Katër vite pa Hadi Shehun, Mulliqi: Në këtë botë, ishin të rrallë artistët dhe njerëzit si ti


Sot janë bërë plotë katër vite pa aktorin e njohur Hadi Shehun, shkruan KultPlus.

Hadi Shehu u lind në Gjakovë më 15 shkurt 1949 dhe vdiç poashtu në Gjakovë më 12 mars 2017

Në teatrin e Gjakovës, fillimisht si amator, aktron në moshën e re si nxënës. Është themelues i Teatrit Profesionist në Gjakovë dhe njëherë dhe Drejtor i këtij teatri deri në vitin 2007. Diplomoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, më 1974, në degën e artit dramatik, klasa e Faruk Begollit. Në skenën e Teatrit të Gjakovës ka realizuar me qindra role të paharruara dhe të mahnitshme në drama të ndryshme. Vlen të përmendën: “Fisheku në pajë”, “Njeriu me top”, “Epoka para Gjyqit”, “Monserati”, “Kur shpirti ndërron jetë”, etj.

Ka luajt në role kryesore në dhjetëra filma artistik, më të njohurit janë: “Gjurmë të bardha ” (1980), “Kur pranvera vonohet ” (1979), “Era dhe lisi ” (1979).

Në dramën televizive “Epoka para gjyqit” të regjisorit Ekrem Kryeziu, shkëlqeu dhe vërtetoi edhe një herë epitetin Aleksandër Moisiu i Kosovës.

Në vitin 2017, Teatri i Qytetit të Gjakovës u emëruar me emrin e aktorit të madh të skenës gjithë kombëtare, Hadi Shehu dhe sot teatri mban emrin “Teatri i Qytetit-Hadi Shehu”. 

Ndërsa sot, në katër vjetorin e vdekjes së aktorit të njohur, atë e ka kujtuar edhe miku i tij Haqif Mulliqi, i cili duke shprehur dhimbjen për mungesën e tij, njëkohësisht e vlerëson lart edhe artin e Shehut.

“Hadi, vëllai
U bënë katër vjet nga kalimi yt në amëshim. Ikja jote ma mbushi zemren me dhembje! Në këtë botë, ishin të rrallë artistët dhe njerëzit si ti, vëllaçko! Por jeta është e këtillë.
Prehu në paqen tënde, Artist i madh.
Po na mungom shumë”, shkruan Mulliqi. / KultPlus.com

Trupës së Teatrit të Qytetit në Gjakovë i shtohen 6 aktorë të rinjë

Teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” i janë shtuar edhe katërmbëdhjetë anëtarë të rinjë, ku në mesin e tyre përfshihen gjashtë aktorë, duke plotësuar kështu trupën e aktorëve të këtij teatri, shkruan KultPlus.

Ndër emrat e rinjë të skenës së teatrit të Gjakovës janë: Ylber Mehmeti, Yllka Lota, Vlera Pylla, Besfort Berberi, Edmond Uka si dhe Arvies Komoni. Ndërsa Muradije Muriqi është angazhuar në funksionin e aktores dhe organizatores dhe Myrvete Kurtishi në funksionin e aktores dhe përgjegjëses së skenë për të rinjë dhe fëmijë.

Kurse anëtarët e rinjë të stafit teknik të këtij teatri janë: Vegim Shehu tonist-rekuiziter, Servete Kryeziu pëshpëritëse, Kushtrim Saraqini mjeshtër dhe Ihja Shehu biletashitës.

Nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në Facebook të Kuvendit Komunal të Gjakovës tregohet se kryetari i kësaj Komune, Ardian Gjini në ceremoninë zyrtare të nënshkrimit të kontratave të aktorëve të rinjë ka shprehur entuziazmin e tij për hapin e rëndësishëm që ka marrë ky teatër.

Gjithashtu bëhet e ditur se Gjini ka thënë se Komuna do të angazhohet që të shtojë numrin e aktorëve të teatrit të Gjakovës.

“Jam shumë i lumtur për ju, për faktin që mundi juaj po shpërblehet. Urime të gjithëve, shpresojmë që shumë shpejtë të shijojmë shfaqjet dhe sukseset tuaja të reja. Do të angazhohemi që pjesë e trupës tuaj të bëhen edhe aktorë të tjerë”, shkruhet ndër të tjera në postim.

Kurse përfaqësuesit e teatrit “Hadi Sehu” e kanë konsideruar si datë historike nënshkrimin e kontratave për katërmbëdhjetë anëtarët e rinjë të stafit, që tashmë kanë bërë plotësimin e ansamblin rezident të Teatrit.

“Datë historike për Teatrin tonë, duke falënderuar mbështetjen e plotë të kryetarit Ardian Gjini, punën e palodhshme të drejtorit Edi Kastrati, Asociacionit të Teatrove të Kosovës dhe gjithë faktorëve relevant, sot nënshkruan kontratat 14 anëtarët e ri të stafit duke e plotësuar ansamblin rezident të Teatrit. Ëndrra realitet, falë përkushtimit dhe lobimit shumëvjeçar”, është shkruar në faqen zyrtare të tetarit “Hadi Shehu”në Facebook. / KultPlus.com

Të pathënat për një yll: E keni ditur se Hadi Shehut i falsifikohej nënshkrimi, kudo dhe kurdo

Vlera e një njeriu duhet parë në faktin se çfarë jep dhe jo në atë se çfarë është në gjendje të marrë! – A. Anjshtajni

Nga Behar Zenelaj

Dihet botërisht se çfarë i ofrojë shoqërisë Hadi Shehu, një emblemë e Gjakovës, Kosovës në botën teatrore dhe filmike shqiptare. Mund ta keni parë në filma, shfaqje teatrore apo lexuar shkrime në faqe interneti, gazeta, radio, tv kombëtare dhe ndërkombëtare. Ishte njeri nga themeluesit e Teatrit Profesionist të Gjakovës, drejtor për shume vite me radhë i Teatrit Popullor të Gjakovës dhe me vonë Teatrit Kombëtar të Gjakovës dhe i shumë e shumë aktiviteteve dhe punëve për të mirën e shoqërisë.

Por, qëllimi i këtij shkrimi nuk është që të flasim për ato që janë thënë, por për ato që nuk janë thënë, për një Yll!

E keni ditur që:

01. Hadiu ishte teatri dhe teatri ishte Hadiu?

Motoja e Teatrit të Gjakovës ishte “Pa Hadiun, s’ka teatër”, kjo u vërtetua pas largimit të Hadiut nga teatri?

02. E keni ditur se Hadi Shehu, ishte Baba, shokë, kolegë, drejtor dhe njëri i mirë?

03. E keni ditur se Hadi Shehu, ka refuzuar oferta nga teatrot dhe shtëpitë filmike të ish Jugosllavisë, për Teatrin e Gjakovës, Kosovës, pasi që në atë kohë ishte vetëm një Teatër Profesionist ne Kosovë- Teatri Krahinor i Prishtinës?

Si ia ktheu Gjakova/Kosova këtë sakrificë? Duke i sjellur 1001 probleme atij dhe kolegëve të tij në punë dhe veprimtarinë krijuese, artistike dhe duke i pensionuar para afatit ligjor, edhe pse dihet se KRIJUESI, krijon pa marr parasysh moshën.

04. E keni ditur se Hadiu, ishte i moralshëm dhe model ideal për aktorët? Ai, ka ditur dhe ka refuzuar role! Ka refuzuar dhe një rol në film, nga produksioni Jugosllav, vetëm se në një skenë që parashihej të zhvillohej, personazhi duhej te shkonte të binte në shtrat me bashkëshorten, duhej hequr pizhamet dhe nudo të futej në shtrat. Kamera, duhej të pozicionohej nga prapa personazhit dhe të filmonte prapanicën. Hadiu i madh e refuzoji. Kur e pyesnim pse? Thoshte: “Jo more, bythët e mija ti shofi në tv tërë Jugosllavia!”.

05. E keni ditur se Hadiu, ishte i njohur si bashkëshort, burrë besnik dhe i fjalës, nuk është shqetësuar nga askush dhe asgjë, por, ja që tmerrohej nga miu?

06. E keni ditur se Hadiu, dy gjëra ka treguar kujdes, respekt dhe nuk i ka tradhtuar kurrë, gruan dhe teatrin!

07. E keni ditur se Hadi Shehu është njohur si Lokomotiva e Teatrit të Gjakovës? Dhe kjo gjë përditë e me shume po vërtetohet.

08. E keni ditur se të gjitha partitë, si ne nivelin lokal ashtu dhe në atë qendrorë; (PDK, LDK, AAK dhe AKR) kontribuuan që kjo lokomotivë dhe vagonët e saj të dalin jashtë funksionit dhe të zëvendësoheshin me njerëz të ri, familjarë apo anëtar ngjyrosur me ngjyra partive të tyre? Përjashtim ka bërë Ministri Bexhet Brajshori, respekt për të!

09. E keni ditur se të gjitha këto parti, kur ishte në pyetje Hadiu si individ, jashtë Teatrit të Gjakovës e ndihmonin në të gjitha mënyrat, por për Hadiun në teatër dhe për teatrin si institucion, ato e gjenin gjuhën e përbashkët dhe unifikoheshin, unifikonin edhe qëndrimet e tyre, unifikim në bllokime dhe pengime?

Pse jo teatri? Pse pikërisht Teatri Popullor i Gjakovës?

Mbase, se ishte i vetmi qytet me kulturë të lartë dhe me 98% të popullsisë shqiptare, me vetëm 2% shkije, dhe kjo s’ju pëlqente. Për regjimet shtetërore Gjakova ishte halë në sy!

10. Hadi Shehu, u largua me dinakëri, me pabesi nga pushtetarët dhe kurrë më nuk i është mundësuar për tu kthyer më teatrit as si drejtor dhe as si aktor i rregullt i kësaj trupe, me arsyetime banale; drejtor, duhej zgjedhur një me fakultet, ndërsa si aktor, i pengonte gjendja e keqe shëndetësore e tij, edhe pse Hadiu luajti edhe disa role në teatër, por jo më si punëtor i rregullt i tij?

11. E keni ditur, se si para dhe pas lufte, kur donin ta sulmonin Teatrin Popullor të Gjakovës, së pari i suleshin Hadiut?

12. Hadi Shehut i është hapur konkurs për ti marrë vendin e punës nga Masat e Dhunshme-Serbe Para Lufte dhe Pas Luftës nga pushteti ynë?

Periudha e viteve 1990/98 dhe 99/2007, ka qenë me e mundimshmja për atë si njëri, drejtor dhe figurë publike?

Pas lufte, gjatë operimit për transplantim të veshkave në Curih të Zvicrës, Hadiu u shkarkua nga pozita e drejtorit të Teatrit Popullor të Gjakovës, nga ana a MKRS.

Vlen të theksohet, se ishin pikërisht publiku artdashës i diasporës të cilët ia mundësuan Hadiut të hospitalizohej dhe të grumbullonin mjete financiare për operim. Gurbetqarët duhet falënderuar! E ndihmuan edhe kolegët; Hysen Binaku dhe Nimon Muçaj, duke dhënë shfaqje në Zvicër dhe duke mbledhur mjete për operim. Të dytë do të jenë pjesë e grupit që largohen nga puna më vonë!

13. E keni ditur se nga presioni publik, solidarizimi i popullit me revoltimet dhe protestimet e drejta të aktorëve ndaj institucioneve të shtetit, është rikthyer Hadiu, por jo si aktor apo drejtor teatri, por si kryetar i Këshillit për Teatër. Kjo i bije në të njëjtën kohë në teatër por jashtë teatrit, me një zyre të posaçme për të, dhe është pensionuar si kryetar i Këshillit për Teatër dhe me kod pagese të një bibliotekistëje?

14. E keni ditur se Hadiut i janë larguar, pushuar, pardon marrë kodet e pagave shumica e kolegëve-aktorëve dhe kurrë më nuk u janë kthyer, kanë mbetur të papunë?

15. E keni ditur se Hadiun e eliminuan në konkurs me motivacionin se nuk mjaftonte Shkolla e Lartë e Artit Dramatikë, dhe kërkohej Fakulteti?

Sqarim: në kohën kur Hadiu, mbarojë Shkollën e Lartë të Artit, nuk kishte fakultet!

Edhe pse më vonë të emëruarit e ri (punësuarit, artistet) ishin pa ndonjë kredibilitet moral dhe profesional, kishin diploma nga shkolla e mesme ose institucione tjera fantazma, si Skemat Piramidale në Shqipëri që u shuan po aq shpejtë sa që u formuan, sapo i shpërndanë diplomat?

16. E keni ditur se Hadiut, ju dëbua, pardon, ju morr kodi vëllait të tij (I.Sh, invalid nga aksidenti i Teatrit të Gjakovës i shumë viteve më parë, dhe biletashitës i teatrit) dhe djalit, V. Sh. (fonist dhe rekuiziter ) nga teatri dhe kurrë më nuk u kthyen si punëtor të rregullt të këtij institucioni?

17. E keni ditur se gjithmonë jo vetëm nga pushteti por, edhe argatët e tyre në institucione, kolegët, artistët palaço, lakmitar që synonin ti uzurponin pozitën, sepse madhësia dhe shkëlqimi i këtij ylli i ëerbonte, i linte në errësirë madhësinë e tyre prej miushi, si njerëz dhe krijues ?

18. E keni ditur se Hadi Shehut, i falsifikohej nënshkrimi, kudo dhe kurdo, bile ne mënyrë profesionale, bile edhe në dok. zyrtare. Rastësisht, falsifikatoret po zunë duke nënshkruar firmën e Hadiut, arsyetoheshin se është i sëmurë dhe i ka autorizuar ai, dhe se kohët e fundit nuk po sheh për ta nënshkruar? Gjë që nuk qëndronte!

19. E keni ditur se përgjatë menaxhimit të Hadi Shehut, pas luftës, punëtorëve të Teatrit të Gjakovës, nuk u janë paguar Obligimet Pensionale, edhe pse krejt kohën është besuar nga ata dhe Hadiu se u paguhej me rregull? Tani nuk ju njihet stazhi i punës në Teatër të Gjakovës!

20. E keni ditur, se menaxhimi i Teatrit të Gjakovës pas periudhës së H. Sh. është bërë arenë interesash, punësimesh, keq menaxhimesh, shpërdorimesh dhe hajnive?

21. E keni ditur se familja e H. Sh. ka pasur raste të vështira financiare, për shkak të papunësisë së krijuar nga pushteti, pushtetarët dhe argatët e tyre të instaluar në teatër dhe kulturë keqpërdornin, shpërdoronin qindra e mijëra euro?

22. E keni ditur se në Gjakovë, flitet e përflitet se si gjësende dhe dokumentacione zyrtare të arkivuara me kujdes dhe mund nga periudha e Hadiut si trashëgimi e teatrit, pas dëbimit të Hadiut dhe menaxhimit nga menaxhuesit e ri, janë hedhur në shporte të mbeturinave, për të humbur çdo gjurmë?

Thuhet se janë gjetur në kazan plehrash dhe janë dërguar në Muzeun e Qytetit të Gjakovës, për tu ruajtur!

23. Emërtimi i Teatri të Gjakovës, Teatri i Qytetit -Hadi Shehu, është bërë për të mbuluar degradimin dhe zhvlerësimin që i është bërë teatrit (veprës, punës dhe jetës së Hadiut dhe kolegëve) dhe për të qetësuar, manipuluar zemërimin, pakënaqësinë familjare dhe publike?

Që manipuluesit kanë të njëjtën mendësi, dhe sistem hajnie e vërteton ky emërtim i Teatrit të Gjakovës. Ky emërtim iu ka dhënë mundësi për të mbuluar keqpërdorimet dhe iu ka shërbyer si mbulesë për keqpërdorime të më vonshme.

Ky emërtim, na kujton Aeroportin e Prishtinës, që i vunë emrin e Heroit Adem Jashari, që më lehte ta vidhnin dhe keqpërdornin.

24. E dini se Miqtë e Teatrit, shiquesit, shijuesit e rregullt të artit skenik të Gjakovës që me mund u kultivuan për 40 vite me radhë nga Hadiu me kolegë, u eliminuan nga listat e Miqve të Teatrit të Gjakovës, dhe u zëvendësuan me të ri, taze?

25. Hadiu, ishte njëri nga themeluesit e Teatrit Popullor të Gjakovës, ( teatri i dytë profesionist në Kosovë) në kohën e Jugosllavisë që popullohej nga 26 mil. banorë, ndërsa këta 26 mil. njerëz njiheshin në botë si Jugosllav, d.m.th. Teatri i Hadiut, ishte teatër i 26 mil. njerëzve. (sqarim: Me termin POPULL, nënkuptohej të gjitha kombet e kombësitë që formuan Jugosllavinë). Ndërsa menaxhuesit e ri, e morën një teatër me një përvojë 40 vjeçare si teatër profesionist e zbriten disa shkallë me poshtë, në Teatër të Qytetit (si i qyteteve tjera që teatrot u formuan me dekrete – alla Haraqija), Teatër të Gjakovës, qytetit që banohet me 150 mijë banorë, dhe e emëruan Teatri i Qytetit Hadi Shehu, dhe gjithë këtë shoqëruar me bujë dhe ovacione të suksesit të madh që është arritur. Dhe për këtë “sukses të madh ” të arritur, meritor janë si niveli lokal edhe ai qendror dhe e tërë kjo është mbështetur kinse me ligj!

26. Vendimi i MKRS të Kosovës për emërtimin i Pullës Postare të PTT së Kosovës, me figurën dhe emrin e të madhit Hadi Shehu, është meritor për Hadiun dhe nderë për kolegët e ti si dhe për qytetarët e artdashës të Kosovës.

Po Hadi Shehu nuk u bë meritor pas vdekjes, por sa ishte gjallë, me punë, sakrificë dhe mundi!

Po atëherë pse nuk ju dha, vlerësua puna sa ishte gjallë, por pas vdekjes?

Kjo na bije para një përfundimi se, sa ishte gjallë nuk ja njihnit meritat, apo nuk donit të ja njihnit! Apo më mirë vonë se kurrë!

Thuhet se: “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar!”

Ky është një turp për pushtetarët e nivelit lokal dhe qendrorë përgjatë këtyre 20 viteve për të gjitha problemet që ja shkaktuan Hadiut dhe teatrit të tij, disa nga ato u cekën më lartë, dhe mos të mendojnë që do të rehabilitohen, amnistohen vetëm për këtë veprim të mirë që bënë!

Edhe njerëzit më të këqij në botë, nganjëherë bëjnë vepra të mira, por kjo s’mund ti lanë ata nga mëkatet, gabimet, dëmet e tyre trashanike që bënë ndaj shoqërisë dhe figurave të dashura të tyre!

Kjo pra ishte ana tjetër e medaljes. Ky pra ishte Hadi Shehu që kishte shumë cilësi artistike dhe njerëzore.

Çka do të thoshte Hadiu, për të gjithë këto sikur të ishte gjallë?

Autori është punëtorë, aktor dhe kolegë i Hadiut

MA. Behar Zenelaj, regjisor dhe aktor. /KultPlus.com

Behar Zenelaj

Pulla postare dedikuar aktorit Hadi Shehu, i dorëzohet familjarëve të aktorit

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi bashkë me përfaqësuesit e Postës së Kosovës, priti sot në takim familjarët e aktorit Hadi Shehu, me ç’rast ju dorëzua pulla postare si shenjë respekti për punën dhe kontributin e dhënë nga aktori Shehu, shkruan KultPlus.

Gashi është shprehur se aktori Shehu ishte një artist i veçantë që ka lënë gjurmë në skenën kulturore.

“Sot, bashkë me përfaqësuesit e Postës së Kosovës, prita në takim familjarë të aktorit Hadi Shehu, me ç’rast ia dorëzova pullën postare si shenjë respekti për punën dhe kontributin e dhënë nga aktori Shehu. Lansimi i pullës postare dedikuar aktorit Hadi Shehu, është vlerësim i lartë për figurën e tij në artin vendor si një prej artistëve të veçantë, i cili ka lënë gjurmë në skenën kulturore në vendin tonë duke luajtur në role kryesore në dhjetra filma artistik”, ka shkruar Gashi. / KultPlus.com

Skena në heshtje, 1 vit pa Hadi Shehun

Sot bëhen 1 vit nga ndarja nga jeta e aktorit të mirënjohur kosovar Hadi Shehu, shkruan KultPlus. Shehu ndërroi jetë në moshën 68-vjeçare më 12 mars të vitit 2017.

Në këtë ditë, Shehu, është përkujtuar nga biri i tij Betim Shehu, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook:

“Sot behet nje vit prej kur ti ike nga kjo bote.

Kam shume per te thene…aq shume…sa ishte edhe vepra jote, e cila perjetesisht na bene krenar. Sot nje vit skena heshti, skenografia mbeti e ngrire, perdret rrinin gaditu e dritat u fiken.
“Na la HADIU” ishte kryefjala e gjithe shqiptareve te cilet ishin tronditur nga ky lajm. Interpretove figura te Heronjve dhe Rilindasve shqiptare, te cilet te dhane force qe edhe ne jeten tende te jesh nje atdhetare sypatrembur e nje shqiptar i madh.
Jeta te solli sfida te ndryshme por ato i tejkaloje burrerish gjithnje duke pase ne krahe bashkeshorten tende fisnike,Nerzanin. Faleminderit babi per gjithçka bere per Artin, per Gjakoven, per Kosoven e shqiptaret. Do te vazhdojme te jetojme me mburrje me emrin tend te madh HADI!
I perjetshem kujtimi per ty!”, ka shkruar Betim Shehu.
/ KultPlus.com

Bëhet gati platoja për kremtimin e 40 vjetorit të teatrit ‘Hadi Shehu’ në Gjakovë (FOTO)

Kjo është pamja që ka marrë platoja e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë.

Aty po bëhen përgatitje për kremtimin e 40 vjetorit të teatrit që mban emrin e aktorit të shquar nga Gjakova, tashmë i ndjerë Hadi Shehu.

Ndërhyrjen në këtë pjesë e kanë bërë artistët Almir Meqa, Alban Kupa e Fisnik Caka. Mbështetjen financiare për sigurimin e ngjyrave e ka bërë një Qendër Tregtare në këtë qytet./ KultPlus.com


‘Martir’ me regji të Fatos Berishës, pjesëmarrëse në ‘SkupiFestival’

Të shtunën më 14 tetor në edicioni e njëmbëdhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove ‘SkupiFestival’, do të jepet shfaqja nga Teatri i Qytetit të Gjakovës ‘Hadi Shehu’ ‘Martir’, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje që përfaqëson Kosovën në këtë festival në Maqedoni, vjen me regji të regjisorit Fatos Berisha.

Shfaqja sjellë në kastën e aktorëve: Besfort Berberi, Yllka Pylla, Edmond Hafizademi, Bujar Ahmeti, Muradije Muriqi, Arbies Komoni, Ylber Mehmeti, Yllka Lota, Myrvete Kurtishi dhe Ahmet Bakija.

‘Martir’, shfaqet të shtunën më 14 tetor me fillim nga ora 20:00 në QKR (MKC)-Salla Frosina ndërsa festivali ndërkombëtar i teatrove ‘SkupiFestival’, nisë nesër në Shkup/ KultPlus.com

Djali i aktorit Hadi Shehu, fjalë prekëse për të atin

Në mbledhjen e fundit për këtë vit të Asamblesë Komunale në Gjakovë, u miratua unanimisht pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim, pika e rendit të ditës për emërtimin e ri të Teatrit të Qytetit me emrin e aktorit të madh të skenës gjithë kombëtare, Hadi Shehu dhe nga sot e tutje Teatri do të mbajë me përgjegjësi të plotë emrin “Teatri i Qytetit-Hadi Shehu”, shkruan KultPlus.

I nderuar për këtë vlerësim është shprehur edhe Betim Shehu, djali i Hadi Shehut. Ai përmes një statusi në Facebook ka falënderuar të gjithë për vlerësimin që i është bërë babait të tij, i cili shkriu jetën në atë teatër.

“Babi, sot Gjakova po te nderon me emertimin e Teatrit Hadi Shehu, si shenje mirnjohje dhe falenderimi i perjetshem per gjithe dashurine dhe kontributin tend per artin shqiptare dhe per Teatrin e Gjakoves, qe per ty ishte pjese e jetes, e buzqeshjes, e vajit, e kenges, e krenarise e atdhedashurise. Teatrit po i shkruhet me shkronja te arta emri Yt dhe gjithe Ne do ta ruajme me ndere dhe krenari!
Faleminderit Drejtorise se Teatrit dhe kolegeve te Teatrit per iniciativen,Drejtorise per Kulture, te gjithe Asambleisteve dhe Kuvendit komunal te Gjakoves.
Faleminderit gjithe popullit te Gjakoves dhe me gjere per mbeshtetjen morale!”, ka shkruar Betimi në facebook. / KultPlus.com

Teatri i Qytetit të Gjakovës merr emrin e aktorit Hadi Shehu

Sot është mbajtur mbledhja e shtatë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Gjakovës ku janë diskutuar dhjetë pika të rendit të ditës, ndër të tjera edhe ato në fushën e kulturës, përcjellë KultPlus.

Në mbledhjen e fundit për këtë vit të Asamblesë Komunale në Gjakovë, u miratua unanimisht pa asnjë votë kunder dhe asnjë abstenim, pika e rendit të ditës për emërtimin e ri të Teatrit të Qytetit me emrin e aktorit të madh të skenës gjithë kombëtare, Hadi Shehu dhe nga sot e tutje Teatri do të mbajë me përgjegjësi të plotë emrin “Teatri i Qytetit-Hadi Shehu”. / KultPlus.com