Meghan Markle dhe Princi Harry do të vazhdojnë bashkëpunimin me Netflix, ndonëse me një marrëveshje të re dhe më pak fitimprurëse se ajo fillestare prej 100 milionë dollarësh. Burime për The Times bëjnë të ditur se kontrata e re është e tipit “first-look”, që i jep Netflix-it të drejtën e parë për të pranuar ose refuzuar projektet e çiftit, pa detyrime financiare për çdo ide.
Në njoftimin e bërë nga Archewell Productions, u konfirmua se sezoni i dytë i emisionit “With Love, Meghan” do të publikohet këtë muaj, ndërsa në dhjetor do të transmetohet speciali festiv “With Love, Meghan: Holiday Celebration”. Programi do të sjellë momente festive me miq dhe familjarë, gatime tradicionale, dhurata të punuara me dorë dhe këshilla të thjeshta për publikun.
Gjithashtu, pritet edhe dokumentari “Masaka Kids, A Rhythm Within”, mbi jetën e fëmijëve jetimë në Ugandë, si dhe përshtatja filmike e romanit bestseller “Meet Me At The Lake” nga Carley Fortune, një dramë romantike që shtrihet në një periudhë prej më shumë se një dekade.
Shefja e përmbajtjes në Netflix, Bela Bajaria, tha se bashkëpunimi me çiftin do të vazhdojë: “Harry dhe Meghan janë zëra me ndikim, dhe rrëfimet e tyre prekin audiencën kudo. Dokumentari ‘Harry & Meghan’ ishte një nga më të ndjekurit në historinë e platformës.”
Megjithatë, disa projekte të mëparshme si “Live to Lead” (2022) dhe “Heart of Invictus” (2023) nuk patën jehonën e pritur te publiku./KultPlus.com
