Nagavci ndryshon mënyrën e vijimit të vitit shkollor: Me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se viti shkollor do të ndahet në dy periudha kohore (gjysmëvjetori i parë dhe gjysmëvjetori i dytë), për, siç tha ajo, vlerësim sa më objektiv, të drejtë, transparent, valid e më praktik, të nxënësve.

Sipas Nagavcit, ky ndryshim është iniciuar me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve.

“Ndryshimi i këtij dokumenti të rëndësishëm, është inicuar me kërkesë të mësimdhënësve, nxënësve e prindërve, pasi që është vlerësuar se ndarja e vitit shkollor në tri periudha, siç ka qenë deri më tani, paraqet sfida dhe vështirësi të shumta, ngarkesë të panevojshme formale e administrative dhe rrezikon përmbajtjen e materies vlerësuese”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Nagavci tha se udhëzimi i ri administrativ reflekton në përmbajtje cilësore të vlerësimit të nxënësve, shkarkimin e ngarkesës administrative për mësimdhënësit, informimin me kohë të nxënësve dhe prindërve për suksesin dhe rezultatin e nxënësve në lëndët e caktuara.

“Ky Udhëzim Administrativ për vlerësimin e nxënësve sipas Kornizës së Kurrikulës është në diskutim publik deri më 23 qershor 2022, prandaj ftoj të gjithë të interesuarit që të kontribuojnë edhe gjatë këtyre ditëve me komente profesionale, në mënyrë që këtë dokument të rëndësishëm ta kemi sa më cilësor”, ka shtuar ajo. / KultPlus.com

MASH shpalos opsionet për fillimin e vitit të ri shkollor

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se është në fazën përfundimtare të përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor 2020/21.

Në një komunikatë për media thuhet se organizimi i mësimit është paparaparë për të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë.

Për rihapjen e institucioneve edukativo-arsimore, gjatë hartimit të Udhëzuesit të përgjithshëm për organizimin e mësimit në vitin shkollor 2020/2021, në kushtet e pandemisë COVID-19, janë marrë parasysh vlerësimi i gjendjes dhe udhëzimet e UNESCO-s, UNICEF-it, Bankës Botërore, WFP-së, IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Në udhëzuesin e përgjithshëm, përveç tjerash janë përcaktuar edhe skenarët për organizimin e mësimit në kushte pandemie.

Në skenarin A është paraparë kthimi në shkolla apo mësimi me prezencë në institucionet parashkollore dhe shkolla, me masa parandaluese. Në skenarin B është paraparë kthimi i pjesshëm në shkolla apo mësimi i kombinuar-prezencë në shkolla dhe E-mësimi, teksa në skenarin C është paraparë E-mësimi.

MASH ka bërë të ditur se janë duke u bërë përgatitjet për shpërndarjen e teksteve shkollore për vitin e ri shkollor. /KultPlus.com

Përfundon viti shkollor 2019-2020

Pas një periudhe prej 4 muajsh e cila bëri që zhvillimi i mësimit të vazhdojë në platformën online, sot ka përfunduar viti shkollor 2019-2020, shkruan KultPlus.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka ururar nxënësit për durimin dhe sukseset e arritura gjatë kësaj periudhe aspak të lehtë për ata.

Ai përmes një statusi në Facebook ka shprehur falenderim të madh edhe për prindërit e mësuesit të cilët me përkushtim të madh punuan me fëmijët dhe nxënësit e tyre.

”I uroj nxënësit për sukseset e arritura dhe durimin e treguar gjatë kësaj periudhe plot sfida, si dhe i falënderoj prindërit e mësimdhënësit të cilët punuan me përkushtim që mësimi online të mos i lë nxënësit prapa më mësime.
Uroj që në vitin e ardhshëm shkollor t’i kthehemi normalitetit dhe nxënësit bashkë me mësuesit t’i kthehen ambienteve shkollore!
‘, u shpreh Ahmeti. / KultPlus.com