“Allo, allo!” premierë në teatrin e Gjakovës, dedikim për artistin Gurakuq Dobruna

Të shtunën me 7 nëntor në teatrin e qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu”, do të jepet shfaqja premierë “Allo, allo”, e regjisorit Ilir Bokshi, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet një postimi në Facebook, në faqen zyrtare të Teatrit të Qytetit Hadi Shehu. Në njoftim tregohet se premiera do të jepet në orën 19:00, si dhe do të respektohen të gjitha masat e nevojshme kundër Covid/19.

“Për arsye të respektimit të masave të përcaktuara për mbajtjen e aktiviteteve kulturore, numri i publikut do të jetë i limituar”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Premiera e shfaqjes “Allo, allo”, njëherish shënon edhe përkujtimin e artistit dhe mikut të regjisorit, Gurakuq Dobruna.

Në këtë shfaqje luajnë Bujar Ahmeti, Albulena Kryeziu – Bokshi, Besfort Berberi, Vlora Dervishi e shumë të tjerë./ KultPlus.com

Trupës së Teatrit të Qytetit në Gjakovë i shtohen 6 aktorë të rinjë

Teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” i janë shtuar edhe katërmbëdhjetë anëtarë të rinjë, ku në mesin e tyre përfshihen gjashtë aktorë, duke plotësuar kështu trupën e aktorëve të këtij teatri, shkruan KultPlus.

Ndër emrat e rinjë të skenës së teatrit të Gjakovës janë: Ylber Mehmeti, Yllka Lota, Vlera Pylla, Besfort Berberi, Edmond Uka si dhe Arvies Komoni. Ndërsa Muradije Muriqi është angazhuar në funksionin e aktores dhe organizatores dhe Myrvete Kurtishi në funksionin e aktores dhe përgjegjëses së skenë për të rinjë dhe fëmijë.

Kurse anëtarët e rinjë të stafit teknik të këtij teatri janë: Vegim Shehu tonist-rekuiziter, Servete Kryeziu pëshpëritëse, Kushtrim Saraqini mjeshtër dhe Ihja Shehu biletashitës.

Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në Facebook të Kuvendit Komunal të Gjakovës tregohet se kryetari i kësaj Komune, Ardian Gjini në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të kontratave të aktorëve të rinjë ka shprehur entuziazmin e tij për hapin e rëndësishëm që ka marrë ky teatër.

Gjithashtu bëhet e ditur se Gjini ka thënë se Komuna do të angazhohet që të shtojë numrin e aktorëve të teatrit të Gjakovës.

“Jam shumë i lumtur për ju, për faktin që mundi juaj po shpërblehet. Urime të gjithëve, shpresojmë që shumë shpejtë të shijojmë shfaqjet dhe sukseset tuaja të reja. Do të angazhohemi që pjesë e trupës tuaj të bëhen edhe aktorë të tjerë”, shkruhet ndër të tjera në postim.

Kurse përfaqësuesit e teatrit “Hadi Sehu” e kanë konsideruar si datë historike nënshkrimin e kontratave për katërmbëdhjetë anëtarët e rinjë të stafit, që tashmë kanë bërë plotësimin e ansamblin rezident të Teatrit.

“Datë historike për Teatrin tonë, duke falënderuar mbështetjen e plotë të kryetarit Ardian Gjini, punën e palodhshme të drejtorit Edi Kastrati, Asociacionit të Teatrove të Kosovës dhe gjithë faktorëve relevant, sot nënshkruan kontratat 14 anëtarët e ri të stafit duke e plotësuar ansamblin rezident të Teatrit. Ëndrra realitet, falë përkushtimit dhe lobimit shumëvjeçar”, është shkruar në faqen zyrtare të tetarit “Hadi Shehu”në Facebook. / KultPlus.com

Djali i aktorit Hadi Shehu, fjalë prekëse për të atin

Në mbledhjen e fundit për këtë vit të Asamblesë Komunale në Gjakovë, u miratua unanimisht pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, pika e rendit të ditës për emërtimin e ri të Teatrit të Qytetit me emrin e aktorit të madh të skenës gjithë kombëtare, Hadi Shehu dhe nga sot e tutje Teatri do të mbajë me përgjegjësi të plotë emrin “Teatri i Qytetit-Hadi Shehu”, shkruan KultPlus.

I nderuar për këtë vlerësim është shprehur edhe Betim Shehu, djali i Hadi Shehut. Ai përmes një statusi në Facebook ka falënderuar të gjithë për vlerësimin që i është bërë babait të tij, i cili shkriu jetën në atë teatër.

“Babi, sot Gjakova po te nderon me emertimin e Teatrit Hadi Shehu, si shenje mirnjohje dhe falenderimi i perjetshem per gjithe dashurine dhe kontributin tend per artin shqiptare dhe per Teatrin e Gjakoves, qe per ty ishte pjese e jetes, e buzqeshjes, e vajit, e kenges, e krenarise e atdhedashurise. Teatrit po i shkruhet me shkronja te arta emri Yt dhe gjithe Ne do ta ruajme me ndere dhe krenari!
Faleminderit Drejtorise se Teatrit dhe kolegeve te Teatrit per iniciativen,Drejtorise per Kulture, te gjithe Asambleisteve dhe Kuvendit komunal te Gjakoves.
Faleminderit gjithe popullit te Gjakoves dhe me gjere per mbeshtetjen morale!”, ka shkruar Betimi në facebook. / KultPlus.com

Teatri i Qytetit të Gjakovës merr emrin e aktorit Hadi Shehu

Sot është mbajtur mbledhja e shtatë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Gjakovës ku janë diskutuar dhjetë pika të rendit të ditës, ndër të tjera edhe ato në fushën e kulturës, përcjellë KultPlus.

Në mbledhjen e fundit për këtë vit të Asamblesë Komunale në Gjakovë, u miratua unanimisht pa asnjë votë kunder dhe asnjë abstenim, pika e rendit të ditës për emërtimin e ri të Teatrit të Qytetit me emrin e aktorit të madh të skenës gjithë kombëtare, Hadi Shehu dhe nga sot e tutje Teatri do të mbajë me përgjegjësi të plotë emrin “Teatri i Qytetit-Hadi Shehu”. / KultPlus.com

Agon Myftari sjellë ‘Këngëtarja Tullace’ në Teatrin e Qytetit të Gjakovës

Teatri i Qytetit të Gjakovës ka filluar provat për shfaqjen më të re e cila edhe do të hapë sezonin e dytë të teatrit. Bëhet fjalë për shfaqjen “Këngëtarja Tullace” e autorit Eugene lonesco, shfaqje kjo e cila vjen nën regjinë e Agon Myftarit, shkruan KultPlus.

Në qendër të komedisë, të cilën vet lonesco e ka cilësuar si antikomedi, janë tre çifte bashkëshortësh, të cilët rastësisht mblidhen në shtëpinë e një mikut të tyre. Dhe mes bisedave me njëri tjetrin merr jetë absurdi i veprës dhe vështirësitë që hasin në komunikim njerëz të së njëjtës kulturë.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Edi Kastrati, Edmond Hafizademi, Ylber Mehmeti, Vlera Pylla, Yllka Lota dhe Altina Kusari.

Antidrama e njohur e autorit Eugene lonesco, “Këngëtarja Tullace”, konsiderohet ndër kryeveprat e teatrit absurd. Dihet se kur ky tekst u inskenua për herë të parë, më 1948, në Paris, ishin shitur vetëm shtatë bileta. Natyrisht, shfaqja u anulua. Pas katër viteve, më 1952, shfaqja u kthye përsëri në repertor dhe pati sukses. Që nga ajo kohë, shfaqja nuk u largua më nga repertorët e teatrove botërorë.
Në Teatrin parisien të Komedisë ajo ka mbi 50 vjet që është pjesë e repertorit të rregullt.

Kjo shfaqje është mbështetur nga Komuna e Gjakovës – Drejtoria për Kulturë dhe Ministria e Kulturës. / KultPlus.com