Restaurohet kisha e Shën Sofisë në Berat

Në Kishën e Shën Sofisë monument kulture kategori e I, në lagjen “Kala” Berat kanë filluar ndërhyrjet restauruese.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat bën të ditur se “ndërhyrja konsiston në restaurimin e strehëve të çatisë së kishës , konkretisht në elementët drusorë të dëmtuar”.

“Muratura aktuale nuk ka gjurmë të prezencës së ndonjë portiku siç është karakteristik zakonisht për kishat e kësaj periudhe”, shprehet DRTK.

Kisha e Shën Sofisë ndodhet në brendësi të rrethimit të kalasë së Beratit përgjatë itinerarit turistik që të çon në muzeun Onufri.

Bëhet fjalë për një teknikë ndërtimi relativisht të vonë në kohë, që ashtu si në muraturën e kishës së Envagjelistrës mund të datohet rreth mesit të shekullin e XIX.

Planimetria e kishës është e thjeshtë në formë drejtëkëndore me absidën të vendosur në anën e lindjes./ atsh/ KultPlus.com

Restaurohet ikona “Shën Triadha me Shenjtorë” në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë

Ikona “Shën Triadha me Shenjtorë” në Muzeun e Artit Mesjetar Korçë është në proces restaurimi, për të nxjerrë në dritë vlerat e vërteta të kësaj vepre.

Restaurimi dhe konservimi i thesareve kulturore mbetet një sfidë e përditshme e ekipit restaurues të ikonave në këtë muze.

“Kjo ikonë vjen nga kisha “Burimi Jetëdhënës” Korçë dhe ndahet në dy breza. Në pjesën e sipërme paraqitet Trinia e Shenjtë, ndërsa poshtë katër shenjtorë të cilët kanë shkelur me këmbë dragoin”, – thekson Muzeu i Artit Mesjetar Korçë.

Sipas tij, nga e majta në të djathtë paraqiten në pamje ballore Shën Harallambi, Shën Vasili, Serafimi dhe Shën Gjergji.

“Një ikonë e ngjashme në kompozim është pikturuar nga Tërpo Zografi në vitin 1800”, – thekson muzeu.

Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë vazhdon të zgjojë interesin e turistëve vendas dhe të huaj.I konsideruar si një nga qendrat muzeore më të rëndësishme të Shqipërisë, ai hapi dyert në vitin 1980 dhe iu nënshtrua restaurimit në vitin 2016, ku u vendos në ndërtesën e re bashkëkohore.

Me një fond prej 8000 ikonash dhe objektesh të karakterit religjioz, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, falë ndërtimit bashkëkohor, është një ndër destinacionet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë kulturore.

I pozicionuar përgjatë bulevardit “Fan Noli” në Korçë, ky muze është jo vetëm një ekspozitë vizive vlerash, por edhe një institucion unikal në rajon.

Aty ka vepra të autorëve anonimë të shek. XIII-XIV dhe të tjerë të mirënjohur si: Onufri, Onufër Qiprioti, Mësues Kostandini, Jeromonaku, Shpataraku, Selenicasi, vëllezërit Zografi./ATSH/ KultPlus.com

Restaurohet ikona “Krishti Pantokrator” në Berat

Restaurimet dhe mirëmbajtja e ikonave fetare, si pjesë e trashëgimisë kulturore e cila tregon dhe njëherë në sytë e turistëve se fetë në Shqipëri jetojnë në harmoni, po merr vëmendje çdo ditë e më shumë.

Institucionet përkatëse dhe specialistët për mirëmbajtjen e këtyre ikonave po bëjnë restaurimin e tyre për t’i bërë ato të denja për të treguar si vlerën, edhe historinë që ato mbartin.

Së fundmi thesaret e fjetura të trashëgimisë në Berat, po ‘zbulohen’ nga specialistët e artit. “Krishti Pantokrator” me autor Naun Çetirin është restauruar duke i kthyer vlerat kësaj ikone ku specialistët e DRKK Berat kanë punuar në mënyrë të imtësishme dhe delikate për të ruajtur autencitetin e saj.

Ministria e Kulturës Elva Margariti për këtë restaurim shprehet se, ”Krishti Pantokrator” me autor Naun Çetirin, është restauruar nga Miltiadh Bibo dhe Altin Tabaku dy restauratorët duarartë në DRKK Berat që rikthyen në jetë laboratorin e restaurimit të ikonave dhe nxjerrin në dritë thesaret e fshehura të Beratit.Jo vetëm Art, por edhe Edukim”. /a.a/j.p/ / KultPlus.com

Portreti me fishekë i Adem Jasharit, në restaurim

Kompleksi memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt mbetet një nga vendet më të vizituara në festat kombëtare, e veçmas edhe më 28 Nëntor kur shënohet edhe ditëlindja e komandantit legjendar.

Por vizitorët e së mërkurës aty nuk e kanë pasur mundësinë ta shohin portretin e Jasharit prej 25 merash katrorë të punuar me fishekë nga Besart Gashi. Vepra që ishte inauguruar në mars të këtij viti, është dëmtuar. Të martën është larguar krejtësisht nga Kompleksi.

Drejtori i Agjencisë për menaxhimin e komplekseve memoriale, Bislim Zogaj, ka thënë se me kërkesën e autorit është dërguar në shtëpinë e tij për t’u rregulluar.

“Ka qenë i vendosur në një vend jo fort të përshtatshëm. Pasi është dëmtuar pa qëllim, portreti është zhvendosur te autori për t’u rregulluar. Do të kthehet prapë dhe do të vendoset në një tjetër vend”, ka thënë ai. Sipas Zogajt, deri pas një viti, vizitorët do ta gjejnë Kompleksin të konservuar e puna për ta rregulluar tërësisht do të vazhdojë ende./ KultPlus.com

Vazhdon puna restauruese dhe konservuese në shtëpinë e familjes Morina

Në vazhdën e projekteve për ndërhyrje konsoliduese, restauruese dhe konservuese për objektet e trashëgimisë kulturore të rrezikuara brenda Qendrës Historike të Prizrenit, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren me sukses vazhdon në implementimin e punëve restauruese në një tjetër monument të rëndësishëm të qytetit të Prizrenit.

Si rezultat, shtëpia e Iljaz Morinës, monumenti me rëndësi të veçantë historike dhe arkitektonike për qytetin e Prizrenit, është përzgjedhur nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për ndërmarrjen e masave emergjente.

Monumenti në fjalë i cili gjendet brenda Kompleksit të Nënkalasë, Pantelisë dhe Potokmahallës, në rrugën Marin Barleti, shtrihet në kuadër të ndërtesave të vendosura në varg, të ndërtuara në fund të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, që paraqesin njërin prej shembujve të rrallë të ndërtesave në form vargu të ruajtura nga kjo periudhë, me funksion banimi, të kombinuar me ndërtesa administrative, fetare dhe ato tregtare. Shtëpia i takon shtëpive me tipologji të tipit me çardak në tërë ballin kryesor, e ndërtuar në kat me material guri dhe qerpiçi, të sistemit “bondruk” me trarëza prej druri.

Bazuar nga vlerësimi dhe shqyrtimi në terren nga ekipi i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, shtëpia është konsideruar me disa dëmtime dhe defekte të cilat duhet të trajtoheshin menjëher. Këto defekte u identifikuan në strukturë të konstrukcionit dhe mbulesë të kulmit, të mureve të jashtme dhe të brendshme, si dhe në konstrukcion meskatësh.


Degradimi i vazhdueshëm do të shkaktonte dëmtime serioze në monument, andaj duke u bazuar në këtë gjendje faktike, u ndërmorrën hapat e parë për të mbojtur shtëpinë e familjes Morina, e cila është karakteristikë për trashëgimin arkitekturore të Przrenit. Projekti në implementim realizohet si investim i Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, i cili po zbatohet përmes Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren./ KultPlus.com