“Takim me shkrimtarin Fahredin Shehu” në Gjakovë

Kandi i librit në Gjakovë, organizon mbrëmje kulturore, “Takim me shkrimtarin Fahredin Shehu”, përcjellë KultPlus.

Në këtë event, do të prezantohet krijimtaria e Shehut, kritikat nga kritikët, poetët, botuesit dhe artistët më të njohur botëror në fushën e letërsisë, recital poetik dhe interpretim këngësh nga Sara Hajdari dhe Petrit Çarkaxhiu, i cili do të interpretoj këngë me tekste të Fahredin Shehut.

Eventi mbahet më 14 gusht, (e dielë), në parkun kulturor “Ali Podrimja”, në orën 20.30. / Kultlus.com

Violinisti Shkëlzen Doli i sjell meloditë më të bukura shqipe në Gjakovë

Violinisti i njohur shqiptar me famë botërore, Shkëlzen Doli do të mbajë koncert në Gjakovë.

“Shëtitje muzikore në nënqiellin gjakovar me meloditë më të bukura shqipe”, ka shkruar Doli në njoftimin e këtij koncerti.

Në këtë Promenadë verore siç e kanë quajtur organizatorët, do të performojnë edhe artistët nga Gjakova si: Vesa Smolica, Gentian Doli dhe Florent Abrashi.

Koncerti mbahet më datë 17 korrik, ora 20:30 në Xeni Imperial në Gjakovë. / KultPlus.com

Ndërhyrjet në Muzeun Etnografik në Gjakovë drejt fundit, Ceku: Çdo ditë punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë kulturore

Po bëhen prekjet e fundit para përmbylljes së ndërhyrjeve të Ministrisë së Kulturës në ndërtesën e Muzeut Etnografik në Gjakovë.

Ky aset i trashëgimisë kulturore me vlera të jashtëzakonshme dhe pikë reference e turizmit në Gjakovë po merr vëmendjen e merituar nga institucionet.

Muzeu Etnografik kishte nevojë urgjente për ndërhyrje, të cilat tani po i afrohen përmbylljes.

Ky muze po ashtu është përfshirë në analizën që ka ndërmarrë Ministria e Kulturës në kuadër të Programit Kombëtar për zhvillimin e muzeve në Kosovë.

Duke i ruajtur origjinalitetin dhe mbrojtur nga të gjitha dëmtimet që i janë shkaktuar ndër vite, muzeu do të shërbej dhe bart kujtesën kolektive tek brezat e ardhshëm.

“Çdo ditë punë të mira në mbrojtje të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar ministri i kulturës, Hajrulla Çeku. / KultPlus.com

Dorëzohen 16 kallëzime penale për krimet serbe në Gjakovë

Shoqata Krimet e Luftës Gjakova 98-99, do të dorëzojnë 16 kallëzime penale për krimet e kryera në komunën e Gjakovës.

Këto kallëzime do të dorëzohen në Policinë e Kosovës, në sektorin e krimeve të luftës.

Paditë përfshijnë vrasjet, plagosjet, torturat, pengjet e luftës dhe dëmet materiale.

Udhëheqësja e kësaj shoqate Shkëndije Hoda, tha për Klankosova.tv se janë akuzuar nga shteti serb se po bëjnë dëshmi të rrejshme.

“Ka pasur reagime nga shteti serb. Shoqata jonë është akuzuar se kinse ne po paraqesim dëshmi të rreme lidhur me rastet”- tha Hoda.

Hoda theksoi kanë informacione se dy nga anëtarët e shoqatës janë paditur nga Serbia.

“Ne kemi informacione por ende se kemi të konfirmuar se dy anëtarë të shoqatës sonë janë paditur nga Serbia se gjoja se kemi paraqitur dëshmi të rreme. Informacionet janë marrë nga avokatët por ende s’kemi informacione të sigurta”- theksoi ajo.

Ajo shtoi se kanë dëshmi të mjaftueshme për krimet e kryera në komunën e Gjakovës.

“Ne kemi informacione të mjaftueshme lidhur me të dyshuarit që kanë kryer krime të luftës, në bazë të dëshmitarëve që kanë ofruar të dhëna”- shtoi ajo.

“Kallëzimet përmbajnë informacionet nga dëshmitarët, deklaratat e tyre dhe në bazë të kësaj ne ju ndihmojmë të kompletojmë të dhënat në lidhje me të dyshuarit, emrin, mbiemrin, adresat se ku jetojmë. Po ashtu ne kemi edhe fotografi. Pra, një kallëzim penal përmban të dhëna deri në gjashtë faqe”, u shpreh ajo. /KultPlus.com

“Rrushja” e Jusuf Buxhovit, promovohet nesër në Gjakovë

Romani “Rrushja” nga Jusuf Buxhovi që doli nga shtypi para pak ditësh, nesër promovohet në Gjakovë, në orën 13, në Bibliotekën Komunale “Ibrahim “Rugova”, shkruan KultPlus.

“Rrushja” trajton plagët e luftës së fundit – dhunimet e femrave të kryera nga soldateska jugosllave, si pjesë e një koncepti morbid, që etnocidi ndaj popullatës shqiptare të përcillet edhe me “misionin e shenjtë”, të shpallur nga Kisha Ortodokse Serbe, që femrat e dhunuara shqiptare të lindin bastardët serbë!

‘Rrusha’, është njëra ndër mijëra viktima të këtij “misioni”, por e dhunuar dyfish: nga paramilitarët serbë, e dhe nga bashkëshorti i saj, i cili e vret dhe, mbas luftës, për t’i fshehur gjurmët e krimit, e shpallë “heroinë”!

Tragjedia e Rrushës, po edhe të tjerat që e përcollën atë, pasqyrohet nëpërmes rrëfimit të të birit, që si fëmijë përjetoi dramën, ku ai, po ashtu, shfaqet si viktimë e realiteteve të reja të pasluftës nga shkaku se çlirimi nuk është përkthyer në liri…

Romani u botua nga “Faik Konica”, Prishtinë dhe “Jalifat Publishing” – Houston, 2022, faqe 173. / KultPlus.com

Jepet premiera e shfaqjes ‘Kaligula’, ngjall emocione të jashtëzakonshme te publiku

Mbrëmë në Teatrin “Hadi Shehu” është shfaqur premiera e shfaqjes “Kaligula”, përcjell KultPlus.

Komuna e Gjakovës ka njoftuar për këtë shfaqje, derisa ka shkruar se kjo premierë ka ngjallur emocione të jashtëzakonshme te publiku.

Me një tekst të shkëlqyer nga Albert Kamy, regji impresionuese nga Kushtrim Mehmeti dhe lojë brilante të trupës së “Hadi Shehut”, kjo premierë ka ngjallur emocione të jashtëzakonshme tek publiku, i cili për herë të parë pas pandemisë po i kthehet teatrit në kapacitete të plota.

“Kaligula”, është edhe një tjetër dëshmi se Teatri “Hadi Shehu”, vazhdon të mbetet njëri prej tempujve të kulturës jo vetëm për Gjakovën por edhe më gjerë.

Në këtë premierë janë paraqitur aktorët Edi Gjakova, Yllka Lota, Besfort Berberi, Vlora Dervishi, Arbies Komoni, Muradije Muriqi, Myrvete Kurtishi, Valon Pallaska dhe Altina Kusari, ndërkaq në skenografi në mënyrë maestrale ka punuar skenografi Petrit Bakalli. /KultPlus.com

Hapet ekspozita “Thirrja e shpirtrave të humbur” e artistes Tina Hoda-Zoe (VIDEO)

Në përkushtim të personave të pa gjetur dhe të mbijeturave të luftës në Kosovë, të premten më 26 nëntor u mbajt ekspozita “Thirrja e shpirtrave të humbur” nga Tina Hoda – Zoe, përcjell KultPlus.

Ekspozita e mbajtur në Muzeun Abdullah Pashë Dreni në Gjakovë nga ora 17 :00, përfshiu instalacionin artistik “Thirrja e shpirtrave të humbur” ku përmes skulpturave u trajtua në mënyrë shumë-dimensionale, tema delikate e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Subjektet e skulpturave figurative – që janë njerëzit për të cilët ende nuk dihet fati i tyre u paraqitën përmes rikonstruktimit të pjesëve të trupit të tyre, të formësuara me anë të teknikës së modelimit. Si model të skulpturave, artistja ka përdorur simbolikisht dhe në mënyrë innovative, strukturën e formave të familjarëve të të zhdukurve që mishërojnë veçoritë tipike të tyre.

Skulpturat ngërthejnë në vete një histori sa unike aq edhe kolektive të vuajtjeve dhe dhembjeve shpirtërore, që komunikojnë qartazi me audiencën dhe përcjellin tek ta mesazhe të fuqishme, duka ngjallur brenda tyre empatinë e të jetuarit me humbjen e pakuptimtë të të afërmve. Instalacioni gjithashtu krijon një vetëdije për fytyrat e të dashurve të zhdukur, e nga ana tjetër familjarëve të tyre u ofron mbështetje duke i siguruar se ata nuk janë vetë, në këtë çështje dhe se komuniteti ndan shqetësimin me ta. (Gjakush Çapari)

Projekti “Thirrja e shpirtrave të humbur” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe nga Drejtoria e Kulturës, Komuna e Gjakovës.

“Videoja më poshtë është realizuar duke u djeg djepi dhe të njëjtin djep e kam përdorur në ekspozitë ku i është shtuar dhe dora”, thotë artistja për KultPlus. / KultPlus.com

Nxënësja bashkë më profesorin e saj realizuan mural brenda shkollës “Hajdar Dushi”, në Gjakovë

Bashkëpunimi në mes të profesorit dhe nxënëses së tij solli ngjyra dhe një pamje të re brenda mureve të gjimnazit ‘Hajdar Dushi’ në Gjakovë. Puna e të dyve bashkë solli muralin me imazhin e duarve që i zgjaten njëra tjetrës, si synim për të përçuar afirmitetin dhe respektin që duhet të kemi me njëri tjetrin, shkruan KultPlus.

Nxënësja Berna Ajdini së bashku me profesorin e saj Armend Zeqa punuan rreth një javë, pas orarit të mësimit për të realizuar një mural të tillë brenda gjimnazit ‘Hajdar Dushi’.

Në një prononcim për KultPlus, profesori i artit Armend Zeqa tha se ideja e këtij murali ishte e nxënëses së tij, ndërkaq realizimin e kësaj ideje e bënë së bashku.

Tutje ai ka shtuar se murali në vetvete përmban si mesazh respektin që si njerëz duhet ti japim njëri tjetrit qoftë brenda por edhe jashtë mureve të shkollës.

“Mesazhi i pikturës është respekti dhe afirmiteti që ne si njerëz, por dhe brenda shkollës si nxënës japim dhe gjejmë tek njëri tjetri”, pohoi ai.

Krejt në fund profesori ka treguar se bërja e një murali të tillë në muret e shkollës ku ai punon ka gjetur një mbështetje si nga menaxhmenti i shkollës, ashtu dhe nxënësit të cilët dhe e kanë pritur mjaft mirë./ KultPlus.com

MuralFest Kosovo do të mbahet edhe në qytetin e Gjakovës

MurlFest Kosova këtë do të mbahet edhe në qytetin e Gjakovës, shkruan KultPlus.

Kjo është bërë ditur nga një postim i bërë në faqen zyrtare të Komunës së Gjakovës, ku shkruhet se kryetari i kësaj komunë, Adrian Gjini është shprehur i gatshëm që të mbështesë këtë ngjarje me të gjitha kapacitetet që disponon institucioni që ai udhëheq.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë:   

Këtë vit MuralFest Kosovo do të mbahet edhe në Gjakovë!

Rreth organizimit të kësaj ngjarjeje, Kryetari i Komunës, Ardian Gjini ka pritur në takim Drejtoreshën e këtij Festivali, Lebibe Topalli dhe të rinjë të Gjakovës të cilët po angazhohen për jetësimin e këtij projekti. 

Kryetari Gjini është shprehur i gatshëm që të mbështesë këtë ngjarje me të gjitha kapacitetet që disponon institucioni që ai udhëheq./ KultPlus.com

MuralFest Kosova këtë edicion edhe në Gjakovë 👊 #muralfestkosovo #komunagjakovë #edicioniVI #home #muralfest2021 #ferizajgjakovë #kosovë

Posted by MuralFest Kosovo on Wednesday, March 17, 2021

Gjenden mbetje mortore në Gjakovë, trupi i personit ishte me veshje ushtarake dhe emblemë të UÇK-së

Stacioni policor në Gjakovë ka pranuar informatë se në varrezat e qytetit të Gjakovës që janë me lokacion në lagjen e Brekocit, në vendin ku janë të varrosur dëshmorët e luftës së fundit në Kosovë, janë gjetur mbetje mortore të një personi të pa identifikuar- panjohur, e që ishte me veshje ushtarake dhe emblemë të UÇK-së.

Patrulla policore ka dalë në vend të ngjarje, ka kontaktuar me dëshmitarin e rastit, e që është dhe punëtor i varrezave të qytetit,  dhe  njofton se derisa po hapte një gropë varri ka hasur në mbetjet mortore në fjalë.

Dyshohet se mbetjet mortore i përkasin një ushtari të UÇK-së, deri tani të pa identifikuar, gjithashtu nuk dihet dhe nga kush është varrosur aty.

 Në vendngjarje ka dalë njësia e hetimeve të stacionit policor – Gjakovë, ato Rajonale dhe pritet së shpejti të dali edhe Njësia qendrore e Hetimit të Krimeve të Luftës. / Indeks online / KultPlus.com

Fshati i Gjakovës merr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, krahasohet me Nju Jorkun dhe Moskën

Fshati Pjetërshtan i cili gjendet pak kilometra larg Gjakovës i cili çdo fund vit dekorohet dhe kthehet në një pamje magjike ka marrë edhe vëmendjen e mediave botërore.

Euronews i ka kushtuar një kronikë, dekorimit të Pjetërshtanit për Krishtlindje dhe Vit të Ri.

Ata madje e kanë krahasuar dekorimin e këtij fshati me pamjen e mrekullueshme që merr Nju Jork dhe Moska për festat e fundvitit.

Si çdo vit edhe këtë vit banorët e kanë stolisur hapësirën rreth famullisë, dhe kjo gjë e ka bërë fshatin piktoresk.

Me pamjen e mrekullueshme që merr në fundvit Pjetërshtani është një ide e mirë për ta vizituar dhe shijuar dekorimin e tij përrallor./ KultPlus.com

https://streamable.com/e/f2ewrq

Ekspozitë protestuese në Gjakovë, shpalosen fotografitë e 112 fëmijëve të vrarë në luftë

“112 Dhimbje dhe Krenari” është ekspozita përmes secilës do të protestohet për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë, përcjell KultPlus.

Kjo ekspozitë është e organizuar nga Shoqata ‘Krimet e Luftës Gjakova 98-99’, derisa aty do shfaqen 112 foto të fëmijëve të vrarë në Komunën e Gjakovës, gjatë luftës së fundin në Kosovë 98-99.

“Janë momente qoftë dhe të fundit, për të gjithë ata të cilët votuan dhe gabuan, për të ndërtuar një Gjykatë Speciale mbi gjakun e Dëshmorëve dhe Martirëve, mbi gjymtyrët dhe bekimin e luftës së Invalidëve e Veteranëve, mbi mundin dhe sakrificën e çdo qytetari që humbën më të dashurit e tyre, ku ky gabim i nënshkrimit dhe vulosjes së realizimit të punës së njëanshme të Gjykatës Speciale, po sjellë dëshmi të rrejshme, e themeluar dhe iniciuar për të mohuar luftën e lavdishme të popullit shqiptar në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Ekspozita do të hapet të mërkurën më datë 07 tetor dhe do të qëndroj e hapur deri më 10 tetor, në Pallatin e Kulturës ‘Asim Vokshi’ në Gjakovë. / KultPlus.com

Në Gjakovë u mbajt Mitingu i 56-të i poezisë

Shkruan Engjëll I. Berisha

Në një tjëtër format, online, u mbajt Mitingu tradicional duke ruajtur të gjitha format e saj, vetem se nuk ishin prezent në sallë poetët, por, me zërin e tyre u përcollën nga publiku gjakovar dhe më gjerë kudo që adhurohet fjala poetike. Në Bibliotekën Publike “Ibrahim Rugova”, Klub i letrar “Gjon Nikollë Kazazi”, organizoi manifestimin letrar i nisur para 56 vjetëve nga krijues që sot janë të pashmangshëm nga historia e letërsisë shqipe dhe më gjerë.

Ky vit, i kërcënuar nga epidemia, ka bërë që të gjitha manifestimet të mbahen online, me programin zoom, që mbase, nuk ka kënaqur edhe aq publikun, por gjithsesi është mbajtur gjallë jeta kulturore. Gjakova, dikur mitingun e kishte festë, kësaj radhe nga kamera e TV Syrit dhe Radio Gjakovës, me ndihmen e Minsitrisë për Kulturë Rini e Sport dhe Drejtorisë për Kulturë nga Komuna e Gjakovës, nuk e humbi traditën dhe solli para në monitor poetë të shumtë, e fitues të çmimeve për veprat më të mira të botuara në mes dy mitingjeve në poezi e në prozë, si dhe për poezinë më të mirë garuese të lexuar gjatë mbrëmjes.

Tribuna letrare: “Të rinjtë dhe botimet sot”

Si gjithmonë, Mitingu nisi me Tribunën letrare, debat për krijimtarinë, duke zgjedhur për temë “Të rinjtë dhe botimet sot”, për ta bërër një llogari se sa lexohet, sa shkruhet dhe sa jane të njohura gjeneratat e reja me letërsinë, e cila po krijohet, sikur u tha, e pa u vërejtur sa duhet nga kritika, ngase publikohet në rrjete elektronike dhe më oakë e shtypur, si dhe, nëpër shtëpi botuese që janë jashtë redakturave të mirëfillta. Temën e ligjëroi Dr. Prof. Sali Bashota, shkrimtarë e vrojtues i letërsisë nga Universiteti i Prishtinës, si dhe Mr.Sc. Engjëll I. Berisha, punëtorë bibliotekarë.

Leximi i poezive në Orën Qëndrore të Mitingut për çmimin “Ali Podrimja”.

Leximi i poezive, konkuruese, çmimet dhe pjesmarrja e poetëve ndërkombëtarë, mëtonte ta ruajë qëllimin e mbajtjes së Mitingut, gjë që u realizua deri në një masë, duke që të gjitha aq sa planifikohej.

Leximi i poezive nisë me poetin humanist, fitues i çmimit Nobel, Ernesto Kahan, që, solli një poezi dhe një përshëndetje më të ngrohtë se kurrë nga momenti i fundit i njohjes së shtetit të Izraelit që i blri Kosovës. Vazhdoi me leximin e poezisë nga Besnik Mustafaj, në Tiranë, Maria Miraglia nga Italia, Agron Tufa, Zvicër. Alicia Kuberska, Poloni. Sali Bashota Prishtinë. Entela Kasi,Tiranë. Shaip Emërllahu, Tetovë. Anton Gojçaj, Tuz. Kujtim Morina, Kukës. Vlora Konushevci, Prishtinë. Jeton Kelmendi, Belgjikë. Ylli Çela, ShBA. Ramë Oraca, Podujevë. Servet Bytyçi, Londër. Tixhe Gërçari, Jetlira B. Avdija, Dafina Roka dhe Laureta Rexha.

Duke qenë se leximi i poezive është konkurruese për poezinë më të mirë të lexuar gjatë mbrëmjes, fitues u shpall Entela Kasi, nga Tirana.

Çmimi për ndërkombëtarë “Nënë Tereza”.

Për nderim e respekt të krijuesve që sjellin të botuara veprat e tyre në gjuhën shqipe, si dhe ndajnë frymë humane me mesazhe për virtyte njerëzore me krijimtarinë e tyre, ndahet çmimi me emrin e humanistes shqiptare “Nënë Tereza”. Këtë vit, fituese është poetja italiane, e njohur për lexuesin shqiptar, Maria Miraglia. E njohur në Kosovë, Maria Miraglia, me botimin në gjuhën shqipe, edituar nga IWA Bogdani, poezia e saj vjen te lexuesi me ndjenjën humane që shprehë dashurinë ndaj njerëzimit, dhe diversitetit kulturor për ti bashkuar popujt në kuptim të së mirës.

Çmimet tradicionale i Mitingut “Din Mehmeti”, poezia më e mirë në mes dy mitingjeve.


Konkuruan për këtë çmim shumë autor, por juria ka përzgjedhur pesë libra për në rrethin e ngushtë, e që janë: -Zonja asnjeri zoti askurrkush” i autorit Agron Tufa. -” Më lanë edhe pa këngë”, i autorit Naim Fetaj. -“Nëpër galaktikën që e ke krijuar vetë”, e autorit Pal Ndrecaj. -” Një ardhje tjetër” e autorit Jeton Kelmendi. -“Shënime të pamjaftueshme” e autorit Imer Topanica.

E fituan këtë çmim “Din Mehmeti”, libri më i mirë poetik, botuar ndërmjet dy mitingjeve “Zonja asnjeri zoti askurrkush” i autorit Agron Tufa, Dhe “Një ardhje tjetër” e autorit Jeton Kelmendi.

Çmimi për prozë, dramë ose roman “Teki Dërvishi”

Po ashtu, për çmimin ” Teki Dervishi”, proza më e mirë, dhe drama më e mirë, që ndahet për herë të parë, në këtë miting, për të cilin ka pasur prurje të shumta në prozë, por jo në dramë, juria ka përzgjedhur   “Dëmtuar gjatë rrugës” e autorit Besnik Mustafaj. -“Ata dy të burgjeve” e autorit Ibrahim Kadriu.

Çmimi për krijuesin debutues “Yllka Domi”

Ky çmim, po ashtu tradicional, iu nda krijueses Jetlira B. Avdija, që tani është bërë i njohur me disa romane, poezi e shumë vepra tjera që pret të botohen këtyre ditëve.

Çmimin e nisur para tri viteve për vepër jetësore, çmimi i Klubit letrar “Gj.N.Kazazi” e fitoi autori i shumë veprave me poezi e prozë, Tahir Bezhani, anëtar i ditëve të hershme të klubit.

Mitingu i sivjetëm dha mundësi për pjesmarrje nga të gjitha qendrat botërore duke shprehur entuziazë për ruajtjen e traditës dhe të kultivimit të vlerave letrare që edhe e ka për mision ky manifestim. Krej kjo u bë me angazhimin e Klubit letrar “Gj.N.Kazazi”, i ndihmuar nga Ministria e Kulturës Rinisë e Sportit të Kosovës dhe nga Drejtoria për Kulturë Rini e Sport të Komunsë së Gjakovës./ KultPlus.com

Trendi botëror i kinemasë në makina vjen në Kosovë

Shikimi i filmave dhe shkuarja në kinema jo çdo herë bëhet në ambiente të mbyllura, Organizata jo Qeveritare “Du Art” do të sjellë trendin e kinemasë me makina në qytetin e Gjakovës, shkruan KultPlus.

Në njoftimin e bërë nga ana e OJQ-së në faqen e tyre në Facebook tregohet se trendi i kinemasë në makina “Drive – In Cinema” shumë shpejt do të zhvillohet në qytetin e Gjakovës, me një ekran gjigand dhe në një lokacion ideal.

Më poshtë mund të lexoni njoftimin e tyre të plotë:

DRIVE-IN CINEMA NË GJAKOVË!

Trendi botëror i kinemasë në makina vjen në Kosovë. OJQ DU ART, organizatore e Parku Kulturor “Ali Podrimja”, në bashkëpunim me MTLK sjellin ekranin gjigant në një lokacion ideal.

Së shpejti me informacione të detajuara./ KultPlus.com

DRIVE-IN CINEMA NË GJAKOVË!Trendi botëror i kinemasë në makina vjen në Kosovë. OJQ DU ART, organizatore e Parku Kulturor "Ali Podrimja", në bashkëpunim me MTLK sjellin ekranin gjigant në një lokacion ideal.Së shpejti me informacione të detajuara.#driveincinema

Gepostet von Ledi Gjini am Montag, 7. September 2020

Hyrje të paautorizuara në Liqenin e Radoniqit

Me fillimin e sezonit veror, në Liqenin e Radoniqit është vërejtur një fluks i madh i qytetarëve të cilët me qëllim freskimi, përkundër ndalesës nga ana e KRU “Gjakova”, me të cilën ndalohet hyrja në Liqe e të gjitha automjeteve dhe qytetarëve të cilët kanë synim larjen në Liqe apo aktivitete të tjera, persona të pa përgjegjshëm po shfrytëzojnë hyrje të tjera përreth Liqenit që të kenë qasje në Liqe.

KRU “Gjakova”sh.a, me synim të mbrojtjes së Liqenit të Radoniqit, nga veprimet e dëmshme që ndikojnë në ndotjen dhe dëmtimin e Liqenit si dhe zbatimin e kërkesave të cilat dalin nga Ligji në fuqi në Kosovë, mbi Ujërat, Urdhëresat Administrative si dhe vendimin e Inspektoriatit të MMPH, apelon tek të gjithë qytetarët që të respektojnë këto ndalesa dhe të ndalen veprime të tilla të cilat synojnë të dëmtojnë kualitetin e ujit të Liqenit si dhe në raste aksidenti, dëmtimi, apo lëndimi në njerëz ne si Institucion nuk mbajmë përgjegjësi.

Sipas njoftimit KRU “Gjakova” në bashkëpunim me Stacionin Policor-Gjakovë janë mobilizuar në teren në inspektimin e gjendjes së krijuar dhe ndaj personave të cilët nuk respektojnë këto ndalesa do të pasojnë dënimet e parapara sipas akteve ligjore. / KultPlus.com

“MONA” nga Jusuf Buxhovi, promovohet nesër në Gjakovë

“Mona”, romani më i ri i shkrimtarit dhe historianit Jusuf Buxhovi, nesër do të promovohet në Gjakovë, shkruan KultPlus.

Autori ka zgjedhur Gjakovën, jo vetë se në njëfarë mënyre, ambienti i saj (Dushkaja, Reka e Keqe, Suka), janë pjesë e ngjarjeve të imagjinuara të romanit, pra protagonist aktiv, por edhe për atë se nga aspekti historik dhe kulturor, ky qytet, në të kaluarën, ka qenë laborator i karantenimeve të ndryshme, që kanë pasë për qëllim luftën kundër identitetit etnik dhe atij kombëtar deri te përmasat e gjenocideve dhe etnocideve.

Promovimi mbahet nesër, në Bibliotekën e Qytetit, në orën 12:00.

“MONA” mbetet në kuadër të orbitrit tematik nga romanët e fundit “Dosja B” dhe “Dushkaja”. Vepra fokuson dramën e një Koloneli, ish ushtarak i armatës jugosllave, që mbahet i mbyllur për vite të tëra i rrethuar nga forcat ndërkombëtare diku në një ambient të izoluar të Rekës së Keqe nga dyshimi se ato që flet në një gjendje thuajse të çrregullt mendore, të shumtën kërcënime bashkëluftëtarëve të dikurshëm nga lufta e fundit, kthehen në vrasje.

Pra, bëhet fjalë për një konstrukt thuajse absurd për të cilin Mona, një gazetare hulumtuese, alarmon opinionin ndërkombëtar. Me këtë rast, një gazetë e njohur amerikane, kritike ndaj partneritetit të faktorit ndërkombëtar në Kosovës me struktura të caktura kriminale, të cilat me anën e tyre etablohen në politike, nis një hulumtim rreth mbylljes (izolimit të paligjshëm të Kolonelit të sëmurë) dhe vdekjes së tij, që dyshohet se ishte vrasje me paramendim… /KultPlus.com

21 vjet nga “Beteja e Çabratit” ku ranë shumë dëshmorë e u ekzekutuan burra e djem

Janë bërë 21 vjet nga “Beteja e Çabratit”, e cila u zhvillua më 7,8, dhe 9 maj.

Tre grupet dhe Shtabi i Brigadës ‘137 Gjakova’, ishin vendosur në lagjjen e Çabratit. Në orët e hershme të datës 7 maj ’99, lagjja e Çabratit në Gjakovë u rrethua nga forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe bashkë me vullnetarë rusë.

Lufta e pabarabartë sa i përket armatimit, u zhvillua thuaja se fyt më fyt, për shkak të konfiguracionit të terrenit. Në anën e luftëtarëve të lirisë ishin rreth 100 ushtarë të armatosur, e përafërsisht edhe dy herë aq ishin pa armë të cilët “shpresën” e vetme për të mbërri tek arma e kishin, nëse vritej apo plagosej ndonjë shok i tyre.

Beteja zgjati deri në orët e mbrëmjes. Humbje pati në të dy anët. Luftë sporadike pati edhe me datat 8 dhe 9 maj.

Në këto luftime ranë dëshmorë:

Ahmet Gjikolli (nga Peja)
Bujar Roka
Tom Gjoka (nga fshati Dashinoc-komuna e Deçanit)
Kushtrim Hoxha (vdiq me 8 maj nga plagët)
Dashmir Krasniqi
Visar Juniku
Sefedin Xërxa
Hamëz Zymberi (vdiq me 15 maj nga plagët)
Agim Haxhiavdyli
Yllka Domi
Ilir Berisha
Taulant Nura
Ali Hoxha
Hazyr Këpuska.

Forcat serbe u hakmorrën në civilë të paarmatosur, duke ekzekutuar burra e djem që hasnin nëpër shtëpi e oborre.

Kjo është lista e civilëve të ekzekutuar:

07.05.’99

Elez Bakalli, Selim Lluhani, Tefik Lluhani, Esat Bicurri, Ferhat Bicurri, Nexhdet Bicurri, Sadri Binaku, Florim Berisha, Gëzim Berisha, Shani Luzha, Florim Luzha, Sami Luzha, Gëzim Luzha, Ylber Mejzini, Basri Nura, Halit Nura, Agim Efendija, Astrit Rexha, Kastriot Zherka, Lulzim Jaka, Halil Axhemi, Burim Bardhi, Fehmi Haxhidauti, Genc Këpuska, Ali Krypa, Ali Beqrama, Ibrahim Gojani, Ejup Huma, Faton Huma, Florent Sulejmani, Avni Shasivari, Shkëlzen Ajrani, Ganii Ibrahimi, Demush Lata, Hasan Smajli,Ramë Syla, Sokol Zenuni, Musa Binaku, Shaban Dodaj, Osman Tafa, Xhelal Sefa.

08.05.’99

Neki Pula, Megzun Boshnjaku, Halil Gashi, Faik Qava, Kujtim Nuka.

10.05,’99

Arben Gexha, Osman Haxhiavdyli, Agron Haxhiavdyli, Afrim Haxhiavdyli, Driton Lluhani, Bekim Haxhibeqiri, Dukagjin Haxhibeqiri, Edmond Haxhibeqiri, Bashkim Domi, Bardhyl Çaushi, Ylber Hoxha, Mentor Shtaloja, Avni Spasi, Islam Koci, Idriz Mehmeti, Njazi Mehmeti , Agim Berisha, Albert Berisha, Fadil Berisha, Qazim Kajdomqaj, Muhamet Dyla, Isa Lokaj, Cenë Hajdari, Afrim Dana, Labinot Dana, Luan Dana, Albert Dana, Kastriot Dana, Gëzim Dana, Agron Dana, Osman Dana, Genc Haraqija, Mehdi Haraqija, Genc Morina, Adriatik Morina, Skënder Morina, Isuf Saraqini, Agim Saraqini, Arben Saraqini, Veli Saraqini, Skifer Sharani, Valon Sharani, Visar Sharani, Isuf Sharani, Mentor Sharani, Tahir Sharani.

11.05.’99
Ramdan Dana, Shyhrete Dana.

Të dhënat nga Gurakuq Dobruna. / KultPlus.com

Në Gjakovë kryetari i komunës detyrohet me polici t’i shpërndajë qytetarët nga Shkugëzi

Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, ka bërë të ditur se bashkë me policinë janë detyruar sot të intervenojnë në shpërndarjen e qytetarëve për shkak të numrit të madh të tyre të koncentruar në Shkugëz.

Gjini është shprehur se vendi nuk gjendet në pushim vjetor e as në ndonjë festë, por në gjendje të distancimit social për të shmangur të keqen nga koronavirusi, njofton Klan Kosova.

”Të dashur qytetarë,

Për shkak të rrezikut të drejtpërdrejtë dhe shumë të lartë që secili prej nesh të infektohet me koronavirus, shteti ka vendosur që të mbyllen shkollat dhe shumë institucione tjera.

Por nuk jemi në pushim vjetorë e as në ndonjë festë!

Sot jemi detyruar të intervenojmë me polici për shkak të numrit të madh të qytetarëve të koncentruar në Shkugëz.

Kjo sjellje e disa njerëzve është skajshëm e papërgjegjshme kundrejt familjeve të tyre dhe qytetarëve tjerë. Kjo është injorancë e skajshme.

Distancimi social është e vetmja mënyrë për ta shmangur një të keqe edhe më të madhe.

Shteti është i detyruar të veprojë kundër një numri njerëzish që në mënyrë kaq të papërgjegjshme e rrezikojnë vetveten dhe tjerët”. /KultPlus.com

Jusuf Buxhovi promovon sot në Gjakovë librin “Trilogjia gjermane”

“Trilogjia gjermane” e përbërë nga romanet “Vdekjet e kolonelit”, Kujtimet e Zonjës von Braun” dhe “Kodi i dashurisë”, do të promovohet sot në Bibliotekën e Qytetit në Gjakovë, shkruan KultPlus.

Me këtë rast, autori do të bëjë një bashkëbisedim me krijuesit dhe intelektualët e qytetit rreth “Shekullit të mbrapsht shqiptar”, që është bosht tematik i trilogjisë.

Ky aktivitet, përcillet me donacionin prej 200 librash nga fondi personal, dhuratë Bibliotekës së Qytetit në kuadër të “Këndit të autorit”.

Promovimi bëhet sot në ora 11:30. / KultPlus.com

EC Ma Ndryshe me reagim për Përmendoren në Çabrat të Gjakovës

Organizata nga Prizreni, “Ec Ma Ndryshe”, ka reaguar lidhur me gjendjen e Përmendores në Çabrat të Gjakovës. Ata kanë thënë se kjo përmendore ka mbetur pa përkujdesje të institucioneve të shtetit, shkruan KultPlus.com

Këtu keni postimin e tyre të plotë:

REAGIM
Përmendorja në Çabrat të Gjakovës pa përkujdesje institucionale!

“EC Ma Ndryshe, përmes raprotimeve nga terreni ka marrë informatën se Eshtërorja (Eshnorja) e luftëtarëve të vrarë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ) është në gjendje të braktisur, pa përkujdesje dhe e hapur për vandalizim. Monumenti në fjalë është i hapur dhe eshtrat e vendosura në këtë përmendore janë të dëmtuara, disa të djegura dhe të shpërndara dhe pa mbrojtje dhe përkujdesje adekuate që kërkon një memorial i kësaj kategorie.

Eshtërorja paraqet varrezën e luftëtarëve të vrarë të Gjakovës me rrethinë gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ) 1941-1945 dhe paraqet të vetmen pjesë të realizuar të një projekti grandioz, i cili përfshinte Kodrën e Çabratit deri ke Fabrika e Tullave. Ky lokalitet i shek.XX gjendet në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkoshshme të Ministrisë së Kulturës (të datës 3 Tetor 2018) dhe atë në kategorinë: Trashëgimi Kulturore, nënkategorinë: Monument / Ansambël me numër unik në databazë 871.

Kërkojmë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (bashkë me institucionet vartëse të saj) si dhe Komuna e Gjakovës të ndërrmarrin hapa emergjent rreth mbylljes të lokalitetit ndaj ndonjë vandalizimi të mëtutjeshëm, parandalimin e ndonjë rreziku për shëndetin publik të vizitorëve të lokalitetit, trajtim dinjitoz të mbetjeve mortore dhe trajtim profesional në mbrojtje dhe konservim të këtij aseti të trashëgimis kulturore”.

Nesër nis revitalizimi i Urës së Terzive dhe asaj të Tabakëve në Gjakovë

Revitalizimi i dy urave me vlerë arkeologjike, turistike dhe kulturore, ajo e Terzive dhe e Tabakëve në Gjakovë, do të nisë nesër.

UNDP njofton se Komuna e Gjakovës, Zyra e Bashkimit Evropian (BE) dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) do të fillojnë punimet në revitalizimin e Urës së Terezive dhe Urës së Tabakut, të mërkurën, më 26 qershor, nga ora 14:00 tek Ura e Terezive dhe në 14:45 tek Ura e Tabakëve.

Ky aktivitet bëhet në bashkëfinancim me komunën e Gjakovës dhe është pjesë e projektit Dialogu Ndërkomunitar Gjithëpërfshirës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, të financuar nga Instrumenti i BE-së për Paqe dhe Stabilitet (IcSP / BE) dhe implementuar nga UNDP.

Punimet në këtë projekt, që do të zgjasin tre muaj, përfshijnë: zbukurimin e ambientit përreth urave, krijimin e shtigjeve të reja, vendosjen e ulëseve, elektrifikimin dhe shënimet historike / interpretimin e vendndodhjes.Koha.net/ KultPlus.com

Protestuesit gjakovarë: Jemi kundër kriminelëve që nën petkun e pelegrinëve vijnë në Gjakovë

Qytetarë të shumtë të Gjakovës janë duke protestuar sot në qytetin e tyre, siç kanë thënë ata “kundër ardhjes kriminelëve, të cilët nën petkun e pelegrinëve sot vijnë në Gjakovë”.

Protestuesi Kasim Qerkezi tha se ka humbur 5 familjarë, e ndër ta edhe djalin e tij 18 vjeç.

“Nuk jemi kundër festës, çdo vit do të protestojmë për familjarët tanë ende të pagjetur”.

Ai tha se 4 prej familjareve që i janë vrarë ende nuk janë gjetur.

Sebahate Doli, tha se do protestojnë “sepse na kanë bërë shkrumb e hi”.

Qytetarët e Gjakovës të cilët ende po i kërkojnë familjarët e tyre të pagjetur, janë duke protestuar sot në kohën kur pritet që qytetarë serbë të kryejnë pelegrinazh në këtë qytet.

Ata kanë paralajmëruar se thirrja e tyre për protestë nuk ka të bëj me besimin e tyre, porse në mesin e pelegrinëve serbë ka persona që ua njohin të bëmat gjatë luftës./ Kallxo.com

Nis protesta në Gjakovë kundër pelegrinëve serbë

Qytetarët e Gjakovës kanë nisur protestën qysh në orën 08:00 të mëngjesit, në kohën kur pritet që qytetarë serbë të kryejnë pelegrinazh në këtë qytet.

Ata të cilët ende po i kërkojnë familjarët e tyre të pagjetur, kanë paralajmëruar se thirrja e tyre për këtë protestë të sotme, nuk ka të bëj me besimin e tyre, porse në mesin e pelegrinëve serbë ka persona që ua njohin të bëmat gjatë luftës.

Kjo ishte paraprakisht thirrja për protestë:

Sërish erdh janari, sërish presim të vjen një grup serbësh në qytetin e Gjakovës me datën 6. Ne, qytetarët e Gjakovës, nuk kemi problem me besimin e tyre e as me të drejtën e tyre për të bërë pelegrinazh, siç interpretohet nga ta. Problemin që kemi ne është se në mesin e tyre ka persona të cilëve ne ua njohim të bëmat gjatë luftës. Ata kanë emër e mbiemër. Por, jemi dëshmitarë se të njëjtit nuk janë hetuar, gjykuar, e dënuar, për këto të bëma. Në këto rrethana kur heshtja institucionale ka shtuar krip në plagët tona, vizita e tyre në qytetin që e lanë me gjak dhe e bënë shkrumb e hi është provokim. Nuk mbetet rrugë tjetër përpos protestës qytetare. Prandaj, ne, qytetarët e Gjakovës, u bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të na bashkohen ditën e diel, me datën 6 janar, tek rruga “Mbretëresha Teutë,” nga ora 8:00 në mëngjes. Edhe këtë vit do të protestojmë paqësisht. Dalja jonë dëshmon se Gjakova nuk ka harruar. Dalja jonë dëshmon se Gjakova kërkon drejtësi për të gjitha krimet e kryera nga regjimi serbë kudo në Kosovë. Gjakova NUK harron!Gjakova kërkon drejtësi!/ koha.net

Shfaqja “Gjashtë” vjen premierë në Teatrin “Hadi Shehu”

Teatri i Qytetit të Gjakovës “Hadi Shehu”, do të mirëpresë ditën e nesërme premierën e radhës, shkruan KultPlus.

Shfaqja titullohet “Gjashtë” dhe është shkruar nga autori Arian Krasniqi, ndërsa vjen nën regjinë e Valon Pallaskës.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët Edi Kastrati dhe Elida Shasivari.

“Gjashtë” është një shfaqje që aktualizon dënimin me vdekje, që është i ligjshëm në shumë vende të botës.

Skena është përgatitur nga Petrit Bakalli.

Premierë e shfaqjes “Gjashtë” vjen nesër në ora 20:00 në Teatrin “Hadi Shehu” në Gjakovë.

Drama e Arian Krasniqit, është shfaqja e parë që e fillon sezonin vjeshtor të teatrit të Gjakovës. Teatri ka njoftuar që për shkak të numrit të limituar të publikut duhet ta siguroni biletën tuaj me kohë. / KultPlus.com