Ndihma e madhe e diasporës pas tërmetit në Shqipëri

Një vit më parë një tërmet prej 6.4 ballësh goditi Shqipërinë qendrore duke shkaktuar një tragjedi të vërtetë. 51 humbje jete, rreth 3 mijë të plagosur dhe mjaft ndërtesa të shembura apo dëmtuara ishte bilanci tragjik i atyre pak sekondave lëkundje.

Shqiptarët në Diasporë u solidarizuan menjëherë me bashkëkombasit e tyre duke kontribuar në ndihma materiale, ekspertiza mbledhje fondesh etj.

Të shumta ishin organizatat dhe shoqatat që u angazhuan për të ndihmuar vendlindjen, si Shoqata kulturore RBK në Gjermani, Komuniteti shqiptar i Selanikut, Shoqata “Nënë Tereza” në Modena të Italisë e shumë organizata e shoqata të tjera. 

Ndrësa u organizuan koncerte humanitare në vende të ndryshme si “Music for Albania” në Asutrali, “Arbëria për Shqipërinë” në Kalabri, koncerti i organizuar nga “The Albanian American Women of Washington DC” në SHBA dhe shumë të tjera.

Ndër të parët që i erdhën në ndihmë vendlindjes ishte Anëtari i i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe këshilltar në Bashkinë e New York-ut, Mark Gjonaj i cili bëri të mundur ardhjen e një grupi inxhinierësh shqiptaro – amerikanë të rinj e të talentuar, pjesëtarë të shoqatës së arkitektëve, që iu bashkuan punës së gjithanshme për vlerësimin e dëmeve të tërmetit të 26 nëntorit he kthimin e qyteteve më të dëmtuara në jetën normale.

Edhe filantropi dhe anëtari i Këshillit Koordinues të Diasporës ishte ndër të parët shqiptarë të Diasporës që ofroi ndihmën e tij për të prekurit nga tërmeti dëmtues. Ai solli kamionë me ndihma në atë kohë, duke i dorëzuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave të Shtetit dhe vizitoi disa nga zonat e prekura.

Organizata “Albania Roots-Rrënjët shqiptare” në SHBA arriti të mbledhë një fond prej 1.6 milionë dollarësh duke financuar ndërtimin e një lagjeje në Lalz në ndihmë të banorëve të Durrësit. Marko Kepi ka bërë të ditur se vetëm 1 milionë dollarë u mblodhën për 24 orë matanë oqeanit. “Bashkë me shtetin shqiptar, qeveria shqiptare po na jep një tokë në Durrës ku mund të ndërtojmë 44 shtëpi për të prekurit nga tërmeti”, ishte shprehur Kepi.

Por ndihma dhe iniciativa të vetë shqiptarëve jashtë vendit në ndihmë të të prekurve nga tërmeti vazhdoi edhe përgjatë vitit të të vështire të pandemisë. Dy shqiptarë të SHBA-së dhuruan 58 lap top për Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Durrës. Filger dhe Eda Prifti janë dy shqiptarët që jetojnë në Boston që bashkë me kompaninë Vestmark kanë mundur të sigurojnë sasinë e lap topëve që do të jenë ndihmë për studentët e universitetit që janë ekselentë por vijnë nga familje në nevojë e që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar. /dp/ KultPlus.com

Tërmeti i 26 nëntorit konsiderohet më vdekjeprurësi në botë për vitin 2019

Tërmeti shkatërrues i datës i 26 nëntor, ku u shuan 51 jetë e me mijëra persona mbetën pa banesat e tyre, është më vdekjeprurësi në botë për vitin 2019.

“Wikipedia” ka nxjerrë këtë përfundim, pas hulumtimit të tërmeteve që prekën botën gjatë vitit që lamë pas. Kujtojmë që tërmeti i 26 nëntorit preku kryësisht Durrësin dhe Thumanën, dy zonat me më shumë viktima.

Edhe pse në një vit tjetër, në një dekadë të re, shumë familjarë janë akoma me plagët e hapura, për familjarët që humbën apo shtëpinë e tyre të dashur që u shemb.

Lëkundjet e forta sizmike sollën edhe shumë panik në të gjithë vendin, jo vetëm në atë ditë por edhe për muajt më pas, duke sjellë panik për shumë qytetarë shqiptarë.

Gjithashtu tërmeti solli edhe solidarizimin e të gjitha shteteve botërore, duke e shprehur nëpërmjet ndihmave të shumta financiare, apo sjelljen e shumë prej forcave të kërkim-shpëtimit, të cilët luftuan për nxjerrjen e trupave nën gërmadha bashkë me forcat shqiptare.

Viti 2019 do të mbahet mend gjatë si një vit zie për shkak të këtij tërmeti që mori 51 jetë plot ëndrra. /konica.al/ KultPlus.com

Reportazhi i medias italiane: Në Durrës, atje ku u duk sikur botës i erdhi fundi

U duk sikur po vinte fundi i botës. Suvaja binte copa-copa dhe tullat dilnin nga muret. Lëkundej gjithçka. M’u duk vetja sikur isha brenda një filmi për apokalipsi, thotë për një reportazh të agjencisë italiane të lajmeve, ANSA, Antonio Imperiale, italiani i cili punon si menaxher në një fabrikë tekstilesh në Kavajë.

”Antonio Imperiale tregon me një frymë makthin e Durrësit, qytetit ku jeton prej 7 vitesh dhe që u shkatërrua nga tërmeti me magnitudë 6,4 ballë Rihter, që goditi Shqipërinë në mes të natës.

Tani, Antonio ndodhet i sigurt në Gosë të Kavajës, një qytezë 30 kilometra larg Durrësit, ku gjendet një fabrikë tekstilesh që prodhon çorape sportive, ku ai punon si menaxher.

Kujtimi i tërmetit është ende i gjallë.

”Pati një lëkundje të parë rreth orës 22:00, por ishte e lehtë, pastaj rreth orës 03:00 erdhi një tjetër shumë më e fortë. Unë dhe bashkëshortja u zgjuam menjëherë dhe na shkoi mendja te tërmeti i shtatorit. Atë ditë dolëm me vrap nga shtëpia, por këtë herë vendosëm të qëndronim brenda”, thekson ai.

Antonio jeton në një pallat në qendër të qytetit, që ka dy vjet që është ndërtuar, në një apartament në katin e gjashtë dhe, ndoshta, kjo është arsyeja pse ka vendosur të mos e braktisë shtëpinë e tij.

”Megjithatë, nuk ia dola të flija, isha i tensionuar dhe kisha frikë për fëmijët e mi. Pastaj erdhi ajo lëkundje e përbindshme”, shton Atonio.

Antonio ndalon së foluri për një çast duke u përpjekur të rindërtojë kronologjinë e imazheve të natës.

”Ishte një kaos i përgjithshëm. Filluan të binin të gjitha dhe nuk pushonin lëkundjet. U ngrita vringthi, ndërkohë që gjithçka kërcente përpjetë, dukej si një film apokaliptik. Shkova me vrap te fëmijët e mi që ulërinin nga frika”. /KultPlus.com

Antonio kapi Emën dhe Daviden, përkatësisht 9 dhe 8 vjeç dhe bashkë me gruan, Konçetën, ia mbathën me pizhama jashtë.

”Ia dolëm në kohë të merrnim vetëm paratë dhe dokumentet, asgjë tjetër”.

Por, me të dalë në rrugë, ai kuptoi se situata ishte shumë më e keqe nga çfarë mendonte.

”Në rrugë, njerëzit vraponin sa andej-këndej, njerëz të tmerruar që nuk dinin nga të shkonin. Një shkatërrim i vërtetë në të gjithë qytetin. Pallate të rrëzuara krejtësisht dhe të tjerë të dëmtuar rëndë. Durrësi u shkatërrua, u rrëzuan edhe muret antike ku ndodhet kalaja”.

Por, sa janë viktimat?

”As që ia kam idenë. Pashë shumë persona të lënduar, që transportoheshin tutje, por, sipas meje, ka ende plot njerëz nën rrënoja”, vazhdon të tregojë Antonio, por që ka në kokë veç një mendim.

”Duhet të hyj patjetër në shtëpinë time. Aty kam tërë jetën time”.

”Ka një problem”, thekson italiani.

”Shqipëria nuk është mësuar për të përballuar diçka të tillë, nuk ka mjetet e duhura përballë një katastrofe të tillë. Ka nevojë për ndihmën e shteteve të tjera”, thotë ai.

Italia ka dërguar tashmë 200 persona, midis të cilëve zjarrfikës dhe ekspertë të Mbrojtjes Civile.

Ndihma po vijnë edhe nga shtete të tjera.

”Këtu është një shkatërrim i vërtetë, nuk ia dalim dot vetëm”, thotë përsëri Antonio.

Tërmeti në Shqipëri dëmton muret e Teatrit Kombëtar (FOTO)

Lëkundjet e tërmeti që kanë përfshirë sot Tiranën kanë dëmtuar muret e Teatrit Kombëtar, objekti për të cilën tashmë ka qenë duke u diskutuar shumë në Shqipëri nëse duhet të rrezohet apo jo, përcjellë KultPlus.

Sipas Java News, pas lëkundjeve, në godinë u konstatua një shkëputje e soletës nga kolona, karakteristikë e tërmetit, si dhe plasaritje të freskëta që përbëjnë problematikë për rënien e strukturave. Gjithashtu, janë vërejtur edhe çarje në arkitrarë, çarje në gjatësinë e kolonave, të cilat sipas ekspertëve, ndodhin ekskluzivisht për efekt të amplitudave të ndryshme të tërmetit.

Gjatë kohës së tërmetit brenda në Teatër kanë qenë vetëm punonjësit e institucionit të cilët janë larguar dhe nuk kanë pasur dëmtime.
Në anën tjetër Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, përmes një reagimi në “Facebook”, ka treguar se në Teatër kanë dalë zjarrfikësit të cilët sipas njoftimit fotografojnë të çarat e vjetra, për t’ia faturuar tërmetit të sotëm.

“Po ndodh tek teatri: kanë ardhur punonjës të zjarrfikëses në teatër dhe po fotografojnë të çarat e vjetra, për t’ia faturuar tërmetit të sotëm. Ps. Ju lutem shpërndajeni, pasi këta janë aq të paskrupullt sa janë në gjendje ta prishin vetë dhe të thonë e bëri tërmeti”, shkruhet në faqen e “Facebook” të Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. /KultPlus.com