KMDLNj kritikon SBAShK-un: Asnjëherë nuk ka konsideruar kërkesat e prindërve, ka insistuar vetëm në rritjen e pagave

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të njeriut ka kritikuar Sindikatën e Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës për kërkesat në çdo fillim të vitit shkollor.

KMDLNj thotë se SBAShK’u nuk mund të ketë përgjegjësitë e Ministrisë së Arsimit.

“Është bërë si rregull që në çdo fillim të vitit shkollor, SBASHK-u të dalë me kërkesa që  jo rrallë herë e kanë formën dhe përmbajtjen e shantazhimit klasik e që është e dënueshme me ligjet në fuqi në Kosovë dhe duke i vënë ultimatum Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e këtyre kërkesave e që jo gjithmonë janë në fushëveprimin sindikalist”, thuhet në reagimin e KMDLNj’së.

KMDLNj thotë se SBAShK’u asnjëherë nuk ka konsideruar kërkesat e prindërve.

Po ashtu, KMDLNj përmend faktin se SBAShK’u ka arritur për një kohë të gjatë të paralizojë krejtësisht procesin mësimor, duke e dëmtuar kështu atë.

“Në këtë mënyrë SBASHK –u përmes disa udhëheqësve e ruan kondicionin sikur që e riciklojnë protagonizmin personal e jo sindikal. KMDLNj ka reaguar disa herë kundër këtyre kushtëzimeve të SBASHk-ut të cilët botërisht kanë deklaruar se ata kujdesen dhe mbrojnë mësuesit, arsimtarët dhe profesorët dhe se nuk është përgjegjësi e tyre të kujdesen për përmirësimin e kushteve për nxënës, përmirësimin e procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies apo sigurimin e fondeve për nxënës me gjendje të rënduar materiale”

“SBASHK-u arriti që për një kohë të paralizojë krejtësisht procesin arsimor, i motivuar kryesisht materialisht e që jashtëzakonisht e ka dëmtuar procesin arsimor. SBASHK-u asnjëherë nuk ka konsideruar seriozisht kërkesat e prindërve të artikuluara përmes Këshillit të Prindërve por ka insistuar në rritjen e pagave duke koketuar me parti të ndryshme politike të cilave ju ka premtuar përkrahje publike dhe vota klienteliste përmes nënshkrimit të marrëveshjeve e që është në kundërshtim të plotë me mandatin e SBASHK-ut”, thuhet në reagim

KMDLNj thotë se tani kur Ministria e Arsimit ka vendosur që mësimi të fillojë duke ndjekur rekomandimet e IKSHPK’së, SBASHK’u deklaron se nëse nuk janë plotësuar kushtet mësimi mund të shtyhet.

“Për shkak të pandemisë së shkaktuar nga COVID – 19, kemi pasur një ndërprerje të procesit mësimor në të gjitha nivelet dhe përcjellja e mësimit nga shtëpia lirisht mund të llogaritet si proces apo përpjekje e dështuar. Tash kur Ministria e Arsimit , në përputhje me rekomandimet e ISHPK ka marrë vendim fillimisht që procesi mësimor të fillojë me një shtator e që pastaj ka vendosur, për arsye objektive dhe subjektive të shtyjë për 14 ditë, SBASHK – u deklaron se procesi mësimor , nëse SBASHK-u konsideron se nuk janë plotësuar kushtet mund të shtyhet për një kohë tjetër dhe në këtë mënyrë i merr përgjegjësitë që nuk i takojnë por që janë përgjegjësi e MASHT-it sikur që del edhe kundër rekomandimeve të ISHPK –së”

“SBASHK-u , së paku në bazë të deklarimeve angazhohet për ngritjen e mirëqenies materiale të punëtorëve të arsimit dhe nuk ka asnjë të drejtë të caktojë afate kohore se kur duhet të fillojë apo përfundojë procesi mësimor. Me grevën shantazhuese të SBASHK-ut që e dëmtoi shumë arsimin , me ndërprerjen e procesit arsimor për shkak të pandemisë dhe nëse edhe tani nuk fillon procesi arsimor , lirisht mund të themi se kjo gjeneratë do të jetë e humbur sa i përket arsimimit”

“Shtetet tjera kanë marrë vendim që t’i hapin institucionet arsimore përkundër faktit që nuk e kanë gjendjen aspak më të mirë se Kosova prandaj kështu duhet të veprohet edhe në Kosovë”, thuhet në reagim. / KultPlus.com

SBASHK-u kërkon shtyrjen e vitit shkollor për 10 ditë

Sindikata e Arsimit kërkon që të shtyhet për dhjetë ditë viti i ri mësimor, nisjen e të cilit e ka planifikuar ministria e Arsimit dhe e ka miratuar Qeveria.

Nga SBASHK’u thonë se e përkrahin planin e qeverisë për rinisjen e mësimit, por, sipas kësaj sindikate, institucioneve të arsimit u duhet akoma përgatitje.

“Pjesëmarrësit e këtij takimi kanë deklaruar vlerësimet lidhur me gjendjen momentale në institucionet arsimore nga këndvështrimi i udhëheqësve sindikal. Ata kanë deklaruar se personeli arsimor dhe tekniko-ndihmës shprehin vullnetin për të nisur mësimin në objektet shkollore duke përkrahur në këtë mënyrë masterplanin e MASH e të miratuar nga Qeveria, por numri më i madh i pjesëmarrësve kanë shprehur shqetësimin se shkollat ende nuk janë përgatitur për të nisur vitin e ri shkollor sipas kushteve të parapara për masat mbrojtëse dhe plani i MASH-it”, thuhet në komunikatën e SBASHK’ut.

Njoftimi i plotë i SBASHK-ut:

Duke shprehur vullnetin dhe dëshirën e sinqertë që viti i ri shkollor të nis së mbari dhe që institucionet arsimore të jenë plotësisht të përgatitura në plotësimin e udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik në përpjekje për ruajtjen e shëndetit të nxënësve dhe personelit arsimor SBASHK-u u drejtohet Qeverisë dhe MASH-it me zërin e punëtorëve arsimor që nisja e vitit të ri shkollor të shtyhet për 10 ditë.

Me qëllim të analizës së përgatitjes për fillimin e vitit të ri shkollor dhe masave që janë marrë nga institucionet për krijimin e sigurisë së mjaftueshme të ruajtjes së shëndetit të nxënësve dhe personelit arsimor, SBASHK-u ka mbajtur takim nga larg me kryesinë, kryetarët e nivelit komunal dhe Universiteteve dhe me anëtarët e Këshillit Drejtues.

Pjesëmarrësit e këtij takimi kanë deklaruar vlerësimet lidhur me gjendjen momentale në institucionet arsimore nga këndvështrimi i udhëheqësve sindikal. Ata kanë deklaruar se personeli arsimor dhe tekniko-ndihmës shprehin vullnetin për të nisur mësimin në objektet shkollore duke përkrahur në këtë mënyrë masterplanin e MASH e të miratuar nga Qeveria, por numri më i madh i pjesëmarrësve kanë shprehur shqetësimin se shkollat ende nuk janë përgatitur për të nisur vitin e ri shkollor sipas kushteve të parapara për masat mbrojtëse dhe plani i MASH-it. Duke argumentuar ata kanë përmendur se pjesa më e madhe e shkollave ende nuk është dezinfektuar, dhomat e mësimit nuk janë pajisur me dezinfektues për duar, nuk janë siguruar maskat mbrojtëse për personelin arsimor, nuk është përgatitur lista e mësimdhënësve rezervë për të zëvendësuar mësimdhënësit e sëmurë e as nuk është shpallur ndonjë thirrje a konkurs për mësimdhënës vullnetar, nuk janë përgatitur dhomat e mësimit për të siguruar distancën e duhur sociale, por nuk janë bërë edhe përgatitje të tjera brenda ambienteve shkollore.

Nga ana tjetër SBASHK-ut kanë nisur t’i vijnë informacione se ka tendenca nga ndonjë DKA dhe ndonjë drejtor shkolle që mjetet higjienike dhe dezinfektuesit t’i sigurojnë përmes prindërve, qoftë duke mbledhur para nga prindërit, qoftë duke sjellë prindërit dezinfektues në shkollë. SBASHK-u ëhstë kundër iniciativave të tilla sepse në këtë situatë të rënduar sociale e ekonomike nuk është e drejtë të ngarkohen edhe më shumë apo të vihen një pjesë e tyre në pozitë të keqe para të tjerëve ngase nuk kanë mundësi të jenë pjesë e këtij aktiviteti, të cilin SBASHK-u kërkon të ndalet dhe kërkesat e shkollave në rrethanat e reja të sigurohen nga buxheti shtesë prej 9.5 milionë, që ka ndarë Qeveria e Kosovës. / KultPlus.com