmes letrave, poezive e shkrimeve që ai ka lenë. Në një shkrim për letërsinë dhe rolin e saj në mënjanimin e urrejtjes nacionale, Dritëroi ishte shprehur se shkrimtari ballkanas ka tre shpirtra ndërsa vështirësia qëndron në harmonizimin e këtyre tre shpirtrave.

“Shkrimtari ballkanas ka tre shpirtra: shpirtin nacional, shpirtin ballkanik dhe shpirtin evropian. Vështirësia qëndron në harmonizimin e këtyre tre shpirtrave. Kur futet djalli në mes dhe i ngatërron këta tre shpirtra, në veprën e shkrimtarit shfaqen shumë djaj të vegjël. Nëse ngjitet në ekstrem shpirti nacional, ngre kokën nacionalizmi me urrejtjen nacionale; nëse ngrihet në kulm shpirti ballkanik, shfaqet ksenofobi bashkë me grindjet megalomane; nëse vepron vetëm shpirti evropian humb identiteti dhe shkrimtari mbetet pa adresë. Prandaj zotësia qëndron tek harmonia e këtyre tre shpirtrave. Këtë harmoni e kërkon edhe letërsia në dobi të stabilitetit dhe të paqes në Ballkan, që nuk është një ëndërr e zbrazur, por një realitet”./ KultPlus.com

POLIP, tri netët letrare që i dhanë ngjyra magjike Kosovës (FOTO)

Gili Hoxhaj

Festivali POLIP mbrëmë përmbylli rrugëtimin e edicionit të 8-të të tij. Në ulëset e në skenën e këtij festivali mungonte njëri nga poetet, Kujtim Paçaku. Mirëpo nuk mungonin fjalët e kujtimi për të. Në nderim të tij filloi dhe përfundoi edicioni i 8-të i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “POLIP”.

Sasa Ilić e kujtoi takimin me të në vitin 2010 dhe tha se ai ishte një nga poetët e parë të cilin e ka takuar. Ai e lexoi një pjesë të shkruar nga ai, e me përkthim të Shkëlzen Maliqit. Ilić tha se këtë mbrëmje ia dedikon Kujtim Paçakut.

Festivali “Polip” solli për tri ditë radhazi mjaft shumë aktivitete letrare, duke përfshirë lexime e diskutime të shumta që lidhen me letërsinë por duke i lidhur me rrethanat e historisë e të aktualitetit. Këtë vit festivali u realizua nën moton “Republika e Lirë e Letërsisë”.

Susanna Rafart (CAT), Alida Bremer (CRO/DE), Zora Del Buono (CH), Tinka Kurti (RKS), Agron Tufa (ALB), Ilire Zajmi (RKS), Peter Wawerzinek (DE), Elona Çuliq (ALB), Clemens Meyer (DE), ishin emrat që ishin ulur pranë skenës e publiku po i priste e përcillte me duartrokitje.

Mbrëmë ky festival shënoi edhe natën e fundit të tij, duke mbledhur kështu mjaft shumë artistë shqiptarë e të huaj të cilët zbërthyen krijimet në emocione përmes interpretimit. E gjithë hapësira ku po zhvillohej kjo mbrëmje u mbush me njerëz që kishin ardhë t’i shijonin vargjet e shkrimtarëve që vinin në gjuhë të ndryshme.

Fillimisht të pranishmit njoftoheshin me biografinë e autorëve që ngjiteshin në skenë. E para në skenë erdhi Susanna Rafart nga Katalonia. Ajo solli leximin e poezisë “The voice”, për të vazhduar “You are welcome to enter”, më pas Alida Bremer nga Kroacia / Gjermani e Zora Del Buono nga Zvicra lexuan krijimet e tyre në gjuhën gjermane, ku në ekranin e madh vinin të përkthyera në gjuhën angleze.

Zora Del Buono e lindur në Cyrih është një arkitekte, gazetare dhe shkrimtare zvicerane. Ajo ka rreth pesë libra të botuar. Ajo tregoi se ishte kurioze që të vinte në këtë festival dhe eksperienca që ka fituar është e mrekullueshme.

“Për mua ka qenë një përvojë shumë e mirë për shkak se kam takuar mjaft shumë njerëz dhe libri im i radhës ka të bëjë pikërisht me Jugosllavinë me Titon. Këto janë gjëra që kam dëgjuar nga familja ime ndërsa këtu kam takuar edhe njerëz që janë ekspertë të kësaj fushe dhe mund të më ndihmojnë edhe më tutje”, u shpreh Del Buono për KultPlus.

Pas tyre në skenë erdhi Tinka Kurti e cila solli interpretimin e vargjeve të poezive të thella me titujt “Unë quhem Izmir”, “Ne” dhe “Përbindëshat”.

Pas saj para publikut erdhi shkrimtari i njohur nga Shqipëria, Agron Tufa. Para se të filloi recitimin e poezive të tij “Liria e vërtetë”, “Fryma mbi ujëra” e “Elegji”, ai u shpreh se qëndrimi në rezidencën e këtij festivali i ka krijuar ndjesinë për të shkruar diçka vendimtare, madje thotë se ia ka dalë që me sukses të shkruar disa monologje të vogla të cilat do t’i vë në skenë.

Me shumë duartrokitje e ndriçim të dritave, u prit shkrimtarja Ilire Zajmi që fillimisht lexoi poezinë “Këshilla vetes”, e më pas “Helenë e panjohur”, “Akt terrorist” e “Dëshirat”.

Ilire Zajmi, e cilësoi këtë festival si të jashtëzakonshëm e që prezanton emra të njohur të letërsisë ndërkombëtare. Përmes tryezave të diskutimeve që solli ky festival, Zajmi tha se ishin një mundësi shumë e mirë për t’i dëgjuar trajtimin e këtyre temave nga autorë të ndryshëm.

“Të krijohet përshtypja që me të vërtetë jemi në një “Republikë të Letërsisë” sepse kemi pasur mundësinë të dëgjojmë poezi në gjuhë të ndryshme të cilat edhe pse nuk i kuptonim, tingëllojnë aq bukur. Pavarësisht se kishte përkthim, mundësia për t’i dëgjuar në gjuhën origjinale ka qenë e mahnitshme”, tha Zajmi për KultPlus.

Peter Wawerzinek solli një atmosferë ndryshe me një stil të veçantë interpretimi. “I’m Dylan Thomas not Bob Dylan”, shkruhej në ekranin prapa tij. Me lëvizje të shpejtë të duarve rreth vetes e zërit melodik ai duke kënduar solli poezitë e tij tek publiku e konteksti i të cilave shpesh ngjallte të qeshurat e tyre.

Pas tij erdhi autorja nga Shkodra, Elona Çuliq e cila njihet për interpretimet e saj të mrekullueshme Slam. Një të tillë e solli edhe gjatë natës së mbrëmshme derisa publiku shijoi interpretimin e saj. Pas Çuliq në skenë u ngjit Clemens Meyer nga Gjermania i cili lexoi një fragment të titulluar “Eins, zwei, drei”.

“Polip” njihet si festivali më i madh kushtuar letërsisë në Kosovë, duke i ofruar publikut diskutime e artit letrat të rreth tridhjetë shkrimtarëve të njohur të letërsisë botërore. Jeton Neziraj është njëri nga drejtorët e këtij festivali. Ai tha se këtë edicion e cilëson si të suksesshëm dhe se ky vit ka pasur një laramani të autorëve që nga ata gjerman, kroat, zviceran e katalonas.

“Për mua ky është edicioni më i mirë i festivalit deri më tash. Tri net festë letrare, lexime, diskutime që shpesh nuk janë shumë të lehta për shkak të temave që trajtohen por në tersi janë të dobishme. Mbrapa këtij eventi të vogël qëndron një numër i madh i njerëzve të cilët punojnë gjatë gjithë vitit që ta bëjnë të mundshëm. Një staf prej gjashtë vetash nga “Multimedia” dhe një numër i bashkëpunëtorëve artistik të cilët gjatë vitit sugjerojnë tema dhe autorë. Si rezultat është ky festival modest i cili besoj që është freski për jetën letrare në Kosovë”, u shpreh Neziraj për KultPlus.

E gjithë mbrëmja u përmbyll me muzikë e interpretim të veçantë nën tingujt e zërit të Nezafete Shala & band. / KultPlus.com

Me dashtë nuk asht me pasë

Poezi e shkruar nga Eli Krasniqi. Eli është socio-antropologe, shkrimtare dhe aktiviste.

Me dashtë nuk asht me pasë
Mjafton me e ditë që dy copa qielli
Shohin, vështrojnë dhimbën njerzore,
Durojnë, falen, privohen, falin
As nuk flasin për netët e (sh)qetësisë
Veç zemrën jashtë e gdhendin e gurin brenda
e mekojnë.
Me dashtë asht mos me u shfaqë, veç me heshtë
Zvarrë zvarrë netve si bubrreci në tokën e zezë,
pa hetueshem lindjen e diellit me ndjekë,
për me i pa dy copa kaltrie që vështrojnë,
që reshin, qeshin, vransohen.
Me dashtë asht veç me ndje, nji prani n’ajr
Kur gjithçka përreth n’kristale drite e shndërron.