Restaurohet plotësisht një nga shtëpitë më të vjetra të Prishtinës

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar për restaurimin e plotë të Shtëpisë së familjes Sylejmani, e cila gjendet në Qendrën Historike të Prishtinës. Kjo shtëpi e ndërtuar në vitin 1880, njihet si një prej ndërtesave më të vjetra dhe më autentike të kryeqytetit.

“Nga shkatërrimi në restaurim të plotë. Shtëpia e familjes Sylejmani në Qendrën Historike të Prishtinës. Përveç vlerës historike, këto shtëpi janë pjesë e identitetit të qytetit dhe pika të rëndësishme për turizmin kulturor”, ka shkruar ministri Çeku në një postim në rrjetet sociale, përcjellë KultPlus.

Sipas tij, ky restaurim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të institucioneve për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të vendit. Me kthimin e saj në gjendjen origjinale, shtëpia e familjes Sylejmani pritet të shërbejë si një atraksion i ri për vizitorët dhe një qendër simbolike për historinë urbane të Prishtinës.

Kjo ndërtesë tradicionale, me elemente të arkitekturës otomane dhe vendore, ka pasur për dekada me radhë një rëndësi të veçantë në memorien kolektive të banorëve të qytetit.

Ministria e Kulturës ka paralajmëruar se projekte të ngjashme do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllim të mbrojtjes dhe restaurimit të objekteve të tjera me vlerë historike në mbarë vendin./KultPlus.com

Takim i grupit punues për menaxhimin e integruar të qendrës historike të Prishtinës

Është mbajtur takimi i radhës i grupit punues për menaxhimin e integruar të qendrës historike të Prishtinës, takim me rëndësi të veçantë në validimin dhe konsolidimin e qendrës historike të Prishtinës dhe zonës së saj mbrojtëse.

Prezantimet dhe diskutimet janë fokusuar në procesin e mbledhjes së të dhënave, zhvillimin e databazës në GIS dhe analizat e bëra, të cilat kanë marrë parasysh një sërë treguesish përfshirë: identifikimin e trashëgimisë kulturore urbane; verifikimin e konsistenës së zonës urbane; identifikimin e modeleve dhe llojeve të përdorimit të tokës; identifikimin e karakterisitikave të rrjetit rrugor dhe krahasimin me dokumente historike drejt konsolidimit të kufirit historik.

Konsolidimi i kufirit historik dhe zonës mbrojtëse do të hapë rrugën drejt kategorizimit të ndërhyrjeve konzervuese dhe transformuese brenda zonës qendrore historike dhe udhëzuesit për menaxhimin dhe zhvillimin e zonës mbrojtëse.

Ky projekt i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe i mbështetur nga UN-Habitat Kosovë, përmes Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë, synon integrimin e trashëgimisë kulturore në kuadër të planifikimit hapësinor për zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës./ KultPlus.com

Diskutohet menaxhimi i integruar i qendrës historike të Prishtinës

Gjetjet e para të studimit të fizibilitetit drejt Menaxhimit të Integruar të Qendrës Historike të Prishtinës, janë duke u diskutuar nga përfaqësues të MKRS-së dhe MMPHI, Kuvendit të Kosovës, Komunës së Prishtinës dhe OJQ-ve.

Anëtarët e grupit punues po shqyrtojnë analizën mbi gjendjen aktuale të Qendrës nga perspektiva e strukturës urbane, kornizës ligjore dhe kufijve të qendrës historike.

Projekti “Studimi i fizibilitetit dhe plani i menaxhimit për qendrën historike të Prishtinës” synon të integrojë trashëgiminë kulturore në një zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës për të ardhmen e kryeqytetit.

Ai financohet nga MKRS dhe mbështetet nga UN-Habitat Kosovë, përmes Programit të Zhvillimit Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë. / KultPlus.com

Një hap përpara drejt përcaktimit të metodologjisë për ruajtjen e Qendrës Historike të Prishtinës

Një hap përpara drejt përcaktimit të metodologjisë për ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e Qendrës Historike të Prishtinës.

Grupi kryesor i punës diskutoi sot metodologjinë për studimin e fizibilitetit për Qendrën Historike të Prishtinës të propozuar nga eksperti Italian i Trashëgimisë Kulturore, përfshirë aktivitetet e planifikuara në zbatim të saj dhe koordinimin për punën e përbashkët përpara.

Duke përfshirë të gjithë hisedarët dhe akterët relevantë, fizibiliteti dhe plani i menaxhimit do të përcaktojnë ruajtjen, mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e Qendrës Historike të Prishtinës, një zonë me vlerë të trashëgimisë për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme.

Ky studim do të analizojë fuqitë e ndryshimit nga aspektet kulturore, mjedisore dhe socio-ekonomike dhe do të mundësojë mbrojtjen, përmirësimin dhe zhvillimin e koordinuar. Plani do të identifikojë qëllimet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për mbrojtjen dhe zhvillimin e qendrës dhe do të zhvillojë strategji dhe veprime inovative, gjithnjë duke u bazuar në legjislaturën lokale e ndërkombëtare si dhe konventat dhe praktikat më të mira botërore.

Ky projekt financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe zbatohet nga UN-Habitat-i në Kosovë, përmes Programit për Zhvillim Gjithëpërfshirës të financuar nga Qeveria e Suedisë, dhe synon të integrojë trashëgiminë kulturore në planifikimi hapësinor për zhvillim të qëndrueshëm, të gjelbër dhe gjithëpërfshirës. / KultPlus.com