Fluks udhëtarësh në Portin e Vlorës, mbi 18 mijë vetëm në korrik

Në portin e Vlorës, i dyti më i madh në vend, në muajin korrik të këtij viti ka pasur një fluks të lartë udhëtarësh.

Drejtori i portit të Vlorës, Ilir Banushi, tha sot për ATSH-në se “vazhdon të jetë i lartë numri i udhëtarëve që zgjedhin të udhëtojnë nëpërmjet Portit të Vlorës. Në port gjatë muajit korrik kanë hyrë 18.231 udhëtarë, 1396 më shumë se viti 2022 ose 8 % më shumë”.

“Vetura kanë hyrë 3858 ose 841 me shumë se viti 2022. Në përqindje janë 28 % më shumë. Rreth 75 % e hyrjeve janë të javës së fundit të korrikut”, tha Banushi.

Banushi vuri në dukje se “si total hyrjet dhe daljet janë 3534 udhëtarë  më shumë se korriku i vitit 2022 ose 15 % me shumë dhe vetura janë 1600 më shumë ose 37 % më shumë”.

Sipas tij, hyrjet janë rreth 50 % me 50 % shtetas shqiptarë e të huaj.

“Për sa i përket mjeteve të përpunuara 85 % e tyre janë automjete të huaja”, shtoi ai.

Banushi u shpreh se vetëm gjatë fundjavës që lamë pas në Portin e Vlorës kanë mbërritur me 3 tragete të linjës Vlorë-Brindizi 4585 pasagjerë nga të cilët 2075 janë shtetas të huaj, si dhe 1061 automjete”.

Autoritetet portuale kanë punuar me intensitet të lartë për përpunimin e udhëtarëve dhe automjeteve, ndërsa kanë marrë të gjitha masat për t’i shërbyer sa më mirë fluksit të pasagjerëve sidomos gjatë sezonit turistik.

Vlora gjithnjë e më shumë gjatë sezonit turistik kthehet në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Në portin e Vlorës gjatë muajve të verës operojnë edhe anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit./atsh/KultPlus.com

Fluks vizitorësh, 300 mijë turistë vizitojnë Beratin në periudhën janar-qershor

Qyteti i një mbi një dritareve, një dëshmi e pasurisë dhe e diversitetit të trashëgimisë urbanistike dhe arkitektonike, ka shënuar një numër të lartë vizitorësh për periudhën janar-qershor të këtij viti.

Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha sot për ATSH-në se “në janar-qershor Berati u vizitua nga 300 mijë vizitorë vendas e të huaj”.

“Gjatë këtij viti ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të numrit të vizitorëve gati 50% më shumë se vitin e kaluar”, theksoi Merdani.

Sipas saj, turistët janë kryesisht nga Polonia, Gjermania, Spanja, Italia, Franca, etj.

“Lagjja Mangalem, kalaja dhe lagjja Goricë janë tre nga sitet më të vizituara nga turistë vendas dhe të huaj në qytetin e Beratit.Por përveç këtyre turistët tregojnë interes edhe për Kanionet e Osumit, muzeun “Onufri”, objektet e kultit, kishat dhe xhamitë”, theksoi Merdani.

Vitet e fundit qytetarët beratas i kanë kthyer shtëpitë e tyre në lagjen Mangalem dhe Goricë në bujtina dhe hotele për të mikpritur vizitorët e shumtë, të cilët tashmë qëndrojnë nga dy ditë ose edhe më shumë për t’u njohur më mirë me historinë dhe kulturën e këtij qyteti të lashtë.

Në rritjen e fluksit të vizitorëve këtë vit kanë ndikuar edhe aktivitetet e shumta të organizuara nga bashkia, si festivale, teatër kukullash, teatër për të rritur, fundjavat e muzikës live në pedonale, ekspozita, etj.

Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit.

Numri i vizitorëve ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe ky sezon veror ka pritshmëri të lartë jo vetëm në Berat, por edhe në destinacionet e tjera turistike të vendit.

Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit./atsh/KultPlus.com

Mijëra qytetarë nga Kosova drejt bregdetit shqiptar

Mësohet se në orët e para të mëngjesit në pikën kufitare të Morinës ka radhë të gjatë kilometrik.

Thuhet se se mijëra qytetarë nga Kosova, me automjetet e tyre, po i drejtohej bregdetit shqiptar, duke krijuar kështu edhe radhë në kufi.

Pala shqiptare po punon me procedurë të thjesht e shpejtë, duke punuar 8 sportele në të njëjtën kohë, por fluksi është jashtëzakonisht i madh, ndaj janë krijuar radhë kilometrike.

Radhë e gjatë është krijuar edhe të Ura e Drinit të Zi, për shkak të fluksit të madh. / KultPlus.com