Mbi 600 mijë qytetarë të vaksinuar me dozën e dytë AntiCovid-19

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.432.135 doza të vaksinës anti-COVID-19.

Sipas njoftimit, deri më sot 608.939 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 156.182.

Në total numri i rasteve aktive është 1.226. / KultPlus.com

Mijëra qytetarë nga Kosova drejt bregdetit shqiptar

Mësohet se në orët e para të mëngjesit në pikën kufitare të Morinës ka radhë të gjatë kilometrik.

Thuhet se se mijëra qytetarë nga Kosova, me automjetet e tyre, po i drejtohej bregdetit shqiptar, duke krijuar kështu edhe radhë në kufi.

Pala shqiptare po punon me procedurë të thjesht e shpejtë, duke punuar 8 sportele në të njëjtën kohë, por fluksi është jashtëzakonisht i madh, ndaj janë krijuar radhë kilometrike.

Radhë e gjatë është krijuar edhe të Ura e Drinit të Zi, për shkak të fluksit të madh. / KultPlus.com

Çmime të larta për shportën e varfër të konsumatorit

Çmimet e konsumit, të cilat kanë shënuar rritje gjatë muajve të fundit në Kosovë, kanë shtrenjtuar shumë shportën mujore, thonë qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë.

“Është shqetësuese kjo ngritje, rrogat janë të vogla, 150 dhe 180 euro. Qeveria do të duhej të ndërmerrte veprime që të ndalohet ngritja e çmimeve”, thotë Hasan Bekteshi, transmeton KultPlus.

Lëvizje të çmimeve, sipas tij, kanë pasur: qumështi, gjalpi, djathi e shumë produkte të tjera elementare.

Ngjashëm shprehet edhe Miradije Ziberi:

“Çmimet janë rritur, më shumë këto bazike, ushqimet elementare që janë shumë të nevojshme. Këto që janë të luksit edhe po të shtrenjtohen, nuk është problem. Nuk është ngritur çmimi i bukës që është me rëndësi, por ngritje ka”.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ka qenë më i lartë me një mesatare prej 2.4 për qind në qershor, krahasuar me muajin qershor 2020.

Ngritje më e madhe e çmimeve në Kosovë, sipas ASK-së, është vërejtur te vajrat dhe yndyrat ushqimore. Ngritje është regjistruar edhe te buka dhe drithërat, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, më pas te duhani dhe produkte tjera.

Masat anti-COVID-19 ndikuan në rritjen e çmimeve

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se rritjen e çmimeve të konsumit e kanë diktuar masat e vendosura për parandalimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19.

Industria prodhuese, shton ai, ka punuar nën masat kufizuese, me numër më të vogël të punëtorëve, duke reduktuar kështu edhe prodhimin.

Sipas tij, rritja e çmimeve të konsumit është edhe më e lartë sesa 2.4 për qind.

“Në AKB vlerësojmë se inflacioni është 3 për qind. Kjo shifër është tepër e lartë karshi gjendjes dhe momentit ekonomik në të cilin po kalon vendi. Mungesa e prodhimit dhe ngritja e kërkesave me automatizëm kanë ndikuar në rritjen e çmimeve. Pandemia ka ndryshuar shumë parametra botërorë, ka ndryshuar shumë statistika edhe në tregjet globale. Kanë mbetur shumë punëtorë pa vende pune, janë reduktuar shumë vende pune, është rritur kërkesa për konsum, kurse mundësia për prodhim është reduktuar”, thotë Shahini.

Sipas Shahinit, Kosova është importuese e pothuajse të gjitha produkteve ushqimore dhe çdo ndryshim i çmimeve në tregjet globale prek edhe Kosovën.

Sipas një njoftimi të Kombeve të Bashkuara (OKB), të publikuar në muajin qershor, çmimet globale për ushqim janë rritur në baza mujore me ritmin më të shpejtë në dekadë.

Sipas OKB-së, furnizimet janë prekur nga pengesat në prodhim dhe transport gjatë periudhës së pandemisë COVID-19.

Në baza vjetore, çmimet e ushqimit janë rritur për 39.7 për qind, derisa në maj është regjistruar rritja më e madhe mujore prej tetorit të vitit 2010, sipas indeksit. Rritja më e madhe e çmimeve është vërejtur te vajrat, drithërat dhe sheqeri.

Pagat e ulëta, çmimet e larta

Gjatë vitit 2020, paga mesatare në Kosovë ka shënuar rënie. Në vitin 2020, paga mesatare bruto ishte 466 euro, derisa në vitin 2019 ishte 477 euro.

Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2020, ishte 380 euro, derisa në vitin 2019 ishte 411 euro.

Udhëheqësi i Organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë për Radion Evropa e Lirë se 2.4 për qind rritje e çmimeve është e papërballueshme për xhepin e qytetarit, për shkak të pagave të ulëta.

“Nëse kësaj 2.4 për qind ia shtojmë edhe shpenzimet tjera që ndodhin këto ditë, pra nëse e marrim edhe ngritjen e çmimeve të banesave, kjo e fuqizon reagimin e konsumatorit, në veçanti konsumatorit të varfër. Pra, për këta të fundit kjo ngritje është e padurueshme”, thotë ai.

Në Kosovë, ngritje ka shënuar edhe kostoja e ndërtimit. Kjo rritje është për 5.3 për qind në tremujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Sipas ASK-së, ngritje të çmimeve kanë shënuar materialet ndërtimore (7.9 për qind), energjia (5.5 për qind), makineritë (2.7 për qind) dhe kostot e tjera (0.6 për qind).

Kjo rritje e kostos së ndërtimit automatikisht rrit edhe koston e banimit.

Rritjet e çmimeve në vendet e rajonit

Edhe në vendet e rajonit ka pasur rritje të çmimeve. Në Serbi, sipas të dhënave të Zyrës së Statistikave, çmimet e konsumit në qershor janë rritur për 3.3 për qind krahasuar me muajin e njëjtë në vitin paraprak.

Sipas të dhënave, çmimet e transportit janë rritur më së shumti me 7.3 për qind, pasuar nga ato të ushqimit dhe pijeve joalkoolike me 4.9 për qind.

Në Maqedoninë e Veriut, sipas të dhënave të Byrosë së Statistikave, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021, kostoja e jetesës është rritur për 2.4 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Rritjen më të madhe të çmimeve e kanë pasur restorantet dhe hotelet me 5.6 për qind, pasuar nga pijet alkoolike dhe duhani me 5.3 për qind.

Në Malin e Zi, sipas Zyrës së Statistikave, në muajin maj të këtij viti, çmimet e transportit janë rritur për 10.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Ndërkaq, çmimet e produkteve ushqimore dhe pijeve joalkoolike janë rritur për 2.8 për qind. Por, rritja më e madhe është shënuar në çmimet e naftës me 37.6 për qind dhe, sipas autoriteteve, deri te kjo rritje ka ardhur për shkak të inflacionit.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, në periudhën janar-maj 2021, autoritetet kanë raportuar për një rritje mesatare të çmimeve prej 1.4 për qind. Rritja e çmimeve është shënuar në ushqim dhe pije joalkoolike me 1.5 për qind, ndërkaq rritjen më të madhe të çmimeve e ka përjetuar transporti me 10.2 për qind. /radioevropaelire/ KultPlus.com

Fluks i madh i veturave, kosovarët po presin deri në 3 orë për të hyrë në Shqipëri

Qytetarë të shumtë të Republikës së Kosovës kanë zgjedhur që në ditën e festës së Fitër Bajramit të marrin rrugën për në bregdetin shqiptar

Në një video të publikuar nga IndeksOnline, shihet një numër i madh i veturave në radhë duke pritur për të kaluar kufirin, transmeton KultPlus.

Ndërkohë kujtojmë se një numër i madh i kosovarëve vikendet e fundit i kanë kaluar në Shqipëri dhe Mal të Zi, për shkak të shtrëngimit të masave në Kosovë. / KultPlus.com

Gjysma e qytetarëve të Kosovës të gatshëm të largohen nga vendi

Saktësisht 48.4 për qind e qytetarëve të Kosovës janë të gatshëm të largohen nga vendi, bazuar në një anketë të Grupit për Studime Juridike dhe Politike.

Duke u bazuar në të dhënat e anketës me 1065 qytetarë në shtrirje në nivel vendi, kryer sivjet, GLPS ka nxjerrë të dhëna shqetësuese në lidhje me gatishmërinë për të migruar. Raporti nxjerr vendin edhe më keq se në periudhën e vitit 2015 kur ishte vala e largimit ilegal të qytetarëve. Në anketën e kryer sivjet qytetarët janë pyetur lidhur me efektin e pandemisë për të parë nëse pasojat e pandemisë kanë ndikuar në gatishmërinë e qytetarëve për të migruar, në remitenca dhe në punësim.

“Të gjeturat e anketës tregojnë një rezultat shqetësues në lidhje me gatishmërinë për të migruar pasi të dhënat paraqesin përqindjen më të lartë të raportuar nga të gjitha valat e anketave të realizuara, madje edhe më të larta se gjatë valës së madhe të migrimit në vitin 2015. Më saktësisht, 48.4 % e të anketuarve janë të gatshëm të migrojnë. Gatishmëria për të migruar është rritur me 23% dhe 30% në vitin 2020, krahasuar me 2015 dhe 2019, respektivisht”, thuhet në njoftim të GLPS-së, ku bëhet e ditur se tash gatishmëria e lartë për të migruar nuk përkthehen në migracion të paligjshëm.

Statistikat e Eurostatit tregojnë se numri i azilkërkuesve te kosovarët ka rënë ndjeshëm në 2019, krahasuar me katër vjet më parë, nga 73 mijë kërkesa në 2300.

Rezultatet e anketës kanë treguar se më shumë se 60 për qind e qytetarëve që dëshirojnë largimin do të konsideronin migrimin e përhershëm. Rezultatet tregojnë se mungesa e shpresës për gjendjen ekonomike, politike e shoqërore janë arsyet kryesore për dëshirën për ikje.

Shumica e të anketuarve që janë të gatshëm të migrojnë fajësojnë qeverinë dhe partitë, duke e portretizuar dështimin e institucioneve për të përmbushur pritjet e qytetarëve.

“Ndryshe nga anketat e mëparshme, tre arsyet kryesore që do të bindnin individët të mos migronin janë mundësitë më të mira të punësimit dhe pagat më dinjitoze, stabiliteti politik dhe përmirësimi i situatës ekonomike. Të dhënat sugjerojnë se gatishmëria për të migruar është më e lartë në mesin e familjeve që raportojnë të kenë pranuar remitanca”, thuhet në sqarimin për arsyet që mund të bindin sivjet njerëzit për të mos lëshuar Kosovën.

Gatishmëria për të ikur nga vendi rezulton të jetë më e lartë te burrat se te gratë, te e cila gjini ka pasur rritje të gatishmërisë për migrim ndër vite. Të dhënat tregojnë se moshat më të reja janë të gatshme për largim.

Gatishmëria më e lartë për migrim është në Prishtinë me 56 për qind, sipas GLPS-së.

Punëtorët sezonalë (78.8%), ata të sektorit privat (66.8%)dhe studentët (54.5) janë kategoritë që kanë përqindjen më të lartë të gatishmërisë për migrim.

Sa i përket edukimit, gatishmëria për të migruar është më e larta midis atyre me disa vite të arsimit të mesëm, atyre me arritje të arsimit të mesëm dhe studentëve.

Individët me të ardhura më të ulëta, mes 150 dhe 300 euro, janë kategoria me gatishmërinë më të lartë për largim. Rreth 43.7 për qind e qytetarëve me të ardhura personale prej 900 deri 1200 euro janë të gatshëm për migrim, duke fajësuar kryesisht politikën.

Te të anketuarit pohohet se pandemia ka ndikuar në shpeshtimin e remitancave. Sipas të dhënave, diaspora deri në tetor ka dërguar rreth 800 milionë euro më 2020. /KultPlus.com