Ditët e ftohta të Migjenit edhe sot në Pukë, mbulohet nga bora bashkë me nxënësin e tij

Nga Alma Nikolli.

Kur mësues Migjeni u nis me dhanë mësim në Pukë ishte prilli i vitit 1936. Ishte pranverë. Stina kur çelin lulet. Por në Pukë dimri nuk mbaron në Pranverë, ka ndodhë që dëbora i zbardh malet edhe në maj. Në Pukë dimri nuk mbaron as në verë. Dielli shndrit, por zemrat janë të ftohta. Varfëria ende është siç e përshkruante poeti i madh dikur.Ndoshta të vegjlit nuk janë më teshashqyer si nxënësi i Migjenit dikur, por janë ëndrra arnuar. Qyteti asht i bukur por nuk të jep me hangër, le ma me qenë i lirë… me qenë sikur do kishte dashtë mësues Migjeni. Si çdo qytet tjetër po e braktisin, siç kam ba edhe unë para shumë vitesh.Në ditët e fundit të këtij vitit, “News 24” tregoi historinë e një familjeje të varfër në Pukë. Katër vogëlushe sy shkruara, të bukura si lulet ngjyra-ngjyra që mbushin livadhet e Pukës në Pranverë, shikonin të atin teksa qante për varfërinë që u dhuroi edhe këtë fundvit që shkoi.

E të gjitha këto, mësues Migjeni ndoshta edhe i sheh, teksa qëndron mendueshëm me nxënësin në prehër. Migjeni përjetësisht poet i mjerimit, e nxënësi përjetësisht tesha shqyer. Kjo është statuja e përjetësuar në Pukë, statuja që flet pa folë, se ende gjallon, statuja që në dimën ka ftohtë.E meqë në këto ditë të ftohta pak kush menon me ja ngrohë zemrën Migjenit, duke i thanë që Luli i tij i vocërr nuk ka ma shokë, natyra ban të vetën. “Thur” një plis të bardhë borë për Migjenin e një për nxënësin tesha shqyer. Një fotografi trishtueshmërisht e bukur!*Fotografia e publikuar nga “Puka Albania” ./ KultPlus.com

Shqipëria po digjet, Puka po digjet, gjyshërit tanë po digjen…

Nga Alma Nikolli

-“Ku jemi këtu?”, pyeste kinezi.
-“Në Pukë.
Pas shumë minutash pyeste sërish.
-“Po këtu?”
-“Në Pukë”, i përgjigjej po prapë shoqëruesi shqiptar.
Pas një ore.
-“Po tani ku jemi?”
-“Në Pukë”.
-“Po Puka qenka më e madhe se Pekini!”.

Ky është një dialog që mendohet të jetë zhvilluar përgjatë viteve të komunizmit në rrugët e Pukës. Nuk vë dorën një zjarr për vërtetësinë, ama ashtu si atëherë, thuajse përgjatë të gjitha rrugëve të Pukës së madhe apo të vogël, ka pisha të panumërta.
Pisha, që tani kur unë po shkruaj vazhdojnë të digjen. Të shkrumbohen! Pisha të larta që po u thahen halat, e pas pak kohësh do rrëzohen mbi njëra tjetrën. Prej tre ditësh era ndez vatra të reja zjarresh në dy fshatra, Tuç e Lumbardhë. Njëri fshat që po shkrumbohet ishte më i bukuri në botë, sepse aty kam lindur unë. Po tani nuk e ka më fytyrën e vet.

Kumbulla në oborr është djegur e rrëzuar. Ftoi i ka hedhur të gjitha frutat në tokë, ashtu gjysmë të pjekur e gjysmë të djegur rrëfejnë se dikur aty pati jetë. Malet janë zhveshur dhe mushkëritë na u bllokuan, pishat nuk na mbushin dot me frymë. E kë? Ne. Ne që dikush më shumë e dikush më pak jemi rritur me aromën e tyre, me oksigjenin e tyre.
Më tutje, aty nën udhë tymi sikur kishte marrë tjetër ngjyrë. Po digjeshin varrezat. Prej varrezave e teposhtë, flaka sa vinte e shtohej, më ngjante bash sikur ishte zemërimi i të vdekurve që s’po lihen rehat as në atë botë. Ishte gjyshi im që largonte tymin me qeleshe…

Mes tymit e të kolliturave u larguam nga fshati. Ta shikoje të digjej e të mos bëje dot asgjë, përveç fotografive, ishte me të vërtetë e dhimbshme. Është akoma. Do të jetë.
Për zjarrfikëset nuk po flas. I pamë diku “një fshat” larg zjarrit. Helikopterë me ujë? Ata dinë të dalin bukur vetëm në foto. Këmbë njeriu dhe ariu nuk pat, qoftë edhe të na parandalojë për rrezikun e hapave mes tymit e flakëve, ama njeriu mendon me zemër ndonjëherë.

Në vitin 2007, në këto zona ka pasur zjarre thuajse me përmasa të tilla. Ashtu si sot, edhe atëherë thuhej se ishte i qëllimshëm. Pse shqiptarët po na e djegin oksigjenin qëllimisht? Që të na thonë se askush nuk do ta fikë? Përse po na i vdesin sërish të vdekurit? Pse duan të na zhdukin çdo lidhje të qenësishme që kemi me vendin tonë? Që të ikim? Të ikim pa merakun se kemi kujtime pas? Kujtime që nuk kanë më një vend, kujtime të mbetura në zemër.

Fillon projekti për restaurimin e shkollës ku dha mësim Migjeni (FOTO)

Në Pukë ka nisur sot puna për hartimin e projektit të restaurimit të shkollës ku dha mësim poeti revolucionar Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni, shkruan KultPlus.

Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë udhëtuar drejt shkollës muze të qytetit të Pukës, në vendin ku Migjeni jeton sot nëpërmjet fotove, kujtimeve dhe veprave të tij, të cilat qëndrojnë të ekspozuara në ambientet e shkollës.

Duke marrë parasysh gjendjen aktuale jo të mirë të monumentit dhe rëndësinë e tij, specialistët kanë nisur punën për hartimin e projektit të restaurimit.

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka theksuar se restaurimi i elementëve karakteristikë të objektit si dhe rikonceptimi i ambientit të brendshëm në shërbim të ekspozimit të objekteve, do të mund të rikthejnë vëmendjen e vizitorëve ndaj këtij objekti muzeal, me vlera të veçanta./ KultPlus.com