Teatri Kombëtar pa energji elektrike, dështon shfaqja ‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’

Shfaqja ‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’ ishte parparë që të shfaqet sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës duke filluar nga ora 20:00, shkruan KultPlus.

Megjithatë, një gjë të tillë e ka pamundësuar mungesa e energjisë elektrike, e cila është paraqitur si problem në të gjithë botën.

Aktorja e kësaj shfaqjeje, Majlinda Kasumoviq njoftoi përmes një ‘InstaStory’ në llogarinë e saj në “Instagram” se është ndalur rryma dhe rrjedhimisht shfaqja ka dështuar.

Anulohet shfaqja për shkak të mungesës së energjisë elektrike“, ka shkruar ajo.

Kjo nuk është hera e parë që po dështojnë shfaqjet në Teatrin Kombëtar të Kosovës si rezultat i mungesës së energjisë elektrike.

Ndërkohë, Teatrit Kombëtar nuk i punon gjeneratori që 2-3 vjet, e si pasojë e reduktimeve. 

“Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” është një “udhëtim teatror” nëpër dramaturgjinë e shkrimtarit të njohur Beqir Musliu.

Motivet kryesore nga përmbledhja e tij me katër drama, tetralogjia “Shtrigani i Gjel-Hanit”, janë lidhur e bërë bashkë për të krijuar një strukturë të re dramatike e cila rezonon e i jep eho një bote të shkuar, ku kalorës me kuaj prej druri kalërojnë nëpër mitet e legjendat tona, nëpër dramat e traumat tona, nëpër fajin tonë të cilin e kemi ndrydhur e gjuajtur në harresë!

Defilojnë në shfaqjen tonë shtriga e zana mali, kalorës të vdekur, dasmorë gazmorë, dhëndurrë të çuditshëm, mbretër gjakatarë e pretendentë fronesh revolucionar, nëna të harruara në vetmi e motra që udhëtojnë kaluar me të vdekur, cuba të kastruar, kuaj prej druri e viktima pa kokë! Dhe të gjithë këta, para se për të shkuarën, flasin për të tashmen, për mizoritë tona, për dellin tonë, për ta shkatërruar veten, për të “shkatërruar” atdheun dhe të ardhmen në lindje…

Një shfaqje dhe një dramaturgji jo e zakonshme – që vazhdon t’i bëj ballë kohës. Dhe plot pikëpyetje: për viktimat tona e për atdheun e “poshtëruar” nga ne të gjallët. / KultPlus.com

‘Të vdekurit mbajnë zi për atdheun’, fitues i pesë çmimeve në Festivalin ‘Talia e Flakës’

Pas premierës së suksesshme të shfaqjes “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”, me tekst të Beqir Musliut dhe regji të Erson Zymberit, produksion ky i Teatrit Kombëtar të Kosovës, sonte në kuadër të festivalit “Talia e flakës”, në Gjilan, është shpërblyer me pesë çmime:

-Shfaqja më e mirë e festivalit: “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës;

-Drama më e mirë: “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun” nga shkrimtari Beqir Musliu, prodhim i TKK-së, nga përmbledhja e tij me 4 drama “Shtrigani i Gjel-Hanit”;

-Regjia më e mirë: Erson Zymberi, për regjinë e shfaqjes “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”, prodhim i TKK-së;

-Aktorja më e mirë e festivalit: Arta Selimi për rolin e saj në shfaqjen “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”, prodhim i TKK-së;

-Skenografia më e mirë: Bekim Korça për shfaqjet: “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”.

Juria e Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës 2021”, i cili këtë vit shënoi 30 vjetorin e themelimit, ishte në përbërje: Shkëlzen Berisha, regjisor, Albana Muja, dramaturge dhe Alban Shahiqi, aktor.

“Talia e flakës” është ndër festivalet e vetme të dramës kombëtare. / KultPlus.com