Komuniteti shqiptar i Worcester feston 100 vjetorin e marrdhenieve Shqipëri-SHBA

Me rastin e 100 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-ve dhe Shqipërisë nën kujdesin e Ambasadores Floreta Luli-Faber, u organizua një aktivitet festiv nga Albanian Community of Worcester të shtetit Massachusets dhe u mbështet nga Worcester Historical Museum.

Një përzgjedhje fotografish mbi 100 vjeçare mundësuan kthimin në kohë, dhe sollën historitë e një komuniteti sa të vjetër aq dhe vital që prej më shumë se një shekulli. Kryetari i Bashkisë së Worcester Joe Petty, pasi përshëndeti aktivitetin, i dorëzoi Ambasadores Faber Çelësin e Qytetit, në shenjë mirënjohje për mbështetjen dhe bashkëpunimin e treguar ndaj komunitetit shqiptar në Worcester.

Festimet kulmuan me një koncert madhështor të mbajtur në sheshin ‘Skënderbej’. Atmosfera festive dhe mijra vetë që mbushën sheshin, treguan dhe një herë që lidhja mes popujve tanë ka në themel një miqësi dhe dashuri të pa kushtëzuar.

Shqipëria mbetet gjithmonë mirënjohëse për partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetjes së vazhdueshme ndaj popullit tonë. /diasporashqiptare.al /KultPlus.com

Kryeministri Kurti uron 4 korrikun, bën një ndërlidhje me luftën në Ukrainë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka uruar 4 korrikun, datën ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës e festojnë përvjetorin e pavarësisë.

Përmes një shkrimi të shtjelluar mirë Kurti, bën një ndërlidhje me situatën në Ukrainë dhe duke u shprehur i bindur që “qeverisja e popullit, nga populli dhe për popullin, nuk do të zhduket nga toka”.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit:

4 Korriku

Para njëqind e gjashtëdhjetë e një vjetëve, sytë e botës ishin të fiksuar mbi një komb duke luftuar në mbrojtje të demokracisë. Ai komb ishte Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ajo luftë ishte Lufta Civile Amerikane.

Në një mesazh të posaçëm drejtuar Kongresit më 4 korrik 1861, presidenti Abraham Lincoln, një shkrimtar i shkëlqyer me një intuitë të mprehtë për historinë, shpjegoi me fjalë të qarta implikimet e jashtëzakonshme të luftës për të ardhmen e qeverisjes demokratike. Çështja e luftës, shkruante Lincoln, “i parashtron të gjithë njerëzimit pyetjen nëse … një demokraci … mundet, apo nuk mundet, të ruajë integritetin e saj territorial kundër armiqve të saj të brendshëm. Ajo paraqet pyetjen nëse individë të pakënaqur, shumë të paktë në numër për të kontrolluar administratën… , munden gjithmonë … të prishin qeverinë e tyre, dhe kështu praktikisht t’i japin fund qeverisjes së lirë në tokë. Na detyron të pyesim: ‘A ekziston, në të gjitha republikat, kjo mangësi e natyrshme dhe vdekjeprurëse?’ ‘A duhet që një qeveri, medoemos, të jetë ose tepër e ashpër për liritë e popullit të vet, ose tepër e butë për të ruajtur ekzistencën e saj? ‘”

Lufta në Ukrainë, e cila sot po e tërheq vëmendjen e botës, nuk është, sigurisht, një luftë civile: Kërcënimi për qeverinë e lirë, në këtë rast, nuk vjen nga brenda vendit, por nga jashtë tij. Por, njëjtë sikurse përpjekja e pavend e Jugut Amerikan për shkëputje në 1861, pushtimi i pajustifikuar i Federatës Ruse në Ukrainë në 2022, gjithashtu mbart implikime të jashtëzakonshme për të ardhmen e qeverisjes demokratike. Për t’i kuptuar këto implikime, duhet t’i drejtohemi një dijetari të madh, veprën e të cilit Lincoln ka shumë gjasë ta ketë lexuar: filozofit gjerman Immanuel Kant. Është një mrekulli e vogël që Kanti, një njeri i cili nuk u largua kurrë nga afërsia e qytetit të tij të lindjes, Königsberg, i cili sot mban emrin Kaliningrad, Rusi, megjithatë kuptoi thellësisht marrëdhëniet ndërkombëtare. Në esenë e tij të rëndësishme të vitit 1795, Drejt Paqes së Përhershme, Kanti parashtronte tezën e tij të famshme, se demokracitë nuk shkojnë në luftë me njëra-tjetrën. Kjo tezë e ka dëshmuar veten jashtëzakonisht mirë gjatë 227 vjetëve të fundit. Siç ka theksuar filozofi i famshëm amerikan John Raëls, “mungesa e luftës midis demokracive kryesore të vendosura është po aq afër sa çdo gjë që dimë me një rregullsi të thjeshtë empirike në marrëdhëniet midis shoqërive”.

Historia na ka dëshmuar që sundimtarët autokratikë, të cilët nuk i përgjigjen askujt përveç vetvetes, e përdorin shpeshherë luftën si mjet për glorifikimin personal, zgjerimin territorial apo përfitmin financiar. Për dallim nga ata, llogaridhënia ndaj popullit bën që shtetet demokratike në përgjithësi të mos jenë të prirura për luftë. Po të ishte Rusia një demokraci e mirëfilltë, ajo me shumë gjasë nuk do të pushtonte kurrë Ukrainën. Dhe po ashtu, po të ishte Serbia një demokraci e mirëfilltë, ajo nuk do të përbënte një kërcënim kaq serioz për paqen në rajonin tonë. Në këtë kuptim, përpjekjet e rëndësishme të presidentit Biden për të promovuar vlerat demokratike në mbarë botën, mund të kuptohen njëkohësisht si përpjekje për të ruajtur paqen ndërmjet kombeve. Mirëpo, është pikërisht mospëlqimi ndaj konfliktit të armatosur nga ana e shteteve demokratike në përgjithësi, ajo e cila i shtyn autokratët si Putini, dhe Millosheviqi përpara tij, që të mendojnë se sulme ndaj kombeve demokratike më të vogla do të kalojnë pa ndëshkim. Dhe kjo na detyron për të pyetur: A duhet që një qeveri, medoemos, të jetë ose tepër autokratike për të ruajtur paqen me fqinjët e saj, ose tepër demokratike për të mbrojtur vetveten, dhe demokraci të tjera, prej agresionit nga jashtë?

Kjo është sfida e madhe të cilën lufta ilegale e Rusisë ia ka parashtruar botës demokratike. Ukraina, deri tani, ka kaluar bindshëm provën e saj. Me gjithë shpresën e Putinit për të nxitur një kapitullim të shpejtë nga ana e Ukrainës, blitzkrieg-u i Rusisë ka dështuar në mënyrë spektakolare. Megjithatë, sprova më të mëdha po vijnë, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Evropën. Putini është përgatitur për një luftë të gjatë shkatërruese ndaj Ukrainës dhe po llogarit në një dimër të ashpër për t’iu shkaktuar vuajtje maksimale shteteve evropiane të varura prej gazit rus. Për këto arsye, mes të tjerash, rezistenca efikase ndaj agresionit të Putinit do të kërkojë më shumë sakrificë se kurrë nga demokracitë e botës.

Këtë 4 korrik, pra, kur po e festojmë demokracinë, le të kujtojmë, bashkë me Lincoln, se demokracia nuk e mbron vetveten; përkundrazi, ne popujt e botës demokratike duhet ta mbrojmë. Le të zotohemi, pra, se do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi, me çdo kusht, për të siguruar që demokracia e Ukrainës do të dalë fitimtare ndaj autokracisë së Rusisë. Dhe, duke qëndruar prapa Ukrainës dhe qytetarëve të saj, le t’ia dëshmojmë të gjithë botës, demokratëve dhe autokratëve njëkohësisht, vendosmërinë tonë të palëkundur, që “qeverisja e popullit, nga populli dhe për popullin, nuk do të zhduket nga toka”. / KultPlus.com

4 Korriku, 246 vjet nga Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara

Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara është deklarata e miratuar nga mbledhja e Kongresit të Dytë Kontinental në Filadelfia, Pensilvani më 4 korrik 1776, e cila njoftoi se trembëdhjetë kolonitë amerikane, në atë kohë në luftë me Mbretërinë e Britanisë së Madhe, e konsiderojnë veten si trembëdhjetë shtete të pavarur, sovranë, që nuk janë më nën sundimin britanik. Ata formuan një shtet të ri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

John Adams ishte një udhëheqes në shtytjen për pavarësi, e cila u miratua më 2 korrik me asnjë votë kundër. Një komitet prej pesë vetësh kishte hartuar deklaratën formale, që do të ishte gati kur Kongresi të votonte për pavarësinë. Termi “Deklarata e Pavarësisë” nuk është përdorur në dokument.

John Adams bindi komisionin të zgjidhte Tomas Xheferson për të hartuar draftin origjinal të dokumentit, të cilin Kongresi do ta redaktonte për të prodhuar versionin përfundimtar. Deklarata ishte në fund të fundit një shpjegim formal pse Kongresi kishte votuar më 2 korrik të shpallë pavarësinë nga Britania e Madhe, më tepër se një vit pas shpërthimit të Luftës Revolucionare Amerikane. Ditën tjetër, më 3 korrik, John Adams i shkroi gruas së tij Abigail: “Dita e dytë e korrikut 1776, do të jetë epoka më e paharrueshme në historinë e Amerikës” Por ditëlindjen kombëtare, Dita e Pavarësisë, festohet më 4 korrik, data kur u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë.

Pas ratifikimit të tekstit më 4 korrik, Kongresi nxori Deklaratën e Pavarësisë në disa forma. Ajo u botua fillimisht si fletushkë që u shpërnda dhe u lexua gjerësisht për publikun. Kopja e përdorur për këtë fletushkë ka humbur, dhe mund të ketë qenë një kopje në duart e Tomas Xhefersonit. Drafti fillestar i Xhefersonit, të plotë me ndryshimet e bëra nga John Adams dhe Benjamin Franklin, dhe shënimet e Xhefersonit të ndryshimeve të bëra nga Kongresi, janë të ruajtura në Bibliotekën e Kongresit. Versioni më i njohur i Deklaratës, një kopje e nënshkruar që është konsideruar gjerësisht si dokument zyrtar, ndodhet në Arkivat Kombëtare në Uashington DC. Kjo kopje u urdhërua nga Kongresi më 19 korrik, dhe u nënshkrua kryesisht më 2 gusht.

Burimet dhe interpretimi i Deklaratës kanë qenë subjekt i shumë hetimeve shkencore. Deklarata justifikoi pavarësinë e Shteteve të Bashkuara duke renditur ankesat koloniale ndaj Mbretit George III, dhe duke pohuar disa të drejta natyrore dhe juridike, duke përfshirë edhe të drejtën e revolucionit. Abraham Linkolni e bëri Deklaratën epiqendrën e retorikës së tij (si p.sh. në fjalimin e Getisburgut 1863), dhe politikat e tij. Që atëherë, është bërë i mirënjohur pohimi për të drejtat e njeriut, në veçanti fjalia e dytë:

Ne i konsiderojmë këto të vërteta si të vetëkuptueshme, se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë pajisur nga Krijuesi i tyre me të drejta të patjetërsueshme, se midis këtyre të drejtave janë Jeta, Liria dhe kërkimi i Lumturisë.

Kjo është quajtur “një nga fjalitë më të njohura në gjuhën angleze”, që përmbajnë “fjalët më të fuqishëm dhe rrjedhimore në historinë amerikane”. Pasazhi përfaqësonte një moral standard për të cilin duhej të perpiqeshin Shtetet e Bashkuara. Kjo pikëpamje u promovua sidomos nga Abraham Linkolni, i cili e konsideroi Deklaratën si themel të filozofisë së tij politike, duke argumentuar se Deklarata është një deklaratë e parimeve mbi të cilat duhet të interpretohet Kushtetuta Shtetet e Bashkuara.

Deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara frymëzoi shumë dokumente të tjera të ngjashme në vende të tjera në shekujt e 18-ë dhe 19-të, duke u përhapur në Vendet e Ulëta, dhe pastaj në Karaibe, Amerikën Spanjolle, Ballkan, Afrikën Perëndimore dhe Evropën Qendrore në dekadat deri në 1848. / KultPlus.com

Osmani: Atë që kanë bërë Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan për vendin tonë, shkon përtej çdo partneriteti që ka njohur ndonjëherë bota

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka ndarë me ndjekësit e saj momente të festës së Pavarësisë së ShBA-ve, festë kjo që është shënuar nga Ambasada Amerikane në Kosovë. Presidentja Osmani ka theksuar se ‘Më 4 Korrik, festojmë krahas popullit amerikan dhe kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara’.

KultPlus ju sjell të plotë mesazhin e presidentes Osmani.

Mbrëmë, në një atmosferë të jashtëzakonshme, mes miqsh të shumtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nga Kosova, festuam festën e pavarësisë së SHBA-ve.

Atë që kanë bërë Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan për vendin tonë, për lirinë tonë, për të drejtën tonë për të ekzistuar dhe për çdo qytetar që e quan Kosovën shtëpi të vet, shkon përtej çdo partneriteti që ka njohur ndonjëherë bota.

Më 4 Korrik, festojmë krahas popullit amerikan dhe kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara. Në këtë ditë, kujtojmë edhe të gjithë ata që nëpër dekada kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e miqësisë sonë të përjetshme./ KultPlus.com

SHBA hap dyert për turistët e vaksinuar në fillim të nëntorit

Shtëpia e Bardhë njoftoi se udhëtarët e vaksinuar nga 26 vendet e zonës Shengen, Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar, do të lejoheshin të hynin në tokën amerikane në fillim të muajit Nëntor. SHBA do të lejojë hyrjen për ata shtetas evropiane që janë vaksinuar me një nga vaksinat të cilat janë miratuar nga agjencia federale amerikane e Ushqimit dhe Barnave të cilat janë Moderna, Pfizer dhe Janssen e kompanisë “Johnson & Johnson”.

Agjencia Evropiane e Barnave ka miratuar të tre këto vaksina, si dhe vaksinën Astra Zeneca.

Kjo është arsyeja pse shumë udhëtarë shqetësohen se vaksina Astra Zeneca, me të cilën shumica e britanikëve dhe 70 milionë shtetas të BE’së janë vaksinuar, mund të mos pranohet për udhëtime në SHBA kur të hiqet ndalimi i udhëtimeve.

Pavarësisht kësaj, burime jo zyrtare nga FDA u kanë konfirmuar mediave amerikane se person i vaksinuar do të konsiderohet çdo person që është vaksinuar plotësisht me një vaksinë të miratuar nga FDA ose Organizata Botërore e Shëndetit. Nese kjo ndodh lista e vaksinave shtohet edhe me vaksinat kineze Sinopharm dhe Sinovac.

Komisioni i BE’së dhe organizatat ndërkombëtare të udhëtimit prej muajsh kanë bërë thirrje për heqjen e ndalimit të hyrjes për në SHBA, masë që është në fuqi për rreth një vit e gjysmë. Brenda BE-së, Portugalia tani është vendi me shkallën më të lartë të vaksinimit. Rreth 84% e popullsisë prej 10.3 milionë banorëve në këtë vend tani është plotësisht e vaksinuar.

Qëllimi i Portugalisë për të vaksinuar me dy doza 85% të popullsisë së saj tani është i arritshëm dhe vendi pritet të lehtësojë disa nga masat e vendosura për të frenuar përhapjen e sëmundjes. / KultPlus.com

‘Një njeri që nuk ka shkuar kurrë në shkollë mund të vjedhë një vagon, nëse ai është shkolluar, ai mund të vjedhë gjithë hekurudhën’

Theodore Roosevelt ishte presidenti i 26-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Roosevelt ka fituar edhe çmimin ”Nobel” për paqe.

Gjurmët e këtij presidenti, vazhdojnë të jetojnë akoma me historinë e madhe të Amerikës.

Në vijim, KultPlus ju sjellë disa nga thëniet më të njohura të tij.

Bëni atë që mundeni, me atë që keni, atje ku jeni.

Eshtë e vështirë të dështosh, por është më keq që të mos jesh përpjekur kurrë të kesh sukses.

Besoni se mundeni dhe jeni në gjysmë të rrugës për atje.

Kur të arrini në fund të litarit tuaj, lidhni një nyjë dhe mbajuni fort.

Njerëzve nuk u intereson sa dini derisa të dinë se sa përkujdeseni.

Asgjë në botë nuk ia vlen të kesh apo ia vlen të bësh nëse nuk do të thotë përpjekje, dhimbje, vështirësi … Unë kurrë në jetën time nuk kam pasur zili një qenie njerëzore që bëri një jetë të lehtë. Unë kam zili shumë njerëz që bënë jetë të vështira dhe i udhëhoqën mirë.

I vetmi njeri që nuk bën kurrë gabime është njeriu që nuk bën kurrë asgjë.

Të edukosh një person në mendje por jo në moral do të thotë të edukosh një kërcënim për shoqërinë.

Të dish se çfarë është e drejtë nuk do të thotë shumë nëse nuk bën atë që është e drejtë.

Mbani sytë drejt yjeve dhe këmbët në tokë.

Në çdo moment të vendimi, më e mira që mund të bësh është gjëja e duhur. Gjëja më e keqe që mund të bësh është asgjëja.

Guximi nuk është forcë për të vazhduar më tej; por të vazhduarit më tej kur nuk keni më forcë.

Fol butë dhe mbaj një shkop të madh me vete; do shkosh larg. / KultPlus.com

Si u lajmërua njohja e Shqipërisë nga qeveria e SHBA-së?

Në vitin 1922, shteti shqiptar arriti një fitore të madhe, njohjen nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me shkresën nr.603, datë 31.3.1922, Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, kërkoi nga shtetet europiane dhe SHBA-ja, njohjen e saj. Pas rolit të pazëvendësueshëm të presidentit Wilson në moscenimin territorial të shtetit shqiptar, pranimit në Lidhjen e Kombeve në dhjetor 1920, aktit të nëntorit 1921 të fuqive të mëdha, njohja nga SHBA-ja ishte ngjarje tepër e gëzuar për të gjithë shqiptarët. Këtij akti i paraprinë disa veprime të tjera brenda atij viti.

-14.4.1922, u zhvillua ceremonia e themelimit të Shkollës Teknike në Tiranë .

-Më 17.4.1922, qeveria shtroi një gosti në sallën e MPJ-së (godina e Akademisë së Shkencave sot), ku morën pjesë 16 personalitete, në nderim të kolonelit C.Jeiles. në ceremoni mori pjesë kryetari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq Shqiptar, Ross Hill, ambasadori i Britanisë së Madhe Aires, gjithë ministrat, kryetari i parlamentit, disa deputetë dhe sekretari i përgjithshëm i MPJ-së.

Në numrin 25, datë 3.8.1922, “Fletorja zyrtare”, që sapo kishte marrë emrin e gazetës “Dit e re”, njoftonte se “Amerika na njohu”. Shkrimi ishte përgatitur nga një nëpunës që nuk pëlqeu të vendosë emrin e tij, por vetëm germën “X”. Në të njëjtën numër të fletores, është botuar njoftimi “me gëzim të veçantë” i Ministrisë së Punëve të Jashtme se SHBA-ja njohu Shqipërinë de juro e de fakto.

Pjesë nga artikulli “Amerika na njohu”:

Nji lajm u përhap dhe na ka gëzue: Shtetet e Bashkueme të Amerikës na kanë njoftun! Populli i ynë shef se Shqipnija ka fitue besimin edhe të Amerikës, që diktohet si nji nga kombet ma të përparuerne e qi ndjekë gjurmon nji politikë bujare ndaj poputj e vogjel. Por ne s’mund të lëmë pa vrejtë se në at hov që amerikanët na njohin si njerëz të organizuem, të meritueshëm të kemi marrëdhënie  me ta, çohet në këmbë atje ndonjë shqiptar, i cili kombin e vet e pagëzon “Zululand”, e i frynë boris për me lajmue botën se Shqipnia sundohet me mënyra të egra që na ngjallin në mendje kohën e mesjetës. / 55News.al/ Kastriot Dervishi/ KultPlus.com

Ç’thoshte Naimi për Amerikën

Nga Getoar Mjeku

Ky mund të jetë shkrimi më i vjetër shqip që përmend kontinentin dhe vendet e saj. Dalë nga pena e rilindasit Naim Frashëri, në një kohë kur librat në gjuhën tonë qenë të ndaluar. Teksti përshkrun Shtetet e Bashkuara apo «Vëndet’ e bashkuarë» si vendin më të zhvilluar të botë, përcjellë KultPlus.

Njëherësh, poeti ynë kombëtar duket se e ka quajtur Kanadanë «Kanadë», ashtu siç bëjnë sot kosovarët.Tekstin e gjejmë në dy libra shkollorë: kapitullin «Dheshkronja» në Dituritë për mësonjëtoret e para (1886) dhe te Gjithësija (1895).

Me germa të sotme del kështu:
Amerik’ e veriut ndahetë më katërë copë:

1. Anët’ e veriut, që janë shumë të ftohta, edhe më të shumëtë vënde janë t’Ingliterësë; kanë katërë miliunë njerës, m’i ditur’ i këti vëndi është Kanada dhe ka k. q. Kjebeknë.

2. Vëndet’ e bashkuarë, që janë prej 34 dhimokrative të bashkuara, dhe kanë 35,000,000 njerës: k. q. i gjithëve është Vashinktoni edhe më të mbëdhenjtë qytete janë Nevjorku me 800,000 njerës, Bostoni me 200,000, Filladhelfija me 560,000 etj. Ky vënt është më mbroth në dituri e në dritë dhe së gjithash nga gjithë bota.

3. Meksika, q’ është një dhimokrati me 8 miliunë njerës, edhe ka k. q. Meksikënë.

4. Guatemalla dh’ Amerik’ e mezit, që kanë 2 miliunë njerës, edhe k. q. Guatemallënë: në këtë vënt është [kanali] Panama, që po e hapinë tani.

Se Naimi i veçon Shtetet e Bashkuara si vendin ma të zhvilluar të rruzullit është e qartë. Por për se e ka fjalën kur thotë «në dituri e në dritë»? Shkencën dhe arsimin? /KultPlus.com