Fillimi i vitit shkollor, policia apelon vozitësit për kujdes të shtuar

Sot ka nisur viti i ri shkollor pas një muaji grevë. Me nisjen e mësimit shkollor, policia apelon vozitësit për kujdes të shtuar në komunikacion.

Apelin e ka publikuar policia në faqen e saj në Facebook duke këshilluar vozitësit që të kenë kujdes sidomos gjatë ngasjes së mjetit në zonën e shkollës. / KultPlus.com

‘Një mësues i mirë është si një qiri, konsumon vetveten për të ndriçuar rrugën e të tjerëve’

KultPlus ju sjell disa thënie për rëndësinë e mësuesit dhe mësimeve.

-Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë

-Mësuesi prek përjetësinë. Kurrë nuk mund të thuhet se ku përfundon influenca e tij.

-Ëndrra fillon me një mësues i cili beson në ju, i cili ju shtyn dhe ju shpie në një plato tjetër, nganjëherë ju ngacmon me një shkop të mprehtë të quajtur ‘e vërteta‘.

-Shkolla vlen aq sa vlen arsimtari i saj.

-Ai njeri që i bënë të lehta gjërat e vështira është vetëm mësuesi.

-Mësuesi është përhapësi i dritës.

-Mësimdhënia është profesioni ndoshta më i cmuar, më i dobishëm për bashkësinë dhe ka ndikim më të madh në lumturinë e përbashkët.

-Secila fjalë që flet mësuesi duhet të jetë mësim; secili hap që bën ai duhet të jetë shembull i mirë – Jean-Baptiste de La Salle.

-Mësuesit më të mirë mësojnë nga zemra e jo nga libri

-Kush guxon të japë mësim, kurrë nuk duhet të pushojë së mësuari.

-Mësuesi është ai që të hap derën, në të cilën ti duhet të hysh vet. /KultPlus.com

Nxënësit pushojnë të hënën për shkak të Ditës së Çlirimit

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme do të kenë pushim ditën e hënë, më 13 qershor, për nder të Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Edhe pse Dita e Çlirimit kremtohet më 12 qeshor, nxënësit do të pushojnë të hënën shkas i kësaj dite.

Në këtë datë këmbësoria e NATO-s zbarkoi në territorin e Kosovës, duke i dhënë fund vuajtjeve të popullit shqiptar.

Serbia ka tërhequr forcat paraushtarake nga territori i Kosovës, pas 78 ditësh të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Ndërkaq, disa nxënës do të pushojnë edhe të martën për shkak se në disa shkolla organizohet “Testi i Arritshmërisë”. /KultPlus.com

Xhaçka: Gjuha shqipe do njihet në shkollat në Greqi

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se gjuha shqipe do njihet në shkollat në Greqi.

Ajo u shpreh se gjatë takimit me ministrin e Jashtëm grek Dendias diskutuan mjaft çështje me interes për emigrantët.

“Çdo vend ka rregulla, për emigrantët dhe ata që aspirojnë që të jetojnë në atë vend. Diskutuam për të drejtat e atyre që janë integruar aty, ky kujdes ishte pjesë e diskutimeve tona, për të ofruar lehtësira në shërbimet konsullore, për të drejtat e fëmijëve që të mësojnë shqipen në sistemin arsimor të Greqisë, kemi folur dhe për tema të tjera të lidhura emocionalisht. Kemi folur dhe për të zgjidhur tematika të kaluara, atje është një komunitet me mbi 600 mijë shqiptarë. Interesat e tyre janë në vëmendje”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, këtë javë po shënohet edhe Java e Kulturës Greke në Shqipëri. /KultPlus.com

The Chicago Tribune në vitin 1921: Pas tërmetit shkatërrues në Elbasan, dy amerikanë të ndihmës sociale organizuan një shkollë për 300 fëmijë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Mars 2022

“The Chicago Tribune” ka botuar, të premten e 11 shkurtit 1921 dhe të mërkurën e 8 shkurtit 1922, dy shkrime në lidhje me ndihmën e dy grave amerikane ndaj fëmijëve shqiptarë pas një tërmeti shkatërrues asokohe në Elbasan, të cilat, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, i ka sjellë për publikun shqiptar :

Gratë amerikane organizojnë shkollë për shqiptarët

Se si dy punonjëse amerikane të ndihmës sociale organizuan një shkollë për 300 fëmijë shqiptarë pasi një tërmet shkatërroi shtëpitë e tyre, tregohet nga Majori E. J. Swift i Kryqit të Kuq Amerikan, i cili është personi i parë që ka arritur nga Parisi në Elbasan, Shqipëri, ku 3.000 shtëpi u shkatërruan në tërmetin e fundit që shkaktoi humbjen e katërmbëdhjetë jetëve.

Zonjusha Winifred Warren, Nju Jork dhe zonjusha Norah (Hazel) Ruddy, Çikago, ishin vendosur në Shqipëri në lidhje me punën e Kryqit të Kuq të Rinjve”, tha Major Swift. “Sapo ndodhi tërmeti, ato organizuan ndihmë për të vuajturit dhe ngritën tenda për ata që kishin mbetur të pastrehë.

Kur të plagosurit dhe të pastrehët u mjekuan”, vazhdoi Maj. Swift, dy gratë e Kryqit të Kuq, të cilat ishin vetëm punonjëse të ndihmës së shpejtë në vend, menjëherë ndërmorën hapa për të vazhduar mësimet e fëmijëve dhe, meqë moti ishte i favorshëm, i mbajtën ata nën portokallitë. U vendosën stola dhe tavolina me portokallitë sipër, sikur situata të ishte normale.

Heroina e tërmetit arrin në Paris

Burimi : The Chicago Tribune, e mërkurë, 8 shkurt 1922, f.2
Burimi : The Chicago Tribune, e mërkurë, 8 shkurt 1922, f.2

Zonja Winifred K. Warren, e dekoruar tri herë nga qeveria shqiptare për veprën e saj heroike gjatë tërmetit të vitit të kaluar, mbërriti dje në Paris dhe ndodhet në hotel Sylvia për disa ditë para lundrimit për në Amerikë.

Zonja Warren dhe Zonja Hazel Ruddy, një tjetër vajzë amerikane, ishin në Elbasan kur ndodhi tërmeti, 30 kilometra me kalë nga vendbanimi më i afërt. Ato ishin ndër të paktët të mbijetuar të fatkeqësisë dhe punuan për shumë orë pa pushim për të shpëtuar të plagosurit dhe për t’u dhënë shërbim mjekësor. Të dyja vajzave iu dha mirënjohja më e lartë e qeverisë shqiptare si shpërblim për shërbimet e tyre. /KultPlus.com

Nesër nxënësve në të gjithë Kosovën do t’u flitet për Ukrainën

Sindikata e Arsimit (SBASHK) u ka bërë thirrje mësimdhënësve që të mërkurën e 2 marsit, në orën e parë mësimore, t’i kushtohet Ukrainës, në shenjë solidariteti ndaj tyre dhe dënimit të agresionit rus.

Nëpërmjet një njoftimi në Facebook, SBASHK-u shkruan që aktivitetet mund të zhvillohen duke paraqitur flamurin e Kosovë dhe të Ukrainës, “pastaj punime/vizatime të ndryshme nga nxënësit me simbol të Ukrainës dhe të shtetit tonë, Kosovës”.

“Një mbështetje e tillë për ne është obligim moral e human, për shkak se kur kemi qenë në situata të tilla ne mësimdhënësit, nxënësit e i tërë populli kosovar, ka pasur organizime të tilla solidariteti për ne nga mësimdhënës e nxënës të shteteve të ndryshme të mbarë botës. Aktivitetet e tilla paraqitni në rrjetet sociale të shkollës apo ato personale e njëkohësisht edhe ne do t’i paraqesim në rrjetet tona sociale dhe do t’iu përcjellim edhe kolegëve tanë në EI, ETUCE dhe Ukrainë”, thuhet nga SBASHK-u.

Sot është dita e gjashtë qëkur forcat ruse kanë sulmuar Ukrainën./ KultPlus.com

Hapet shkolla shqipe në Kreuzlingen të Zvicrës

Në vitin 2022 është hapur edhe një shkolllë e re shqipe në Zvicër, shkruan KultPlus.

Në qytetin e Kreuzlingen-it, kantonin Thurgau prindërit shqiptarë tanimë mund t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollën shqipe.

Mësuesja e kësaj shkolle, Albana Bejta-Gjocaj, ka thënë për KultPlus se kjo shkollë është hapur me numër të kënaqshëm të nxënësve.

Disa prej fotove të cilat mësuesja i ndanë me të lexuesit, mund t’i shikoni më poshtë. /KultPlus.com

Hapet një tjetër shkollë e gjuhës shqipe në Zvicër

Në Zvicër është hapur një tjetër shkollë e gjuhës shqipe në komunën Aadorf të Kantonit të Thurgaut. Mësimi do të zhvillohet çdo të mërkurë në orën 16:00.

Lajmi bëhet i ditur nga Ambasada e Shqipërisë në Bern: “Në vijim të punës për masivizimin e mësimit të gjuhës shqipe në Diasporë, “Shkolla Shqipe” në mbështetje të vazhdueshme nga Ambasada e RSH në Bern, hap dhe një degë të mësimit të gjuhës, kulturës e historisë shqiptare. Mësimi në këtë shkollë zhvillohet çdo të mërkurë, nga ora 16:00 me mësuese Feride Liçolli”, shkruhet në njoftimin e Ambasadës.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë, gjithashtu u bën thirrje të gjithë prindërve dhe fëmijëve të moshës shkollore të bashkohen në këtë përpjekje për të ruajtur e promovuar gjuhën, kulturën, traditat e historinë Atdhetare. /diasporashqiptare/ KultPlus.com

Nagavci: Mësimdhënia online po vazhdon të përballet me vështirësi, të ndihmohen nxënësit

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, është deklaruar për fillimin e procesit mësimor, pas pushimit pranveror, fillimi i gjysmëvjetorit të dytë.

Ajo ka bërë thirrje që të ndihmohen nxënësit të mësojnë nga distanca.

“E di se përkundër përpjekjeve, mësimdhënia online po vazhdon të përballet me vështirësi të ndryshme, por ajo mund e duhet të ketë edhe avantazhet e veta. Andaj bashkë me kujdesin për shëndetin fizik e mendor duhet të punojmë edhe për të arritur rezultate në mësim”, shkruan ajo ndër të tjera.

Postimi i saj i plotë:

Pandemia që na ndau fizikisht na jep dhe një mundësi të punojmë shumë bashkërisht.

Përballja me Covid -19 nuk ka qenë e lehtë, sfidat të shumta, e pasojat duket se do t’i shohim e ndjejmë edhe për një kohë të gjatë. Por, sot ju thërras që të jemi bashkë, ju lus të fokusohemi tek ajo që duhet të bëjmë të gjithë, të angazhohemi për të ndihmuar fëmijët e nxënësit tanë. Sepse për fëmijët duhet të gjejmë rrugën e mjetet për të fituar secilën betejë, edhe ato më të vështirat.

Pas pushimit pranveror, sot në bankat shkollore janë kthyer filloristët. Ata do të vazhdojnë mësimin e rregullt dhe jemi njoftuar se të gjitha objektet shkollore janë dezinfektuar e do të mirëmbahen vazhdimisht duke ofruar kushte të sigurta për mësimdhënie e mësimnxënie. Ndërkaq pjesa tjetër e nxënësve, pra ata të klasave VI-XII, këtë javë mësimin do ta zhvillojnë në distancë.

E di se përkundër përpjekjeve, mësimdhënia online po vazhdon të përballet me vështirësi të ndryshme, por ajo mund e duhet të ketë edhe avantazhet e veta. Andaj bashkë me kujdesin për shëndetin fizik e mendor duhet të punojmë edhe për të arritur rezultate në mësim. Covid-19 na e ndryshoi jetën, andaj natyrshëm se po ndryshon dhe mësimdhënien e mësimnxënien. Nuk kemi analiza e studime të detajuara, por s’do mend se shumë gjëra nuk kanë shkuar ashtu si duhet e si dëshirojmë,  kjo duhet të na motivojë të punojmë më shumë e më mirë.

Kjo është një përvojë e re për shumicën e shkollave gjithandej në botë, por duke mësuar e duke u përballur me të rejat edhe zhvillohemi. Andaj ta shohim si mundësi e të shfrytëzojmë më të mirën e mundshme.

Për të gjithë puna do të jetë me intensitet të shtuar, menaxhmenti dhe gjithë stafi i shkollave, zyrtarët komunal e ata të ministrisë, duhet të jenë në nivelin më të lartë të detyrës. Megjithatë,  mësimdhënësit e prindërit e kanë barrën më të rëndë në këtë proces të mësimit në mënyrë virtuale, duhet shumë punë, duhet bashkëpunim e angazhim  nga të dyja palët e që shpresoj se nuk do të mungojë.

Virusi ka goditur më së shumti grupet e cënueshme të margjinalizuara që hasin në sfida të shumta që duhet adresuar. Shkollimi është së pari edukim prandaj duhet ta shfrytëzojmë masat e rekomanduara për të ndërgjegjësim për shëndetin, për kujdesin për njëri-tjetrin, për respektin e detyrimet që kemi si individ e komunitet.

Jam e vetëdijshme se s’do të jetë gjithnjë e lehtë, por duhet të jetë e mundshme. Mbështetja jonë do të jetë e plotë, ashtu sikurse dhe kërkesa për të qenë në nivelin më të lartë të detyrës.

Të mbështesim fëmijët/nxënësit tanë të jenë sa më të suksesshëm në këtë mësimnxënie e rutinë të re, të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe të mos lëmë asnjë prapa me mësime.

Shëndet e suksese në gjysmëvjetorin e dytë! / KultPlus.com

Të hënën nxënësit shkojnë në shkollë, s’ka vendim për pushim njëjavor

Zëvendësministri në detyrë i Arsimit, Xhavit Rexhaj, ka thënë për Klankosova.tv se të hënën mësimi do të vazhdojë normal, transmeton KultPlus.

Kjo pasi që nuk është marrë ndonjë vendim për pushim njëjavor siç propozoi Ministria e Arsimit ditë më parë.

Në mbledhjen e Komitetit për COVID-19 nuk është marrë vendim as për masa të reja derisa u ngritën shqetësime për numrin në rritje të pacientëve me COVID-19.

“Kemi dalë me një propozim që nxënësit të shkojnë në pushim njëjavor. Dhe në fund të javës të vendoset për situatën epidemiologjike, dhe të të shohim se për çfarë modalitete. Konsiderojmë se masa të tilla duhet të merren si pjesë e një pako për uljen e rasteve. Nuk mund të ketë reagim parcial për shkak të vatrës së shumëllojshmërisë. Ne në arsim kemi dal me propozim 1+1. Dhe që të ruajmë resurset që të mos vije situata që të mos kemi mësimdhënës”, ka thënë Rexhaj në këtë mbledhje. / KultPlus.com

Gjobitet punonjësi i shkollës në Prizren, nuk tregoi kujdes në matjen e temperaturës së nxënësëve (VIDEO)

Punonjësi i një shkolle fillore në Prizren u gjobit nga Inspeksioni për shkak që ua mati temperaturën pa treguar kujdes dhe pa u ndalur tek secili nxënës, transmeton KultPlus.

Rasti ka ndodhur para disa ditësh, ndërsa sot drejtori i Inspeksionit në Prizren, Edon Muçaj, ka njoftuar se punonjësi i kësaj shkolle është dënuar me 200 euro gjobë.

Sipas tij, matja e temperaturës me termometër digjital tek nxënësit e shkollave për mbrojtjen nga COVID-19, është e rregulluar me Ligj.

“Matja e temperaturës me termometër digjital tek nxënësit e shkollave për mbrojtjen e tyre nga pandemia COVID-19 është e rregulluar me Ligjin antiCOVID andaj duhet zbatuar. Kësaj radhe gjobë mandatore si udhërrëfim që rastet e tjera të njejta të mos përsëriten!”, shkroi Muçaj në Facebook. / KultPlus.com

‘Kush hap një shkollë, mbyll një burg’

Sot shënohet 134 vjetori i hapjes së shkollës së parë shqipe, e cila u hap në vitin 1887 në Korçë, në periudhën e fundit të Perandorisë Osmane, shkruan KultPlus.

Arsimi është arma më e fuqishme dhe e vetmja rrugë drejt zhvillimit të shoqërisë

Sot për nder të ditës së mësuesit, KultPlus ju sjell thënien e njohur të shkrimtarit të njohur francez, Viktor Hygo.

‘Kush hap një shkollë, mbyll një burg’ / KultPlus.com

168 milionë fëmijë në botë s’kanë shkuar në shkollë për një vit

Në gjithë botën, më shumë se 168 milionë fëmijë kanë pasur shkollat e mbyllura për gati një vit, sipas UNICEF-it, si pasojë e mbylljeve nga koronavirusi.

Një në shtatë fëmijë – 214 milionë – nuk kanë shkuar në shkollë për më shumë se tre tremujorë.

Sipas të dhënave të UNICEF-it, dy të tretat e shteteve që kanë mbetur të mbyllura më së gjati ishin në Amerikën Latine dhe Karaibe, duke prekur rreth 98 milionë fëmijë.

Një nga 14 shtetet, Panamaja ka mbyllur shkollat më së gjati, e ndjekur nga El Salvadori, Bangladeshi dhe Bolivia.

Sipas UNICEF-it, ndikimi i mbylljes së shkollave ka “pasoja të tmerrshme në mësimin dhe mirëqenien e fëmijëve”.

“Fëmijët më të ndjeshëm dhe ata që s’kanë qasje në pajisjet online të mësimit janë në rrezik të mos kthehen fare në klasa, dhe të shtyhen drejt martesave ose punës”, thuhet në shpjegimin e UNICEF-it. / KultPlus.com

Mbi 4.200 punëtorë të arsimit me Covid-19, në shkolla mungojnë maskat dhe dezinfektues

Mbi 4.200 punëtorë të arsimit janë infektuar me virusin Covid-19, që nga paraqitja e rasteve të para në Kosovë. Ndërkohë, shpeshherë ka mungesë të maskave dhe dezinfektuesve nëpër shkolla.

Kështu ka thënë përfaqësuesit i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ymer Ymeri, i cili ka folur edhe për marrëveshjet e fundit, siç është marrëveshja kolektive, si dhe ajo me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hotin.

Gjysëmvjetori i dytë i këtij viti shkollor në nivelin fillor dhe të mesëm ka filluar më 18 janar. Prej asaj date shumë nxënës dhe mësimdhënës janë infektuar duke ndodhur kështu dhe mungesa e tyre në mësim.

Ymeri tha se frikësohen se rritja e numrit të infektuarve që ka ndodhur gjatë ditëve të fundit, do të ndikojë edhe në rritjen e numrit të infektuarve nga personeli arsimor.

“Numër të saktë nuk kemi por mund të themi se punonjës të arsimit, duke i përfshirë edhe mësimdhënësit dhe punëtorët e tjerë të cilët janë të angazhuar drejtpërdrejtë në procesin mësimor, kemi mbi 4,200, kemi frikë që rritja e numrit të infektuarve ditëve të fundit, do të ndikoj edhe në rritjen e numrit të infektuarve nga personeli arsimor, dhe kjo mund ta qoj ndonjë shkollë tek varianti C, pra tek mësimi online, variant i cili është më pak frytdhënës sesa variantet e tjera. Mbesim me shpresë që mësimdhënësit dhe nxënësit të ruajnë distancën, të vendosin maskat dhe të përdorin dezinfektues”, tha ai për KosovaPress.

Ymeri tha se ani se Ministria e Arsimit kishte ndarë buxhetin për mjetet higjenike dhe për pagesat shtesë, prapë nëpër shkolla ka mungesa të maskave dhe shumë shpesh edhe të dezinfektuesve.

 “Jemi të zhgënjyer në drejtoritë komunale të arsimit, kanë pasur një buxhet të aprovuar nga Qeveria e Kosovës me propozimin e Ministrisë së Arsimit, edhe për mjetet higjenike por edhe për pagesat shtesë të mësimdhënësve që mbajnë orë përtej normave. Nuk e kanë shfrytëzuar asnjërën, shpeshherë ka mungesë të maskave nëpër shkolla, ashtu qysh e parasheh Instituti i Shëndetësisë, shumica e mësimdhënësve dhe nxënësve i përdorin maskat e veta, dezinfektues shumicën e rasteve ka nëpër shkolla, por kemi edhe raste kur nuk ka”, tha ai

Ymeri u ndal edhe te nënshkrimi i marrëveshjes kolektive në mes SBASHK-ut dhe Ministrisë së Arsimit, ku tha se është në procedurë të shtypjes. Sipas tij, arsyeja e mos publikimit të marrëveshjes është bërë për të mos ndikuar në fushatën zgjedhore. /express/ KultPlus.com

Prindërit ankohen: Pushimi prej 1 muaji në dimër po i shkëput fëmijët nga procesi mësimor

Ka mbetur edhe një javë deri tek përfundimi i gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor 2020/2021. Qeveria e Kosovës ka marr vendim ditë më parë që pushimi dimëror të zgjas një muaj. Për këtë vendim të pakënaqur janë prindërit që po shprehin drojën se një shkëputje kaq e gjatë nga procesi mësimor është në dëm të fëmijëve të tyre. Edhe njohësit e arsimit po thonë se nxënësit duhet angazhuar gjatë kësaj periudhe në mënyrë që të mos dëmtohen më shumë.

Viti i ri shkollor 2020/2021 ka nisur me vonesë. Kjo për shkak të pandemisë Covid-19. Edhe mbyllja e gjysmëvjetorit të parë të këtij viti shkollor do të bëhet më herët, e pushimi dimëror do të zgjas më shumë. Nxënësit do tu kthehen bankave shkollore tek më 18 janar 2021, teksa pushimi në kohëzgjatje prej një muaji nuk është mirëpritur.

Ymret Reshiti, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës, ka thënë për Express që vendimi i Qeverisë që nxënësit të kenë pushim dimëror një muaj është në dëm të tyre.

“Ky vendim i Qeverisë që pushimi dimëror të zgjaste nga dy javë në 1 muaj shkon në dëm të nxënësve për shkak që edhe më tutje i shmang ata nga procesi mësimor, kur dihet fakti që këtë vit për shkak të pandemisë është mundësuar për një kohë të gjatë thuajse mësimi online ose nga distanca”, ka thënë ai.

Madje Reshiti pohoi se për këtë vendim as që janë konsultuar nga Qeveria.

“Gjithashtu edhe viti shkollor ka filluar me vonesë , pastaj është me gjysmë orari dhe tani nëse zgjatet pushimi nga 2 javë në një muaj është një ngarkesë edhe më tutje në shkëputjen e nxënësve nga procesi mësimor. Ne si Këshill i prindërve e kemi ngriture shqetësimin tonë dhe ne si këshill mendojmë që ka qenë i nxituar dhe se nuk janë vlerësuar drejt rrethanat. Ne nuk jemi konsultuar për këtë çështje”, ka thënë më tutje ai.

Për njohësin e fushës së arsimit, Dukagjin Pupovci, pandemia dhe mësimi në largësi ka shmangur socializmin e nxënësve duke i lënë ata në distancë nga njëri-tjetri.

“Me siguri më shumë do të dëmtohen fëmijët nga grupet e margjinalizuara që nuk kanë qasje në teknologji, sepse ata nuk do të mund të jenë pjesë e procesit mësimor kur klasa e tyre duhet të shkoj në shtëpi për shkak të rasteve të infeksionit. Pandemia ka lënë pasoja edhe tek fëmijët, sepse në kushte të tilla duhet bërë të kundërtën e asaj që quhet normale. Kështu, në vend të nxiten fëmijët që të jenë sa më afër njëri=tjetrit, ata detyrohen të mbajnë distancë, që pengon bashkëpunimin dhe socializmin në mes tyre. Po ashtu, ata duhet të mbajnë distancë edhe nga mësimdhënësit, që vështirëson ofrimin e ndihmës kur kanë nevojë”, ka thënë ai.

Ndërsa për sa i përket pushimit një mujor dimëror, Pupovci tha se është mirë që gjatë kësaj periudhe nxënësit të angazhohen me detyra shtesë.

“Një muaj është kohë e gjatë, por është mirë që gjatë kësaj periudhe fëmijëve t’u jepen ca detyra që duhet t’i bëjnë në kohën e këtij pushimi të imponuar”, ka deklaruar ai për Express.

Të nevojshëm ai e pa ndryshimin e kalendarit shkollor në mënyrë që të kompensohen orët e humbura përgjatë kësaj periudhe..

“Pastaj, është me rëndësi që të ndryshohet kalendari shkollor në mënyrë që të realizohet numri i duhur i ditëve të punës, qoftë edhe nëse duhet punuar në dy javët a para të korrikut. Kosova bën pjesë në mesin e vendeve evropiane që kanë më së paku ditë mësimi gjatë një viti shkollor dhe nuk është mirë që numri i tyre të zvogëlohet edhe më shumë, duke marrë parasysh pasojat që edhe ashtu i shkakton pandemia”, ka potencuar ai.

Kujtojmë që më 1 dhjetor të këtij viti, kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, njoftoi që kanë marr vendim që gjysmëvjetori i parë të përfundoj me 18 dhjetor.

Ai konfirmoi se nxënësit bankave shkollore do tu kthehen më datë 18 janar.

Pra nga dy javë sa i kishin pushim nxënësit, si pasojë e pandemisë dhe rritjes së infeksioneve edhe në shkolla të vendit, pushimi është zgjatur në një muaj. /Gazeta Express/ KultPlus.com

SBASHK: Në kalendarin e Ministrisë e hëna është pushim dhe nxënësit nuk humbin asgjë

Qeveria e Kosovës tha të premten se ditën e hënë do të punohet dhe nuk do të pushohet për shkak të festës së 28 nëntorit. Por SBASHK’u thotë se e hëna do të jetë ditë pushimi për shkollat.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës së Kosovës, Rrahman Jasharaj, thotë se ata ‘nuk po kundërshtojnë askënd’ por se po zbatojnë kalendarin e Ministrisë së Arsimit’.

“Të premten mësimdhënësit në orët  para kanë folur për festën e Flamurit dhe datëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe u kemi thënë nxënësve se e hëna është ditë pushimi”, tha Jasharaj.

“Deklarata e kryeministrit se të hënën do të punohet për t’u solidarizuar me punëtorët shëndetësorë dhe policinë ka ngjallur huti dhe ne kemi dal publikisht dhe jemi përgjigjur duke u thirrur në kalendarin e Ministrisë së Arsimit ku e hëna është ditë pushimi në shenjë respekti për Ditën e Flamurit”, shpjegoi ai për RTV Dukagjini.

“Ne nuk jemi kundër nëse Parlamenti i Kosovës do ta ndryshojë ligjin”, shtoi ai.

Sipas Jasharit nxënësit nuk do t humbin asgjë dhe se mësimit do i kthehen të martën.

“Në kalendarin e Ministrisë e hëna është pushim dhe nxënësit nuk humbin asgjë”, tha Jasharaj. /gazetaexpress/ KultPlus.com

Shokuese: Nxënësi e incizon arsimtarin, dëgjohet duke e fyer me fjalë banale (VIDEO)

Gazeta Express ka siguruar një video shokuese ku shihet një nxënës në një shkollë të Kosovës duke e fyer me fjalë të rënda një arsimtar.

Në këtë video, siç shihet edhe nga pamjet, arsimtari është me ditar në dorë në klasë, derisa një nxënës i bën atij disa pyetje fyese dhe e incizon me telefon.

Nuk dihet se në cilën shkollë të Kosovës është bërë kjo video, apo nëse ndaj nxënësit është marrë ndonjë masë disiplinore.

Në sfond shihen duke qeshur shokët e nxënësit, i cili shan dhe incizon arsimtarin.

Mësimdhënësi, ndërkaq, tenton ta ndalë djalin që të mos flasë fjalë të tilla./ KultPlus.com

https://video.gjirafa.com/e-tmerrshme-nxenesi-e-incizon-arsimtarin-e-pyet-per-organ-gjenital-dhe-marredhenie-seksuale

‘Shkolla të bën të lirë, një njeri i shkolluar mirë është një njeri i lirë’

Nga Ledi Shmaku

E Diela jote e fundit e pushimeve të verës. Këtë javë do t’i kthehesh shkollës. Lum ti! Ta them sinqerisht, edhe unë do doja të isha sërish në shkollë! Shumë hapa do t’i hidhja ndryshe, ndaj dua të flas me ty që je ende në kohë.

Së pari të them që shkolla nuk të bën të ditur; shumë po shumë dije do t’i marrësh vetë, me sprova e lexime e punë, pasi ta kesh mbaruar shkollën. Shkolla është një lloj shigjete e Kupidit, një rreng i bukur, më i bukuri i rrengjeve që ti të mbetesh përherë i varur nga dija, që ti të duash të dish derisa të rrosh. Këtë rreng e kanë në dorë mësuesit po e ke edhe ti vetë. Mos lejo askënd të shuajë pikëpyetjet e tua! Mos u lodh e mos u mërzit nga tekste që mund mos të të joshin, as nga provime të hartuara mërzitshëm! Gërmo te ato që të pëlqejnë, gërmo shumë! Lexo ç’të mundesh për ato që të pëlqejnë. Lexo pa paragjykim, s’ka rëndësi në janë lexime shkollore, në janë libra apo informacione interneti, s’ka fare rëndësi – vetëm lexo, gërmo, pyet, mendo dhe fol! Pyet dhe mendo!

Sonte në darkë, para se të gdhijë fillimviti i ri shkollor, pyete veten se cili a cila don të jesh në jetë. Jo çfarë don të bëhesh, këtë nuk e ke ende të qartë, po cili don të jesh, çfarë njeriu don të jesh! Pyete veten sonte në darkë dhe pyete çdo darkë! Njoh plot njerëz moshatarë me mua (pra shumë më të mëdhenj se ty) që këtë pyetje nuk ja kanë bërë ende vetes, ma beso!

Dhe tash ata kanë hyrë në t’atillë ritëm jete që s’kanë më as kohë e as dëshirë për një pyetje-përgjigje të këtij lloji. Pyete veten – përgjigjen e ke te shkolla! Shkolla të bën të lirë, ta dish! Një njeri i shkolluar mirë nuk është një njeri dosido; një njeri i shkolluar mirë është një njeri i lirë. I LIRË dhe me shtyllë të plotë kurrizore për t’i qëndruar mandej kurtheve të jetës nga të cilat po të përmend veç dy më të zorshmet: servilizmin e mendjes dhe korrupsionin e shpirtit. Pyete veten çdo natë a don të mbrohesh nga këto dy kurthe. E nëse vetja të thotë po, atëherë shkollohu mirë, studio fort dhe do gjesh mbrojtjen!

Mbaji fort shokët e klasës, sidoqofshin mbaji fort! Mos u tut t’i ndihmosh kur kanë nevojë, edhe në iu dashtë ndonjë kopjim a tregim i vockël në provimet e kapitullit! Në fazën e formimit të karakterit ku ti je ka më shumë vlerë solidariteti sesa dija, ma beso!

Pyet për atë që s’di dhe thuaje atë që di, ashtu si ta dish, pa patur hall në ta aprovon apo jo zysha. Thuaje siç e mendon; ca vite më vonë për ty do ketë më shumë rëndësi si të gjykon vetja sesa si të ka gjykuar zysha. Dëgjo dhe pyet, mos u kurse, mos ki frikë si dukesh! Druaj si je jo si dukesh!

Tash po të lë të qetë të shijosh të djelën tënde të mbrame të pushimeve se më duket të shkrova gjatë. Por kam merak për ty dhe madje të kam zili! Të qoftë vit i mbarë e i vlertë. Koha shkollore nuk kthehet pas. Jetoje me mend e me dinjitet.

Me gishta kryqëzuar për ty shkollar, cilido qofsh ti!
Ledi. / KultPlus.com

Nxënësit me maska pas gjashtë muajsh u kthehen shkollave

Pas 6 muajve, nxënësit e shkollave fillore dhe atyre të mesme, u janë kthyer në bankat shkollore.

Në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë nxënësit kanë respektuar masat e parapara duke mbajtr distancën dhe maskat. Ata në hyrje të shkollës edhe janë dezinfektuar, raporton Ekonomia Online.

Secili fëmijë duhet të sigurojë maskën personale, e cila duhet të përdoret gjatë gjithë kohës gjatë që drimit në ambientet shkollore.

Edhe në këtë shkollë po rrespektohen masat, si dhe para se të hyjnë fëmijët në klasë po ju matet temperatura.

Po ashtu në mbrojtje të Covidit fëmijët po hyjnë në dy hymje të ndryshme që mos të kenë kontakt me njëri tjetrin.

Kosova ka mbyllur institucionet arsimore në muajin mars, kur u paraqiten edhe rastet e para me coronavirus. Mësimi mëlë pas është zhvilluar përmes platformave online dhe mësimeve të transmetuara në televizionin publik. / KultPlus.com

Fëmijët vijnë në shkollë me këpucë që kushtojnë më shumë se veshja e mësuesit

Një profesor në pension i shkroi një letër një gazete për t’i dhënë një mendim.

Më poshtë mund të gjeni përkthimin e asaj që mësuesi ka shkruar:

“Si mësues në pension, jam i lodhur nga të gjithë njerëzit që nuk dinë asgjë për shkollat ​​publike, të cilët nuk kanë qenë aty kohët e fundit, ose që besojnë se mund ta përshtatin sistemin tonë të arsimit.

Mësuesit nuk janë problemi! Prindërit janë problemi. Ata nuk u mësojnë fëmijëve sjellje të mira dhe as nuk u mësojnë atyre se çfarë është respekti ndaj të tjerëve; fëmijët as nuk kanë njohuri të përgjithshme se si të bashkohen me njerëzit e tjerë.

Fëmijët vijnë në shkollë me këpucë që kushtojnë më shumë se veshja e mësuesit dhe, në të njëjtën kohë, nuk kanë letër ose lapsa për mësimin.

Kur dikush flet për shkollat ​​që kanë “dështuar”, ata nuk përpiqen të shikojnë prindërit dhe fëmijët. A shkojnë nënat dhe baballarët në mbledhjet e prindërve? A flasin rregullisht me mësuesit? A sigurohen që fëmijët të përgatiten dhe të kenë materialin e nevojshëm? A sigurohen që fëmijët të bëjnë detyrat e shtëpisë? A kanë një numër telefoni të mësuesit?

A i marrin nxënësit shënimet në klasë? A i kryejnë detyrat e tyre? A dëgjojnë ata gjatë mësimit apo është nxënësi që shqetëson dhe bezdis të tjerët?

Kur të merren parasysh të gjithë këta faktorë, kuptohet se nuk është shkolla që ka dështuar, por prindërit.

Mësuesit nuk mund të bëjnë punën e tyre dhe atë të prindërve të fëmijëve.

Përderisa prindërit nuk bëjnë punën e tyre, asgjë nuk mund të përmirësohet!”./KultPlus.com

Viti i ri shkollor në Kosovë nis në dy faza

Sot është mbajtur një takim në mes të ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, përfaqësuesve të Komunave dhe përfaqësuesve të SBAShKU-t, ku temë kryesore e diskutimit ka qenë nisja e vitit të ri shkollor.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka thënë se fillimi i vitit të ri shkollor do të nisë në dy faza.

“U dakodruam për fillimin e vitit të ri shkollor në dy faza”, ka thënë ai pas takimit të sotëm me institucionet e tjera arsimore.

Faza e parë fillon më 14 shtator 2020. Me këtë datë mësimin e fillojnë të gjithë fëmijët e klasës parafillore dhe nxënësit e klasave 1,2,3,6,10.

Kurse faza e dytë nisë më 21 shtator me ç’rast mësimit i kthehet klasat 7,8,9 të arsimit të mesëm të ulët dhe të klasave 11,12 të arsimit të mesëm të lartë. / KultPlus.com

Fëmijët më shumë mundësi të infektohen në shtëpi sesa në shkollë

Rreziku që një fëmijë të infektohet me koronavirus në shkollë është jashtëzakonisht i ulët krahasuar me rrezikun e infektimit në shtëpi, ka thënë “Shëndeti Publik” në Angli. Sipas “Daily Mail”, edhe mësuesit nuk janë në rrezik.

Studimi i qeverisë vëzhgoi fëmijët nga 131 shkolla fillore dhe parashkollorë në Angli, në qershor dhe në fillim të korrikut. Nga 12,026 të rritur dhe fëmijë, vetëm tre rezultuan pozitivë për Covid-19. Dy ishin pjesë e stafit dhe një ishte fëmijë.

Pothuajse çdo fëmijë në studim ishte nën 11 vjeç, kështu që ai nuk vlen për shkollat e mesme.

Dr. Shamez Ladhani, një konsulent epidemiolog, tha: “Ky është studimi më i madh i këtij lloji në vend dhe sugjeron që ndjekja e shkollës nuk sjell ndonjë rrezik shtesë as për stafin dhe as për studentët. Megjithëse këto rezultate janë paraprake, ato duhet të jenë shumë qetësuese për prindërit që janë të shqetësuar për kthimin e fëmijëve në shkollë”.

“Sipas hulumtimeve të mëparshme, infeksioni brenda mjediseve arsimore është jashtëzakonisht i ulët, dhe ndërsa duket se fëmijët prekin Covid-19, shumica dërrmuese përjetojnë simptoma të lehta ose asnjë simptomë, dhe nuk ka gjasa ta kalojnë atë”.

Shkencëtarët gjithashtu zbuluan se fëmijët nën 10 vjeç kanë dy herë më shumë gjasa të vdesin nga gripi sesa nga koronavirusi.

Fëmija që testoi pozitiv ndaj koronavirusit, e kishte marrë atë nga babai, i cili kishte rezultuar pozitiv vetëm 4 javë më parë. Ndërsa për 2 të rriturit ende nuk dihet se si janë infektuar.

Testimi i antitrupave është një mjet i dobishëm për të kuptuar saktësisht se sa njerëz janë infektuar në të vërtetë me koronavirus.

Sidoqoftë, ai nuk është plotësisht i besueshëm. Jo të gjithë ata që infektohen zhvillojnë antitrupa, të cilat edhe mund të zhduken pas disa javësh, që do të thotë se rezultati i tyre do të ishte negativ. Në fakt, studimi gjeti më shumë antitrupa tek stafi i shkollës, që tregon se siguria në shkollë është më e madhe në krahasim me atë në shtëpi. / KultPlus.com

Epidemiologu britanik: Mungesa në shkollë më e rrezikshme se COVID-19 për fëmijët

Profesori epidemiolog britanik Chris Whitty ka rekomanduar kthimin e fëmijëve në shkolla në Britaninë e Madhe, pasi në të kundërt do të ishte më e rrezikshme se vetë COVID-19.

Duke analizuar situatën profesori shprehet se shanset që të ketë viktima mes fëmijëve nga COVID-19 janë shumë të vogla, kurse dëmi prej mosrikthimit në shkolla do ishte shumë më i madh.

Po ashtu ai shprehet i bindur se virusi do të jetë sfidë dhe për të paktën 9 muaj, por ai sheh dritë në fund të tunelit teksa parashikon një ‘bllok’ përfundimtar të COVID-19 në dimrin e 2021- 2022.

“Shanset e fëmijëve që të vdesin nga Covid-19 janë jashtëzakonisht të vogla, por mësimet që mungojnë “dëmtojnë fëmijët në planin afatgjatë”.”Ekzistojnë gjithashtu dëshmi shumë të qarta nga Britania e Madhe dhe nga mbarë bota që fëmijët shumë më rrallë marrin një sëmundje të rëndë apo përfundojnë në spital kur shfaqin simptoma të COVID-19. Nuk ka gjasa të ketë një vaksinë në vitin 2020, por ekzistonnjë “shans i arsyeshëm” që një bllok i suksesshëm të ishte gati për dimrin vijues në 2021-22.”- tha Whitty. / KultPlus.com

‘Kur mësuesit pushojnë, nënat rënkojnë’

Aforizmat pasqyrojnë të gjithë fushat e jetës. Ato janë pjesë e thesaritë të mençurisë së botës, pavarësisht nga popujt e origjinës së tyre, kjo sepse ato i drejtohen të vërtetave universale, që i rezistojnë kohës.

Për kënaqësinë e lexueve tanë kemi përzgjedhur një gjerdan të ndritshëm me brilantët e mençurisë britanike.

Të rinjtë mendojnë se të vjetrit janë të krisur, ndërsa të vjetrit e dinë se të rinjtë janë të krisur.

Tiranët në shtëpi dhe qeveri dallohen vetëm nga madhësia e pushtetit.

Ushqehu si të të pëlqejë, por vishu si të tjerët.

Zemra e nënës është shkolla e fëmijës.

Zoti i shtëpisë gjithnjë kupton i fundit.

Të dobtit, të pasuruarit shpejt, hajduti dhe mashtruesi nuk janë të çiltër.

Të gjitha vajzat janë të mrekullueshme! Prej nga dreqi dalin aq gra të padurueshme?

Të gjithë jemi pjesë e një gjithësie të mrekullueshme.

Të kuptosh gjithçka do të thotë të falësh gjithçka.

Ti je i sinqertë, unë jam xhaxhai yt, ja dy gënjeshtra.

Suksesi ka shumë baballarë, ndërsa dështimi është jetim.

Ruaju nga gratë e këqija dhe nga pranvera e hershme.

Pemës që dëshiron t’i shijosh frutat, mos ia këput lulet.

Përgjigjja më e shkurtër për diçka është ta bësh atë.

Një gardh në mes e mban gjallë miqësinë.

Një vullnetar vlen sa dy të detyruar.

Ngadalësia dhe konstantja fitojnë garën.

Nuk ka shurdh më të madh se ai që s’do të dëgjojë.

Nuk mund të hidhet valle njëkohsisht në dy dasma.

Ndershmëria dhe sinqeriteti, si dy cilësi të krenarisë popullore, në politikë quhen dobësi.

Në Amerikë, presidenti drejton katër vite, shtypi gjithmonë.

Nëse do një pemë, do duash edhe degët e saj.

Nëse këshilla është e mirë dhe e dobishme nuk ka rëndësi kush e jep.

Morali i popujve varet nga respekti që kanë për gratë.

Mos e ndërto portën më të madhe se shtëpinë.

Mund të mos merresh me politikë por ajo merret me ty.

Më mirë të jesh jashtë botës sesa jashtë modës.

Kush tepër përulet, nëpërkëmbet.

Kush krenohet me rrobat, merr famën e rrobaqepsit.

Kishte aq uri, sa nuk mund të priste priftin të thoshte uratën.

Korbi, kur udhëton jashtë shtetit, kthehet përsëri po aq i ri.

Kur dalim në breg, më nuk lutemi.

Kur mësuesit pushojnë, nënat rënkojnë.

Keq kur gruaja di të gatuajë dhe nuk do, po ashtu edhe anasjelltas.

Këshilla e vonuar është si shiu pas të korrave.

Injoranca është një sëmundje vullnetare.

I riu e kërkon lumturinë tek e papritura, i vjetri tek zakoni.

Gruaja dhe anija kurrë nuk janë të pajisura sa duhet.

Gjithë tiranët dhe të ngjashmit kanë besuar në lirinë, por për vete.

Fituesit, jo rrallë shkatërrohen nga fitoret e tyre.

Fyerja më e madhe ndaj të ndershmit është dyshimi për ndershmërinë e tij.

Edhe sikur të rrëzohesha nga mbrapa, njëlloj do të thyeja hundët.

E varfër, dashuria nëse mund të matet.

Deti nuk refuzon asnjë lumë.

Drejtësia që nuk ëshë e njëtë për të gjithë është padrejtësi.

Dashuria është farefis me urrejtjen.

Anglezi do dashurinë, francezi bën dashuri.

Arti është ndërgjegja e njerëzimit, po ashtu edhe pasqyrë jete.

Barkat e vogla duhen mbajtur pranë bregut. Të mëdhatë mund të rrezikojnë më shumë. /shkollaesuksesit/ KultPlus.com