Biden shpall katastrofën natyrore prej stuhisë së dëborës në Texas

Presidenti amerikan Joe Biden ka shpallur sot gjendjen e katastrofës natyrore në Texas, duke i hapur rrugë dërgimit të fondeve dhe ndihmës në shtetin amerikan të goditur nga stuhia vrasëse e dëbores.

Energjia elektrike është duke u rikthyer në Texas dhe temperaturat pritet të rriten por më shumë se 10 milionë njerëz ende përballen me defekte të rrjetit elektrik dhe të sistemit të ujit të pijshëm.

Biden tha se do të vizitojë Texas kur prezenca e tij të mos jetë pengesë për përpjekjet e ndihmës e shpëtimit.

Rreth 60 vdekje në të gjithë Shtetet e Bashkuara i janë atribuar stuhisë dimërore.null

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej sot se presidenti Biden “ka urdhëruar asistencë federale për shtetin e Texas, në ndihmë të përpjekjeve vendore, në zonat e përfshira nga stuhitë dimërore”.

“Asistenca do të përfshijë grante për strehim të përkohshëm, riparime shtëpiake, hua me kosto të ulët për dëmet e shtëpive të pasiguruara dhe programe të tjera ndihme për individët dhe bizneset e prekura nga katastrofa”.

Përveç të tjerave, stuhia dimërore ka ndërprerë furnizimin me ujë në qytetin Jackson, Mississippi – ku banojnë rreth 150,000 njerëz – si dhe në një zonë të madhe të shtetit Tennessee duke përfshirë qytetin e Memphis, me 651,000 banorë.

Deri dje, rreth 180,000 shtëpi e biznese nuk kishin energji elektrike në Texas ndërsa në të gjithë SHBA, shifra llogaritej në 3.3 milionë njerëz. /express/ KultPlus.com

Stuhia tropikale Eta nxjerr në sipërfaqe mbetjet e anijes së viteve 1800

Në fillim të këtij muaji, gati e gjithë Amerika Qendrore dhe Florida u goditën nga stuhia tropikale Eta, që shkaktoi dëme të shumta materiale dhe të lënduar, si pasojë e përmbytjeve, erërave të forta dhe erozionit.

Rrëshqitjet e dheut kanë bërë që në bregun e plazhit Shën Agustin, në Floridën Veriore, të zbuloheshin mbetjet e një anije të vjetër.

Zbulimi u bë rastësisht, teksa nëpër dunat e rërës u vunë re disa lëndë drusore, të cilat i përkisnin një anije të vjetër, që sipas ekspertëve daton që nga vitet 1800. Një ekip studiuesish nga Programi Arkeologjik Detar, të cilët edhe më parë kanë identifikuar disa anije të mbytura në këtë zonë, nisën inspektimin dhe dokumentimin e kësaj gjetjeje.

Anëtarët e ekipit besojnë se lëndët drusore kanë të ngjarë t’i përkasin një anijeje tregtare amerikane, ndonëse kjo nuk është konfirmuar ende.

“Gjithçka që kemi parë deri më tani i përshtatet kësaj hipoteze; dërrasa druri, lëndë druri, elemente hekuri. Këto duken mjaft të ngjashme me anijet e tjera të viteve 1800 që kemi zbuluar”, u shprehën ekspertët e kërkimit. \ A2news/ KultPlus.com

Stuhia Kiara godet Europën, Franca mbyll kullën Eifel

 Stuhia Kiara që po godet Europën me erëra deri në 160 kilometra në orë po shkakton shqetësime në shumë vende.

Për momentin Britania e Madhe është më e goditura nga ciklona prej të cilit ka pasur shumë dëme.

Dalja e lumenjve nga shtrati ka shkaktuar përmbytje të mëdha.

Erërat kanë shkaktuar gjithashtu ndërprerjen e energjisë elektrike për disa mijëra banorë.

Franca ka vendosur të mbyllë Kullën Eiffel për shkak të erërave të forta dhe si masë sigurie.

Në Britani, prej reshjeve dhe erës së fortë shumë aeroporte kanë anuluar fluturimet.

Edhe Belgjika, Gjermania dhe Holanda veç fluturimeve, kanë pezulluar lëvizjen e trenave në distanca të gjata në disa shtete perëndimore.

Efektet e stuhisë kanë mbërritur edhe në Itali. Erërat e forta kanë prekur zonën veri perëndimore të gadishullit, sidomos në Tuskana, Emilia-Romagna dhe Marche. / Shqiptarja.com / KultPlus.com