Qyteti që mbeti pa mbrojtjen e policëve

Qyteti i Bostonit në Massachusetts më 9 shtator të vitit 1919, mbeti qëllimisht pa mbrojtjen e policisë, pasi kjo e fundit u hodh në grevë për ngritjen e rrogave.

Policëve nuk u ishin ngritur rrogat gjatë viteve të Luftës së parë Botërore, kur kostoja e jetesës u ngrit. Sindikata e policëve të Bostonit u themelua në vitin 1918 dhe u njoh nga Federata amerikane e Punës. Kur negociatat për ngritjen e rrogave dështuan, sindikata e policëve votoi për t’u hedhur në grevë.

Më 10 shtator, kryetari i Bashkisë së Bostonit i bëri thirrje gardës lokale që të kryente detyrat e policisë për të vënë rregullin.

Të nesërmen, Guvernatori i shtetit Massachusetts, Calvin Coolidge u bëri thirrje banorëve të Bostonit të respektonin ligjin dhe mori në punë policë të tjerë për të zëvendësuar grevistët.

Përgjigja e guvernatorit mbetet edhe sot një citat shpesh i përmendur: “Nuk ekziston e drejta e grevës kundër rendit publik nga askush, në asnjë vend dhe asnjëherë”.

Qëndrimi i prerë i Guvernatorit Coolidge kundër sindikatës tërhoqi vëmendjen kombëtare dhe shërbeu si një faktor me rëndësi në zgjedhjen e tij si kandidat për nënpresident nga Warren Harding në vitin 1920. Coolidge zëvendësoi presidentin Harding pas vdekjes në vitin 1923./ KultPlus.com

Nesër grevë dyorëshe në shkollat e Kosovës

Kryetari i SBASHK-ut së bashku me kryesinë, në koordinim me Federatën e Sindikatës së Shëndetësisë dhe atë të Policisë, nesër i nisin bashkërisht veprimet sindikale.

Duke u bazuar në këtë dhe në koordinim të plotë me këto dy federata të premten mbahet grevë dyorëshe paralajmëruese në çerdhe, në Universitete dhe në të dy ndërrimet e mësimit në të gjitha shkollat e Kosovës me kërkesën drejtuar institucioneve që të punësuarit në arsim dhe gjithë të tjerët pagën e dhjetorit ta marrin bazuar në Ligjin e pagave.

Greva dyorëshe në çerdhe fillon nga ora 6:30 deri në orën 8:30.
Greva në Universitete fillon në orën 8 deri në orën 10.
Greva në shkollat e Kosovës mbahet në dy orët e para në të dy ndërrimet.

Greva dyorëshe në arsim është alarmi i fundit dhe kushdo që punon për të zhgënjyer punëtorët e arsimit, shëndetësisë dhe të policisë së Kosovës duhet ta di se do të përballet me reagimet shumë më radikale sindikale. / KultPlus.com

 SBASHK: Vazhdon greva e përgjithshme në të gjitha institucionet arsimore të Kosovës


Greva e përgjithshme në tërë sistemin arsimor  duke filluar nga çerdhet, institucionet e Arsimit Parauniversitar   dhe në Universitete do të  vazhdojë edhe në ditët në vijim deri sa institucionet e shtetit nuk përmbushin kërkesën legjitime e të drejtë të SBASHK për ngritjen e koeficienteve në Projektligjin e pagave për 30 % për të gjithë të punësuarit në arsimin e Kosovës.

SBASHK ka përcjellë me kujdes situatën në tërë Kosovën gjatë grevës dhe  fton institucionet qendrore e lokale që të shtojnë angazhimet për të përmbushur kërkesën legjitime të SBASHK-ut. Po ashtu i kujtojmë ata që të heqin dorë nga idetë për të bërë  presione ndaj grevistëve sepse do të përballen me ligjin e drejtësinë ngase greva jonë është legjitime dhe këtë të drejtë e mbron edhe ligji mbi grevat dhe Konventat ndërkombëtare.

Punëtorët e arsimit nuk ka mundur t’i frikësojë e t’i largojë nga misioni i tyre i shenjtë as pushtuesi serb me gjithë atë dhunë  në vitet e 90-ta. Punëtorët e arsimit nuk mund t’i  largojë as sot e gjithë ditën askush nga e drejta e tyre e garantuar me ligj për  të shprehur kundërshtimin e tyre përmes grevës legale  ndaj ligjit diskriminues e degradues të pagave.

Ne nuk po kërkojmë as me shumë e as më pak se të tjetër dhe prandaj do të qëndrojmë të palëkundur në angazhimet dhe përpjekjet  tona për të realizuar kërkesën e drejtë për ngritje se paku për 30 % të koeficienteve për të punësuarit në tërë sistemin arsimor.

Të hënën,me datën 21.01.2019, në ditën e gjashtë të grevës së përgjithshme, kryetari i SBASHK-ut Rrahman  Jasharaj bashkë me disa nga anëtarët e  Këshillit Qendror  Grevist do të qëndrojnë në  Mitrovicë për të bashkëbiseduar me grevistët në Çerdhen Gëzimi i ynë ne ora 9 e 10 minuta për te vazhduar pastaj në ora 9 e 50 minuta në SHFMU Migjeni. Po ashtu Kryetari Jasharaj do të vizitojnë e dhe komunën e Vushtrrisë për t’u takuar me grevistët në SHFMU 2 ne ora 11 e 10 minuta dhe Çerdhen “Foleja” ne ora 11 e 40 minuta, kurse nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala   me anëtarë të tjerë të Këshillit Qendror Grevist do të vizitojë  komunën e Obiliqit për të bashkëbiseduar me grevistët në Çerdhes “Rrita Jone” ne ora 9 e 10 minuta për të vazhduar pastaj ne Fushë Kosovë ne SHFMU “Selman Riza” ne ora 11:00. /KultPlus.com

Performuesit e institucioneve kulturore të Kosovës hyjnë në grevë, anulojnë çdo aktivitet

Alberina Haxhijaj

Performuesit e Institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës në konferencën e mbajtur sot për media, kanë njoftuar se do të anulojnë çdo aktivitet deri në ngritjen e pagës komfor rregullores, shkruan KultPlus.

Përfaqësues të Sindikatave të Institucioneve vartëse të MKRS-së, si të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Filharmonisë e Kosovës dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota” kanë dal sot me një komunikatë për media, ku thanë se nga sot anulojnë çdo aktivitet dhe hyjnë në grevë.

Besnik Grajqevci, përfaqësues nga Ansambli Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “Shota”, tha se kjo konferencë po mbahet për të njoftuar opinionin se cilat janë hapat sindikal të cilat do të merren karshi kërkesave të tyre.

“Bëjmë thirrje institucioneve tona dhe ministrit që sa më shpejtë të miratojnë marrëveshjen që e kemi bërë tash e një vit”, tha ai.

Këshilli i Grevistëve u shprehen se performuesit e artit tash e 19 vite janë në gjendje të rëndë dhe po neglizhohen nga Ministria e Kulturës, Kuvendi dhe Qeveria.

Përfaqësuesi Sindikal i Teatrit Kombëtar, Shkelzen Veseli theksoi se mungon edhe mbrojtja institucionale dhe ligjore, me theks të veçantë për kategorinë e performuesve të artit dhe punëtorëve tekniko-artistik.

“Pas zotimeve të njëpasnjëshme se pagat me ngritje do të dalin në janar, dhe pastaj pagat me ngritje do të dalin në mars, dhe pastaj pagat me ngritje do të dalin në qershor, dhe pastaj pagat me ngritje do të dalin në shtator.. dhe pastaj, dhe pastaj dhe pastaj… ja ku jemi në vitin 2028”, u shpreh me ironi, Veseli duke kujtuar premtimet e shumta të cilat i ka marrë ky Këshilli nga Ministria e Kulturës këto vitet e fundit.

Këshilli Grevist i Sindikatave dhe përfaqësuesve e perfomuesve të artit të institucioneve vartëse të MKRS-së, shpallën grevë të përgjithshme duke pezulluar ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve të planifikuara në kalendarët përkatës, deri në realizimin e zotimeve publike të MKRS-së për ngritjen e pagës bazë komfor Rregullores 05/2018.

Kujtojmë se Sindikata përkatëse të institucioneve vartëse të Ministrisë së Kulturës kanë iniciuar proceduat për përmirësimin e rregullores 05/2011.

“Ne do të vazhdojmë grevat. Sigurisht kemi pasur greva edhe më parë por gjatë kohës sa ato janë anuluar janë realizuar mjaftë punë edhe pse ato mund të mos vërehen. Madje është realizuar edhe koncept dokumenti. Pra tani ka mbetur vetëm që rregullorja të dërgohet në Qeveri për miratim. Unë shpresoj që ministri ka vullnet dhe dëshiron që ta realizojë këtë. Po ashtu jemi të bindur se kërkesa është ligjore, legjitime dhe e realizueshme”, shtoi Veseli.

Këshilli i grevistëve gjithashtu theksoi se edhe në të ardhmen, sikurse edhe deri më sot, do të angazhohen që të jenë partner të institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht MKRS-së./ KultPlus.com

Shtyhet greva e paralajmëruar e aktorëve të TKK-së

Trupa rezidente e Teatrit Kombëtarë të Kosovës, dje kanë paralajmëruar se prej ditës së parë të majit do t’i rikthehen grevës dhe do të bëjnë bllokim total të këtij institucioni, shkruan KultPlus.

Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, në tetor të vitit të kaluar u kishin dhënë dhjetë ditë afat ministrit të Kulturës e Qeverisë së Kosovës që të plotësoj kërkesa e tyre e cila vazhdon të jetë e njëjtë: rritja e pagave.

Mirëpo greva e cila ishte paralajmëruar pikërisht për sot është shtyrë përsëri, kanë njoftuar për KultPlus, aktorët e këtij institucioni.

“Tashmë u bënë disa muaj prej kur MKRS-ja së bashku me një grup punues vazhdimisht janë takuar dhe kanë punuar që të arrihet realizimi i kërkesave të aktorëve. Diçka është punuar dhe ka lëvizur por asgjë përfundimisht dhe konkretisht, prandaj ne shqyrtuam mundësin e rikthimit në grevë pasi që u bënë shumë muaj pritje. Tani na është kërkuar edhe një javë kohë pasi që Ministri i Kulturës qenka jashtë vendit deri këtë të premte. Ne sigurisht që nuk duam të bëhemi arrogant dhe ashtu siç kemi pritur këta muaj do të presim edhe një javë. Vazhdojmë te jemi optimist dhe akoma duam të besojmë në gatishmërinë pozitive të Ministrit Gashi. Pas të hënës që po vjen besoje do të kuptohet gjithçka”, thuhet në njoftimin dërguar redaksisë së KultPlus.

Pas një marrëveshjeje me Kujtim Gashin, ministrin e Kulturës, aktorët e patën pezulluar grevën pasi që patën marrë premtim verbal për rritje të rrogës. Mirëpo kjo çështje është bllokuar për shkak të Rregullores për gradimin dhe pagat e krijuesve e të performuesve të kulturës dhe punonjësve të trashëgimisë kulturore, e cila ende nuk është finalizuar./ KultPlus.com

Aktorët e Teatrit Kombëtar të Kosovës hyjnë në grevë, KultPlus sjellë vendimin e aktorëve drejtuar MKRS-së

Që nga sot më datën 16 tetor, SHSTKK hyn në grevë të përgjithshme dhe bllokon tërësisht repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, deri në realizimin e kërkesave të tyre, shkruan KultPlus.

Kjo gjë është bërë e ditur përmes letrës së nisur tek ministri i Ministrisë së Kulturës Kujtim Gashi, letër të cilën e posedon KultPlus, ku njëherësh edhe tregohen të gjitha kërkesat e Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës, se pse po hyjnë në këtë grevë të përgjithshme.

Pikërisht për këtë çështje, sot SHSTKK, ka organizuar konferencë për medie me fillim nga ora 13:30 në Sallën A të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në vijim, KultPlus sjellë njoftimin e plotë të kësaj shoqate drejtuar Ministrisë së Kulturës, Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës:

Për: Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Kujtim Gashi Këshillin drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës Drejtorin Gjeneral të TKK-së dhe Udhëheqësin Artistik

NJOFTIM

Të nderuar, Ju njoftojmë se, bazuar në nenin 44 paragrafi 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (për lirinë dhe organizimin sindikal), në nenin 89 të Ligjit të Punës, neni 27 të Ligjit për Organizim Sindikal, në Ligjin për Grevë nr. 03/L-200 si dhe konform vendimit unanim të Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës në bashkërendim me SBASHK-un, është marrë vendim t’ua rikujtojmë që:

Marrë parasysh gjendjen e rëndë dhe neglizhencën e aktorëve dhe punëtorëve të TKK-së, tash e 17 vjet, nga ana e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës Kosovës, pas tre kërkesave, për ngritjen e pagës bazë, të cilat ua kemi drejtuar ne si Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar te Kosovës gjatë muajve maj dhe qershor 2016 si dhe mars 2017; Pas dy kërkesave të Këshillit drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, (te nënshkruara edhe nga menaxhmenti i TKK-së), të datës 02.06.2016 dhe datës 03.11.2016, lidhur me Ngritjen e pagës bazë për aktorët rezident, përkatësisht inicimin e procedurave për përmirësimin e “Rregullores 05/2011 Për Krijuesit dhe Performuesit e Kulturës dhe Punonjësve Profesional të Trashëgimisë Kulturore”, konform Nenit 20 të kësaj rregullore; Pas zotimeve publike të datës 20.05.2016 dhe 07.06.2016 nga ana e Ministrisë se Kulturës, përkatësisht ish-ministrit Kujtim Shala, për ngritjen e pagës bazë për krijuesit dhe performuesit e artit; Pas mosfunksionalizimit të komisionit të ngritur nga ana e Ministrisë së Kulturës Pas takimit të datës 2 tetor 2017 me ministrin e ri të Kulturës Kujtim Gashi me ç’rast u paralajmërua që pas afatit 10 ditor SHSTKK do të jetë e detyruar të marrë masa të tjera ligjore dhe sindikale.

Pas mospërfilljes së kërkesave tona nga ana e MKRS-së, duke konsideruar se janë shtjerrur të gjitha format e tjera për realizimin e kërkesave tona, ne Aktorët e Trupës Rezidente të TKK-së, ua dërgojmë këtë njoftim:

Që nga data 16 Tetor 2017 (ditë e hënë), ashtu siç ju kemi paralajmëruar edhe në shkresat tona paraprake gjatë vitit 2016 dhe 2017, SHSTKK hyn në grevë të përgjithshme dhe bllokim të tërësishëm të reperorit të TKK-së deri në realizimin e kërkesave tona. Në të ardhmen, SHSTKK do të angazhohet dhe do të jetë partner i institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht i MKRS-së duke luajtur rol aktiv në amandamentimin e Ligjit të Teatrit dhe amandamentimin e Rregullores Nr. 05/2011 për Gradimin dhe Pagat e Krijuesve dhe Performuesve të Kulturës dhe Punonjësve profesional të Trashëgimisë Kulturore, deri në miratimin e ligjit të veçantë për Performuesit e Artit në Republikën e Kosovës. Me respekt, SHSTKK,

Prishtinë 13.10.2017
Udhëheqës të sindikatës: Ismet Azemi, Shkelzen Veseli dhe Adrian Morina./ KultPlus.com