“Të jesh nënë” e regjisores Sevdije Ajeti së shpejti në Teatrin “Istref Begolli”

Mbas çmimit si regjisore e vitit nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, Sevdije Ajeti, e ftuar nga Teatri i Pejës “Istref Begolli”, ka filluar punën për të vënë në skenë shfaqjen “Të jesh nënë” të autorit Roberto Bracco, shkruan KultPlus.

Regjisorja Sevdije Ajeti së bashku me trupën e aktorëve të teatrit “Istref Begolli” i janë përveshur punës për të sjellë para publikut shfaqjen “Të jesh nënë” premiera e të cilës pritet të jetë gjatë këtij muaji.

Shfaqja “Të jesh nënë” e regjisores Sevdije Ajeti, është një dramë e shkruar e autorit Italian Roberto Bracco i cili njihet si letrar i madh në fillim të shekullit njëzet. Drama trajton aspektin e lirisë së individit në raport me kërkesat e shoqërisë. Personazhi kryesor është një grua e moshës së mesme, Klaudia e cila është e martuar me Alfredin i cili është i zhytur në borxhe. Ai gjithashtu nuk ka qenë i sinqertë ndaj bashkëshortes së tij.

Klaudia krejt çka ka ëndërruar gjatë jetës së saj ishte të bëhej nënë. Prandaj ai me të marrë vesh lajmin se Klaudia është shtatzënë kërkon të riparoj marrëdhëniet me Klaudian dhe të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës duke mos vazhduar me marrjen e borxheve, për arsye sepse xhaxhai i tij i cili nuk kishte trashëgimtar, tani pasurinë do të ja kaloi fëmiut të tyre. Klaudia e cila kishte ëndërruar të bëhej nënë dhe e cila kishte kërkuar një jetë të sajën duke mos qenë subjekt i trajtimit zakonor, por edhe në kërkim të lirisë së saj si grua dhe si nënë, ndërmerr një hap që krijon raporte të tensionuara brenda familjes, fillimisht duke ju hakmarrë Alfredit për të shkuarën e tij por edhe të familjes, xhaxhait të tij për cenimin e të drejtës së saj si nënë. Teksti dramatik mes të tjerash është i mbushur me tension që krijojnë personazhet mes tyre. Personazhet ndërthuren mes tyre duke krijuar situata komike por edhe tragjike në fund. Kjo atmosferë e tensionit të dramës dhe komikes është zhvendosur në skenë fillimisht mes lojës komike të shërbëtorit Diego dhe zotërisë së tij, Muricio që paraqitet gabimisht si i dashuri I Klaudias. Në këtë lojë komike ngatërrohet pastaj Alfredi dhe detektivi i tij që i raporton për sjelljet e Klaudisë. Por, ngjarja merr zhvillimin e vet të papritur dhe ndërtohet mbi fragmente pikëlluese dhe tejet dramatike, më tutje.

“Këtë atmosferë e kemi bartur në skenë edhe përmes skenografisë dhe kostumeve duke treguar luhatjen e personazheve mes komikes dhe dramatikes. Skenografia është shumë piktoreske dhe vizive deri në përmasa të kubizmit. Në këtë mënyrë personazhet shfaqen reflektues”, ka treguar regjisorja Ajrti për KultPlus.

Ajo tutje ka treguar se mesazhi i shfaqjes është dilema e gruas midis të drejtës për të qenë nënë dhe për të qenë një grua e pavarur. Ky konflikt brenda gruas së sotme e krijon një shfaqje dramatike si kjo e Brakos.

“Provat për shfaqjen veç kanë filluar. Jam shumë e kënaqur me procesin e punës është një ekip shumë i mirë i aktorëve , tani jemi në finalizim të provave, të skenografisë dhe kostumografisë. Kasta e aktorëve është nga teatri ‘Istref Begolli’ dhe premiera pritet të dalë gjatë këtij muaji”, ka treguar krejt për fund regjisorja Ajeti.

Në këtë shfaqje luajnë akotrët: Aida Alidemi, Flormend Shabaj, Agon Bala, Faik Zekaj, Shpresa Salihaj, Fitore Zekaj, Herodita Ramshaj, Luan Daci./ KulPlus.com/KultPlus.com

Aktorja Drane Xhaj me monodramën “Vajza me kukull” sonte në Pejë

Aktorja Drane Xhaj, pasi përloti publikun në teatrin “Migjeni” në Shkodër me lojën e saj në monodramën “Vajza me kukull”, shkruar nga Fadil Kraja dhe vënë në skenë nga Agron Dizdari, ajo vjen në Pejë për të sjellë të njëjtat emocione, shkruan KultPlus.

Aksidentet tragjike në jetën e një vajze, që në adoleshencë përjeton ndarjen e prindërve, martesën e nënës, zhdukjen e babait dhe prezencën e njerkut në shtëpi, i cili më vonë do të ishte edhe shkatërruesi i jetës së saj, është tema e kësaj shfaqje e cila do të vijë nga loja e mrekullueshme e aktores Drane Xhaj.

Monodrama “Vajza me kukull” vjen sonte në Pejë në teatrin “Istref Begolli” nga ora 20:00.

Kjo shfaqja njëkohësisht hapë sezonin për pjesën e dytë të vitit në teatrin “Istref Begolli” në Pejë. / KultPlus.com