Në Itali gjendet anija e lashtë romake e shekullit II para Lindjes së Krishtit

Një anije e lashtë romake, që besohet se daton nga shekulli II para Lindjes së Krishtit, është zbuluar në ujërat e Detit Mesdhe, afër bregdetit të qytetit jugor italian, Palermo.

Anija është gjendur në 92 metra thellësi, afër Isola delle Femmine. Nga fotografitë e para, të bëra nga një robot nënujor, vërehet se me këtë anije po transportoheshin shishe për verë, shkruan The Guardian.

“Mesdheu vazhdimisht na jep elemente të çmueshme për rindërtimin e historisë sonë të lidhur me tregtinë detare, llojin e barkave, transportin që është kryer”, tha një zyrtare e rajonit të Palermos, Valeria Li Vigni.

Ky zbulim nga autoritetet siciliane u përshkrua si një nga gjetjet më të rëndësishme arkeologjike të vjetëve të fundit.

Pak javë më parë, arkeologët sicilianë zbuluan një objekt tjetër të fundosur – një anije të lashtë romake në rreth 70 metra thellësi afër ishullit Ustica. Në këtë anije kishte shishe me verë të shekullit II para Lindjes së Krishtit.

Çdo vit, qindra shishe të lashta të periudhës romake, të marra ilegalisht, gjenden nga policia italiane në shtëpitë e tregtarëve të artit.

Në qershor, autoritetet italiane gjetën qindra objekte arkeologjike, të grumbulluara ilegalisht nga një koleksionist belg. Objektet datonin që nga shekulli VI para Lindjes së Krishtit dhe kishin vlerën e 11 milionë eurove. / Gazeta Express / KultPlus.com

Në Jerusalem zbulohet monedha e rrallë e bronzit e shekullit II

Arkeologët izraelitë kanë zbuluar një monedhë të rrallë bronzi në Jerusalem, që daton nga revolta e shekullit II të hebrenjve të provincës romake të Judeas kundër Perandorisë Romake.

Autoriteti i Antikiteteve në Izrael (IAA) njoftoi se monedha ishte zbuluar pas gërmimeve në një park në rrëzë të malit të Tempullit, Harem al-Sharif.

Vendi i shenjtë i Jerusalemit është nderuar nga hebrenjtë sepse përmban rrënojat e tempullit të tyre biblik dhe nga myslimanët sepse besojnë se profeti i tyre, Muhamed u ngjit në parajsë nga ai mal.

Atje romakët ndërtuan një tempull të perëndisë Jupiter, pasi shkatërruan tempullin hebre në vitin 70 pas Krishtit dhe para se myslimanët të ndërtonin xhaminë al-Aksa dhe Dome.

Revolta hebraike, e udhëhequr nga rabini, Simon Bar Kokhba, shpërtheu rreth gjashtë dekada pas shkatërrimit të tempullit biblik hebre dhe zgjati deri në pesë vjet. / KultPlus.com