Promovohet ’48 piano’, shkrimtari Arbër Selmani i këndon problemeve dhe ngjarjeve të ndryshme jetësore

Era Berisha

Libri me poezi e prozë poetike “48 piano” nga shkrimtari Arbër Selmani mbrëmë gjeti promovimin e tij pikërisht në hapësirën e Kino Armatës. Ishin interpretimet pianistike, interpretimet e poezive nga aktorë të njohur, video realizimi i poezisë “Kur vdiq baba” si dhe arti pamor ato që mbështollën këtë mbrëmje brenda një copëze magjie, e cila erdhi krejtësisht e veçantë dhe shumë ndryshe nga e zakonshmja, shkruan KultPlus.

Pasi që të pranishmit në një masë të madhe po zinin vendin e tyre sa më afër skenës, meloditë tërheqëse në ndërlidhje me terrin që kishte kapluar vendin, ishin ato që rritnin entuziazmin akoma më shumë. Ndërkaq, pianoja në skenë si e vetmja mbretëreshë muzikore po tërhiqte akoma më shumë vëmendjen e audiencës e cila me padurim po priste që kjo natë të niste tashmë.

Nën tingujt që buronin nga instrumenti bardh e zi si dhe pikturat e mahnitshme që pasonin njëra pas tjetrës të realizuara nga Diella Valla, nisi gjithçka. Pianistja Pranvera Hoxha me një duartrokitje u mirëprit në skenë për të hapur këtë mbrëmje nën melodi të cilat rrëmbyen shikimin dhe dëgjimin e gjithsecilit. Ndërkaq, në anën tjetër aktorja Maylinda Kasumoviq këndshëm solli para publikut poezinë “Çelësat mos i merr asnjë, dhe largohu…”, poezi kjo që vjen nga pena e autorit Selmani dhe e cila në këtë rast ngjalli mjaft emocione në publik, duke marrë parasysh dhe tematikën thelbësore. Ky interpretim ishte veç një sheqerkë e vogël për atë se çfarë do të vinte më pas.

Tutje, nën moderimin e Donika Hysenit nisi edhe bashkëbisedimi me shkrimtarin Arbër Selmani.

“Ky është libri im, “48 piano”. Është e pabesueshme që në një intervistë të vitit 2014 pata thënë se do ta bëj këtë libër dhe ja ku jemi sot. Unë nuk kam shumë emocione zakonisht por sonte kam pak. Këtë promovim sot kam dashur ta bëj pak më ndryshe sepse unë kam punuar disa vite si gazetar i kulturës dhe e njoh një pjesë të mirë të artistëve, shkrimtarëve dhe të gjithë ata që bëjnë pjesë në grupin më fisnik të shoqërisë tonë, edhe një pjesë të tyre kam dashur që ta marr sonte këtu. Nëse unë do ti lexoja poezitë, nuk do të kishte me qenë aq bukur sa mund të jetë Majlinda, Armendi dhe Rebeka”, thotë Selmani.

Sipas tij, në këtë libër është edhe një poezi që është shkruar dikur rreth vitit 2008, mirëpo ka edhe gjëra që janë shkruar më vonë. Libri konsiderohet të jetë libri i tij i dytë me poezi dhe prozë, meqenëse njerëzit atë e njohin më shumë me librat e serisë “Kosova në 14 tregime kulturore”.

“Librin e parë e kam botuar në vitin 2005 kur unë isha katërmbëdhjetë vjeçar dhe atë libër e ka sjell babai im në shtëpi ngase unë kam shkruar vazhdimisht poezi. E di që ai i ka mbledh krejt poezitë e mia dhe në një moment veç më ka ardhur një paketim në shtëpi dhe kur e hapa e kam parë librin me titull “Pse hidhërohet gjyshi?”. Dhe në fakt asnjëherë nuk e kam ditur se pse hidhërohet gjyshi ngase unë nuk kam pasur rastin ta njoh asnjërin nga gjyshërit e mi, por kam pasur një dashuri pak më platonike për ta”, tregon Selmani.

Librin “48 piano”, shkrimtari Selmani po ia rikthen si borxh në njëfarë forme, babait të tij.

Më pastaj, në skenë u interpretuan edhe dy nga poezitë më të fuqishme të Selmanit, nën zërin e aktorëve Armend Smajli dhe Rebeka Qenës.

“Kirillin e vranë” si dhe “Ta duash një burrë” erdhën në një formë që nuk do as përshkrim. Të fuqishme në përmbajtje, të bukura në dëgjim si dhe të vërteta në jetën reale, këto dy poezi zgjuan ndjenja unike midis të pranishmëve.

Ndërsa, pjesa më kulminante e kësaj mbrëmjeje ishte edhe videoja e realizuar qysh vitin e kaluar për poezinë “Kur vdiq baba”. Me një nivel perfekt të audios, poezia e interpretuar nën zërin e aktorit Afrim Muçaj, bëri që lotët të gjejnë rrjedhën e tyre në faqet e të pranishmëve.

“Videon e pata marrë pak si një projekt me një inat të vogël sepse më kontaktuan prej televizionit publik në Serbi dhe më thanë nëse mundesha të ia dërgoja atyre në video të poezisë time. Po i thosha vetes se është Beogradi dhe pata shumë dëshirë të shkoja diku ku mund të konkurroja me shtetet tjera. Por, sot nuk desha që të ju bëj të ndiheni keq por dëshirova që ta dhuroja këtë emocion nëpërmjet videos. Poezia ka shumë rëndësi për mua dhe në fakt nuk doja t’ia dhuroja askujt përgjegjësinë për ta lexuar sonte, andaj erdhi në këtë formë”, thotë Selmani.

Pika e fundit për këtë natë ishte edhe këndimi i poezisë “T’pres” që erdhi nga sopranoja Arta Jashari e cila u shoqërua nga melodi të kompozitorit francez Claude Debussy. Ndërsa, pianistja Pranvera Hoxha e cila ka shoqëruar gjithë këtë mbrëmje me talentin e saj në piano, edhe këtë herë e përmbylli natën së bashku me sopranon Jashari.

Zëri i fuqishëm i sopranos Jashari në ndërlidhje me tingujt hyjnorë që pasonin vazhdimisht, përmbylli këtë natë me një jehonë nostalgjike, një jehonë kjo që doli përtej mureve dhe njëkohësisht la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e secilit të pranishëm.

Ky promovim i cili erdhi në formën më unike të mundshme, dëshmoi edhe njëherë se vetë qenia e shkrimtarit Arbër Selmani sillet rreth një poetike që të hyn në zemër për të mos dalë jashtë kurrë më.

Për të treguar më shumë rreth procesit të krijimit si dhe përshtypjeve të tij për këtë promovim, për KultPlus foli shkrimtari Arbër Selmani.

“Sonte ishte një ndjenjë shumë e mirë ngase nuk e prita që ka për të pasur kaq shumë njerëz dhe jam shumë i nderuar me këtë pjesëmarrje të tyre në këtë promovim të librit. Mora shumë fjalë të mira dhe mjaft komplimente nga njerëzit. Ishte një promovim pak më ndryshe dhe një promovim ku janë përftuar edhe artistët të tjerë, sepse doja që secili person ta ketë hapësirën e tij, dhe siç e prita, ata i dhanë shumë shpirt promovimit”, thotë Selmani.

Sipas tij, libri është shkruar në një periudhë gati pesëmbëdhjetë vjeçare, andaj dhe i ka ardhur momenti që më në fund të dal në dritë.

“Poezia më e dashur në këtë libër do të jetë padyshim “Kur vdiq baba”, por poezi e veçantë në këtë libër është poezia “M’i sillni 48 piano” që ndërlidhet me titullin e librit, dhe pikërisht me 48 piano unë i këndoj problemeve të ndryshme jetësore dhe ngjarjeve të ndryshme që po ndodhin nëpër botë, momentalisht”, thotë ai.

Po ashtu, pianistja Pranvera Hoxha për KultPlus ka thënë se libri “48 piano” do të frymëzojë shumë muzikantë për të kompozuar edhe vepra nga më të ndryshmet.

“Kjo natë ishte shumë e veçantë edhe pse kam pasur raste shpesh që të bashkëpunoj në këso lloj forme, por kjo ke disi më e bukur sepse nuk jemi mësuar të shohim promovime të kësaj natyre, andaj më bëhet qejfi shumë që Arbëri e ka pasur këtë ide. Natyrisht nuk ishte shumë e vështirë për mua si instrumentiste për të përzgjedhur meloditë por megjithatë kisha merak se a do të pëlqehen nga aktorët që do të interpretonin poezitë”, thotë Hoxha.

Sipas saj, në fakt titulli i librit “48 piano” e ka intriguar atë më së shumti dhe menjëherë e kishte pyetur Arbërin për domethënien.

“E kemi pasur një ide që të kemi në skenë një grand piano por duke marrë parasysh kushtet e transportit dhe koston, ajo nuk ishte e mundur të realizohej. Natyrisht do të ishte dukur më bukur por që titulli aq është intrigues saqë ka për t’i bërë muzikantët kureshtarë që ta blejnë librin. Duke ditur edhe fushën tonë që një pjesë e madhe e jona gjatë frymëzimit me poezi, mund edhe të kompozojmë një vepër të re. Besoj shumë që ka për të pasur edhe këtë efekt tek kolegët”, thotë ajo.

Gjithashtu, sopranoja Arta Jashari është shprehur tejet e lumtur që është përzgjedhur për të shndërruar poezinë në këndim e aq më tepër duke marrë parasysh se kjo është hera e parë që ka bërë përshtatje.

“Unë kam kënaqësinë e veçantë që Arbëri më ka përzgjedhur dhe më ka ftuar në hapjen e promovimit të librit të tij. Arbëri për mua është një ndër poetët dhe shkrimtarët më të veçantë edhe kjo ishte me të vërtetë një nder për mua që mora pjesë sonte në këtë ngjarje. Përzgjedhjen e veprës e kemi bërë së bashku me pianisten Pranverën, dhe kjo ka qenë po ashtu një kënaqësi në vete, duke marrë parasysh që më herët nuk kam bërë ndonjë përshtatje”, thotë Jashari.

Sipas saj, ishte një emocion i bukur kur edhe melodia është zgjedhur për poezinë e tij e cila është tashmë në librin në “48 piano”.

“Mund të them se kjo është hera e parë që kam bërë një përshtatje të poezive, sidomos që ishte në shqip si dhe me muzikë të Debussy-s. Përshtatja e gjuhës shqipe ishte tejet interesante si dhe duke marrë parasysh që kjo është hera e parë që po këndoj në Kino Armatë, ishte me të vërtetë një ndjesi e bukur. Po ashtu, kemi qenë një ekip profesionistësh dhe për mua ishte një kënaqësi e madhe që kemi bashkëpunuar prej të gjitha fushave. Takimet tona më shumë kanë qenë një kënaqësi sesa punë dhe kjo është e veçanta e tyre”, shpalos Jashari.

Ndërsa, Xhevat Syla, njëri ndër personazhet në librin e autorit Arbër Selmani, “Kosova në 14 tregime kulturore – 2”, për KultPlus ka thënë se qasja e Arbërit në secilin libër është tejet e veçantë.

“Ishte një përurim vërtetë shumë i veçantë i organizuar shumë bukur por edhe për një krijimtari vërtetë të veçantë e cila po na vjen nga një artist i ri, poet i ri e shkrimtar i ri, që quhet Arbër Selmani, të cilin unë e kam pasur rastin ta njoh që nga fëmijëria dhe jam shumë i lumtur me zhvillimin e tij dhe arritjet e tij në fushën e letërsisë. Në fakt, ky libër është vazhdimësi i librave paraprake të Arbërit, sepse qasja edhe në librat e përparme ku unë kam pasur nderin të jem pjesë, është njëlloj e veçantë dhe krejt tjetër”, thotë Syla.

Sipas tij, poezia e Arbërit mbrëmë ka ardhur jashtëzakonisht e bukur dhe interesante.

“Arbëri është një djalosh ambicioz tek i cili talenti është dalluar shumë herët por që ka ecur në mënyrë të heshtur dhe shumë sigurt”, përfundon ai.

Libri përmban 48 poezi dhe copëza prozë poetike të shkruara nga Arbër Selmani në një periudhë 15 vjeçare. Ky është libri i katërt i Arbër Selmanit (Pse hidhërohet gjyshi, 2005 | Kosova në 14 tregime kulturore 1, 2019 | Kosova në 14 tregime kulturore 2, 2021), i cili për disa vite ka punuar si gazetar në disa media brenda e jashtë Kosovës. Ky është libri më personal dhe intim nga Arbër Selmani, me copëza të cilat zbulojnë disa ngarkesa emocionale të autorit në më shumë se një dekadë..

Libri është botim i Qendrës Multimedia. / KultPlus.com

Katër fotografi të Muharrem Qenës, katër momente të dokumentuara të njeriut plot shpirt

Sot shënohen 15-të vite nga vdekja e Muharrem Qenës.

Një këngëtar, regjisor, shkrimtar e aktor, Qena la pas vetes një numër të madh të këngëve të cilat sot gjeneratat e ndryshme i dëgjojnë dhe i kultivojnë.

Para disa viteve, Rebeka Qena – një prej vajzave të Muharrem Qenës, në një kërkesë të KultPlusit na dërgoi këto katër fotografi të Muharremit në etapa të ndryshme të jetës së tij.

Muharrem Qena është njëri prej themeluesve të skenës teatrore dhe të këngës argëtuese shqiptare. Ai punoi si regjisor, producent, këngëtar, dhe skenarist. Muharremi lindi në Mitrovicë më 1930 në një familje që kontribuoi shumë për artin kosovar. Gjimnazin e kreu në Prishtinë, kurse shkollën e filmit në Beograd. Qena ishte regjisor i më se 200 shfaqjeve teatrale.

Kënga “Kaqurrelja” është kënduar për herë të parë nga Muharrem Qena dhe më vonë (80-ta) janë krijuar versione tjera të saj. / KultPlus.com

Emërohet Këshilli i ri Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës

Sot, me vendim të ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, janë emëruar shtatë anëtarët e Këshillit të ri Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Këshilli drejtues, me mandat 4 vjeçar, ka këtë përbërje: Armend Smajli, Ben Apolloni, Gresa Pallaska, Rebeka Qena, Shkurte Aliu, Visare Aliu dhe Brikena Mulliqi.

Qeveria e re i trajton me prioritet të veçantë institucionet kombëtare të kulturës. Vendimi i sotëm është i hapi i parë për ndërtimin e një vizioni të ri për Teatrin e Kosovës.

Ditëve në vijim, Ministria do të ndërmarrë veprime tjera për institucionet kombëtare të kulturës që synojnë rritjen e qëndrueshmërisë financiare dhe institucionale, pavarësinë programore dhe artistike, zhvillimin e audiencave, ngritjen e kapaciteve profesionale dhe prezantimin ndërkombëtar të produktit vendor artistik. / KultPlus.com