“Shqiponjat e Mëndafshta” themelojnë shkollën e gjuhës shqipe në Bari

Shoqata shqiptare në Bari të Italisë “Shqiponjat e Mëndafshta” ka arritur të realizojë një nga projektet kryesore të saj, atë të themelimit të shkollës së gjuhës shqipe.

“Shoqata jonë rritet falë objektivave që kemi vendosur që në fillim. Bëhet realitet një nga projektet tona më të rëndësishme, themelimi i shkollës së gjuhës shqipe në Bari. Prej muajsh kemi filluar përgatitjet, duke nisur nga seleksionimi i mësueseve për të vazhduar me prezantimin dhe njohjen me realitete të ngjashme nëpër vende të ndryshme në Italia, deri tek prezantimi me përfaqësues istitucional të vëndit tonë. Urojmë të japim maksimumin dhe të mos humbasim besimin, edhe pse vështirësitë për t’u përballuar nuk do jenë të pakta.

Falenderojmë motrat Nilsa dhe Viola Magjistari për lokandinën”, shkruhet në faqen zyrtare në Facebook të shoqatës Le Aquile di Seta.

Kjo shoqatë u krijua në vitin 2020 dhe synon të mbrojë dhe përmirësojë historinë dhe të kaluarën e Diasporës Shqiptare në Itali, duke parë të ardhmen e komunitetit. Të vetëdijshme se ka shumë shoqata të tjera me të cilat shpresojnë për një bashkëpunim në të ardhmen.

Gratë shqiptare të Barit duan të jenë një risi me një frymë bashkëpunimi, duke mësuar nga gabimet e së kaluarës dhe duke u përpjekur të ndërtojnë një rrjet më të mirë. / KultPlus.com

Rihapet shkolla shqipe në Zvicër, Shehu: Le të mësojmë e ruajmë gjuhën tonë

Jeta Zymberi

Ruajtja e gjuhës amtare është pjesë e pashkëputur e identitetit të një personi. Në Zvicër, më saktësisht në qytetin Monthey, pas nëntë viteve pauzë është rihapur më në fund klasa shqipe në kuadër të LAPSH ( Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë „Naim Frashëri” në Zvicër), e cila ekziston që nga viti 1995, shkruan KultPus.

Me iniciativën e Zenun Shalës dhe bashkëpunimit të anëtarëve të tjerë të kryesisë: Dugagjin Ramosaj, Valentina Ramosaj dhe Yllka Shehut, klasa e mësimit plotësues në gjuhën shqipe ka nisur mësimin më 6 shtator.

Anëtarja e kryesisë së shkollës shqipe në Monthey-Chablais në Zvicër,

Yllka Shehu, ka treguar për KultPlus se për shkak të mos interesimit të prindërve, kjo klasë është mbyllur në vitin 2011, por ajo shprehet entuziaste që shoqëria shqiptare në diasporë tashmë janë të vetëdijesuar mjaftueshëm për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe.

“Megjithatë, në ketë pikë luan gjithmonë rol të rëndësishëm, fillimisht, edukimi i fëmijëve nëpër familjet e tyre dhe pastaj arsimimi i tyre nëpër shkollat e gjuhës shqipe. Në fund të fundit, brezat e rinjë duhet të kenë një nxitje dhe motivim nga familja sa i përket ruajtjes së gjuhës. Nëse prindërit i japin një shtytje sado të vogël fëmijëve të tyre, atëherë besoj që këta të fundit do të dinë të çmojnë dhe ruajnë edhe më shumë gjuhën shqipe, si dhe t’ua përcjellin atë brezave të ardhshëm”, ka thënë Shehu.

Me rihapjen e klasës së parë në gjuhën shqipe, drejtuesit janë munduar që të rrisin interesimin e sa më shumë prindërve për regjistrimin e fëmijëve të tyre. Deri më tani kanë arritur që klasa të ketë gjithsej 14 nxënës të moshës 6-12.

“Shpresojmë që ky numër të rritet sa më shumë, për shkak që brezat e rinjë nuk duhet harruar asnjëherë prejardhjen, gjuhën dhe vendlindjen e tyre”, thotë Shehu.

Për të bërë hapjen e klasave shqipe (si pjesë e komunitetit), drejtuesit fillimisht është dashur që të marrim leje nga komuna e qytetit Monthey, e cila nuk ka hezituar të ju ofrojë dy klasa në kuadër të shkollës “Reposieux – Cycle d’orientation”. Përveç kësaj, komuna poashtu ka ofruar edhe një ndihmë financiare vjetore për shkollën shqipe.

Për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës amtare nga gjeneratat e reja, sipas Shehut, prindërit luajnë rolin kryesorë.

“Një fëmijë shqiptar i lindur dhe rritur në diasporë, ndonëse mund të zotërojë pasaportë të huaj (në këtë rast zvicerane), prapë se prapë prejardhja e tij mbetet shqiptare. Prandaj, po ky fëmijë, kur di të flasë për vendin, gjuhën dhe zakonet e popullit të tij, është më shumë se krenari, jo vetëm për prindërit, por për të gjithë shqiptarët. Prindërit luajnë rol kryesor në këtë çështje. Kur prindërit mbajnë gjallë gjuhën amtare në shtëpi, ata jo vetëm që forcojnë lidhjet familjare mes tyre, por edhe i mësojnë fëmijëve të vlerësojnë dhe krenohen me kulturën dhe rrënjët e tyre.”

Anëtarja Yllka Shehu, nuk ka lënë pa përmendur edhe faktin se shumë fëmijë shqiptarë gjatë pushimeve në Kosovë ndihen të huaj për shkak se nuk e zotërojnë mirë gjuhën shqipe. Andaj ajo ka një lutje për të gjithë.

“Shumë herë  kam dëgjuar edhe shqiptarë që thonë “I huaj këtu (në Zvicër), i huaj edhe në Kosovë”! Prandaj, le të mos ndjehemi më të huaj. Le të mësojmë e ruajmë gjuhën tonë, që nesër të mos ndjehemi sikur nuk përkasim.” / KultPlus.com