Tirana, kryeqyteti i filmit në Ballkan, Jorgji: Mundësi për kineastët dhe ndikim të drejtpërdrejtë në turizëm

Tirana do të jetë kryeqyteti i filmit në Ballkan. Në kryeqytet nga data 13-17 dhjetor do të vijnë producentët dhe regjisorët më të rëndësishëm në fushën e filmit nga e gjithë Europa, për të marrë pjesë në “Balkan Film Market”.

Jonid Jorgji, kreu i Agjencisë së Industrisë Kreative në bashkinë e Tiranës, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, bëri të ditur se industria kreative dhe filmi në tërësi ka një ndikim të drejtpërdrejtë në turizëm.

“Eventi gjigand në industrinë e kinemasë do të sjellë në Tiranë qindra producentë dhe kineastë, përfaqësues të platformave televizive nga më të njohurat në Europë. Do të vijnë në Tiranë për katër-pesë ditë. Do ketë panele diskutimesh, workshop-e, por edhe konkurse për idenë më të mirë “Pitching”, që do të sjellin bashkëprodhime të ndryshme ballkanike, shqiptare por edhe në Europë”, tha Jorgji.

Kreu i Agjencisë së Industrisë Kreative në Bashkinë e Tiranës solli dhe shembuj se si industria e kinemasë ka ndikuar drejtpërdrejt në turizëm.

“Industria e filmit dhe e gjithë industria audiovizuale jep një feedback të rëndësishëm në turizëm. Është një ambasador i mirë për turistët e ardhshëm që do të vijnë në vendin tonë. Kroacia është një shembull konkretë që edhe falë “Game of Throne” u kthye në një atraksion turistik nga më të rëndësishmit në rajon dhe Evropë. Këtë strategji po ndjekim dhe në Tiranë, duke krijuar këtë zyrë të filmit, duke sjellë sa më shumë produksione filmash”, tha ai.

“Falë incentivave të marra kanë ardhur shumë produksione filmash, ndërsa po punohet dhe ligji për sektorin audiovizual, ku ndihmon dhe incentivon të huajt dhe vendasit që duan të xhirojnë në vendin tonë filmat apo produktet  e tyre audiovizuale. Para një viti në vendin tonë u xhirua dhe episodi i fundit i një Reality Show holandeze, dhe Tirana pas transmetimit të atij episodi pati bum turistësh nga Holanda”, theksoi Jorgji.

“Balkan Film Market”  do të zhvillohet në ambientet e Piramidës, ku aspirantët për të nisur punën për filmin e tyre të parë, të përzgjedhur paraprakisht në bazë të aplikimeve të realizuara përgjatë dy muajve të fundit, do të punojnë individualisht me mentorë të huaj për të zhvilluar skenarin me të cilin përfaqësohen. Paralelisht, kineastë nga rajoni do të prezantojnë projektet e tyre para producentëve dhe distributorëve të ftuar në BFM, duke pasur mundësinë të sigurojnë mbështetjen që u nevojitet në fazën e para ose pas prodhimit.

Në rrethin e mbi 300 të ftuarve, të cilët kthejnë sytë nga projektet ballkanike, regjisorët e rajonit do të kenë mundësinë përgjatë pesë ditëve të promovohen, të zgjerojnë rrethin e njohjeve me emra të cilët kanë një historik të gjatë dhe të suksesshëm në industrinë filmike botërore, ku disa prej tyre të nominuar me çmime OSCAR.

Përpos mundësisë për ekspertët e fushës, nëpërmjet marketit Tirana do të shndërrohet në një pikë strategjike takimi për prodhuesit e filmit, që do ta njohin më nga afër kryeqytetin, duke e parë edhe nga këndvështrimi i një lokacioni të mundshëm për xhirime.

Balkan Film Market realizohet në partneritet me bashkinë Tiranë, Ambasadën Franceze, Ambasadën Austriake, Institutin Italian të Kulturës, Filmmakers Europe, Qendrën e Artit AGIMI, nën organizimin e Agjencisë së Industrisë Kreative./atsh/KultPlus.com

Rama: Piramida, së shpejti qendra më e madhe e teknologjisë digjitale në Ballkan

Punimet për ndërtimin e Piramidës, qendra më e madhe e teknologjisë digjitale në Ballkan janë drejt përfundimit.

Kryeministri Edi Rama publikoi pamje të kantierit të punës teksa informoi se shumë shpejt do të jetë gati.

“Piramida, së shpejti qendra më e madhe e teknologjisë digjitale në Ballkan”, u shpreh Rama.

Projekti i rivitalizimit të Piramidës së Tiranës synon transformimin e saj në një qendër shumëfunksionale në qytet, duke siguruar hapësirë për të rinjtë dhe njerëzit që të angazhohen në art, kulturë dhe teknologji krijuese.

Kjo qendër, financim i qeverisë, bashkisë së Tiranës dhe Fondit Amerikan të Zhvillimit, do të ketë 18 salla, ku të rinjtë të studiojnë për programe të ndryshme kompjuterike dhe 14 klasa të tjera që janë konceptuar në natyrë.

Sipas projektit, Piramida ndahet në 3 zona, ku një pjesë do të jetë për Tumo dhe klasat që do të zhvillohen brenda, një pjesë do të jetë sistem biznesesh dhe sipërmarrës të IT ku do shumë prej startup-eve do të bëjnë praktikën dhe të testojnë produkte.

Risi është riciklimi i gjithë materialit të mbetur në piramidë, i cili do të përdoret për krijimin e ndërtesës së re, ndërsa pjesa e jashtme rrëshqitëse do të jetë me shkallë si vendpushim për studentët. / atsh / KultPlus.com

AccuWeather publikoi parashikimin e madh pranveror për Evropë: Nuk përjashtohen përmbytjet dhe stuhitë në Ballkan

Në parashikimin e AccuWeather për pranverën, thuhet se “modeli afatgjatë i dimrit” do të vazhdojë në disa vende evropiane, ndërsa disa pjesë të kontinentit tonë do të përballen me stuhi potencialisht të rrezikshme pak më vonë.

Me ekuinoksin pranveror që ndodhë të hënën, më 20 mars, ekipi i ekspertëve të parashikuesve ndërkombëtarë të AccuWeather ka publikuar detajet se çfarë do të mbajë sezoni i ardhshëm pranveror në Evropë.

Sipas Meteo France, një brez prej 32 ditësh pa reshje të matshme (më pak se 1 mm shi në ditë) u vu re nga 20 janari 2023 deri më 21 shkurt 2023.

Dhe kjo vendosi një rekord të ri për brezin më të gjatë të njëpasnjëshëm të ditëve pa reshje të matshme që nga viti 1959, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

E ndërsa ka frikë për një thatësirë të mundshme për shkak të fenomeneve të tilla, stuhitë në Evropën Jugperëndimore dhe shtimi i reshjeve pranverore në rajonet jugore po shkaktojnë shqetësim te meteorologët për përmbytjet e mundshme në Itali dhe Ballkan.

“Duke pasur parasysh se sa i ngrohtë është Deti Mesdhe, stuhitë mund të ofrojnë lagështi shtesë dhe të çojnë në rritje të kërcënimeve nga përmbytjet. Kjo është një shqetësim i veçantë për shpatet perëndimore të Apenineve dhe Alpeve Dinarike”, citohet të ketë thënë Tyler Roys, meteorolog i AccuWeather.

Veç kësaj, thuhet se pjesa më e madhe e Evropës Juglindore, përfshirë edhe rajonin tonë, do të përballet me temperatura mbi mesataren në pjesën e dytë të pranverës.

Kështu, nga Roma në Bukuresht, temperaturat në mes të muajit mars ishin në nivelin e atyre tipike për fundin e prillit dhe kjo prirje do të vazhdojë edhe gjatë muajve në vijim e shoqëruar me reshje të herëpashershme.

Si pasojë, vlerësohet se stuhi duhet të priten edhe në Ballkan në fund të pranverës. / KultPlus.com

“Balkan Bordello” rikthehet me turne rajonal në Ballkan

Pas suksesit të turneut në SHBA, shfaqja “Balkan Bordello” prodhuar nga teatri prestigjioz i Nju Jork-ut La MaMa (SHBA) në bashkëpunim me Qendrën Multimedia (Kosovë), Atelje 212 (Serbi) dhe My Balkans (SHBA/Serbi), rikthehet në rajon për një turne në disa prej festivaleve më të rëndësishme verore. 

Më 8 gusht në Nisville Jazz Teatar Festival në Nish (Serbi)
Më 10 gusht në Ohrid Summer Festival në Ohër (Maqedoni e Veriut)
Më 12 gusht në KotorArt International Festival në Kotor (Mal i Zi)
Më 13 gusht në Wild Beauty Art Festival në Zabljak (Mal i ZI)

Balkan Bordello nga Jeton Neziraj dhe me regji nga Blerta Neziraj, u dha si premierë në Prishtinë më 3 nëntor, 2021 dhe vazhdoi me turne nëpër Kosovë, Shqipëri e Serbi. Në mars të vitit 2022, premiera amerikane në La MaMa në Nju Jork u përcoll me 10 shfaqje të tjera dhe tërhoqi vëmendjen e kritikës teatrore evropiane e amerikane.

“Balkan Bordello” (Saga e një familjeje ballkanase), është e bazuar në  triologjinë “Orestia” të Eskilit. Si një avatar i botës moderne, Agamemnoni kthehet triumfues nga fushëbeteja, pasi ka bërë shkrumb e hi qytetin armik. Por ethet e entizuazmi i fitoreve të palavdishme janë kafshë të gjakut, me gjak ushqehen e nga gjaku jetojnë. Kur kthehet në shtëpi, Agamemnonin e pushtetshëm e pret vdekja. E vret e shoqja, Klitemnestra, gruaja e shtypur që duke vrarë burrin dëshiron të gjejë lirinë. Bashkë me Egjistin, një poet hipokrit, Klitemnestra dëshiron të nisë nje jetë të re, pa frikë se do të dhunohet e poshtërohet nga burri. 

Ja, ky është shtrati i kësaj drame, që me humor të zi, prekë indin e temparamentit ballkanas, gjurmon morbideitetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerrë në pah budallakun dhe naivitetin e një epoke që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes. Personazhet e dramës i nënshtrohen fatit dhe gati pavetëdijshëm bien në grackën e palumturisë dhe të shkatërrimit. Delli për shkatërrim i joshë, siç e joshë vdekja jetën. “Balkan Bordello” është dramë për shoqëritë e traumatizuara që hanë vetveten. Ajo na ballafaqon me luftën si makineri të shkatërrimit e ku jeta e normaliteti kapitullojnë para pabesive e ligësive të qenies njerëzore.

Në shfaqje luajnë aktorët: Svetozar Cvetković, George Drance, Eugene the Poogene, Valois Mickens, Ema Andrea, Adrian Morina,  Mattie Barber-Bockelman, Ivan Mihailović, Matt Nasser, Verona Koxha. / KultPlus.com

Komuniteti LogEx për herë të parë në Ballkanin Perëndimor organizoi Javën e Ekonomisë Qarkore

Për herë të parë në shtetet e Ballkanit Perëndimor është organizuar Java e Ekonomisë Qarkore nga LogEx Community – iniciativë e organizatës The Balkan Forum, komunitet ky i përbërë nga partneriteti mes 8 universiteteve, shoqërisë civile dhe akterëve biznesorë nga të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në kuadër të Javës së Ekonomisë Qarkore, konferenca hapëse e titulluar “Circular Economy: a way forward” (në shqip Ekonomia Qarkore: një rrugë përpara), është zhvilluar në Kolegjin Universum me rreth 70 pjesëmarrës prej shteteve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian.

Gjatë kësaj konference janë mbajtur dy panele diskutimi me fokus të veçantë në zbatimin e praktikave të ekonomisë qarkore në shtetet e Ballkanit dhe fuqizimin e rregulloreve në kuadër të kësaj fushe.

Ndërkohë, në Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, janë zhvilluar ngjarje të tjera duke përfshirë punëtori me fëmijë, webinars dhe podcasts.

Qëllimi i kësaj Jave është të filloj një dialog dhe fushatë rajonale në orientimin e politikave publike por edhe modeleve të biznesit në kompani të ndryshme drejt ekonomisë qarkore, si e ardhmja e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të rajonit tonë. Më konkretisht, gjatë këtyre aktiviteteve janë promovuar praktikat e mira në ekonomi qarkore si riciklimi, ripërdorimi dhe riprodhimi. LogEx Community do të vazhdoj të kontribuoj në këtë çështje dhe kjo javë do të kthehet në një organizim tradicional në shtetet e Ballkanit Perëndimor. Antarët e LogEx Community janë The Balkan Forum dhe Kolegji Universum në Kosovë, Build Green Group në Shqipëri, CIVIL në Maqedoni të Veriut, CENER21 dhe COD Jajce në Bosnjë dhe Hercegovinë, Youth Initiative for Human Rights në Serbi dhe ZIP ADP në Mal të Zi, si dhe akademiket Dr Ivana Lozanovska në Gjermani dhe Dr Sanda Midžić-Kurtagić në Bosnje dhe Hercegovinë

Për organizimin e kësaj Jave, donator kryesor ka qenë Rockefeller Brothers Fund.

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram.

OBSH paralajmëron: Omicron po përhapet në Ballkan

Më shumë se gjysma e popullsisë në rajonin evropian të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) mund të infektohet nga Omicron brenda dy muajve të ardhshëm, paralajmëroi të martën agjencia e OKB-së, përcjell KultPlus.

Doktori belg, Hans Kluge, ka thënë se Omicron “përfaqëson një valë të re të baticës perëndimore në lindje” që përfshin 53 vendet që përbëjnë rajonin e Evropës të OBSH-së.

Më shumë se shtatë milionë infeksione u konfirmuan në të gjithë rajonin në javën e parë të 2022.

“Që nga 10 janari, 26 vende raportojnë se mbi një për qind e popullsisë së tyre po infektohet me COVID-19 çdo javë,” tha Dr Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën. Pesëdhjetë vende kanë raportuar tani raste të Omicron me variantin “duke u bërë shpejt virusi dominues në Evropën Perëndimore dhe tani po përhapet në Ballkan,” shtoi ai.

Provat kanë treguar se Omicron është shumë më i transmetueshëm se lloji origjinal i virusit ose varianti Delta, siç bën të ditur OBSH. /KultPlus.com

Fenomeni spektakolar, shiu meteorëve Orionid arrin kulmin natën e sotme

Vështroni qiellin, një shi meteorësh i quajtur Orionid do të kalojë në hemisferën veriore sonte dhe spektakli do të duket edhe në vendet e rajonit të Ballkanit.

Orionidët janë aktivë çdo vit në tetor, zakonisht arrijnë kulmin rreth 20-21 tetor. Këtë muaj, koha më e mirë do të jetë në orët e para të mëngjesit të së Mërkurës, me rreth 20 meteorë në orë që përshkojnë qiellin e natës.

Ky është shiu i dytë meteorik i krijuar nga mbeturinat e Kometës së Halley, e cila është gjithashtu përgjegjëse për Eta Aquariids parë në maj.

Orionidët do të kalojnë në me një shpejtësi marramendëse saqë mundet ta humbasësh shumë shpejt nga sytë, shpejtësia arrin deri në 147 000  milje për orë ose 66 km për sekond.

Prandaj gjeni një vend ku ndotja është shumë  e vogël, shtrihuni dhe hapni sytë të shikoni fenomenin spektakolar./syri/ KultPlus.com