Kuarteti “Aureum” në përmbylljen solemne të festivalit “Skupi KamerFest”

Mbrëmjen e së dielës, në sallën e muzeut të luftës maqedonase, u mbajt koncerti i tetë me radhë i festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest”, nën organizimin e shoqatës “Muza” – Shkup, dhe me mbështetjen e ambasadës austriake.

Ky koncert, i fundit për këtë edicion, si një përmbyllje solemne e tërë aktiviteteve e mbrëmjeve muzikore që pasuan në dy muajt e shkuar, të dielën solli para publikut shkupjan një koncert jo të përditshëm, një kuartet saksofonësh, nga Austria, të njohur si “Aureum Saxophon Quartett”, në përbërje të Martina Stückler (sopran saksofon), Johannes Weichinger (alt saksofon), Viola Jank (tenor saksofon) dhe Lukas Seifried (bariton saksofon). Ky kuartet ka performouar në festivale ndërkombëtare të mbajtura që nga Gmunden e deri në Stamboll. I përbërë nga një grup të rinjësh, ata kombinojnë dhe sjellin para publikut muzikën klasike, jazz, dhe muzikën popullore duke lidhur tradicionalen me modernitetin.

Pikërisht në këtë frymë, dhe duke i qëndruar besnik vet formacionit të tyre kamertal, po edhe karakterit të vet festivalit, ky kuartet saksofonësh, publikut të pranishëm i ofroi një mbërmje mbresëlënëse me paraqitjen e tyre skenike, që në çdo aspekt ishte diçka jo e zakonshme për vendin tonë, ndërthurja e programit të tyre por edhe komunikimin i tyre me publikun nëpërmjet bisedës, ndarjes së informacioneve, e vet vizualzimit fizik të programit nga ana e tyre.

Kuarteti i saksofonave “Aureum” solli pjesë nga krijimtaria e kompozitorëve të njohur botëror të epokave të ndryshme kohore, stileve dhe zhanreve, nga ajo e klasicizmit deri tek ajo në shekullin XX, në përshtatje apo origjinal për këtë formacion.

Pjesa e parë e koncertit përfshiu veprat: Bramboracy Marsch nga F. Bramböck, tri kohë nga suita Aus Holbergs Zeit (Praludium, Sarabande, Rigaudon) nga E. Grieg, në përshtatje për kuartet saksofonësh nga Maarten Jense), kohën e tretë Rondo, nga sonata për piano no. 8 në c-moll op.23 nga L. van Beethoven, në aranzhim të Leonhard Paul, Grid (Excerpts) nga G. Resch, Knödelpolka nga Ch. Dienz, në aranzhim nga Johannes Weichinger, Spain nga Ch. Corea, aranzhuar nga Philippe Marillia. Pjesa e dytë vazhdoi me interpretimin e një kënge tradicionale Weingalopp në aranzhim të R.Pietsch së bashku me Aureum, “Meraner Jodler, Steirer, Ischler Schleuniger” poashtu në aranzhim të R. Pietsch, Surivisation nga Ch. Maurer, Song for Japan nga S. Verhelst, aranzhim nga Tetsuya Watanabe, Libertango nga A. Piazzolla, përshtatur nga vet Aureum, si dhe Imaginary Dances nga P. Geiss.

Koncerti i kuarteti “Aureum” mund të përshkruhet i tillë me një energji pozitive dhe  frymëzues, ku finesa e stilit të tyre të interpretimit i pasqyronte karakteristikat individuale të të gjithë interpretuesve, e njëkohësisht e theksonte unitetin e tyre. Me frazime delikate, nuanca dinamike dhe temperament ata sollën interpretim me shumë shije, sugjestive dhe piktorale – nëpërmjet të gjitha mundësive që i ofronin instrumentet, ata nxorën në pah të gjitha karakteristikat, principet dhe vlerat estetike të stileve dhe epokave kohore nga programi i interpretuar.

Koncerti i kuartetit të saksofonave “Aureum”, ishte një përmbyllje më se e qëlluar e edicionit të pestë të festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest” – festival i cili me organizimin e tij ka shtuar një numër të madh të organizimeve në  pasurimin e jetës kulturore, artistike të qytetit të Shkupit. Publiku besnik i festivalit, i cili jo vetëm në këtë koncert, por në të gjitha të mëparshmet e këtij edicioni ishte i pranishëm në numër të madh, dëshmon për punën dhe shijen e rafinuar artistike të festivalit. Koncerte të tilla, por edhe të ngjashme kërkojnë gjithmonë mbështetje dhe jetëgjatësi – gjithmonë me parimin për frymëzim dhe përparim edukativ-kulturor të shoqërisë dhe jetës sociale. / KultPlus.com

Duo Lesage në Skupi Kamer Fest

Festivali ndërkombëtar i muzikës klasike Skupi Kamer Fest, ka sjellur nga Franca në Shkup Duo Lesage.

Nën udhëheqjen artistike të Blerim Grubit dhe në bashkëpunim me Institutin francez në Shkup, do të interpretojë Celin Lesage në violinë dhe Eric Lesage në piano, përcjellë Klan M.

Koncerti do të mbahet në Muzeun e Luftës Maqedonase në Shkup në orën 19:30.

Hyrja është falas.

Céline dhe Éric formojnë një nga duet më të shquara të violinës dhe pianos në rajonin e Tuluzës. Partnere në jetë dhe në skenë që nga viti 1999, Céline jep mësim në Konservatorin e Toulouse, Éric jep mësim në Konservatorin Montauban.

Personaliteti i tyre joshëse pasqyrohet në programet e tyre, nga muzika klasike, sllave, cigane, xhaz. Ata ofrojnë koncerte me ritme virtuoze duke ndarë emocione dhe interpretime reale të frymëzuara nga mjeshtrat e mëdhenj klasikë.

Ata tashmë kanë interpretuar në katër anët e Francës dhe në Evropë, Itali, Spanjë, Zvicër dhe të mërkurën Maqedonia e Veriut hyn në listen e tyre të gjatë.

Të apasionuar pas muzikës së dhomës, ata krijuan ansamblin Café De Maurizi dhe kuartetin Olympe.

Ata kanë regjistruar tre albume: Tes Yeux Noirs Gipsy, Ballade Romantique, Un Violon Itinérant. Themelues të Festivalit Musique en Vignes du Frontonnais në vitin 2002, ata kanë punuar për të promovuar artistë të rinj nga rajoni Occitanie, për t’u ofruar atyre një skenë dhe për t’i lejuar ata të luajnë së bashku me artistë të njohur.

Ata organizuan më shumë se dyqind koncerte, duke ftuar personalitete të muzikës klasike të luanin përkrah tyre dhe u dhanë klasa Master studentëve të tyre në partneritet me konservatorët e tyre. /KlanMacedonia/ KultPlus.com

Pianistja hungareze Alexandra Balog në edicionin e pestë të festivalit të muzikës kamertale “Skupi Kamerfest” në Shkup

Mbrëmjen e së martës, më 25.10.2022, në sallën kamertale të Filharmonisë nacionale të Maqedonisë së Veriut, u mbajt koncerti i gjashtë me rradhë në kuadër të edicionit të pestë të  festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest”, nën organizimin e shoqatës “Muza” – Shkup.

Kësaj rradhe publiku shkupjan kishte mundësin të ndëgjoj një pianiste të re me prejardhje hungareze, Alexandra Balog – formimi  muzikor i të cilës, përveç Budapestit, ka vazhduar edhe në Akademinë mbretërore të muzikës në Londër. Që në moshë të re karriera e saj artistike është e mbushur me koncerte recitale dhe të atyre të muzikës kamertale, është fituese e shumë çmimeve në shumë gara nacionale dhe internacionale – ndër to është edhe fituese e çmimit të parë në garat internacionale për piano Béla Bartók, në Graz të Austris, si dhe çmimin special në këtë garë për interpretuesen më të mirë të muzikës së Bartókut. Mysafire e saj në këtë koncert ishte një ndër pianistet më të njohura maqedonase, mbrenda por edhe jashtë vendit – Danica Stojanova.

Në bazë të karakterit kamertal me të cilin karakterizohet festivali “Skupi Kamerfest”, koncepti i këtij koncerti ishte i till që mundësoi jo vetëm interpretime solistike, por edhe interpretime të veprave për katër duar. Pianistja hungareze, Balog, e filloi koncertin me interpretimin e pesë kohëve (I. Molto moderato, II. Molto capriccioso, VI. Allegro moderato, molto capriccioso, VII. Sostenuto, rubato, VIII. Allegro) nga Improvizations op. 20 nga kompozitori i njohur hungarez, Béla Bartók. Paraqitja e saj solistike vazhdoi me intepretimin e veprave pianiste nga dy kolosët e periudhës së romantizmit, Franc Shubert dhe Frederik Shopen. Përzgjedhja e saj nga krijimtaria pianistike e Shubertiti ishin: Impromptu op. 142, no.1 dhe no.4 f-moll, Impromptu op. 90, no. 4. Ndërsa nga ajo e Shopenit: Mazurka op. 17, no.4 dhe Mazurka op. 24, no.1. Interpretimi i saj mund të përshkruhet si i pajisur me  finesë dhe elegancë, duke poetizuar lirikën muzikore në veprat e periudhës së romantizmit, përshtatur mjaftueshëm sipas karakterit dhe nevojës së vet veprës.  Pianistja Stojanova, në rolin e mysafires në këtë koncert, interpretoi tri kohë (I. Preludio-etida, Allegro, II. Rondo, IV. Presto) nga suita për piano op.7 e kompozitorit maqedonas Goce Kolarovski. Si pika më kulminante e koncertit, njëherësh edhe përmbyllja e tij ishin interpretimi i dy veprave për piano katër duar, nga pianistet Stojanova dhe Balog: 6 Grandes Marches, D.819, op. 40, no.2 dhe Military march, D. 733, no.1, nga F. Shubert.

Energjia bashkëpunuese kreative dhe projektimi dinamik i veprave nga të dyja pianistet u përcjell në mënyrën më të mirë të mundëshme deri tek publiku – që në këtë koncert ishte i pranishëm në numër të mjaftueshëm, element ky që flet mjaft për reputacionin që festivali ka fituar gjatë rrugëtimit të tij në këto pesë vite. “Skupi KamerFest” si një ndër festivalet kryesore, gjithmonë tenton të sjell artist të rinjë por të mundësoj hapsirë edhe për ata vendas, me qëllimin për përforcimin dhe begatimin e jetës kulturore, dhe skenës muzikore të qytetit të Shkupit.

Nga Nora Bajrami, muzikologe./ KultPlus.com

Violinisti Klaidi Sahatçi në ediconin e pestë të festivalit të muzikës kamertale ‘Skupi KamerFest’

Mbrëmjen e së premtës, më 30.09.2022, në sallën kamertale të Filharmonisë nacionale të Maqedonisë së Veriut, u mbajt koncerti i katërt me rradhë në kuadër të edicionit të pestë të  festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest”, nën organizimin e shoqatës “Muza” – Shkup.

Ky koncert i ofroi mundësinë publikut shkupjan, dhe jo vetëm, të ndëgjojë njërin ndër violinistët më të mirë shqipëtarë, Klaidi Sahatçi – karriera artistike e të cilit është e mbushur me arritje dhe interpertime në skenat e mëdha europiane, përmes përvojës si koncertmjeshtër, solist, profesor violine dhe muzikant dhome.

Koncerti i mbrëmjes të së premtës, i ofroi Shkupit, dhe publikut besnik të festivalit “Skupi KamerFest”, që vlen të theksohet, që sa vjen e shtohet në numër, mundësin për të njohur nga afër edhe interpretues të tjerë nga shteti fqinjë, Shqipëria. Nën një atmosferë fillim vjeshte, Shkupi si një qytet me frymë multikulturore, dhe gërshetim të traditave, religjioneve, gjuhës dhe nacionaliteteve ishte mikëpritës i pianistes Merita Rexha Tërshana, e violonçelistit Aristidh Prosi, së bashku me violistin shkupjan, Blerim Grubi.

Duke pasur parasysh karakterin kamertal të festivalit, programi i këtij koncerti në strukturën e tij paraqiti një diagram mes periudhës së romantizmit të hershëm dhe atij të vonshëm, përmes përzgjedhjes së veprave të kompozitorëve kyç të kësaj periudhe – J. Brahms dhe R. Schumann.

Të impresionuar nga biografija e violinistit Klaidi Sahatçi, publiku shkupjan e priti me kurreshtje interpretimin e tij të sonatës për violinë no. 3 në d-mol, op. 108 nga J. Brahms, së bashku me pianisten Merita Rexha Tërshana. Figura qëndrore e të gjithë koncertit, padyshim ishte violinisti Klaidi Sahatçi – interpretimin i të cilit erdhi me përcjelljen e një bagazhi të jashtëzakonshëm teknik, me një artikulim briliant, ku me një lehtësi teknike, dhe një elan pasionant, së bashku me përcjelljen adekuate të pianistes Tërshana, sollën jo vetëm botën emocionale të veprës, por edhe mjeshtërin dhe karakteristikat e materialeve muzikore dhe strukturore me të cilat veçohet Brahmsi dhe sonata e tij e tretë për duo violinë dhe piano.

Nën hijen e pjesës së parë të koncertit, pjesa e dytë solli interpretimin e Piano Kuartetit no.1 në Es-dur, op. 47, nga R. Schumann. Ky kuartet konsiderohet si kryevepër në këtë zhanër, duke vendosur bazament për kompozitorët tjerë që do krijonin tutje. Duke pasur parasysh aurën kamertale të veprës, dhe bashkimin e interpretuesve me përvojë skenike, ata krijuan një performancë estetike emocionale korrekte, por në momente me një siguritet relativ solid në shtjellimin e mbrendshëm të materialeve dhe elementeve që trajton vepra.

Ky koncert, i katërti me radhë i këtij ediconi të “Skupi KamerFest”, edhe njëherë dëshmoi që me shumë kujdes dhe vëmendje e përcjellë jetën kulturore në vend dhe në rajon. Duke i ofruar publikut, mundësin për tu njohur edhe me artist vendas, dhe njëkohësisht duke kontribuar në ngritjen e jetës kulturore, shoqërore dhe artistike, e veçanërisht duke tentuar për të krijuar një traditë të rëndësishme në përcjelljen dhe formimin e  skenës muzikore në Shkup./ KultPlus.com

Violinisti Klaidi Sahatçi vjen në festivalin e muzikës kamertale “Skupi KamerFest”

Publiku shkupjan më 30 shtator 2022, do të ketë nderin të dëgjoj një ndër violinistët më të mirë shqiptar. Bëhet fjalë për violinistin nga Shqipëria, Klaidi Sahatçi, karriera artistike e të cilit numëron suksese dhe arritje shumë të mëdha, përcjell KultPlus.

Festivali i muzikës kamertale “Skupi KamerFest”, në edicionin e tij të pestë, dhe në koncertin e pestë me radhë për këtë edicion, sjell para publikut shkupjan, koncertmjeshtërin e parë të orkestrës Tonhalle të Zyrihut.

Koncerti do të mbahet me 30 shtator 2022, në sallën kamertale të Filharmonisë Nacionale të Maqedonisë së Veriut, me fillim nga ora 19:30.

Me këtë rast, shoqata “Muza”, në një bashkëbisedim të shkurtër me Klaidi Sahatçiun, ai ka mundësuar ta njohim më nga afër rrugëtimin e tij artistik, si dhe emocionet dhe pritshmëritë e tij për koncertin që po vjen.

1. Klaidi për artëdashësit shkupjan, të na tregoni shkurt për gjenezën tuaj nga lindja dhe rrugëtimin tuaj deri në Orkestrën Tonhalle të Zurich-ut?

Sahatçiu: Jam lindur në Tiranë, ku dhe fillova studimet muzikore në moshën 6-vjeçare në shkollën “Dëshmoret e Lirisë” gjatë regjimit totalitar. Më tej në moshën 16 vjeçare studiova në Liceun Artistik “Jordan Misja” violinë me Mamica Abazin dhe më pas me Klodiana Skenderin.

Në moshën 20 vjeçare me rënien e regjimit u zhvendosa në Itali për të vazhduar të pasuroj njohuritë në Konservatorin “G.Verdi” të Milanos ku pas dy vitesh mora diplomën me notën më të lartë cum laude dhe Mansion Nderi.

Pas kësaj, pas një audicioni jam pranuar dhe kam studiuar me maestron Salvatore Accardo në akademinë “W. Stauffer” të Kremones dhe më tej me profesorin rus Boris Garlitzky në Lion te Frances në disa masterklase dhe mësime private.

Para se të fitoja pozicionin prestigjioz të Koncertmasterit të Parë të Orkestrës Tonhalle në Zyrih në vitin 2010, kam mbuluar pozicione te tilla si: Violon Solo i Orkestrës Kombëtare të Lionit, assistent Koncermaster i Orkestrës se Zvicrës Italiane, Koncertmaster i parë i Orkestrës së Dhomës së Zyrihut dhe Koncertmaster i Parë i Orkestrës së Teatrit Scala në Milano dhe Orkestrës Filarmonike të Scalës.

2. A jeni për herë të parë në Shkup dhe Maqedoni të Veriut, dhe si po e pritni bashkëpunimin me artistët shqiptar që do te keni në festivalin “Skupi KamerFest”.

Sahatçiu: Vij për herën e dytë, pasi disa vjet më parë kam luajtur me pianisten Merita Rexha Tershana për Festivalin e Ohrit ku jam pritur shumë mirë si nga organizatorët dhe nga publiku .

Ftesa për këtë koncert më entuziazmon dhe jam kurioz dhe i motivuar të luaj me kolegët dhe miqtë shqiptarë Merita, Blerim dhe Aristidhin, dhe të zbuloj dhe të ndjej nga afër atmosferën e Shkupit./Nora Bajrami – Muzikologe/ KultPlus.com

Alberto Ferro dhe Camerata Balcanica në edicionin e pestë të festivalit “Skupi KamerFest”

Nora Bajrami- Muzikologe

Në sallën kamertale të Filharmonisë Nacionale, në Shkup, në kuadër të festivalit të muzikës kamertale “Skupi KamerFest”, dhe në bashkëpunim mes shoqatës “Muza” dhe asaj “Art Link” nga Beogradi, u realizua koncerti kamertal me pjesëmarrje të pianistit italian Alberto Ferro dhe trios nga Camerata Balcanica, në përbërje me Marija Janchulevska – violinë (Maqedoni e Veriut), Vesa Doli – violë (Kosovë) dhe Angelina Živković – violonçelo (Serbi).

Në koncertin e të hënës mbrëma, publiku shkupjan, dhe jo vetëm, kishte mundësin të ndegjojë pianistin italian Alberto Ferro, ku bagazhi artistik të cilit përmban bashkëpunime me shumë orkestra nëpër të gjithë Evropën: konservatori shtetëror „Tchaikovsky“ në Moskë, Universiteti i Arteve në Berlin, „Athenaeum Rumun“ në Bukuresht, Filharmonia Kombëtare në Varshavë, Palau de la Música Catalana në Barcelonë, Herkulessaal në Mynih, dhe shumë shtete tjera, ku ka bashkëpunuar me dirigjentë të njohur si Arvo Volmer, Dirk Kaftan, Heribert Beissel, Günter Neuhold, Paul Meyer, Thierry Fischer, Marin Alsop, Christian Zacharias e shumë të tjerë. Krijmitaria e tij artistike është e përmbushur edhe me pjesëmarrjen në shume festivale, si dhe i vlërsuar me disa nderime nga shteti italian dhe shumë çmime ndërkombëtare nga konkurset për piano. Alberto Ferro është profesor i pianos në konservatorin shtetëror të muzikës “Alessandro Scarlatti” në Palermo.

Alberto Ferro, para publikut shkupjan, interpretoi dy pjesë me peshë nga literatura pianistike, J. S. Bah Prelud dhe Fugë, no. 17 BWV 862 në As dur, nga “Klaviçembali i temperuar mire” (libri I), dhe K. Debisi (C. Debussy), Toccata nga Pour le piano L. 95, me të cilat e hapi dhe koncertin. Interpretimi i pianistit Alberto Ferro mund të përshkruhet si i relaksuar, dhe në momente energjik në projektimin tonal të karakteristikave të kompozitorëve të cilët i përkisnin epohave të ndryshme kohore, por me një frymë më pak ngazëlluese, që u përcjell dhe u ndje edhe tek publiku i pranishëm.

Bashkëpunimi në mes dy shoqatave, ju ofroi mundësinë për paraqitje në skenë artistëve të rinjë vendas, dhe atyre të rajonit, këtë e konfirmon edhe fakti se vetë grupi kamertal Camerata Balcanica, bashkon artistë të rinjë të muzikës klasike nga Ballkani Perëndimor. 

Vëmendja kryesore e këtij koncerti, njëherësh edhe pjesa qëndrore e tijë, ishte interpretimi i Piano Kuartetit no.1 K.478 në g-mol nga W. A. Mozart, nga Alberto Ferro, dhe trios harkore nga Camerata Balcanica. Ky kuartet konsiderohet si një ndër veprat më të mëdha kur flasim për repertoarin e muzikës kamertale. Intepretuesit e sollën me një ndjenjë emotive korrekte, përmes një prizme solide në aspektin e trajtimit global të arkitekturës muzikore të veprës, por me efekt sipërfaqësorë në shtjellimin e mbrendshëm të saj.

Koncerte të tilla, me tendencë bashkëpunimi në mes popujve dhe shteteve, ku përmes të cilëve artistët e rinjë kanë mundësinë të jenë sa më afër publikut dhe të jenë pjesë e skenës muzikore, në vend e në rajon, janë ngjarje që gjithmonë duhen të kenë përkrahje të shumtë. Publiku shkupjan, që mbrëmjen e të hënës ishte në numër solid i pranishëm, dëshmoi që tenton të jetë ndjekës i rregullt i ngjarjeve kulturore, dhe skenës muzikore që zhvillohet në vend, sepse, ngjarje me struktura dhe koncepte të tilla, janë me rëndësi të madhe jo vetëm në zhvillimin e jetës kulturore, por edhe asaj shoqërore. / KultPlus.com

Violinisti i njohur shqiptar refuzon fondet që ia ndau Ministria e Kulturës

Blerim Grubi, ka njoftuar së fundi se ka refuzuar subvencionin e Ministrisë së Kulturës në Maqedoninë e Veriut, në lidhje me projektin ‘Skupi Kamerfest”, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë violinisti përmes një statusi në llogarinë e tij personale në Facebook, ku ka deklaruar se shumë e mjeteve të ndara për projektin në fjalë është qesharake.

Ai ka thënë se as në dy vitet e kaluara kjo ministri nuk e ka përkrahur festivalin, i cili mbahet edhe në Kosovë me bashkëpunëtoren e Grubit, violinisten Sihana Badivuku.

“Njohtoj opinonin e gjërë se unë Blerim Grubi violist nga Shkupi me keqardhje të madhe vendosa ta refuzoj vendimin e Ministrisë së Kulturës për dhënien e fondeve për proektin nga OJQ Muza “Skupi Kamerfest” në shumë prej 1954 euro. Pasi që në dy konkurset e mëparshme për vitet 2018 dhe 2019 ky projekt nuk ishte perkrahur fare nga dy ministrat shqiptar të Ministrisë së Kultrurës të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kurse kësaj rradhe kjo përkrahje erdhi por me një shume qesharake prej 120 mijë denarëve, kam vendosur të mos e nenshkruaj kontratën me Ministrin zotëri Hysni Ismaili”, ka shkruar ai.

Tutje, Grubi ka thënë që këtë përkrahje e ndjen si një denigrim për personalitetin e tij dhe të bashkëpunëtores së tij Sihana Badivukun, me të cilën kanë pasur në plan ta realizojnë festivalin e muzikës klasike në Shkup.

“Kështu, ishin planifikuar 8 koncerte me artistë të muzikës klasike, emra të njohur botëror dhe shqiptar si dhe seminare-master klasë për nxënës dhe student të artit muzikor. Nga rezultati i konkursit që kemi lexuar në faqen e Ministrisë, jemi te indinjuar dhe të fyer për mos vlersimin e projektit tonë nga ana e komisionit vlerësues”, ka përfunduar Grubi. / KultPlus.com