80-vjetori i krijimit të Teatrit Kombëtar, Gonxhja: Të garantojmë statusin e artistit

Teatri Kombëtar, institucioni që prej dekadash mbart dhe përcjell vlerat më të mira të artit skenik shqiptar, shënoi 80-vjetorin e themelimit.

Ky teatër u përurua si i pari teatër profesionist shqiptar në 17 maj të vitit 1945, ku me regjinë e Sokrat Mios u shfaq komedia “Topazi”, që u quajt si “shfaqja themeluese e Teatrit Kombëtar”.

Mbrëmjen e djeshme në një ceremoni të organizuar në ambientet e ArTurbinës në praninë e trupës së Teatrit Kombëtar dhe artistëve të shumtë, u kujtuan qindra artistët që i dhanë jetë këtij institucioni të rëndësishëm të artit e kulturës.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili theksoi se duhet të garantojmë statusin e artistit.

“Në dinamikën që ka jeta e një artisti, në rëndësinë që ka liria e tij, dhe ne duhet të garantojmë që kjo të ndodhë dhe kjo nuk bëhet pa një ombrellë speciale që do të ishte ajo e statusit të artistit. Kjo është një nga themelet për të cilën duhet të punojmë”, tha Gonxhja.

Drejtori në detyrë i Teatrit Kombëtar, Indrit Çobani u shpreh se “Teatri mbetet ndoshta hapësira e vetme ku njerëzit mund t’i ndajnë idetë e tyre duke u parë, duke e dëgjuar njëri tjetrin live. Sot aktorët kanë sfidë me kohën të cilës i përkasin, në një zhurmë informative, ata duhet të gjejmë rrugë të reja se si të depërtojnë tek audienca”.

Aktorja Luzia Xhuvani solli për të pranishmit kujtime nga nisja e punës në Teatrin Kombëtar.

“Dita e parë e punës në Teatrin Popullor ishte impresionuese për mua. Ishte mbledhja e trupës artistike, pashë të hynin në atë studio figura si Piro Mani, Kadri Roshi, Violeta Manushi, Margarita Xhepa, Robert Ndrenika, Agim Qirjaqi, Roza Anagnosti, emra që konfirmojnë kombëtaren në teatër. U ndjeva e privilegjuar dhe kjo ndjesi më shoqëroi gjatë gjithë rrugëtimit tim profesional”, tha Xhuvani.

Ndërsa aktorja Yllka Muja tha se “Teatri është mision, është frymë, është ndërveprim, është ndërgjegjësim. Është vetëdije. Në teatër ke mundësi të njohësh të gjithë botën, por mbi të gjitha ke mundësi të njohësh vetveten”.

Aktori Ndriçim Xhepa e vuri theksin në fjalën e tij te përgatitja universitare e regjisorëve të rinj.

“Duhet t’i rikthehet vëmendja shtetit me elementin kryesor regjisurën, se pa regjisurë nuk ka teatër. Me regjisorë të mirë, avancojnë dhe aktorë të mirë. Ata që dalin nga 3-vjeçari i regjisurës, duhet patjetër 2-vjeçarin tjetër ta bëjnë në shkolla të nivelit të parë europian apo edhe në Lindje. Kjo do ta rrisë nivelin e Teatrit në vepra më të mëdha që duhet të kërkohen për t’u vënë në skenë“, tha Xhepa.

Për të pranishmit u vunë në skenë disa copëza të komedisë “Topazi” të sjella për publikun në skenën e ArTurbinës me aktorë të trupës së sotme të Teatrit Kombëtar, pikërisht në 80-vjetorin e themelimit.

Teatri Kombëtar është krijuar si i pari teatër profesionist shqiptar më 17 maj 1945. Nën regjinë e Sokrat Mios u shfaq komedia “Topazi”, e cila u quajt si “shfaqja themeluese e Teatrit”. Shteti shqiptar në periudhën para viteve ‘90 u përpoq ta orientonte Teatrin (i cili quhej në atë kohë Teatri Popullor) në sigurimin e një repertori me drama të “realizmit socialist” me autorë të vendeve të Lindjes, por përveç tyre janë vënë në skenë edhe premiera nga dramaturgjia botërore: “Revizori” nga Gogoli, “Otello” nga Shekspiri, “Shërbëtori i dy zotërinjve” nga K. Goldon.

Nga viti 1989 mban emrin Teatri Kombëtar.
Pas viteve ’90 kemi një prani më të gjerë të repertorit të huaj me vepra të autorëve të njohur si: “Dy zotërinjtë nga Verona” nga Shekspir; “Fernando Krafti më ka shkruar një letër” nga T. Dorst, “Tiranozauri” nga K. Trebeshina; “Don Zhuani” nga Molier; “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, “Quo Vadis”; “Kopshti me dallëndyshe” nga B. Cikliropulos; “Ëndrra e një nate dimri” nga I. Kadare; “Njeriu, virtyti, kafsha” nga L. Pirandelo; “Armiku i Popullit” nga H. Ibsen, etj.

Teatri Kombëtar është vendosur në ambientet e ndërtesës ArTurbina në pritje të ndërtimit të godinës së re./atsh/KultPlus.com

“12 burra të zemëruar” në Teatrin Kombëtar

Teatri Kombëtar do të sjellë në prill, si premierë absolute, një vepër interesante me pjesëmarrjen e 12 aktorëve nga më të njohurit e skenës shqiptare, nën regjinë e Albert Mingës.

Shfaqja titullohet “12 burra të zemëruar”. Në qendër qëndron një akuzë, 12 perspektiva të ndryshme dhe një vendim i vështirë që mund të ndryshojë gjithçka.

Se çfarë ndodh pas dyerve të mbyllura të drejtësisë, publiku besnik i Teatrit Kombëtar do të mund ta zbulojë në 5 shfaqjet që do të jepen në ArTurbina në datat 9, 10, 11, 12 dhe 13 prill.

Në shfaqje do të interpretojnë Viktor Zhusti, Niko Kanxheri, Alfred Trebicka, Sokol Angjeli, Ligoraq Riza, Myzafer Zifla, Neritan Liçaj, Lulzim Zeqja, Besmir Bitraku, Florian Agalliu, Donald Shehu, Igli Zarka.

Shfaqja ngrihet mbi veprën me të njëjtin titull të dramaturgut amerikan Reginald Rose. “12 burra të zemëruar” u vu në skenë për herë të parë në San Francisko në vitin 1955. Debutimi në Broadway erdhi 50 vjet pasi CBS transmetoi shfaqjen, më 28 tetor 2004, nga Roundabout Theatre Company në Teatrin American Airlines, ku u dhanë 328 shfaqje./atsh/KultPlus.com

“Amour”, një histori dashurie, sakrifice e pasioni në skenën e Teatrit Kombëtar

“Amour” me regji të Besmir Bitrakut solli një eksplorim emocionesh, ndjenjash dhe lidhjesh njerëzore në një formë intime dhe të fuqishme. Drama u shfaq në fundjavë, me interpretimin e të mirënjohurëve Luiza Xhuvani, Myzafer Zifla, Elia Zaharia, Xhuljano Brisku e Stela Bello.

Vepra, e shfaqur në ArTurbina, është një rrëfim për dashurinë, pasionin dhe përpjekjet për të gjetur kuptimin në një botë plot turbullira.

Regjisori Besmir Bitraku tha se, është një vepër që flet për dashurinë.

“Jam i lumtur të sjellim para publikut të Tiranës një dramë për dashurinë. Është një vepër, që flet për dashurinë si sakrificë, si vetëmohim, si mirëkuptim, si bashkëpunim. Jam i lumtur që kam punuar me një kast aktorësh shumë të mirë”, u shpreh Bitraku në rrjetet sociale të Teatrit Kombëtar.

Shfaqja “Amour” me historinë e dy te moshuarve intelektualë që dashurojnë njëri tjetrin me “forcën e rrotullimit të tokës”, erdhi me muzikë të Endri Sinës dhe kostumografi nga Sofi Kara./atsh/KultPlus.com

Teatri Kombëtar sjell dramën e gruas moderne me shfaqjen “Linda”

Teatri Kombëtar shfaqi mbrëmë dramën “Linda” nga Penelope Skinner, me regji të Violeta Trebickës.

Aktorja protagoniste që mban peshën e dramës është Luiza Xhuvani. Bashkë me të interpretojnë Vasian Lami, Alfred Trebicka, Enisa Hysa, Julinda Emiri, Igli Fusha, Trista Lulo, Artemisa Kusi.

“Linda” është një reflektim shterues mbi presionet e ndryshme me të cilat përballen gratë moderne dhe sesi pasojat e këtyre presioneve ndikojnë në brezat e ardhshëm.

Linda është një grua biznesi e vlerësuar me çmime. E martuar, ka dy vajza të bukura dhe ende mund të veshë të njëjtën masë fustani, si 15 vjet më parë.

Linda Wilde i ka kushtuar jetën e saj ndryshimit të botës. Tani, në moshën 55-vjeçare, ajo duket se i ka të gjitha. Megjithatë, nën sipërfaqe, të çarat kanë filluar të shfaqen…

“Linda” nga dramaturgia britanike, Penelope Skinner u shfaq premierë në Teatrin Royal Court, Londër, në nëntor 2015 dhe u vlerësua nga kritika.

Drama do të vijojë të shfaqet në ArTurbina edhe sonte, 31 janar si dhe në datat 1 dhe 2 shkurt 2025./atsh/KultPlus.com

Saimir Pirgu rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit me operën “Tosca”

Saimir Pirgu rikthehet pas 13 vitesh në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit duke pëmbyllur vitin Puçinian me operën premierë “Tosca”.

Ministri i Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau foto nga premiera.

“Tenori i mirënjohur, ka dhuruar për publikun artdashës shqiptar emocion dhe interpretim të jashtëzakonshëm të operas “Tosca”, midis intrigave dhe romancave, në një udhëtim mes pasionit, xhelozisë dhe sakrificës”, tha ai./atsh/ KultPlus.com

Teatri i Ri Kombëtar, Rama: Një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse

Puna për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar në kryeqytet po ecën me ritme të mira. Kështu ka treguar sot kryeministri Edi Rama në rrjete sociale, duke ndarë fotografi nga kantieri i Teatrit të Ri Kombëtar.

“Po punohet për t’i dhënë jetë një godine që do të jetë një tjetër vepër arkitektonike mbresëlënëse e Tiranës së shekullit të XXI dhe ikonë e artit dhe kulturës mu në zemër të kryeqytetit”, ka njoftuar Rama.

Teatri i Ri në Tiranë është projektuar nga arkitekti me famë botërore, Bjarke Ingels dhe pritet të jetë një nga ndërtesat më të bukura në rajon.

Ky teatër do t’u shërbejë me kushtet më optimale aktorëve e spektatorëve, por edhe do të hyjë me dinjitet në radhën e objekteve më të mira të të njëjtit lloj në Evropë.

Teatri i ri do të ketë të dedikuar disa ambiente të posaçme për shfaqjet dhe aktorët. Më konkretisht do ketë një hapësirë prej 750 metra katror auditor dhe me mbi 600 vende, me ballkon. Gjithashtu do të ketë një skenë teatri prej 630 metra katror dhe dy salla Black Box prej 200 metra katror secila.

Për artistët do të ketë një hapësirë prej 200 metra katror që do përdoret si sallë ndërrimi, një sallë provash prej 200 metrash katror, tualete dhe dushe si dhe një dhomë të gjelbër. Në shërbim të shfaqjeve të ndryshme artistike do ketë një dhomë instrumentesh muzikore, një depo materialesh skenike, një depo dekori, sallë teknikësh, etj. Gjithashtu do të ketë sallë kursesh dhe të gjitha facilitetet për publikun./KultPlus.com

“Nga pafajësia në pafajësi”, performancë e veçantë në Teatrin Eksperimental

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vuri në skenë një performancë të veçantë, eksperimentale për skenën shqiptare e cila bëri bashkë elemente të baletit modern, shoqëruar nga një skenar i lexuar dhe i performuar gjatë shfaqjes, me muzikë dhe teatër.

Vepra e titulluar “Nga pafajësia në pafajësi” mban autorësinë e Julian Bulkut dhe erdhi me regji të Inis Gjonit.

Vepra trajton emigrimin, jo vetëm si një realitet normal për thuajse të gjithë shqiptarët, por edhe sepse ky largim nga vendi përkon edhe me dëbimin nga “Edeni” i pafajësisë apo dhe i fëmijërisë. Kthimi në pafajësi lidhet me zhvillimin shpirtëror të artistit, por dhe me kthimin në vendlindje pasi kjo është performanca e parë e balerinit pas kthimit nga emigrimi në Europë.

Një komponent i rëndësishëm i veprës, e cila u duartrokit nga publiku, ishte muzika e Alban Laros, një emër i njohur për publikun shqiptar që prej fillimit të viteve `90, kur së bashku me të tjerë artistë me emër themeluan grupin muzikor “Thunder way”. Alban Laro është i biri i ikonës së muzikës së filmit shqiptar, kompozitorit Kujtim Laro. Ashtu si dhe babai i tij, Alban Laro është angazhuar në kompozime në teatër e kinematografi në vepra si: “Burka e Medeas”, “At Sergi”, “Sophia”, “Foreigner” etj.

Performanca “Nga pafajësia në pafajësi” mbetet në thelb shqiptare, dhe mund të interpretohet edhe si një vepër dedikuar vendlindjes. Elementet e folklorit shqiptar, si fustanella dhe qeleshja, balerini i zotëroi në mënyrë profesionale, duke i përdorur jo vetëm si elemente estetikë, por edhe si një shpalosje e bukurisë së trashëgimisë kulturore shqiptare./atsh

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vuri në skenë një performancë të veçantë, eksperimentale për skenën shqiptare e cila bëri bashkë elemente të baletit modern, shoqëruar nga një skenar i lexuar dhe i performuar gjatë shfaqjes, me muzikë dhe teatër.

Vepra e titulluar “Nga pafajësia në pafajësi” mban autorësinë e Julian Bulkut dhe erdhi me regji të Inis Gjonit.

Vepra trajton emigrimin, jo vetëm si një realitet normal për thuajse të gjithë shqiptarët, por edhe sepse ky largim nga vendi përkon edhe me dëbimin nga “Edeni” i pafajësisë apo dhe i fëmijërisë. Kthimi në pafajësi lidhet me zhvillimin shpirtëror të artistit, por dhe me kthimin në vendlindje pasi kjo është performanca e parë e balerinit pas kthimit nga emigrimi në Europë.

Një komponent i rëndësishëm i veprës, e cila u duartrokit nga publiku, ishte muzika e Alban Laros, një emër i njohur për publikun shqiptar që prej fillimit të viteve `90, kur së bashku me të tjerë artistë me emër themeluan grupin muzikor “Thunder way”. Alban Laro është i biri i ikonës së muzikës së filmit shqiptar, kompozitorit Kujtim Laro. Ashtu si dhe babai i tij, Alban Laro është angazhuar në kompozime në teatër e kinematografi në vepra si: “Burka e Medeas”, “At Sergi”, “Sophia”, “Foreigner” etj.

Performanca “Nga pafajësia në pafajësi” mbetet në thelb shqiptare, dhe mund të interpretohet edhe si një vepër dedikuar vendlindjes. Elementet e folklorit shqiptar, si fustanella dhe qeleshja, balerini i zotëroi në mënyrë profesionale, duke i përdorur jo vetëm si elemente estetikë, por edhe si një shpalosje e bukurisë së trashëgimisë kulturore shqiptare./atsh/KultPlus.com

Për herë të parë në Shqipëri, vjen konkursi ndërkombëtar “Voci di Mascagni”

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka njoftuar se për herë të parë në Shqipëri do të vjen konkursi ndërkombëtar “Voci di Mascagni”.

Sipas njoftimit, konkursi do të mbahet më datë 11 prill, duke filluar nga ora 10:00 deri në 13:00 dhe ka për qëllim të përgatisë interpretuesit e rinj, për të marrë pjesë në produksionet operistike për festivalin “Mascahni”.

“Trajnimet do të zhvillohen nga artistë të mirënjohur ndërkombëtarisht, duke përfshirë dirigjentë orkestre dhe këngëtarë”, thuhet në njoftim.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikime tyre në emailin: [email protected], sipas rregullave të bashkëngjitur në link-un e mëposhtme: https://mascagnifestival.it/mascagni-academy ./KultPlus.com

“Teatri i Hapur Ballkanik” – Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Drejtoresha e Përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, Abigeila Voshtina, ka nënshkruar protokollin e bashkëpunimit në fushën e teatrit, dramës, operës dhe baletit, me homologët nga “Teatri Kombëtar” në Beograd, Svetislav Gonçic, dhe i “Operës dhe Baletit Kombëtar” nga Shkupi, Vaso Ristov, në kuadër të platformës “Teatri i Hapur Ballkanik”.

“Brenda secilit prej nesh ka shumë rrënjë, siç janë rrënjët e mia, një pjesë nga Maqedonia e Veriut e një pjesë nga Greqia. Prandaj kulturat tona janë shumë të afërta, me të përbashkëtat tona, por edhe me ngjyra të ndryshme e detaje të vogla që bëjnë diferencën”, ka deklaruar drejtoresha e përgjithshme e TKOB-it.

Voshtina gjendej prej disa ditësh në një vizitë zyrtare në Beograd, me ftesë të Drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar Svetislav Goncić.

Kjo ftesë, vjen si hap i parë konkret drejt shkëmbimit kulturor dhe projekteve të bashkëpunimit, ndërmjet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, në kuadër të iniciativës mbi Ballkanin e Hapur.

Nënshkrim i protokollit të bashkëpunimit nga të tre vendet pjesëmarrëse, do të sjellë edhe një iniciativë konkrete shkëmbimi dhe bashkëpunimi kulturor./atsh/ /KultPlus.com

“Renaissance”, Teatri Kombëtar, pjesë e projektit ndërkombëtar të teatrit digjital

Përshtatja me pandeminë ka sjellë këto kohë mënyra nga më të ndryshmet për të realizuar projekte artistike dhe për të shkuar sa më pranë spektatorit dhe publikut.

Një nga aktivitetet artistike të zhvilluara këto ditët e fundit nga Teatri Kombëtar është projekti “Renaissance”.  Bazuar në letërsinë klasike, ky teatër zhvillon një “teatër figurash”, duke kombinuar shfaqjet me kukulla, teatrin e objekteve dhe muzikë.

Në këtë projekt artistik aktorët luajnë me të rëndomtën, me klishenë, duke provokuar me çuditshmërinë nga e cila rrjedh poezia.

Në këtë projekt vijnë disa video gazmore, groteske dhe krijuese të serisë “Renaissance”.

Një ndër filmat e realizuar është edhe filmi që është pjesë e Renaissance, një projekt madhor i teatrit digjital i koordinuar nga European Theatre Conventional.

Projekti mbulon 22 teatro, 18 shtete evropiane dhe 250 artistë.

Çdo teatër ka prodhuar një përgjigje dramatike – duke u mbështetur në filozofi, fantazi dhe tensionin e të jetuarit nën pandemi, për të prodhuar një seri origjinale me filma të shkurtër dramatikë, të cilët janë të mundur të shihen falas nga shtëpia nga i gjithë publiku artdashës. / atsh / KultPlus.com