Çmimi Nobel për Letërsinë, aktivitet në Qendrën e Librit dhe Leximit

Qendra Kombëtare e Librit dhe leximit ka bërë traditë tashmë që ngjarjen më të rëndësishme letrare botërore sic është ndarja e cmimit Nobel për Letërsinë, ta presë së bashku me miq të librit, në mjediset e QKLL-së.

Vendimin e Akademisë Suedeze e pritën së bashku ambasadori suedez në vendin tonë, Niklas Ström, drejtuesja e QKLL, Alda Bardhyli, botuesja Arlinda Dudaj, shkrimtari i ri Tobias Xhaxhiu, poetja Mimoza Ahmeti etj.

Alda Bardhyli tha se emri i fituesit, shkrimtari norvegjez, Jon Fosse prej vitesh gjendej në listat e kandidatëve për ta fituar Nobelin e Letërsisë.

Ndërsa botuesja Dudaj u shpreh se, Jon Fosse nuk është botuar ende në shqip dhe pas kësaj fitoreje do të nisë gara e shtëpive botuese për të marrë të drejtat për botim.

”Fosse e fitoi çmimin për dramat dhe prozën e tij novatore, që u japin zë të pathënave”, njoftoi Akademia Suedeze./KultPlus.com

Pjesëtarë të QKLL në ambient të hapur shijojnë magjinë e vargjeve të autorëve të njohur (Foto)

Në ditën ndërkombëtare të librit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, ka mbajtur orë letrare në ambient të hapur duke lexuar vepra të autorëve të njohur, shkruan KultPlus.

23 prilli shënon datat e lindjeve dhe vdekjeve të tre autorëve të njohur, që llogaritet të jenë shtylla e kulturës universale: Miguel de Cervantes, William Shakespeare dhe Garcilaso de La Vega.

Ndërsa si shtyllë e kulturës dhe letërsisë shqipe të kombit shqiptarë janë: Gjon Buzuku, Gjergj Fishta, Naim Frashëri, Fan Noli, Asdreni, Dora d’Istria, Migjeni, Sami Frashëri, Mihal Grameno etj, të cilët ndikuan edhe në krijimin e themeleve të kombit shqiptarë.

“Për ne shqiptarët është dita e Gjon Buzukut, e Jeronim de Radës, e Naim Frashërit, e Dora d’Istrias, e Gjergj Fishtës, e Asdrenit, e Migjenit! E shumë e shumë të tjerëve, poetë e shkrimtarë të shquar, që nuk jetojnë më sot, por që ngritën kështjellën e letërsisë dhe gjuhës shqipe. E të gjithë atyre që nuk rreshtin së shkruari dhe mbajnë gjallë letërsinë tonë kombëtare”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit./KultPlus.com

Helena Kadare vlerësohet me mirënjohje nga Qendra Kombëtare e Librit

Në kuadër të muajit të Tetorit, dedikuar Librit, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, i dorëzon shkrimtares Helena Kadare, një vlerësim mirënjohjeje me motivacionin “Për librat e saj që me lirizëm edhe guxim, sjellin fatin e ka karaktereve gra në Shqipëri me një forcë prekëse”.

Gjatë këtij takimi, Helena Kadare shprehu mirënjohjen e saj për vlerësimin edhe rrëfeu, se nuk është bërë në asnjë moment pishman, që jetën e saj ia dedikoi mbështetjes së krijimtarisë letrare të të bashkëshortit të saj, Ismail Kadaresë, duke zgjedhur që vet si autore të qëndroi në hije. Gjithashtu, sa i përket “Nobelit” në Letërsi, që ndahet çdo vit në muajin tetor, Helena Kadare u shpreh se, në familjen e shkrimtarit Ismail Kadare, ky çmim nuk pritet më prej tre vitesh, transmeton KultPlus.

Helena Kadare është autore e 7 vëllimeve, si ndër ta “Një lindje e vështirë”, “Një grua nga Tirana”, “Kohë e pamjaftueshme”, “Bashkëshortët” që kanë në qendër jetën vajzërore, të nënës dhe bashkëshortes. / KultPlus.com

Dumoshi zotohet që do të themelojë ‘Qendrën e Librit’

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti sot në takim anëtarët e sapo emëruar të Këshillit të Librit.

Ministrja Dumoshi theksoi që qasja dhe bashkëpunimi i saj si ministre do të jetë gjithmonë në funksion dhe në ndihmë të autorëve dhe botuesve në Kosovë.

Libri dhe veprimtaria botuese është ndikuar dhe dëmtuar nga pandemia e COVID-19, prandaj edhe do të jenë pjesë e pakos emergjente për kulturë.

Ministrja u zotua që do të rritet fondi për përkrahjen e botimeve dhe blerje të librave si dhe u shpreh e bindur që Këshilli do të jetë aktiv në angazhimet e veta dhe do të punojë me profesionalizmin e duhur, në atë mënyrë që të bëhet seleksionimi i duhur i autorëve dhe librave që do të përkrahen nga MKRS.

Gjithashtu theksoi që prioritet i saj për këtë mandat është themelimi i Qendrës së Librit.

Edhe anëtarët e sapo emëruar u zotuan që do të angazhohen maksimalisht brenda funksionit dhe detyrës që u është dhënë ndonëse viti 2020 dhe situata me COVID-19 ka bërë që aktiviteti i botuesve të bjerë ndjeshëm dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në prurjet e reja të autorëve.

Këshilli i Librit, bazuar në ligjin për librin dhe veprimtarinë botuese emërohet nga Ministri i Kulturës dhe është organ këshillëdhënës që ka për qëllim të japë iniciativa dhe të propozojë vendime në të mirë të veprimtarisë botuese, të librit dhe të leximit të tij.

Këshilli i Librit përbëhet nga një përfaqësuesi i autorizuar i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Universitetit të Prishtinës, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Institutit Albanologjik si dhe nga krijues të afirmuar (sipas gjinive letrare: një poet, një prozator, një kritik letrar). / KultPlus.com