Kurti: Kemi ende probleme në kufirin me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendi që udhëheq vazhdon të jetë i kërcënuar nga ata që duan të pasurohen me luftë dhe armë, duke aluduar në organizatat kriminale që veprojnë në veri të Kosovës.

Në një intervistë për agjencinë italiane “AGI” Kurti ka thënë se ka ende probleme në kufirin me Serbinë.

“Fatkeqësisht ata që u pasuruan me luftën janë kthyer në kriminelë dhe vazhdojnë të pasurohen me bitcoin, drogë dhe armë. Ata e mbulojnë biznesin e tyre me ide nacionaliste, por janë ende kriminelë”, ka thënë Kurti, i cili është në Itali dhe po merr pjesë në kongresin e Parlamentit Evropian Socialist.

Shefi i Qeverisë së Kosovës e ka akuzuar Listën Serbe për lidhje të forta me Serbinë dhe Rusinë.

“Ata flasin për nacionalizëm dhe patriotizëm, por në realitet kanë ide fashiste dhe lidhje me Vuçiqin dhe Putinin”, ka shtuar ai.

Kurti ka deklaruar se po bëjnë çmos që t’i afrohen Bashkimit Evropian. Kosova e dorëzoi aplikacionin për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, pasi u njoh zyrtarisht nga Komisioni Evropian si shtet “kandidat potencial”.

“Nuk jemi ende zyrtarisht kandidatë për anëtarësim, por po bëjmë çmos që sa më shpejt t’i afrohemi Bashkimit Evropian”, ka vazhduar Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për marrëdhëniet me Italinë, duke thënë se ishte skeptik kur Giorgia Meloni u zgjodh kryeministre.

“Duhet të jem i sinqertë. Në të kaluarën e konsideroja Giorgia Melonin të lidhur me të kaluarën e saj të djathtë, me fashizmin. Që kur u bë kryeministre kam vënë re marrëdhëniet e saj të shkëlqyera me Bidenin dhe SHBA-në, mbështetjen e palëkundur për Ukrainën. Jo kështu për Salvinin që ka marrëdhënie me Putinin”, ka thënë Kurti./rtk/KultPlus.com

24 vjet nga Beteja e Koshares, thyerjes së kufirit Kosovë-Shqipëri

Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, 24 vjet më parë në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike, ndihmë mjekësore, për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb të vetëm, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e aleancës veri-atlantike NATO.

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë./Gazeta Express/KultPlus.com

Mërgimtarët po presin deri në pesë orë në Merdare për të kaluar kufirin

Mërgimtarët erdhën në Kosovë, për të kremtuar festat e fundvitit në vendlindje, por në rrugën e kthimit për në vendet e Evropës Perëndimore po përballen me pritje të gjata për të kaluar kufirin Kosovë-Serbi. 

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për Menaxhim Kufitar, kolonat më të gjata janë në pikën kufitare Merdar, ku pritjet po zgjasin katër deri në pesë orë.

Kolona të gjata ka edhe në pikat tjera kufitare si Mutivodë, ku pritjet janë deri në një orë e gjysmë.

Në Jarinë ka rreth një orë pritje, kurse në Muqibabë 40 minuta.

Te pika kufitare Dheu i Bardhë sonte pritja është gjysmë ore.

Në vendkalimet e tjera kufitare të Kosovës me vendet fqinje nuk ka pritje më shumë se 5 minuta në hyrje dhe dalje. / KultPlus.com

SHBA-ja rihap kufijtë për udhëtarët e vaksinuar

Shtetet e Bashkuara kanë rihapur kufijtë për vizitorët e huaj duke i dhënë fund një ndalimi 20-mujor të hyrjes për shkak të pandemisë së COVID-19.

Ndalimi u vendos nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump.

Masa kishte prekur qytetarët jo-amerikanë nga mbi 30 vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe dhe shtetet e Bashkimit Evropian.

Shumë familje ishin ndarë dhe turizmi ishte bllokuar.

Tani, linjat ajrore po presin të ketë një vërshim nga vizitorët pasi kufizimet janë hequr për ata që janë plotësisht të vaksinuar dhe i nënshtrohen testimit dhe gjurmimit të kontakteve.

Në përpjekje për të ndaluar përhapjen e koronavirusit, kufijtë e SHBA fillimisht u mbyllën për udhëtarët nga Kina në fillim të vitit 2020.

Kufizimet më pas u shtrinë në vende të tjera.

Sipas rregullave të reja, udhëtarët e huaj do të duhet të tregojnë prova të vaksinimit përpara se të fluturojnë, të marrin një rezultat negativ të testit COVID-19 brenda tre ditëve nga udhëtimi dhe të dorëzojnë informacionin e tyre të kontakteve. Ata nuk do të duhet të hyjnë në karantinë.

Bashkimi Evropian rekomandoi lejimin e hyrjes së udhëtarëve amerikanë në muajin qershor, ndërsa vizitorët nga SHBA-ja kanë qenë në gjendje të udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar që nga 28 korriku. / KultPlus.com

Pritje deri në gjysmë ore për të hyrë nga Shqipëria në Kosovë

Pas orës 22:00, me përjashtim të Vërmicës, nuk ka kolona të automjeteve në pikat e vendkalimeve kufitare në Kosovë.

Pritjet për të hyrë në Vërmicë nga territori i shtetit shqiptar janë 20 deri në 30 minuta. Ndërsa kolona e automjeteve është 300 metra, teksa për dalje në këtë pikë kufitare nuk ka kolona dhe se pritjet janë nga 5-10 minuta, sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në vendkalimet e tjera kufitare nuk ka kolona dhe se pritjet janë nga 3-5 minuta.

Kujtojmë se nga ora 22:00 është në fuqi ora policore, e cila zgjat deri në 05:00 të mëngjesit dhe gjatë kësaj kohe mund të udhëtohet vetëm për raste emergjente.

Ora policore do të jetë në fuqi deri më 26 shtator, kur pritet të merren masat e reja në bazë të vlerësimeve të situatës me pandeminë koronavirus. / KultPlus.com

Miratohet marrëveshja me Kosovën për rregullat e trafikut lokal të kufirit

Këshilli i Ministrave në mbledhjen e së shtunës, miratoi dy marrëveshje të rëndësishme me qeverinë e Kosovës, për sa i takon regjimit të trafikut lokal të kufirit dhe për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash).

Sipas relacionit që shoqëron këto vendime, në mbështetje të ligjit “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave vendosi miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për rregullat e regjimit të trafikut lokal të kufirit.

Gjithashtu qeveria miratoi në parim, marrëveshjen ndryshuese të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për hapjen e pikës së përbashkët të kalimit kufitar Shishtavec (Kukës) – Krushevë (Dragash).

Këto vendime hyjnë në fuqi menjëherë. / atsh / KultPlus.com

Pritje të gjata të mërgimtarëve për të hyrë në Kosovë, kolona deri në 350 metra

Mëgimtarët po presin deri në 1 orë e gjysmë për të hyrë në Kosovë, për shkak të kolonave të gjata nëpër pikat kufitare.

Kjo ndodh më shpesh gjatë kohës së pushimeve vjetore kur drejt Kosovës nisen numër i madh i mërgimtarëve nga vendet evropiane, transmeton KultPlus.

Në pikën kufitare në Jarinje për të hyrë në vend duhet të prisni deri në 80 minuta, ndërsa në dalje deri në pesë minuta.

Në Dheun e Bardhë deri në 40 minuta është pritja në hyrje si dhe në dalje deri në pesë minuta.

Në pikën kufitare në Merdare për të hyrë në Kosovë duhet të pritni deri në 50 minuta, kurse për të dalë deri në 35 minuta.

Fluks i madh i veturave, kosovarët po presin deri në 3 orë për të hyrë në Shqipëri

Qytetarë të shumtë të Republikës së Kosovës kanë zgjedhur që në ditën e festës së Fitër Bajramit të marrin rrugën për në bregdetin shqiptar

Në një video të publikuar nga IndeksOnline, shihet një numër i madh i veturave në radhë duke pritur për të kaluar kufirin, transmeton KultPlus.

Ndërkohë kujtojmë se një numër i madh i kosovarëve vikendet e fundit i kanë kaluar në Shqipëri dhe Mal të Zi, për shkak të shtrëngimit të masave në Kosovë. / KultPlus.com

Fermeri ndryshon aksidentalisht kufirin mes Belgjikës dhe Francës

Një fermer në Belgjikë ka ndryshuar aksidentalisht kufirin e vendit të tij me Francën. Fermeri ishte duke ecur në pyll kur guri që ndan kufirin mes dy shteteve i zuri rrugën traktorit të tij.

Kështu, ai e zhvendosi atë vetëm pak metra, duke shkaktuar një incident që mund të shkaktonte trazira ndërkombëtare, por që është pritur me buzëqeshje në të dyja anët e kufirit.

“Ai e bëri Belgjikën më të madhe dhe Francën më të vogël, nuk është ide e mirë”, tha David Lavaux, kryetari i fshatit belg Erquelinnes, për kanalin televiziv Francez TF1.

Autoritetet lokale belge planifikojnë të kontaktojnë fermerin për t’i kërkuar atij që të kthejë gurin në vendin e tij origjinal. Nëse kjo nuk ndodh, çështja mund të përfundojë në Ministrinë e Jashtme belge, e cila do të duhet të thërrasë një komision kufitar franko-belg.

Kufiri midis Francës dhe Belgjikës shtrihet në 620 km. Ai u krijua zyrtarisht nën Traktatin e Kortrijk, nënshkruar në 1820 pas disfatës së Napoleonit në Waterloo. Guri daton që nga viti 1819, kur kufiri u shënua me të për herë të parë./ KultPlus.com

Mali i Zi hap kufijtë me Serbinë, kushtet për Kosovën mbesin njëjtë

Nesër do të hapet kufiri me Serbinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Shqipërinë, Maqedoninë, tha drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Boban Mugosha, Ai nuk ka folur për Kosovën, qytetarët e së cilës mund të hyjnë në Malin e Zi vetëm nëse kanë rezultat negativ për Covid 19.

Për të hyrë në Mal të Zi, një test negativ PCR ose një ELISA serologjike ka shumë të ngjarë të jetë e nevojshme, tha Mugosa.

Sipas tij, u vendos që të hapen kufijtë me kërkesë të industrisë së turizmit.

“Ne shohim që situata me Serbinë po përmirësohet, që do të thotë se kurba po barazohet,” shpjegoi Mugosa.

Ai tha se “kemi hyrë në një fazë në të cilën transmetimi lokal është ende i lartë, por ai është plotësisht i kontrolluar”.

“Jemi në fazën e rregullimit të kurbës, presim që ajo të shkojë më poshtë. Situata është një reflektim i sjelljes sonë. Të gjithë ne së bashku në këtë kohë nuk po sillemi mjaftueshëm me përgjegjësi. Të gjithë ne së bashku nuk veprojmë në mënyrë të përgjegjshme, sepse kemi 50-60 raste në ditë edhe pse testojmë shumë, rreth 450 mesatarisht. Kjo është në nivelin e 50,000 testeve në Gjermani, dhe ne jemi lider në rajon me Sllovenët “, tha Mugosha për TV Vijesti.

Ndërsa afrohen zgjedhjet e 30 gushtit në Malin e Zi, Mugosa thotë se nuk pret ndonjë rrezik të rritjes së numrit të pacientëve.

“Nëse respektojmë masat e veshjes, maskave, distancës, atëherë zgjedhjet nuk kanë një ndikim të madh, as nuk do të zgjedhin një arsye për sëmundje më të madhe të njerëzve,” theksoi Mugoša.

Ai theksoi se deri në fund të javës tjetër, ata do të kenë rekomandime konkrete për hapjen e shkollave, dhe që kopshtet pa dyshim do të fillojnë të punojnë në shtator. / KultPlus.com

Shqipëria ka mbyllur kufirin me Kosovën

Pikat kufitare me Shqipërinë janë mbyllur sot në orën 6.00.

Me vendim të Qeverisë shqiptare, si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit, pikat do të jetë të mbyllura deri më 15 mars, ora 24:00, ka bërë të ditur Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar e Kosovës.

“QKMK ju njofton: për masat e ndërmarra nga ana e autoriteteve të Republikës së Shqipërisë, sa i përket qarkullimit kufitar për në Republikën e Shqipërisë. Duke filluar nga data 13/03/2020, në ora 06.00, do të ndalohet hyrja në territorin e Republikës së Shqipërisë, për te gjithë shtetasit / veturat e Republikës së Kosovës. Do te lejohet hyrja vetëm e veturave te shëndetësisë / ndihmës së shpejt , automjeteve komerciale (ata te cilat bartin mallra) dhe veturave qeveritare. Kjo masë do të zgjasë deri me datë, 15/03/2020 në ora 24.00”, thuhet në njoftimin e QKMK-së.

Lajmi është konfirmuar edhe përmes telefonit dhe postës elektronike.

Deri më tash në Shqipëri janë konfirmuar 23 raste me koronavirus, ndërsa një ka humbur jetën si pasojë e tij.

Qeveria në krye me Edi Ramën ka marrë po ashtu masa tjera, duke ndaluar qarkullimin edhe Brenda vendit. /Koha.net /KultPlus.com