Mbi 600 mijë qytetarë të vaksinuar me dozën e dytë AntiCovid-19

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.432.135 doza të vaksinës anti-COVID-19.

Sipas njoftimit, deri më sot 608.939 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 156.182.

Në total numri i rasteve aktive është 1.226. / KultPlus.com

Nga 13 tetori në Kosovë nuk mund të hyni vetëm me një dozë të vaksinës

Sot kanë hyrë në fuqi masat e reja lehtësuese antiCOVID-19, të vendosura të premten e kaluar nga Qeveria e Kosovës.

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar masat e reja, ku janë detajuar lehtësirat dhe ndalesat që janë vendosur sipas vendimit të Qeverisë.

Në mesin e tyre MSH-ja ka bërë të ditur se nga 13 tetori 2021, për të hyrë në Kosovë secili qytetarë duhet të posedojë dëshminë e vaksinimit me dy dozat e vaksinës.

“Përcaktohet se nga data 13 tetor 2021, çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës, duhet të posedoj certifikatën e vaksinimit të plotë apo ndonjërën nga dëshmitë e cekura në pikën 2.2 deri 2.4. Pra nuk do të jetë më e majftueshme marrja e vetëm një doze. E njëjta vlen edhe për punonjësit në institucione dhe ndërmarrje publike”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Doza e tretë e vaksinës antiCovid, EMA tregon kategoritë që duhet ta marrin

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) e ka deklaruar të panevojshme vaksinimin me një dozë të tretë përforcuese për personat që tashmë i kanë marrë dy doza të vaksinës.

Në një raport të publikuar nga EMA, shkruhet se një dozë e tretë mund të jetë e nevojshme vetëm për ata persona të cilët kanë një sistem imunitar më të dobët.

Sipas EMA, Dëshmitë mbi efektivitetin e vaksinës dhe kohëzgjatjen e mbrojtjes tregojnë se të gjitha vaksinat e autorizuara aktualisht janë shumë mbrojtëse kundër shtrimit në spital të lidhur me COVID-19, sëmundjeve të rënda dhe vdekjeve.

“Në këtë situatë, përparësia tani duhet të jetë vaksinimi i të gjithë atyre individëve që kanë të drejtë të cilët ende nuk kanë përfunduar kursin e rekomanduar të vaksinimit. Për të plotësuar përpjekjet e vaksinimit, është gjithashtu thelbësore të vazhdohet me zbatimin e masave të tilla si distancimi fizik, higjiena e duarve dhe frymëmarrjes dhe përdorimi i maskave të fytyrës aty ku është e nevojshme, veçanërisht në mjedise me rrezik të lartë, siç janë objektet e kujdesit afatgjatë ose repartet spitalore me pacientë në rreziku i rëndë COVID-19”, thuhet në raportin e EMA-s.

Disa studime raportojnë se një dozë shtesë vaksine mund të përmirësojë përgjigjen imune tek individët me imunitet të dëmtuar, siç janë marrësit e transplantit të organeve, përgjigjet fillestare të të cilëve ndaj vaksinimit ishin të ulëta. Në raste të tilla, opsioni i administrimit të një doze shtesë duhet të konsiderohet tashmë.

Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) aktualisht po vlerëson të dhënat për doza shtesë dhe do të marrë në konsideratë nëse azhurnimet në informacionin e produktit janë të përshtatshme. EMA gjithashtu do të vlerësojë të dhënat për dozat përforcuese. / KultPlus.com

Kur hyjnë në fuqi masat e reja anti-COVID

Qeveria e Kosovës, sot ka miratuar propozimet e Ministrisë së Shëndetësisë, për ndërmarrjen e masave të reja anti-COVID.

Masat e reja të cilat janë miratuar sot nga Qeveria, do të hyjnë në fuqi këtë të premte, më 12 gusht.

Ndryshe, në masat e miratuara nga Qeveria, është vendosur që klubet e natës të lejohen të zhvillojnë aktivitetin nga ora 23:00, deri në orën 03:00 pas mesnate.

“Klubet e natës lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 23:00 deri në ora në ora 03:00. Kryerja e pagesave si dhe lirimi i hapësirës nga ana e klientëve në klubet e natës duhet të bëhet deri në ora 03:15. Në ambientet e mbyllura  të klubeve të natës lejohet shfrytëzimi deri në 50% e kapacitetit të hapësirës. Në ambientet e hapura të klubeve të natës lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të hapësirës”, thuhet në njoftim.

Mbajtja e dasmave, fejesave dhe ahengjeve tjera familjare lejohet deri në orën 01:00.

“Organizimi i dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, është i lejuar me kusht që të shfrytëzohet 50% e kapacitetit të hapësirës, por jo më shumë se treqind (300) të ftuar në rastet kur 50% e kapacitetit të hapësirës tejkalon këtë numër”, bëhet e ditur në vendimin e Qeverisë.

Në vendimin e Qeverisë bëhet e ditur se nga data 20 gusht, deri në datën 10 shtator, hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambienteve ku mbahen ahengjet (dasmat, fejesat, ahengjet familjare, e të tjera), grumbullimet, tubimet masive (koncertet, festivalet, etj), të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, lejohet vetëm kur pjesëmarrësit/klientët posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme:

Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19;

Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;

Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik –IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;

Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 10 shtator 2021, një nga dëshmitë e cekura në pikën 23, duhet të posedohet nga të gjithë punëtorët në kuadër të bizneseve/ aktiviteteve të cekura në pikën 23, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejtë me klientët.

Po ashtu, në vendim bëhet e ditur se personat përgjegjës të bizneseve apo aktiviteteve të lartëpërmendura, janë të detyruar të caktojnë një person i cili do të kontrollojë posedimin e të paktën një prej dëshmive të cekura më lartë.

Ndërkaq këto dëshmi nuk do të ëkrkohen për fëmijët dhe personat nën moshën 18-vjeçare.

“Personat nën moshën 18 vjeçare nuk janë të detyruar të posedojnë asnjë nga dëshmitë e cekura sipas pikës 23, përveç kur hyjnë në klube nate dhe diskoteka. Varësisht sipas situatës epidemiologjike, afati i përcaktuar në pikën 23,  mund të ndryshohet, si dhe mund të përfshihen biznese/aktivitete tjera”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Mjeku nga Kosova, një nga autorët e studimit për efikasitetin e vaksinave AntiCovid

Vaksinat e Pfizer/BioNTech dhe Moderna kundër COVID-19, është konstatuar se janë 94 për qind efektive kundër hospitalizimit të personave mbi 65 vjet që janë prekur nga COVID-19.

Ky konstatim është bërë nga Qendra amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, që realizoi një studim në të cilin mori pjesë edhe mjeku nga Kosova, Dr. Arbër Shehu.

Mediat prestigjioze si CNN e BBC kanë raportuar për studimin në të cilin mori pjesë edhe mjeku Shehu, i cili pa dyshim se me këtë e bën krenar çdo shqiptar.

Në anën tjetër të dhënat e vaksina të Pfizer/BioNTech dhe Moderna janë shpresë se pandemia e koronavirusit mund të marrë fund nëse në mbarë botën vazhdon me tempo të përshpejtuar procesi i vaksinimit të qytetarëve./dsh/ KultPlus.com

Gjobitet punonjësi i shkollës në Prizren, nuk tregoi kujdes në matjen e temperaturës së nxënësëve (VIDEO)

Punonjësi i një shkolle fillore në Prizren u gjobit nga Inspeksioni për shkak që ua mati temperaturën pa treguar kujdes dhe pa u ndalur tek secili nxënës, transmeton KultPlus.

Rasti ka ndodhur para disa ditësh, ndërsa sot drejtori i Inspeksionit në Prizren, Edon Muçaj, ka njoftuar se punonjësi i kësaj shkolle është dënuar me 200 euro gjobë.

Sipas tij, matja e temperaturës me termometër digjital tek nxënësit e shkollave për mbrojtjen nga COVID-19, është e rregulluar me Ligj.

“Matja e temperaturës me termometër digjital tek nxënësit e shkollave për mbrojtjen e tyre nga pandemia COVID-19 është e rregulluar me Ligjin antiCOVID andaj duhet zbatuar. Kësaj radhe gjobë mandatore si udhërrëfim që rastet e tjera të njejta të mos përsëriten!”, shkroi Muçaj në Facebook. / KultPlus.com

Me moton ‘Shqipëria buzëqesh’ hapet qendra për vaksinën AntiCovid në Shqipëri (VIDEO)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar një sot një video me pamjet nga qendra e parë e vaksinimit antiCovid e cila po instalohet në stadiumin ‘Air Albania’, përcjellë KultPlus.

Sipas tij, në këtë qendër rinisë një Shqipëri e re me më shumë besim tek e ardhmja dhe me më shumë forcë për të përballuar çdo sfidë.

“Mirëmëngjes nga qendra e parë e fushatës shqipëriabuzëqesh, aty ku nis së shpejti vaksinimi antiCovid19 dhe rinis një Shqipëri me më shumë besim tek e ardhmja e tek fuqia e saj për t’u përballur e për të fituar çdo sfidë”, ka shkruar Rama.

Qendra e parë e vaksinimit antiCovid po instalohet në stadiumin Air Albania pas sigurimit të 500 mijë dozave të para të vaksinës nga kompania “Pfizer” . Vaksinimi do të nisë javën e tretë të janarit, sikurse ka deklaruar kryeministri Rama dhe të parët që do të vaksinohet janë grupet e riskut do të jenë mjekët dhe infermierët. / KultPlus.com

Mjeku kosovar e jep vaksinën e parë anti-Covid në Berlin

Vaksinat kundër COVID-19 kanë filluar të merren edhe nga qytetarët e Berlinit, kryeqytetit të Gjermanisë.

Personat e parë që morën vaksinën në këtë qytet janë disa të moshuar në një shtëpi të pleqve në Steglitz të Berlinit, shkruan BZ-Berlin.de, transmeton KultPlus.

Doktori kosovar, Fatmir Dalladaku, ia ka dhënë vaksinën kundër COVID-19 gruas së parë në Berlin.

E moshuara ishte një 101 vjeçare e vendosur në shtëpinë e pleqve.

Bashkimi Evropian ka marrë vendim që në shtetet anëtare të fillojnë që qytetarëve të vet t’ia japin vaksinat kundër COVID-19.Vaksinat që janë duke u përdorur janë të kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”. / KultPlus.com

Paralajmërohet vaksina Anticovid, Albert Bourla: Sot është një ditë e shkëlqyer për shkencën dhe njerëzimin

“Sot është një ditë e shkëlqyer për shkencën dhe njerëzimin”, tha në një deklaratë Albert Bourla, kryetari dhe shefi ekzekutiv i Pfizer, përcjellë KultPlus.

Kompania e ilaçeve Pfizer tha se analiza e hershme tregoi se kandidati i saj i vaksinës për Covid-19 është më shumë se 90 përqind efektiv në parandalimin e infeksionit.

Lajmet nga Pfizer dhe partneri i tij gjerman, BioNTech SE, janë mirëpritur si një hap i madh në luftën kundër një virusi që ka shkatërruar ekonominë globale, ka shkatërruar jetën e përditshme për miliarda dhe ka vrarë 1.26 milion njerëz – gati 240,000 vetëm në SHBA.

Studimi tregon se njerëzit që morën dy doza si pjesë e provës panë 90 përqind më pak raste simptomatike të Covid-19 sesa pjesëmarrësve të cilëve iu dha një placebo. Ky është një sukses shumë më i lartë sesa shumë ekspertë kishin pritur.


“Sot është një ditë e shkëlqyeshme për shkencën dhe njerëzimin,” tha Albert Bourla, kryetari dhe shefi ekzekutiv i Pfizer, në një deklaratë. “Ne jemi duke arritur këtë moment të rëndësishëm në programin tonë të zhvillimit të vaksinave në një kohë kur bota ka më shumë nevojë për të me normat e infeksioneve që vendosin rekorde të reja, spitalet pranë kapacitetit të tepërt dhe ekonomitë që përpiqen të rihapen.”

Mirëpo kjo nuk do të thotë që vaksina do të jetë menjëherë e disponueshme. Gjithashtu është akoma e paqartë se sa do të zgjaste imuniteti ndaj virusit, as sa gjerësisht do të ishte në dispozicion një vaksinë e tillë dhe sa shpejt. Pfizer tha se bazuar në parashikimet aktuale pret që të prodhojë globalisht deri në 50 milion doza vaksinash në 2020 dhe deri në 1.3 miliardë doza në 2021. /nbcnews/ KultPlus.com

Gastronomët protestojnë sot me tenxhere e lugë pas masave të reja Anti-Covid

Të pakënaqur me masat e reja anti-Covid, Shoqata e Gastronomeve të Kosovës sot duke filluar nga ora 12:00 do të zhvillojë një aktivitet simbolik para lokaleve të tyre, duke krijuar zhurmë me tenxhere dhe me lugë.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomeve të Kosovës, Petrit Kllokoqi, i cili thekson se masat e reja të vendosura nga qeveria janë të papranueshme.

“Nuk na pëlqejnë asnjëherë masat e reja kur merren përderisa nuk jemi pjesë e grupeve punuese. Masat e reja kanë qenë shumë të palogjikshme për Shoqatën e Gastronomeve sepse në valle kemi qenë gjatë gjithë verës duke na ndaluar neve pishinat dhe duke shkuar për t’i kryer pushimet nëpër Shqipëri, apo në të gjitha vendet e rajonit edhe në këtë rast po shkojnë duke i vazhduar këto masa të cilat janë të papranueshme prej neve duke i mbyllur bizneset nëpër Kosovë dhe duke i lënë kufijtë hapur që të shkojnë në shtete të ndryshme”, ka thënë Kllokoqi.

Kllokoqi ka shtuar, se nëse Qeveria e Kosovës nuk do të ndihmojë sektorin e gastronomisë, të hënën do të ketë protestë masovike para qeverisë. / KultPlus.com