Puhëriu apo Pallagorio, qytezë arbëreshe që të mahnit me poezi

Gjatë vizitës sime me 23 gusht të këtij viti, në rajonin e krahinës së Krotonës në Jug të Italisë, pasi kisha vizituar dy katundet: Carfizzin dhe Shën Kolin apo San Nicola dell’Alto, për vizitë isha në njërën nga ngulimet kryesore arbëreshe të këtij regjioni, qytezën e Puhëriu, apo në italisht Pallagorio, që shtrihet në një pllajë përplot gjelbërim për gjatë tërë rrugës.

Që në çastet e para të vizitës, ndihesh tepër mirë kur në rrugë e familje e has të folmen shqipe, ndërsa ruhen edhe zakonet dhe traditat por jo më me ritin bizantin-grek. Krahas kishave të vjetra e madhështore, si në rrugë ashtu edhe në muze gjen vargje të gdhendura përplot mall e nostalgji për tokën e të parëve.

Gjatë vizitës në shoqërim të Amodeo Andrea dhe Michele Greco në shtëpinë tij me shumë bujari na priti  shkrimtari arbëresh , prof.Carmine Gentile, duke na gostitë me pije dhe njoftuar me veprat e tij më të reja, kushtuar vet vendbanimit të tij Puhëriut. Ndërsa edhe Ettoro Bonanno, përmes një shqipe të pastër, në rolin ciceroni në muzeun etnografik, na njoftoj në detaje për ato që ishin ekspozuar këtu, si kostume, libra, piktora apo edhe mjete pune që përdoren në këtë anë. Por ajo që bie në sy në këtë muze, që në hyrje janë shkronjat e alfabetit tonë, të përcjella me figura të ndryshme në mënyrë që të fëmijëve dhe të rinjve tua bëjë dhe më të afër e më të dashur gjuhën dhe shkronjat tona. Me një fjalë Ettoro, ky i ri që ka studiuar në Universitetin e Kalabrisë na foli edhe për Puhërin, gjegjësisht Pallagorinë se si edhe më tej këtu ruhet gjuha dhe traditat e të parëve.

Po gjatë kësaj vizite, në këtë qytezë, ku në sheshin e tij kryesor ndodhet , si edhe në shumicën e fshtrave arbëreshe, monumenti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeu, ndërsa që Puhëriu dallon edhe me kisha të larta e shumë impozante.  Më pastaj bëmë një xhiro nëpër katund që shquhet për kisha tejet impozante, në muret e të cilave hasë vargje shumë mbresëlënëse në gjuhën shqipe.

Nga libri “Arbëreshet dhe ngulmët e tyr në Itali”, mësojmë se : “Arbëreshët që u  vendosën në këtë territor  ishin  në  lëvizje të vazhdueshme, nga një vend në tjetrin, ku përveç disa gjërave të përditshme që mund të zotëronin, duke punuar në tokat e të tjerëve, nuk kishin asgjë tjetër. Shtëpitë e para ishin prej kashte   dhe vështirësive për të mbijetuar iu shtua edhe ajo ritit, sepse iu imponohej riti latin…

Kambana meriton vëmendje të veçantë, duke u ngritur me madhështi në anën veriore të kishës. Të kujton në strukturë kullën e Palazzo Vecchio në Firence. Është ndërtuar me tulla, rreth vitit 1900, me dëshirën e Lorecchio me bashkëpunimin e njerëzve të Puhëriut.”

Po ashtu këtu shquhen edhe Kisha e S. Antonio në Gradea, Kisha e San Cristoforo, si dhe Kisha Madonna del Carmine, por edhe disa figura të veçanta siç janë : “Anselmo Lorekio (Anselmo Lorecchio, botues  dhe figurë publike arbëreshe, që iu kushtua studimit të kulturës shqiptare dhe mori pjesë aktive në lëvizjet politike e kulturore të kohës, si dhe drejtoi punimet e Kongresit të Dytë Albanologjik në Ungër (Lungro) më 1897 dhe u zgjodh president i “Societa Nazionale Albanese” (Shoqata Kombëtare Shqiptare). Botoi me shpenzimet e veta vepra të shumë shkrimtarëve arbëreshë.

Puhëriu dallon edhe me një figurë të shquar femre arbëreshe e kjo ishte: Ofelia Xhudiçisi (Ofelia Giudicissi), e cila siç mësojmë : “Në vitin 1964, botoi veprën e parë letrare, “Pallagorio”, një libër me  poezi, i frymëzuar plotësisht nga bashkëqytetarët e saj, me të cilët u lidh fort.” /

Nga Rexhep Rifati / KultPlus.com

Nga Kalabria me dashuri…

Kolë Kamsi, është një ndër studiuesit më të njohur që ka botuar mbi arbëreshët e Italisë dhe dialektin arbëresh, duke i kushtuar disa botime librash e artikuj në revista shkencore e letrare. Në shkrimin e cituar më poshtë ka referenca nga një studim i tij mbi elementet e të shkuarës që arbëreshët i kanë ruajtur të paprekura.

Ato vishnin këmisha të bardha mëndafshi dhe një jelek të mëndafshtë, ndërsa fundi i gjatë deri tek këmbët ishte qëndisur bukur me stoli. Në belin e hollë ato mbajnë një petk të gjerë të qëndisur me fije ari. Ato e quajnë brez dhe zakonisht ai është i argjendtë, dhe përpara mban figurën e ndonjë shenjti, sidomos të Shën Gjergjit, a të Shën Mitrit… Flokët i kanë ndarë thjesht me krehër në mes, ose mbi to hedhin një shami të qëndisur me lule të vogla të bardhë… Me këtë veshje, vajzat arbëreshe ecnin në rrugët e Kalabrisë, apo Bazilikatës, ku sharmi i tyre dallohej prej copës së shndritshme që mbanin në trup. Ditën e kremteve të mëdha, kur shkojnë në Kishë, ato zgjedhin rrobat më të bukura. Një kostum që prej shekuj e shekuj me radhë, nënat e tyre i kishin ruajtur në sënduk, duke i trashëguar me fanatizëm, si një element që i kujtonte të shkuarën e tyre. Në këtë pjesë të Italisë, ku prej gati 500 vitesh jetojnë shqiptarë (arbëreshë) historia ngjason me atë të shekujve më parë. Traditat shqiptare janë ruajtur me aq kujdes breza me rrallë, ndërsa gjuha duket sikur vetëm ka ndryshuar timbër, por në thelb është një shqipe e bukur.

Ndryshe nga femrat, burrat vishen si vendasit. Petkat kombëtare duket se i kanë lënë pas dore që në kohët e mërgimit të hershëm, e në asnjë nga këto vise nuk mund të gjesh dikë që t’i ketë mbetur ndonjë shenjë a ndonjë kujtim nga të parët e tyre. Por brenda tyre, në shtëpitë karakteristike, në zakone, në gjithë rrjedhën që merr jeta, ata ruajnë elementët e origjinës së tyre shqiptare. Profesor Kol Kamsi i kushtoi gjithë jetën e tij, studimit të arbëreshëve të Italisë, duke studiuar elementë, e duke mbledhur detaje për ta bërë më të plotë historinë e kësaj pjese të rëndësishme të Shqipërisë së madhe. Që kur ishte student në Kolegjin Arbëresh të Shën Mitër Koronës e deri sa mbylli sytë më 1960, ai nuk reshti së kërkuari, së mbledhuri e së shënuari fjalë, e tekste për arbëreshët. Ai gjeti në mjediset e arbëreshëve vatra të pashuara të shqiptarisë së moçme, këngë e valle të hershme, veshje e zakone të bukura, që ngjanin sikur nuk ishin prekur fare nga ndikimi italian. Pikërisht aty ai ndjeu vetëm një dëshirë: të mblidhte më shumë fjalë e shprehje, të hulumtonte më tepër në ato mjedise e të ndriçonte këtë pjesë të kulturës shqiptare në dhe të huaj…

Më 23 shkurt të vitit 1960, një ditë para se të mbyllte sytë përgjithmonë, teksa i dorëzonte i shtrirë në shtrat veprën e tij prof. Mahir Domit, ai i thotë ngadalë: Po vdes i qetë. Zotimin e marrë para Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë e mbajta?. Profesor Kol Kamsi ishte zotuar të dorëzonte Fjalorin arbërisht-shqip, dhe deri në hartimin e tij, nuk ishte i qetë. Por dhe pse i përfunduar me aq zell, fjalori i dorëzuar me përkushtim do të flinte për dyzet vjet me radhë në raftet e Institutit. Kohë më pas, fjalori dhe veprat e tjera të Kamsit do të vlerësoheshin nga njerëz të njohur të arbëreshëve të Italisë. Në një letër që profesor Francesko Altimari i dërgon vëllait të Kolë Kamsit, Gjonit, më 30 prill 1981, i shkruan: “Ju njoftoj se duke u bazuar në të dhënat tuaja Zef Farakom, drejtor i revistës “Zjarri” ka përgatitur një artikull mbi jetën dhe veprën e vëllait tuaj të nderuar, që do të dalë nga shtypi së shpejti”. Më vonë, një nga punët e tij titanike, të cilën nuk mundi ta përfundojë por dhe të gjitha dorëshkrimet janë mbledhur në një libër “Shqiptarët e Italisë”, botohet në kolanën e sektorit shkencor të Albanologjisë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Studimi i Kamsit jo vetëm bën të njohur pasuritë etno-folklorike të arbëreshëve të Italisë, por bën të njohur dhe emra të panjohur më parë, personalitete të kulturës arbëreshe si: Nikollë Keta, Jeronim de Rada, Zef Serembe, Bernard Bilota, Anton Argondica, Agostin Ribeko, Salvatore Braile, Anselmo Lorekjo, Vinçenc Stratigoi.

“Të pajisur me një karakter të fortë mbetën për plot katër a pesë shekuj shqiptarë me gjuhë, me vëshë, me tradita e doke. E këtë lidhje gjaku nuk e treguan vetëm tue ruajtur ma të madhin kujdes me një qëndresë të rrallë që shihet veç në popullin e Izraelit, veti e karakteristika të veçanta të rracës sonë, por e shfaqën më së miri dhe me dashurinë ndaj shqipes, dashuri që e treguan jo veç me fjalë por edhe me punë, duke i sjellë shërbime të mëdha letërsisë shqipe e rilindjes sonë kombëtare”, shkruan prof. Kamsi për arbëreshët. Në studimin e lënë prej tij, ne ndalemi në një atmosferë tepër interesante sesi është ruajtur e zhvilluar kultura shqipe në këtë pjesë të Italisë, ku dhe pse për më shumë se 45 vjet kontakti me Shqipërinë ka qenë i ndaluar, ata kanë ditur të ruajnë Shqipërinë e tyre. Kamsi na njeh në këtë studim dhe me personalitete të tjera të rëndësishme të kulturës arbëreshe. Një prej tyre është dhe At Anton Santori (1819-1894) nga Pizziljia e Shën Katerina Albanese, koloni shqiptare në krahinë të Kozencës. Pas De Radës, ai ka qenë një nga shkrimtarët më të njohur të arbëreshëve të Kalabrisë. Autor i disa librave, në dokumentet e kohës del në pah fakti i një drame të papërfunduar të tij, e quajtur “Emira”. Kjo dramë ka mbetur ende e pabotuar dhe për prof. Kamsin, për historinë e letërsisë italo-shqiptare ka rëndësi të veçantë, e para pasi është shkruar në gjuhën shqipe. Në të është historia e Emirës, një vajze arbëreshe, por dhe e jetës së thjeshtë të vendit ku ajo jetonte. Në kujtimet e tij, De Rada shkruan dhe për Santorin, duke treguar dhe për një roman të cilin ai kishte nisur ta shkruante. Janë një mori botimesh në të përditshmet e kohës të këtij shkrimtari arbëresh, emri i të cilëve ka mbetur vetëm në dorëshkrime. Arbëreshët e Italisë kanë pasur një kontribut në rilindjen shqiptare. Gustav Meyer, filolog i njohur gjerman, shkruante në një artikull të 1885-s mbi gjuhën e letërsinë shqipe në një revistë italiane, duke thënë se “nëse unë i jap vendin e parë veprimtarisë letrare të shqiptarëve të Italisë, e bëj se aty mbretëron prej disa kohësh një jetë e gjallë mendore, krejt ndryshe nga çfarë ndodh në Itali”. “Shqiptarët e Italisë”, – shkruante më vonë gazeta franceze “Le temps” më 12 shtator 1913, – “kanë pasë në zhvillimin e idesë kombëtare në Shqipëri një pjesë të madhe, të cilën historia e ardhshme e Shteteve Ballkanase nuk mund të mos e përmend”.

Më i vjetri dokument shqip i italo-shqiptarëve që njihet deri më sot është “Doktrina e Krishterë” e Mantrangës, që u botua më 1592 e që ka rëndësi si vepër e parë e dialektit të Arbëreshëve të Sicilisë. E në këtë hapësirë do të zhvillohet një letërsi, që do të udhëhiqet nga atdhedashuria e malli për atdheun e largët. Në Kalabrinë e shekujve më parë, një grup shokësh, flisnin mbi vargjet e shkruara në kafene, duke u bërë protagonistët e zhvillimit të shqipes, dhe pse mijëra kilometra larg.

Doket e morteve

Ndër kolonitë shqiptare të Molise-s si në Portocannone, në Uri etj., gratë në vaj lëshojnë thirrma: puh, puh! Puh, puh! Vemeje! Thirrmat e para janë marrë prej Homerit, e tjetra është frazë latine e cila do të thotë “mjera unë”. Ndoshta thirrja “vemeje” mund të jetë dhe një shtrembërim i frazës shqipe “vaj për mue”!. Vajtimet s’prajnë në rasë vdekje deri sa kufoma të jetë në shtëpi. Sa herë që të shihen tue hy n’odë të të vdekuri gra të huaja që vijnë për me u pjekë a për krye shëndosh, gjinija e të afërmit çojnë zërin dhe vajtojnë. E vajtimet i bëjnë me radhë, që të mos lodhen kështu që tek pushon njëra ia nisë tjetra.

Ndër koloni të Siçilijes e të Kalabrijes përveç brimvet rrahin kryet me grushta e zhgulin prej kres flokë që i hjedhin përmbi kufomë. Ndër morte shpesh gratë kujtojnë në vaj dhe rob të tjerë që u kanë vdekur më përpara: dikush qan fëmijën e vetë të humbur ditë më të mirë, dikush prindërin, burrin vetë, ndonjë tjetër motrën apo vëllanë. Me një zë të përmalluar ia sjellin gjithnjë fjalën të vdekurit sikur të ishte gjallë e të mund ti dëgjonte apo kuptonte, i përshkruajnë jetën e punët e mira, qajnë mbi të keqen që i ka rënë familjes e ndonjëherë i japin edhe ndonjë porosi për të dashurit e tyre që gjenden në jetët e përtejme. Një grue e ve prej kolonisë së Lungro-s, duke vajtuar mbi kufomën e një mbese i jepte këtë porosi për burrin e vetë: “Terezë o bija ime: shko te Gjambattista e çoi një këmishë: e thuaj se e kam qepë me flokët e shkulur prej kokës sime, e kam larë me lot të syve të mijë dhe e kam terë me zjarrin e zemrës sime”.

Në këto lloj vajtimesh ndihen dhe përfytyrime të larta poetike. Një tjetër vajtocë duke qarë vdekjen e një djali të ri bujar të fshatit të Shën Sofia d”Epiro, mbasi pasi ankohej për morten që po i merrte në moshën më të bukur djemtë e rinj, thoshte: Lëkundju, lëkundju, që prej themelit, o mure të kësaj shtëpie bujare, pse u rrëzua mbështetja juaj. Stolija më e mirë e kësaj familjeje u shue porsi një lule që vyshket në kohën e mbrëmjes. A nuk i dëgjoni hingëllimën e kalit të tij? Ai në garazh ku gjendet i mbyllur pyet për të zotin e vet, por vaj! I zoti ka vdekur! E qeni i tij besnik, shoku i pandamë në gjueti, me të kujisurat e shpeshta e lypë edhe ai të zon, e kuisjet e tija janë jeku i fshamevet? tona. Vajtojnë pra, edhe kafshët humbjen e këtij djali bujar, si mund të rrimë pa e vajtuar ne, që e kemi nderuar për virtytet e tij të rralla.??. Kur vjen koha e varrimit atëherë, të qarat dhe të bërtiturat bëhen shumë të tmerrshme. Të gjithë robt e shtëpisë e të pranishmit shpërthejnë në vaj e në dënesa të thella. Miqtë e familjes e farë-fisi më i hidhen sipër të vdekurit, e duke qarë i japin të puthurën e fundit, e gratë tue bërtit me zë të lartë e tue rrah vedin me grushta nuk duan të ndahen prej kufomës, nuk luajnë vendit e mundohen mos me e lënë të dalë nga shtëpia, por burrat i kapin prej krahu, i ngrenë dhe i largojnë tue i ngushëlluar e duke i thënë se duhet me iu nënshtruar vullnetit të Zotit. Ndër disa koloni të Kalabrijes së mesme, në kohë që trupi i të vdekurit del prej shtëpie, e kanë zakon që të shkrepin në shenjë pikëllimi, dritaret e shtëpisë. Mbas arkivolit të të vdekurit, mbrapa mbas kortezhit shkojnë dhe gratë të cilat me flokët e lëshuem e të shprishun si praeficat romake e përcjellin kufomën tue vajtue me za të lartë gjatë gjithë rrugës deri në kishë apo deri në varrezë.

Arbëreshët e disa fshatrave të Kalabrijes, përpara se ta varrosin të vdekurin i fusin në xhep lekë të vogla 10 a 20 qindarka, ndoshta në kujtim të monedhës që në kohë të pagajve ish zakon t’i shtrihej kufomës në gojë që të paguante Karontin për më qitë një lundër mb’at anë të lumit t’Akerontit.

Një shenjë për të treguar dhembjen është dhe të shuarit e zjarrit në vatër porsa vdes ndonjë pjesëtar i familjes. Njerëzve të shtëpisë nuk u bie ndërmend as të hanë, por për to mendojnë, “më parë gjinija e më vonë miqtë, të cilët për disa ditë rresht u çojnë me radhë drekë e darkë”.

Ndër koloni të Siçilijes familjet që kanë mort u ndajnë të varfërve për shpirtë të vdekurit bukë të gatuemë në formën e kryqit ose u japin me ngrënë grurë të zier e u japin dhe me pirë. Në Contessa Entellina në të tretën, deri në të dyzetën ditë të mortit, gjinija e të vdekurit, veshë me petka jazi, shkojshin përmbi vorr, tue marrë me vehte diana e enë me zjarr ku digjeshin lijvanën, ndërsa thohej mesha për shpirt të të dashurit të tyre. Kjo ceremoni tashmë nuk bëhet më, pasi të vdekurit nuk i varrosin më në Kishë por në varrezë. Jazi mbahet mbas shkallës së gjinis. Burrat për vdekje të nji pjesëtari të familjes, në shenjë jazi nuk rruhen dhe e lëshojnë mjekrrën për 15 ditë, e kur dalin jashtë mbështjellë me mallota të zeza si në dimër e verë, tue mbulue deri kryet.

Nënat e gratë e veja për vdekje të djemve e të burrave rrijnë në të zeza për tërë jetën e rrallë ndodh që ndonjë të vejë e të martohet përsëri mbas vdekjes së burrit të parë. Kaq e madhe është dashnija e besnikërija për bashkëshortin sa kanë mbërrijtë me pre e deri krejt flokët mbi kufomën e fatit.

Martesa

Të shtunën mbrëma, natën e dasmës ndër koloni të Shqiptarëve të Kalabrijes si në Frashineto, në Spezzano, në Civita, etj., kumarët e kishin zakon, të shtrojnë për darkë në shtëpi të dhëndrrit. E aty, në tryezë. ndërsa ndonjë i ftuar çonte kupën e verës, e pinte për shëndet të dhëndrrit, ndonjë tjetër kapte pushkën. Këngë, valle e të shtime pushkësh, dëgjoheshin në atë kohë edhe në shtëpinë e nuses. Ruajtësit e rendit për këto të shtëna nuk thoshin gjë, sepse e dinin se ky ishte një rit i vjetër i vendit të tyre. Të dielën në mëngjes, djem e vajza të farefisit, e të miqësisë shkojnë në shtëpi të dhëndrrit e të nuses. Ndërsa vallet e argëtimit vlojnë në shtëpinë e nuses, jashtë ndihen këngë të tjera. Ato vijnë nga dhëndrri, i cili është duke u përcjellë me kumarë prej dasmorëve për të marrë nusen. Dikur burrat merrnin me vete dhe armë të cilat i zbraznin gjatë rrugës për të marrë nusen. Kortezhit të njerëzve i prijnë dy njerëz që mbajnë në dorë dy flamujë shqiptarë. Kur krushqit arrijnë në shtëpinë e nuses, këtu nuk u del askush përpara për me i pritë, përkundrazi sipas zakonit e mbyllin derën, kështu dhëndrri dhe dasmorët do të bëjnë sikur nisin një luftim për të marrë nusen. Dasmorët e dhëndrrit këndojnë e kërkojnë që t’i nxjerrin nusen. Në këtë çast dëgjohet krisma e një pushke. Krushqit shtyjnë derën e cila hapet me njëherë e dhëndrri bashkë me kumarë, e me dasmorë, hyjnë në odën e nuses, e kapin për dore, e çojnë prej karriges e me krenari thotë “Është imja”. Një entuziazëm shpërthen në të gjithë shtëpinë. Por në këtë gëzim vetëm nusja duket e zymtë, e pikëlluar. I vjen keq që po lë shtëpinë, prindërit, e po ndahet prej fqinjëve me të cilët ka kaluar moshën e vajzërisë. Ajo ul sytë e qan”. / KultPlus.com

Shtator 1909, arbëreshi Nilo Borgia hapte shtypshkronjën e parë në Grottaferrata

111 vjet më parë në shtator të vitit 1909 hapej për herë të parë  një shtypshkronjë me emrin “San Nilo”, në manastirin e Grottaferrata-s, një nga qendrat kryesore kulturore të ritit bizantin dhe pika e referimit për Arbëreshët e Italisë.

Një iniciativë kjo e filologut arbëresh Nilo Borgia (1870- 1942).

Në këtë shtypshkronjë do të shihnin dritën e botimit shumë studime albanologjike të këtij autori dhe të autorëve të tjerë jo vetëm arbëresh.

Nilo Borgia lindi më 1 janar 1870 në fshatin Hora e Arbëreshëve në Sicili. Më 6 tetor 1883, hyri në manastirin e Grottaferrata-s, dhe më 17 mars të vitit 1894, për nder të Shën Nilo di Rossano, themeluesit të urdhrit të Shën Bazilit në Itali, murgu i ri vendosi të merrte emrin “Nilo”.

Me 1904 u emërua bibliotekar i abacisë. Më 31 dhjetor 1907, mori emërimin “At Nilo” si abat i manastirit të Grottaferrata-s. Pikërisht, dy vite më vonë, më 1909, ai u bë mbështetës i përpjekjeve të Vatikanit për të rigjallëruar studimet dhe kërkimet në lëmin e ritit liturgjik lindor bizantin.

Shtypshkronja  e ngritur prej tij dha një kontribut edhe për gjuhën  shqipe , duke rigjallëruar fjalët e lashta shqipe që dëshmoheshin në të folmet arbëreshe. Shumë studime albanologjike të këtij autori dhe të autorëve të tjerë u shtypën në shtypshkronjën “San Nilo”. / Diaspora Shqiptare / KultPlus.com

Enza Scutari, poetja e frymëzuar nga realiteti arbëresh

Poezia bashkëkohore arbëreshe përfaqësohet sot edhe nga një plejadë poetësh të talentuar që janë afirmuar në jetën letrare të Arbërisë së vogël, siç e cilësojnë komunitetin e arbëreshëve të Italisë.

Në mes tyre dallohen emrat e Kate Cukaros, Margarita Scilipes, Maria Menna, Matilde Feraro, Conceta Mazzei, por figura më përfaqësuese është Enza Scutari. Ajo i takon brezit të hershëm dhe është si të thuash dekane e poezisë femërore të sotme arbëreshe.

Ajo ka lindur në Farneta di Castroregio dhe ka punuar si mësuese në shkollat e komunitetit arbëresh dhe veçanërisht për afro dyzetë vjet si mësuese e arbërishtes në S. Costandino Albanese (Potenza).

Por veç mësuesisë ajo njihet dhe çmohet si hulumtuese dhe studiuese e traditave dhe kulturës arbëreshe si dhe popullarizuese e përhapëse e vlerave artistike e kulturore të arbëreshëve.

Penës së saj i takojnë disa vëllime me poezi, të cilat kanë marrë çmime dhe mirënjohje prestigjioze nga komunat arbëreshe.

Poezia e saj është kryesisht poezi lirike, e frymëzuar nga realiteti arbëresh, me motive dhe këndvështrime origjinale. Ajo karakterizohet nga një frymëzim spontan dhe pas thjeshtësive artistike, fshihet një shpirt i ndjeshëm, me ndjesi të holla e delikate. Poezia e saj bart e trajton mendime fisnike dhe nota humane, diapazon të pasur tematik, refleks të historisë dhe realitetit arbëresh.

Lirika e saj shpërfaq mendime dhe ndjesi jetësore aq dhe meditative, shprehur përmes motiveve patriotike, erotike, eterike, pejsazhiste, që vijnë nga të njëjtat burime shpirtërore dhe ide filozofike, dhe përcjellin kumte dhe mesazhe me vlera shoqërore dhe patriotike.

Një vlerë tjetër e çmuar është gjuha e saj, arbërishtja e mëmës, një e folme e bukur dhe e pasur, me ngarkesa emocionale dhe kuptimore, e afërt me gjuhën shqipe standarde.

Me poeten Enza Scutari pata pasur fatin dhe nderin të njihem e të miqësohem vite të shkuara, kur ajo më nderonte me pjesëmarrjen e saj në promovimin e librit tim “Manastiri i dashurisë” në Lece të Italisë. Atje ajo më dhuroi për kujtim një dorëshkrim me vjersha të saj arbërisht, që unë me kënaqësi po ia paraqes lexuesit tonë.

NDËMN DHE

Ndën dhe
u shua drita ditës
çë kërkonej
një lule
për mall.
Ndën dhe
u fshehzëri natës
çë kërkonej një fjalë
për mos të vdis!

E s’u bë më gjë…

SI DY LUC

Si dy luc
mburohen
me dëshirë
si dy luc
grumbullohen
me kullure argjendi
sytë e tu;
te zemra ime
mblidhen suvala
pa sullunar!

________
• luc – dritë
• suvala – vala
• pa sullunar – pa shtytje

U DI….

U di për tij
e për mua
se gjella jon
kle e dashur
e mallepsur
e pënsuar
gjithmonë.
Pse ni duanë
të na ndronjen
pse duan të na farmëkosnjen?
U fshihem
prapa malit!

________
• kle – qe
• gjella – jeta
• mallepsur – e malluar
• ndonjen – ndrrojnë
• farmakosin – helmojnë

TË MBLIDHEMI

Adunare gjith një herë
me trëmbësi
me dhëmbësi
se je vetëm
mbi dhe,
e adunare
se ti s’je
si do të jesh
e s’të ka ënda
të rrish mb’jet
prana shkrepen dielli
e gjith jeta
duket e jotja!

_______
• prana – pastaj

SI NJË KOQEZ FARË

Si një koqez farë
te zemra ime
shtija rrënj
kjo dashuri,
prana belu belu
ngjan degat
prej diellit
me trëmbësi,
dega të njoma
ndë këputen
shkrihet uj e gjak!

________
• belu belu – bukur bukur
• ngjan – ngre
• trëmbësi – frikë

AFËRDITË

Prita të ngrëhshit
mjegulla mallingunishë
për të shihnja
yllin Afërditës
të ngjatej
te shtrati im
pa palaca,
si një ëngjel
i lethë
me penda erje
me sy kristali
të më puthnej
ndë ballet!

_________
• mallingunishë – e mallit
• ngjatej – zgjatej
• na palaca – pa mbuluar
• me penda erje – me flatra ere

NJË FLUTUR BORJE

Një flutur borje
fluturonej pa penda
tyerat i vejn pas
e qeshin
qeshin!
Kur dielli ja rru
klajn
klajn…
Te lumi u kallartin
umbrat e natës
e të klarit
ashtu vjeshin!

__________
• u kallartin – zbritën
• të klarit – të qarit
• ashtu vjeshin – bëj vjershën

Nga Prof. Nasho Jorgaqi / KultPlus.com

Jeta e Arbëreshëve në Kalabri gjatë viteve 1950

Rimëkëmbja e pasluftës në komunitetet italo-shqiptare në periudhën 1945 – 1956 karakterizohet nga kriza e thellë ekonomike dhe shoqërore e trashëguar nga periudha Fashiste dhe lufta që zbrazi fshatrat nga rinia më e mirë që kishte vendi.

Rënia e monarkisë së Savojës dhe lindja e Republikës u japin një frymë shprese popullatave të rraskapitura nga vështirësitë e luftës dhe nga abuzimet e një klase të pronarëve të tokave të cilët përpiqen të mbajnë një pushtet shtypës mbi një pjesë të madhe të popullsisë së pambrojtur.

Me Republikën e re vjen në 1948 Kushtetuta e re Republikane, e cila në Nenin 6 parashikon një ligj të posaçëm të mbrojtjes për pakicat e brendshme dhe historike të territorit Italian. Pastaj miratohet ligji për caktimin e tokës fshatarëve të varfër, i ndjekur gjithashtu nga ligji i reformës agrare. Ndërkohë, rifillon sërish migrimi në kërkim të shpresës që i shtyu jugorët të emigrojnë në vendet e largëta të Amerikës dhe Australisë. Vetëm me nënshkrimin e Traktateve të Romës për ndërtimin e KKZ-së dhe me fillimin e rindërtimit të vendit, i cili do të çonte në lulëzimin ekonomik, mënyrat e emigrimit ndryshuan: Arbëreshë të rinj hipën në trenat që do t’i çonin në qytetet e Italisë Veriore dhe përtej kufirit në Beneluks, Francë, Belgjikë, Zvicër dhe Gjermaninë Perëndimore.

1953 – Paolo Cinanni

Në 1953, Paolo Cinanni, historian social dhe ekonomik i Kalabrisë, ishte i pranishëm në Konferencën e parë dhe mbresëlënëse Përkujtimore të përvjetorit të pesëdhjetë të vdekjes së Jeronim De Rada, organizuar më 13 shtator nga administrata komunale e San Demetrio Corone [Shën Mitri] dhe promovuar nga “Shoqata Italiane për Marrëdhëniet Kulturore Italo-Shqiptare”, e kryesuar nga avokati Franco Bugliari i “Santa Sofia d’Epiro” [Shën Sofia]. Studiuesi kalabrez, pas një përshkrimi të luginave të organizuara nga gratë arbëreshe nga shumë komuna shqipfolëse dhe pasi ka zhvilluar një ekskurs të shkurtër, por të përmbledhur mirë të historisë së Arbëreshë të Kalabrisë, merret me çështjen e kushteve ekonomike dhe sociale në të cilat jeton popullsia e gjuhës shqipe në Kalabri.

“Janë pikërisht këto merita patriotike”, shkruan Paolo Cinanni, “që u japin shqiptarëve të drejtën për të bërë disa pretendime, si një pakicë kombëtare – e cila për shkak të vetë kushteve që shoqëronte formimin e kolonive – është sot në një pozitë inferioriteti krahasuar me shumicën autoktone. Në fakt, në kohën e përmbysjes së feudalizmit, komunitetet u ngritën në komuna autonome, duke ruajtur kufijtë e mëparshëm feudalë. Shqiptarët mbanin kufijtë e ngushtë në të cilët ishin pritur, pa korrigjimet e nevojshme. Prandaj, mjerimi dhe papunësia e vendeve shqiptare, për shkak të dendësisë më të lartë të popullsisë dhe varfërisë së territorit (shpesh malor) janë më serioze se gjetkë.

Me përjashtim të Lungro [Ungra] ku miniera e kripës së gurit – ku minatorët, punëtorët dhe punonjësit janë të punësuar përgjithmonë, krijojnë idenë e një qendre të vogël industriale-bujqësore – të gjithë të tjerët janë fshatra thjesht bujqësorë.

Ndër kategoritë e popullsisë, më të shumtat janë ato të fermerëve të vegjël të drejtpërdrejtë dhe atyre të punëtorëve bujqësorë, të cilët shpesh gjejnë punë jashtë zonës komunale, në luginën Crati ose në Piana di Sibari, në periudhat sezonale të shkuljes dhe korrjes së grurit, vjeljes së ullirit, etj.

Janë gjithashtu shumë të aftë në endjen e mëndafshit, e cila ka qendra të specializuara në Cerzeto [Qana], S. Demetrio [Shën Mitri], etj. Në Spezzano Albanese [Spixana], S. Demetrio [Shën Mitri] dhe në disa qendra të tjera ekziston gjithashtu një industri e vogël sezonale për përpunimin e ullinjve.

Por kur bëhet fjalë për industritë, popullsia e këtyre vendeve mbetet ndër më të varfërit në Italinë e Jugut”.

Të dhëna nga Indeksi i parë Statistikor në vitin 1958

Botimi në vitin 1958 i Vjetarit Statistikor të Komunave të Italisë, në të cilin sigurohen të dhëna nga Regjistrimi i vitit 1951 dhe të dhënat e mbledhura në 1955, konfirmon në numra gjetjet analitike shoqërore të komuniteteve Italo-Shqiptare të vëzhguara nga Paolo Cinanni.

Këto qytete, për pjesën më të madhe, janë të vendosura në zonat e brendshme të sistemeve malore të provincave të Cosenza dhe Catanzaro, shumë larg, për pjesën më të madhe, nga kryeqyteti. Spezzano Alb. [Spixana] (320 m), Caraffa di Catanzaro [Garafa] (360 m) dhe Firmo [Ferma] (369 m) janë të vetmet komunitete që nuk i kalojnë 400 metra mbi nivelin e detit, ndërsa Plataci me 930 metra dhe më e larta e ndjekur nga Castroregio [Kastërnexhi] me 857 metra dhe Acquaformosa [Firmoza] me 758 metra. Qendrat e mbetura ndryshojnë ndërmjet 430 dhe 634 metra mbi nivelin e detit, shumica e të cilave tejkalojnë 500 metra mbi nivelin e detit. Sistemi i komunikimit rrugor midis komuniteteve gjuhësore dhe kryeqytetit është gjithashtu i vështirë dhe i mundimshëm. Shumë larg nga Catanzaro janë Pallagorio [Puheriu] (130 km), Carfizzi [Karfici] (120 km) dhe San Nicola dell’Alto [Shën Kohu] (119), ndërsa në provincën e Cosenza më të largët nga kryeqyteti janë Castroregio [Kastërnexhi ] (128 km) dhe Plataci [Pllatani] (110 km). Nëse qyteti më i afërt me Catanzaro është Caraffa di Catanzaro [Garafa] (34 km), ata që janë më afër kryeqytetit të Cosenza janë Falconara Alb. [Fallkunara] (20 km) dhe San Benedetto Ullano. [Shën Bendhiti] (30 km). Të gjithë të tjerët udhëtojnë në distanca që tejkalojnë 40 kilometra. Ka shumë pak qendra të përshkuara nga rrugë shtetërore në distanca të gjata. Spezzano Alb. [Spixana] është më me fat pasi përshkohet nga Rruga Shtetërore 19, e njohur historikisht si rruga konsullore “Via Popilia-Annoia”, e filluar në vitin 132 para Krishtit. për të lidhur qytetin e Gaeta me portet e ngushticës për Siçilinë. Prandaj, këto janë rrugë të ndërtuara në shekullin e nëntëmbëdhjetë, disa nga periudha Bourbon, të tjera pas bashkimit të Italisë, por të gjitha me një udhë të bardhë, të pashtruar, përveç disa qindra metrave të kalimit të shtrirjes së banuar.

Informacioni i Cinanni mbi shtrirjen territoriale të komunave Italo-Shqiptare është shumë i duhur në lidhje me kufijtë e territoreve komunale që praktikisht datojnë nga ato të shënuara nga noteri Sebastiano La Valle në Platea të vitit 1544, porositur nga Perandori Charles V. Gjithcka mund të verifikohet duke lexuar “Buletinet” të lëshuara nga Komisionet Shtetërore në pjesën e parë të shekullit XIX. Informacioni mbi gjendjen e produktivitetit të tokës komunale është gjithashtu i saktë, për pjesën më të madhe të shpërndarë në rrjedhën e sipërme të zonave të banuara, me fonde të mëdha të mbuluara me bimësi malore dhe pastrim, kryesisht joproduktive, duke përjashtuar plantacionet e gështenjave. Janë vetëm tre bashki me territor të shtrirë drejt fushës, pa shtrirje mali: Spezzano Alb. [Spixana], Firmo [Ferma] dhe Caraffa di Catanzaro [Garafa]. Ndërsa Spezzano Alb. [Spixana], qendra më e banuar, ka vetëm 3333 hektarë shtrirje, Vaccarizzo Alb. [Vakarici] ka një sipërfaqe prej 846 hektarë dhe San Nicola dell’Alto, e cila është më e vogla, ka një sipërfaqe prej vetëm 763 hektarë. Nga ana tjetër, San Demetrio Corone [Shën Mitri] është qyteti më i madh me 5778 hektarë.

Në vetëm katër vjet, 1951-1955, dendësia e popullsisë për kilometër katror ndryshon në mënyrë drastike. Ka 88 njësi për km katrorë në 1951, të cilat bëhen 100 në 1955. Ka, pra, disa maja me intensitet të lartë në San Nicola dell’Alto [Shën Kohu], e cila ka një shtrirje prej 763 hektarësh dhe një popullsi prej 2843, me 372 banorë për kilometër katror dhe në Vaccarizzo Alb. [Vakarici] me një popullsi prej 1915 banorë në 846 hektarë të barabartë me 226 banorë për km katrore.

Vjetari statistikor ndihmon shumë për të kuptuar se si ndodhi jeta e përditshme në këto vende gjatë viteve 1950. Popullsia rritet me 8417 njësi. Shkon nga 56595 banorë në 1951 në 65012 në 1955. Një rritje e jashtëzakonshme e popullsisë, mbase e pashpjegueshme me mjetet aktuale të hetimit që posedojnë, veçanërisht në lidhje me lëvizjen e migracionit, e cila do të shpërthejë disa vjet pas nënshkrimit të Traktatit të Roma për themelimin e Tregut të Përbashkët Evropian.

Një tregues, por vetëm i tillë, ofrohet nga seksioni në lidhje me lëvizjen që banon në 1955. Negativ është regjistri i të dhënave personale. Personat që regjistrohen në bashkitë italo-shqiptare janë gjithsej 1004. Nga këta anëtarë të rinj, 969 vijnë nga bashkitë italiane dhe vetëm 35 nga vendet e huaja, ndërsa 1578 janë anuluar; nga këto, 241 u zhvendosën jashtë vendit dhe 1337, në vend të kësaj, në komuna të tjera italiane. Nga ana tjetër, lëvizja natyrore është pozitive, me një ndryshim prej 865 njësish midis lindjeve të gjalla (1402) dhe të vdekurve (537).

Në llogaritjen e përgjithshme midis lëvizjes së regjistrit dhe lëvizjes natyrore ekziston një bilanc pozitiv prej 331 njësish të cilat rrisin popullsinë rezidente. Përveç kësaj informacioni skematik, është shumë e vështirë të vazhdohet, veçanërisht me analiza të ndryshme dhe të hollësishme që duhet të kenë të bëjnë me një periudhë historike duke filluar të paktën nga viti 1935, para se Italia të hynte në luftë.

Siç analizon Paolo Cinanni, ndër aktivitetet prodhuese më e shumta është ajo e sektorit bujqësor nga një popullsi aktive prej 30218 punëtorë, e barabartë me 53.40% të tërë popullsisë së vitit 1955. Duke analizuar përqindjen e popullsisë së përfshirë në aktivitete bujqësore, dalin të dhëna nxjerr në pah një realitet fshatar me shumë kontradikta kiaroskuro dhe laike, midis pasurisë së ndritshme të disa pronarëve të tokave dhe varfërisë së përhapur që arrin pothuajse 90% të popullsisë dhe origjina e të cilave ndoshta e ka burimin në reformën e Kadastrës Onciario të Mbretit Charles III të Bourbon në 1743, i konsoliduar, më pas me reformën feudale Napoleonike dhe dështimin për të shpërndarë tokat në pronësi të shtetit për qytetarët e varfër të komunave të lindura me reformat e filluara në 1806 nga Giuseppe Napoleone, mbreti i Napolit.

Nga 25 komunitete shqipfolëse, në 16 prej tyre, me shifra mbi 80%, popullsia aktive është e angazhuar në bujqësi dhe në 4 përqindja është ndërmjet 70/80%. Pra, në 20 komunitete nga 25 më shumë se tre të katërtat e popullsisë aktive i merr mjetet e jetesës nga bujqësia. Për pjesën më të madhe është një pjesë e vogël e pronarëve të vegjël dhe fermerëve të drejtpërdrejtë, dhe një turmë e madhe e përbërë nga punëtorë bujqësorë, të cilët shpesh gjejnë punë jashtë territorit të komunës, në Piana di Sibari ose në luginën e Crati, gjatë punës sezonale të bujqësisë, korrje gruri, vjelje ulliri. Padyshim, familjet e pronarëve të mëdhenj të tokave që zotërojnë më shumë se 80% të tokës bujqësore nuk i përkasin kësaj figure.

Pesë komunat që nuk i kalojnë 70% në rend zbritës janë: Spezzano Albanese [Spixana] (68%), San Benedetto Ullano [Shën Bendhiti] (65%), San Basile [Shën Vasili] (56%), Lungro [Ungra ] (51%) dhe Shën Nikolla i Lartë [Shën Kohu] (50%). Komunat që, megjithatë, nuk shkojnë nën 50%, duke konfirmuar pohimin se brenda të gjitha komunave arbëreshë ekziston një bandë e madhe e pronarëve të vegjël bujqësorë, kryesisht fermerë që kultivojnë drejtpërdrejt parcelat e vogla të pronës së tyre dhe nuk përbuzin merren me aktivitete artizanale si kovaçë, rrobaqepës, këpucarë, marangozë dhe në muajt e vjeljes së ullirit ata janë me fat që të punësohen në mullinj për transformimin e ullinjve.

Gratë janë të angazhuara ekskluzivisht në aktivitete bujqësore: vjelje ullinjsh, korrje dhe përpunim fiku dhe gështenja, endje me tezgjahun antik të batanijeve leshi ose fije fshesë dhe leckë për veshje. Dhe, përsëri në fushën e prodhimit të pëlhurave, në atë dekadë prodhimi i mëndafshit ishte ende i gjallë në shumë komunitete.

Shkrimi vijon me të tjera të dhëna interesante që do të publikohen në mënyrë periodike.

Artikulli është kortezi e Damiano Guagliardi (President i FAA–Federatës së Shoqatave Arbëreshe) për “Diaspora Shqiptare”. / KultPlus.com

“Udhëtimi i Zemrës”, përmbyll aktivitetet në Horën e Arbëreshëve

Prej datës 30 gusht po vijojnë aktivitet e programuara për të festuar 533 vjetorin e Horës së Arbëreshëve.

Aktivitetet janë realizuar në dy vende në Horën e Arbëreshëve në Siçili dhe në Cerzeto në Kalabri.

Agjencia Kombëtare e Diasporës vazhdon aktivitetet në komunitetin Arbëresh në Itali. AKD në bashkëpunim me komunën Cerzeto në Kalabri dhe me mbështetjen e Ministrit të Shtetit për Diasporën sot do të zhvillojë aktivitetin “Udhëtimi i Zemrës”, ku do të zhvillohen takime me përfaqësues të këtij komuniteti dhe do të diskutohen çështje me elementë kulturor, antropologjik, historik që bashkojnë veçoritë midis Italisë dhe Shqipërisë ndër shekuj.

Pjesë e këtij eventi, do të jetë dhe organizimi i një koncerti artistik “Tinguj jete midis tokës dhe detit”, me veprat e kompozitorit Aulon Naçi, me ndërthurje të muzikës klasike, instrumenteve dhe poezive arbëreshe.

E pranishme në aktivitet, Drejtoresha e Studimeve në QSPA ka kontribuuar në përzgjedhjen e materialeve letrare që do të interpretohen sot.

Kujtojmë se gjatë ditës së parë Drejtoresha e AKD, Sonila Hysi zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë “Hora e Arbëreshëve”, Rosario Petta, si dhe me përfaqësues të përfaqësisë diplomatike.Gjithashtu morën pjesë në meshën e zhvilluar në gjuhën shqipe. Një ekspozitë me botime të Qendrës Studimore për Arbëreshët shfaqi interes ndër komunitetin arbëresh. Gjatë ditës Drejtoresha Ekzekutive e AKD, Sonila Hysi u mirëprit sot nga Kryetari i Bashkisë së Palermo Prof. Leoluca Orlando. / KultPlus.com

Sot 533 vjet nga Hora e Arbëreshëve

Sot kremtohet dita e themelimit të ngulimit arbëresh në Siçili, “Piana degli Albanesi”, ndryshe në arbërisht “Hora e Arbëreshëvet”. Kjo komunë u themelua më 30 gusht të vitit 1488 nga një grup shqiptarësh nga viset shqiptare, kryesisht nga Himara, të cilët e braktisën vendlindjen për shkak të luftës. Në kërkim të lirisë, ata u vendosën përtej detit Adriatik, në Itali.

Çdo 30 gusht përkujtohet si një ngjarje e shënuar për këtë komunitet. Festimet kanë nisur paraditen e sotme me liturgjinë hyjnore, një pjesë e së cilës është mbajtur në gjuhën shqipe.

Të pranishëm në kremtimet e 533 vjetorit të Horës së Arbëreshëve janë edhe përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Diasporës, institucioni i cili ka përgatitur një kalendar aktivitetesh me rastin e këtij përvjetori , si koncertin artistik “Tingujt e jetës midis tokës dhe detit”, me pjesëmarrjen e artistit shqiptar z. Aulon Naçi, kompozitor dhe pianist, ekspozitë e botimeve të QSPA etj, transmeton KultPlus.

Historiku

Arbëreshët e parë të Horës së Arbëreshëve, që në fund të shek. XV lanë Shqipërinë e pushtuar nga Perandoria osmane që donte të impononte jo vetëm kulturën e saj por dhe fenë muslimane.

Kështu, arbëreshët e krishterë nga përkufizimi, për hir të rrënjëve të tyre lanë vendet ku ishin rritur dhe ku kishin jetuar prej shekujsh në kërkim të një territori ku të mund të vazhdonin të ishin ata që ishin.

Më pas kaluan detin dhe arritën në brigjet e Pulias. Ata vazhduan udhëtimin e tyre për në Siçili, në një vend të largët ku të mos arriheshin nga turqit. Sipas një legjende mërgimtarët sollën me vete një pikturë të Madonna Odigitria.

Pas ecjes rraskapitëse prej javësh, ata ndaluan në jug të Palermos në rrëzë të një mali për tu freskuar. Ata panë me habi që piktura e Zojës kishte lënë një brazdë të thellë në gurin ku ishte vendosur. Për arbëreshët kjo ishte një shenjë nga qielli. Vendi ishte zgjedhur nga Mbrojtësi Hyjnor.

Aty mund të themelonin vendin e tyre. Por në fakt, ata shkuan në Monreale për të negociuar me Kryepeshkopin, pronarin e atyre territoreve dhe më 30 gusht 1488 ata nënshkruan Kapitullin e Themelimit. Kapitujt e e Themelimit të Horës së Arbëreshëve ishin 16. Shqiptarëve iu dha privilegji të jetonin sipas ligjeve dhe zakoneve në fuqi në qytetin Monreale.

Atyre iu dha një sasi toke për të punuar dhe një tjetër sasi e konsiderueshme për të ndërtuar shtëpitë e tyre. Arbëreshët ishin të lirë të lëviznin dhe të linin territorin e dhënë atyre pa asnjë ndëshkim dhe të merrnin armë me vete.

Ata gjithashtu mund të bënin gjueti dhe të ruanin kultin e tyre, i cili bazohej në ritin bizantin. Menjëherë më pas arbëreshët ndërtuan një kishe, pikërisht atë kushtuar Madonna Odigitria, në të njëjtin shteg ku kishte ndodhur mrekullia e pikturës.

Edhe sot shenjtorja është një destinacion pelegrinazhi, sidomos 15 ditët e para të gushtit, kur besimtarët shkojnë atje para lindjes së diellit për të admiruar lindjen e diellit gjatë lutjes. / KultPlus.com

Arbëreshi që shkruante vetëm shqip

Sot shënohet 97-vjetorit të lindjes një nga emrat më të rëndësishëm të publicistikës dhe kulturës arbëreshe, pikërisht Dr. Vinçenxo Golletti Baffa. Ai lindi në Çivita më 1924, vendbanim arbëresh në Kalabri.

Studioi në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Romës, duke marrë njohuri edhe në fushën e historisë, të gjuhësisë, si dhe të letërsisë shqipe me Ernest Koliqin.

Pati një veprimtari të gjerë publicistike dhe revista “Katundi Ynë” u bë promotori i aktivitetit të tij shkrimor.  Ai botoi “Alfabetin shqip të programuar” 1977, “Libërkëndimi i programuar” 1981, përshtatur për fëmijë të çdo moshe që njohin alfabetin italian, “Libri im i parë” 1979, përshtatur për të gjithë fillestarët, si dhe “Antologji e shkurtër me proza argëtuese” dhe “Gjuha jonë me hare” 1982.

Për arsye familjare në moshën tetë vjeçe shkon në Romë, pas dy vjetësh në Peruxhia, ku mëson mjaft mirë latinishten, greqishten e vjetër dhe frëngjishten, nën ndikimin e gramatikës latine, ai nis të studiojë me një pasion të veçantë arbërishten e të njihet nga afër me gjuhën shqipe. Në kohën e luftës ai vazhdoi Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Romës, duke marrë njohuri edhe në fushën e historisë, të gjuhësisë, si dhe të letërsisë shqipe me Ernest Koliqin.

Mbas luftës ai kaloi një periudhë të vështirë e të egër për të mbijetuar, megjithatë për asnjë çast ai nuk i shkëputi lidhjet e tij me pasionin për kulturën dhe me vendlindjen e tij të dashur, Çivitin. Kjo periudhë e gjatë kohe mund të quhet periudha e akumulimit dhe e formimit të tij për të ndërmarrë më pas me vetëdije të plotë dhe pasion në lëmin e kulturës arbëreshe.

Punoi për një kohë të gjatë si mësues privat në shumë lëndë, më pas punoi në bibliotekën qytetare e në kursin e gjuhës italiane në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Universitetit të Frankfurtit, si dhe Hejdelbergut. Libri “Novellistica italo-albanese” me përralla, tregime dhe anekdota të përmbledhura nga Luca Perrone nën drejtimin e Koliqit bëhet një shtysë e vërtetë për të, që këto përralla ai vetë t’i rrëfente në një arbërishte shumë më të pastër e më të bukur. Kështu ditë pas dite, ai me një përkushtim të plotë punoi për gjuhën arbëreshe, e cila në gjithë shkrimet e tij ka një ëmbëlsi të veçantë.

Dalja e revistës “Katundi ynë” në Çivit me drejtor Dhimitër Emanuelën përbën një çast të rëndësishëm për gjithë krijimtarinë e Gollettit, edhe pse në kufirin e të pesëdhjetave, ai do të ishte i pranishëm në çdo numër të revistës. Me këtë ai u tregoi gjithë arbëreshëve se gjuha e tyre nuk ishte e vlerë vetëm për një këngë e poezi, por edhe për prozën moderne e për problemet aktuale.

Në vitin 1973, e vizitoi për të parën herë Shqipërinë, edhe pse heshtja që e përcolli në atë epokë tregonte më së miri pozitën e vështirë në të cilën e vendos diktatura intelektualin.

Për afro dy dekada, Golletti do shkruante vazhimisht në revistën “Katundi Ynë”, ku vërehet shqetësimi i shkrimtarit arbëresh për gjuhën, humori dhe gjuhën e tij brisk, shpirti i trazuar dhe liridashës. Kurrë nuk i humbi shpresat se gjuha dhe kultura arbëreshe do të gjente vendin e merituar në kulturën dhe gjuhën shqipe, ai luftoi që hendeku midis arbërishtes dhe gjuhës së njehsuar shqipe të ishte sa më i vogël. Mund të thuhet se revista “Katundi Ynë” u bë promotori i aktivitetit të tij, kështu ai do të botonte “Alfabetin shqip të programuar” 1977, “Libër këndimi i programuar” 1981, përshtatur për fëmijë të çdo moshe që njohin alfabetin italian, “Libri im i parë” 1979, përshtatur për të gjithë fillestarët, si dhe “Antologji e shkurtër me proza argëtuese” dhe “Gjuha jonë me hare” 1982. Të gjitha këto vepra me karakter didaktik dhanë një kontribut të madh për lëvrimin dhe pasurimin e gjuhës arbëreshe.

Përveç këtyre, ka dhënë ndihmë modeste në daljen e disa revistave shqiptare, si “Qëndresa” në Zvicër, si dhe “Dëshira” në Suedi, ka bashkëpunuar me mjaft revista të njohura shqiptare si “Dielli”, “Mondo albanese” e tjerë, gjë e cila tregon për dëshirën që rritet në shpirtin e këtij njeriu fisnik të cilin e përcjell motoja: “Unë jam mirë, kam mish, verë, dhe një libër shqip”.

Dr. Vinçenx Golletti Baffa, edhe pse në moshë të kaluar vazhdon të punojë me vrullin e një djaloshi, me pasion e dëshirë për të vënë edhe ai një gur në murin e kulturës shqiptare, si një feniks për të kujtuar të kaluarën e lavdishme të stërgjyshërve krenarë.

Ky është Prof. Golletti, arbëreshi që aq bukur e shkruan gjuhën shqipe, i cili mbetet modeli i mishërimit të gurrës së kulluar arbëreshe./diasporashqiptare/ KultPlus.com

Michele Scutari dhe kontributi për arbëreshët në Siçili

191 vjet më parë vdiq një nga figurat më të rëndësishme të kishës arbëreshe në San Costandino Albanese, Michele Scutari.

Ai lindi me 7 tetor të vitit 1762. Për tridhjetë e gjashtë vjet ai ishte kryeprift, pikërisht nga 16 tetori i vitit 1793 deri në vitin 1830.

Në vitin 1825 ai botoi shkrimin me titull “Informacione historike mbi origjinën dhe vendosjen e shqiptarëve në Mbretërinë e Dy Sicilive, mbi natyrën, gjuhën dhe ritualin e tyre”.

Vdiq në San Costantino Albanese, më 11 gusht 1830. / KultPlus.com

46 vite nga numri i parë i revistës “Mondo Albanese”

Sot shënohet një ngjarje e rëndësishme për historinë e shtypit arbëresh, pikërisht dalja në dritë e revistës “Mondo Albanese”.

Numri i parë i kësaj reviste u botua 46 vjet më parë, pikërisht me 1 gusht të vitit 1975.

Giuseppe Schirò di Maggio njihet si bashkëthemeluesi i revistës “Mondo Albanese”, revistë që e drejtoi në vitet 1975–1989.

Kjo revistë, e shkruar në arbërisht, ka luajtur një rol të rëndësishëm jo vetëm për ruajtjen e këtij dialekti historik të shqipes, por edhe për promovimin dhe propagandimin e kësaj gjuhe si të domosdoshme për t’u përfshirë në programet shkollore të trevave arbëreshe në Itali. / KultPlus.com

“Estate Sanpaulese 2021”, festa arbëreshe përgjatë muajit gusht

Gjatë muajit gusht Komuna San Paolo Albanese, në bashkpunim me Museo Della Cultura Arbëreshe organizojnë festën e gushtit “Estate Sanpaulese 2021” (Verja Shënpaljote).

Ditët e festës do të zgjasin deri në fund të muajit gusht. Ditët e para do të nisin me aktivitete sportive, për të vijuar më pas me programe artistike. / KultPlus.com

Fanatikët e Italisë që ruajtën kulturën shqiptare

Në mbi pesë shekuj arbëreshët kanë pësuar arritje të rëndësishme kulturore dhe letrare.

@LekëMatrënga

Lekë Matrënga është emri i parë që u dokumentua si autori i veprë së parë në gjuhën arbëreshe në historinë letrare shqiptare, dhe inicues në fillim të viteve 1600 të shkollës së parë në të cilën mësohej shqip. Italia e thërriste Luca Matrënga, i lindur më 1567, puna e tij, megjithëse një përkthim modest, mbetet një dokument besnik i dialektit të lashtë toskan në Piana.

Disa mbishkrime në gjuhën shqipe të gjetura dhe të botuara nga Giuseppe Schirò, i përkasin kësaj periudhe, ndërsa afresket nga piktori i njohur Pietro Novelli dhe disa nga ikonat e pikturuara nga murgjit Kretas të Mezzojuso, të ruajtura tani në Piana, datojnë që nga gjysma e dytë e shekullit XVII. Selia e vitit 1937 e Eparkisë së Shqiptarëve të Sicilisë.

@PietroNovelli

Kah gjysma e parë e shekullit të XVIII-të Arbëreshë Pianooti, ​​në një fazë të krizës serioze socio-kulturore, filloi një proces të thellë të rinovimit shpirtëror dhe kulturor falë veprës së Fr. Giorgio Guzzetta, themelues i Seminarit Greko-Shqiptar të Palermos, instituti që siguroi mbështetje vendimtare për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë fetare dhe kulturore të komuniteteve siciliano-shqiptare.

@Giorgio Guzzetta

Seminari kreu funksionin e tij rigjenerues, duke formuar jo vetëm priftërinjtë e ritit greko-bizantin, por të gjithë klasën arbëreshe sunduese dhe intelektuale. Disa nga përfaqësuesit më të shquar të komuniteteve të studiuara atje: Paolo Maria Parrino, Nicolò Chetta, Giuseppe Crispi, Demetrio Camarda, Nicola Barbato, Giuseppe Schirò dhe shumë të tjerë.

Shekujt XIX dhe XX regjistruan përparim të mëtejshëm në kulturën dhe letërsinë italo-shqiptare. Një grup i madh intelektualësh, të shtyrë mbi të gjitha nga parimet romantike, u interesuan për historinë, gjuhën dhe traditat poetike të njohura.

Arbëreshët e Italisë, dhe fushat në veçanti, kontribuan në këtë periudhë me përpjekje të admirueshme për rilindjen historike dhe kulturore të Shqipërisë, e cila u kthye në një komb pas më shumë se pesë shekuj të dominimit turk.

Figura të mëdha të intelektualëve arbëreshë Pianooti luajtën një rol shumë të spikatur në këtë mision. Midis këtyre, shquhet figura dhe personaliteti i Demetrio Camarda (Dhimitër Kamarda), autor i esesë së famshme mbi gramatologjinë krahasuese për gjuhën shqipe (Livorno, 1864) dhe të Shtojcës (Prato, 1866) që përbëjnë monumentet e para të kulturës italo-shqiptare.

@Dhimitër Camarda

Eseja është përpjekja e parë shkencore dhe sistematike për të studiuar gjuhën shqipe bazuar në teoritë më moderne gjuhësore të kohës. Përpjekja e Camarda-s, megjithëse e vjetëruar shkencërisht sot, kontribuoi në njohjen e kombësisë shqiptare, duke i dhënë gjuhës së tij një dinjitet dhe pavarësi që ishin mohuar deri më tani.

Në shtojcë ai mblodhi më të mirën e poezisë popullore tradicionale të komuniteteve shqiptare të Italisë, duke siguruar një demonstrim të mëtejshëm të lashtësisë së asaj kulture. Camarda, përveç se ishte një dijetar dhe një njeri me besim, ishte edhe një patriot i bindur dhe për këtë arsye së shpejti iu desh të largohej nga Piana për shkak të persekutimeve të Bourbon.

Vazhdues i denjë i veprës së Camarda ishte Giuseppe Schirò. Poet, publicist, historian, gjuhëtar, studiues dhe mbledhës i vëmendshëm i traditave poetike siciliano-shqiptare, profesori i parë universitar i Katedrës së gjuhës shqipe në Institutin Oriental të Napolit, Schirò la një prodhim të gjerë letrar.

Shkrimet e tij u botuan nga 1887 (Rapsodie Albanesi) deri më 1923 (Këngë tradicionale). Ndër prodhimet e tij më të mira poetike janë idili rinor Milo dhe Haidhe që dinin disa botime dhe një përkthim frëngjisht, poezitë, ‘’Te dheu i huaj’’ (“Në një tokë të huaj”) botuar më 1900 dhe 1947, dhe Këthimi (“Kthimi”) Botuar pas vdekjes më 1965. Në qendër të reflektimeve të tij poetike të munduara janë motivet e letërsisë italo-shqiptare të iniciuara nga kalabrezo-shqiptari Jeronim de Rada.

Hulumtimi i parë historiografik në lidhje me komunitetet shqiptare të Siçilisë dhe botimi i dokumenteve të shumta të pabotuara janë për shkak të veprimtarisë kulturore shumëplanëshe dhe të pashtershme të Schirò. Falë koleksioneve të saj të letërsisë popullore, sot ekziston një material i çmuar që ndriçon trashëgiminë e pasur poetike dhe etnike të siciliano-shqiptarëve.

Ky profil i përfaqësuesve kryesorë të kulturës dhe letërsisë arbëreshe të Pianës nuk është i kompletuar pa kujtuar Cristina Gentile Mandalà, një nga gratë e para arbëreshe që iu përkushtua rritjes së trashëgimisë etnografike të Pianos, Nicola dhe Giuseppe Camarda, vëllezër të Demetrios, përkatësisht, disa vepra të përkthimit të klasikëve grekë dhe të përkthimit në dialektin Piana të Ungjillit të Shën Mateut (Londër, 1868)

Nicola Brancato, Carlo Dolce dhe Trifonio Guidera, poetë që interpretojnë ndjenjat fetare dhe popullore, Zonja Paolo Schirò i cili zbuloi Mesharin e Buzukut, vepra e parë e letërsisë shqipe (1555), dhe botoi fletën e së Dielës Fiala e t’in’Zoti në gjuhën arbëreshe.

Francesco Saluto, magjistrat, autor i eseve juridike dhe themelues i shkollës me të njëjtin emër në Palermo, e cila për vite të tëra, deri në periudhën e dytë të pasluftës, priti studentë të shumtë të varfër të Pianës.

Giorgio Costantini, historian dhe adhurues i kujdesshëm i traditave, Marco La Piana i cili i çoi studimet gjuhësore dhe etimologjike të shqipes në një fazë shumë të përparuar, duke lënë një botim gramatikor historik dhe një fjalor etimologjik të pabotuar.

Vëllezërit Rosolino dhe Gaetano Petrotta, njëri, autor i iniciativave të shumta të promovimit kulturor dhe tjetri, një studiues i shquar i letërsisë shqipe dhe profesori i parë i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin e Letrave në Palermo, papas Gjergji Schirò, përkthyes i palodhur i teksteve fetare greke në gjuhën arbëreshe.

Në vazhdën e një tradite kaq të rëndësishme është kontributi i tanishëm kulturor i Giuseppe Schirò Di Modica, poet dhe eseist, nga Giuseppe Schirò Di Maggio, poet dhe dramaturg, nga Antonino Guzzetta, gjuhëtar dhe profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin e Letrave të Universitetit të Palermos.

Së fundmi, ka shumë shprehje të tjera kulturore si biblioteka komunale “Giuseppe Schirò”, muzeu qytetar “Nicola Barbato”, shoqatat kulturore dhe promovuese, institucionet e shkollës publike, ikonografët, piktorët, mozaikistët, artizanët, të cilët në mënyra të ndryshme kontribuojnë në mënyrë të vlefshme për mbrojtjen dhe përmirësimin e trashëgimisë së çmuar shqiptare. /visitpiana/ KultPlus.com

“Stolat letrar” një homazh kushtuar poetëve arbëresh në Greci

Një nismë e bukur është finalizuar së fundmi në katundin arbëresh Greci, ku në hapësirën publike të qytetit janë vendosur “Stolat letrar”, një kënd ku të pasionuarit e letërsisë, dhe jo vetëm mund të ulen për të lexuar një libër.

Kjo iniciativë është një homazh për punën e misionarit dhe poetit arbëresh At Leonardo De Martino  në “Harpa e një Italo-Shqiptari” dhe shkrimtares Alda Merini në “Në krahët e tu” si dhe shtë recitali shëtitës krijuar nga artisti Matteo Fratarcangeli, “Komedia Hyjnore në 100 fshatra”.

Një nismë e bukur është finalizuar së fundmi në katundin arbëresh Greci, ku në hapësirën publike të qytetit janë vendosur “Stolat letrar”, një kënd ku të pasionuarit e letërsisë, dhe jo vetëm mund të ulen për të lexuar një libër.

Kjo iniciativë është një homazh për punën e misionarit dhe poetit arbëresh At Leonardo De Martino  në “Harpa e një Italo-Shqiptari” dhe shkrimtares Alda Merini në “Në krahët e tu” si dhe shtë recitali shëtitës krijuar nga artisti Matteo Fratarcangeli, “Komedia Hyjnore në 100 fshatra”./KultPlus.com

“Pupugheji”, një ritual i veçantë në ditën e Shën Gjon Pagëzorit

Në kuadër të ditës së Shën Gjon Pagëzorit, më 24 qershor, në Pallagori fshatin që arbëreshët e quajnë “Pupugheji”, realizohet një ritual i veçantë: pagëzimi i kukullave. Një kukull foshnjë e realizuar më karafila dhe barishte aromatike, të këputura në kodrat e Alto-Crotone – s, dhe e mbështjellë si foshnjë pagëzohet simbolikisht në ditën Shën Gjon Pagëzorit, si një rit i lashtë arbëresh.

Zonja Carmela, protagoniste e emisionit që po përgatitet të transmetohet më 24 qershor, kujdeset që ritualin, t’ua mësojë edhe brezave të rinj, të cilëve për ta mbajtur të gjallë traditën, u ndihmojnë edhe mësuesit e shkollës fillore të Pallagorio. Ruajta e traditave në këtë zonë është bërë pjesë e projektit “Shtëpit rrëfienjin” (Shtëpitë tregojnë), promovuar nga Shkolla Arbëreshe e Carfizzi, e cila gjithashtu u ndoq nga shkolla e San Nicola dell’Alto, të gjitha që i përkasin Institutit Gjithëpërfshirës të Verzinos.

“Ndrikughat”, personazhe të këtij rituali, janë dy vajza të vogla, të cilat, duke pagëzuar “pupughejin”, e lidhin veten e tyre për jetën. Ky është një rit vëllazërimi, i cili në transmetimin e datës 24 qershor do të përcillet në të gjitha hapat, që nga mbledhja e barit te pagëzimi./ KultPlus.com

Të rinjtë flasin për Kushtetutën, vajza arbëreshe mbron pakicat gjuhësore

Një vajzë arbëreshe nga Kozenca ishte mes protagonistëve të Rai-t në programin kushtuar përhapjes së parimeve të Kushtetutës italiane.

Ishin 11 të rinj që përmes historisë së përvojës së tyre jetësore flasin për nenet e para të Kushtetutës. “E ardhmja kalon këtu- Kushtetuta jonë” është titulli i speciales që u transmetua më 2 qerhsor në Ray Gulp.

Kalabria dhe pakicat gjuhësore u përfaqesuan nga arbëreshja Azzurra Della Motta. 16-vjeçarja është nxënëse në shkollën e mesme shkencore “Pitagora di rende”, jeton në Cerzeto, qyteti arbëresh i provincës së Kozencës.

Detyra e saj ishte të fliste për nenin 6 të Kushtetutës italiane që mbron pakicat gjuhësore. Pakicat gjuhësore janë një vlerë e shtuar, një trashëgimi kulturore dhe artistike që duhet mbrojtur.

Kreu i bashksië së Cerzeto, Giuseppe Rizzo thote me krenari se “kemi nevojë për të mbrojtur pakciat gjuhësore sepse përfaqësojnë një trashëgimi të rëndësishe. Jemi këtu prej 500 vjetësh dhe kjo ëhtë jonë ku ne gjithashtu jetojmë të lidhur me kulturën tonë. Edhe ne luftuam për bashkimin e Italisë. Minoritetet duhet të përfaqësojnë një vlerë të shtuar për Italinë”.

Pjesëmarrësit morën pjesë në program brenda mjedisit të tyre duke dëshmuar secila një nen të Kushtetutës. Azzurra ishte veshur me veshjen tradicionale arbëreshe ku bashkë me nënën e saj, Nella, është pjesë e grupit të valleve tradicionale që zbulojnë një ndjenjë të fort të përkatësisë në një kulturë të pasur e të çmuar./gazeta shqiptare/ KultPlus.com

Krishtlindjet në Horën e Arbëreshëvet, si festohej sipas traditës

Festa e Krishtlindjeve është një ndër më të rëndësishmet dhe që ka karakteristikat e saj sipas kulturave dhe vendeve të ndryshme.

Njësoj si zakonet siciliane dhe italiane, shumica e kremtimeve tek arbëreshet përputhen me kalendarin fetar, pra festat më të rëndësishme ndër arbëreshet janë Krishtlindjet dhe Pashkët.

Më të vjetrit e Horës së Arbëreshëvet rrëfejnë se si festohej kjo festë më parë, ku pas mbledhjes së të afërmve rreth tryezës në meshë në Kishë këndohej në gjuhën arbëreshe.

Përsa i përket tavolinës nuk mungon gatimi i kardunit (gatim i karçofit që vjen nga italishtja Cardo) biskotat e plota me marmelatë fiku dhe mendër etj.

Ata rrëfejnë se gjatë festave del në pah karakteri gazmor e plot gjallëri ku njerëzit kënaqen dhe miqtë e familjen, duke ndarë me shoqërinë gëzimet personale dhe familjare. Gjatë Krishtlindjeve mbizotëron atmosfera e gjallë dhe e këndshme, muzika dhe vallëzimet, humori dhe shakatë… brezat e ndryshme takohen dhe festojnë bashkë duke mbajtur zakone dhe doke tradicionale por edhe duke sjellë inovacion dhe modernitet.

Gjyshe Gianna për shembull tregon se pas darkës mblidheshin rreth zjarrit dhe tregoheshin histori të ndryshme. Por sot në kushtet e pandemisë kjo mund të jetë disi e vështirë.

“Natale të mirë të gjithëve me shëndet me fuqi e me providence”, është urimi i arbëreshëve të Horës së Arbëreshëvet.

“Ne arbëreshët kemi përgjegjësinë të ruajmë kulturën tonë dhe të sjellim mesazhin tonë sa të kemi mundësi, gjithmonë me respket për kulturat e tjera. Gëzuar Krishtlindjet”, uron Mario Caliva dramaturgu dhe shkrimtari arbëresh i cili kujdeset për të mbajtur gjallë traditat e tyre./ KultPlus.com

Si e pritën Arbereshët Ismail Qemalin, para shpalljes së Pavarësisë

Tre vite përpara shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali është pritur me nderime nga Kolonia e Horës së Arbëreshëve, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Shqiptare për Pavarësi. Me rastin e festës së “28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë”, shkrimtari arbëresh Zef Schirò Di Maggio, risjell disa fakte historike rreth asaj dite që lidhen me mbështetjen dhe reagimet e komunitetit arbëresh më këtë ngjarje të madhe të historisë së popullit shqiptar. Duke iu referuar botimit të Akteve të të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, (Tirane 1978), citon një telegram të nëntorit 1912, me titull “Protestë kundër synimeve pushtuese të shteteve ballkanike ndaj Shqipërisë”.

Aty thuhet: “Kolonia e Horës së Arbereshëvet, në rrethin e Palermos, pas afro pesë shekuj jetese në tokën mikpritëse italiane, megjithëse ka ndjekur fatin e atdheut të madh italian në ditë të mira dhe në ditë të këqia, nuk e ka harruar atdheun e saj të prejardhjes, “fatkeqen Shqipëri”…. Në çastet më te vështira te jetës shqiptare, kjo ka ndjekur me zemër te dridhur dhe me vemendje të madhe fatet e kombit fatkeq. Sot që guximi i shteteve ballkanike, të cilët i kanë lënë mënjanë luftrat e tyre për liri e pavarësi, kërkon ta fusë në katastrofën osmane edhe popullin e Skënderbeut, qytetarët e Horës së Arbëreshëvet janë ngritur dhe protestojnë para gjithë botës kundër këtyre lakmive të pabesa. Dhe bota nuk mund të mos marrë parasysh jetën dhe qenien e një populli. Prandaj po bëjmë protestën që vijon: Qytetarët e Horës së Arbëreshëvet, në orën tragjike që po kalon mëmëdheu, nuk mund të qëndrojnë pa e ndjerë thellë klithmën e pikëllimit që vjen nga vëllezerit të Tejadriatikut….”. Në shkrimin e tij Di Maggio kujton se lidhjet mes arbëreshëve dhe shqiptarëe nuk janë shkëputur asnjëherë dhe patriotët e mëdhenj arbëreshë, “dy për të gjithë, De Rada e Zef Skiroi Senior, i kushtuan jetën e veprën letrare Rilindjes së Shqipërisë.

Një tjetër fakt historik që tregon patriotizmin e pashuar të arbëreshëve, është pritja që i përgatitën kryetarit të lëvizjes shqiptare Imail Qemalit, gjatë vizitës së tij këtu në Horë, tri vjetë para që të shpallej Pavarësia. Pjetro Skaljone në librin e tij “Historia e Shqipëtarëvet t’Italisë” të botuar në New York më 1921, e ka dokumentuar vizitën që Ismail Qemal bey Vlora e Xhjafer Effendi Mbreshtani bënë këtu në Horë në maj te vitit 1909. Di Maggio e citon si më poshtë këtë dëshmi: «Populli i katundit Piana dei Greçi kishte dalë jashtë katundit, me flamure Shqipë edhe Italianë, me bandën muzikore Katundare për me pritur ardhjen e të çkëlqyervet Shqipetarë te një vent i përthënë Shën Meria e Boshit. Bashkë me popullin ishën tërë Shoqëritë të katundit me flamuret e tyre… Banda loste Kënga Kombetare. Kur për së largu u-panë Karrocat, populli me zë te fortë, thiri rroftë Shqipëria.

Kur Karrocat u afruan muzika lojti ymnin Shqipetarë, e pas ymnin Italian.

Populli si karrocat u afruan e njohi të dy Atdhetarët (Ismail Qemalin e Xhjafer Effendin) të cilët ishën në e para karrocë, thriti “Rroftë Shqipëria, Rrofshin vëllezërit Shqipetarë”.

Zoterinjtë e tyre, Ismail Qemali, e Xhjafer Effendi falenderonin popullin dyke nxjerë shapkat (Kapelat) e dyke derdhur lotë nga gëzimi. Muzika udhetonte përpara, e populli u për-nda me dy krahtë të udhës, e karrocat në mestrë popullit, ishtë tue me kënduar kënga popullore e u nisën për në katundë. Kur karrocat hijtin brënda në katundi, dy Atdhetarët i priti një çuditje, përse shkuan gjera të paharrueshme, gjith balkonat e dritsoret ishën të stolisur me bukuri të madhe, e mbretërojën bojlat kombëtare; balkonet e dritsoret ishën të mbushur me zonja, të cilat ishën tue me shtur lule mbi karrocat e me thirë “Rroftë Shqiperia, Rrofshin vëllezërit tanë të Shqipërisë”. Ismail Qemali me lotë në sy e me zëmërin prej gëzimit falejë popullit, kur karrocat arrinë në shtëpia të Zotit Kalorës Gjergji Zalapi ishën mbushur me lule». Për këtë vizitë ka shkruar edhe vetë Ismail Qemali në librin e tij “Memorie”./KultPlus.com

25 nëntori shënoi një kthesë rrënjësore për arbëreshët

Data 25 nëntor mbahet mend nga Arbëreshët si një datë e rëndësishme, që shënoi një kthesë rrënjësore për gjuhën arbëreshe në pikëpamje të politikave shtetërore të vendit pritës, pikërisht me 25 nëntor të vitit 1999 u miratua në formë përfundimtare nga Senati i Republikës Italiane ligji nr. 482, i cili mbron minoritetet historike e gjuhësore në Itali.

Ky ligj u publikua dhe hyri në fuqi me 15 dhjetor 1999 dhe solli mbështetjen institucionale në drejtim të promovimit, nxitjes dhe forcimit të gjuhëve dhe kulturave minoritare, përfshirë ato arbëreshe. Me këtë ligj, komuniteti arbëresh në Itali e përfshiu brenda suazave ligjore trashëgiminë e vet shpirtërore e kulturore.

Sot numërohen në Itali rreth 200 mijë arbëreshë që jetojnë kryesisht në shtatë krahina italiane. Ligji 482/1999 “Norma për tutelën e minorancave gjuhësore historike” ka njohur veçantinë e gjuhës që ata flasin, arbërishtes, dhe të drejtën e mbrojtjes së saj dhe të kulturës arbëreshe: të letërsisë që lindi shekuj më parë, këngëve dhe rrëfimeve të përcjella gojarisht brez pas brezi, të kostumeve dhe valleve, të artit të krijimit të stolive, të kuzhinës dhe të shumë e shumë të tjerave. Me pak fjalë, mbrojtjen e të gjithë përbërësve të identitetit arbëresh./ Diaspora Shqiptare/ KultPlus.com

”Festa dell’Anatra”, festivali i traditës së kulinarisë arbëreshe

“Festa dell’Anatra” është një nga aktivitetet më të rëndësishme tradicionale që mbahet çdo shtator tek Arbëreshët e Pievetta-s dhe Bosco Tosca-s. Kryefjala e këtij aktiviteti të përvitshëm janë traditat gastronomike të përcjella ndër shekuj.

Në këtë festival flijohen rreth 500 rosa dhe pata, të cilat serviren me pjatën simbolike të përbërë nga orizi dhe mielli i përzier me mish të pjekur.

Pjesë e këtij aktiviteti në vitet e shkuara janë bërë me qindra e mijëra qytetarë arbëreshë, por dhe italianë, të cilët shijojnë gatimet tradicionale.

Festa përmbyllet me një pjatë tjetër, të marrë po nga traditat e lashta shqiptare, që quhet “Torta con l’Afari”, një pastë e vogël e përbërë nga drithëra të varfëra të ngjashme me grurin, elbin dhe me çokollatë. / KultPlus.com

Sot 532 vjetori i themelimit të ‘Horës Arbëreshe’

Sot shënohet dita e themelimit të ngulimit arbëresh në Siçili, “Piana degli Albanesi” ose siç thuhet në arbërisht “Hora e Arbëreshëvet”.

Kjo komunë u themelua më 30 gusht të vitit 1488 nga një grup shqiptarësh nga viset shqiptare, kryesisht nga Himara, të cilët e braktisën vendlindjen për shkak të luftës. Në kërkim të lirisë, ata u vendosën përtej detit Adriatik, në Itali.

Çdo 30 gusht përkujtohet si një ngjarje e shënuar për këtë komunitet. Festimet e parashikuara për t’u zhvilluar sot, sipas njoftimit zyrtar në faqen e komunës “Piana degli Albanesi”, janë shtyrë për muajin nëntor, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të pandemisë dhe duke vlerësuar shëndetin si elementin parësor të qytetarëve.

Sipas kryetarit të kësaj komune, Z. Rosario Petta, festimet e sotme do të kufizohen vetëm në liturgjinë hyjnore të së dielës, ndërsa në fund të muajit nëntor 2020 pritet të mbahen manifestime me rastin e 532-vjetorit të themelimit të kësaj vatre shqiptare në Itali. / KultPlus.com

Kultura arbëreshe pjesë e guidave turistike italiane

Në udhëzuesin e ri të Komunës së Civita-s, për promovimin turistik të saj, zënë vend të rëndësishëm elementet e kulturës materiale dhe jomateriale arbëreshe, të cilat u ofrohen turistëve si asete me vlera të veçanta.

Ky botim i ri informues, që drejtohet nga kryetari i komunës Alessandro Tocci, është realizuar në kuadër të projektit:

“Të kujtojme të shkuarën për një të ardhme më të mirë”. Civita që ndryshe quhet edhe “vendi i shkëmbinjve”, në udhët drejt bukurive natyrore të tij ka shumë qetësi, që imponohet edhe nga “heshtja e gurëve antikë”, ka potenciale të mëdha turistike që lidhen me historinë, vlerat artistike dhe me traditat, zakonet, ngjyrat, gatimet, mëyrën e jetesës së banorëve të tij arbëreshë, transmeton KultPlus.

Vitet e fundit kjo zonë ka patur shumë vizitorë, dhe në udhëzuesin e ri janë përfshirë intinerare të shumta turistike, fakte historike, kalendari i festave popullore, emërtimet e traditës fetare, e deri tek veçoritë e ushqimit dhe verës. Historia e komunitetit arbëresh që e popullon zonën, u “flet” vizitorëve edhe nëpërmjet arkitekturës karakteristike të shtëpive prej guri, të cilat krijojnë një stil të fortë mesjetar.

Shtatë nga këta banesa njihen me emrin “Case Kodra” (shtëpitë Kodra), të ashtuquajtura në kujtim të artistit shqiptar Ibrahim Kodra, i cili i përfshiu në punimet e tij artistike në disa tablo të njohura. / KultPlus.com