Në Bernë u bë promovimi i librit “Shtegëtimet e një gazetari” të Rexhep Rifatit

Më 26 tetor në Bernë të Zvicrës është bërë promovimi i librit të Rexhep Rifatit “Shtegëtimet e një gazetari”.

Përveç se u promovua libri autotrial, autori i tij, gazetari ynë i mirënjohur Rexhep Rifati, kishte edhe përvjetorin e 50-të të fillimit të punës në gazetari, kur pikërisht më 26 tetor 1968, kishte filluar të punonte për gazetën e përditshme “Rilindja” në Prishtinë.

Në këtë manifestim mori pjesë edhe ambasadorja Nazane Breca, e shoqëruar nga Mustafë Xhemaili, Ministër Këshilltar. Në këtë manifestim morën pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë, Ilir Gjoni, ushtruesi i detyrës së Ambasadorit të Maqedonisë, Halim Hyda, redaktorja e librit Migena Arllati, autori i dokumentarit për Rexhep Rifatin, Alush Kamberi, humanistja dhe mikja e shqiptarëve, Analies Schneler dhe Don Marjan Marku, famullitar i kishës katolike shqiptare në Zvicër.

Para të pranishmëve, përveç promovimit të librit, u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër për autorin, gazetarin dhe fotoreporterin Rexhep Rifati si dhe u hap një ekspozitë me fotografi po të këtij autori.Ndërsa artistët Trio nga Gjeneva, Mimoza Nazarko, soliste, Ermira Lefort në piano dhe Volfi Haxhiaj në violinë, interpretuan një tufë me këngë dhe melodi instrumentale.

Rexhep Rifati është gazetar që ka punuar një kohë të gjatë në gazetën Rilindja, dhe pas mbylljes së saj edhe në gazeta edhe revista tjera. Gjithë jetën është marrë me gazetari duke kontribuar në fushën e informimit. Në fillim të viteve 90-ta të shekullit të kaluar, ai u persekutua në Kosovë nga Serbia pushtuese, dhe u detyrua të kërkoj strehim politik në Zvicër, ku edhe jeton me familje.

Sipas Ambasadores së Kosovës në zvicër, Nazane Breca, angazhimi i gazetarit dhe fotoreporterit Rexhep Rifati, ishte dhe është një angazhim mbi informimin profesional të opinionit.

“Rexhep Rifati, me punën e tij ka dhënë një kontribut të madh për informim të drejtë e të paanshëm, veçanërisht tri dekadat e fundit, për mërgatën tonë të madhe në Zvicër, por edhe më gjerë. Ai, një pjesë të kontributit të tij të çmuar, e ka përmbledhur në dy librat e tij voluminoz “Shqiptarët në Zvicër-1001 pamje” dhe “Shtegëtimet e një gazetari” ku në të parën ka paraqitur realisht të arriturat e mëdha dhe integrimin e mërgatës sonë në shoqërinë zvicerane në fushën e politikës, kulturës, sporteve, shkencës, bisneseve, mjekësi, arteve si dhe në librin e dytë, një shtegëtim të tij me vokacion prej gazetari, nëpër trojet shqiptare në hapësirat ballkanike në ditët e sotme”, theksoi ambasadorja Breca.

Sipas saj Rexhep Rifati, do të vazhdoj punën e tij në të mirë të informimit të mërgatës sonë dhe do të vazhdoj të paraqes gjithanshëm pamjen reale të mërgatës, mërgatë e cila ditë e më shumë po e bëhet forcë e madhe e me ndikim në jetën e shoqërisë në Republikën e Kosovës por edhe në shoqërinë zvicerane. / KultPlus.com