Puhëriu apo Pallagorio, qytezë arbëreshe që të mahnit me poezi

Gjatë vizitës sime me 23 gusht të këtij viti, në rajonin e krahinës së Krotonës në Jug të Italisë, pasi kisha vizituar dy katundet: Carfizzin dhe Shën Kolin apo San Nicola dell’Alto, për vizitë isha në njërën nga ngulimet kryesore arbëreshe të këtij regjioni, qytezën e Puhëriu, apo në italisht Pallagorio, që shtrihet në një pllajë përplot gjelbërim për gjatë tërë rrugës.

Që në çastet e para të vizitës, ndihesh tepër mirë kur në rrugë e familje e has të folmen shqipe, ndërsa ruhen edhe zakonet dhe traditat por jo më me ritin bizantin-grek. Krahas kishave të vjetra e madhështore, si në rrugë ashtu edhe në muze gjen vargje të gdhendura përplot mall e nostalgji për tokën e të parëve.

Gjatë vizitës në shoqërim të Amodeo Andrea dhe Michele Greco në shtëpinë tij me shumë bujari na priti  shkrimtari arbëresh , prof.Carmine Gentile, duke na gostitë me pije dhe njoftuar me veprat e tij më të reja, kushtuar vet vendbanimit të tij Puhëriut. Ndërsa edhe Ettoro Bonanno, përmes një shqipe të pastër, në rolin ciceroni në muzeun etnografik, na njoftoj në detaje për ato që ishin ekspozuar këtu, si kostume, libra, piktora apo edhe mjete pune që përdoren në këtë anë. Por ajo që bie në sy në këtë muze, që në hyrje janë shkronjat e alfabetit tonë, të përcjella me figura të ndryshme në mënyrë që të fëmijëve dhe të rinjve tua bëjë dhe më të afër e më të dashur gjuhën dhe shkronjat tona. Me një fjalë Ettoro, ky i ri që ka studiuar në Universitetin e Kalabrisë na foli edhe për Puhërin, gjegjësisht Pallagorinë se si edhe më tej këtu ruhet gjuha dhe traditat e të parëve.

Po gjatë kësaj vizite, në këtë qytezë, ku në sheshin e tij kryesor ndodhet , si edhe në shumicën e fshtrave arbëreshe, monumenti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeu, ndërsa që Puhëriu dallon edhe me kisha të larta e shumë impozante.  Më pastaj bëmë një xhiro nëpër katund që shquhet për kisha tejet impozante, në muret e të cilave hasë vargje shumë mbresëlënëse në gjuhën shqipe.

Nga libri “Arbëreshet dhe ngulmët e tyr në Itali”, mësojmë se : “Arbëreshët që u  vendosën në këtë territor  ishin  në  lëvizje të vazhdueshme, nga një vend në tjetrin, ku përveç disa gjërave të përditshme që mund të zotëronin, duke punuar në tokat e të tjerëve, nuk kishin asgjë tjetër. Shtëpitë e para ishin prej kashte   dhe vështirësive për të mbijetuar iu shtua edhe ajo ritit, sepse iu imponohej riti latin…

Kambana meriton vëmendje të veçantë, duke u ngritur me madhështi në anën veriore të kishës. Të kujton në strukturë kullën e Palazzo Vecchio në Firence. Është ndërtuar me tulla, rreth vitit 1900, me dëshirën e Lorecchio me bashkëpunimin e njerëzve të Puhëriut.”

Po ashtu këtu shquhen edhe Kisha e S. Antonio në Gradea, Kisha e San Cristoforo, si dhe Kisha Madonna del Carmine, por edhe disa figura të veçanta siç janë : “Anselmo Lorekio (Anselmo Lorecchio, botues  dhe figurë publike arbëreshe, që iu kushtua studimit të kulturës shqiptare dhe mori pjesë aktive në lëvizjet politike e kulturore të kohës, si dhe drejtoi punimet e Kongresit të Dytë Albanologjik në Ungër (Lungro) më 1897 dhe u zgjodh president i “Societa Nazionale Albanese” (Shoqata Kombëtare Shqiptare). Botoi me shpenzimet e veta vepra të shumë shkrimtarëve arbëreshë.

Puhëriu dallon edhe me një figurë të shquar femre arbëreshe e kjo ishte: Ofelia Xhudiçisi (Ofelia Giudicissi), e cila siç mësojmë : “Në vitin 1964, botoi veprën e parë letrare, “Pallagorio”, një libër me  poezi, i frymëzuar plotësisht nga bashkëqytetarët e saj, me të cilët u lidh fort.” /

Nga Rexhep Rifati / KultPlus.com

Përfundon konferenca shkencore për projektin “Moti i Madh” në UNESCO

Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi ishte qytezën arbëreshe Vakarici (Vaccarizzo Albanese) për të mbështetur kandidaturën e praktikave rituale arbëreshe të pranverës “Moti i Madh” për njohjen si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO -s.

Akademia është pjesë e grupit të punës për dosjen e kësaj trashëgimie mbi 500-vjeçare.

Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi siguroi grupin e punës se mbështetja institucionale do të jetë e përhershme dhe në rritje.

“Jo vetëm për dosjen “Moti i Madh”, por në përgjithësi për trashëgiminë arbëreshe në tërësi, për studimin dhe botimin e saj, Akademia e Shkencave do të shtojë vëmendjen dhe investimin intelektual. Projektet që kanë realizuar anëtarët arbëreshë të Akademisë së Shkencave Francesco Altimari e Matteo Mandalà janë të mirëpritur për t’u kurorëzuar”, tha Gjinushi.

Gjinushi tha se, “trashëgiminë arbëreshe për më shumë se gjashtë shekuj e kanë ruajtur vetë bartësit e saj. Regjistrimi në UNESCO i njeh asaj një vlerë që ka merita dhe rëndësi jo vetëm për komunitetin, por edhe për kulturën njerëzore”.

Akad. Francesco Altimari bëri të njohur kronologjinë e projektit “Moti i Madh”, numrin e madh të universiteteve dhe të studiuesve që kanë kontribuuar për aspektet shkencore të dosjes (Cosenza, Palermo, Lecce, Venezia, Milano etj.), si dhe nga Shqipëria.

Akad. Matteo Mandalà u përqendrua në kushtëzimin zanafillës të riteve e ritualeve kalendarike-pranëverore arbëreshe e shqiptare me rrjedhat e ciklike të jetës agrare.

Akad. Shaban Sinani paraqiti punën që ka bërë skuadra shqiptare për plotësimin e dosjes “Moti i madh” me një fashikull nga trashëgimia e ngjashme në Shqipëri, duke theksuar ciklet kryesore, si llazoret (këngët e të ringjallurit të parë Shën Lazrit), kullanat (dikur të lidhura me fillimin e vitit, sot kryesisht këngë të Pashkëve), evangjelizmoi (edhe këto këngë të ringjalljes), rrushajet (këngë të “ditës së luleve”  – rosaliae diem), karnevalet, këngët e Shën Gjergjit etj. Ka një simetri të plotë mes këtyre cikleve dhe atyre që janë mbledhur e dëshmohen edhe sot tek arbëreshët. Sinani theksoi se pjesa më e madhe e tyre janë desakralizuar dhe madje një pjesë janë kënduar edhe në skena, duke përfshirë periudhën komuniste, si këngë lodra apo ushtrime vjershërimi e kujtese.

On. Mario Brunetti, një figurë emblematike e botës arbëreshe, nismëtar i projektligjit italian që i njeh arbërishtes, theksoi se mbështetja e Akademisë së Shkencave është një dukuri e re shumë pozitive. E përforcuar kjo me mbështetjen administrative dhe diplomatike të shtetit shqiptar e të Kosovës, rrit besimin tonë që “Moti i Madh” të fitojë statusin që i takon si trashëgimi e njerëzimit. Dhe ky është një nga rastet që kultura e pakicës rrit vlerat e asaj të shumicës.

Në konferencë ishin të pranishme dhe përshëndetën Meri Kumbe, zëvendësministre e kulturës; Anila Bitri, ambasadore e Shqipërisë në Itali; Lendita Haxhitasim, ambasadore e Kosovës. / KultPlus.com

Vina, qyteza arbëreshe ku veshjet e grave shquhen me elemente arkaike ilire

Në rrugëtimin tim të fundit në Kalabri dhe provincat tjera (21-25 Gusht 2021), për herë të parë vizitova 13 bashki, gjegjësisht katunde e qyteza edhe atë për herë të parë, ndërsa tri të tjera për të satën herë. Turneun apo misionin tim të fundit kushtuar vendbanimeve arbëreshe e fillova me katundin Vina apo it. Vena Di Maida, me të zbritur në aeroportin La Mezia nga më shoqëroj gjatë profesori Michele Greco, të cilin e falënderoj, sepse në saje të tij, e dyfishova kësaj radhe planin e vizitave.

Me të zbritur në aeroportin La MeZia, në Jug të Italisë gjegjësisht në Rrethin e Katanxaros, me shoqëruesin tim, profesorin Michele Greco, vendosëm që së pari ti vizitojmë vendbanimet më të afërta arbëreshe, siç janë Vena Di Maida apo në gjuhën shqipe Vina, që dikur quhej “Vinagreci”, Garafa apo it. Caraffa di Catanzaro dhe Zagarona.

Por të ndalemi tek katundi i parë Vina apo Vena Di Maida, ku në hyrje të tij na priti një tabelë dygjuhëshe ku çdo vizitori në italisht e shqip i urohet mirëseardhje, ndërsa që në shesh hasëm disa vendas që freskoheshin me pije nën pemët e një lokali kur temperatura kishte kaluar 35 gradë celsius.

Në fillim ia mësymë kishës në qendër Kishës së Sant’Andreas, ku brenda burrë e grua përgatitnin disa buqete lulesh në prije të një feste që kremtohej në mbrëmje. Nuk e patëm vështirë që të komunikojmë me ta edhe atë në gjuhën shqipe, duke pas edhe ndihmën e tyre që të thërrasin nga shtëpia profesorin e moshuar Giordano Giuseppe, i cili arriti shumë shpejtë për të ha hap dyert e muzeut.

Ndërsa që jashtë muzeut figuronte edhe një tabelë, në shenjë të vizitës së shkrimtarit të famshëm të francez Alexandër Dumos, që kishte vizituar këtë fshat qysh në vitin 1835, brenda në muze dominonin vegla pune e sidomos kostume femrash të ekspozuara si në modele e edhe në fotografi të hershme, si dëshmi se ato barteshin edhe 4-5 shekuj më parë.

Në sheshin kryesor të fshatit, ku sheshi të emërtuar me emrin e kryetrimit tonë Gjergj Kastriotit Skënderbeu gjendet edhe kisha e S. Andrea Apostolo, që sipas burimeve historike daton nga mesi i shekullit XVIII.

Ky vendbanim, siç mësojmë  nga libri i porsabotuar “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe”, të autorëve Antonio Bellusci dhe Ornela Radovicka: u themelua gjatë një vale migratore  rreth vitit 1448, nga ushtarët shqiptarë që ndoqën Dhimitër Reresin (Demetrius Reres) në ndihmë të mbretit të Napolit, Alfonso I të Aragonës. Dhimitër Reres u emërua guvernator i Kalabria Ulterior për shërbimet që i bëri mbretit. Sot ka 1300 banorë. Emri i tanishëm i qytetit Vena, ndoshta buron nga karakteristikat gjeomorfologjike dhe kushtet strukturore të territorit, i cili është shumë poroz dhe i pasur me damarë.

Mbiemrat më të zakonshëm me origjinë shqiptare janë: Boca, Bubba, Cristofaro, Derro, Figlia, Forte, Giglio, Graziano, Santo dhe Stranieri”.

Ndërsa sa i përket kostumeve të Venës, që patëm rastin ta shohim edhe si model edhe përmes shumë fotove në muze, po si pas të njëjtit libër: “Veshja tradicionale që mbajnë gratë e Venës kishte elemente arkaike të veshjes së ilirëve, një popullsi autoktone e rajonit të Ballkanit.

Vena mbeti i vetmi komunitet arbëresh në provincën e Catanzaro-s, që zotëronte një zbulim të plotë të veshjes tradicionale gala të grave. Ajo u përdor nga gratë e vendit deri në fillim të viteve 1900.

Vena di Maida banohet ende sot nga arbëreshë. Riti bizantin ka humbur, por gjuha arbëreshe, një tipar thelbësor i pakicës etnike, është ruajtur deri diku. Zakonet tradicionale arbëreshe dhe kostumet e tyre të ngjashme me ato të Garrafës ruhen nga disa familje, edhe pse tani përdoren pak, janë ende të gjalla.

Personalitete të ndryshme kulturore që përshkuan Venën midis viteve 1700 dhe 1800 u mahnitën nga gjuha, por mbi të gjitha nga zakonet, aq sa shkruan për to në udhëpërshkrimet e tyre. /diasporashqiptare.al / KultPlus.com

Kërmarini, qyteza arbëreshe e stolisur me figura kombëtare (FOTO)

Në mesin e katër bashkive arbëreshe në provincën e Kampobases të zonës së Molisës në Italisë jugore, qyteza arbëreshe Kërmarini apo Campomarino ( me rreth 7 mijë banorë), shquhet me piktura të shumta në muret e rrugëve kryesore, ku pasqyrohet jo vetëm migrimi nga trojet arbërore, por edhe figurat madhore siç janë Skënderbeu e Nëna Terezë.

Kërmarini ndodhet vetëm në veri të përroit të Saccione, shënon gjithashtu edhe kufirin midis Molise dhe Puglias, qyteti ky vetëm rreth 2 km nga deti Adriatiku, në një zonë të sheshtë që favorizon bujqësinë, kryesisht vreshtat e ullinjve.

Nga bashkitë arbëreshe të Provincës së Kampobasos, që ruan në masë kulturën dhe gjuhën arbëreshe, ishte vetëm Munxhufuni që kësaj radhe nuk arritëm ta vizitonim.  Territori i Këmarinit ka qenë i banuar që në mileniumin e parë, por që për ne është i rëndësishëm të dihet  se vetëm në  shekullin e pesëmbëdhjetë qyteti u rindërtua dhe ripopullua nga emigrantët shqiptarë, të detyruar të lënë atdheun e tyre për shkak të hyrjes së Perandorisë Osmane në Ballkan.

Në Wikipedia shkruhet se: “ Nga 1461-1470, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, heroi shqiptar Princ i Krujës, i dërgoi një forcë ekspeditëse prej rreth 5.000 shqiptarëve të udhëhequr nga nipi i tij Koiro Stres Balsha në ndihmë të Ferdinantit I të Aragoniës në luftën kundër Joan Anzhu.

Koiro Stres Balsha mundi, më 18 gusht 1461, në Liqenin i Gjakut, të vendosura në mes grekëve dhe Troy Orsara e Pulias, partizanët e Gjonit të Anjou udhëhequr nga Piccinino. Popullsia, dhe gjithashtu Këmarini, pësoi atë që ishte atëherë historia e kolonive shqiptare në Itali, migrimi i tretë. Për shërbimet e kryera, iu dhanë Skenderbeut drejtat feudale të Monte Garganos, San Giovanni Rotondos dhe Tranit dhe iu lejua ushtarëve dhe familjeve të tyre për tu vendosur në territore të tjera. Kolonët shqiptarë jetuan në mënyrë paqësore për një kohë të gjatë me popullsinë lokale.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati. / KultPlus.com

Historia e 7 familjeve shqiptare që ndërtuan qytezën arbëreshe

Në Kalabrinë e brigjeve të Tirrenit qyteza më e njohur dhe më e rëndësishme e “gjegëve” të zonës është Falconara Albanese.

Në autostradën Salerno-Rexho Kalabria, menjëherë sapo kalon Paola-n (qytezë kalabreze), tabelat rrugore të japin drejtimin për në Falconara e në udhëkryqin e parë drejt saj gjen të shkruar në shqip Fallkunarë.

Mali përballë është guida drejt “gjegëve” të Tirrenit. Kthesat janë aq të shumta, rruga e ngushtë e shtruar mirë, tek-tuk ndonjë makinë, e sy brenda tyre që të shikojnë kuriozisht deri sa humbet pas anës së malit. Herë majtas, herë djathtas, gjithnjë e në ngjitje duke shpresuar që përballë të shfaqet Fallkonara.

Asnjë shtëpi nuk ndesh buzë rrugës, veç nga një anë pyje e nga ana tjetër një masë e pafundme deti e qielli, lidhur në një ngjyrë unike që të lë pa frymë nga bukuria.

Gjendesh gjithnjë e më lart duke iu larguar detit e duke përshkruar malin rreth e qark. Kur mbërrin pothuajse në majë të tij, 700 metra mbi nivelin e detit e krejtësisht në anën e kundërt të asaj pjese që më parë shihte në horizont Tirrenin, shfaqet Fallkunara.

Banorët e parë të Falkunarës ishin shtatë familje shqiptare të ardhur nga Kruja e Shkodra. Quheshin: Musacchio, (pa dyshin Muzaka në shqip), Candreva, Manes, Staffa, Fionda, Scuragreco e Ioschi. Familjet Musacchio, Scuragreco e Ioschi janë zhdukur e veç nga kjo e fundit ka mbetur toponimi i një përroi në rrethinat e Fallkonarës i quajtur “Përroi Josh”.

Legjenda popullore që arbëreshët kanë ruajtur e që i tregojnë çdokujt që i pyet se s’dinë mbi historinë e vendndodhjes së banorëve të parë në këtë tokë, thotë se brigjet e deti Jon qenë destinacioni i këtyre shtatë familjeve të larguara nga Shqipëria për t’i shpëtuar pushtuesve turk. Bregdeti jonik për afërsinë territoriale e lidhjet miqësore midis dy popujve duhej të ishte vendqëndrimi i kërkuar nga ata. Të gjendur në det, stuhia e fortë e një nate i shtyn në ngushticën e Messinës duke i detyruar të ndërrojnë drejtim. Vazhduan udhëtimin duke mos iu larguar bregdetit në kërkim të një toke të sigurt për ti mirëpritur. Ndaluan në afërsitë e Fiumefreddo Bruzzio-s, pronë e princit Girolamo Sanseverino, i cili i priti mjaft mirë duke i caktuar një territor banimi të quajtur “Campo”.

Në këtë pikë legjenda merr disa versione: ai më popullori thotë se një ditë prej ditësh shtatë familjet shikojnë së largmi në det anije turke që i afroheshin brigjeve. Braktisin gjithçka duke iu ngjitur malit gjithnjë e më larg detit. Versioni tjetër thotë se shtatë familjet u përzunë nga banorët e Fiumefreddo-s, të frikësuar nga sulmet e piratëve turk, e nga diferencat gjuhësore, fetare e zakonore. Një tjetër akoma tregon se qenë vetë arbëreshët e ardhur që u larguan nga mikpritja e princit Sanseverino, në kërkim të tokave më pjellore për t’u kultivuar.

“Gjeg” e ujqër takon lehtësisht në atë pjesë të Kalabrisë ku horizonti të ofron çdo ditë panoramën e detit me qiellin në një ngjyrë të vetme, që veçse shikimi i vendaliut arrin t’i japë kufirin ujit e ajrit.

“Gjeg” e ujqër janë banorët shekullorë të maleve në këtë pjesë të Kalabrisë që shtrihet mbi brigjet e detit Tirren. Pyjet e shkurret mesdhetare mbulojnë çdo pëllëmbë toke duke krijuar vendbanimin normal për një kafshë të egër e të shpejtë si ujku, por dhe territorin jetësor dikur perfekt për “gjegët” e zonës. Ky reliev malor, shumë kohë më parë krijoi për ta banesën e domosdoshme e të sigurt nga sulmet e turqve, në një terren që aq shumë i kujtonte vendlindjen.

“Gjegët” janë arbëreshët e Kalabrisë Tirrenike, prej shekujsh popullojnë territore në këtë zonë, duke shënuar fatkeqësisht humbjen e rëndësisë së tyre si minorancë etnike. Disa prej qytezave janë asimiluar me popullsinë autoktone, disa të tjera kanë pasur fatin e shumë fshatrave kalabrezë me një popullsi gjithnjë në pakësim, për shkak të emigrimit të kushtëzuara nga një ekonomi e orientuar veç në blegtori. Po të gjendesh në anën tjetër të Kalabrisë, në atë që laget nga brigjet e detit Jon, realiteti është krejt ndryshe, qytezat arbëreshë janë të shumta, të lidhura mes tyre e më një rol të respektueshëm në jetën sociale-ekonomike të territorit.

Fallkunara ka shumë rrugica të ngushta, që lidhin mes tyre shtëpi e ndërtesa publike. Duke i përshkruar ato habitesh kur ndeshesh me makina që xhirojnë lirshëm në këto hapësira e që më shumë qetësi presin sa ti të spostohesh në ndonjë kthinë porte për t’i lejuar kalimin. Nga rrugët e qytezës, më kryesoret janë: rruga “Jeronim De Rada”, rruga “Felice Staffa”, shkrimtar e poet falkonar, rruga “Nënë Tereza” e sheshi “Skanderbeg”.

I ndodhur në sheshin “Skanderbeg” me kokën e ngritur lart mund të admirosh në distancë një nga pamjet më të bukura të Fallkunarës. Quhet “Castellucio”, vendi piktoresk që çdo banor në shesh të fton ta vizitosh. Është një masë gjigande shkëmbi i lartë 50 metra, pak i përkulur para, që i ngjan një kulle shkëmbi të mbirë nga toka. Nuk është një ndërtim i epokës mesjetare, siç mund të mendosh në vështrim të parë, nuk ka as urë e as kullë brenda tij, është një krijim i natyrës veshur nga të gjitha anët me gjelbërimin e bimëve të zonës. Për t’u ngjitur deri aty mjaftojnë 127 shkallë guri e në pikën e tij më të lartë është vendosur një kryq i madh çimentoje. Pak shkallë poshtë kryqit ndodhet një kishë e vogël “Madona dell’ Assunta” e ndërtuar më 1544, e pranë saj një hark me formën e një kulle ofron përballë dy kambana, që në një anë të tyre shënojnë datën 1757.

Zona ku ngrihet “Castellucio”, quhet nga banorët “Kurtina” emër që i ka nominativ të tillë gjithë lagjes përreth. Çdo vit në ditën e Pashkëve, mblidheshin aty gjithkush që ka marrë pjesë në ceremoninë e quajtur “Motrat” duke konsumuar drekën me bazë vezë të gatuara në furrë, salsiçe e pije vendase. “Motrëmat” është një ceremoni e rizbuluar pak kohë më parë në Fallkonarë, e rinovuar në thjeshtësinë e saj e në respekt të kuptimit të saj autentik. Ashtu siç ndodhte në kohët antike një grup vajzash e djemsh, pasi kanë marrë pjesë në meshën e Pashkës, kanë rrethuar altarin më të lartë të kishës ku është vendosur një kryq.

Mbi të vendosin dorën e tyre të djathtë duke krijuar një grumbullim duarsh. Ceremonia kërkon që lartësia e duarve të arrij atë të kryqit e veç atëherë një djalosh e puthte atë e më pas të gjitha vajzat, që quheshin mes tyre motrëmat, e djaloshi i ri thërritej vëlla. Ky rit që veç një betim ku çdo i ri i premtonte tjetrit e bashkërisht impenjoheshin dikur për ta mbrojtur Shqipërinë përherë nga pushtimi turk. Sot është një thirrje e arbëreshëve ndaj atdheut të tyre, për të vazhduar e për te jetuar në traditat, zakonet, gjuhën e historinë e tyre.

Fallkonara është përbërë si çdo qendër urbane nga lagje, secila e quajtur me emra që kujton shtatë familjet e para që e themeluan si qytezë, por dhe njerëz të rëndësishëm të jetës sociale, fetare e politike të saj, si dhe kushtëzuar nga prezenca e një çezme apo të një kishe.

Por gjitonia është një prezencë e fortë e ende e pranishme jetën e arbëreshëve, një përbërje më intime e më thjeshtë e jetesës urbane të qytezës. Çdo gjitoni ka sheshin e saj ne formë rrethi, me shtëpitë përreth me shkallë jashtë e plot lulemëllage, karafila e lulebore që i zbukurojnë. Mbajnë emra të ndryshëm si “Dera e Baut”, “Mbrunkunxhilli”, “Kasteli”, “Kurtina”, “Kroi i vjetër” etj. Rregulli kryesor i gjitonisë kërkonte e impononte që në raste vdekjesh, fatkeqësisht natyrore, apo nevojëshmëri të rëndësishme të liheshin mënjanë mëritë e grindjet e të jepnin secili kontributin e tyre duke shprehur një solidaritet të sinqertë.

Në sheshin e gjitonisë kujton Mikele ka dëgjuar për herë të parë historinë e princit Skanderbeg, përralla e legjenda të treguara me zërin e pleqve.

Udhëza e bukur, Mbikatundi, Kaprikatundi, Kroj i Bardhë, Shoshi i Djallit, Kaiëndulla, Prroi Markes, Hjimaza, Kori Moll, Fikthi, Shola Belës etj janë disa toponime vendesh rreth e qark Fallkunarës, lidhur secila me një histori antike. /Ora News/ KultPlus.com