Të rinjtë për punëtorinë e fotografisë me Hazir Rekën: Kemi pas fat të takohemi dhe punojmë me fotografin Reka

Medina Pasoma
Fotografitë: Nok Selmani

Evolucioni i aparateve që nga antiket e deri te digjitalet e sotme, fotografitë të cilat kishin kapur momente të mrekullueshme ndër vite, filma të ndryshëm dhe plotë gjësende që i rezistonin kohës e mbushnin katërmurëshin e atelies së Hazir Rekës në Nerodime të Ferizajt.

Në përmbylljen e punëtorisë së fotografisë të organizuar nga ProPlus, pjesëmarrësit nuk patën rastin të shohin vetëm shkrepje fotografish të Rekës, mirëpo në atelien e tij rronte kujtesa kolektive, rezistenca shqiptare, dhimbja e refugjatëve, portrete plotë energji dhe historia e një populli ndër epoka të ndryshme, shkruan KultPlus.

Të rinjtë me entuziazëm për fotografinë i bashkoi organizata ProPlus me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë, në punëtorinë e fotografisë në krye me mjeshtrin Hazir Rekën në kuadër të projektit “Pen for Culture”. Në ditën përmbyllëse të kësaj punëtorie, fotografi i njohur hapi dyert e atelies së vet, pas trajnimit të këtyre të rinjve në KultPlus Caffe Gallery, për t’i frymëzuar tejet shumë nismëtarët e rrugëtimit fotografik.

Punëtoria fotografike e cila përmbylli ciklin e organizimeve në kuadër të projektit “Pen for Culture”, ishte një përvojë tre ditore për të rinjtë, e fokusuar në fotografimin e natyrës, pamjeve urbanistike dhe portreteve, teknikë kjo e zgjedhur nga profesionisti Reka, në mënyrë që shumëllojshmëria t’i garantoj të rinjve gjetje të vetes.

Drejtoresha e ProPlus, Ardianë Pajaziti për punëtorinë e tretë me radhë, pas asaj të esesë dhe pikturës në kuadër të projektit “Pen for Culture”, vlerëson lartë kontributin e profesionistëve në këtë rrugëtim të zbulimit të talenteve, duke përmendur Zake Prelvukajn, Vjosa Hamitin dhe Hazir Rekën.

“Kjo eskperiencë do të jetë një ndër eksperiencat më të paharruara, sepse nëpërmjet këtij projekti kemi zgjuar talentin te shumë të rinj, si në pikturë, ese dhe fotografi”, shprehet Pajaziti.

Tutje ajo thekson se do të ndjehet  shumë e lumtur nëse ndonjëri prej këtyre të rinjve që kanë marë pjesë në këto tre punëtori, këtë përvojë do të përdorë edhe si rrugëtim jetësor.

Në atelien për krijimin e së cilës Reka kishte dhënë 12 vite mund, çdo qosh kumbonte një histori. Aparatet e shumta që syri nuk mund t’i numëronte dhe fotografitë që përqonin emocione të mëdha, dëshmonin përpjekjen shumëvjeçare dhe profesionalizmin e mjeshtrit, i cili fotografinë e kishte kthyer në mision, ndërkaq jetën e kishte rrezikuar disa herë rresht, vetëm e vetëm që ta mundësonte dokumentimin real dhe historik. 

Të rinjtë në atelie ndërronin role, sa bëheshin fotografisti e sa protagonisti, të cilëve iu bëheshin foto-portrete. Këtë cikël procesesh i bënin që të kenë mendim të qartë për pozicionin e duhur, dritën, këndin nga i cili duhej të fotografohej, hijen prapa personit dhe shumë detaje të tjera, të cilat me ndihmën e Rekës merrnin formën më të bukur.

“Unë me qëllim insistova në fillim që ata t’i bëjnë portrete njëri tjetrit dhe mandej ua prezantova portretet që unë i kam realizuar më herët mirëpo, portretet e mia nuk kanë qenë të realizuara në studio por, kanë qenë të luftës”, shprehet Reka i cili me aparatin e tij fotografik ka ndalur kohën.

Në atelien e tij merrnin frymë edhe aparatet e tij të cilat i kishte përdorë 35 vite më parë, atëherë kur fotografia ishte më shumë dokumentim sesa një pamje e thjeshtë.

“Unë kryesisht jam marrë me fotografi dokumentare, protesta, demonstrata, lufta, refugjatë. Gjithmonë kanë qenë punë të rrezikshme ndërkaq, kur kam realizuar fotografi peizazhi e kam gjetë pak kohë për të pushuar prej dokumentares”, tha profesionisti Reka.

Gjithë rrëfimin kohor më së miri e shprehnin fotografitë. Dhimbjen e lënies së atdheut nën dorën e okupatorit dhe shpresën për mbijetesë, Reka e kishte zënë nga këndet e vogla të dritares së trenit të nisur për në Bllacë të Maqedonisë. Duar të vendosura në xham, sy të trishtuar, lot që rrokulliseshin në mollëzat e fëmijëve, lodhje mbarëpopullore dhe pafajësia e civilëve flisnin përtej fjalëve, nëpërmjet portreteve që objektivi i Hazirit i kishte kapur.

Duke qenë jetues i epokave të ndryshme, ai nuk u kursye të ndaj me pjesëmarrësit e punëtorisë dy reportazhe fotografike krejtësisht të kundërta nga përmbajtja dhe mesazhi, të cilat kishin një largësi të gjatë kohore.  Ai shpalosi rezistencën popullore gjatë vitit 1990, atëherë kur zhvillohej takimi mes Alternativës kosovare dhe senatorëve e kongresmenëve amerikanë në sheshin e Prishtinës. Hoteli Grand kishte qenë vendndodhja e protestuesve shqiptarë, të cilët i priste policia e atëhershme. Fatmirësisht Haziri kishte dëgjuar një epror t’i thoshte një polici se për 2 minuta do të intervenojnë te popullata civile, andaj ai shpejt e shpejt kishte ndërruar objektivin e tij dhe kishte kapur fotografinë e një burri i cili ulet në tokë dhe ia kap tjetrit pantallonat, në mënyrë që policia mos të ketë se si t’i largoj nga aty duke qenë në tokë.

Por, aparati i Hazirit nuk ishte përballur vetëm me skena të luftës, ai kishte vazhduar hovin e tij të punës edhe në kohë paqeje, duke sjell pamje të ndryshme të kulturës sonë.

Për fotografët e rinj ai shpalosi reportazhin e realizuar një javë më parë, i cili kishte qenë prezent te një familje pejane përgjatë kohës sa ishin duke e përgatitur hajvarin. Ndërkaq, mesazhi që ai përçonte te të rinjtë nëpërmjet këtij rrëfimi qëndronte në faktin se fotografi duhej të kishte durim, njësoj siç ai kishte pasur që të jetë me atë familje që nga blerja e specave, bluarja, përzierja e deri te shtruarja e tavolinës për ta ngrënë, pas 6 orëve punë.

Rrëfimet dhe pamjet që sillte Reka përbrenda atelies së tij padyshim që i pëlqyen shumë pjesëmarrësve. Bora Thacin e ka bërë për vete çdo detaj aty brenda dhe sa më shumë që i shikonte, aq më shumë i rritej kureshtja për këtë drejtim.

“Gjithmonë ka ekzistuar nevoja që dikush ta kap aparatin dhe të bëj fotografimin e diçkaje, madje aparatet, fotografitë dhe gjithçka tjetër që kam parë sot në atelie më kanë treguar se fotografia gjithmonë do të jetojë”, vlerësoi Thaci.

Ajo thekson se pas kësaj punëtorie interesimi iu është rritur dhe është përcaktuar në fotografimin e njerëzve.

“Nga kjo punëtori kam fituar shumë dituri ndaj fotografisë, aparateve dhe përdorimit të tyre, ndriçimin, mënyrat se si kapet më mirë një fotografi, dhe kur kemi të bëj me portrete kam mësuar se duhet t’i kushtoj rendësi vijave të fytyrës së personit”, tha Bora Thaci.

E mësime për fotografinë, përvojat e Rekës dhe durimin si element kyç për këtë rrugëtim i ka marrë edhe Diar Besaj. Ai theksoj se ndjehet i privilegjuar që ishte pjesëmarrës në këtë punëtori, teksa shton se tanimë fotografinë ka filluar ta shoh më ndryshe se më parë.

“Këndvështrimi im ka filluar të ndërrohet për nga vlera që tanimë e shoh në fotografi, sepse më parë e kam parë si diçka që e shpreh një ngjarje por, tash kam arritur ta shoh më thellë dhe ta përjetoj atë”, tha Diar Besaj.

Nga atelia e Rekës ai mbeti i fascinuar për origjinalitetin që pa, ndërkaq nga gjithë opusi fotografik, ai vlerësoi më së shumëti ato që janë realizuar në kohëra të rrezikshme.

“Fotografitë të cilat i ka bërë gjatë, mendoj që kanë qenë më me vlerë, të cilat portretizojnë dhimbje, ndjenjën e lënies së atdheut jo prej dëshirës”, shtoj Besaj.

Vlerësime për fotografitë e shumëta të Hazir Rekës dha edhe pjesëmarrësja, Erleta Gashi. Nëpërmjet kësaj punëtorie dhe shansit të dhuruar për takim me veprimtarinë e Rekës, asaj iu është shtuar interesimi për hulumtim të fotografisë më tutje.

“Të gjithë ne që kemi marrë pjesë mendoj se kemi pasur fat të takohemi dhe punojmë me fotografistin Hazir Reka”, tha Erleta.

Gashi shtoi se në momentin që kishte parë aparatet e vjetra, asaj iu dha ndjesia sikur Reka kishte përshkruar një jetë të tërë nëpërmjet tyre.

Përmbyllja e kësaj punëtorie të fotografisë do të jetë një nismë rrugëtimi për gjithsecilin që e ka pasion fotografinë dhe do të mbetet një kujtim i paharrueshëm falë profesionalizmit dhe ekipit bashkëpunues. Ndërkaq këndvështrimet e ndryshme që kishin këta pjesëmarrës do të kurorëzohen nëpërmjet ekspozitës së fotografive në KultPlus Caffe Gallery./KultPlus.com

Edhe pak ditë deri në mbylljen e konkursit për fotografi “Pen For Culture”

OJQ “ProPlus” me mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë ka ditë që ka hapur thirrjen e radhës për të rinjtë e të gjitha komuniteteve që të aplikojnë në projektin “PEN FOR CULTURE” që ka për qëllim fuqizimin, paqen dhe socializmin dhe punës ekipore nëpërmjet artit.

Në këtë thirrje të hapur, kësaj radhe kanë të drejtë aplikimi të gjithë të rinjtë prej moshës 13 deri 18 vjeç, të cilët kanë interesim për të marrë mësime për fotografinë nga njëri nga fotografët më të mirë kosovarë.

ProPlus në këtë fazë të projektit fton të rinjtë që janë të interesuar për këtë fushë të artit që të jenë pjesë e kësaj punëtorie që do të zgjasë për tre ditë. Të njëjtit duhet të kenë njohuri bazë të gjuhës angleze.

Afati për aplikim është i hapur deri më datë 29 shkurt dhe të interesuarit mund të dërgojnë aplikimin me të dhënat e tyre personale si dhe një numër telefoni në [email protected]. Nga kjo thirrje do të përzgjedhen 10 nxënës.

Pas datës 29 shkurt, të gjitha aplikimet do të shqyrtohen dhe të përzgjedhurit do të njoftohen përmes emailit.

Bëhuni pjesë e kësaj punëtorie artistike, shfaqni talentin tuaj dhe shoqërohuni me njëri- tjetrin, në mënyrë që të kuptoni botën e njëri-tjetrit më shumë, thuhet në njoftimin e organizatorëve të kësaj punëtorie që pritet të mbahet brenda territorit të Kosovës. Punëtoria do të mbahet nën mbikëqyrjen e një profesionisti dhe në fund të punëtorisë, nxënësit pjesëmarrës do të pajisen me mirënjohje. /KultPlus.com

“Nganjëherë duhet t’i japim një gjëje fund, për të nisur diçka të re”

Ese nga Arlinda Hajdaraj

Po t’drejtona ty pa e ditë kush je!
Çka nëse ti çdoherë nis ditën si i dehun, pa i ndalë britmat asnjëherë, tregohesh egoist me gruan tënde, e tërheq zvarrë nëpër dhomë, dhe vetëm godet atë.
Ajo do të vazhdojë me hesht se s’ka guxim me përballu ma shumë vujtje.
Ka me u mbyll n’dhomë e me qajt n’za.
Me facoletë ka me i fshi lotë, ama dhimbjen jo.
A ke mendu se çdo goditje n’trupin e saj, është një thikë n’zemrën e fëmiëjve tu.
Ata nuk mund të jenë të lumtur, e aq më pak kur shohin nënën e tyre n’atë gjendje.
Ata s’kanë me pas andrra, se andrrat jau ke shu ti.
Ty “babë” t’ka mbetë vetëm emri, se një baba nuk ua bën fëmijëve t’vetë këtë gja.
Se fëmijët duhet me t’i bëjnë vet me t’dashtë, e jo të bëjnë gjëra që ata me urrejt ekzistencën tënde.
E ti “femër” e dashur, mos lejo që tjerët me t’sundu, e fytyrës tënde t’ambël me i rrjedh lot.
Ti duhesh me qenë e fortë, se je femër.
Me u bë zonja e vetvetes, e prona e askujt.
Nuk t’kisha thënë me duru, ata që t’bëjnë m’u ndi keq.
Nuk është fund i jetës nëse ti i jep fund një martese.
Nganjëherë duhet t’i japim një gjëje fund, për të nisur diçka të re.
Çdo gjë që ka ndodhur, mirë apo keq, ishte thjesht një mësim për ty.
Nuk ka më humbje kohe, për njerëz që s’dinë ç’është vlera e femrës.
Mos e harro vetveten, e ëndrrat tua.
Mos harro se ti je mrekulli, e mrekullitë asnjëherë nuk shuhen.
Dhuna nuk nxit dashuri, por shkakton veç urrejtje.
Përdorimi i dhunës për çfardo problemi, është një zgjidhje e varfër që e përdorin fëmijët e vegjël dhe kombet e mëdha. (David Friedman) /KultPlus.com

Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë. /KultPlus.com

“Kam nevojë që në klasë mos t’më lirohet banka e fundit por të jem aty në mesin tuaj”

Ese nga Albina Osmani

Në këtë jetë të gjithë vijnë si fletë e bardhë! Ndoshta jeta nuk do ketë gjithmonë ngjyrat tona të preferuara… Nganjëherë do jetë vetëm bardh e zi sikur ekrani televiziv që dukej para 20 viteve. Pavarësisht si do reflektojnë ngjyrat në jetën tonë, unë besoj që askush nuk kemi ardhur gabim në këtë jetë, Zoti na krijoi për një arsye, e ç ‘është më e veçanta se të gjithë kemi ardhur në këtë jetë nga krijesa më e bukur që quhet grua.

Ti që më gjykon mua, zhveshe egoizmin nga vetja edhe nëse të ndjek nga mbrapa, injoroje. Në qoftë se për ty nuk jam më shumë se një ollog, atëherë je gabim! Unë mund të bëj aq sa bënë ti… pse jo edhe më shumë, por prapë mos më trajto keq! Nëse jam femër jeta ime dua të jetë më shumë se vetëm 15 vite, jam ende fëmijë që kam nevojë për kraharorin e nënës, jo për kraharorin e një bashkëshorti, kam nevojë që në klasë mos t’më lirohet banka e fundit por të jem aty në mesin tuaj! Të njëjtën gjuhë flasim, të njëjtin ajër thithim, atëherë pse të mos bëhemi solidar. Të gjithë jemi njerëz me kokë, a mjafton kjo për të pirë njësojë gllënjka uji. A mjafton kjo që të më shikosh me një sy më pozitiv, të mos më shikosh ngjyrën e lëkurës, por ngjyrën e shpirtit! E di pse? Sepse askush nuk ka mundur ta kuptoj përmbajtjen e librit duke shikuar vetëm kopërtinat e tij.

Sa shpesh them më vete se mos Zoti më dënojë në mënyrën më ç ‘njerëzore kur më solli në këtë planet të quajtur “Tokë” e sidomos në një vend të quajtur “Kosovë” ku mezi i lanë vend në hartën e botës, aty ku të jesh njeri do të thotë të kesh dy këmbë e dy duar pa ditur mirë rëndësinë e fjalës. Gjëja e vetme që në këtë botë kemi të përbashkët është shpresa! Më fal këtë nuk mund ta ndryshoj… Por prapë se prapë ndihuni të lirë nga kjo sepse shpresa ime dallon nga ajo juaja! Shpresa ime po bëhet ëndërr, ëndërr që të dal rrugëve e lirë pa dëgjuar njeri të më ofendoj e të më shikoj me neveri, të kapem dorë për dore më të gjithë fëmijët e tjerë e të largojë këtë mllef që po më ngulfat, të rri e qetë pa pritur ditën kur për pak para do largohem nga shtëpia… unë nuk jam objekt për t’u blerë as për t’u bërë lodra juaj, e as skllav i juaji. Në qoftë se ti si prind më sheh sikur një çamçakëz para syve tu, për të tjerët nuk do jem as mikrob, do jem një hiç! Nuk dua të jem e tillë, zemrën dhe mendjen vendosë në dyluftim se do ia dalë mbanë, por jo.

Diskriminimi ndaj meje është bërë përditshmëri e imja, nganjëherë vetmin bëjë miken time më të mirë, e bëjë mbretërinë time… më dëgjon në heshtje pa bërë zhurmë, më pëlqen ajo, është e vetmja që më kujton se do vij dita kur dheu do na mbuloj trupin, si timin të zi edhe tëndin të bardh! Përfundimi i të gjithëve do jetë njësoj… do bëhemi engjëj por atëherë do jemi engjëj pa ngjyrë!

Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë. /KultPlus.com

“ProPlus” hapë thirrjen e tretë për të rinjtë nga të gjitha komunitetet

OJQ “ProPlus” me mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë hapë thirrjen e radhës për të rinjtë e të gjitha komuniteteve që të aplikojnë në projektin “PEN FOR CULTURE” që ka për qëllim fuqizimin, paqen dhe socializmin dhe punës ekipore nëpërmjet artit.

Në këtë thirrje të hapur, kësaj radhe kanë të drejtë aplikimi të gjithë të rinjtë prej moshës 13 deri 18 vjeç, të cilët kanë interesim për të marrë mësime për fotografinë nga njëri nga fotografët më të mirë kosovarë.

ProPlus në këtë fazë të projektit fton të rinjtë që janë të interesuar për këtë fushë të artit që të jenë pjesë e kësaj punëtorie që do të zgjasë për tre ditë. Të njëjtit duhet të kenë njohuri bazë të gjuhës angleze.

Afati për aplikim është i hapur deri më datë 29 shkurt dhe të interesuarit mund të dërgojnë aplikimin me të dhënat e tyre personale si dhe një numër telefoni në [email protected]. Nga kjo thirrje do të përzgjedhen 10 nxënës.

Bëhuni pjesë e kësaj punëtorie artistike, shfaqni talentin tuaj dhe shoqërohuni me njëri- tjetrin, në mënyrë që të kuptoni botën e njëri-tjetrit më shumë, thuhet në njoftimin e organizatorëve të kësaj punëtorie që pritet të mbahet brenda territorit të Kosovës. Punëtoria do të mbahet nën mbikëqyrjen e një profesionisti dhe në fund të punëtorisë, nxënësit pjesëmarrës do të pajisen me mirënjohje. /KultPlus.com

“Në shoqërinë shqiptare gruaja jo vetëm që keqtrajtohej por ishte edhe makinë pune”

Ese nga Edit Cena

Një grua është botë që meriton vendin e saj në shoqërinë njerëzore, duhet të ketë not të lartë për zhvillim të historisë njerëzore“ (Imam Arbër Berisha). Nocioni grua do të thotë shtyllë e familjes , fillesa e një krijimi të ri, po ashtu lindje e një shoqërie.

Një grua është nënë, një grua është femra më e fuqishme e planetit tokë, është krijimi i vet jetës.
Mendimet për një grua janë të shumta dhe në aspekte të ndryshme. Por sa është vlerësuar mbetet në gjendjen e ndërgjegjes së secilit individ.
Në shoqëri gruaja ka qenë e shtypur nga ana fetare po ashtu nga ajo shoqërore. Të drejtat e saj nuk llogariteshin.

Në keq interpretimin e fesë islame gruaja ishte trajtuar si robe në shtëpi të saj, në shoqëri bashkëkohore zëri i femrës nuk dëgjohej për to njerëzit ishin të shurdhër, në shoqëri shqiptare gruaja jo vetëm që keqtrajtohej, por edhe ishte makinë pune.
Këto probleme edhe pse jo të asimiluara, janë evituar në masë të madhe.
Të drejtat e gruas në shoqëri u dëgjuan kur marshuan 15000 gra në rrugët e Nju-Jorkut më 8 Mars 1908, kurse në islam u dëgjuan pas shpalljes së islamizmit në Arabi.

Pozita e saj më së tepërmi varet nga evoluimi i njeriut por më tepër nga zhvillimi i shpirtit human, i cili evoluon dhe vazhdon të zhvillohet çdo ditë e më tepër .
Tani të drejtat e grave ndoshta janë dokumentuar në të drejtat e njeriut por sa zbatohet në praktikë varet nga vendi ku jeton gruaja .
Prezenca dhe pjesëmarrja e gruas në shoqëri kosovare shikohet qartë lëvizja dhe integrimi i saj por ka ende shumë vende të Kosovës që nuk vlerësohen për ato që janë.
Për këtë problem duhet si grua të ngritesh dhe të kërkosh të drejtat e tua . Duhet të ngritesh në këmbë, të luftosh për vendin tënd. Një grua nuk është qenie e dobët . Një grua sjell ndryshim. Ajo nuk ngre zërin të bërtas apo të ankohet vetëm ngre zërin të dëgjojnë edhe ata që janë shurdhër.
“Bëhu gruaja që të thonë ajo ishte grua dhe askush nuk mund të matej me të”
“Ajo theu akullin dhe u ngrit në këmbë për të gjitha ne “. (Paulo Cohelho) 

Kjo ese ishte në mesin e dhjetë eseve në kuadër të punëtorisë “Pen For Culture” organizuar nga OJQ “ProPlus” dhe mbështetur nga Amasada Amerikane në Kosovë. /KultPlus.com